Nga Sokrat Shyti
Pjesa e njëzetenëntë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
– “Mirë do kishit bërë t’i mbanit të ndrydhura deri në fund”! – ndërhyri nëna Ulë.
– “Por ja që këto nuk u bindën, shpërthyen murin e durimit dhe bashkuan ne një të vetme dy zemrat e mendimet tona”! – theksova me kënaqësi, duke soditur portretin e shqetësuar të Arqelinit, e cila po e ndiqte me mjaft kureshtje bashkëbisedimin tonë.
– “E paskeni patur shikimin ndaj njëri-tjetrit më të fuqishëm se magneti!… – tha e habitur nëna Ulë. – Nuk e di për anën tuaj, andej, por këtej nga ne, u zhvillua luftë e ashpër: nuk na e merrte mëndja që vajza ime do t’u bënte ballë sulmeve tona”!
-“Ia jepte forcën dashuria, njësoj si Toka Anteut! – shtova unë me krenari. – Dashuria të bën me krahë dhe guximtar”!
– “Kështu thoni ju te rinjtë. Kurse ne të moshuarit, ju quajmë të lajthitur, sepse fluturoni përsipër reve me parashutë ëndrrash”.
– “Fatmirësisht parashuta jonë doli e fortë, na zbriti në tokë pa dëmtime”!… – e përforcova më tej kënaqësinë tonë të përbashkët.
– “Sepse të dy jeni kokëkrisur, por sidomos ime bije! U gënjente mendja se do ta kalonit detin me not”!
– “Dhe në fakt e kaluam! Ju duhet të jeni te kënaqur që dashuria jonë përballoi rrebeshe kundërshtish!…Po sikur të kish ndodhur e kundërta, forcat e errëta t’i zinin frymën dashurisë tonë, do ndjeheshit të çliruar nga makthi i frikës? Nuk e besoj. Do shpëtonit vetëm nga ngërçi politik. Po zemra e vajzës tuaj, që do mbetej përjetë e plagosur? Nëna ime na tha te dyve: ju deshi Perëndia, që i mbushi mendjen shefit të madh të Partisë në rreth, të gjejë zgjidhjen e vetme më të mirë për të dy palët”!
– “Ana e ka më të lehtë të shprehet kështu, pasi nuk e dinte çfarë po kurdiste i biri me vajzën time prapa krahëve…’ – tha nëna Ulë duke psherëtirë. – Por po ta merrte vesh, do të punonte qindin. Ne i shikojmë shumë larg pasojat e një veprimi të nxituar, sidomos kur futet politika si pykë në mes dhe sjell shkatërrimin. Ana e gjorë, si nënë e përvëluar, e ka shpirtin të mbushur me dhimbje. Ajo e di si i duroi humbjet e llahtarshme të djalit e vajzës në lulen e rinisë, dhe burrit në moshë të re! Sikur të mos mjaftonin këto gjëma të llahtarshme, i ndodhi prapësia tjetër e tmerrshme, që ju fundosi të treve ne greminë!… Ja pse thonë: atë që te bën fëmija, nuk ta bën as Perëndia”!
– “Po ta dijë njeriu çfarë tersllëku të tmerrshëm i kurdis fati, do bëjë çmos ta gjejë, që t’ia presë kokën. Në të vërtetë askush nuk ka aftësi të hamendësojë qoftë dhe përafërsisht shtjellat e të ardhmes. Përsa i përket të keqes së llahtarshme, që te vjen nga politika, ne e provuam mbi shpatullat tona, si ju dikur. Po të mos futej në rrjedhën normale gjendja jonë e familjes, unë i pari s’do lejoja që dashuria e heshtur të shkonte drejt fejesës.
Do ishte e pafalshme për të dy të krijonim një familje mjerane, e cila do sillte në jetë fëmije me të ardhme dështake! Për fatin tonë të mirë, u krijuan kushte të reja, falë ndërhyrjes dhe vendosmërisë të shokut Qemal: na dhanë shtëpi në Kolonjë dhe së shpejti do sistemohem në arsim”!
– “Punësimi në arsim ka siguri te plotë, apo janë fjalë të dëgjuara”? – më ndërpreu e shqetësuar nëna Ulë.
– “Po të mos isha sot në kabinetin e shokut Qemal e, ta dëgjoja me veshët e mi, edhe unë do dyshoja. Rastisi të ndodhesha tek zyra e ndihmësit të tij, kur fati deshi të hapej dera ndërmjetëse..”! (Dhe shkurtimisht i shpjegova si më priti. Pastaj vura theksin tek pika nevralgjike, kur ky shprehu vendosmërinë e tij të palëkundur, të punojë në arsim).
– “Paska qenë ditë e shënuar kjo e sotmja! – tha nëna Ulë me kënaqësi të hapur. – Duhet shënuar me kryq në librin e shtëpisë! Jot ëmë, Ana, paska patur të drejtë, që iu fal Perëndisë. Sot duhet bërë kryq me të dy duart, dhe duhet festuar!…
… E shikon sa të hutuara jemi?…- i tërhoqi vërejtje së bijës. – Sot shkeli për herë të parë dhëndri pragun e shtëpisë dhe ne akoma nuk e kemi qerasur…?! Mua më falet që jam kaq e hutuar, pasi tani po i dëgjoj për herë të parë të rejat e fundit. Kurse ti…”!
– “Edhe ajo pak para se të vinim këtu i mori vesh, – ndërhyra unë me buzëqeshje, që biseda u fut në rrjedhën e qetë. – Të dy ju nënat tona pothuaj në të njëjtën kohë u njohët me të rejat e fundit. Por nëna ime sot, e dëgjoi për herë të parë nga goja ime që unë dhe Arqelini, e duam njëri-tjetrin. Sepse pa u qartësuar dhe kthjelluar gjërat, nuk mund ta hidhja këtë hap. Edhe vajza juaj kështu do vepronte, nëse s’do ngacmohej me tre kandidaturat për fejese. Si nxitëse për ngacmim mund të kenë shërbyer sinjalet e tërthorta nga dikush, i cili ka hedhur i pari shashkën, duke përhapur pëshpëritjen se djali i Anës dhe vajza juaj, sikur i kanë shtuar muhabetet nën zë nëpër qoshe pas provave. Vetvetiu ky sinjal u vuri në lëvizje. Kurse nënës time, aty ku ndodhej, s’kishte nga kush t’i vinin ngacmime. Rëndësi ka që të dy u treguam të matur dhe të duruar. Nëse nuk e keni bezdi mund të më thoni, si ju duket propozimi i nënës time, që fejesa të bëhet buzë pranvere, në muajin mars”? – e pyeta drejtpërdrejt.
– “Këtë çast nuk ta them dot, pa marrë mendimin e ‘këshillit’ të familjes”, – u përgjigj nëna Ulë, duke vështruar të bijën, që po sillte mbajtësen me pjatat e glikosë.
– “Me cilën gliko duhet ta filloj urimin”? – iu drejtova vjehrrës time të ardhshme.
– “Me më të ëmblën”, – ma ktheu ajo me buzëqeshje.
– “Atëherë po zgjedh qershinë, pasi qenka edhe e bukur…- shtova me humor. – Kemi të drejtë ta urojmë veten para jush: qoftë e ëmbël fejesa jonë, si kjo gliko”?!
– “Përderisa vetë e zgjodhët njëri-tjetrin dhe bëtë tërë atë luftë të madhe, për të arritur fitoren, ju takon ta shijoni ëmbëlsinë. Fejesa juaj, duke qenë krejt ndryshe nga të tjerat…”!
– “Ndryshe vetëm pse pati kaq shumë kundërshti dhe mosmarrëveshje? Pavarësisht nga kjo, zakonet do t’i bëjmë sipas traditës”, – e ndërpreva unë. – Me këtë dua të them se, drejtimin do ta keni ju. Ne jemi ushtarë të thjeshtë, do veprojmë sipas porosive tuaja. Dhe për çdo paqartësi, do kërkojmë ndihmën tuaj. Më lejoni, zonja Ulë, t’ju bëjë një pyetje”?… – shtova i përskuqur në fytyrë.
– “Duke të parë, edhe pa ma thënë, e nuhata ku do dalësh, – ma priti ne çast nëna Ule. – Do të dish nëse deri në ditën e fejesës, mund të vish këtu për të kërkuar time bijë, të shëtisni? Ardhja jote e sotme, s’ka nevojë për premtimin tim. Mjaftoi kaq sa dëgjova gjatë bashkëbisedimit, për të krijuar besim tek maturia juaj…” – theksoi me vështrim të zgjuar. – “Mund të shkoni edhe tek shtëpia e sat motre, sa herë të ndodhet Ana këtu. – Por jo në Kolonjë”! – theksoi me ton të prerë.
– “Duhet të keni parasysh që Lushnja, si qytet i vogël, vetëm me një rrugë kryesore dhe 2-3 lokale, s’ka mundësi për argëtime. Ndaj më mirë ta kaloni kohën brenda, që të mos ju bezdisin vështrimet kureshtare dhe të mos u jepni shkas thashethemeve. Ndodheni përpara ngjarjes më të madhe, krijimit të familjes, të cilën kundërshtitë tona të drejta, e ndihmuan të ngrihet mbi themele të qëndrueshme. Të dy kaluat me durim një provë shumë të vështirë. Kjo na bindi se do kapërceni çdo pengesë, që ju del përpara. Prandaj e meritoni bekimin tonë prindëror”!
U largova nga shtëpia e Arqelinit, i mbushur me kënaqësi dhe shpresë. Dita e sotme kishte qenë kaq e begatë, sa dhe ëndrra më e bukur do ndjente zili, për faktin se brenda disa orëve, u krye një cikël i plotë mirësish! Kurrë s’do ta kisha besuar, se do më ndiqte pas një fat kaq i mbrapsht, të pështjellohesha me “tornado” dhe “cuname” të përbindshme politike, të cilët desh më tjetërsuan në vemje e jashtëqitje të shoqërisë! Po të kishte vazhduar më tej kjo egërsi shtazarake, me të njëjtin ritëm, nuk e vija në mëdyshje se do kthehesha në qenie të gjymtuar, duke patur parasysh që rrjedha e saj, të çonte vetëm drejt humnerës.
Por mrekullisht ndodhi e pabesuara, si në përrallat magjike, pikërisht kur nisën të vyshken shpresat u shfaq i befasishëm shpëtimtari, (si mrekulli hyjnore e tokësore, ndërthurje e përkryer e dëshirës dhe e forcës së mendjes), i cili shpërndau e zboi me kurajë shtrëngatat dhe rrebeshet e stuhishme, kthjelloi motin e acartë, vendosi ylberin, si fanar qiellor të drejtësisë dhe iu kanos zagarëve të tërbuar: “Mjaft hungërittë si çakej”!
Secilit prej nesh i duket e çuditshme, si ka mundësi që qenia jonë njerëzore, të bartë me vete simbiozën e dyzimit: herë të paraqitet si besimtar i devotshëm e, herë si ateist?! Dhe për më tepër, ky ndryshim kaq i madh, ndodh në mënyrë të pavetëdijshëm e në çastet më kritike, kur përballemi me forcën e errët të një kundërshtie të frikshme, së cilës edhe i trembemi edhe i kërrusemi, për ta mposhtur! Prandaj kur shfaqen “tornado” dhe “ciklonet” e brejtjeve mendore e shpirtërore, të ngarkuara me shkarkesa elektrike, ne dridhemi e përpëlitemi, sa e humbim toruan, sepse na ngërthejnë shtjellat e tërbuara me trajta të shformuara, të cilat edhe duke i përfytyruar, na duken të llahtarshme!
Kjo dukuri kaq e frikshme, na ysht të hamendësojmë se fatet tona, janë stisur në terrin e plotë të Gjithësisë dhe enden pareshtur si meteoritë e kometa, duke përthithur pluhur kozmik. Më pas duke na tërhequr me forcën e tyre të gravitetit, drejt vrimës së zezë, së cilës nuk ia dimë prejardhjen, (dhe ndoshta kurrë s’kemi për ta mësuar), që ne e quajmë fat. Për ta kundërshtuar këtë fakt, (dhe të mos biem në prehrin e dështimit), bëhet një luftë e pareshtur (fare e kotë), ndërmjet fatalistëve dhe realistëve, duke mohuar të vërtetën, e cila na thotë se jeta jonë tokësore, formohet nga ndërthurja spontane dhe krejt e rastësishme e misteriozes me realitetin, prandaj çfarë kemi përjetuar, nuk përputhet me atë që kemi hamendësuar. E njëjta gjë ndodh me parashikimin e të ardhmes. Ky mister i përhershëm, na fut në botën e pafund të imagjinatës, drejt besimit gjithëpërfshirës, të cilin ne e trupëzojmë tek Profetët, duke i quajtur bijë tokësorë të “Mbretërisë” pa mbarim, të hapësirës qiellore.
Mosnjohja dhe mospranimi i këtij realiteti jetësor, nga politikanët e të gjitha ngjyrimeve, në çdo shtet të botës, shkakton katrahura mendore dhe varfëri të tejskajshme tek turmat mjerane të zhurmshme, të cilat zhvendosen si duart e nënës nga stuhitë e krizave dhe si pasojë e kësaj zhvendosjeje, lindin raca të përziera, rritet numri i qenieve njerëzore, me të meta mendore. Kur në fakt janë të gjitha mundësitë reale që, me një shpërndarje të arsyeshme e racionale të të ardhurave monetare, të frenohen këto dukuri mizore të urryera e të dhimbshme, të cilat i tjetërsojnë qeniet njerëzore, në krijesa të çuditshme, të gatshme për të kryer veprime e krime të llahtarshme, barbare.
Fakti që politika lindi si domosdoshmëri sociale dhe nevojë për të orientuar e disiplinuar turmat, drejt një vetë-administrimi nëpërmjet ligjeve, nuk e mohon anën tjetër të medaljes, se pikërisht politika shumë shpejt u shndërrua në mjetin mizor, për të shfrytëzuar racat njerëzore deri në palcë. Prandaj dhe vija ndarëse mes politikës dhe turmës, vjen gjithnjë duke u thelluar e zgjeruar, po shkon drejt përmasave gjithnjë më të frikshme! Ndaj dhe në të gjithë shtetet e botës, dëgjohen të njëjtat pyetje tmerrësisht tronditëse, që kanë në themel krimin, korrupsionin, mashtrimin: Si ka mundësi që një grusht njerëz, grumbullojnë në duart e tyre mbi 80% të pasurisë botërore, ndërsa miliarda qenie mjerane, shformohen llahtarshëm nga uria, epidemitë, tjetërsohen në vemje nga mungesa e mbijetesës…?!
Pse mendjet e ndritura shihen vëngër nga politikanët, ndaj tyre, qëndrime shpërfillëse, madje në shumë raste, deri armiqësore?! Ç’pamje do të kishte rruzulli ynë (ku gjallojnë qenie me vetëdije), nëse politikanët kryesorë të çdo shteti, do ta mëkonin zhvillimin me përkushtim dhe përditshmëri, nuk do lejonin të mbillej dhe rritej pabarazia e tmerrshme shoqërore, kur janë realisht të gjitha mundësitë, për të krijuar simbiozën më normale jetësore?! Çfarë lënde e tmerrshme prodhohet në trurin e politikanit, që ia errëson mendimet dhe e tjetërson në qenie të urryer për shtetarët, të cilët e kanë zgjedhur me votën e tyre?!
Isha kaq shumë i ngarkuar me pyetjet e imagjinatës, sa nuk e vura re praninë e një djali simpatik, moshatar me mua, që kish qëndruar në vend dhe po priste t’i qasesha. Madje më shihte me një farë habie dhe kureshtje, pasi isha kaq i hutuar dhe ndoshta i bënte pyetje vetes; ç’gjë ma shkaktoi turbullorën?
Mbeta i shtangur kur sytë e mi u ngërthyen mbi vështrimin e tij, sepse mirazhi u kthye në imazh të njëmendtë (edhe pse nuk më besohej), që djali simpatik para meje, ishte shoku im i klasës në gjimnazin e Shkodrës, Franc Pali!
– “Mirë unë kam lindur dhe jam rritur në këtë qytet, po ti çdo këtu”?! – e pyeta me kureshtje dhe mjaft i shqetësuar.
– “Mjaft qëndrove në Shkodër, – më thanë, – ke nevojë të ndryshosh klimën dhe më prunë këtu, si të internuar, apo dëbuar…”- u përgjigj Franci, pasi u përqafuam.
– “Po ti ke ardhur këtu me shërbim?
– “Me shërbim të përhershëm” – ja ktheva unë.
– “Domethënë të paskan transferuar”?!- shtoi ai i shqetësuar.
– “Në mos gabohem, ti ishte gazetar në Radio? Kur e morëm vesh ne shokët e tu të klasës, u gëzuam që t’u dha mundësia të shpalosësh talentin tënd në letërsi. Madje lexuam të gjithë në revistën ‘Nëntori’ tregimin tënd ‘Teto Maga’, po në fund mbetëm të gjithë të habitur, pse nuk u botua pjesa tjetër”?!
– “Rëndësi ka se e keni kuptuar, se duhet të ketë një pjesë të dytë, e cila nuk po del në dritë…?! – shtova unë i dëshpëruar. – Ndodhin kësisoj ngatërresash…”!
“Sigurisht e nuhatëm menjëherë se diçka nuk shkon dhe hamendja e parë, na çoi tek dyshimi; ndoshta je fërkuar me kryeredaktorin. Dhe ky e ka nxjerrë inatin, me botimin e gjysmës së tregimit…”!
– “Hamendësim i saktë. Ti për ku je drejtuar këtej, duke pasur parasysh, që përveç Institutit të Kërkimeve Bujqësore, s’ka ndërtesa të tjera”?!
– “Po shkoj në vendbanimin tim, në Plug” – tha Franci.
– “Në fillim, më caktuan në Grabjan, Por me ndërhyrjen e një të njohuri me ndikim, e kthyen vendimin në Plug, të cilin e quajnë si lagje të Lushnjes dhe janë grumbulluar ‘më të privilegjuarit’ e deklasuarve”!
– “Ke të drejtë, do lëvizësh nëpër Shqipëri”? – e pyeta unë.
– “Me përjashtim të qyteteve kufitare’ – u përgjigj Franci. – Në Shkodër, shkoj vetëm njëherë në muaj, kaq e kanë caktuar. Po të isha në Grabjan, s’do ta kisha privilegjin e lëvizjes, sepse aty bëhet apel çdo mbrëmje. Miku im me nxitim, e ndërthuri kërkesën e afrimit me aftësinë time, për t’i rënë trombës. Kështu që me raste, më aktivizojnë me orkestrën amatore të Shtëpisë së Kulturës së qytetit”.
– “Si të duket ty, kemi ngjashmëri ne të dy nga pamja e jashtme”? – e pyeta, për të sqaruar një ngatërresë.
– “Pse të lindi ky interesim”, u bë kureshtar Franci.
– “Sepse një ditë, një mikesha jote, m’u hodh në qafë, me përmallim të zjarrtë dhe më mbuloi me të puthura, duke përsëritur; ‘Po ku je, more Franc Pali, se na thave syrin’?! Unë u përpoqa t’i mbushja mendjen, se nuk jam Franci, por ajo nuk besoi. Vetëm dialekti im, e bindi më pas”.
– “E marr me mënd se cila ka qenë”, – tha pas pak Franci
– “Por deri sa të përqafoi përmallshëm, do të thotë se kemi ngjashmëri. Tash më lejo të largohem, se po errësohet dhe rruga e vetmuar, pa kalimtarë, mbledh më shumë hije. U pafshim për mirë”!- shtoi ai, duke më përqafuar.
– “Po të jap një këshillë shoqërore; po na rastisi të ndeshemi ballë për ballë në shesh, apo në rrugën kryesore të qytetit, duhet ta heqim veten, si të panjohur. Domosdoshmëri që duhet përmbushur nga të dy. Të prift e mbara”! – dhe ai u largua me hapa të shpejtë! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016