Nga Bashkim Trenova
Pjesa e pesëdhjetë e dy
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
ME “HERONJTË E POPULLIT”
BYROJA POLITIKE DHE PRESIDENCA
Në Kongresin e Gruas Shqiptare, Sofo i rrethuar gjithnjë nga njerëz të shumtë, që i kërkonin këshilla për gjithçka, vazhdoi me stilin e tij të njeriut të madh që nuk i hyn në sy askush dhe asgjë. Isha mësuar tashmë me të dhe nuk prisja që ai të sillej ndryshe. Prisja një moment që ta “shpërbleja” atë me të njëjtën monedhë. Rasti nuk vonoi.
Një ditë më kërkuan që të shkoja në Drejtorinë e Shtypit të Komitetit Qendror të Partisë. Kur hyra brenda pashë aty Miti Tonën, drejtor i kësaj Drejtorie, Mehmet Karakushin, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë që merrej edhe ai me probleme të shtypit, por kryesisht me problemet e Kosovës dhe Sofokli Lazrin. Me Mehmet Karakushin njihesha. Ai ishte shok apo mik i Mehmet Elezit. Ishte Mehmet Elezi që më kishte njohur me të. Më pas Mehmet Karakushi do të më kërkonte shoqërisht ta ndihmoja në përgatitjen e një materiali lidhur me demonstratat apo revoltat e ndryshme, që kishin ndodhur në Kosovë kundër sundimit jugosllav pas Luftës së Dytë Botërore. Kur i’a dhashë materialin që më kishte kërkuar, në shenjë mirënjohje, ai më ftoi së bashku me Mehmet Elezin që të pinim një kafe në Hotel “Tirana”.
Sofo Lazri ishte kritikuar dikur nga Liri Belishova, për plagjiaturë, duke marrë artikuj nga “Pravda”!
Pasi u hodha një sy të treve, Mitit, Mehmetit dhe Sofos, unë u dhashë dorën Mitit e Mehmetit dhe bëra sikur nuk e kisha vënë re apo sikur e harrova Sofon. Ky nuk e bëri veten, por nuk do të ma falte kurrë këtë sjellje, që imitonte atë. Aty ai vetëm më tregoi se si shkruhet një artikull, domethënë, më dha një leksion gazetarie. Përpara një letre, bëri disa viza duke theksuar në çdo rast se artikulli duhet të kishte një hyrje, një paraqitje të problemit dhe në fund, konkluzionet. Me mimikën e tij të pakënaqur, dukej sikur donte të thoshte: “Edhe kaq gjë duhet ta shpjegoj unë ty”?! Ndërsa ai bënte demonstrimet e tij, mua më kujtohej Qako Dango, që më kishte thënë: “Liri Belishova, si anëtare e Byrosë Politike që drejtonte propagandën e Partisë, e ka kritikuar mjaft ashpër Sofon, për plagjiaturë nga shtypi sovjetik”. Në atë kohë “Zëri i popullit” botonte shpesh artikuj të marrë nga “Pravda”, organ i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Sofo, siç duket, ndonjë prej artikujve të “Pravdës”, e përkthente dhe pasi i bënte ndonjë ndryshim të vogël, e botonte duke i vënë emrin e tij në fund.
Sofo kishte mbaruar studimet për gazetari në Universitetin “Lomonosov” të Moskës. Për kuriozitet unë kam lexuar mjaft artikuj të tij të botuar në “Zëri i popullit”, gjatë kohës që ai punonte në Redaksinë e kësaj gazete. Nuk gjen asnjë artikull analitik, asnjë artikull që të japë diçka, një ndihmesë, jashtë klisheve, nuk gjen mendim. Sigurisht nuk kërkoj që ai të dilte jashtë vijës zyrtare të kohës. Atij i mungon niveli i argumentimit, i kërkimit. Nëse dikush është kurioz, mund t’i shfletojë koleksionet e “Zërit të popullit” dhe të bindet. Përsa u takon artikujve redaksionalë, që shkruheshin në Komitetin Qendror dhe që, siç thuhej, ishin punuar nga Sofo Lazri, “magjia” e tyre nuk qëndron as në forcën e argumentit, e as në atë të logjikës apo analizës. Ajo qëndron në faktin se në këto lloj artikujsh, mbahej një qëndrim zyrtar kategorik dhe se këtë qëndrim nuk kishte të drejtë ta deklaronte askush tjetër. Në këtë kuptim, leximi i tyre jepte diçka të re për lexuesin. Sidoqoftë, edhe në këto artikuj, Sofo ka bërë vetëm rolin e paraqitjes gazetareske të tezave dhe mendimeve të Enver Hoxhës, që i jepeshin atij të gatshme. Kur mburrej se i kishte shkruajtur ai këto artikuj, Qako Dango, ironizonte duke thënë: “Prite kur t’i shohim të ribotuara në veprat e shokut Enver”.
Ndërsa përpara takimit në Drejtorinë e Shtypit të Komitetit Qendror, Sofos, siç duket, thjesht nuk i hyja në sy, më pas injorimin ai do ta kthente në hakmarrje. Kam shkruajtur më parë në kujtimet e mia se kur doja të largohesha nga “Zëri i popullit”, kolegët e shokët më propozuan disa vende pune. Mund të përmend për shembull Institutin e Studimeve të Marrëdhënie Ndërkombëtare, Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, Ministrinë e Jashtme, Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë të Bashkimeve Profesionale, Drejtorinë e Jashtme të Radio Tiranës, Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Sektorin Shkencor të Hetuesisë së Përgjithshme, e ndonjë vend tjetër. Asnjë nga këto propozime nuk u miratua nga nomenklatura përkatëse. Të gjitha rrëzoheshin para tabelës “S.O.S-SOFO”! Sofokli Lazri më pengoi të filloja punë në ndonjë prej këtyre institucioneve. Ndoshta, sikurse besoj tani në largësi kohore, pa dashje, ai më ndihmoi sepse dha “ndihmesën” e tij që të shihja gjithnjë e më më qartë se si funksionon mekanizmi anti human ‘komunizëm’, kush e vinte në lëvizje atë. Në fund të fundit unë nuk isha në nomenklaturë të Sofo Lazrit. Pra, sikurse pata rastin ta shoh edhe konkretisht, ishte Ramiz Alia, ishte Nexhmije Hoxha, ata që e kishin vulosur dosjen time. Përse? Ndoshta thjesht sepse, me vonesë, kishin mësuar se unë isha nipi i Shyqyri Pezës, i padëshiruar dhe pse jo i eliminuar nga Enveri. Sofo, ndoshta, vetëm luante me kënaqësi vulë mbajtësin, duke u hequr si zot i vulës, ai kryente një shërbim që edhe atij i shkonte sipas oreksit.
Si e kujtonte Marash Hajati në librin e tij me kujtime “Dera e pasme e shtypit”, Sofo Lazrin!
As Napolon Roshi dhe as unë nuk ishim përjashtim. Sofokli Lazri njëlloj sillej me të gjithë, si me ata me ata që i lëpinin këpucët, ashtu edhe me ata që nuk i serviloseshin. Ai kishte të njëjtën mënyrë sjelljeje edhe me anëtarë të Komitetit Qendror apo edhe me anëtarë të Byrosë Politike, të cilët nuk ngurronte t’i linte në pritje, pra të shkonte pas tyre në ndonjë aktivitet të rastit. Në librin e tij “Dera e pasme e shtypit”, ish anëtari i Komitetit Qendror të Partisë, ish Drejtor i Radio-Televizionit Shqiptar dhe Kryeredaktor i “Zërit të popullit”, Marash Hajati, duke përmendur Sofo Lazrin, shkruan: “Jo njëherë kemi dëgjuar e jemi ballafaquar me mendime kategorike që S-ja përdorte dendur kur dëshironte të nxirrte jashtë loje persona të veçantë: – Pse gazetar është ai…?! Po ky nga Kukësi, diplomat na doli! Se si jeni ju të Veriut…!? Në polemikën që bënim, nuk qëndron aspak ideja se shoku ynë, S-ja, kështu i thotë gjërat, por s’duhet marrë për të keq. E vërteta është krejt ndryshe. Më mirë për këtë mund të dëshmojnë shumë kuadro e punonjës të diplomacisë, gazetarë, studiues etj., të cilët në këto lloj “citimesh” apo të ashtuquajtura «romuze», kanë parë prapaskena të qëllimshme për largimin e tyre nga detyra, nga puna.
E keqja e madhe e këtyre vërejtjeve dhe mendimeve, në mjaft raste, është se ato jo vetëm nuk qëndronin, por ishin cinike, dashakeqe. Mirëpo fjala i dëgjohej”! Se sa cinik dhe dashakeq ishte Sofo Lazri, mund të kuptohet edhe nga një fakt i vetëm. Ai ka shkuar në Redaksinë e “Zërit të popullit”, për të shkarkuar nga detyra e kryeredaktorit, Marash Hajatin, ditën që këtij i kishte vdekur i ati. Në këtë ditë, ai nuk kurseu fjalët më të padenja për Marashin. Unë kam patur rast të takohem edhe me Marash Hajatin. Ai ishte një nga dy apo tre anëtarë të Komitetit Qendror, që mbrojtën me kurajo mendimin për vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Ai, pas fitores së Demokracisë, duke qenë kryetar i Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë, në një mbledhje të përbashkët me Bashkimin e Gazetarëve Demokratë, u shpreh i gatshëm për shkrirjen e dy organizatave në një të vetme. Pas fitores së demokracisë, e kam takuar rastësisht buzë Lanës, përroit të vogël të Tiranës, duke shitur pajisje plastike shtëpiake.
Urrejtja apo përbuzja patologjike për të tërë, përjashto Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë, nuk mund të mos i kthehej një ditë në bumerang Sofo Lazrit. Që kur nisi të perëndojë koha e Enver Hoxhës, që kur Ramiz Alia e tregoi se nuk ishte as “xhuxh” dhe as “gjigant”, pra se ishte një aksident në udhëheqjen tërësisht aksidentale të Partisë së Punës, ai u vu në shënjestër në vetë Komitetin Qendror të Partisë. Duke lexuar proces-verbalet e mbajtura në një nga mbledhjet e Komitetit Qendror të kohës, lexojmë, për shembull, Marash Hajatin të ketë thënë: “Ka ardhur koha të pranojmë se kemi dështuar. Njerëzit nuk durojnë dot privilegjet pa vend, dhëndurët e Sofokli Lazrit apo shishet e uiskit të shokut Sofo”. Në “Rilindja Demokratike”, Neshat Tozaj, që dikur kishte qenë shef i Laboratorit të Krimeve në Ministrinë e Brendshme, i njohur gjithashtu si autor skenarësh kinematografikë e romanesh, sidomos i romanit “Thikat”, që dukej i guximshëm për kohën, pa qenë i tillë, botoi një artikull tepër kritik ndaj Sofokli Lazrit. Frrok Çupi, kryeredaktor i “Rilindjes Demokratike”, para botimit, duke qeshur, ma dha për lexim artikullin e Neshatit. E dinte që do të më pëlqente. Këtij artikulli i kam shtuar vetëm një frazë.
Mashtrimet e Sofo Lazrin në intervistën e dhënë për ish-studentin e tij!
Në një intervistë që Sofokli Lazri i ka dhënë ish-studentit të tij, Apostol Dukës, ai akuzon të gjithë ata që e kanë kritikuar si: “Njerëz që nuk respektojnë të paktën etikën më elementare, që s’kanë asgjë të shenjtë në jetë, që tallen deri me mënyrën se si flasin e si shprehen kundërshtarët e tyre politikë. Ja, unë jam nga Vunoi dhe s’ka asnjë të keqe nëse flas apo mendoj si vunjotas. Mos është kjo diçka për tu përfolur…?! Por të dal e të replikoj me ndonjë që më shan pse kostumet e mia i blej në Nju York e Paris dhe jo në Tropojë, përse syzet i mbaj të pastra, jo të fëlliqura, pse preferoj mishin e kecit dhe jo të derrit, do të më merrnin për të çmendur”.
Sofo mashtron ashtu siç ka mashtruar gjatë tërë jetës së tij. Ai i është përgjigjur në “Zëri i popullit”, për shembull, Neshat Tozajt dhe ky shkroi një artikull të dytë kritik ndaj tij. Pas kësaj ai heshti vërtet, por jo për shkaqet që përmend. Edhe intervistën që i ka dhënë Apostol Dukës, ky e ka botuar vetëm pas vdekjes së Sofos. Kjo sepse Sofo e dinte se ç’kishte bërë. Ai vetë i thotë intervistuesit: “Kush do të më mbrojë mua po të flas”?! Ai heshti sepse ishte krejtësisht i zbuluar, sepse nuk kishte asnjë argument në favor të tij, megjithëse para vdekjes i referohet edhe etikës e moralit!
Sofo Lazri bashkë me Ramiz Alinë janë puthadorët më të mëdhenj të diktatorit Hoxha. Ata i ngritën kultin atij duke imituar kultin e Stalinit dhe të gjithë diktatorëve, pavarësisht nga kohët, sistemet, ideologjitë. Për Sofo Lazrin, Enver Hoxha ishte “një njeri i madh, një mendje gjeniale,…një burrë shteti me urtësi të rrallë”. Sipas Sofos, Enver Hoxha nuk ka bërë tjetër veçse: “ka folur sikurse ka dashur populli…Populli i besoi atij një mision që ai e përmbushi me ndërgjegje të lartë dhe me dinjitet si askush tjetër”. Po t’i besojmë Sofos, populli shihte tek Enver Hoxha “birin e tij të shquar si për mendimin ashtu edhe për veprën e tij gjeniale”. Ai pranon se ka “punuar me ndershmëri e përkushtim nën drejtimin e tij”.
Sofo Lazri mundohej të justifikonte Enver Hoxhën për krimet monstruoze që ai kishte bërë!
Sofo Lazri na siguron kështu se krimet monstruoze të diktatorit Hoxha, varfëria e tejskajshme, terrori, burgjet, zhdukjet, vrasjet, Enveri i ka bërë sepse këtë mision ia kishte ngarkuar populli. Sipas tij, për të gjitha këto populli nuk mund të mos i ishte, madje, mirënjohës këtij gjeniu të monstruozes, të tragjedive të pafund, që po të përjashtojmë Kamboxhian e Pol Potit, zor se mund t’i ketë jetuar një vend tjetër në globin tonë, në kushte paqeje. Këtij demoni i ka shërbyer Sofo Lazri, ashtu sikurse thotë. Ai ka pjesën e tij në veprimin dhe mendimin e Enver Hoxhës dhe është i kuptueshëm pozicionimi i tij. Kur flet për popullin dhe Enver Hoxhën si Messia, ai mashtron ashtu siç është bërë gjithnjë gjatë diktaturës me emrin e popullit. Ai kërkon të rëndojë ndërgjegjen e popullit viktimë, duke e kriminalizuar atë dhe duke i larë duart Enver Hoxhës. Ja pra, nuk është se Sofon e kritikojnë për mishin e kecit, sepse nuk kanë tjetër ç’të thonë për të.
Unë e miratoj mendimin e shprehur, sipas të cilit Sofokli Lazri ka tepër përgjegjësi në sabotimin e përpjekjeve që bëri Gjermania Federale dhe kancelari i Bavarisë, Franc Jozef Shtraus, për të bashkëpunuar ekonomikisht me Shqipërinë në vitet 1984-1987, që kanë qenë nga vitet më të vështira të ekzistencës së saj gjithnjë tepër të vështirë. Dihet se gjatë këtyre viteve Sofo Lazri ishte ngarkuar që të bisedonte me palën gjermane për të gjetur rrugët dhe mundësitë e një bashkëpunimi të dobishëm sidomos për Shqipërinë. Vitet e fundit, në shtypin shqiptar, në revistën “Mapo”, është botuar një proces-verbal, që është mbajtur gjatë një takimi që ka bërë më 14 maj 1986 Adil Çarçani, ish-kryeministër i Shqipërisë, me kryeministrin e Bavarisë, Franc Jozef Shtraus. Në këtë takim, kryeministri shqiptar, duke i’u referuar fjalëve të Sofokli Lazrit, i kujton kryeministrit të Bavarisë, se “personalitete të Republikës Federale Gjermane”, ia kishin paraqitur Sofos si “një fait accompli”, ndihmën gjermane. Ai nuk nguron madje të thotë, gjithnjë duke u bazuar në fjalët e Sofos, se nuk kishte mbetur tjetër gjë, “veçse të takoheshin të dy ministrat e Jashtëm për të firmosur” marrëveshjen, në bazë të së cilës Shqipëria do të siguronte “një përfitim të konsiderueshëm, …një shumë të konsiderueshme”, etj. Adil Çarçani i çuditur i kërkon Josef Shtrausit të shpjegohet përse pala gjermane nuk po mbante angazhimet e saja.
Mashtrimet e Sofo Lazrit gjatë takimit me Kancelarin e Bavarisë, Jozef Shtraus!
E vërteta ishte krejt ndryshe. Për të bindur kryeministrin shqiptar për këtë gjë, kryeministri bavarez e pyet Sofon se kush ka qenë partneri i tij në bisedime dhe ç’kanë biseduar. Sofokliu, i kapur ngushtë, pohon se ka biseduar me një drejtor politik, që quhej Braunmyler. Sofo e saktëson më pas, se përse ka biseduar me të. Sipas tij, të dy palët vetëm kanë marrë “dijeni për pikëpamjet e njëri-tjetrit…dhe këtu e lamë”! Pas këtyre fjalëve, Josef Shtraus konkludon: “Edhe sikur të dy palët të mos thonin gjë, do të ishte e njëjta gjë”, pra rezultati i bisedimeve ishte zero dhe jo siç raportonte Sofokliu pranë udhëheqjes partiake dhe shtetërore në Shqipëri.
Sofokliu, si zakonisht, mashtronte. Pasojat ishin tepër serioze. Nëse ai do t’i kishte raportuar të vërtetën udhëheqjes shqiptare, ajo do të gjykonte mbi këtë bazë dhe hapat e mëtejshme do të bëheshin, sigurisht, mbi këtë bazë. Duke gënjyer, duke thënë se pala gjermane ishte e gatshme të plotësonte kërkesat shqiptare, pavarësisht kushteve të papranueshme për të, ai krijonte një situatë praktikisht të dëmshme për Shqipërinë. Udhëheqësit shqiptarë, Enver Hoxha e sidomos të tjerët pas vdekjes së tij, që nuk e njihnin qëndrimin e vërtetë të Gjermanisë Federale, duke menduar se ajo i kishte kapërdirë kërkesat e tyre të kushtëzuara, ngulnin këmbë në to. Mbi këtë bazament joreal, rezultatet do të vazhdonin të ishin zero deri në fund. Shqipëria humbi kështu një shans historik. Ajo ishte e para nga vendet e ish bllokut komunist të Evropës Lindore që mund të përfitonte nga hapja drejt Perëndimit. Vendet e tjera vazhdonin të bënin pjesë në bllokun sovjetik. Në momentin e dhënë ato e shfrytëzuan pa nguruar mundësinë. Shqipëria, edhe në këtë rast, mbeti e vonuar në histori. Ja përse është kritikuar Sofokli Lazri. Jo për dialektin apo nëndialektin vunjot që përdorte ai, megjithëse edhe përdorimi apo jo i gjuhës zyrtare nga një zyrtar i lartë, siç ishte ai, tregon natyrisht edhe nivel kulture.
Bëmat e Sofokli Lazrit janë të pafund. Brezi ynë nuk mund të harrojë vitin 1989, koha e racionimit si në kohë lufte, kur në treg nuk mund të blije as një kokërr vezë, asnjë kilogram miell, asnjë paketë gjalpë e një copë sallam pa “tallon”. Pikërisht në këtë kohë Sofo Lazri del në Televizionin Shqiptar për të na treguar se sa i lumtur, si askush në botë, ishte populli shqiptar. Një Institut meksikan me prirje shumë të theksuara marksiste-leniniste, i kishte akorduar Shqipërisë komuniste çmimin e vetë furnizimit me ushqime- “Self-sufficientcy”.Ishte Sofo Lazri ai që shkoi e mori këtë çmim. Mediat shqiptare të kohës e trumbetuan atë me shumë zhurmë për t’i mbushur mendjen popullit, se furnizimi me ushqime në Shqipëri ishte për t’ia patur zili bota mbarë! Në këtë linjë ishte edhe Sofo Lazri në Televizionin Shqiptar. Ai nuk tha asnjë fjalë se ç’përfaqësonte Instituti meksikan. Gjithçka u trumbetua prej tij dhe përgjithësisht prej organeve të shtypit, sikur një organizatë ndërkombëtare serioze, na kishte akorduar çmimin e shumë merituar. Fjala nuk është pra se ku i blinte kostumet ai, në New York apo në Paris. Fjala është se me cinizëm ai dhe ata që e udhëzonin atë, talleshin me vetë ekzistencën e një populli, me atë që është më minimalja për të jetuar, ndërsa vetë kostumet i blinin edhe në New York e në Paris e gjetkë.
Fjalimi tejet regresiv i Sofo Lazrit në gusht të ’90-ës, për pranimin e Shqipërisë në KSBE!
Le të vazhdojmë më tej. Më 23 gusht 1990, në Tiranë mblidhet Byroja Politike për të diskutuar lidhur me dy materiale, që kishte paraqitur Ministria e Jashtme. Bëhet fjalë për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe të Bashkëpunimit Evropian (KSBE) si edhe mbi një mbledhje të Ministrave të Jashtëm të Ballkanit. Pozicioni i Ministrisë së Jashtme, i paraqitur nga titullari i kësaj Ministrie, Reis Malile, ishte që Shqipëria të ingranohej në KSBE. Reagimi i Sofokli Lazrit, përveç se konfuz, me një injorancë gjuhësore, në thelb është edhe mëse regresiv. Do ta jap të plotë, të paredaktuar atë, për të vlerësuar, me këtë rast, edhe se ç’kokë e madhe ishte Sofokli Lazri, sa i moderuar apo liberal ishte ai. Kam lexuar të shprehet kështu edhe ndonjë i huaj, që as e ka njohur Shqipërinë dhe ndaj të cilit, Sofo mund të jetë hequr edhe si i moderuar apo liberal. Sipas proces-verbalit të mbajtur në këtë mbledhje të Byrosë Politike, Sofokli Lazri në diskutimin e tij ka thënë: “Çështja më duket mua, nuk është aq e thjeshtë dhe nuk ka nevojë ta thjeshtëzojmë kaq shumë problemin se bëjmë një gabim jo vetëm taktik por edhe strategjik, që mund të na kushtojë shumë në të ardhmen. Puna është se, nëse hyjmë në Helsinki, nuk janë vetëm presione si janë tani. Tani ai vjen e të thotë se pse nuk keni pluripartitizëm. Unë i them nuk e dua, se unë nuk jam në Helsinki, por nëse unë, bashkohem në këtë të Helsinkit, ai nuk ka më vetëm të drejtë të pyesë por edhe të drejtë morale e ligjore të thotë, të lutem shumë, ti e ke nënshkruar dhe kur të vijë puna për çështje tregtare, të thotë shiko edhe këtë tjetrën. Ka gjithë ato edhe për kreditë, vetëm privatët, sektori privat. Këtu është problem i madh. E dita, këtu është problem i brendshëm, se po të pranosh se do të angazhohemi në këtë që thotë Reisi, të dalim më një deklaratë, më jep mua te drejtën, këtij tonit, po ti parti, qeveri, je angazhuar pse nuk e zbaton, kjo nuk kalon me deklaratë truke. Bile, problemi më i madh është i brendshëm. Po marr atë që është më i lehtë, çështjen e fesë. Të vijë literaturë e huaj, financim për komunitetet fetare, jo vetëm kundërshtari thotë, ti i ke pranuar, këtu nuk e lejon”! Shkurt, Sofo Lazri është shprehur kundër pjesëmarrjes së Shqipërisë në Konferencën e Helsinkit duke parë në këtë pjesëmarrje një rrezik real për diktaturën e proletariatit. Pra, fjala nuk është për gjyzlykët e pastër apo të papastër të Sofo Lazrit, por për fatet e popullit e të vendit, për rrugët e zhvillimit të tij.
Sofo Lazri kërkoi përdorimin e tankeve te Lëvizja Studentore në dhjetorin e ‘90-ës!
Më tej, kur filloi Lëvizja Studentore në Tiranë, Sofo do të shprehet për shtypjen me dhunë të saj. Fred Abrahams, në mos gaboj këshilltar special në Human Rights Watch, ka takuar gjatë atyre ditëve Sofo Lazrin. Ai ka shkruar një libër për rënien e komunizmit në Shqipëri. Aty ai riprodhon edhe bisedën me Sofo Lazrin, pasi forcat policore të diktaturës kishin përdorur dhunën për të shtypur studentët. “Ishte një mesazh i lehtë”, i ka thënë Sofo njeriut të Human Rights Watch. Ai nuk është shprehur hapur si Xhelil Gjoni, për përdorimin e tankeve kundër studentëve, por nënkuptimi i “mesazhit” të tij, është fare i qartë. Më kot është munduar Sofo t’i karikaturizojë kritikat që i janë bërë me të drejtë atij dhe që s’kanë asgjë të përbashkët me ato që thotë ai, duke i akuzuar autorët e tyre si “njerëz që nuk respektojnë të paktën etikën më elementare, që s’kanë asgjë të shenjtë në jetë, që tallen deri me mënyrën se si flasin e si shprehen kundërshtarët e tyre politikë”! Është ai që nuk ka respektuar kurrë as njëlloj etike, që nuk ka patur asgjë të shenjtë në jetë, që është tallur me të gjithë dhe me gjithçka, përjashto diktatorin dhe pasuesin e tij.
Pas përmbysjes së komunizmit, Sofo Lazri nuk e ka kursyer helmin për të denigruar përfaqësuesit e demokracisë në pushtet. Ai, çuditërisht, nuk gjen argumente për të mbështetur kritikat e tij, pra për të qenë i moralshëm në këtë kritikë, edhe pse argumentet, në fakt, nuk mungojnë. Sipas tij, pas përmbysjes së komunizmit, në Shqipëri “në pushtet kanë ardhur dhe kërkojnë të rrinë gjatë ballistët, të mundurit e djeshëm”, domethënë përfaqësuesit e atyre forcave kolaboracioniste e antikombëtare, që u mundën së bashku me nazistët nga ushtria partizane. Kështu është shprehur ai, në intervistën dhënë ish-studentit të tij Apostol Duka. Sofo nuk mund të gjejë argumente, ai nuk mund të kërkojë argumente. Argumenti shkon së bashku me moralin. Sofo, ashtu siç e kam njohur unë, ishte dhe mbeti deri në vdekje pa moral./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016