Nga Dodë Progni
Pjesa e tretë
-Masakra e Herecit – vepër kriminale e udhëheqjes komuniste jugosllave dhe asaj shqiptare-
I – LËVIZJA “KRYEZIU”
Memorie.al / “Lëvizja Kryeziu” ishte emërtimi i Lëvizjes Nacionaliste Antifashiste, në Kosovë e Shqipërinë e Veriut, gjatë viteve 1940 – 1944, në krye të cilës ishin vëllezërit nga Gjakova, Gani, Said dhe Hasan Kryeziu. Qellimi strategjik i saj, ishte organizimi i Lëvizjes Antifashiste në Kosovë, çlirimi i saj nga nazifashistët, shkëputja nga Serbia dhe bashkimi me shtetin amë, Shqipërinë. Vëllezërit Kryeziu, si rrallëkush tjetër në Shqipërinë e asaj kohe, kishin kuptuar që në fillim të Luftës së Dytë Botërore, se rruga më e mundëshme, për zgjidhjen e problemit kombëtar shqiptar, ishte sigurimi i mbështetjes nga një fuqi e madhe perndimore, siç ishte Britania e Madhe, dhe se një gjë e tillë, mund të arrihej vetëm duke luftuar kundër nazifashistëve.
Këtej kufirit, në fund të vitit 1944, udhëheqja shqiptare i ndoqi Kryezinjtë për t’i asgjësuar ose arrestuar e, hedhur në gjyq si agjent të anglo – amerikanëve. Dhe dihej fundi i këtij gjyqi, pasi siҫ ka pohuar Peter Kemp, “Për sundimtarët komunistë të Shqipërisë, bashkëpunimi me britanikët, ishte një krim shumë më i madh se sa bashkëpunimi me gjermanët”.
Në këto rrethana tepër të vështira, i gjendur përballë provokimeve të ulëta të forcave komuniste, komandanti trim dhe i urtë, Gani Kryeziu, nuk ra në kurthin e tyre, për të bërë qëndresë të armatosur, ҫka do të thoshte një luftë vëllavrasëse, por i shpërndau forcat e tij, duke i porositur që, ata që dëshironin, të vazhdonin luftën së bashku me forcat partizane komuniste, ndërsa të tjerët, mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Ganiu me të vëllain, Hasan Kryeziu dhe me 22 bashkëluftëtarët më trima e më besnikë, u vendosën në kullat e Sulejman Kryeziut në Gjakovë, pasi kullat e tyre i kishin djegur gjermanët. Kjo shënoi shkatërrimin e ‘Lëvizjes Kryeziu’, të vetmes rezistencë efektive jo komuniste kundër gjermanëve, në Veri të Shqipërisë.
– MASAKRA E HERECIT:
Në mbrëmjen e 28 dhjetorit 1944, njëzetë e gjashtë shqiptarë, të prerë në besë e të pa armatosur, pasi u morën nga kullat e Sulejman Kryeziut, e u dërguan në kodrat e Hereҫit, (komuna e Deҫanit), ishin vënë përballë qindra serbo sllavëve të armatosur gjer në dhëmbë. Ishin 22 bashkëluftëtarët e Gani Kryeziut dhe 4 simpatizantë, miq e përkrahës të tij, që u vranë e u masakruan në mënyrë ç’njerëzore.
Kjo ngjarje e dhimbshme, edhe pse nuk u publikua për mbi 45 vjetët e sundimit komunist, as në Shqipëri as në Kosovë, hyri dhe mbeti në kujtesën e njerëzve si një ekzekutim barbar nga më të shëmtuarit e llojit sllavo-komunist.
Është e pamundur të përshkruhen, e aq më pak të përfytyrohen, skenat tragjike të asaj mbrëmje dhjetori, që përjetoi kodra e Hereçit. Rrëfimet e Malë Shytit nga Berisha dhe të Zenel Ademit nga Gashi, të cilët fati i nxori të gjallë nga ajo gijotinë, kanë ardhur gojë më gojë, deri në ditët e sotme. Ato janë tepër të dhimbshme, rrëqethëse e trishtuese, për cilindo që i dëgjon. Urrejtja antishqiptare dhe shkalla e egërsisë së ekzekutorëve sllavo-komunistë, gjatë kësaj masakre të pashembullt, i kalonte përmasat e bishave të tërbuara.
Pasi ekzekutorët u kishin hequr rrobat të arrestuarve, dhe vënë nën torturën e temperaturës së ultë, të asaj mbrëmje dhjetori, që kish zbritur në rreth -15 gradë C, filluan t’i godasin me kazma e lopata. Thyerja e duarve, këmbëve, dhe shpuarja me bajoneta, ishte kënaqësi e këtyre xhelatëve, të etur për të parë sa më shumë, plagë e gjak në trupin e shqiptarëve. Një skenë e llahtarshme, kasaphanë e vërtetë, që vazhdoi për rreth dy orë. Pas dy orësh përleshje, bishat sllave, kishin mposhtur njerëzit shqiptarë.
Mbi tokën e ngrirë e të përgjakur të kodrës së Hereçit, kishin mbetur të vdekur: -Hasan Kryeziu e Xhevat Kryeziu nga Gjakova, -Selim Malë Dula nga Paci i Bytyçit, – Brahim Musli Demaliaj nga Vladi, – Shaban Sadik Saraçini nga Berisha, – Shpend Zeqir Prëndgjoni, bashkë me të birin Sali Shpend Prëndgjoni, nga Zherka, – Ukë Arif Prëndgjoni e Imer Halil Prëndgjoni, po nga Zherka, – Metë Rexhë Saraçini, -Col Isuf Koka, -Sadri Dash Gjonpapaj nga Berisha, – Sali Shpend Mujaj nga Paci, – Musë Avdyl Neza nga Leniqi, – Musë Zenel Ahmetaj, – Ali Miftar Zhuta nga Kepeneku, – Rame Osmani, – Shpend Halili, – Mehmet Musa nga Gashi, – Zmajl Sadik Koka nga Berisha, – Rexhë Mehmeti nga Paci, – Mehmet Ali Mehmetaj nga Vladi, – Zenel Miftar Zhuta dhe Shaban Ali Bajrami, nga Kepeneku.
Këta burra ishin luftëtarë të shquar, krenaria e forcave të Kryeziut, të dalluar ndër beteja kundër nazistëve, dhe jo viktima që u flijuan për interesat e ngushta të tyre, apo të Kryezinjve, as aventurierë e mercenarë të shitur për para, siç u cilësuan nga propaganda komuniste, gjatë 45 vjetëve. Këta u martirizuan për Kosovën e Shqipërinë e lire, e demokratike, për bashkimin e trojeve etnike shqiptare.
Qëndrimi i tyre pranë Gani Kryeziut në ato momente të vështira, kur ai ish vënë në shënjestrën sllavo-komuniste, për t’u asgjësuar, ishte akt guximi e trimërie, që rridhte nga ideali i përbashkët nacionalist e demokratik, i këtyre luftëtarëve me komandantin e tyre, si dhe nga virtyti i lartë i besës dhe i burrërisë shqiptare, që i karakterizonte këta malësorë.
Pas ekzekutimit, kufomat e tyre të masakruara në mënyrë të pashembullt, u tërhoqën zvarrë prej ekzekutorëve dhe u hodhën njëri mbi tjetrin, në një gropë që ish hapur nga fshatarët për një qellim tjetër, duke krijuar ndoshta të parin varr masiv të shqiptarëve të ekzekutuar prej serbo-sllavo-komunistëve, pas luftës së Dytë Botërore në Kosovë. Për fat të keq, dora gjakatare serbo-sllave, nuk do te ndalej këtu, me Hereҫin. Ajo do të vazhdonte me krijimin e dhjetëra vend-varrimeve të tjera masive, ku groposi mijëra shqiptarë.
Me këtë akt kriminal, udhëheqja komuniste jugosllave, hodhi hapin e parë në strategjinë e tyre të dhunës e të terrorit, mbi popullin shqiptar të Kosovës. Pas masakrës së Hereҫit, ajo kreu masakra të tjera, siҫ ishin shtypja e Shaban Polluzhës dhe forcave të tij, eliminimin e ҫdo shqiptari që shfaqte pikëpamje nacionaliste, për të arritur deri te masakra e Tivarit, 1946, ku serbo sllavët, asgjësuan mbi 4.700 djem të rinj shqiptarë, për të vazhduar me masakrën e Reҫakut, e pa ndërprerje deri në ҫlirimin e Kosovës, në qershor të vitit 1999.
Mëngjesin e asaj dite që do të kryhej masakra e Hereçit, forcat e OZN-ës, kishin thirrur Gani Kryeziun në Këshillin e rrethit të Gjakovës, kinse për t’u konsultuar, por pabesisht, i kishin vënë prangat, duke e akuzuar në mënyrë krejt absurde si: ”-bashkëpunëtorë me gjermanët dhe me qeverinë kuislinge të Tiranës, -kundërshtar e armik i Luftës Nacional Çlirimtare” etje”.
Pasi e mbajtën rreth një vit nën torturat e hetuesisë, me 27 tetor 1945, në Beograd, i bënë një gjyq formal, tipik komunist, me akuza false e dëshmitarë të manipuluar, e dënuan me 5 vjet burg, dhe e mbyllën në qelitë e burgut të Sremsko Mitrovicës, prej të cilave, nuk doli më i gjallë.
Vdekja e tij në burg, krejt e pa pritur, në vitin 1951, në moshën 51-vjeçare, kur kishte plotësuar dënimin dhe priste lirimin, u mësua nga një telegram që Prokuroria e Sremsko- Mitrovicës, i dërgoi familjes në Gjakovë, por shkaku i vdekjes që ishte tepër i dyshimtë, nuk u tregua dhe nuk u mësua asnjë herë!
Masakra e Hereçit, eliminimi fizik i Gani Kryeziut dhe bashkëluftëtarëve të tij më të ngushtë, vërtetë u kryen jashtë kufirit të Shqipërisë, me autorë të drejtpërdrejtë palën jugosllave, por kjo kurrsesi, nuk e përjashton nga përgjegjësia palën shqiptare. Kjo vepër kriminale, ishte jo vetëm dëshirë, po edhe marrëveshje e të dy palëve. Këtë e ka pohuar vetë Enver Hoxha, në librin e tij: “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”.
Kur tregon, gjoja grindjen e tij me jugosllavët, Veilimir Stoiniç e Nijaz Dizdareviç, lidhur me qëndrimin ndaj Kryezinjve, në vitin 1944, pohon t’u ketë thënë atyre: “Interesi i të dy partive tona dhe i luftës sonë të përbashkët, kërkon që këta armiqtë të dënohen ashpër…! Njerëz të tillë, meritojnë plumbin ballit”. “Ushtria jonë Nacionalçlirimtare, – thotë ai, i kapi këta banditë (fjala për Kryezinjtë, D.P.) dhe i dënoi me vdekje”.
Shkakun themelor të këtij qëndrimi teje të rreptë, që Enver Hoxha mbajti ndaj Kryezinjve, e shpjegon saktë e qartë, Peter Kemp, kur thotë: “Për sundimtarët komunistë të Shqipërisë, bashkëpunimi me britanikët, ishte një krim shumë më i madh se bashkëpunimi me gjermanët”.
Në të vërtetë Kryezinjtë, jo vetëm kishin bashkëpunuar me britanikët, po dhe kishin fituar simpatinë e përkrahjen e tyre. Ata kishin marrë nga britanikët, vlerësime të larta si patriotë, si luftëtarë antifashistë dhe si demokratë, me orientim politik perëndimor. Për pjesëmarrjen në Luftën Antifashiste dhe idealet demokratike properëndimore që aspironin, ata qenë bërë të njohur, deri ne qarqet e larta të politikës anglo-amerikane.
Enver Hoxha, që kish vendosur ta bënte Shqipërinë komuniste, ta lidhte ngushtë me ‘Lindjen e kuqe’, dhe të shkëpuste çdo lidhje me Perëndimin kapitalist, i vuri Kryezinjtë në krye të listës për t’i eliminuar politikisht dhe fizikisht. Si pro Perëndimorë dhe antikomunistë, ata do të ishin pengesë serioze, për pushtetin e tij të ardhshëm.
Pasi kish dështuar në përpjekjet e tij, për t’i futur Kryezinjtë në “kularin” e vet, nëpërmjet një posti qeveritar, dhe eliminimin e tyre ta bënte më vonë, siç veproi me disa nacionalistë të tjerë, Enver Hoxha, në bashkëpunim me jugosllavët, përpunoi planin e eliminimet urgjent të Kryezinjve, duke i akuzuar ata si: “kriminel lufte e, bashkëpunëtorë të fashizmit”.
Ekzekutimin e mori përsipër pala jugosllave, jo vetëm pse ata ishin shtetas jugosllavë, siç thotë Enver Hoxha, por se ata, ishin shumë të interesuar, për një ekzekutim të shpejtë e të sigurt të tyre. Ekzistencën e Kryezinjve, serbo-sllavët e konsideronin tepër të rrezikshme. Ata shiheshin si rrezik potencial e, si “gacë” e ndezur, që në çdo moment mundë të përhapnin në Kosovën shpërthyese të asaj kohe, flakën e një kryengritje nacionaliste anti sllave, ndaj ekzekutimin e tyre, nuk mundë t’ja besonin askujt tjetër.
Nga ana tjetër, Enver Hoxha në atë kohë, nuk ishte aq i zoti as aq guximtar, sa të konfliktohej haptas me britanikët, për çështjen e Kryezinjve. Britanikët, siҫ kemi përmendur më sipër, jo një herë gjatë Luftës, kishin shprehur simpatinë për pozicionimin e tyre në anën e Frontit Antifashist. Madje, i kishin mbështetur ata, gjatë gjithë periudhës së Luftës. Në fund të fundit, për Enver Hoxhën, kishte rëndësi fakti që, eliminimi i Kryezinjve, të ishte i sigurt.
Likuidimi i Lëvizjes Kryeziu dhe i vetë Kryezinjve është një nga shembujt tipik të bashkëpunimit midis udhëheqjes komuniste shqiptare me atë jugosllave për eliminimin,në Kosove e Shqipëri,të nacionalistëve antikomunistë, intelektualeve me orientim Perëndimor dhe njerëzve me influencë në popull, që kishin menduar e ishin përpjekur, për Shqipërinë etnike, të lirë e demokratike.
Kur flasim për autorësinë e udhëheqjes komuniste jugosllave dhe asaj shqiptare, në eliminimin e Kryezinjve dhe lëvizjes së tyre antifashiste, nuk mundë të anashkalohet, roli teje negativ që luajtën udhëheqësit komunistë të Kosovës, në realizimin e kësaj vepre kriminale dhe antikombëtare. Kur ishe puna për t’ju kundërvënë Kryezinjve dhe lëvizjes së tyre antifashiste, ata u treguan përherë të gatshëm, për t’u shërbyer me shume zell, si udhëheqjes komuniste shqiptare, ashtu dhe asaj jugosllave.
Ish-anëtarët e shtabit të Kosmetit dhe të Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste Jugosllave për Kosovën si: Xhavit Nimani, Mehmet Hoxha, Fadil Hoxha, Ymer Pula, Ali Shukria etj., të cilët, ashtu si gjatë Luftës, dhe pas saj, kur kishin zënë pozita të rëndësishme drejtuese në partinë dhe shtetin komunist në Kosovë e Jugosllavi, asnjëherë nuk e pushuan luftën, kundër Kryezinjve dhe familjes së tyre.
Siç është thënë më sipër, gjatë viteve të Luftës, rivaliteti midis udhëheqësve komunistë kosovarë dhe vëllezërve Kryeziu, ishte i ashpër dhe i vazhdueshëm. Por në vitin 1944, kur dukej e afërt dhe e sigurt fitorja e koalicionit antifashiste ndaj Gjermanisë naziste, shtabi i Kosmetit dhe udhëheqësit komunistë kosovarë, e ashpërsuan së tepërmi qëndrimin kundër Kryezinjve. Kjo ndodhi për shkak se, Kryezinjtë, ishin figura të njohura,të respektuara, dhe me autoritet të padiskutueshëm në Kosovë. Si pjesëmarrës aktiv në Luftën Antifashiste, kishin fituar simpatinë e përkrahjen e aleatëve anglo-amerikanë.
Ndërsa me pozicionimin e qartë në krahun e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, që aspironin krijimin e Shqipërisë etnike, dhe me qëndrimin e hapur e të vendosur anti-sllavë dhe antikomunist, që kishin mbajtur gjatë viteve të Luftës, ata kishin fituar përkrahje të gjerë, në mbarë popullsinë e Kosovës. M’u për këto arsye, udhëheqësit komunistë të Kosovës, pretendent për të marr pozitat drejtuese në Kosovën e pasluftës, bënë ç’ishte e mundur, për eliminimin e Kryezinjve, të cilët i kishin rival e kundërshtar politik, ideologjik dhe klasor, të kahershëm. Për t’ja arritur këtij qëllimi, bashkëpunuan ngushtë me udhëheqjen e Partisë Komuniste Jugosllave dhe të Partisë Komuniste të Shqipërisë, duke qëndruar vazhdimisht në ballë të çdo aksioni shkatërrues, kundër Lëvizjes Kryeziu.
Kundërvënie ndaj Kryezinjve, kishte të bëjë në radhë të parë me qëndrimin e tyre, ndaj të ardhmes së Kosovës. Këtë e shpreh hapur Fadil Hoxha, në një letër që i dërgonte Liri Gegës, në vjeshtën e vitit 1944, i cili në formë kritike, ndaj Kryezinjve i thoshte: “Kryezinjtë, Kosovën e quajnë pjesë të pa ndarë të Shqipërisë dhe se ata duan që Kosova, të dalë e bashkuar me Shqipërinë, mbas lufte”.
Bazuar në shumë fakte dhe dokumenta, pa asnjë pikë dyshimi, mundë te thuhet se; udhëheqësit komunistë të Kosovës, ishin bashkë autorë kryesor me serbo-sllavët, në arrestimin dhe asgjësimin e Gani Kryeziut dhe realizimin e masakrës së Hereçit, ashtu siç bashkëpunuan për realizimin masakrën së Drenicës dhe shtypjen e nacionalistit të shquar, Shaban Polluzha dhe forcave të tij, në janar-shkurt 1945, ku u bënë rrafsh me token, 15 fshatra shqiptare dhe u likuiduan mbi 3000 civilë shqiptarë etj.
Siç del nga dokumenti i Akt-gjykimit të Gjyqit Ushtarak të Komandës së qytetit te Beogradit, Nr. 1884/45, datë 27 tetor 1945, arrestimi dhe dënimi i Gani Kryeziut, është bërë krejtësisht mbi bazën e akuzave të shpifura, nga shtabi i Kosmetit dhe udhëheqësit komunistë të Kosovës. Njëra prej tyre, ndër më absurdet, ishte se gjoja:
“…Në fillim të vitit 1944, me rastin e sulmit gjerman kundër njësive të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë, në minierën e ‘Zogajt’, i akuzuari Gani Kryeziu, tërhoqi njësitin e vet, dhe se për tërheqjen, nuk lajmëroi Shtabin Operativ të UNÇJ, dhe për këtë shkak, të kësaj sjellje të tij, u vranë 30 luftëtarë të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë”.
Sipas kësaj akuze, i bije që Shtabit te Kosmetit t’i jetë asgjësuar gjysma e efektivit, pasi është i dokumentuar fakti se; gjithë efektivi i Shtabit të Kosmetit, që konsiderohej si njësi e UNÇJ, së bashku me partizanët që e shoqëronin, në pranverën e vitit 1944, përbëhej vetëm nga 60 veta. Në të vërtetë, një ngjarje e tillë, s’ka ndodhur kurrë, po është krejtësisht e trilluar. Ngjarjet dhe luftimet e zhvilluara në zonën minerale Kam-Kepenek-Zogaj, dhe përgjithësisht në krahinën e Bytyçit, gjatë tërë vitit 1944, janë të dokumentuara deri në hollësitë më të vogla.
Madje, nga një dokumentacion që vjen nga burime të ndryshme, përfshi edhe ato gjermane, ky dokumentacion, një pjesë të të cilit e kemi cituar më më sipër, vërteton katërcipërisht faktin, se; forcat e Kryeziut, (ose “njësiti” që komandohej prej tij, – siç quhet në akt-gjykim), jo vetëm nuk janë tërhequr, po përkundrazi, ato gjatë tërë vitit 1944, kanë mbajtur peshën kryesore, në të gjitha luftimet e zhvilluara kundër gjermanëve, në zonën minerale, Kam-Kepenek-Zogaj-Vogovë-Devë, duke kontribuar në çlirimin e kësaj zone dhe të gjithë Malësisë së Gjakovës.
Absurditeti i kësaj shpifje të ndyrë, del akoma më lakuriq, kur dihet fakti se, të gjitha formacionet partizane, përfshirë edhe ato të Kosmetit, nuk i kanë patur 30 të vrarë, gjatë tërë viteve 1943-’44, kur qëndruan e luftuan në Malësinë e Gjakovës, ku përfshihet edhe miniera e Zogajt.
I vetmi rast që, forcat partizane komuniste, gjatë qëndrimit në Malësinë e Gjakovës, kanë patur 15 të vrarë, prej gjermanëve, ishin datat 14,15 e 16 shkurt 1944, kur forcat gjermane, të ardhura nga Gjakova, ndërmorën një operacion kundër tyre, në qafë të Gashit – Degë – Bujan dhe Gri të Malësisë së Gjakovës.
Në këtë rast, partizanët u zunë krejt në befasi dhe pjesëtarët e shtabit të Kosmetit, nuk bënë kurrfarë organizimi. as kurrfarë qëndrese, por u tërhoqën të shpartalluar, duke lënë 15 partizanë të vrarë, midis të cilëve, Fahri Ramadanin e Batalionit “Perlat Rexhepi”, Jaho Sali Manin të Batalionit “Bajram Curri”, Xhemajl Shkololli nga Peja, të shtabit të Kosmetit etj. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm