Nga Uran Kalakulla
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
Nazizmi dhe komunizmi
Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të sterhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.
Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.
– “Po kush më ka ardhur në takim”?
– “Nuk e di me siguri, por më duket gruaja me djalin”.
Bobo, ç’tronditje e re për zemrën time! Kishte qenë gjithmonë një ëndërr, që nga dita e parë e birucës, t’i shihja dy qeniet që, pas nënës, ishin më të dashurat e jetës sime. Ato ishin për mua si dielli dhe hëna; që zbukuronin “qiellin” tim të jetës; që i jepnin atij dritë e bukuri, i jepnin tamam kuptimin ekzistencës sime.
Kisha shumë mall. Sepse edhe ditën e arrestimit, nuk i kisha në shtëpi, por në Shkodër, prej më shumë se dy javësh. Prandaj, mezi po e përballoja hovin gjithnjë në rritje, të një malli plot dhimbje. Duke më parë kështu të tronditur, oficeri vazhdoi të belbëzojë; gjithnjë me një zë të dridhur e, duke i ngecur herë pas here fjala në grykë, a thua se ishte ai në rolin tim dhe unë në të tijin:
– “Ndigjo! Nuk di se ku kanë marrë leje nalt, por mos harro se takimi asht i shkurt. Ti e kupton se takime si këta, janë fort të rrallë e të veçantë”.
– “E kuptoj”! – iu përgjigja thatë. Por ai vazhdoi në të tijën:
– “Dhe mos i kallxo se je i dënuem me vdekje”.
– “Gjepura! Pse nuk e ka marrë vesh ime shoqe? Në mos pastë kund tjetër, e ka marrë vesh prej avokatit”.
– “Po, besa, njashtu ka me kenë, veç ti mos…”!
– “Zoti kapiten, mos më mëso mua se si të sillem në këtë rast, por po të eci fjala, eja shpejt ta kryejmë këtë punë. Mos e mundo shumë familjen time të presë…”!
Kapiteni nuk e zgjati më. Dha urdhër të më çojnë në vendin e takimit. E, domosdo, erdhi edhe ai me mua. Vendi ishte në oborrin me bar, mes burgut dhe vazhdës së birucave. Më vuri në një si kthesë muri, sikur donte të më fshihte nga dikush dhe më tha të prisja atje. Ishin vërtet çaste tronditëse dhe unë isha gjithë sy e vesh.
pak, vura re një palë këmbë të vogla, të veshura me këpucka të bardha, që po afroheshin me çape të lehtë, drejt vendit ku më kishin lënë. Dhe …para syve, m’u shfaq i tëri shpirti im i vogël, djali im i adhuruara, për të cilin harroja tërë botën; më të mirat e të këqijat e saj. I dola përpara.
Një fytyrë e vogël, e qeshur; me syçkat e bukura ngjyrë mjalti; me ato buzkat e njoma e të kuqe, si gonxhe trëndafili; me atë hunçën e vockël çip përpjetë, gjithë lezet; ashtu i bardhë dhe i njomë, si çdo fëmijë. E kisha lënë dy vjeç e gjysmë. Tani ishte katër vjeç. Më pa edhe ai dhe u turr drejt meje, gjithë gaz. Unë e rrëmbeva në krahët e mi dhe e pushtova fort-fort, duke e mbytur me të puthura e, duke i marrë erë me afsh, si një luleje në shpërthim e sipër. Më kish përqafuar edhe ai, dhe po më shtrëngonte e puthte me mall, pa u bërë merak se mjekra ime e parruar, mund ta shponte.
Pas tij erdhi ime shoqe. Sado që e lënduar në shpirt, prapë ishte e re dhe e bukur, si ajo. Një bukuri fisnike, e veçantë, e natyrës së saj, e racës së saj. Si bukuria e një vjollce në lulëzim. Ishte një bukuri e heshtur, e përvuajtur, me një sjellje të theksuar modestie dhe serioziteti, siç ishte edhe natyra e saj e vërtetë. U përqafuam me mall, shumë mall, por pa e lëshuar djalin nga krahët.
Unë kisha ndezur një dreq cigare që, më parë dhe ajo, duke parë gjurmët e prangave mbi duart e mia, nisi të m’i fërkojë me dhimbsuri, por ndeshi në cigaren dhe iu dogji pak dora. Megjithatë, s’e bëri veten aspak. Pastaj nisa bisedën me djalin, që të dëgjoja cicërimën e tij dhe fjalët që dinte t’i rendiste aq bukur, me gjithë miturinë e vet.
– “O, sa rroba te bukura që i paske këto të bardhat marinarë, ore xhani i babit! Kur të vijë dimri, këtë radhë, do të të blejë babi një palë rroba marinare blu, me pantallona të gjata, të bukura. Mirë”?
– “Ah, more babi, – ma ktheu vogëlushi im, – rroba kam plot, më ka blerë mami, nuk kam më nevojë, por hajde, more babi, në shtëpi, se më ka marrë malli shumë-shumë, për ty”! Unë e di si e përmbajta veten. Fjalët e djalit, m’u ngulitën në mendje, në një mënyrë të tillë, që s’i kam harruar sot e kësaj dite, kur kanë kaluar 35 vjet.
Janë disa gjëra, ngjarje e fjalë ne jetën e njeriut, që zënë rrënjë në mendje e shpirt dhe s’i shkul që andej asgjë, veç vdekja. Ime shoqe, nga ana e saj, u mundua, e shkreta, të më jepte kurajo, duke më thënë se nuk kishin humbur të gjitha shpresat, se isha i ri dhe “faji” im s’ishte kushedi se çfarë.
– “Mirë, mirë, – ia ktheva unë me qetësi. – Ti mos u mërzit, pa unë u mësova me këto punë. Gjithsesi, dua të të lë nja dy porosi, si punë amaneti, se nuk i dihet, ndaj t’i kesh parasysh. Ti je e re dhe, në shkofsha unë, ke të drejtë të bësh si të duash, qoftë edhe sikur dënimi të më kthehet 25 vjet burg. Por, kërkoj prej teje, vetëm dy gjëra: të ruash nderin dhe dinjitetin tënd, gjë për të cilat kam pasur e kam ende besim dhe, së dyti, të mos ma lësh djalin, të heqë keq”.
Takimi nuk zgjati shumë. Na ndanë. Time shoqe e hoqën mënjanë dhe më morën mua. Vetëm atëherë vura re se rreth nesh, nuk ishte vetëm ai kapiteni shkodran, por edhe nja pesë a gjashtë kapterë, me “Kallashnikovë” ndër duar. A thua se unë kisha krahë dhe do të fluturoja, mbi muret e larta kala të burgut! Duket, sigurimsat kishin frikë edhe nga një gjysmë i vdekur.
Vonë-vonë, pasi më qe falur jeta dhe kisha bërë disa vite burg, e pata pyetur time shoqe, se si ndodhi ajo mrekullia e atij takimi dhe kush ia kishte dhënë lejen. Ajo më pati thënë se, para nesh, ishte takuar me familjen e tij edhe Pjetri dhe se lejen ua e kishte dhënë (për të dyja familjet), Arianit Çela! Bah, një gjë tepër e çuditshme kjo për mua! Edhe sot e kësaj dite, nuk di si ta shpjegoj.
Sidoqoftë, kjo punë, për mua, qe një nder i madh, që nuk do ta harroj sa të vdes dhe e ndiej për detyrë ta falenderoj atë, nëse ka qenë vetëm iniciativa e tij. Kur u ndava me familjen, para se kapter Rustemi të më vinte sërish prangat dhe të më përcillte për në “dhomën time të vdekjes”, kapiteni më tha:
– “Bravo të qoftë, u tregove tamam burrë dhe e mbajte veten siç duhet”! Çuditërisht, ai m’u duk shumë i emocionuar. Nuk pata kohë t’i them ndonjë fjalë, se ai shtoi: – “Bravo i qoftë edhe sat shoqeje, që u tregua edhe ajo burrneshë. E bani ferk, se asht e motra e Myzafer Pipës”.
Fjalët e tij të fundit më bënë ta shihja një çast me vëmendje kapitenin shkodran. Dhe menjëherë mendja më shkoi se ai, si shkodran që ishte, e dinte fare mirë fundin vërtet tragjik, por edhe heroik të vëllait të madh të sime shoqeje. Për herë të parë e ndjeva me të vërtetë veten krenar dhe m’u mbush gjoksi me frymë. Pastaj mora rrugën për në “varrin tim të hapur”, por nuk ndenja dot pa e ngacmuar kapter Rustemin, për emrin e atij kapitenit. Ai ma tha, por, për dreq, emri më ka “fluturuar” nga kujtesa. Mbaj mend vetëm mbiemrin, Kraja.
Dhe thashë me vete: “A ka se si të ketë mes këtyre sigurimsave, edhe nga ata që dinë ende, ta mbajnë nderin dhe burrërinë e Myzafer Pipës? E vërteta është se në gjithë periudhën e arrestimit, hetuesisë dhe dënimit tim, vura re se edhe hasmi, pavarësisht nga ana e jashtme, njeriun e ndershëm, serioz e me dinjitet, përpiqet, gjithsesi, ta respektojë. Dhe ky qe një mësim i madh për mua. Kur u ktheva në birucë, në shpirt kisha ende imazhet e dashura të gruas e djalit dhe më kujtoheshin imtësisht e me besnikëri të plotë, të gjitha fjalët, deri edhe intonacionet e zërave tyre, sikur ta kisha trurin një magnetofon të cilësisë së lartë.
Ndieja se, shpirtërisht, po rëndohesha gjithnjë e më shumë, nga çasti në çast dhe e gjithë qëndresa ime e deri pak çasteve më parë, po shkrihej me vrull si një copë akulli, nën rrezet përvëluese të mesit të verës. U platita përmbys mbi dërrasat e birucës, gjithnjë ashtu mbështetur në tri pikat e famshme tashmë dhe, atëherë, më plasi një vaj, që s’e kisha provuar që nga koha e fëmijërisë, kur më kishte vdekur im at.
E gjithë vuajtja shpirtërore, i gjithë dufi, keqardhja për të dashurit e zemrës dhe, pse jo, edhe për jetën time ende të re, u mblodhën dhe shpërthyen qëndresën, e shpartalluan kurajon e guximin e deritanishëm; ashtu siç ndodh me ujin e një pellgu të madh, kur shpërthen digën që e mban nën fre dhe vërshon me vrull e zhurmë të madhe, drejt rrjedhës së tij të natyrshme. Dhembshuria për fëmijën dhe shoqen e jetës, qe shumë herë më e madhe se ajo për veten, me gjithë moshën time të re. E, për këtë, jam krejt i sigurt!
Qëndrimi im në “dhomën e vdekjes”, zgjati plot 64 ditë. Kohë e gjatë apo e shkurtër, për raste të tilla? E kush e di? Se mos janë marrë vesh, sot e kësaj dite, të gjitha rastet e ngjashme me atë timin? Pastaj, njeriu u mësuaka edhe me këtë lloj gjendjeje të veçantë. U mësuaka edhe me idenë e vdekjes së afërme, të pashmangshme, por edhe me shpresën fiktive, se ajo do të rrijë ende larg, edhe për do kohë.
Në shpirt, sikur formohet një si shtresë zotëruese rutinë, me atë lloj jete, nëse mund të quhet jetë. E, kur ndodh kështu me shpirtin, këtë gjë fluide e të pa lëndë, me trupin si lëndë e vërtetë, destinuar që të vdesë medoemos e, të shpërbëhet i tërë, deri ne grimcat më të imta të formimit të tij, sigurisht që është më kollaj, të përshtatet.
Ndalimi i lëvizjeve të lira (të natyrshme), uria, etja, shoqëria e pandashme e prangave pas shpine, të gjitha këto të bëhen gati një zakon dhe, i gjithë ky realitet i mundimshëm, të ngjason vërtet me një jetë normale, e cila, në të vërtetë, s’është gjë tjetër, veçse një lloj mbijetese a, më mirë, vetëm një copë gjallesë. Aftësia përshtatëse te njeriu, si te shumë qenie të tjera biologjike, duket se qenka me të vërtetë e pakufishme. Dhe, bash në një situatë të tillë, tragjikja e komikja, mund të bashkëjetojnë në të njëjtën kohë.
Pas takimit me gruan e djalin, më pruni para birucës (siç ishte rregulli), disa ushqime: pak sheqer, pak djathë, disa biskota dhe nja pesëmbëdhjetë paketa “Partizani”. Këto ishin vendosur, në korridor (si zakonisht), mbi dengun e teshave të fjetjes, para derës sime. Ky korridor, nuk kishte dritare lart, por poshtë në dysheme.
Ishin ca si frëngji me hekura, sa për ajër e dritë. Nga to as shihje gjë jashtë dhe as nga jashtë shihje dot gjë brenda. Ishin bërë enkas, për këtë punë. Por ato nuk i ndalonin dot minjtë që bënin shëtitje, nëpër gropat e nevojtores apo jashtë, në oborrin e pasëm të burgut, oborr që, si kam thënë, më parë ishte i birucave. Kështu, në atë korridor, pos kapter Rustemit nga Kërçukja e Ndroqit dhe kapterëve roje, bënin ligjin edhe minjtë e halesë. Apo s’ishin të mëdhenj?! Gati sa një lepur. Macet, me siguri, s’u bënin dot gjë, se kishte rrezik që të ishin viktimat e tyre.
Qëllonte shpesh, që këta minj, kur nuk gjenin gjë për të ngrëne mbi dengjet e të izoluarve aty në korridor, nëpër të çarën e poshtme të derës (ndonjë gjysmë pëllëmbe), hynin lirisht edhe në birucat. Dhe atëherë kishe avaze, se, po të ishe në gjumë, mund të të kafshonin buzët, hundën, sytë, veshët. Se dinin të hanin edhe “shokët minj”, ngaqë komanda e burgut, nuk u kishte caktuar racion, por na i kishte lënë në ngarkim neve të burgosurve, që t’i ushqenim!
Duke mos fjetur gjithë natën (e kam thënë dhe më parë), më kishte zënë gjumi: përmbys, mbi batanijen e qelbur të komandës. Kur, në një çast, se si dëgjova afër kokës një si cicërimë të lehtë. Hapa sytë i tmerruar (thashë se mos ishte ndonjë gjarpër), kur, ç’të shoh?! Një goxha mi! U çova me vrull (aq sa mund të çohesha shpejt, ashtu i lidhur) dhe u bëra gati t’i bija me shkelma, apo ta shtypja me shputën e këmbës, por ai, më i shkathët se unë, u zhduk në çast në të çarën e derës. Kështu që edhe gjumi i ditës, u bë me probleme.
Mbaj mend se, një herë tjetër, kur më kishin mbetur edhe disa paketa cigaresh (futur në një trastë lecke), kërkova të marr disa, por më kot. Trasta ishte zhdukur. I thashë kapterit, por ai ngriti supet. Atëherë unë protestova, ndërsa ai ma ktheu me inat, duke më thënë se, nuk ruante cigaret e mia. Pasi u grindëm një copë herë, e pyeta nëse në atë varg birucash, kishte edhe ndonjë ordiner. Por ai s’mu përgjigj fare. Atëherë i kërkova leje të kontrolloja në nevojtore dhe, me të vërtetë, pashe që në dyshemenë e saj tërë lagështi, fare pranë birës, ishin përhapur disa paketa që, domosdo, do ishin lagur nga ana e jashtme dhe trasja kishte hyrë përgjysmë në birë.
Kapteri qeshi, por pranoi të m’i zgjidhte duart dhe atëherë unë mblodha ç’gjeta. Trastën e lashë ku qe dhe paketat i fsheha si munda në brendësi të palëve të dyshekut, aty në korridor. Kur këta minj të mallkuar rrëmbenin cigaret, po me ushqimet e tjera (bukën, biskotat e djathin etj.), ç’bënin? Një zot e di se si kemi shpëtuar nga ndonjë sëmundje e tmerrshme, si: tifo, dizenteri, kolerë a s’di ç’dreqin tjetër. Edhe ajo na duhej atje! Pastaj, aty mësova se duhanin nuk e pikemi vetëm ne njerëzit, por na paskëshin qëlluar teraqi edhe minjtë e gjirizit të halesë së burgut!
Me Pjetrin na ndante një mur i vetëm, me tek tullë. Gjatë ditës, kur nuk flinim, bisedonim herë pas here, sigurisht jo me gjuhën e zakonshme njerëzore, por me një lloj morsi, me sinjale të caktuara nga vetë ne, domethënë me anë të trokitjes në mur. Sistemi ynë ishte i thjeshtë, sepse çdo shkronjë, ndiqte rendin e njohur alfabetik të gjuhës shqipe. Dhe, për ta shkurtuar punën, kur gërmat kalonin numrin dhjetë, ajo (dhjeta) ishte një goditje me grusht. Me një fjalë, diçka e ngjashme me numrat romake.
Si për shembull, fjala “buka” transmetohej kështu: dy të trokitura me gisht, “b-ja”; tri të goditura me grusht (tri dhjeta, pra, tridhjeta), “u-ja”; një e goditur me grusht dhe pesë të trokitura me gisht (një dhjetëshe e një pesëshe, domethënë pesëmbëdhjeta) “k-ja” dhe, së fundi, një e trokitur me gisht.
Ja, kështu transmetohej fjala “buka”. Dhe, në pak kohë, u bëmë aq zanatçinj në këtë punë, saqë transmetonim shumë shpejt, sikur të flisnim me gojë. Sigurisht, trokitjet dhe goditjet bëheshin jo me shumë forcë e, për më tepër, jo në pjesën e murit pranë derës, por në thellësi të birucës. Kështu që kapterët s’merrnin vesh fare, se ç’po bënim ne. Dhe kjo qe njëra mënyrë për t’ua hedhur rojave. Në vitet e gjata të burgut, ne mësuam ose shpikëm (secili vetë), njëqind mënyra, për t’ia hedhur komandës e zagarëve të saj.
Edhe kur zbulohej ndonjë nga këto metoda, ne shpiknim të tjera; edhe më të sofistikuara. Sepse i burgosuri, si rregull, ka gjithnjë një avantazh (në këtë drejtim), ndaj aftësisë zbuluese të kapterëve gomarë dhe, jo vetëm të atyre, por edhe të ekspertëve më të mirë të kriminalistikës që mund të kishte Sigurimi, apo e gjithë Ministria e Brendshme komuniste.
Me Pjetrin bisedonim, fjala vjen, se si mund të ishin zhvilluar ngjarjet politike, sa kohë që ne ishim të burgosur; çfarë kishte shkruar ai në ato 11 faqe të projekt-programit të tij të mallkuar, që ia kishin zënë Zeqirit e, që na kishte rënduar aq shumë e, na kishte hapur gjithashtu telashe; kur mendonte ai se do të na merrnin për të na ekzekutuar, etj.
Madje, tregonim mes nesh edhe gazmore apo anekdota. Dhe, nga kjo e fundit, kur ishin fort me kripë, qeshnim, sa, nganjëherë, na pikasnin rojat. Meqë nuk dinin shkakun, hapnin sportelet e birucave dhe na shikonin me çudi. Mbase thoshin me vete: “More, si u qeshet këtyre”?! Mbase mendonin se ne kishim lojtur nga mendtë. Por, nga kjo punë, ne ishim fare qiqër.
Një herë e shtruam seriozisht bisedën, se si do të vinte filli i kësaj punës sonë! Unë nuk dija ç’të mendoja. Zemra (sigurisht), ma donte faljen e jetës, por arsyeja s’ma pranonte. Kurse Pjetri, ishte i sigurt, se nuk do të na ekzekutonin. Dhe me gjithë këmbënguljen time, për të ditur se ku bazohej ai, nuk ma tha asnjëherë. Vetëm sa më thonte, se ishte i sigurt që do të ndodhte, si thonte ai.
Edhe pse s’më vajti fare mendja keq për të, se si m’u krijua një dyshim i çuditshëm, i cili më ndoqi gjatë gjithë kohës së burgimit tim të gjatë, sidomos kur u vërtetuan fjalët e tij. Edhe sot e kësaj dite, për mua ende ka mbetur një mister, ajo siguria e tij e asaj kohe.
Jo, prapë nuk dua të mendoj keq, nuk ndikohem nga sa është thënë në adresë të tij, nga persona të ndryshëm: se ai paska qenë i rekrutuar që para se të hynte në burg, se gjatë dënimit me vdekje, qenka thirrur prapë në hetuesi, se edhe gjatë burgimit, ka qenë informator i komandës apo direkt i Ministrisë e, përralla të kësaj natyre, se ka mbajtur pseudonimin “Koromania” a “Kotherja”, që ia përmendi nuk di cili nga deputetët socialistë, gjatë një seance parlamentare.
Unë nuk jam naiv e sylesh. Jo vetëm për Pjetrin, që e kisha shok burgu e vuajtjesh të gjata e sfilitëse, por për këdo, për të cilin nuk kam fakte, të dhëna të sakta e konkrete, nuk mundem kurrë të pranoj një gjëmë kaq të madhe, siç e quaj unë, rënien në prehër të Sigurimit, të një të burgosuri politik! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm