Nga Denisa Kona
Pjesa e parë
Memorie.al / Historia e familjes Bakalli, është ajo e njërës prej familjeve më të vjetra tiranase, me tradita. Në njërën nga pesë shtëpitë që u la babai (e zhvendosur paksa më tej nga e vjetra 2000-vjeçare – aty ku sot ndodhet ”Shtëpia e Birrës”), në zemër të Tiranës, jetonte i fundit i 6 vëllezërve, prej një mëme e një babe dhe një prej 24 fëmijëve të Kadiut të Tiranës – siç thirrej atëherë gjykatësi i qytetit, Hasan Bakalli. Historia e tij është nga më të rrallat, ashtu siç mund të presësh të dëgjosh nga një njeri në pleqëri të thellë e me një jetë shumë të pasur të të gjitha natyrave. Ndonëse të folurit i pengohej pak nga paraliza që kishte kaluar para disa kohësh, ai e quante një mrekulli që, i është kthyer ajo aftësi. Dhe ja se çfarë na tregoi shtruar, aty në shtëpinë e tij, të mbushur me libra, dekorata e simbole fetare.
”Babai im ka qenë hoxhë. Hoxhë, domethënë mësues i ligjit. Ai ka jetuar 116 vjet”. Kështu e nisi rrëfimin e tij doktor Qazim Bakalli.- “Baba ishte Kadiu i Tiranës, që atë kohë vinte i dyti pas Mbretit”. Ndërsa përpiqeshim të bënim lidhjen mes rrëfimeve të të moshuarit dhe shënimeve në fotografi, për t’i saktësuar, gjetëm përkimin me shënimin pas fotos së Kadiut: 1834-1950. Doktor Bakalli, thoshte se i ati, kishte punuar deri në fund të jetës dhe ka dalë në pension në kohën e diktaturës. Ai kishte studiuar turqishten, pastaj kishte shkuar në Turqi ku ishte specializuar për legjislacionin turk, Sherihatin. Më pas kishte vijuar specializimin në Iran.
Hasan Bakalli njihej si specialisti i parë për Sherihatin në Shqipëri, sidomos në fushën e legjislacionit për pronësinë. Por në duart e tij, kishte kaluar e gjithë jeta e kryeqytetit. Aty, para tij, lidheshin dhe zgjidheshin jetë njerëzore, martesa e divorce. Nuk kishte asgjë të ngjashme me imazhin e gjykatësit të sotëm. Qazimi, kujtonte se baba i tij, kurrë nuk mori ryshfete dhe për të thoshin se ishte kaq i pastër fizikisht dhe shpirtërisht, saqë kur binte miza, bënte mjaltë. Ishte një njeri që kurrë nuk u përfol dhe vuri rregull në jetën e qytetit me vendimet e drejta, duke ulur kriminalitetin e çdo forme dhe duke ndikuar në, forcimin e marrëdhënieve të pastra të njerëzisë.
Por jeta e tij familjare nuk kishte kaluar pa andralla. Pesë herë ishte martuar se, gratë nuk i rronin. Kështu, martesë pas martese, ai e shtoi familjen që numëronte e tëra 81 pjesëtarë. ”Vetëm me nënën time, baba bëri 6 djem (mes tyre unë) dhe një vajzë. Të gjithë u shkolluan në shkollë fillore, se më tepër se kaq nuk kishte atëherë”, na thoshte Doktor Qazimi, duke nga treguar me dorë, godinën e Pedagogjikes, sot shkolla e mesme ekonomike. Në atë kohë, shkolla fillore ishte 6 vite, por mund të merreshin edhe dy vite brenda një viti, duke dhënë provimet. Kështu, Qazimi e mbaroi shkollën në 4 vjet, para se të vinte Harry Fultzi, të cilin e kujton si një njeri të madh, që fatkeqësisht, regjimi komunist, do ta etiketonte më pas si agjent. Pas shkollës fillore, Qazimi ndoqi Liceun e Shtetit që gjendej përballë Bankës Kombëtare. Ndërsa më 1939-ën shkon në Bolonjë me studime, për Mjekësi. Por, befas u kthye në atdhe…!
Dr. Bakalli: “Nëna më vdiq në lindje. Nuk kam foto të saj”!
Babai i tij, ka lindur në vitin 1834. Vetë Qazimi, asokohe 88-vjeçar, kishte lindur në vitin 1921. I ati i tij, në martesën e tretë, e ka bërë Qazimin kur ka qenë 87 vjeç! Gjithsej 24 fëmijë. Por Qazimi nuk ishte as më i vogli i fëmijëve. “Nëna ime ishte e treta ndër gratë e babait, – thoshte ai.- Pas meje, ata patën edhe një fëmijë tjetër, djalë, në lindjen e të cilit nëna ime vdiq. Kam mall të madh për të dhe nuk kam as një fotografi që t’ia shikoj portretin. Nuk e mbaj mend, isha vetëm dy vjeç kur ajo vdiq. Por në atë kohë, për shkak të fesë, të një besëtytnie pa vend, gratë nuk lejohej të dilnin në fotografi”, kujton ai. Fytyrat e tyre kanë humbur në kohë. Ndërsa nga martesa e katërt, babai i tij, Kadiu i Tiranës, solli në jetë edhe dy djem të tjerë. Të fundit, kur ishte në moshën 107-vjeçare. Vëllai i fundit i familjes së madhe Bakalli, duhet të ishte 72 vjeç sot. Me gruan e pestë, Kadi Hasani nuk pati më fëmijë, por rriti si të tijën, një vajzë që e shoqja e solli me vete.
Krenaria për violinën e famshme të të birit në Francë
Doktor Qazimi, solli në jetë tri fëmijë, një djalë dhe dy vajza të cilët, thoshte se as nuk i ndante dot për dashuri nga njëri-tjetri. Nuk ka të parë e të dytë, i ka të tërë njësoj. Edhe pse dikush arriti më tepër në jetë e dikush më pak. Kështu, djali i madh i tij, të cilit i ka vënë emrin e të atit, Hasan, u bë artist më famë në Francë. Në një qytet pranë Gjermanisë ai jep mësim si pedagog violine. Pasi kishte mbaruar shkëlqyer Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, Hasani i ri, kishte punuar për shumë kohë si pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe vetëm pas 90-ës, ishte larguar drejt Francës. I biri i tij, ka ndjekur po atë rrugë. Gjysh Qazimi, mbante mbi tryezë, botimet e mediave franceze për të birin dhe nipin, Marlenin (që do të thotë lind i mbarë), koncertet e tyre në Francë dhe takimet me presidentin e këtij vendi. Në mur, fotot e koncerteve.
Ndërsa djali i dytë i Hasanit, Bengu (tingulli i parë, sipas filozofisë së Krijimit të botës nga klithma e një zogu), i ka ngjarë të gjyshit. Zotëron disa gjuhë të huaja dhe tani, ka shkuar në Kinë për të mësuar edhe gjuhën e këtij vendi. Ndërkohë, vajza e tij, e madhja, e cila ka mbaruar gjithashtu shkëlqyeshëm për piano dhe dirigjim, pas vitesh karriere në Tiranë, ku ka qenë mes të tjerave dhe drejtoreshë e Pallatit të Kulturës para viteve 90-të, jeton sot me familjen në Itali, dhe punon sekretare në një ndërmarrje. Një punë jashtë natyrës së profesionit të saj.
Ndërsa vajza e dytë, fëmija më i vogël i tij, ndonëse babai nuk e quan kurrë zhgënjim, nuk ia plotësoi ëndrrat. Ai kishte menduar për të, që do të merrte rrugën e tij, do të bëhej mjeke e zonja. Mirëpo ajo pas tri vite studimesh, i braktisi ato. “Edhe dashni edhe Mjekësi nuk bëhen në një kohë, thoshte doktor Qazimi.- Madje asnjëherë nuk bëhen në një kohë dy gjëra të mëdha e të rëndësishme. Ajo u mor me dashni dhe la studimet. I dashuri i saj, kërkonte një fëmijë prej saj, kur kushtet nuk ishin. Ajo e solli në jetë disa kohë më pas, por ai nuk iu përgjigj detyrimeve. E telefonoi nga Italia dhe kur dëgjoi në telefon zërin e foshnjës së tij, nuk pyeti një herë se ç’është ky fëmijë që qan”.
Pas kësaj, nuk u bë më i gjallë. Por gjyshi Qazimi, është tepër i lumtur për këtë krijesë të mrekullueshme që i solli e bija, edhe pse jashtë kurore. Vajza rreth 8-10 vjeçe hynte e dilte nëpër shtëpi, si hare e tij, me bukurinë e pazakontë të një zonjushe të vogël, si të pikuar nga qielli apo, si e bulëzuar nga burime nëntokësore. Dhe e shkëlqyer në mësime. Ajo jetonte me të ëmën dhe gjyshen, një kat sipër gjyshit. Nuk para hynte aty, nuk kishte qejf e gjyshja që ajo t’i bënte shoqëri plakut, të cilin e përflet shumë për moral. Edhe e vogla bënte sikur mbante inat, por ai ishte i kënaqur që, kishte mundësi ta shikonte përditë, t’i hapte portën, ta thërriste kur dikush vinte aty.
Vajza e vogël (ajo me të cilën ai kishte dalë fotografi kur ajo ishte foshnje), e shikonte të atin plak përditë nga pak. Zbriste shkallët, i bënte pazar, ndonjëherë i gatuante diçka, por kaq. “E ëma vazhdon të jetë edhe sot diktatore dhe imponuese me fëmijët. Ajo nuk i lë të vijnë të rrinë tek mua”,- thoshte ai. “Fëmijët edhe kur kanë një vit pa më parë, vijnë nga jashtë shtetit, rrinë 15 minuta tek mua, pastaj ngjiten sipër, rrinë atje, hanë e pinë tek e ëma”. Megjithatë, ai ndihej me fat që ishin afër dhe mund t’u ndjente çapitjet në tavan.
Doktor Bakalli: “Ju tregoj jetën time si guerrilas, grupin e pionierëve që drejtoja, ku ishte Ramiz Alia”
Pranverë 1939. Në atë kohë, rinisë shqiptare iu bë thirrje të kthehej në atdhe. “U ktheva sepse pas fesë, është atdheu, – thoshte Qazim Bakalli. – Më 1 prill 1939, u përfshiva me Lëvizjen”, – tregon doktori plak. Por jeta e malit ishte vetëm një periudhë e shkurtër. Qazimi bënte jetë guerrilase. “Aksionet tona ishin brenda në qytet,- rrëfen ai.- Unë kam qenë në atë kohë pjesëtar në 10 grupe antifashiste, mes tyre në grupin e rinisë, në njësitin gueril, drejtoja edhe një nga grupet antifashiste të pionierëve, që ishin të organizuara sipas lagjeve. Ishin si ”Debatiku”, që njihni ju, kujton ai. – Ramiz Alia, atëherë pionier, ishte pjesëtar i grupit që drejtoja”. Gjithashtu, Qazimi ishte edhe pjesëtar i grupit universitar si dhe i disa grupeve të tjera, që kishin anëtarë edhe jashtë atdheut. Meqenëse ai studionte në Itali, Partia Komuniste e kishte ngarkuar me një detyrë: Do të shkonte në vendin fqinjë për të dhënë dy provime dhe atje do të takonte edhe një person në Milano. I dhanë adresën dhe një shumë të mirë parash. Atje do ta priste një Italian, i lidhur me Lëvizjen. Ai do t’i jepte një radio-transmetuese. E bleu dhe u nis për kthim.
“Zoti më ka ndihmuar, – thoshte Qazimi, – ndërsa niste të tregonte peripecitë e atij aksioni të madh. – Nuk e harroj ankthin e udhëtimit me tren nga Milano për në Brindisi, për një ditë e gjysmë. Me vapor, qe e pamundur të udhëtoje për shkak të bombardimit të nëndetëseve angleze. Duhet ta dini, se anglezët janë armik i gjithë njerëzimit. Më në fund, mbërrita në Brindisi, nga ku do të nisesha për në Durrës. Atje nuk nisej asnjë vapor për një javë. Për një javë qëndrova atje me valixhet dhe radio-transmetuesen.
Gjermanë të rinj 16-17 vjeçare, që niseshin drejt frontit për në Azi, më kalonin fare pranë. Ndërsa netëve, për një javë në hollin e një hoteli, kam fjetur bri tyre, duke pasur në gjoks një komunikatë dhe në brez një revolver. Gjenerali Romel, komandanti i gjermanëve, flinte pranë meje. Tani kjo skenë më kujton atë filmin ku aktori komik, flinte mes gjermanëve”, tregonte Doktor Bakalli
Më në fund e njoftuan, se vapori për Shqipëri, ishte gati. Gjatë kësaj kohe, bagazhet e udhëtarit qëndronin në një ndërtesë. “Kur shkoj atje të marr valixhet dhe radio-transmetuesen time, më thonë: I kanë marrë! Si i kanë marrë? thashë i tronditur. Pastaj, më drejtuan tek një dhomë e gjatë ku, ishte një tavolinë dhe disa rafte. Atje ishte doganieri dhe një tjetër me kapele republike, spiun italian. Kur pashë valixhet e mia dhe radio-transmetuesen, aty mendova: Mora fund. I them doganierit: Zotni, unë jam pronari i këtyre. Ai më thotë: Hapi valixhet: Të shohim ç’ke brenda; ar apo armë? I thashë që më ka humbur çelësi.
Pastaj, ai vuri dorën mbi radio-transmetuese dhe më tha me qesëndi: Radio-transmetuese ë…?! E pashë në sy dhe pa rënë në sy të spiunit, u afrova dhe i thashë: Unë jam mjek (edhe pse ende nuk kisha mbaruar studimet) dhe më duhej kjo pajisje. Është radiomarrëse. Dhe ndërkohë i zgjata 5000 lireta, që në atë kohë me kaq para, një student në Itali, kalonte një muaj me ushqim, dhe me shlyerjen e të tëra pagesave të tjera. Ai i futi shpejt në xhep dhe me shkumës të verdhë, shkroi sipër V, që do të thoshte se, bagazhet ishin parë dhe; kalon”.
Por megjithatë, Qazimi që nuk harronte asnjëherë të falenderojë Zotin, kujtonte se në atë aksion, e kishte ndihmuar fakti që italianët janë njerëzorë e, sado që lufta është e rrezikshme, rreziku zbutej prej natyrës së tyre. Ndërsa gjermanët, nuk të falnin, por ata në atë kohë nuk dinin ku kishin kokën, -thoshte ai. – Ishin hall më vete e, nuk e kishin mendjen tek unë. Kështu me gjithë radio-transmetuese dhe më dy valixhet u gjenda në vapor, ku për fat të madh, nuk pati kontroll. Megjithatë, frika nuk më la të vija gjumë në sy. Atje takova një shqiptar që, ishte me lëvizjen dhe i kërkova ndihmë. I thashë: Merre ti një vegël nga radio-transmetuesja, që të mos merret vesh se ç’është. Ai ma ktheu: ‘Vetë e more përsipër, tani mbaje’. Pas lufte, ky njeri ka qenë prokuror”, – kujtonte Qazim Bakalli, duke shtuar se ai ishte edhe anëtar partie dhe spiun i rregullt. Ka marrë më qafë shumë njerëz. Ishte me origjinë prej Shkodre…!
“Kur mbërrita në Durrës, kujtova se shpëtova, por jo. Këtu ishte më e keqja. Sapo zbrita në port, më thanë: Si e ke emrin? Qazim Bakalli, – u thashë. Qazim Bakalli ëëë…? Ai që ka marrë detyrë të sjellë radion-transmetuese?! Katër spiunë më rrethuan në çast, -kujton ai. – Aty thashë se nuk do shpëtoja më, por pas pak, njësiti gueril, që mbulonte veprimet e mia, mbërriti aty dhe kur pashë grykën e kobures anash shpinës së njërit prej spiunëve, m’u duk si grykë topi, të them të drejtën. Doganieri që ishte spiun, u zverdh, u bë dyllë, u mbulua me djersë dhe tha me nxitim: Po, po, kaloni. Shkoni, shkoni. Kur erdha në Tiranë, në shtëpinë tone, që është bërë Kishë Katolike, gjeta aty vëllain e Vasil Shantos, një nip i babës tim. Më tha: “Të të lëshoj një deklaratë për këtë shërbim që i ke bërë lëvizjes”? Unë atëherë i thashë: E ç’po më duhet mua deklarata. Mirëpo disa kohë pas luftës, ia kërkova dhe ai bëri të paditurin”, kujtonte Doktor Qazimi. Kështu Qazim Bakalli, student 21-vjeçar në Itali, solli për herë të parë në Shqipëri më 1943-shin, një radio-transmetuese, një aksion i vështirë në shërbim të lëvizjen antifashiste.
Mes luftës dhe besimit…!
“Do të më vriste ndërgjegjja, po të kisha vrarë njeri në luftë” shprehej Qazimi. Pas këtij rrëfimi të gjatë, e pyesim doktor Bakallin: Si ka mundësi, edhe njeri fetar, edhe pjesëmarrës në luftë? A nuk do t’ju vriste ndërgjegjja, të vrisnit njerëz?! “Zoti thotë që kur të sulmojnë pasurinë, shtëpinë dhe familjen tënde, kthehu dhe lufto. Atdheu është pasuria, shtëpia e familja jonë”, shprehej ai. Më tej na pohon se; sot do ta kishte vrarë ndërgjegjja, ndonëse do të kishte vrarë qoftë edhe një gjerman. “As nuk isha i përgatitur shpirtërisht për të vrarë…”
Ndërsa na rrëfente këtë përsiatje për rrjedhën e ngjarjeve dhe filozofinë e luftës së një besimtari, doktor Qazimi pohonte, se; “Kur je tepër i ri, shpesh lufta, të duket një punë e thjeshtë, nuk mendon as që duhet të vrasësh, as që mund të vritesh. Rinia ka iluzione, vështirësitë i kalon pa menduar thellë. Dhe shton: E vetmja luftë e drejtë, është ajo që sjell paqe e shpëtim për popujt. Në Kuran përmendet shpesh fjala ‘Selam’, që do të thotë ‘Paqe”, thoshte ai.
Çdo ditë mes librave të shenjtë dhe literaturës mjekësore
Doktor Qazimi, thoshte se ka nevojë akoma për dituri dhe dituria është bekim “Ai që nuk pranon Krishtin si Muhametin, ai as mysliman nuk është…! Kurani e përmend 5 herë në 5 kapituj Krishtin (Isai) dhe 3 herë Marien”, Kështu na thoshte, Doktor Qazimi, ndërsa na përcillte tek porta. Në raftin e tij, ishin edhe Ungjilli edhe Kurani. Doktor Qazimi i lexonte çdo ditë këta libra të shenjtë, krahas literaturës shkencore mjekësore dhe librave në gjuhë të huaj. 7 libra të hapur mbi tavolinën e bukës, tryezën e shkrimit dhe shtratin e tij, ishin bota ku vërtitej atë ditë qe ne e takuam. Duke iu rikthyer leximit të librave fetarë, thoshte se ka gjetur shumë pika të përbashkëta, mes Biblës dhe Kuranit, gjë që e ka entuziazmuar dhe vazhdonte ta entuziazmojë akoma, pasi siç thoshte: “Kjo më bind se fjala e Zotit është Një”.
Shtëpia e tij ishte një mikromjedis i çuditshëm ku, përzihet fryma fetare me frymën akademike. Herë here, ke përshtypjen se je në shtëpinë e një personi që ndjek rituale fetare, herë se je në shtëpinë e një dijetari. Muret të mbushura me copëzat e kohës, diku piktura e shtëpisë së tyre të vjetër, dhuratë e A. Bashës, vëllait të dhëndrit të Qazimit, diku dekoratat e luftës, më tej medaljet dhe dëshmitë e nderimit, si Doktor i Mjekësisë, copëza gazetash, për karrierën e të birit violinist në Francë, flamuri kombëtar, Meka në sixhade, syret, kapituj të Kuranit në një copë më germa të ndritshme, foto të reja e të vjetra familjare dhe në ballë të tyre, portreti i babait, Hasan Bakallit, ish-Kadiut të Tiranës, që vinte i dyti pas Mbretit, bashkë me shkopin e tij, që i biri e ka kujtim të çmuar. Shkopi qëndron i varur në mur, qëkur i ati u largua nga jeta.
Doktor Qazimi ishte një besimtar mysliman i devotshëm, por brenda devocionit të tij, kishte edhe një tolerancë të madhe fetare. Gjatë viteve të rinisë së tij, tregonte se frekuentonte kishat në vendet ku jetonte si Itali, Jugosllavi, Rumani, Bullgari, ku shkonte çdo të diel, pasi në këto vende, nuk kishte xhami ose ishin tepër larg. “E rëndësishme është që i lutesh Zotit”,- thotë ai,- edhe pse për moshën i takonte të ishte një fanatik i fesë së tij. Megjithatë, ai nuk i ndahej ritualeve të saj, që nga mosha 7-vjeçare. Agjëronte rregullisht dhe pesë herë në ditë, bënte falje. Edhe pas mesnate.
Aksidenti dhe eksperimenti i profesorit
Doktor Bakallin, nuk e shikoje asnjë ditë pa lexuar; literaturë fetare e shkencore në gjuhë të ndryshme. Mendja e tij ruante frëngjishten dhe italishten, si shqipen, pastaj anglishten, gjermanishten dhe gjuhët sllave; mes tyre serbokroatishten, bullgarishten dhe rusishten. Para 35 vitesh, ai pësoi një aksident me biçikletë. U godit në kokë. Mban mend kolegët e tij të mbledhur mbi të, duke diskutuar: a duhet ta hapnin kafkën e tij, apo jo?! Shefi, një njeri që u pushkatua më vonë, tha: “Ky di 7 gjuhë. Ta pyesim”! Dhe ata nisën të më provokonin si mashkull me lloj-lloj sharjesh, secili në njërën nga gjuhët e vendeve ku kishin studiuar. Unë me sytë e mbuluar nga gjaku, po u përgjigjesha të tërëve, pa ua lënë mangët. Atëherë shefi, të cilit nuk ia kujtoj emrin, tha: “Reagoi, nuk paska gjë”. Eksperimenti funksionoi.
“Ndërsa firmosja fletën për divorc, m’u duk se firmosa vdekjen time”
Dashuria nuk pyet për të tjerat. Edhe doktor Qazimit, ia mbylli sytë. Pavarësisht biografisë sterrë, Qazimi mori vendim të martohej me vajzën që, për shumë vjet do të ishte gruaja e tij, atë që ishte më e bukura ndër shoqe. Kështu e shpjegon ai arsyen. “Ishte më e bukura vajzë e Tiranës. E njihja prej vitesh, sepse vinte tek ne, ishte shoqe me mbesën time. Ishte edhe mjaft inteligjente dhe e vuajtur”. Kështu, ai ishte tunduar fort, për ta pasur atë çdo ditë të jetës, para syve të tij.
Por me sa duket, fëmijëria e saj e tronditur nga dënimi i babait, do ta trazonte jetën e familjes së tyre. “Gruaja vuante nga çrregullime nervore, – thoshte ai – dhe unë si mjek, ndihesha fajtor, sepse nuk kisha treguar vëmendjen e duhur, ndaj shëndetit të saj. Ajo më ankohej dhe unë i thosha: Shko, ka mjekë plot”. Qazimi që kishte kuruar gjithë botën, ndihej fajtor, një herë si bashkëshort dhe dy herë si mjek, sepse, nuk i kishte ofruar të shoqes ndihmën e duhur. Për rrjedhojë, jeta e tyre familjare, me gjendjen e saj ishte tronditur.
Qazimi tregonte shpërthimet e së shoqes edhe në mesnatë. ”Më gjuante me shqelma, ora 1 e natës dhe më thoshte: Pse nuk më do ti mua?! Grindje edhe për gjërat më të parëndësishme, – thoshte ai.- Pse e lë këtu, pse s’e lë këtu. Një mbrëmje, natën e Vitit të Ri, më hodhi gotën e kosit në fytyrë, më qëroi sytë. Atëherë zura ta rrihja”, tregonte Qazimi. Ai pohonte me keqardhje se, e kishte rrahur disa herë të shoqen, por nuk mund të bënte ndryshe, sepse ajo kishte sjellje të padurueshme. Ajo më vërviste sende, më godiste. E kam rrahur paq më se një herë. E rrihja sepse, më mbyste me fjalë. Por nuk krenohem për këtë gjë. E quaj veten injorant dhe katil, edhe pse me gruan time ishte e padurueshme jeta. Nuk kishte burrë që do të mund ta shtynte”., shprehej jo pa keqardhje, Doktor Qazim Bakalli. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm