NIKOLLË LOKA
Av. ALFDRED DUKA
NIKOLIN KURTI
Pjesa e njëzetë e një
-Vazhdues i traditës së klerikëve katolikë atdhetarë –
Bashkëpunim për shtetin dhe vetëm në interes të tij
Gjatë vuajtjes së dënimit
Sanksionoj arrestimin
Prokurori i Përgjithshëm
Lefter Goga
Tiranë me 5-VI-1970
Vendim
Për arrest
Unë, hetuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Llambi Gegeni, mbasi studiova materialet në ngarkim të Shtjefën Kurti, i biri i Jakut dhe i Katerinës, i datëlindjes 1898, lindur në Prizren dhe banues në Gurëz të rrethit Krujë, me arsim të lartë-Teologji, i pa martuar, i pa organizuar, i dënuar me 20 vjet për aktivitet armiqësor, shtresë e pasur, (ish famullitar), me shtetësi e kombësi shqiptare.
Konstatova:
Se i lartpërmenduri ka agjituar e propaganduar për minimin e dobësimin e pushtetit popullor, krim ky i parashikuar nga Neni 73/I-rë i Kodit Penal. Veprimtaria e tij armiqësore provohet nga materialet që i bashkëngjiten këtij vendimi. Duke marrë parasysh se qenia e tij e lirë mund të sjellë shmangien e tij para organeve të hetuesisë dhe gjyqit, i udhëhequr nga nenet 145 dhe 157 të K.Pr. Penale.
Vendosa që Shtjefën Kurtin ta arrestoj.
Ky vendim t’i njoftohet të nalt përmendurit, duke i marrë dhe firmën e tij.
Hetuesi Llambi Gegani
Vendimi mu njoftua me 11-6-970
Shtjefën Kurti
Vendim
“Mbi marrjen si të pandehur”
Në Tiranë, me 10-II-1971. Unë, hetuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Iljaz Haxhiaj, mbasi studiova materialet hetimore në ngarkim të të pandehurit Shtjefën Kurti.
Konstatova:
Se i pandehuri Shtjefën Kurti, në bashkëpunim me të pandehurit Mark (Bardhok) Marku, Agustin Preçi, Pjetër Biba, Fran Noci, Zef Nishi dhe përpara të tjerë ka zhvilluar biseda armiqësore kundër pushtetit popullor.
I pandehuri, gjatë veprimtarisë së tij armiqësore, duke filluar qysh nga vjeti 1968, ka nxitur të pandehurit Mark (Bardhok) Marku, Pjetër Biba, Agustin Preçi, Fran Noci e Zef Nishi për të kryer akte arrestimi në dëm të ekonomisë të kooperativës bujqësore të katundit Gurëz në rrethin e Krujës, me qëllim që të arrihej në shkatërrimin e saj. Për t’ia arritur këtij qëllimi, kam udhëzuar të pandehurit më servile që të vazhdojnë vjedhjet në dëm të kooperativës bujqësore, të kryenin dëmtime të ndryshme gjatë punimeve, të ngjallnin pakënaqësi ndër anëtarët në mënyrë që këta të mos merrnin pjesë në punë, duke synuar kështu në uljen e rendimenteve, pakësimin e vlerës të ditës punës dhe për pasojë anëtarët të ngriheshin për shkatërrimin e kooperativës bujqësore.
Si rezultat i nxitjeve të bëra nga i pandehuri Shtjefën Kurti, të pandehurit e tjerë kanë kryer vjedhje dhe kanë dëmtuar gjatë punës ekonominë kooperativiste. Në këtë mënyrë i pandehuri Shtjefën Kurti, si nxitës dhe frymëzues kryesor i kësaj veprimtarie, ka kryer krimin e parashikuar nga neni 72 në kombinim në nenin 12 të Kodit Penal.
Për sa sipër dhe në mbështetje të nenit 129-1930 të Kodit Procedurës Penale.
Vendosa:
Që Shtjefën Kurtin t’a marrë të pandehur edhe për kryerjen e krimit të parashikuar nga neni 72 në kombinim me nenin 12 të Kodit Penal. Vendimi t’i njoftohet të pandehurit duke i marrë nënshkrimin.
Hetuesi
Ilajz Haxhiaj
Vendimi mu njoftue sot me datën 10/II/1971 pandehuri (Shtjefën Kurti)
Proces-verbal
Në Tiranë, më 12 qershor 1970. Unë, Iljaz Haxhiaj, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pyeta të arrestuarin Shtjefën Kurti
Pyetje: Tregoni biografinë tuaj?
Përgjigje: Quhem Shtjefën Kurti, i biri Jakut dhe i Katerinës, kam lindur më 24 dhjetor 1898 në Prizren-Jugosllavi dhe me banim në katundin Gurëz të rrethit Krujë, me kombësi e shtetësi shqiptare, me arsim të lartë teologji, shtresa e pasur tregtare, kohët e fundit punëtor në kooperativën bujqësore Gurëzit, i dënuar një herë në vitin 1946, me 20 vjet heqje lirie nga Gjykata Ushtarake e Garnizionit Tiranë, për veprimtari kundër pushtetit, i pa martuar, jam arrestuar me datën 11 qershor 1970.
Që nga koha e Turqisë dhe deri në kohën e Serbisë së parë, babai i im ka qenë marrë me tregtinë e drithërave dhe gjana të tjera ushqimore, duke siguruar kështu një pasuri të mirë. Mbas ardhjes së Serbisë së parë në Kosovë, ai bije ekonomikisht, për shkak se tregtinë u’a morën serbët, kështu që ai u bë shërbëtor i Bashkisë në Ferizaj.
Unë, shkollën fillore e kam kryer në Ferizaj, ndërsa gjimnazin bashkë me Filozofinë e kam kryer në qytetin e Shkodrës në vitin 1908, në shkollën e Jezuitëve. Në Shkodër, për të vazhduar shkollën, unë jam dërguar nga Kryeipeshkëvi i Shkupit. Në vjeshtën e vitit 1918, jam shkruar në Universitetin shtetëror të Insburgut në Austri, për Teologji. Aty vazhdova një vit, pastaj mbasi mori fund Lufta e Parë Botërore, shkova në Itali, për të vazhduar të njëjtat mësime. Në Romë mbarova shkollën e Teologjisë. Mbasi mbarova shkollën, jam kthyer në Jugosllavi si prift, ku në Shkup kam qëndruar si Sekretar i Kryepeskopatit për 5-6 muaj dhe me qenë se Kryeipeshkëvi u tranferue në Shkodër, unë nuk pranova që të vazhdoja me të dhe qëndrova në Jugosllavi.
Në Nënprefekturën e Gjakovës, në katundin Novosellë, u caktova si famullitar dhe kam vazhduar si i tillë deri në vitin 1930, kur me 2 janar 1930, kam kaluar kufirin ilegalisht për në Shqipëri. Po atë vit kam marrë nënshtetësinë shqiptare, me qenë se bëhej regjistrimi i popullsisë, por mbajta edhe nënshtetësinë jugosllave, mbasi nuk kisha bërë shpërnguljen. Në fillim u vendosa me punë si famullitar në Shnaprende të rrethit të Krujës. Në vitin 1932, famullitar në Gurëz. Në prill të vitit 1938, jam emëruar famullitar në Tiranë, ku kam qëndruar deri në 27 tetor 1946, datë në të cilën unë u arrestova. Në prill 1947, u dënova 20 vjet heqje lirie, nga gjykata Ushtarake e Garnizonit Tiranë, për aktivitet kundër pushtetit popullor. Denimin e kam vuajtur në burgun e Burrelit deri me 2 maj 1963, kur u lirova duke përfituar një pjesë të kohës, nga amnistitë.
Mbasi jam liruar nga burgu, u vendosa me banim në katundin Gurëz. Deri në mbylljen e kishave, unë jam marrë me punë fetare private. Mbas kësaj kohe, kam hyrë në punë në kooperativën bujqësore Gurëz. Me datën 11 qershor 1970 u arrestova.
Procesin, mbasi e lexova dhe pash se thëniet e mia janë shkruar drejt, e firmosa.
Hetuesi I arrestuari
Iljaz Haxhiaj Shtjefën Kurti
Proces-verbal
Në Tiranë, më 13 qershor 1970. Unë, Iljas Haxhiaj, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i asistuar nga shoku Koço Josifi e pyeta të pandehurin Shtjefën Jak Kurti.
Pyetje: E dëgjuat akuzën që ju bëhet, e kuptoni?
Përgjigje: Po, akuzën që më bëhet, unë e dëgjova dhe e kuptova. Akuzohem për veprimtari armiqësore që kam zhvilluar kundër pushtetit popullor.
Pyetja: Na jepni shpjegime në lidhje me akuzën që ju njoftua?
Përgjigje: Akuzën që më njoftuat, unë e pranoj plotësisht, dhe lidhur me të kam për të thënë këto shpjegime: Në vitin 1963, jam liruar nga burgu, ku isha dënuar me 20 vjet heqje lirie, për aktivitet armiqësor që kisha zhvilluar kundër pushtetit popullor dhe në favor të zbulimit italian dhe tij francez. Mbas daljes nga burgu, kam shkuar në katundin Gurëz të rrethit Krujë. Gjatë takimeve që kam patur me Zef Bicin dhe Mark Dushin, këta më kanë vënë në dijeni për vendimet dhe ndryshimet që kishte bërë Konçili, të cilët i kishin marrë vesh nga dëgjimi i radio stacionit të Vatikanit dhe radio stacionit italian. Së bashku me këta dy, kemi diskutuar rreth këtyre lajmeve që ata kishin dëgjuar nga Radio Vatikani.
Përveç kësaj Zef Bici, më ka dhënë në atë kohë disa revista italiane, të cilat mbasi i kam lexuar, ja kam kthyer përsëri. Në biseda me Mark Dushin, ky më ka folur edhe për çështjen e statutit kishtar, për bisedimet dhe diskutimet që ishin bërë nga klerikë kishtar, për punën e statutit. Marku më tha se një gjë ishte interesante, mbasi organet e Sigurimit të Shtetit, marrin vesh çdo gjë që diskutohej nga ana e jonë lidhur me statutin, patjetër, thoshte Marku. Sigurimi ka njeriun e tij brenda. Në vazhdim të bisedave, unë i kam thënë Markut që, pse ju nuk keni kërkuar lirimin e pritave nga burgu? Marku më tha se, për këtë punë kemi kërkuar, por nuk na është thënë gjë.
Gjatë kohës në Gurëz, në biseda që kam patur me persona të ndryshëm, emrat e të cilëve tash nuk më kujtohen, unë u kam thënë atyre se po çuditëm se ka njëzet e gjashtë vjet që është çliruar Shqipëria dhe nuk po zgjidhet akoma nga ky pushtet çështja e bukës, populli mbeti duke thirrur bukë, bukë. Kam thënë se nuk është e drejtë që nuk shpërblehen njësoj si të rinjtë dhe të moshuarit, duke patur parasysh se që të dy palët punojnë dhe derdhin energji. Kam thënë se nuk është aspak e drejtë, ashtu siç veprohet nga ky pushtet që, fshatari, i cili prodhon grurin, mishin, qumështin, gjalpin dhe të tjerë artikuj ushqimorë, për vete nuk ka të hajë, mbasi të gjitha këto i merren nga ana e shtetit dhe furnizohet qyteti.
Procesin, mbasi e lexova dhe pashë se thëniet e mija janë shkruar drejtë, e firmos.
Hetuesi I arrestuari
Iljaz Haxhiaj Shtjefën Kurti
Asistuesi
Koço Josifi
Proces verbal
Në Tiranë me 17 qershor 1970. Unë, Ilias Haxhiaj, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pyeta të pandehurin Shtjefën Kurti
Pyetje: Vazhdoni të na jepni shpjegim në lidhje me akuzën që u është njoftuar?
Përgjigje: Në vitin 1963 ose 1964, mbasi kam dal nga burgu, unë kam ardhur në Tiranë dhe jam takuar me Zef Bicin, të cilit i kërkova librat e mia që i kisha lënë në çelat e kishës në Tiranë që në vitin 1946, para se të arrestohesha në atë kohë dhe se mbas arrestimit tim, kryetari i asaj zyre që kam qenë unë, u bë Zef Bici. Zefi m’i dha librat dhe së bashku me këto ai më kishte dhënë edhe disa libra të tij, midis këtyre librave, Zefi më dha dhe një libër që kishte si përmbajtje fund e krye kundër komunizmit. Me sa më kujtohet ky libër titullohej “Zoti e Materializmi”.
Për këtë libër më tha Zef Bicit, është libër që e hedh poshtë shkencërisht doktrinën e komunizmit me argumente; por merre tha Zefi, dhe lexoje. Këtë libër e kishte shkruar një jezuit, emri i të cilit nuk më kujtohet por ishte shtetas italian, shkruar në gjuhën italishte dhe shtypur në Itali. Librin unë e lexova dhe meqenëse më pëlqeu shumë, i bëra një përmbledhje në gjuhën shqipe, duke shkruar rreth tridhjetë faqe fletoresh me bojë. Mbas dy muajsh librin ja ktheva përsëri Zef Bicit.
Për përkthimin e librit, Zefit i kërkova një fjalor italisht – shqip të Kordinjanos dhe ai, siç më tha, këtë fjalor e kishte ble njëmijë lekë të vjetra dhe ma dha mua. Zefit nuk i tregova se fjalorin e kërkoja për përkthimin e këtij libri ose, siç kisha ndërmend, qysh më përpara për përkthimin e jetës së Krishtit. Në kohën kur ja kam i kthyer librin Zef Bicit, ky më tha se vetë ai e kishte përkthyer këtë libër në gjuhën shqipe por, nuk e kishte botuar. Zefi nuk më tregoi se si i kishte rënë në dorë ky libër.
Më vonë, mbasi e kisha përkthyer përmbledhjen e librit, në një takim që kam patur me Mark Dushin, kur ky ishte famullitar në Delbnisht të Krujës, ky më tha se kishte marrë vesh nga Zef Bici, për përmbledhjen e librit që ja kishte bërë ai. Marku m‘u lut që t ‘ia jepja për ta lexuar. Unë i thashë kështu është, unë i kam bërë një përmbledhje, të këtij libri, ja kam çuar Markut në Delbnisht, ky e ka mbajtur dhe më vonë nuk ma ka kthyer.
Siç thash më sipër, përmbajtja e librit, ishte krejtësisht kundër komunizmit, i kundërvihej materializmit, me argument se jeta nuk ka ardhur vetvetiu, siç thonë komunistët, por këtë e ka dhënë Zoti.
Mbas arrestimit të Zef Bicit e të tjerëve, unë, nga frika se mos organet e pushtetit do më sekuestronin librat, ndër të cilat kam patur edhe libra me përmbajtje kundër komunizmit, vendosa që t’i digjja. Kështu librat që kishin këtë përmbajtje, i kam ndarë nga librat e tjerë dhe në një strajcë ja dhashë për t’i djegur Mark (Bardhok) Markut nga Gurëzi, duke e porositur këtë që t’i djegë dhe të mos e dinte njeri. Më vonë e pyeta Markun, nëse i kishte djegur librat, më tha po. Unë nuk i dogja vetë këto libra, mbasi në atë kohë, banoja në një dhomë ngjitur me magazinën bujqësore në… dhe kam patur frikë se mos magazina merrte zjarr. Unë nuk kam patur as shporet dhe as oxhak për zjarrm. Më vonë, në furrë të kooperativës, unë kam djegur të gjithë librat e tjera.
Në takime që kam patur me Zef Bicin dhe Mark Dushin, u kam folur këtyre se në burg kisha vuajtur shumë dhe njëkohësisht i falënderova për ndihmën që këta dy ma kishin dhënë për gjithë kohën që kam qenë në burg, të cilët për çdo muaj më dërgonin nga njëmijë lekë të vjetra.
Procesin, mbasi e lexova dhe pash se thëniet e mija janë shkruar drejtë, e firmos.
Hetuesi I arrestuari
Iljaz Haxhiaj Shtjefën Kurti Proces – Verbal
Në Tiranë, më 21 qershor 1970. Unë, Iljas Haxhiaj, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pyeta të pandehurin Shtjefën Kurtin.
Pyetje: Vazhdoni të na jeni shpjegime në lidhje me veprimtarinë armiqësore që keni zhvilluar kundër pushtetit popullor?
Përgjigje: Nga fund i vitit 1969, ose në janar të vitit 1970, koha ekzakte nuk më kujtohet, ka qenë dimër, në dhomën ku unë banoj, në shtëpinë e Shkurt Bibës, një ditë të dielë kemi organizuar një darkë, ku jemi mbledhur unë, Pjetër Biba, Mark (Bardhok) Marku dhe Zef Nishi. Ka qenë gjithashtu Prengë Biba dhe vajza e madhe e Pjetrit-Dava Biba. Këto të dy kanë ndihmuar në përgatitjen e darkës. Para se të bëhej kjo darkë, nja dy ditë përpara, ka ardhur njëri në shtëpinë time dhe ka shfaq mendimin për të kaluar një darkë së bashku. Unë i thash: Jam dakord që ta bëjmë këtë. Kështu, në mbrëmjen e ditës së dielë, jemi mbledhur në dhomën ku banoja unë, të gjithë personat që thashë më lartë. Bardhoku, ka sjellë një pulë, një litër raki dhe një sasi djathë; ndërsa unë, përveç ushqimeve të tjera që u përgatitën, u kam zier disa kokrra vezë me mazë. Ne, katër burrat kemi zanë vend në tavolinë në njërën qoshe të dhomës, kurse Prena dhe Dava qëndronin afër shporetit, por Prena ka pi dhe një gotë raki.
Darka shkoi rreth dy orë e ca dhe gjatë kësaj kohe, ne kemi zhvilluar këto biseda kundër pushtetit: Njëri nga personat që tash, nuk më kujtohet se kush konkretisht, Pjetri, Bardhoku apo Zefi më tha: Ti kur ke qenë i ri, ke kaluar mirë dhe e ke gëzuar jetën, kurse ne, në këtë regjim, nuk jemi tue e gëzue rininë tonë, jemi duke u lodhur shumë, bile edhe për bukën e gojës. Në këtë rast, mbas kësaj bisede, e mora fjalën unë dhe fillova që t’u bisedoja rreth jetës që kisha kaluar në regjimet e mëparshme; kështu u thash se kjo është e vërtetë që unë kam kaluar një jetë të mirë në regjimet e kaluara dhe e kam gëzuar jetën, por tani, në këtë pushtet, jam duke vuajtur shumë. Këtyre ju kujtova fjalët e poetit italian – Dante, që ka thënë: “Nuk ka vuajtje më të madhe se me i kujtue ditët e bukura në mjerim”.
Pra, me këtë veja në dukje se në të kaluarën kisha bërë jetë të mirë, tani po vuaje. Gjithashtu, ndërmjet bisedave të tjera për gjendjen ekonomike të kooperativës bujqësore, të cilën që të gjithë na e paraqitnin të keqe, Mark (Bardhok) Marku, m’u drejtua mua dhe më pyeti se, deri kur do të vazhdojë kjo situatë? Unë iu përgjigja se ju mos u mërzitni, duke ju drejtuar të treve, se koha është mjeku i gjithçkaje, duhet me durue, se ju që jeni të rinj, keni për të parë ditë të mira, mbasi të jenë plakur dhe të kenë vdekur këta udhëheqës që janë sot në kryet të Partisë dhe të shtetit dhe se udhëheqësit e tjerë që do të vijnë, do të kenë mendime më të buta dhe kështu do të vijë situata politike duke u përmirësuar dhe ndryshuar në favorin tonë, atëherë do të hapen përsëri kishat. Në këtë rast Bardhoku më tha se, ne duam tashti që të gëzojmë lirinë dhe jetën. Po këto fjalë i thanë edhe Zef Nishi e Pjetër Biba. Gjithashtu, kur këta tre më thoshin se në kooperativa bujqësore po vuajmë shumë dhe nuk ngopemi me bukë, unë ju thash se, populli shqiptar gjithnjë ka thirrur bukë, bukë, por tani në këtë sistem të kooperativës, edhe më keq është populli.
Në vazhdim të bisedave, për gjendjen ekonomike të vendit, të cilën e paraqisnim të keqe dhe se populli po vuante për bukën e gojës, unë u kam thënë këtyre se sa të jetë ky sistem politik në Shqipëri, sot jemi keq, nesër do të jemi edhe më keq. Gjithashtu u kam thënë, se çdo ditë të diele dëgjoj radio Romën dhe meshën që jepet atje. Kur e dëgjoj këtë, u thash, mrekullohem shumë, për të varfrit, ne që nuk jemi të lirë nga ky pushtet, që të kryejmë shërbimet fetare dhe të bëjmë kryqin. Po kështu, këtë natë, unë u kam treguar për lajmet që unë dëgjoja nga radiostacioni “Zëri i Amerikës”, Moska, Italia, Vatikani, për luftërat që bëheshin në botë, për përpjekjet e partive të ndryshme në Itali për marrjen e pushtetit, si dhe për koalicionet ndërmjet partive e të tjera.
Procesin, mbasi e lexova dhe pashë se thëniet e mija janë shkruar drejt, e firmos. Memorie.al
Hetuesi I arrestuari
Iljaz Haxhiaj Shtjefën Kurti
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016