Dashnor Kaloçi
Memorie.al/Në rrugën nacionale Shkodër – Pukë – Kukës, tek ura e Bardhetit, në të majtë të saj, fillon rruga që të çon në zonën e Iballës, (37 km. larg nga aty), një nga krahinat e thella të rrethit të Pukës, e cila kalon mes përmes Kryeziut turistik, duke gjarpëruar në bjeshkët e tij dhe Iballës, e cila është e mbushur me pyje me drurë pishe, bredhi dhe ahu, ku duket se natyra ka shpalosur pa kursim të gjitha bukuritë e saj. Teksa udhëtojmë në ato anë me bukuri natyrore mahnitëse, porsa dalim në Qafë-Shari, të shfaqet para syve, Iballa. Një fushë-gropë 800 m. mbi nivelin e detit, e rrethuar me male të larta, ku në mes të saj kalon lumi dhe sipër në një kodër, si në një ballkon, ndodhet liqeni i Iballës, uji i së cilës shfrytëzohet për vaditjen e tokave bujqësore të asaj zone. Gjatë gjithë atij udhëtimi në bjeshkët që shtrihen mes përmes Iballës dhe Kryeziut, ashtu si kudo nëpër Shqipëri, shikojmë që edhe këto pyje shekullore të cilat përbëjnë një potencial të madh eko-turistik, nuk kanë shpëtuar nga dëmtimet, prej prerjeve të paligjshme, zjarreve, etj.
Harmonia e dy besimeve fetare në Iballë
Në Iballë banon një komunitet me dy besime fetare: (myslimanë dhe katolikë) të cilët prej shekujsh jetojnë në një harmoni të plotë dhe bashkëjetesë paqësore me njeri tjetrin. Aty ndodhen tre objekte kulti: përveç xhamisë, objektit të komunitetit mysliman të Iballës, aty ndodhet dhe Kisha e Thaçit, që është shumë e vjetër dhe shërben edhe si një qendër e madhe pelegrinazhi, ku në çdo 13 qershor, (ashtu si edhe Kisha e Shën Ndout në malin mbi qytetin e Laçit të Kurbinit), pret me qindra pelegrinë dhe vizitorë të gjitha besimeve. Po kështu përveç kishës së Thaçit, aty është dhe Kisha e Kopratit, e cila shërben si qendra e atij institucioni fetar të besimit katolik të gjithë zonës së Iballës. Pikërisht aty në atë vend, disa dekada të shkuara, ka shërbyer edhe Ipeshkvi Dom Lazër Mjeda dhe në afërsi të saj ndodhet edhe shtëpia e familjes së madhe dhe të njohur, Pemati.
Hapja e shkollës së parë shqipe në Iballë në vitin 1903
Një nga ngjarjet historike me të cilat emri i Iballës figuron në historinë e Shqipërisë, padyshim që është ajo e hapjes së shkollës së parë shqipe aty në vitin 1903, ngjarje e cila, për nga rëndësia historike e saj, i kalon jo vetëm kufijtë e Iballës dhe të gjithë rrethit të Pukës, por edhe të Veriut të Shqipërisë.
Lidhur me historikun e kësaj shkolle dhe ata që bënë të mundur hapjen e saj, veç të tjerash, është ndalur dhe ka shkruar gjatë edhe kleriku katolik Fra Lovro Gavran, OFM, i cili në librin e tij studimor me karakter historik dhe kulturor, të titulluar: “Famullia e Iballës”, (botime, Iballë 2000), në mes të tjerash, në kapitullin: “Shkolla e parë e Iballës), fq. 20, shkruan: “Edhe Turqia, edhe inteligjenca shqiptare, e dinin shumë mirë se – përveç fesë – më të madhen vetëdije kombëtare dhe dashuri atdhetare, e zgjon shkollimi në gjuhën amtare. Prandaj fretërit, kudo që ishte sadopak e mundshme, mundoheshin të hapnin shkollat shqipe, kurse pushteti turk, e pengonte atë punë me të gjitha mjetet. Në vitin 1902, gjithsesi me rekomandimin të Famullitarit të atëhershëm të Iballës, patër Zef Mesit, Frrok Kolë Pemati e morri pëlqimin edhe të ndihmës Ipeshkvit, Monsinjor, Lazër Mjedës, për hapjen e shkollës së parë shqipe në Iballë. Ipeshkvi, siguroi edhe mësuesin: Kolë Zezën, prej Zezëve të Pukës, kurse Frrok Kola, e mori mbi vete ndërtimin dhe sigurimin e shkollës. Këtë shkollë e përmend edhe Don Gaspër Gurakuqi, në librin “Dioqezi i Sapës, 1291 – 1941”, në fq. 57, duke përshkruar veprimtarinë e Mons. Lazër Mjedës (1901 – 1905): ‘Nën Mjedën u godit qela e re e Nën-shatit e Laçit: u transformua në të sotshmen qela e Dajçit: u ngreh shkolla e Iballës etj’. Në pranverën e vitit 1903, Kol Zeza mësoi në Iballë gjeneratën e parë të nxënësve në gjuhën shqipe dhe i mësoi nja 43 nxënës aty”.
Përveç sa më sipër cituam, lidhur me hapjen e shkollës shqipe të Iballës, (e cila me disa ndërprerje për shkaqe të ndryshme e vijoj aktivitetin e saj arsimor duke ardhur deri në ditët tona), në librin e tij, Fra Lovro Gavran, OFM, ka paraqitur aty edhe një këngë me shtatë strofa, që i është kushtuar asaj shkolle, ku përmblidhet një historik i shkurtër i hapjes së shkollës dhe kontribuuesve kryesor të saj. Lidhur me këtë, midis të tjerash aty thuhet:
”Q’ai Kol Nika me Frrok Kolën,
i’a kanë marrë Ipeshkvit dorën,
se n’Iballë don me ba shkollën:
me ba shkoll, me ba sarraj –
punën e turqve e bajnë kollaj,
S’merr dauleti kënd n’qafë pa faj”.
Kontribuesit e tjerë të shkollës shqipe në Iballë
Përveç librit të Fra Lovro Gavran, OFM, lidhur me hapjen e shkollës së parë shqipe të Iballës në vitin 1903, ka edhe burime e dëshmia të tjera, dokumentare dhe gojore, të cilat kanë ardhur deri në ditët tona. Përveç Frrok Kol Pematit, si një nga nismëtarët dhe kontribuuesit kryesorë për hapjen e asaj shkolle, ato hedhin dritë edhe mbi rolin e Dom Lazër Mjedës, Ipeshkvit të Sapës që kishte nën administrim edhe Iballën, i cili u morr me gjetjen e teksteve shkollore që do mësonin fëmijët, bazës materiale, si: libra, fletore, banka, tavolina etj.
Për hapjen e asaj shkolle, Dom Lazër Mjeda u mbështet dhe gjeti përkrahje të madhe te Frrok Kol Pemati, shtëpia e të cilit ishte afër me Kishën dhe ai morri përsipër që ta ndihmonte Dom Lazrin deri në fund, me të gjitha mënyrat, në iniciativën që ai kishte marrë. Kështu, Frrok Kola e bleu me paret e veta tokën ku do të ndërtohej godina e shkollës, pa e dëmtuar aspak ekonomikisht Kishën dhe pronat e saj.
Por sipas disa dëshmive dhe burimeve gojore të ardhura deri në ditët tona, ishte Frrok Kola ai që i kërkoi Dom Lazrit hapjen e shkollës së parë shqipe të Iballës, duke i premtuar mbështetjen e pakursyer të tij, pasi ai, jo vetëm se ishte një patriot dhe arsimdashës që gëzonte një autoritet të madh në atë zone, por kishte dhe një familje me gjendje të mirë ekonomike. Por bashkë me Frrok Kol Pematin, një ndihmesë të madhe si nismëtarë për hapjen e asaj shkolle dhanë edhe Palush Pjetra e Vocër Prela të Iballës dhe Kol Nik Alija, i Fletit.
Po kështu ajo gjë u bë e mundur edhe në sajë të mbështetjes dhe ndihmës së madhe të komunitetit të Iballës, të cilët kishin shumë dëshirë që të shkollonin fëmijët e tyre, për të mësuar shkrim e këndim dhe si rezultat, në vitin 1903, në atë shkollë u regjistruan e filluan mësimin 43 nxënës, të cilët ishin jo vetëm nga Iballa, por edhe nga fshatrat përreth, si Toplana, etj.
Personalitetet të historisë dhe kulturës që ka nxjerrë Iballa
Historia e Iballës është e lidhur ngushtë me disa personalitete të fushave të ndryshme të jetës, si politika, arti, kultura, arsimi, etj., dhe duke u nisur nga kronologjia e rrjedhave të ngjarjeve historike ndër vite, padyshim një vend kryesor zë ai i Frrok Kol Pematit, pasi veprimtaria patriotike dhe atdhetare e tij, fillon që në vitin 1903, me hapjen e shkollës së parë shqipe të Iballës. Po kështu, përveç Frrok Kolës, Iballa njihet ndryshe edhe si vendi i origjinës së Kol Bibë Mirakës, një emër dhe personazh shumë i njohur i historisë dhe politikës shqiptare të shekullit kaluar, si para Luftës kur ai pati shërbyer edhe në postin e Ministrit të Punëve të Brendshme në qeveritë shqiptare nën pushtimin italian, ashtu dhe pas vitit 1944, kur ai ndodhej si emigrant politik në Itali, etj.
Emri i Iballës para viteve ’90-të, është i lidhur edhe me figurën e Tom Nikollës, rapsodit dhe instrumentistit popullor, i cili për disa dekada me radhë, ka qenë pjesë e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë, (i dekoruar me Medaljen e Artë në Rusi), madje duke fituar edhe disa çmime si interpretues, në aktivitete dhe koncerte të ndryshme jashtë Shqipërisë, si në Dizhon të Francës, ku Ansambli i Shtetit nga Shqipëria, fitoi “Gjerdanin e Artë”, mes gjithë shteteve që konkurruan aty.
Një emër tjetër i njohur që lidhet ngushtë me Iballën, është edhe ai i Mark Zef Malutës, artist virtuoz dhe valltarit popullor, i cili ka debutuar me shumë sukses në mjaft aktivitete dhe shfaqje të ndryshme, jo vetëm në Iballë dhe gjithë rrethin e Pukës, por edhe në skenat e qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, si Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, etj., e deri në aktivitetet ndërkombëtare jashtë Shqipërisë.
Nga Iballa është dhe origjina e Fran Mirakaj, (1916-1946, laik i Arqipeshkvisë Shkodër-Pult), i vlerësuar si një nga ‘40 Martirët e Kishës Katolike Shqiptare’, të vrarë nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës, të cilët u shpallën Shenjtorë dhe u lumnuam nga Vatikani më 10 nëntor të vitit 2002. Foto e Fran Mirakaj, ishte në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, gjatë vizitës së kreut të Selisë së Shenjtë, Papa Franceskut në Shqipëri, më 21 shtator të vitit 2014, e cila ishte dhe vizita e parë e tij në Evropë.
Iballa gjithashtu ka historinë e saj, me traditat kulturore dhe etnografike të shtrira në disa shekuj, ku një nga ngjarjet historike më të rëndësishme që e dallon atë, jo vetëm në rrethin e Pukës, por edhe më gjerë në të gjithë Veriun e Shqipërisë, padyshim që është ajo e hapjes së shkollës së parë shqipe në vitin 1903 dhe rrënjët e historisë së kësaj shkolle, e kanë zanafillën pikërisht në Koprat.
Aktiviteti atdhetar e patriotik i Frrok Kolës
Përveç rolit të madh që Frrok Kola pati në hapjen e shkollës së parë shqipe të Iballës në vitin 1903, ai spikati si atdhetar e patriot edhe në disa nga nga ngjarjet kryesore të historisë së Shqipërisë, siç ishte shpallja e Pavarësisë në 1912-ën nga plaku i urtë Ismail Qemali. Kështu, vetëm dhjetë ditë më pas, me 8 dhjetor 1912, Frrok Kol Pemati ishte në Qelëz të Pukës, bashkë me Zenel Agën e Iballës, ku morri pjesë në ngritjen e flamurit që u bë aty, bashkë me disa atdhetarë të asaj krahine të rrethit të Pukës që kishin luftuar për liri dhe pavarësi. Nga disa burime të tjera, bëhet e ditur se Frrok Kola, ka qenë një mik dhe bashkëpunëtor i afërt i Bajram Currit, duke qenë përkrah tij si veprimtar në disa prej lëvizjeve politike të kohës. Po kështu, edhe gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, familja e Frrok Kol Pematit, është njohur si një familje atdhetare e nacionaliste, e cila kishte shumë miqësi me familje të tjera të mëdha dhe me emër, jo vetëm në Iballë dhe rrethin e Pukës, por edhe më gjerë, në të gjithë Veriun e Shqipërisë, e deri në malësinë e Gjakovës në Kosovë.
Persekutimi i familjes Pemati, në internime dhe burgjet komuniste
Ndryshe nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe ajo nën pushtimin e vendit (1939 – 1944), ku familja Pemati gëzonte një autoritet të madh, edhe për shkak të së kaluarës patriotike dhe mbështetjeve e miqësive të mëdha që ata kishin me shumë nga familjet nacionaliste dhe me emër të Pukës, Mirditës, Hasit, Shkodrës, malësisë së Gjakovës, etj., me ardhjen e komunistëve në pushtet në fundin e vitit 1944, për ta do të ndryshonte çdo gjë dhe do të vinin ‘ditë të zeza’. Kështu, që nga viti 1945 e në vazhdim, familja e madhe Pemati e Iballës, u bë objekt goditje nga regjimi komunist i Enver Hoxhës së bashku me familjen Mirakaj, ku shumë nga pjesëtarët e atyre dy familjeve e fiseve të mëdha, do të përfundonin burgjeve dhe kampeve të internimeve për vite me radhë, deri në shembjen e regjimit në vitin 1990.
Lidhur me këtë, Zef Pemati, një nga pinjollët e kësaj familje të madhe dhe me emër të Iballës, midis të tjerash dëshmon: “Goditja e familjes sonë nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, fillon që nga viti 1952, kur na shpallën kulakë, kurse persekutimi fillon me Stak Pjetër Pematin, e vëllanë e tij, Jakun, të cilët u burgosën dhe u internuan për vite me radhë. Jaku bëri 20 vjet burg dhe vdiq në internim. Njëkohësisht me këta, filloi persekutimi edhe ndaj Pjetër Stak Pematit dhe bashkëshortes së tij, Shukes, të cilët vuajtën në kampet e internimit të Beratit, Tepelenës, Myzeqesë dhe Tiranës. Bashkëshortja e Pjetrit, Shukja, ishte e bija e Mark Dod Alisë nga Kryeziu, (një nga burrat më në zë të rrethit të Pukës), i cili pasi u shpall “armik i popullit”, u burgos nga regjimi komunist i Enver Hoxhës kur ishte në moshën 90 vjeçare, duke vuajtur dënimin me gjashtë vjet burg politik, të cilat bëri në kampin e Ballshit, etj.”.
Përveç Pjetër Stakës, u persekutuan duke vuajtur në kampet e internimit, edhe dy vëllezërit e tij, Ludoviku dhe Gjeloshi, nëna Bjeshkë, si dhe motra e tyre, Gjyste Pemati. Të njëjtin “fat” patën edhe kushëriri i tyre, Mark Zef Pemati, i cili vuajti 20 vjet në burgjet e regjimit komunist të para viteve ’90-të.
Sipas Zef Pematit por edhe disa dëshmive të tjera të banorëve të Iballës etj., në vitin 1967, kur u formua Kooperativa Bujqësore e Iballës, familjen e Stak Pjetër Pematit nuk e lejuan që të hynin në atë ekonomi bujqësore, pasi ata i kishin shpallur si kulak, duke duke i detyruar që të punonin në punët më të rënda, për të siguruar vetëm bukën e gojës. Po kështu, nga ana e regjimit komunist, denigrimi vazhdoi edhe fëmijët e familjes së madhe Pemati, që patën “fatin”, e prindërve të tyre. Nisur nga kjo, Zef Pemati dhe i vëllai, Leka, nuk u lejuan që të vazhdonin shkollat, edhe pse ishin të talentuar jo vetëm në mësime, por edhe në muzikë, si artistë e instrumentistë popullorë.
Aktiviteti përkujtimorë me rastin e 100 vjetorit të shkollës së Iballës
Shkolla e Iballës që ishte hapur që në vitin 1903 edhe në sajë të kontributit që dha veçanërisht Frrok Zef Pemati, vazhdoi aktivitetin e saj mësimor, duke ardhur deri në ditët e sotme, ku ajo shkollë është rindërtuar dhe është një nga më të mëdhatë e gjithë rrethit të Pukës.
Në vitin shkollor 1973 – ‘74, për herë të parë aty u organizua një aktivitet përkujtimor festiv, me rastin e 70 vjetorit të hapjes së asaj shkolle. Një aktivitet i ngjashëm përkujtimor me rastin e hapjes së asaj shkolle, u përsërit edhe në vitin 2003, me rastin e 100 vjetorit të saj, ku përveç banorëve të zonës dhe fshatrave përreth si dhe pushtetarëve lokalë, aty morën pjesë edhe shumë ish-nxënës, mësues dhe drejtues të saj ndër vite. Me atë rast nga ana e drejtorisë së asaj shkolle, u bë e mundur që të hapej edhe muzeu i saj, me relike, dokumente dhe fotografi të ndryshme.
Nisur nga të gjitha ato të dhëna që parashtruam në këtë shkrim për historikun e shkollës së Iballës, mendojmë se është në nderin dhe dinjitetin e banorëve të asaj zone, si dhe pushtetarëve lokal, që asaj shkolle t’i vihet emri: ‘Frrok Kol Pemati’/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016