Nga Hysen Selmani
Pjesa e shtatë
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Tiranë, më 4 Prill 1939
Më 4 prill 1939, ditë e martë, ora 10.00, vijnë paria e Vlorës dhe menjëherë u pranuan nga Madhëria e tij, Mbreti Zog i I-rë. Pasi i përshëndeti e i pyeti, ju foli mbi gjendjen tepër kritike, gjithashtu ju shpjegoi dhe përpjekjet e bëra pranë shteteve fqinje, si dhe atyre evropiane, si Britanisë së Madhe, Francës, ashtu edhe Amerikës, por pa asnjë dobi. Pastaj, foli mbi detyrën që, shqiptarët duhet të bëjnë. Natyrisht që bisedimi zgjati mjaft i gjerë, nuk po e shënojmë këtu. Mbreti, ju tha se: “Për të mbrojtur interesat e atdheut, si Parlamenti dhe Qeveria, kanë vendosur të mos pranojmë asgjë, që cënon pavarësinë sovrane të Shqipërisë.
Italia është e vendosur që të na mësyjë ushtarakisht. Siç e dini, nuk pati mundësi me propagandë e me të tjera që t’ja arrinte qëllimit. Në rast se do të na mësyjë, do t’i përgjigjemi me armë. Natyrisht që, fuqia jonë nuk ka për të ndalur forcat e mëdha fashiste, të armatosura me armët më moderne, por kjo është, për t’i thënë botës së qytetëruar se, Italia po na zapton ushtarakisht. Ky veprim më vonë, qind për qind, do të na sigurojë independencën e plotë, para njerëzimit të qytetëruar.
Nuk kemi as armë, por këto që kemi, për trimat vlonjat, kam dhënë urdhër që t’ju japin 1.200 armë, me municion të nevojshëm. Do të keni një komandë, nën drejtimin e kolonel Ali Riza Topallit dhe major Bilal Nivicës. Ka një fuqi prej një batalioni të Xhandarmërisë, dhe dy batalione të Rojës së Kufirit, e një togë Radio R-3, e natyrisht më vonë, do të ndihmohet edhe Garnizoni i Korçës, pasi koha nuk pret. Duhet të niseni sot, me të gjitha armët”. Kështu më urdhëroi që, të hyjnë brenda, dhe kolonel Ali Rizaja e, major Bilal Nivica.
Pasi hynë brenda, kolonel Ali Rizaja dhe major Bilal Nivica, Mbreti ju foli bashkërisht, me parinë e Vlorës, mbi të gjitha të bashkuar e të lidhur ngushtë me interesat e atdheut, si edhe ju tha: “Kam besimin e plotë tek ju, se kombin shqiptar, trimat vlonjatë, si gjithmonë, do ta nderojnë e do ta qesin faqebardhë”. Kështu i uroi e i shtrëngoi dorën. Më pas, i mora unë dhe shkuam në Komandën e Gardës.
Si shkuam në Komandën e Gardës, menjëherë i telefonova Komandantit të Mbrojtjes Kombëtare, që të më dërgojë pak nënkolonel Sami Kokën në Gardë, se këtu kam parinë e Vlorës dhe Ali Rizanë. “Po”, më tha dhe erdhi menjëherë nënkolonel Sami Koka e, u përshëndet me të gjithë, unë i thashë se, komandanti i zonës së IV, kolonel Ali Rizai dhe major Bilal Nivica, bashkë me parinë e Vlorës, do të nisen brenda ditës, për në Vlorë, dhe i kujtova që armët, bashkë me municionin e nevojshëm, janë vënë në kamionë e janë të gatshëm, si dhe një togë lidhëse me një stacion Radio R-3, bashkë me këto kamionë. Gjithashtu i thashë se, do të jepen urdhra për ushqimin e forcave, që do të mblidhen në prefekturën e Vlorës, e të Gjirokastrës.
Nënkolonel Sami Koka, më tha: “Si urdhëroni, janë të gjitha të gatshme, dhe në rast se ka ndonjë send që mungon, i plotësojmë brenda një ore, vetëm se, kamionët me armët dhe togën e ndërlidhjes, ku i dëshironi, ose të nisen direkt për Vlorë, dhe tani po urdhërojmë me shifër, Garnizonin e Vlorës që, kondratari i ushtrisë, të depozitojë ushqimet e nevojshme, dhe kur komandanti i zonës së IV, të arrijë në Vlorë, garnizoni ka për të qenë nën urdhrat e komandës së zonës, dhe kolonel Ali Rizai, e rregullon vetë”.
Këta vendosën për t’i nisur në orën 4 pasdite, së bashku me armët dhe togën e ndërlidhjes, për në Vlorë, ku po i përcillte vetë nënkolonel Sami Koka në auto reparte, për t’i dorëzuar, kamionët komplet në rregull. E falënderova dhe kështu si u mbaruan të gjitha bisedimet, mbi veprimtarinë e vijës, Vlorë -Sarandë, dhe në thellësi: Vithkuq, Gryka e Këlcyrës, dhe Borovë, me qendër në Voskopojë. U përshëndetëm dhe i urova që; Zoti t’i nxjerrë faqebardhë,, për fatin e Atdheut, e ju që për çdo gjë, më konsideroni bashkëpunues me ju. Më telefononi se, jam gati për t’ju plotësuar gjithçka, sa ju nevojitet dhe i dhashë dhe një shifër të veçantë, kolonel Ali Rizait. Pastaj, dolëm e shkuam për të ngrënë drekë, e me nënkolonel Sami Kokën, e lamë në orën 4, te Auto reparti, e shkuam.
Pasi u nisën këta, shkova në Pallat dhe i parashtrova gjithë sa u bisedua. Aty ishte dhe kryeministri Kotta, të cilëve u thashë s’do të nisen së bashku me komandantin e zonës IV, kolonel Ali Rizain e, major Bilal Nivicën, dhe me kamionët me 1.200 armë, e municionin e nevojshëm dhe me një togë të ndërlidhjes, e me stacion Radio R-3, ku kolonel Sami Koka, i pret në orën 4 në Autorepart, për t’i dorëzuar, sa u përmendën. Gjithashtu ju thashë, se, u urdhërua Komandës së Garnizonit të Vlorës, që të thërrasë komandantin e Ushtrisë dhe të porosisë shumë depozitime ushqimesh, e komanda e Garnizonit Vlorë, me arritjen e komandantit të zonës IV, kolonel Ali Rizasë, do të hyjë nën urdhrat e komandës së zonës. Natyrisht që ushqimi, do të ndahet në vendet që komanda ka përcaktuar, në krahinat e Prefekturës së Vlorës dhe Gjirokastrës.
Komandantit të Xhandarmërisë, kolonel Shefki Shatkut, i thashë që, të urdhërojë Qar-komandën e Vlorës, si dhe batalionin në Gjirokastër të Xhandarmërisë, që menjëherë, të vihen nën urdhrat e kolonel Ali Rizasë.
Tiranë, më 4 prill 1939
Tashmë errësirat kanë mbuluar qiellin e Shqipërisë. Na vijnë vazhdimisht, lloj-lloj lajmesh e premtimesh, por tashmë shihet se, lajmet që na vijnë, kanë siguri se, masat e përqendrimit Italian në brigjet e Barit dhe të Brindizit, u bënë shumë më të rëndësishme, saqë janë vënë një pjesë e madhe e Ushtrisë, nëpër vaporë lufte. Italianët që ndodhen në Shqipëri, kanë marrë urdhër, për t’u nisur për në Itali, e përgatitjet me shpejtësi. Në këtë errësirë, pa turp dhe pa as më të voglën burrëri, Musolini dërgon telegrame, duke siguruar miqësinë dhe aleancën me Shqipërinë, premtime të kota.
Kur vjen Ministri i Punëve të Jashtme, Ekrem Libohova, me një letër dhe një telegram që ai kishte dërguar Ministri i Italisë Jacomoni, të ardhur prej Musolinit, aty ishte edhe kryeministri. Mbreti, urdhëroi mbledhjen e Këshillit Ministror, si edhe kryetarin e Parlamentit, me nënkryetarin, Hiqmet Delvinën, për të studiuar dhe për t’ia paraqitur Parlamentit, që ai, të votojë mbi përgjigjen që duhet t’i jepet.
Në orën 3 pasdite, u mblodhën si Këshilli Ministror, po ashtu dhe kryetari i Parlamentit, Pandeli Evangjeli e N/kryetari, Hiqmet Delvina. Pasi u mblodhën këto dhe i morën vesh të gjithë, Mbreti u tha: “Duhet që Parlamenti dhe Qeveria së bashku, të mblidhen dhe t’u komunikohet të gjithë deputetëve që të studiohet me vërejtje dhe të vënë në vote, si ta vendosin. Pra të përgatitet përgjigja. Këto letra e telegrame, nuk mund të quhen si ultimatum nga Qeveria italiane, por nga njëherë, Qeveritë diktatoriale, munden t’i japin edhe atë fytyrë që t’u pëlqejë.
Por, sa për premtimet, ato janë të kota se, edhe miqësia, garancia e aleanca, edhe kërkesa cënimesh e kërcënimesh, këto nuk pajtohen njëra me tjetrën, – tha Mbreti. “Por sidoqoftë, shkoni në Parlament e, me shumë në urtësi, të studiohet dhe t’i pyesni të gjithë, që të shfaqin mendimet e tyre. Që kur të vihet në vote, mos të ketë pretendime, se u vendos pa u biseduar e shqyrtuar në imtësi, etj”. Me kaq, zyrtarët u ngritën e dolën për të shkuar në Parlament. Sa dolën këta, Qeveria dhe Kryetari i Parlamentit, Mbreti më urdhëroi, të thërras Mehdi Frashërin dhe Mehmet Konicën, për t’u paraqitur tek ai.
Mehdi Frashëri erdhi menjëherë, po Mehmet Konica nuk ishte në shtëpi. Mehdi Frashëri, u pranua menjëherë prej Mbretit Zog, ku ndër bisedimet, Mbreti e vuri në dijeni se, është i mirë informuar, se Italia, si në Bari dhe në Brindizi, pjesën më të madhe të Ushtrisë, e ka imbarkuar në anijet luftarake. Fuqia, është një armatë me 6 divizione këmbësorie, 2 divizione motorike, 1 divizion artilerie të rëndë. “Këtë, po ua them sipas informacioneve që kam dhe po na japin, por kjo, nuk ka asnjë rëndësi. Qëllimi është se, Italia, brenda kësaj jave, siç duket do mësyjë. Këto janë informata të sakta, prap sot kishim letër e telegrame prej Musolinit edhe premtime e kërcënime, ku vijojnë kërkesat. Ja dërgova Parlamentit. Pra, ju Mehdi Bej, të shkoni nga ana ime, në të gjitha Legatat, më përpara ato të Ballkanit. Turqisë e, pastaj të Amerikës, Britanisë së Madhe e Francës dhe tek përfaqësuesit e tjerë. Këto që ua thashë, ua komunikoni si mesazh timin, kjo d.m.th., se Italia është duke në mësyrë, e lypim ndërhyrjen e tyre”.
Pasi shkoi Mehdi Frashëri, erdhi Mehmet Konica e, ndaloi duke biseduar me ta. Pasi Mehdi Frashëri ishte më parë nëpër Legata. Ashtu si i kishte thënë Mbreti, më parë në ato ballkanike e pastaj në të Britanisë së Madhe, Francës, Turqisë etj., me mesazhin që Mbreti, kishte urdhëruar. Po ashtu, Mehmet Konica u dërgua në Legatën Jugosllave, që t’ia shpjegojë mirë ministrit jugosllav, Miliçit se: ‘Tani është minuta e fundit, jo vetëm për Shqipërinë, por për Ballkanin mbarë’. Në mënyrë që ai, të vinte urgjent në dijeni Beogradin. Po në këtë ditë, kur trupat italiane janë duke u imbarkuar nëpër anijet luftarake, në Brindizi dhe në Bari, për të mësy Shqipërinë. Ministri i Punëve të Jashtme italiane, Konti Çiano, pa turp, u jep siguri të gjitha ambasadave të shteteve të huaja se, asnjë aksion kundër Shqipërisë, nuk do të merret nga Italia, e të tjera.
Saqë shtetet, e sidomos këto të Ballkanit, po na nxjerrin gënjeshtarë ne, duke thënë se; Italia nuk ka asnjë qëllim kundër Shqipërisë, e nuk ka ndonjë shkarkim, por janë gënjeshtra, që shpikin vetë Qeveria Shqiptare, kundër Italisë, e cila me këto sjellje jo të pëlqyeshme, e sidomos për Ballkanin, po nxit për t’i vënë zjarrin botës. Duhet t’i tërheqim vërejtjen nga Lidhja e Kombeve.
Shiko deri ku kishte mbërritur situata fatkeqe, kurse në të nesërmen, Italia na dha zyrtarisht ultimatumin, dhe këtu akoma nuk donin ta besonin. Përveç ato shtetet e mëdha, Amerika, Britania e Madhe e Franca, e kishin kuptuar, por nuk ishin të gatshëm, e këshillonin Mbretin Zog, që të mundohej të gjejë ndonjë kompromis me Italinë; që të fiket ky zjarr. Jugosllavët e dinin, por nuk ju pëlqente, se pothuajse indirekt, ishim bërë aleatët e Fashizmit. Kjo besohej, kur është lajmëruar Prefekti i Dibrës, Kol Mjeda, nga ana e Komandës Jugosllave, në Dibër, që nuk dëshirohet asnjë lëvizje, në afërsi të kufirit prej 15 km. shqiptaro-jugosllav. Po ashtu, dhe Prefektit të Kukësit, Subi Topulli dhe atij të Shkodrës, i janë bërë gjëra të njëjta, ku është thënë se, në rast se përsëriten ose dëgjohen armatosje të popullatës, Komanda e Ushtrisë Jugosllave, për sigurimin e interesave të saj, mund të marshojë 15 km. brenda kufirit të Shqipërisë. Kjo është fqinja jonë Jugosllavia, që nuk la propagandë pa bërë. Sepse, nuk është Italia, që do të cënojë Shqipërinë, por janë shqiptarët, që po i nxisnin. Kjo do të thoshte se, në 15 km., ajo mund “të vinte” në kufirin e Matit, të Elbasanit, të Lezhës. A nuk është indirekt, por fare direkt përbri fashizmit. Dhe, nuk munguan me propagandën, por, të njëjtën gjë, bënte edhe vetë fashizmi.
Më datën 4 prill, më urdhëroi Mbreti që, t’i komunikoja Komandantit të Mbrojtjes Kombëtare, se italianët, kanë marrë urdhër për t’u nisur në Itali. Përsa u përket organizatorëve italianë, mos t’u bëhet ndonjë gjë, por kur të kërkojnë leje, për t’u kthyer në Itali, mos u jepni përgjigje pa pyetur, sepse edhe ne, kemi oficerët tanë në Itali. Po ashtu edhe në plotësimin e forcave për mbrojtjen, nuk ka më fshehtësi, por veproni haptazi.
Pasi dola nga Komanda e Mbrojtjes Kombëtare, sipas urdhrit të Mbretit, në ora 8 të mbrëmjes, të datës 4 prill 1939, shkova te Ministri i Punëve të Brendshme, Musa Juka, i cili vazhdonte të ishte gjithnjë në lidhje telefonike, me Prefektët. Ndihej një frikësim propagande italiane dhe sidomos në Vlorë, Dibër e Shkodër. Propaganda italiane, përhapej sikur është mbushur Sazani, me anije luftarake italiane, ndërsa Shkodra dhe Dibra ishin të frikësuar nga propaganda jugosllave, se gjoja qytetet e tyre, do të okupohen nga jugosllavët, saqë Ministri i Punëve të Brendshme, Musa Juka, nga informatat e tij, nuk dëgjonte mirë në situatën e brendshme, se tani nuk është vetëm ajo italiane, por edhe ajo jugosllave. Ishin shumë probleme besimi, ashtu si nuk mbetej aq e qartë. Kështu, ashtu siç ishte 14 orë më parë, i kërkova ministrit, të shiheshim në Pallat dhe se po shkoja pak në Komandën e Xhandarmërisë.
Kur po hyja në Komandën e Xhandarmërisë, më vjen nga prapa, major Jahja Çaçi, shefi seksionit të Komandës së Xhandarmërisë dhe më thotë: “Ju lutem zoti kolonel, më lejoni t’ju flasë”.
“Po, i thashë – fol zoti major”.
“Duke ecur, – nuk jeni mirë më tha. Unë ja kam thënë dhe komandantit, kolonel Shefki Shatkut, se janë shumë oficerë që po intrigojnë. Për shembull, këtu kemi shefin e seksionit të Komandës së Xhandarmërisë, N/kolonel Stamatin. Ai është njëmijë përqind, Italian, propagandën më të madhe ai e bën në oficerët e Xhandarmërisë dhe Ushtrisë. Por, duhet të keni shumë vëmendje, se, as Komandën e Ushtrisë, se keni shumë të pastër”.
Major Jahja Çaçi, shumë oficer i mirë dhe i ndershëm e patriot, më bëri një përshtypje të madhe. U ktheva prap, se isha nisur për në Pallat dhe atje më prisnin. Shkova në Komandën e Xhandarmërisë, por nuk e mora me vete major Çaçin, që të mos kuptohej. Kur po hyja në zyrën e Komandantit, më del përpara N/kolonel Stamati dhe më nderoi e, më tha: “Urdhëroni zoti kolonel”. Unë e mora me vete dhe hyra brenda, kolonel Shefki Shatku, Komandanti i Xhandarmërisë, u ngrit menjëherë e më tha: “Urdhëroni, zoti kolonel”.
Pasi u ula, i thashë Stamatit, para Shefkiut: “Zoti Stamati, unë dhe ju, kemi miq italianët, e a kemi ndonjë të re? Çfarë janë këto fjalë që pëshpëriten lart e poshtë? A më thua, çfarë është, s’i ua merr mëndja juve”?! Nënkolonel Stamati, m’u përgjigj: “Zoti kolonel, zotëria e di mirë çështjen, por sa për ne, asgjë, të gjitha janë propagandë të jugosllavëve dhe asgjë tjetër. Ja, unë pres kokën time, po patët ndonjë gjë nga italianët”.
“Po mirë, edhe unë i atij mendimi jam, po, pse tërhiqen italianët nga Shqipëria”?! Dhe pastaj shtova: “Kjo është për të bërë presion mbi kërkesat që Italia dëshiron, por jo ndonjë gjë tjetër. Ja kam thënë dhe kolonel Shefkisë. Shumë mirë, Ju faleminderit”, i thashë.
Pasi u ngrita, e mora kolonel Shefki Shatkun me vete dhe u nisëm për në Pallat. I tregova dhe i thashë se, si është Stamati. Shefkiu më tregoi, fjalët e major Jahja Çaçit, por nuk besoj të jenë të vërteta, tha ai, pothuaj ky, është më shumë italian, se sa shqiptar. Por ky është frikacak dhe nuk guxon të marrë pjesë në gjëra të tilla, se nuk e ka atë kuarjo dhe guxim”.
Unë i thashë se, t’i vënë mënd se me kë ka miqësi me oficerët e Xhandarmërisë, si dhe në Ushtri. Shefkiu m’u përgjigj se, sa për Ushtrinë, janë vetë oficerët e Komandës të dyshuar. Këtë ma ka thënë Prefekti i Durrësit, Mark Kodheli. Por siç e dini, Mark Kodhelin e njoh, pasi edhe ministri Musaja, më tha se, unë nuk e lë një minutë në Durrës. E me këto fjalë, u ndamë edhe unë shkova direkt në Pallat.
Kur hyra në Pallat, të gjitha sallonet ishin mbushur me njerëz që kërkonin të hynin tek Mbreti. Si u përshëndeta me ta, unë hyra brenda. Mbreti po shëtiste në këmbë. Aty kishte ministrin e Jashtëm, Ekrem Libohovën, duke ndenjur. Mbreti më tha: “Hajde kolonel – dhe që nga fundi i zyrës më tha: “Ç’kemi”?!
Unë i parashtrova për sa i komunikova Komandantit të Mbrojtjes Kombëtare, pastaj se si shkova në Ministrinë e Brendshme dhe shqetësimin e ministrit, siç u bisedua. Pastaj, se si shkova në Komandën e Xhandarmërisë, si më erdhi mbrapa, major Jahja Çaçi, si u ktheva prap në Komandën e Xhandarmërisë, ku më doli para N’kolonel Stamati, si e mora brenda dhe fola me ta në sy të Shefkiut, e pastaj dola, duke marrë kolonel Shatkun me vete. E, si ia thashë të gjitha tekstualisht, duke ja parashtruar, ai m’u përgjigj: “Është e vërtetë kolonel, por duhet t’i evitojmë. Por, tani është pak vonë”, më tha me një mërzitje. Pas kësaj, do të ngjitej pak lart.
Pak minuta më vonë, thirri ministrin e Jashtëm, Ekrem Libohovën dhe i tha: “Tani zoti ministër, foli kolonelit se jeni miq e, po ju lë bashkë, e po hipi lart”. Mbreti hipi lart, unë mbete me Ekrem Libohovën. Kështu fillova duke biseduar, kur ai më tha: “Shiko Hysen bej, kot po trazohemi, se unë nuk besoj se Italia, sidomos Musolini, të bëj një turp aq të madh, për famën e tij. Mëndja nuk ma merr, por Mbretit ja kanë mbushur mendjen, se çdo gjë, ka mbaruar me Italinë. Këto që fliten, janë të gjithë për të kaluar kohën, më tha Mbreti, por Italia fashiste, është vendosur që të hyjë në Shqipëri. Unë përsëri nuk e besoj, i thashë edhe Mbretit”.
“Po mirë Ekrem Bej, e vërtetë se për burrërinë e Musolinit, është një turp i madh dhe nuk ka asnjë arsye që ta bëj, po kjo që tani, kanë dhënë urdhër, me shpejtësi italianët të kthehen në Itali”?! “Kjo mund të jetë edhe demonstrim frike, unë nuk i jap asnjë rëndësi kësaj dhe nuk e besoj kurrë një veprim të tillë prej italianëve”.
Atëhere i thashë: “Zoti ministër, po ju them të vërtetën, ashtu si ju ka thënë Mbreti. Italia fashiste, ka vendosur që të mësyjë ushtarakisht Shqipërinë. Edhe unë po ju them se, nuk do ta kalojë këtë javë. Kjo që po ju them, është e vërtetë”.
“Jo efendi. – m’u përgjigj ministri, – ju Hysen Bej, qenkeni më sigurt se çdo njeri tjetër, e thoni se Italia Fashiste, ka vendosur dhe nuk kalon java, pa hyrë në Shqipëri”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016