Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
– “Nën emrin Abedin Beqir Nakoshiri, Myleri është drejtor i Seksionit të Jashtëm Perëndimor, pranë Shërbimit të Zbulimit Sekret Shqiptar dhe jeton në ‘Bllokun’ e udhëheqjes në Tiranë e, te Hotel ‘Adriatiku’ në Durrës” –
Memorie.al / Aty nga fundi i vitit 1963 dhe fillimi 1964-ës, disa nga gazetat e revistat më të mëdha të Gjermanisë Perëndimore, si “Suddetutsche Zeitung”, “Stern” etj., botuan një sërë artikujsh, ku thuhej se; Hajnrih Myler, ish-kreu i Gestapos, Obergruppenfurher-SS dhe Gjeneral i Vaffen-SS, Shef i shërbimit të VI (Gestapos), pranë shërbimeve të sigurimit të Rajhut në Berlin, dhe Shef direkt i Adolf Ajhmanit, nuk kishte vdekur dhe se nga viti 1945 e deri në 1955-ën, jetonte në Moskë, ku kishte punuar nën urdhrat e Stalinit, Berias, dhe Malenkovit. Ndërsa nga viti 1955 e, deri në 1956-ën, ai kishte punuar në Budapest dhe se tani aktualisht, (viti 1964) ai, është në shërbimin e diktatorit shqiptar Enver Hoxha.
Madje në shtypin në fjalë gjermano-perëndimor, nga të cilat më pas u nxitën të shkruanin edhe gazeta e revista të vendeve të ndryshme të Europës Lindore, si “Veçerniki” e Bratislavës në Çekosllavaki, etj., jepnin edhe detaje mbi jetën e punën e ish-kreut të Gestapos hitleriane në Shqipëri, ku mes të tjerash thuhej se: “Ish – shefi i Gestapos 63 vjeç, jeton në Shqipëri, që nga viti 1956.
Ai ndodhet nën mbrojtjen speciale të diktatorit Enver Hoxha, në shërbim të të cilit ndodhet sot, ashtu siç i kishte shërbyer me radhë Hitlerit, Himlerit, Hajndrihut, dhe Stalinit. Sot Shqipëria, mike e Kinës së kuqe, përfiton nga lidhjet që Hajnrih Myler, ka me ish – shokët e tij të vjetër SS dhe Gestapos, në botën e jashtme.
Njohuritë e tij, çmohen lart në Tiranë. Tani ai quhet, Abedin Beqir Nakoshiri, dhe ka marrë nënshtetësinë shqiptare. Pas botimit të këtij informacioni, sigurisht do t’i duhet që të ndërrojë identitet. Nakoshiri Myler, është Drejtor i Seksionit të Jashtëm Perëndimor, pranë Shërbimit të Zbulimit Shqiptar. Nakoshiri-Myler, jeton në kryeqytetin Tiranë, sidomos në lagjen më të madhe dhe të mbyllur hermetike, të quajtur ‘Bllok’, ku jetojnë të gjithë funksionarët e lartë të Partisë së Punës së Shqipërisë, anëtarët e qeverisë dhe ushtrisë shqiptare.
Myleri banon këtu, në një godinë luksoze, i veçuar nga qendra e Tiranës, por në një mënyrë pak më të ekspozuar për pjesën tjetër të popullsisë. Por ai, ka dëshirë të frekuentojë hotelin luksoz ‘Adriatik’, ku shijon konjak francez e gjithashtu pëlqen gjithnjë edhe konjakun ‘Hennessy’. Ishte po kjo markë, që e zbuloi dhe e dekonspiroi një vit më parë, nga disa bashkë-atdhetarë të tij, gjermano-lindor, që punonin si specialistë në Portin e Durrësit”.
Sa më sipër, shkrimet e shtypit gjermano-perëndimor dhe më gjerë atij europian, patën një jehonë të madhe, aq sa, përpara selisë së ambasadës shqiptare të akredituar në Vjenë të Austrisë, u zhvilluan disa demonstrata, ku protestues të shumtë i bënin thirrje qeverisë shqiptare, që të dorëzonte Mylerin, pranë autoriteteve përkatëse të drejtësisë gjermano-perëndimore.
Po kështu, në shkrimet në fjalë të shtypit gjermano-perëndimor, analistë të ndryshëm, u bënin thirrje disa krerëve të shteteve, si Valter Ulbrihtit të Gjermanisë Lindore, që të bënte presion te diktatori shqiptar, Enver Hoxha, për të dorëzuar ish-kreun e Gestapos hitleriane, Hajnrih Mylerin.
Po kështu përveç kësaj, lidhur me “çështjen Myler”, në drejtim të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë të PPSH-së, u drejtuan shumë letra nga Shoqata të Veteranëve të Luftës së Dytë Botërore, të Gjermanisë, Francës etj., të cilat i kërkonin qeverisë shqiptare, që t’u jepte sqarime lidhur me akuzat e bëra nga shtypi gjermano-perëndimor, etj., nëse ish-kreu i Gestapos hitleriane, gjeneral-leijtnant, Hajnrih Myler, ndodhej në Shqipëri. Të gjitha këto, e detyruan Tiranën zyrtare, që të reagonte duke dhënë një përgjigje, me anë të Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe gazetës “Zëri i Popullit”
Lidhur me këto, etj. bëhet e ditur nga një sërë dokumentesh arkivore sekrete (tashmë prej kohësh të de-klasifikuara) që ndodhen në arkivat e shtetit shqiptar (Arkivi Qendror i Shtetit, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Arkivi Ministrisë së Brendshme), të cilat publikohen për herë të parë (me faksimilet përkatëse), nga Memorie.al., në disa numra të saj.
LETRA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË SHOQATËS SË VETERANËVE TË LUFTËS ANTIFASHISTE TË AUSTRISË, H. MAYER, DËRGUAR KOMITETIT TË VETERANËVE TË LUFTËS SË POPULLIT SHQIPTAR
Përkthim
H.M.
Obmann des Bundes der Opfer des politischen freiheitkampfes en Tirol
Innsbruck
Gummpstr. 28
Më 10.2.1964
Të dashur shokë
Shokët e shoqatës sime, më kanë tërhequr vërejtje në lidhje me artikullin e bashkangjitur, botuar në revistën e ilustruar “Stern” të Janarit të 1964 (siç duket të datës 11.1.). Do t’ju isha mirënjohës, sikur të ma kthenit këtë artikull.
Ky artikull, pretendon se ish-Gjenerali SS, Shefi i Gestapos, Hajnrih Myler, për të cilin kohët e fundit u mësua se nuk kishte vdekur dhe se një varr paskësh qenë ngritur në kujtim të tij, për të çorientuar opinionin publik, jeton dhe vepron në Shqipëri, me pseudonimin Abedin Beqir Nakoshiri. Më përpara ai paskësh qenë në Bashkimin Sovjetik, deri në vitin 1953, e më pas në Hungari për 15 muaj.
Në artikull thuhet se qeveritë e vendeve të lartpërmendura e paskëshin ditur se për cilin ishte fjala, dhe pavarësisht kësaj i paskan besuar detyra me rëndësi. Për këtë arsye ju drejtohem juve, meqenëse jam i mendimit se kriminelët e luftës siç është shefi i Gestapos Myler, duart e të cilit janë lyer me gjakun e miliona viktimave, duhet të dalin përpara gjyqit dhe të dënohen.
Nuk mund të pranohet të kërkohet vetëm dënimi i vrasësve SS që jetojnë dhe veprojnë në Perëndim, këta individë duhet të marrin dënimin që meritojnë, pavarësisht nga fakti që ndodhen në një vend perëndimor, ose lindor.
Ky artikull i botuar në revistën “Stern”, shumë të përhapur, na bën të nxjerrim vetëm dy konkluzione :
- Ose s’është e vërtetë dhe atëherë duhet t’i tregohet revistës një rektifikimi dhe t’i jepen redaksisë provat, se deklaratat nuk janë të vërteta;
- Ose artikulli është i vërtetë dhe atëherë është detyrë e FIR-it dhe e të gjithë organizatave të viktimave, të luftojnë me të gjitha forcat me qëllim që shefi i Gestapos Myler, të dënohet për krimet e tij. Kjo kërkesë duhet të shtrohet me forcë, dhe të ndihmohen autoritetet, për kapjen e këtij krimineli.
- Në artikull ndër të tjera thuhet se njeriu i ndërlidhjes së Mylerit, është ish-shefi i Gestapos në Vjenë, Sanitzer i cili, jeton sot në Republikën Demokratike Gjermane, me pseudonimin Karl Valbach. Mesa dij unë, Sanitzer jeton në Salzburg ose afër Salzburgut dhe një fushatë e madhe, kishte filluar me të drejtë ndaj tij, deri në kohën kur u tha se; Sanitzer kishte vdekur.
Ju jeni sigurisht në dijeni për datën e vdekjes së tij, në mënyrë që kjo çështje mund të korrigjohet në “Stern”, me këtë çështje mund të merret KZ Vrzband. Ju do ta kuptoni se ky artikull botuar në “Stern”, nuk mund të më lërë indiferent, dhe se FIR gjithashtu, nuk mund të pranojë të thuhen gjëra të tilla.
Sipas mendimit tim, shoqata shqiptare, duhet në radhë të parë të mbajë qëndrim në lidhje me këtë çështje. Do t’ju jem pra shumë mirënjohës, nëse do t’më mbani në dijeni të veprimeve që do të bëni për këtë çështje dhe të më njoftoni përfundimin.
Përshëndetje vëllazërore
H. Mayer
LETRA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË KOMITETIT TË VETERANËVE TË LUFTËS ANTIFASHISTE TË POPULLIT ITALIAN, RENATO BERTOLINI, DËRGUAR KOMITETIT TË VETERANËVE TË LUFTËS SË POPULLIT SHQIPTAR
FIR
207/64/RB/FK
Vjenë më 28.2.1964
KOMITETIT TË VETERANËVE TË LUFTËS SË POPULLIT SHQIPTAR
TIRANË
Të dashur shokë
Nga shokët e Tirolit, kemi marrë letrën dhe artikullin bashkëngjitur. Ju kërkojmë të keni mirësinë të shqyrtoni këtë çështje, në mënyrë që të mund të bëjmë të ditur këtyre shokëve, marrjen e qëndrimit tuaj, si dhe rezultatet e anketës suaj. Në pritje që t’ju lexojmë, pranoni të dashur shokë përshëndetjet tona të përzemërta.
Sekretari
Renato Bertolini
RAPORT – INFORMACION I GJENERAL-MAJOR VELI DEDI, SEKRETAR I PËRGJITHSHËM I KOMITETIT TË VETERANËVE TË LUFTËS ANTIFASHISTE TË POPULLIT SHQIPTAR, DËRGUAR GJENERAL – LEIJTNANT BEQIR BALLUKUT
KOMITETI I VETERANËVE TË LUFTËS SË POPULLIT SHQIPTAR
Nr. Prot.
Tiranë
1964
PRESIDENTIT TË KOMITETIT
SHOKUT GJENERAL KOLONEL BEQIR BALLUKU
Tiranë
Shoku Gjeneral. Bashkëngjitur po jua dërgojmë përkthimin e shkresës së sekretariatit të FIR, Nr. 518/JT/EL/1964 shoqëruese të letrës së Federatës Kombëtare të të Internuarve dhe Luftëtarëve të Rezistencës Patriotike të Francës, për njoftim, që bën fjalë mbi shpifjet e revistës profashiste “Stern”, të Gjermanisë Federale, për të cilat ju kemi vënë në dijeni me materialet e mëparshme, të lidhura me letrën e FIR, të datës 28.2.1964.
Siç duket nga teksti i letrave, sekretarët e FIR dhe kryesisht të disa organizatave antare, janë bashkuar me trillimet e “Sternit”, për të diskretituar Republikën Popullore të Shqipërisë, në rradhët e rezistenës antifashiste dhe për të minuar unitetin e vetë FIR-it, udhëheqja e të cilit tashmë është kthyer në një vegël të ulët, të politikës së revizionizmit modern.
Ne ju ripropozojmë, që t’i ripërgjigjemi sekretariatit të FIR me një letër, projektin e të cilës po jua dërgojmë bashkangjitur. Ne mendojmë që një kopje e përgjigjes, t’jua dërgojmë për njoftim shoqatave antare të FIR-it, kurse një mbledhje të saj të botohet në shtyp, nëse e shihni të arsyeshme.
Në pritje të vendimit tuaj.
Me nderime
Gjeneral Major
Veli Dedi
LETRA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË FEDERATËS KOMBËTARE TË INTERNUARVE DHE LUFTËTARËVE TË REZISTENCËS TË FRANCËS, ZHAN TUZHA, DËRGUAR KOMITETIT KOMBËTAR TË VETERANËVE TË LUFTËS ANTIFASHISTE TË POPULLIT SHQIPTAR
FIR
518/JT/EL/64
Të dashur shokë
Ju kishim folur me letrën tonë të 28.2.1964 në lidhje me fushatën që po bëhet tani kundër vëndit tuaj, ku pretendohet se ish SS Myler, bën pjesë në shërbimet tuaja të Sigurimit. Kjo fushatë po vazhdon dhe prek veçanërisht qarqet e rezistencës europiane.
Do të ishte mjaft e dobishme, një sqarim nga ana juaj, për t’i dhënë fund kësaj fushate. Bashkëngjitur do të gjeni letrën që na ka ardhur nga Franca.
Përshëndetjet tona vëllazërore.
Sekretari i Përgjithshëm
Zhan Tuzha
RAPORT – INFORMACIONI I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË KOMITETIT TË VETERANËVE TË LUFTËS ANTIFASHISTE TË POPULLIT SHQIPTAR, GJENERAL-MAJOR VELI DEDI, DËRGUAR GJENERAL – LEIJTNANT BEQIR BALLUKUT
KOMITETI I VETERANËVE TË LUFTËS SË POPULLIT SHQIPTAR
Nr. 19 Prot
Tiranë
11.4.1964
PRESIDENTIT TË KOMITETIT
SHOKUT GJENERAL KOLONEL BEQIR BALLUKU
Tiranë
Shoku Gjeneral.
Siç jeni në dijeni se gazeta “Zëri i Popullit”, nr. 42, më datën 19 Shkurt 1964, i ka dhënë përgjigjen e duhur gazetës revizioniste sllovake “Veçerniki”, që botohet në Bratisllavë, për përhapjen e shpifjeve të imperializmit, kundër Shqipërisë.
Në fakt gazeta rezizioniste “Veçerniki”, siç duket është zëdhënëse e gazetës fashiste “Stern”, të Republikës Federale Gjermane, ku në numrin e saj të 30 Janarit, ka shkruar artikullin intrigues; “Konjaku e tradhëtoi Mylerin” dhe; “A rron Myleri në Shqipëri”.
Mirëpo sekretariati i FIR, në shkresën Nr. 207/64, datë 28.2.1964, që arriti këtu në datën 7.4.1964, na drejtohet neve, gjoja për t’i dhënë përgjigje revistës “Stern” në lidhje me këtë çështje, duke na dërguar lidhur me shkresën e vet artikullin origjinal të revistës fashiste “Stern”, se “Shefi i Gestapos Myler, jeton në Shqipëri”, dhe letrën e shoqatës tiroleze, datë 10.2.1964, drejtuar FIR-it.
Konkluzione:
A) Sipas tipareve artikulli i revistës fashiste “Stern”, duhet të jetë fabrikuar nga agjentura e Beogradit kundër vendit tonë dhe për diskreditimin e emrit të shokut Stalin. Këtë e vërteton përmbajtja dhe orkestrimi i tij, nga grupet revizioniste të vendeve të ndryshme të Europës.
B) Sekretariati i FIR që është bërë vegël e politikës kapitulluese të Hrushovit, para imperializmit amerikan, i porositur nga agjentët e Hrushovit e të Titos, na drejtohen neve me qëllime djallëzore për çështjen e artikullit të revistës fashiste “Stern”.
Prandaj propozoj që FIR-it dhe shoqatës së Tirolit, tju japim përgjigjet e merituara duke i botuar edhe në shtyp. Bashkëngjitur, po ju dërgojmë përkthimet e dokumenteve të mësipërme për shqyrtim, si dhe një komunikatë shtypi të FIR, që mbronte Rankoviçin. Në pritje të vendimit tuaj. Memorie.al
Me nderime
Gjeneral Major
Veli Dedi
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016