Nga BEQIR SINA
Memorie.al / Spanktown Road – Warwick (NY): Gjenerata i këtyre shqiptarëve në mërgim patjetër, që kujtohet sot, e kësaj dite, si një gjeneratë e veçantë dhe shumë e nderuar e respektuar në të gjitha drejtimet, që ka lënë gjurmë jashtëzakonisht të pashlyera, për të gjitha gjeneratat e shqiptarëve në saj të këtyre burrave. Ndërkohë, që për shumicën e mërgimtarëve, është pakasa e vështirë të mendohet se mund të rikthehet në diasporën tonë, një brez burrash të tillë: kaq atdhetar, patriotë, demokratë e me aq përkushtim për kombin tonë, pasi edhe vetë kohërat ndryshuan. Mirëpo, padyshim, që ata janë shumtë. Një nga “ikonat” e diasporës në vite, është edhe Jonuz Ndreu, djali i Cen Elezit dhe nipi i Elez Isufit (“Arushës së Malit”).
Nuzi (Jonuzi), është biri i denjë e njërës prej familjeve më të mëdha shqiptare e njohur si – Familja e Derës së Madhe së Ndreut të Sllovës (Dibër) ose e familjes që përbënte njërën prej “Shtatë Malet e Dibrës”. Ai, mbasi doli në pension, jetonte në një fshatë njujorkez, shumë i ngjashëm ky me bukuritë e natyrore të fshatit të tij të lindjes – Sllovës. Saqë me të qeshur ai thoshte, kur e pyesin se ku banonte?: “Banoj në Sllovë”, – përgjigjej ai. Në shtëpi ai mbante të gjitha simbolet kombëtare, prej flamurit kuq e zi, distiktiva me shenja kombëtare, libra, kaseta e videokaseta, revista të gjitha shqip, deri dhe një veshje popullore burrash të Dibrës, që quhen tirqe, xhubletë dhe kësulë të bardhë.
Jonuz Ndreu, njihej nga të gjithë në diasporë: duke dhënë një shembull të pakrahasueshëm të shqiptarit shembullor, patriotë, atdhetarë, demokratë, familjar, mik e shok i mirë. Ai, kur mbushi 75 vjeç, duke festuar edhe daljen në pension, pas 37 vjetëve pune në Amerikë, u mblodh me gruan, zonjën e nderuar Balen dhe vajzat me një tufë me nipër e mbesa. Jonuz Ndreu mbetet kështu një nga simbolet e diasporës shqiptare në Amerikë, në rrjedhën e viteve. Por, ai thoshte se i kishte mbetur ende shumë për të bërë një jetë, si në familje e shoqëri dhe i preokupuar, e’ i angazhuar gjithmonë, në të gjitha aktivitetet kombëtare.
Arratisja nga Shqipëria:
Jonuz Ndreu u arratis nga skëterra komuniste, në vitin 1949-të, nga kampi i internimit në Rrogozhinë, ku punonte në punë të detyrueshme, në hapjen e rrugës Elbasan – Korçë. I internuar në disa kampe të punës së detyruar, si në Berat, Kuçovë (në vitin 1948) në një kamp afër Tiranës, ai punoj në ndërtimin e rrugës Tiranë – Durrës. “Këtu punuam deri në nëntor të këtij viti, -kujtonte – Nuzi -, pasi më pas na futën në kampin e Valiasit, afër Tiranës. Aty si skllevër kemi hedhur themelet e para të Fermës atje, pasi ne të internuarit punonim në kanalizimin dhe sistemimin e tokave”.
Në vijim të kujtimeve të tija, ai tregonte se: “Në vitin 1949, më 6 maj, kur u arratisëm nga Rrogozhina, ishim nëntë vetë. Gjatë tentimit për kalimin e kufirit, rrugës ramë në përpjekje të papritura me Forcat e Ndjekjes. Kemi qenë 9 – vetë dhe disa prej tyre, sot, nuk janë më, si i ndjeri Esat Dineja e Abdulla Kaloshi. Së bashku me ne, ishin edhe Muhamet Kadria, Muhamet Begu, Xhelal Dine, Esat Dine, Nikoll Gjon Markaj, Tafil Ndreu, Selim Haxhia nga Puka, dhe një emigrant kosovar, siç u thërrisnin at’ëhere shqiptarëve të Kosovës, në Shqipëri”.
Aventurën për në botën e lirë, ai përshkruante si një ëndërr të hidhur. – “Udhëtuam tre ditë e tre netë. Humbëm edhe rrugën, duke rënë në përpjekje në malet e thata, e të egra të Skraparit. Gjatë përpjekjeve me forcat e Sigurimit të Shtetit, na mbeti i vrarë një shok yni i ngushtë, Esat Dineja. U plagos edhe ai djali nga Kosova, që fatkeqësisht nga koha e gjatë dhe nuk ja mbaj mend emrin. Selim Haxhija, që ishte udhëheqësi i grupit tonë, u dorëzua, pasi siç mësuam më pas, ai kishte qenë kontingjent i Sigurimit të Shtetit.
Ndërkaq, ne që shpëtuam, pra vetëm gjashtë vetë, ndërruam drejtim për t’u arratisur, duke ndryshuar rrugën për nga Llixhat e Elbasanit. Aty mbërritëm nga mesnata, duke u ndarë në dy grupe. Grupi i parë, isha unë, i ndjeri Abdulla Kaloshi dhe Tafil Ndreu. Grupi i dytë, me Muhamet Kadriun, Xhelal Dinen dhe Nikoll Gjon Markajn (i biri i Kapedanit të Mirditës, Gjon Marka Gjonit)”.
Në kujtimet për ngjarjen e arratisjes, Jonuzi tregonte se; “Kur mbërritëm në Dibër, studiuam mirë terrenin dhe kaluam natën kufirin ndërshtetëror, duke dalë në tokën e Maqedonisë – katundet e Dibrës së Madhe. Aty, pa pasur kontakte me asnjë njeri, ramë në duart e forcave ushtarake të Jugosllavisë së asaj kohe. Të tre na futën në burg, ku si komandat i tij, ishte një shqiptar i quajtur Staf Lleshi ose Mustafa Lleshi, bashkëpuntor vjetër i regjimit serbo-sllav në Maqedoni. Me urdhër të tij qëndruam 21 ditë në izolim dhe po me urdhër të tij, pasi Staf Lleshi ose Mustafa Lleshi, si bashkëpunëtor i serbo-sllavëve në Maqedoni, bashkëpunonte edhe me Tiranën, na dorëzoj te autoritetet përkatëse shqiptare.
Në Shqipëri, qëndruam rreth gjashtë muaj, deri sa u arratisëm përsëri, të tre, pa ditur dhe kurrgjë rreth tre shokëve të mbetur që lamë pasë në Shqipëri, në tentativën e parë. Në vjeshtën e vitit 1949, ka qenë tetor ose fillim nëntori, me sa mbaj mend unë tani, ka ardhur djali i Sheh Haxhis nga Peshkopia, Selami Shehu, duke kërkuar të takohej me ne. Ne ja pranuam takimin që të na tregonte se ku ndodheshin shokët tanë. Ai kishte dijeni dhe na i tregoj të gjitha, pasi ata ndodheshin të fshehur në shtëpinë e tij, në një fshat afër Peshkopisë.
Qëndruam edhe ne të fshehur nëpër fshatrat e Peshkopisë, na tha ai, pasi ramë në kontakte dhe arritëm një marrëveshje me Fik Maliqin, nëpërmjet njerëzve të tij që ishin në Maqedoni, që të arratiseshim përsëri e, të dilnim pa u dorëzuar atje. Sapo dolëm në anën tjetër të kufirit, ata na kapën dhe na dërguan për shtatë muaj në një kamp afër një fshati i quajtur Trashevë. Prej këtu na transferuan në Sarajevë, ku edhe na punësuan. Qëndruam atje rreth një viti deri në fund të vitit 1950, duke punuar si mekanik. Nga Sarajeva na kthyen përsëri në Maqedoni, në Gostivar dhe prej aty na dërguan në Pançevo- Sërbi.
Mbas dy a tre muajve na erdhi një oficer policie serb, i quajtur Ziko Sharkiq i cili e njihte shqipen shumë mirë, së bashku me dy xhaxhallarët e mijë të liruar nga burgu serb. Ata erdhën për të na njoftuar se Cen Elezi dhe Dan Kaloshi, kishin vdekur. Kurse, Ferit Sina dhe Rushit Sina e Aqif Noka, i kishin zhdukur pa lënë gjurmë, nga ana e kriminelëve sllavo-maqedonas dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptar në Maqedoni, sapo ishin arratisur nga Shqipëria.
Pasi qëndruam rreth gjashtë vjet nëpër Jugosllavinë e asaj kohe, në vitin 1955, fituam një farë lirie të shkonim ku të donim. Ky lloj vendimi i jugosllavëve, na erdhi si i papritur. Duke mos pasur shumë besim tek serbo-sllavët, u regjistruam menjëherë për të dalë në Perëndim dhe u dërguam në kampin e Gerovës. Aty pas 18 muajve dolëm në Perëndim. Dalja e parë në Perëndim i përket vitit 1955, kampit të refugjatëve në Kapo të Italisë, i cili ishte nën administrimin e anglo-amerikanëve”.
Shërbimi në ushtrinë amerikane:
Junuz Ndreu rrëfente në këtë bisedë, se; “Emigrimi, ishte një dhimbje e madhe dhe ishte i hidhur për ne, por qe e vetmja mënyrë për të shpëtuar gjallë, pasi fati ynë do të ishte si në Jugosllavi dhe në Shqipëri, ashtu si i mijra të vrarëve, të presekutuarve, të internuarve e të burgosurve. Kështu që unë zgjodha në liri, rrugën time. Fillimisht në Itali, u regjistrova për të shërbyer në ushtrinë amerikane. Dhe sapo mu aprovua kërkesa, më dërguan si ushtar menjëherë në SHBA-ës. Duke shërbyer si ushtar i ushtrisë Amerikane, për pesë vjet.
Shërbimin ushtarak në ushtrinë amerikane e kreva në Këmbësori, fillimisht një bazë ushtarake në Karolinën e Jugut. Pas 8 muajve të parë nën rrobën ushtarake, kalova me shërbim në Fort Devis të Kolorados. Dhe mbas përgatitjes së ushtruar në këtë bazë, transferohem më shërbim të gjatë në një bazë ushtarake amerikane në Berlinin perëndimor, në Gjermani.
Meqenëse gjatë shërbimit në Gjermani gjendja shëndetësore u keqësua dhe ju nënshtrova regjimit spitalor, urdhri u kthye dhe më dërguan me shërbim në ishullin e Islandës, në veri të Anglisë. Një vit me shërbim atje dhe rikthim në SHBA-ës në bazën ushtarake Fort Er në Maseçustes në Divizionin e Dytë të Këmbësorisë. Mbasi e mora mirë veten, më transferuan sërish në Berlin të Gjermanisë Perëndimore, at’here. Aty kreva edhe 18 muajt e fundit që më kishin mbetur në ushtrinë amerikane.
Në ushtrinë amerikane kamë shërbyer me zell të madh. Ushtria amerikane më ka vlerësuar lart shërbimin. Unë isha ndër të paktët ushtarë, që pa qytetarinë amerikane të shërbeja në këtë armatë, dhe ndoshta nga të parët që u gradova. Kujtojë me këtë rast gradimin me gradën Kapter i Parë, dekorimin për merita në Këmbësori, një dekoratë me shumë vlerë. Si dhe disa certifikata zyrtare ushtarake, e dhurata të ndryshme nga personalitetet më të larta të Ministrisë së Mbrojtjes Amerikane (DoD), me motivacionin; “God Condact”. Një ushtar me respekt dhe nderim të lart nga të gjithë kolegët dhe eprorët ku shërbeva. Në çdo komandë ku shërbeva isha më i preferuari nga komandantët”, kujtonte me thjeshtësi ai.
Aktiviteti politik në mërgim:
“Këtu, – thotë Jonuzi, – më duhet të kujtoj edhe kontaktet e para me personalitet shqiptare në mërgim. Në kamp, pas Isa Ndreut, erdhën disa përfaqësues të Komitetit ‘Shqipëria e Lirë’, me qendër në Romë – Itali, të kryesuar nga Sahit Kryeziu. Më pas në kamp vumë kontaktet e para me ne, përfaqësues të partive të para politike shqiptare, në mërgim, përfaqësuesit e ‘Bllokut Kombëtar’ të kryesuar nga Ernest Koliqi me Kol Bibë Mirakën, Partia e ‘Ballit Kombëtar’, Organizata Kombëtare ‘Lëvizja e Legalitetit’, Partia Katundare, dhe përfaqësues të tjerë.
Ndërsa, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi shkela për herë të parë me 11 shtator të 1957-ës dhe më 11 shtator të vitit 1962 u lirova nga ushtria, pasi shërbeva për 5 vjet, kam qenë i angazhuar në Partinë Katundare, e cila udhëhiqej at’here nga Isa Ndreu. Më vonë u angazhova në shumë aktivitete në organizatën e quajtur “Tripalëshi”, ku bënin pjesë Partia Katundare – ‘Bashkimi’ dhe ‘Rezistenca antikomuniste’.
Në vitin 1962, Mbreti Leka i I-rë deshte të bashkonte të gjithë shqiptarët dhe i thirri ata në Madrid – Spanjë. Meqenëse organizimi i quajtur ‘Tripalëshi’ mori pjesë aktive në takimin e Madridit, të përfaqësuar në Isa Ndreu e Lec Shllaku, ju kërkua, që ajo të shkrihej në partitë e tjera, duke formuar një parti. Mbas mbledhjes së mërgatës shqiptare në Madridë (Spanjë), u vendos që ajo të zhvillonte një takim tjetër në Nju Jork (SHBA). Në Nju Jork, takimi i forcave politike anti-komuniste në mërgim, udhëhiqeshin at’here nga Xhafer Deva, në të cilat, pothuajse mora pjesë në çdonjërin prej tyre.
Mbasi Xhafer Deva, u tërhoq në këtë takim, kryetar i takimit të Nju Jorkut, u zgjodh një ish-oficer i Gardës Mbretërore, Masar Pustina. Këtu filluan bisedat për riorganizimin e mërgatës në SHBA-ës. ‘Blloku Indipendent’ – nuk mundi të marrë pjesë, pasi aty ishte edhe Partia e Rezistencës, e cila, konsiderohej si degë e shkëputur nga ‘Blloku Indipendent’. Kështu që, për të futur edhe ‘Bllokun’ në këtë grup, menduam që të tre partitë të shkrihen në një të vetme.
Mirëpo Partia e Rezistencës e udhëhequr nga Ndue Pjetër Gjonmarku, e kundërshtoj edhe kështu që edhe gati takimi dështoj. Kryetari i Partisë Bashkimi Kombëtar, Loro Stajko, u bëri thirrje pjesëmarrësve, duke thënë se në se pengesë e kësaj mosmarrëveshje për njehësimin e partisë, jam unë, at’here mund të jap edhe dorëheqjen, dhe kaloi në Partinë Katundare. Diskutimi i Stajkos, u pritë me duartrokitje nga të deleguarit”, kujtonte Jonuz Ndreu.
– “Mbasi u bënë të gjitha tratativat, – kujtonte ai, – u mbërrit në një mirëkuptim ideal – të gjitha partitë e grupuara në ‘Tripalësh’ të mbanin një kongres të përbashkët, ku të zgjidhej një kryetar. Partia do të njihej me emrin ‘Bashkimi Kombëtar’. ‘Bashkimi Demokrat Shqiptarë’, u përgatit të mbaj kongresin e saj të parë në Firence -Itali, ku ajo u kurorëzua edhe emri që ajo mban sot, ‘Bashkimi Kombëtar Shqiptar’. Me kryetar z. Isa Ndreu dhe sekretar z. Lec Shllaku dhe dy nënkryetar, Adem Hodo dhe Loro Stajko, vijoj të dalë rregullisht revista ‘Koha Jonë’, organ i Partisë ‘Bashkimi Demokratë Shqiptarë’, e cila vazhdoj punën e saj për 40 vjet”.
“Unë vazhdimisht, – kujtonte me krenari Jonuz Ndreu, – kamë qenë anëtarë i kryesisë së ‘Bashkimi Kombëtar Shqiptarë’ dhe mendoj se kamë luajtur një rol të madh në këtë parti, sidomos, këtu në SHBA-ës. Kam qenë ‘hambari’ i partisë Bashkimi Kombëtar Shqiptarë. Kamë punuar pa u lodhur dhe duke sakrifikuar që të çojë në vend të gjitha obligimet e mija, që dilnin nga partia.
Me të gjitha organizatat, shoqatat dhe entet fetare komunitare, kamë pasë marrëdhënie dhe relata të mira. Si me ‘Bllokun’, ‘Legalitetin’, ‘Ballin Kombëtar’ dhe ‘Vatrën’, si me Kishën dhe Xhaminë. Kamë përfaqësuar në çdo aktivitet me karakter kombëtar dhe politik partinë, të cilën, e udhëhoqa për sa vjet në Amerikë, – Bashkimin Kombëtar Shqiptarë (BKSH). Kamë marrë pjesë si i deleguar nderi në të gjitha kongreset e Legalitetit, takimet e ‘Ballit Kombëtar’ dhe të Komitetit ‘Shqipëria e Lirë’, dhe të ‘Vatrës’. Kamë marrë pjesë si përfaqësues i partisë BKSH, në të gjitha festat e flamurit, demonstratat e protestat kundra regjimit komunist në Tiranë, dhe ato për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, e të gjitha trojet Etnike”.
Familja, puna dhe shoqëria:
Duke folur, për familjen dhe shoqërinë, Jonuz Ndreu, kujtonte: Për herë të parë punën në Amerikë, e kam filluar në kompaninë ‘Daglas Management’. Kompani, e cila, më pasë ndërroj disa emra, por jo bosët. Këtu qëndrova nga viti 1968 – dhe deri sa dola në pension në 2005 -, pra 37- vjet pune. Në vitin 1982, pësova një aksident të rëndë komunikacioni, kompania ‘Daglas Management’, më vuri në dispozicion të gjitha shpenzimet spitalore, deri në shërimin e plotë, një shumë e madhe kjo që më ka befasuar. Ndërkaq, nipi i bosit të madh të kompanisë ‘Daglas Management’, me rastin e daljes në pension (maj 2005) me dhuroj një çek me vleftën e 25 mijë dollarëve”.
Nga momentet më të bukura të jetës së tij, janë dalja në botën e lirë. Shërbimin ushtarak, lidhjet me shumë njerëz që sot, edhe nuk e sheh më. Jeta, deri në ato ditë të bukuar kur ai po festonte daljen në pension, është e mbushur me gëzime dhe hidhërime, ashtu siç, është jeta çdonjërit. Ai e quan një nga momentet më të veçanta të jetës, atë kur Shqipëria u çlirua nga zgjedha komuniste. Komunizmi ra, dhe demokracia lindi edhe në Shqipëri. Këtë moment Jonuz Ndreu e ka përjetuar sikur të kishte lindur edhe një herë.
Prej, 1992-it kur edhe u hap Shqipëria, ai e kishte vizituar vendin e tij rreth 13 herë. Në vitin 1992, shkoi për herë të parë pasë 50 vjetëve në vendlindjen e tij, në Sllovën e rrethit të Dibrës, katund malor ky kufi me Kukësin. Gjeti gjallë edhe më të moshuarit e fisit të madh të Ndreut, Xheladinin, Rexhepin, Baftjarin, Lazamin dhe Bexhetin e, të tjerë. Gjatë asaj vizite, ai thoshte se: “Shqipëria na e ka hëngër jetën, se trupin e kamë këtu, por mëndja dhe zemra janë në Sllovë, janë në Shqipëri”.
Në festën e daljes në pension, u mblodhën e gjithë familja Ndreu në Amerikë, miq, të afërm dhe shok e dashamirë të tij e, familjes. Midis atij gëzimi në natyrë, morën pjesë edhe bashkudhëtarët e bashkëluftëtarët e tij në Diasporë, “vatranët” e kulluar, kryetari Agim Karagjozi, nënkryetari Dr. Gjon Buçaj, e Agim Rexhaj, Zef Balaj e Zef Përndocaj, Hajdar Tonuzi, e të tjerë. “Vatra” i dhurojë me rastin e daljes në pension, një pikturë me figurën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj – Kastrioti Skënderbeut. Agim Rexhaj, tha se; “Jonuz Ndreu, është një shembull i mirë i shqiptarit, që prej kur kamë lindur dhe deri më sot, pata fatin e mirë të njohë këtë njeri. E kamë takuar e njohur 16 vjet më parë, duke u njohur edhe me kontributin e tij të madh për çështjen kombëtare.
Kontributi i tij për, Pavarësinë e Kosovës, Demokracinë e Shqipërisë, çështjen Çame dhe zgjidhjen e çështje shqiptare në të gjitha trojet Etnike, është i pashembëlltë dhe i jashtëzakonshëm. Ai është ndër të paktët ata burra në mërgim, që kanë punuar dhe kontribuar kaq shumë për kombin shqiptarë. Ka marrë pjesë në çdo demonstratë e takim për Kosovën, në vitin 1998, qe ndër të parët që dorëzojë një kontribut prej 5 mijë dollarëve, në ndihmë të luftës për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ministrisë së Mbrojtjes së at’hershme, Qeverisë së Kosovës, që drejtohej nga i ndjeri Kolonel Ahmet Karsniqi./ Memorie.al















