Nga Bashkim Trenova
Pjesa e tridhjetë e tetë
Memorie.al /publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturg dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëri e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
ME “HERONJTE E POPULLIT”
BYROJA POLITIKE DHE PRESIDENCA
Enveri i propozoi Myslym Pezës, të internonte fëmijët që kishte me gruan e parë!
Në kohën që qëndroi në shtëpinë e Myslym Pezës, në një çast Enver Hoxha vuri re se Dija, vajza e Myslymit, nuk ishte aty bashkë me pjesëtarë të tjerë të familjes. Ai iu drejtua Skënderit, djalit të madh të Myslymit me pyetjen: “Po Dija ku është, Skënder?” Dija nuk kishte ardhë për t’i dhënë lamtumirën e fundit babait të saj. Ajo kishte vite, që nuk takohej me të. Skënderi, i befasuar, ndoshta edhe i trembur nga pyetja e Enverit, me zë të mekët përgjigjet: “Është pak pa qejf, shoku Enver”.
Ky kujdes i Enver Hoxhës për marrëdhëniet prindër-fëmijë në familjen e Myslym Pezës, pas vdekjes së tij, ishte sa hipokrit aq edhe cinik. Mua më kujtohet një tregim i Myslym Pezës për Enver Hoxhën, pasi ai ishte ndarë me gruan e parë Zenepen dhe ishte martuar me Milen. Fëmijët e Myslymit me Zenepen u larguan nga shtëpia, duke dënuar martesën e dytë të Myslymit. Skënderi i shkruan një letër edhe Enver Hoxhës me këtë frymë. Enver Hoxha në këto rrethana, i propozon Myslymit që t’i internonte fëmijët e tij bukëshkalë. “Unë, i thotë ai Myslymit, të kam ty mik. Skënderin nuk e kam gjë”. Këtij propozimi, Myslymi i është përgjigjur me fjalët: “Nëse im bir ka bërë ndonjë gabim ndaj Partisë, dakord, le të internohet. Nëse më propozon të internohet për problemet që kemi midis nesh në familje, jo, nuk ka përse të internohet”. Këto fjalë i kam dëgjuar nga vetë Myslym Peza.
Mendja perverse e Enver Hoxhës ndoshta edhe kur pyeti Skënderin për Dijen, punonte për keq. Fakti është se Skënderi bisedoi menjëherë me Dijen dhe të nesërmen, pas më tepër se 25 vjetësh, Dija shkon për t’i dhënë lamtumirën babait të saj, pasi ai ishte varrosur. Enveri nuk u kujtua asnjëherë për dashurinë e ndërsjellët prindër – fëmijë në familjen Peza, sa kohë Myslymi ishte gjallë. Ai nuk pyeti ndonjëherë ç’bëjnë Dija e Skënderi, apo Partizani, ç’bën Zenepja, kjo grua tepër fisnike, e sëmurë rëndë? Truri i tij ishte i gatshëm të vihej në veprim menjëherë vetëm për të plagosur, për të rrënuar, për të shkatërruar. Siç tregon edhe ky rast, por edhe mjaft të tjerë gjatë viteve që ai ishte në pushtet, familja për të nuk kishte asnjë vlerë, miqësinë ai e shihte vetëm si mundësi që i ofrohej për të goditur, në emër të saj, për tu kënaqur nga dhimbjet, tragjeditë, makabritetet e pafund të pushtetit të tij të pafund.
Enveri u zemërua keq me Myslym Pezën, për kujtimet që ai po shkruante!
Enver Hoxha jo një herë në fjalimet apo në kujtimet e tij, e ka ngritur lart figurën e ‘Heroit të Popullit’ Myslym Peza. Ai, sikurse ka thënë vetë, ka qarë nga dhimbja që i shkaktoi vdekja e Myslymit. Në 4 qershor të vitit 2011, “Gazeta 55”, me orientim të djathtë dhe e afërt me Sali Berishën, ka botuar disa faqe nga ditari sekret i Enver Hoxhës të shkruara dy vjet para vdekjes së Myslymit. Duke lexuar Enver Hoxhën, kupton se ai është i pakënaqur, madje i zëmëruar me Myslym Pezën, ose më saktë me kujtimet e Myslym Pezës, të cilat ai i cilëson si “të çoroditura, individuale, subjektiviste”. Më poshtë Enver Hoxha kërkon të hedhë dyshimin e ta paraqesë Myslymin si agjent të vjetër të jugosllavëve, të lidhë kujtimet e atij me “punën shumë armiqësore të Mehmet Shehut si agjent i jugosllavëve”, ose me “komplotin e Mehmet Shehut”, ish kryeministrit shqiptar, të vrarë ose të vetëvrarë në dhjetorin e vitit 1981. Në ditarin e tij, Enver Hoxha hedh të njëjtat akuza e dyshime edhe për Haxhi Lleshin dhe përfundon: “Mos vallë qëndron gishti i jugosllavëve prapa tyre?”
Unë nuk mund të marr përsipër të provoj origjinalitetin e ditarit të Enver Hoxhës. Nëse është origjinal, ky ditar dëshmon për mua edhe një herë për karakterin e tij hipokrit dhe paranojak. Është fakt i njohur se nga 13 anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, vetëm Myslym Peza dhe Haxhi Lleshi i kishin shpëtuar dorës së hekurt të Hoxhës. Mustafa Gjinishi, Koci Xoxe, Dali Ndreu, Liri Gega, Nako Spiro dhe Baba Faja u ekzekutuan, Abaz Kupi u arratis, kurse Bedri Spahiu, Spiro Moisiu dhe Ramadan Çitaku u burgosën e u persekutuan. Ndoshta Enver Hoxha mendonte që nëpërmjet kujtimeve të Myslym Pezës dhe Haxhi Lleshit, të zbulonte një komplot të ri armik dhe t’i asgjësonte edhe këta?! Gjithçka është e mundur. Kështu do të rezultonte se Lufta Antifashiste në Shqipëri ishte udhëhequr nga agjentë e tradhtar, por kjo gjë pak rëndësi ose aspak rëndësi kishte për Enver Hoxhën. Ai mbetej kështu udhëheqësi i vetëm i lavdishëm dhe legjendar i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, shpëtimtari i mbarë një populli dhe i atdheut!
Shpreha më sipër dyshimin për origjinalitetin e ditarit sekret të Enver Hoxhës. Në fakt “tregime” si të Enver Hoxhës për Myslim Pezën kisha dëgjuar edhe disa vite më parë. Kur punoja si drejtor i shtypit dhe zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, në vitin 1994-1995, një ditë, një djalë i ri shkodran, që i thërrisnin Bardhi, më erdhi në zyrë. Ai ishte një nga punonjësit e Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK-ut.) Në Ministri kishte atëherë disa të tillë, që përgatiteshin për t’u dërguar me shërbim në ambasadat e Shqipërisë. Duke ditur se unë kisha qenë më parë kryeredaktor i “Rilindjes Demokratike”, por duke mos ditur se Myslym Peza kishte qenë xhaxhai i nënës time, ai më kërkoi ta ndihmoj që të botojë një artikull për Myslym Pezën. Bardhi më tha hapur, se këtë detyrë atij ia kishte ngarkuar SHIK-u. Përmbajtja e artikullit të SHIK-ut, ishte e ngjashme me ditarin sekret të Enver Hoxhës. Sigurisht që nuk pranova të bashkëpunoj me shikasin.
Interesant është fakti se “Gazeta 55”, duke botuar pjesë prej ditarit sekret të Enver Hoxhës për Myslym Pezën, nuk mban asnjë distancë, por bashkohet plotësisht me mendimin e diktatorit, e paraqet atë si provë e pakundërshtueshme që dëshmon se cili ka qenë në të vërtetë Myslym Peza! Si e djathtë, sikurse paraqitet, ajo ka kërkuar gjithnjë të shitet si kampione e shtypit shqiptar në vlerësimet tejet kritike ndaj Enver Hoxhës dhe bëmave të tij. Për Myslym Pezën ajo nuk gjen tjetër referim të besueshëm përveç diktatorit! Normalisht vlerësimet denigruese të Enver Hoxhës ndaj Myslym Pezës, duhet t’i bëjnë nder këtij. Ato dëshmojnë se ai mbetet një figurë e pastër deri në fund të jetës së tij.
Si ja transformuan kujtimet Myslym Pezës, te libri “Kur dhashë besën”?!
Lidhur me kujtimet e Myslym Pezës unë di se ai nuk pranoi që ato t’i shkruante dikush tjetër. Vetë, duke qenë i verbër nuk mund t’i shkruante prandaj, sikurse më ka thënë, ai kishte kërkuar që këto kujtime t’i regjistronte me zërin e tij. Ai donte të thoshte të vërtetën, pa zbukurime, pa deformime ashtu siç e kishte jetuar, të tjerët pastaj le të bënin si të donin. Në fakt edhe kështu bënë. Botimi “Kur dhashë besën”, me kujtime të Myslym Pezës, është një përpunim dhe “stilizim” i rëndë i origjinalit të kujtimeve të Myslym Pezës. Unë nuk jam njohur me kujtimet e regjistruara të Myslym Pezës. Pavarësisht nga ky fakt, e njoh shumë mirë gjuhën, fjalorin, mendimin e e tij, shprehjet që përdorte ai si edhe mënyrën se si e vlerësonte një ngjarje, një person apo personalitet. Kam qenë i pranishëm në një rast dhe e kam parë, së paku të habitej, kur ka lexuar se si paraqitej takimi i tij i parë me Enver Hoxhën, se si gjoja kishte menduar ai për Enver Hoxhën, porsa e kishte parë, që në hapat e para kur ai po drejtohej pranë tij!
Nëse Enver Hoxha ka mbetur i pakënaqur nga kujtimet e Myslym Pezës, madje edhe është inatosur prej tyre dhe kërcënon me “masa”, për të shpëtuar Partinë dhe popullin, kjo ka vetëm një shpjegim. Myslymi, siç duket, në kujtimet e tij, i ka lënë Enver Hoxhës atë vend që ka patur në ato vite dhe jo atë që i cakton historiografia komuniste e viteve të diktaturës. Myslymi, me të vërtetat e tij, duke folur për fshatarët e thjeshtë, për nacionalistët, duke mos folur për rolin e Partisë Komuniste në Konferencën e Pezës etj., e ka shkurorëzuar atë, e ka ulur nga Olimpi. Këtë gjë diktatori nuk mund t’ia falte kurrë Myslym Pezës.
Myslymi dhe Haxhi Lleshi, u gëzuan për vdekjen e Mehmet Shehut!
Nëse diktatori Hoxha i lidh kujtimet e Myslym Pezës dhe të Haxhi Lleshit me emrin e Mehmet Shehut, e vërteta është se si njëri ashtu edhe tjetri, nuk kanë patur asnjë konsideratë për Mehmet Shehun. Që gjatë viteve të Luftës, në takimet që kanë patur me Mehmet Shehun në Dibër dhe në Pezë, ata janë grindur rëndë me të dhe kanë kundërshtuar urdhrat që kishte dhënë ai për vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Unë asnjëherë nuk e kam parë Mehmet Shehun të shkojë për vizitë në shtëpinë e Myslym Pezës. Ky dhe Haxhiu, jo vetëm janë ndeshur por edhe e kanë urryer Mehmet Shehun. Këtë gjë e kam mësuar pas vrasjes apo vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Kam shkuar në një nga ato ditë në shtëpinë e Myslymit. Aty gjeta edhe Haxhi Lleshin. Të dy e kishin pritur shend e verë lajmin e vrasjes apo vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Duke qeshur më thanë se ata, në bisedat e tyre, kur kanë folur për Mehmet Shehun, gjithnjë e kanë përmendur atë jo me emrin e tij, por “ai muti”! Mundet që ky sinqeritet i vonuar të ketë sëkëlldisur edhe diktatorin.
Mehmeti për disa dhjetravjeçarë ka qenë krahu i djathtë i tij, kryeministër dhe numri dy në hierarkinë partiake e shtetërore. Ata gjatë disa dhjetravjeçarëve janë përqafuar, puthur e përbetuar duke demonstruar kështu miqësinë e tyre të madhe dhe besnikërinë deri në vdekje ndaj njëri-tjetrit, ose sikurse thuhej, ndaj Partisë. Tani ai “zbulonte” se Myslymi dhe Haxhiu gjatë tërë kësaj periudhe e kanë quajtur atë në bisedat e tyre – “ai muti”! Pra ai kishte patur “mutin” si njeriun më të afërt dhe nuk i’a kishte ndjerë erën! Duke qenë paranojak, ai nuk mund të mos dyshonte se Myslymi dhe Haxhiu, përderisa kanë folur fshehurazi të tjerëve me këtë gjuhë për shokun e tij për kokë, kanë folur edhe për të! As këtë gjë ai nuk mund t’ia falte Myslymit apo edhe Haxhiut.
Dyshimet dhe pakënaqësitë e Enverit ndaj Myslym Pezës, që nga periudha e Luftës!
Mua më duket se dyshimet e pakënaqësitë e Enver Hoxhës ndaj Myslym Pezës, e kanë zanafillën që në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Nëse ato nuk u shoqëruan me pasoja të rënda për Myslymin dhe familjen e tij kjo, përveç të tjerave, mund të shpjegohet edhe me faktin se Myslym Peza nuk ka patur kurrë ambicie për pushtet, pra ai nuk ka paraqitur kurrë ndonjë rrezik real apo potencial për Enver Hoxhën, ishte i padëmshëm. Nga vetë Myslym Peza, kam dëgjuar të thotë se kur e emëruan si zëvendëskryeministër i qeverisë së parë të pasluftës, ai i ka thënë Enver Hoxhës, se nuk duhej të ishte në një post të tillë. Enveri e ka mbyllur bisedën me fjalët: “Kështu duhet”! Edhe kur i dhanë gradën e gjeneral majorit, ai e ka kundërshtuar, madje i ka thënë Enverit: “Tashti e dhjeve fare”!
Nga Historia e Partisë së Punës e botuar nga Instituti i Studimeve Marksiste- Leniniste të drejtuar nga bashkëshortja e diktatorit, ne dimë për fundin e Mustafa Gjinishit. Babai i Mustafait, Ademi, ka qenë mik familjar i gjyshit tim Shyqyri Pezës dhe i Myslymit. Gjatë periudhës së Luftës, Mustafa Gjinishi u zgjodh në organet dhe forumet më të larta që udhëhiqeshin nga Partia Komuniste. Ai ishte anëtar i Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, që përbëhej nga shtatë vetë dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të përbërë nga 13 vetë. Atë e eliminoi fizikisht Enver Hoxha, ende pa mbaruar mirë Lufta. Myslymi me të vërtetë ishte njeri pa shkollë, por kishte një zgjuarsi natyrale të padiskutueshme dhe një intuitë të jashtëzakonshme. Ai e kuptoi menjëherë dhe e tha me zë të lartë se kush ishin vrasësit e vërtetë të Mustafa Gjinishit.
Siç del nga një letër që Gogo Nushi, një nga udhëheqësit komunistë të kohës e më pas anëtar i Byrosë Politike, i ka dërguar më 31 gusht 1944 Enver Hoxhës, Myslym Peza e ka ndjerë se Mustafa Gjinishin e kanë vrarë “shokët”. Në letrën e tij, Gogo Nushi, midis të tjerave, shkruan: “Parmbrëmë mësuam nga Radio Bari vrasjen e Mustafa Gjinishit. Ia njoftuam Myslymit, i cili u hidhërua shumë, por nuk tha asnjë fjalë. Mbas disa orësh, mbasi filloi të pijë raki, përpara më shumë se 50-60 vetave, filloi të flasë. Në mes shumë fjalëve, tha edhe këto: “Mustafanë e kanë vrarë shokët, se ai ishte më i zoti se ata…! Mustafa, përpara se të largohej nga Përmeti më tha: “Do të më dërgojnë andej nga Dibra dhe atje do të më zhdukin”. Të mos kishim qenë unë e Mustafa, nuk do të kishte gjë në Shqipëri. Ne kemi luftue”.
Myslym Peza kur morri vesh lajmin e vrasjes së Gjinishit, tha se atë e kanë vrarë shokët!
Sikurse ka treguar e motra e Mustafa Gjinishit, Xhemilja, Myslym Peza kur ka marrë vesh vrasjen e Mustafait, ka thënë: “Për Mustafain gjaku do të shkojë deri në gju të kalit”. Kjo gjë nuk ndodhi, por unë mendoj se në marrëdhëniet Enver-Myslym, ka qenë gjithnjë e pranishme vrasja e Mustafa Gjinishit dhe shija e hidhur e fjalëve që janë shkruar në letrën e Gogo Nushit apo ato që përmend Xhemile Gjinishi. Në shtypin e viteve të demokracisë, është shkruajtur disa herë edhe se Mustafa Gjinishi ka qenë i fejuari i vajzës së Myslymit, Dijes. As në shtëpinë tonë dhe as në atë të Myslym Pezës, nuk kam dëgjuar kurrë të flitet mbi këtë subjekt. Pavarësisht nga kjo, fakti është se Dija nuk u martua kurrë në jetën e saj. Mundet kishte bërë një betim besnikërie!? Mundet që asaj ia vranë dashurinë shokët e llogores antifashiste!? Mundet që edhe këtë gjë, në të vërtetë një revoltë në heshtje, nuk ia falte asaj Enver Hoxha, prandaj edhe u kujtua për Dijen ditën e varrimit të Myslym Pezës.
Në marrëdhëniet e Enver Hoxhës me Myslym Pezën, sipas meje, ka qenë gjithnjë e pranishme edhe vrasja e gjyshit tim, Shyqyri Pezës. Në shikimin tim, Shyqyri Peza është një demokrat e antifashist, bashkëluftëtar i ‘Heronjve të Popullit’ Bajram Curri, Fan Noli, Luigj Gurakuqi dhe i Hasan Prishtinës, gjithnjë dinjitoz dhe jo sejmen i dikujt. Shyqyriu ishte me kulturë dhe horizont të gjerë politik, me një bagazh të madh, i palodhur dhe i gatshëm në çdo rrethanë për të dhënë ndihmesën e tij, madje jo vetëm për fatet e vendit. Edhe atje ku emigroi si refugjat politik, në Greqi, ai u implikua në një lëvizje të pasuksesshme, që kishte për qëllim rrëzimin e regjimit diktatorial, gjë që i kushtoi vite internimi e burgimi në ishullin Metilini.
Shyqyriu u kthye nga Greqia në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë. U kthye jo për paqe me pushtuesin, por për ta luftuar dhe përzënë atë nga trojet shqiptare. Është jo vetëm Myslym Peza, sikurse shkruante dikur historiografia komuniste, por së bashku vëllezërit Peza, pra Shyqyri e Myslim Peza, që krijuan çetën e parë të armatosur antifashiste, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan e ndoshta më tej, në mbarë Evropën. Këtë të vërtetë e dëshmon një dosje e madhe me dokumente, dosja “Banda e vëllezërve Peza”, që gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit, e që kam patur rastin ta konsultoj. Dosja përmban dokumente të hartuara nga pushtuesit lidhur me veprimtarinë antifashiste të “Bandës së vëllezërve Peza”, sikurse e cilësonin ata çetën antifashiste të Pezës në mënyrë denigruese.
Debati im me Myslym Pezën, lidhur me vëllanë e tij, Shyqyrin, gjyshin tim!
Bindja ime është se Shyqyriu dhe Myslymi kanë patur marrëdhënie të pastra vëllazërore dhe marrëdhënie të pacënuara bashkëluftëtarësh. Unë kam biseduar jo një herë me vetë Myslim Pezën për gjyshin tim. Në çdo rast kam parë tek ai një ndjenjë respekti dhe nderimi për vëllanë e madh, një vlerësim maksimal duke pranuar që, sipas tij, (kuptohet sipas Partisë), duhej njohur fakti se Shyqyriu ka patur edhe gabime. Më kujtohet pas botimit të një libri mbi çetën e Pezës, ku gjyshi im vlerësohej sipas klisheve të caktuara nga Partia dhe Enver Hoxha, Myslim Peza ishte njoftuar se mua nuk më kishte pëlqyer ky trajtim.
Në takimin e parë që patëm më thotë: “Më kanë thënë se ty nuk të ka pëlqyer ajo që është shkruajtur për gjyshin tënd, por ai ka bërë edhe gabime, or Babë”. I thashë se: “Shyqyriu, mund të ketë bërë edhe gabime, por këto gabime ai i ka larë me gjakun dhe jetën e tij, gjë që nuk e kanë bërë ata që shkruajnë tani për gabimet e tij”! Myslymi në atë kohë kishte humbur shikimin. Motra ime, Engjëllushja, e pranishme dhe gruaja e Myslymit, Milja, më bënin shenjë që të mos e zgjasja bisedën, sepse ai po bëhej nervoz. Ndoshta edhe u bë nervoz, por duhet kuptuar përse. Fakti është se ai e mbylli vetë bisedën, duke më thënë: “Mos mendon se ti e don gjyshin tënd më shumë se unë vëllanë tim”?! Pas pak, duke e menduar atmosferën si të shqetësuar, unë ngrihem për t’u larguar nga shtëpia e Myslym Pezës së bashku me motrën, dhe në këtë çast, kur i zgjas dorën, dëgjoj të më drejtohet me fjalët: “Ku do të shkoni, do të qëndroni këtu për drekë sot, do të hamë së bashku”.
Ai na shtroi drekën jo në dhomën e ngrënies për miqtë, por në një aneks të vogël të kuzhinës së shtëpisë, në muret e së cilës ishte varur një portret i Shyqyri Pezës. Unë e kuptoj pozitën delikate të Myslim Pezës, lidhur me vlerësimin publik të figurës së Shyqyri Pezës. Enver Hoxha në kujtimet e tij e karikaturizon Shyqyriun, duke e paraqitur si një fshatar brekushe gjerë, gjë që nuk përkon aspak me të vërtetën. Shyqyri Peza ishte burrë gjigant me veshje europiane, mendim dhe sjellje europiane. Enveri nuk e falte Shyqyriun edhe pse ai ishte shpallur ‘Dëshmor i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare’. Mua më duket se as Myslymi nuk ia falte Enverit vrasjen e të vëllait, Shyqyriut. Ndoshta Enveri e dinte, e ndjente këtë gjë.
Si i ndaloi Babë Myslymi, t’ia hiqnin eshtrat e Shyqyrit nga Varrezat e Dëshmorëve të Kombit?!
Më kujtohet edhe një bisedë me Myslym Pezën. Ka qenë ndoshta takimi im i fundit me të, 1 maji i fundit i tij. Kërkoi që të ulesha pranë tij. Pas pak filloi të më flasë për Shyqyriun. Më tha se, edhe sot e kësaj dite, pra rreth 40 vjet pas vrasjes së tij, kishte njerëz që shkruanin letra në Komitetin Qendror të Partisë, kundër Shyqyri Pezës. I quajti gjarpërinj këta njerëz. Në bisedë e sipër i kërkoi oficerit të tij të shërbimit, Gani Pezës, që t’ia sillte letrën. Ganiu u largua, u kthye duke thënë se nuk po e gjente. Myslymi këmbënguli dhe letra u gjet. Ma dha ta lexoj. «E shikon or Babë, tha, çfarë njerëzish janë»?!
Nuk e di përse ata të Komitetit Qendror, ia kishin përcjellur këtë letër Myslysmit. Unë e lidh këtë me fjalët që më tha më pas ai. «Ka njerëz or Babë’, më tha Myslym Peza, ‘që duan t’i hedhin në Lanë eshtrat e Shyqyriut. Mua më thanë se duan t’ia largojnë eshtrat nga Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. I kam ndaluar duke i thënë se ‘eshtrat e Shyqyriut kanë ndërruar tri herë vend. Le të prehen tani aty ku janë»! Babë Myslymi ishte i lumtur që kishte ndaluar heqjen e eshtrave të vëllait të tij nga Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. «Tani’, tha ai, ‘kemi katër tanët në këtë varrezë»! Më përmendi më pas Shyqyriun, xhaxhain tim, Faik Trenovën., Myrveten dhe Kajon.
Për Myrveten dhe ‘Heroin e Popullit’, Kajo Karafilin, janë kënduar këngë, janë shkruajtur e botuara artikuj të ndryshëm, është xhiruar edhe një fim artistik. Eshtrat e tyre e meritojnë të jenë aty ku janë, ata i meritojnë edhe këngët dhe shumë më tepër.Lufta lindi dhe i dha fund dashurisë së tyre të pastër, të denjë për heronj. Në të vërtetë Myrvetja nuk është njohur zyrtarisht si Heroinë e Popullit. Myslymi e kërkoi pranë Kuvendit Popullor në vitet e fundit të jetës së tij që të njihej edhe Myrvetja si heroinë. Kërkesa e tij u la në heshtje. Ndoshta sepse ajo ishte e bija e Shyqyriut!
Ka patur edhe të tillë që kanë shkruajtur për heroizmin e Kajos e të Myrvetes për të rritur emrin e tyre. Më kujtohet një bisedë me Babë Myslymin, lidhur me një botim të tillë në revistën “Nëntori” në vitet ‘80. “E ke lexuar”? më pyeti Baba. “Jo’, i thashë, ‘nuk e kam lexuar”. “E çfarë gazetari je ti që nuk i lexon këto”, vazhdoi më tej Myslym Peza. “Unë jam gazetar për probleme ndërkombëtare”, thashë i kapur ngushtë. «Lexoi këto të vendit në fillim», më tha ai. U ndamë, por unë e dija se kjo bisedë nuk kishte marrë fund. Kështu e kërkova dhe e gjeta numrin e revistës «Nëntori» ku ishte botuar shkrimi mbi rënien heroike të Kajo Karafilit. Në takimin e ardhshëm, Babë Myslymi më pyeti: “Hë, e lexove artikullin”? Pohova : “Si mendon”? vazhdoi ai. Nuk doja të jepja mendim, sepse nuk doja të “ngatërrohesha” edhe një herë me të. I thashë se «nuk mund të jap mendim, sepse nuk i njoh ngjarjet e kohës”. Myslymi nuk u tërhoq. I tha të shoqes, Miles, që t’ia sillte “Nëntorin”. Pasi ia solli, ai ma dha mua dhe më tha: “Lexoje tani”. Fillova të lexoja dhe Baba, që më ndiqte, tallej me autorin e shkrimit, Sali Verdha, e thoshte: “Rrenë or Babë, rrenë”, “rrenë or Babë, rrenë”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016