Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument të panjohur arkivor të nxjerrë nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, që bën fjalë mbi një mbledhje të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, të mbajtur më 30 gusht të vitit 1960-të, ku është marrë në analizë “qëndrimi oportunist” ndaj vijës së partisë, i anëtares së Byrosë Politike, Liri Belishova, gjatë vizitës që ajo kishte bërë në Republikën Popullore të Kinës, ku ishte takuar me një diplomat sovjetik, në ambasadën ruse në Pekin, duke i treguar atij të gjitha ato, që i kishin thënë kinezët gjatë takimit që kishte pasur me ta. Diskutimi i Enverit në atë mbledhje, ku ai akuzoi ashpër Belishovën, duke i thënë se: ajo ishte një megalomane, që vlerësonte shumë veten dhe nënvleftësonte anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, duke i quajtur at,a si të paaftë dhe në atë situatë të vështirë, që po kalonin vendet e ‘Kampit Socialist’, ajo kishte menduar se i kishte ardhur koha, për të dalë në krye të partisë, (duke i zënë vendin Enverit, Mehmetit apo Hysniut), dhe për këtë gjë, ishte shprehur te sovjetikët se, Enveri duhet të mënjanohet dhe të mos përzihet në konfliktin e mosmarrëveshjet, që kanë në mes tyre Partia Komuniste e Kinës, me Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, që të mos komprometohet.
Diskutimi i Enverit në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së
30 gusht 1960
Nga diskutimet që u zhvilluan në mbledhjen e kaluar të Plenumit të Komitetit Qendror, Liri Belishova nuk doli me një autokritikë të shëndoshë. Për këto arsye u mendua që çështjen e saj ta rishikojë edhe një herë Byroja Politike. Unë e prita Lirinë të vinte të bisedonim bashkë, duke menduar se, pas mbledhjes së Plenumit, ajo do të kishte reflektuar mbi gabimet e veta, por nuk erdhi. Më 9 gusht, gati një muaj pas Plenumit, më kërkoi një takim dhe biseduam. Në këtë takim ishte edhe shoku Hysni. Nga biseda që zhvilluam me Lirinë, del se ajo nuk kishte menduar thellë mbi gabimet e saj, mbi shkaqet e këtyre gabimeve, me qëllim që të mos përsëriteshin më gabime të tilla. Pra, Liria qëndronte pak a shumë në po ato pikëpamje që i kishte shfaqur më parë edhe në Byronë Politike të Komitetit Qendror. Unë mendoj që Liria të na thotë edhe një herë se si i kupton gabimet dhe fajet e saj, është apo jo dakord me vijën e Partisë, ka rezerva apo jo e të tjera. Liria është anëtare e Byrosë Politike dhe e di që këtë çështje, pasi ta rishikojë Byroja Politike, ne do t’ia raportojmë Plenumit për ta gjykuar. Për ta ndihmuar Lirinë, doja t’i bëja ndonjë pyetje e t’i kujtoja disa gjëra, që t’i ketë parasysh kur të flasë. Në fillim kam këto pyetje: Të na thotë Liria ç’pikëpamje ka për njerëzit që përbëjnë Byronë Politike dhe si e vlerëson ajo veten e saj në krahasim me anëtarët e tjerë të Byrosë Politike? Mos vallë në qëndrimin ndaj tyre adoptoi edhe ajo një farë taktike sipas orientimit të ambasadorit sovjetik? A ka besim ajo në pjekurinë dhe në aftësinë e tyre për të marrë vendime dhe për të mbajtur qëndrime të drejta në përputhje me vijën marksiste-leniniste të Partisë? Lidhur me këtë, ç’koncepte ka ajo për shokët e Byrosë Politike, sepse vijën e Partisë te ne, nuk e cakton vetëm Enveri, por në radhë të parë Kongresi dhe Komiteti Qendror, ndërsa ai është një zbatues i kësaj vije dhe i vendimeve të Komitetit Qendror e të Byrosë Politike? A ka koncept të drejtë Liria për udhëheqjen e Partisë që është zgjedhur në Kongres, se helbete, si është shprehur ajo, “ka shokë që janë më të aftë, ndonjë është më pak i aftë”? Këtë çështje mendoj që Liria ta ketë parasysh, sepse mund të ndodhë që të ngrihet ndonjëri në Plenumin e Komitetit Qendror dhe ta kritikojë atë për nënvleftësimin që u bën kuadrove kryesorë të Partisë. Prandaj kam mendimin që ajo të reflektojë më mirë në lidhje me trajtimin e kuadrove.
Po kështu, ç’përshtypje të bëri ty, informata që erdhi nga Moska mbi qëndrimin tënd atje, për të cilën të thashë: reflekto në qëndrimet e tua lidhur me gabimet e sovjetikëve ndaj kinezëve? Për qëndrimet e tua ka folur ambasadori sovjetik dhe mos mendo se i ka shpifur njeri nga Partia jonë. Nga disa të dhëna që kemi, mendohet se Liria është dakord me konceptet e ambasadorit sovjetik, i cili, midis të tjerave thotë: “Shoku Enver të mos përzihet në mosmarrëveshjet që ka midis Bashkimit Sovjetik dhe Kinës”, “Shokun Enver ta rezervojmë”. Pra, ajo është e mendimit që shokun Enver ta rezervojmë, kurse disa shokë të tjerë të Byrosë Politike t’i sakrifikojmë, sepse mund të ndodhë që mosmarrëveshjet që ekzistojnë midis dy partive të mëdha, Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Partisë Komuniste të Kinës, të sqarohen dhe të zgjidhen. Atëherë një pjesë e shokëve të Byrosë Politike, që do të angazhohen në debatin që ka lindur, do të digjen, por shoku Enver do të mbetet i pa kompromentuar. Po të pranojmë tezën e Lirisë, sipas së cilës “nuk duhet të përzihet Enveri në çështjet që kanë të bëjnë me Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Partinë Komuniste të Kinës”, kjo do të thotë të pranojmë se janë të gabuara qëndrimet e Byrosë Politike në Bukuresht! Liria duhet të kuptojë mirë esencën e çështjes: ne nuk jemi dakord me qëndrimet e gabuara të udhëheqësve sovjetike.
Disa udhëheqës sovjetike kanë folur edhe herë të tjera kundër meje dhe ju e dini fare mirë qëndrimin tonë. Ka pasur edhe raste që ata i kanë thurur lëvdata Enver Hoxhës, por kjo ka qenë një dredhi, sepse nga ana tjetër, ata bëjnë gjithë këto gjëra kundër Partisë sonë. Shokët më kanë njoftuar se Liria ka thënë që “duhet të përgatitim disa variante qëndrimesh për në Mbledhjen e Moskës”. Lidhur me këtë, unë dua të them se qëndrimi politik dhe taktik i Partisë sonë, nuk është i tillë që të veprojmë me disa variante. Taktika e të vepruarit me disa variante është një taktik oportuniste, që do të thotë: kthe krahun e mullirit andej nga fryn era. Kjo nuk është një taktik marksiste. Këtë çështje ne duhet ta gjykojmë mirë, se kemi përgjegjësi të madhe. Prandaj të na e sqarojë Liria këtë çështje, të na thotë se nga ç’koncepte niset ajo për këto gjëra që i ka thënë pas Plenumit. Kjo ka shumë rëndësi, sepse ajo mund të thotë që “jam dakord me Byron Politike”, por derisa mendon për disa variante, në fakt, s’është dakord me qëndrimin e drejtë të Partisë sonë. Liria nuk ka qenë e një mendimi me ne, por kjo është gjysma e së keqes, ndërsa kur vepron dhe e konkretizon mendimin dhe qëndrimin e saj, kjo është një çështje tjetër.
Ti, Liri, e ke konkretizuar qëndrimin tënd, sepse shkove te këshilltari i ambasadës sovjetike në Pekin dhe e informove atë për çka të thanë shokët kinezë, gjë që, siç e theksuan edhe shokët në Plenum, është e palejueshme. Një anëtar i Byrosë Politike të një partie shkon dhe informon një këshilltar ambasade të një shteti tjetër, për çështje që nuk i takojnë këtij të fundit! Kjo është në kundërshtim me parimet e Partisë, kjo është shkelje e rëndë e disiplinës së Partisë. Ose le të shohim konceptin tjetër të Lirisë, nga i cili ajo niset për të mos pasur mendime të drejta për qëndrimet e shokëve kinezë. Këtë koncept ajo duhet ta analizojë më thellë.
Ne kemi pasur dhe kemi mendime shumë të mira për shokët kineze, ndonjë vërejtje parimore për ta nuk kemi pasur, sepse qëndrimet e tyre janë të drejta, për shembull, për luftën kundër revizionizmit, për vlerësimin e vijës së Partisë sonë, sidomos për kontributin që dha Partia jonë në Mbledhjen e Moskës të vitit 1957, e të tjera. Përballë këtyre qëndrimeve të drejta të shokëve kinezë, del e natyrshme pyetja për Lirinë: ku e kanë burimin pikëpamjet e saj kundër Partisë Komuniste të Kinës? Kjo lidhet me atë që thanë të gjithë shokët: divergjencat e thella ideologjike midis Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Partisë Komuniste të Kinës që janë vënë re në shtypin e tyre, Liria nuk i ka gjykuar në mënyrë objektive’ dhe nga pozita marksiste, përkundrazi fajin ua ka hedhur shokëve kinezë, se ata gjoja janë në rrugë të gabuar. Pikëpamjet e gabuara të saj duken edhe në qëndrimet që mbajti ajo në Kinë, duke kritikuar padrejtësisht shokët kinezë. Edhe në Moskë, ti Liri ishe në dijeni të zhvillimit të situatës, ishe e parapërgatitur, sepse jo vetëm kishe udhëzime, por t’u dërguar edhe letra nga ne si Byro Politike. Atëherë si shpjegohet qëndrimi yt oportunist në drekën që u shtrua në Moskë? Ti duhet të luftoje atje për të mbrojtur vijën e Partisë sonë, gjë që nuk e bëre dhe kjo të ngarkon me përgjegjësi të rëndë. Në Kinë, ti u prite në mënyre të shkëlqyer për hir të vlerësimit që shokët kinezë i bëjnë Partisë sonë. Ne nuk mund të themi se shokët kinezë e kanë bërë këtë formalisht. Megjithatë, në drekën që të shtruan sovjetikët, kur u fol se ”puna e kinezëve bie erë”, por ti nuk kundërshtove fare. Kjo do të thotë të jesh dakord me sovjetikët në akuzat e tyre kundër Partisë Komuniste të Kinës.
Ti duhej të thoshe: “Nuk është ashtu si thoni ju, se ne vijmë nga Kina dhe pamë se Partia Komuniste e Kinës, qëndron në pozita marksiste”. Por ti ishe në pozita të lëkundura dhe nuk deshe t’u prishje qejfin sovjetikëve. Në situatën që kalojmë, ka shumë rëndësi të ruajmë unitetin e radhëve të Partisë sonë. Ky unitet, sot më shumë se kurrë, duhet të jetë i plotë dhe i palëkundur. Këtu synojnë edhe përpjekjet e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë sonë. Uniteti i Partisë në rrugën marksiste-leniniste është i domosdoshëm të ruhet vazhdimisht dhe të forcohet kurdoherë.
Tani ka filluar që “lakrorit t’i hiqet peta”. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se situatat do të bëhen akoma më të vështira, këtë ta kemi mirë të qartë, të mos kemi iluzione, sepse kështu si qëndrojnë punët, kështu si po zhvillohen ngjarjet ndërkombëtare dhe si po interpretohet marksizëm-leninizmi nga udhëheqjet e shumë partive, është e kuptueshme se ndodhemi përpara evenimentesh shumë të rënda dhe tragjike për lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Prandaj duhet të armatosemi dhe t’u bëjmë ballë si marksistë këtyre ngjarjeve, pa marrë parasysh vështirësitë që mund të na ndodhin dhe do të na dalin përpara. Komiteti ynë Qendror dhe Byroja Politike e tij, këto ngjarje i shohin qartë dhe drejt, në rrugën marksiste-leniniste. Të gjithë shokët kanë pjekuri dhe guxim marksist-leninist t’i luftojnë dobësitë dhe deviacionet që mund të shfaqen, të luftojnë rreziqet që i turren unitetit të Partisë, ndërtimit të socializmit në vendin tonë, gjithë komunizmit ndërkombëtar. Kjo është një meritë e madhe e Partisë sonë, e cila ka arritur të ketë një Komitet Qendror dhe një Byro Politike, që u bëjnë ballë të gjitha furtunave dhe stuhive. Ne sot po analizojmë gabimet ideologjike të Liri Belishovës, që janë vërtetuar te ajo kohët e fundit. Shokët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror po i bëjnë asaj kritika të drejta dhe parimore, kështu do të veprojmë edhe në Plenumin e Komitetit Qendror. Jemi të sigurt se kritikat do të jenë si deri tani, reale, konstruktive, konkrete, marksiste-leniniste.
Forcimi i unitetit të Partisë, kalitja dhe përgatitja e saj përpara furtunave, kërkojnë që ne, ashtu si kurdoherë, t’i shohim çështjet në prizmin e interesit të Partisë. Pra, kritikat që zhvillojmë kanë një qëllim të vetëm: të forcojnë Partinë. Shokë, le të flasim tani pak më haptazi për çështjet, si i ndiejmë dhe si i kuptojmë ato. Partia jonë, si çdo parti marksiste-leniniste ka politikën dhe taktikën e saj. Po kështu edhe shteti ynë. Por politika dhe taktika jonë zbatohen në përputhje me vijën e drejtë marksiste-leniniste. Duke qenë të qartë për ngjarjet që zhvillohen, për vështirësitë ose katastrofat dhe shkaqet e tyre, ne nuk do të gabojmë kurrë as në strategji, as në taktikë. Pikërisht këto gjëra, Liria nuk i dallon mirë. Ne jemi në rrugë të drejtë. Kemi luftuar e do të luftojmë kundër imperializmit. Imperializmi jo vetëm nuk i ka hedhur armët, por vazhdon të armatoset gjithnjë e më shumë për të shkatërruar komunizmin, për të rrëmbyer lirinë e popujve. I pëlqen ose jo Hrushovit, ky është realiteti i gjallë dhe pikëpamja jonë mbështetet mbi këtë realitet. Prandaj vija e Partisë sonë, ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë: luftë e vendosur kundër imperializmit me atë amerikan në krye. Mund të na akuzojë kush të dojë se ne qenkemi luftënxitës”, se gjoja jemi me “thikë në dhëmbë” e të tjera, ne nuk do të lëvizim nga pikëpamja jonë se imperializmi është armiku më i egër i popujve.
Ne nuk kemi asnjë iluzion për imperializmin. Ne themi: “Kampi socialist me Bashkimin Sovjetik në krye”. Kjo është e drejtë, por në qoftë se udhëheqja e Bashkimit Sovjetik nuk është ne rregull dhe ecën në rrugë të gabuar, atëhere ajo i’a ka hequr të drejtën Bashkimit Sovjetik të udhëheqë kampin socialist. Ne jemi kundër luftës dhe këtë nuk e themi me fjalë, por me vepra. Rrezikun e shpërthimit të një lufte të re nga imperializmi, ne nuk e harrojmë dhe këtë rrezik as e mbivlerësojmë, as e nënvleftësojmë. Por kjo nuk do të thotë se ne nënvleftësojmë fuqinë e kampit të socializmit. Forcat e kampit tonë, po të veprojnë në unitet të plotë, janë jashtëzakonisht të mëdha. Në këto situata, po të themi se në kampin tonë dhe në lëvizjen komuniste ndërkombëtare ka unitet, do t’i binim daulles kot, është tjetër gjë që këtë nuk e pohojmë në shtyp, për arsye politike, por në realitet uniteti që ekziston sot në kampin e socializmit dhe në lëvizjen komuniste ndërkombëtare, nuk është në lartësinë që e lyp marksizëm-leninizmi. Po kush është shkaktar i prishjes së këtij uniteti?
Kjo ne na ka shqetësuar dhe na shqetëson, sepse me unitetin është lidhur fati i komunizmit ndërkombëtar dhe i çdo vendi socialist. Përveç punës minuese të imperializmit kundër vendeve socialiste, unitetin tonë po e minojnë gjithashtu agjentët e imperializmit, revizionistët moderne. Partia jonë e ka drejt kur thotë se revizionizmi modern është sot rreziku kryesor në lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Për këtë ne nuk jemi vetëm spektatorë, po edhe dëshmitarë, sepse pas vdekjes së Stalinit, shohim një shthurje në kampin e socializmit dhe në gjithë lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Përse nuk ndodhnin edhe më parë shthurje të tilla? Kjo nuk ndodhte, sepse Stalini ka vepruar me urtësi në marrëdhëniet me partitë e tjera komuniste e punëtore. Fakti është se lëvizja komuniste ndërkombëtare, nuk shkoi në rrugën që kërkonin ta çonin revizionistët, sepse luftonin komunistët në të gjithë botën dhe ata kishin një besim të plotë në vijën marksiste-leniniste që ndiqte Bashkimi Sovjetik me Stalinin në krye. Stalini nuk ka vepruar kurrë pa urtësi. Ndonjëri mund të thotë ç’të dojë për Stalinin, por e vërteta është se në kohën e tij, kampi ynë dhe lëvizja komuniste botërore, ka pasur unitet të fortë. Le të marrim marrëdhëniet e Shqipërisë sonë të vogël me Bashkimin Sovjetik: “Hegjemonizmi i Stalinit”, ashtu sikurse flet Titoja, nuk është dukur asnjëherë në jetën e Partisë dhe të shtetit tonë.
Stalini kurrë nuk na ka folur neve duke na treguar kopaçen, kurrë nuk na ka thënë: “bëni kështu si them unë, se ndryshe ju preva bukën dhe nuk ju flas me gojë!”, ose “ju hedh në erë për pesë minuta”! Partia jonë e ka shprehur dhe e shpreh se nuk ka qenë dhe nuk është dakord me qëndrimet dhe me veprimet u ndërmorën ndaj Stalinit. Këtu nuk është çështja e një udhëheqësi dosido, por e Stalinit që është një revolucionar i madh. Prandaj ne nuk do të pajtohemi asnjëherë me ata që fshinë meritat e tij dhe thurën gjithë ato shpifje për të. Është interesante të theksojmë se: ne na kanë akuzuar për qëndrimet që kemi mbajtur ndaj njerëzve që nuk janë në rrugë të drejtë, bile edhe për tradhtarët e Partisë, kurse ata i kanë mbrojtur elementë të tillë. Ne pamë ç’ndodhi në Hungari, në Poloni, ç’po bëhet në Itali dhe në shumë parti të tjera. Tani, shihni ç’po bëhet ndaj Partisë Komuniste të Kinës. Në këto momente, neve, si marksistë, duke mbajtur një qëndrim të drejtë parimor, nuk na lejohet të mendojmë aq lehtë mbi këto ngjarje që po zhvillohen në disfavorin e kampit të socializmit e të mos i gjykojmë thellë. Ndodhemi përpara furtunave, prandaj duhet ta armatosim Partinë tonë politikisht dhe ideologjikisht në mbrojtje të marksizëm-leninizmit, pavarësisht ç’thonë të tjerët.
Ne jemi përgjegjës përpara Partisë dhe popullit tonë, por edhe përpara lëvizjes komuniste ndërkombëtare nuk kemi pak përgjegjësi. Duke mbrojtur me vendosmëri marksizëm-leninizmin, ne mbrojmë interesat e larta të popullit tonë dhe të socializmit. Duhet mbajtur mirë parasysh se revizionizmi nuk është vetëm te Titoja, i cili sot mban bajrakun, po ka edhe shumë revizionistë të tjerë, bile edhe në udhëheqjen e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Ne nuk jemi kundër qëndrimeve taktike në kushte të caktuara dhe për çështje të caktuara, por, në qoftë se udhëheqja e Bashkimit Sovjetik, nën pretekstin e “taktikave”, kërkon të mbulojë gabimet e veta dhe nuk bën kthesë dhe autokritikë, kjo taktikë pas mbledhjes se nëntorit nuk do të ketë asnjë vlerë.
Taktikën ne e kemi zbatuar drejt, parimet nuk i kemi shkelur. Ne, kur e kërkon situata, edhe mund të ndryshojmë taktikë, po kurdoherë pa shkelur parimet dhe pa ulur kurrizin përpara sulmeve të padrejta të trockistëve ose të revizionistëve të çdo ngjyre. Po na ranë me shuplakë, edhe ne do t’u biem, po të na godasin me grusht, edhe ne do t’u përgjigjemi, faqen nuk e nderim kurrë e t’u themi: “Na bini”!- Si udhëheqja e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ashtu dhe të gjitha udhëheqjet e partive komuniste dhe punëtore, e kanë kuptuar mirë se Partia e Punës e Shqipërisë është e papajtueshme me revizionizmin, prandaj mban një qëndrim revolucionar ndaj tij.
Këtu flas për udhëheqjet, jo për partitë, sepse për to nuk jemi në korrent. Çështja sot ka arritur deri aty sa nuk guxon t’i thuash një fjalë ndonjë shoku udhëheqës të një partie tjetër kundër revizionistëve jugosllav, bile, po të shkruash ndonjë artikull për ta botuar në organe të partive të tjera, ky nuk botohet. Këtu duket parë qartë puna sabotuese e këtyre “ortakëve” të revizionistëve jugosllavë. Revizionistët luftojnë duke qenë të maskuar dhe na sulmojnë indirekt. Sikur të dilnin haptazi, do të shkatërroheshin. Është shumë e vështirë për cilindo të atakojë direkt Partinë tonë, veçse revizionistët e nxjerrin dufin dhe shfryjnë kundër nesh duke na mbajtur mëri, duke u përpjekur të gjejnë rastin dhe të na dëmtojnë. Këtë duhet ta kemi të qartë, të kuptojmë se këto, që po ndodhin, nuk janë gjëra të thjeshta. Ne e themi pa frikë se nuk jemi dakord me udhëheqjen sovjetike, jo vetëm përsa i përket luftës kundër revizionizmit jugosllav, por edhe për çështje të tjera, ndaj të cilave ajo mban një qëndrim oportunist.
Vija e tyre revizioniste reflektohet jo vetëm në politikë, por edhe në drejtime të tjera. Liria e di se me udhëheqjen e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik ne kemi kundërshtime për shumë Probleme parimore në çështje organizative dhe jo vetëm për sa ndodhën ne mbledhjen e Bukureshtit. Mbledhja e Bukureshtit hodhi dritë edhe në drejtime të tjera. Liria ka dijeni për metodat e tyre puçiste. Ajo e ka dëgjuar këtë nga goja e tyre. Poljanski, kur paska ardhur ne qejf në një drekë, i ka shpjeguar Lirisë se si është zhvilluar mbledhja, kur u likuidua udhëheqja e vjetër e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, e të ashtuquajturit grup “antiparti”. Ai ka thënë se ky veprim është bërë në formën e puçit ushtarak që, natyrisht, për ne është antimarksist. Këtu ne nuk bëjmë fjalë nëse ata që u rrëzuan nga udhëheqja kanë ose jo gabime, po për metodat antimarksiste që janë përdorur në këtë drejtim. Kjo është çështje e tyre e brendshme, por ne kështu kuptojmë më mirë se kush janë ata.
Qëndrimi i drejtë i Partisë sonë duket edhe një herë në Mbledhjen e Bukureshtit. Atje u shkelen të gjitha normat. Ne kemi të drejtë të mbajmë qëndrimin tonë. Por udhëheqjes sovjetike nuk i vjen mirë kur ne themi të drejtën. Ajo na thotë se “ju jeni kundër udhëheqjes jugosllave, prandaj jeni dakord me shokët kinezë”. Ndërsa ne deklarojmë se jemi dakord me shokët kinezë, edhe ata janë dakord me ne, dhe këtë nuk e bëjmë për hatrin e njeri-tjetrit, po për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit. Le të thotë ç’të dojë udhëheqja sovjetike. Me qëndrimin e Partisë Komuniste të Kinës ndaj revizionizmit në përgjithësi, e kundër revizionizmit jugosllav në veçanti, Partia jonë është plotësisht dakord. Në Mbledhjen e Bukureshtit, ne nuk u prononcuam se nuk kishim materiale nga të dyja palët. Pikërisht për këtë filloi një fushatë e madhe armiqësore kundër PPSH-së. Ky është një qëndrim antimarksist i udhëheqjes sovjetike ndaj Partisë së Punës të Shqipërisë. Le të pranojmë sikur këtu ka një keqkuptim, po ky “keqkuptim” u shoqërua me akte sabotuese, që kanë për qëllim të për çajnë udhëheqjen tonë. Kjo është antimarksiste. Dhe ne kemi një zinxhir të tërë faktesh për ta provuar këtë. Cilindo që ka shkuar në Bashkimin Sovjetik, ose nëpërmjet tij në vende të tjera, sovjetikët janë përpjekur ta përpunojnë, me qëllim që të krijojnë të çara te ne. Pra, gjithë veprimtaria sabotuese e udhëheqjes sovjetike, nuk mund të konsiderohet si një gjë e rastit. Sëmundjet e theksuara oportuniste dhe gjithë ky revizionizëm që ekziston në udhëheqjen e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, nuk ka si të mos reflektohen edhe në politikën e jashtme të saj, bile edhe ndaj vendit tonë.
Kështu si po zhvillohen situatat, nuk janë revizionistë vetëm titistët, por në bazë të fakteve, revizionistë dhe me pikëpamje socialdemokrate, ka edhe në udhëheqjen sovjetike. Lidhur me këtë ne kemi biseduar shumë herë në Byronë Politike dhe në takimet që kemi pasur. Prandaj edhe Liria, ka qene në dijeni të këtyre çështjeve, ashtu sikurse ne. Për këtë ajo nuk ka të drejtë kur thotë: “Nuk kam qenë në dijeni”. Le t’i gjykojmë qëndrimet e udhëheqjes së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ndaj Partisë Komuniste të Kinës. Ajo është munduar të mos i japë kohë Partisë Komuniste të Kinës të mendohet dhe të shfaqë pikëpamjen e vet. Qëndrimi ynë ndaj kësaj çështjeje të madhe është i drejtë, sepse revizionizmi kërkon t’i pregatitë terren imperializmit, prandaj duhet të luftojmë si kundër imperializmit, ashtu dhe kundër revizionizmit. Do të ishte katastrofë e madhe, po të pranonim të hynim në rrugën revizioniste, ku kërkojnë të na çojnë udhëheqësit sovjetike. Kjo do të kishte pasoja të rënda. Cilat do të ishin disa nga këto pasoja? Së pari, do të ishte heshtja ndaj revizionizmit. Nga ana politike, ky do të ishte një krim i rëndë që do t’i bëhej marksizëm-leninizmit. Gjatë gjithë ngjarjeve që zhvillohen, bëhen shumë përpjekje që ne të heshtim. Po heshtja do të qe etapa e parë. Etapa tjetër do të ishte hapja e kufijve revizionizmit, siç po bën sistematikisht, për shembull, udhëheqja e Partisë Komuniste të Bullgarisë. Sigurisht, ajo e bën këtë për veten e saj dhe është keq për të. Ne nuk do ta ndjekim këtë rrugë. Sikur të ndjekim edhe ne një rrugë te tillë, kjo do të ishte vetëvrasje për vendin tone. Zhivkovi po tregohet tolerant dhe shumë pajtues me revizionizmin. Kjo duket fare qartë, po ky qëndrim pajtues i Zhivkovit ndaj revizionizmit, tregon se ai i mban ison Hrushovit. Ne kemi bindjen se udhëheqësit e Partisë Komuniste të Bullgarisë, do të hasin patjetër vështirësi të mëdha dhe, ne mos sot nesër, do të kenë të bëjnë medoemos me partinë dhe popullin e tyre, sepse hapja e kufijve bullgaro-jugosllavë dhe depërtimi i revizionizmit, do të thotë për Bullgarinë pregatitje e një kundërrevolucioni si në Hungari, me ndryshim se në Hungari u bë edhe luftë, kurse në Bullgari, kjo punë mund të bëhet në një mënyrë të heshtur. Pra, nga heshtja, kalohet aty ku është Jugosllavia. Në qoftë se ne do ta lejonim një gjë të tillë, kjo do të thotë të humbasësh pavarësinë e atdheut e t’i vësh minat socializmit. Ç’do të thotë që ne të hapim kufijtë dhe t’i bëjmë lëshime parimore udhëheqjes jugosllave, gjoja për hir të miqësisë me popullin jugosllav? Për miqësi me popullin jugosllav ne kemi qenë e jemi, por kurrë nuk do t’u bëjmë lëshime revizionistëve. Partia jonë e ka kuptuar drejt ketë, prandaj nuk e ka ndërprerë asnjëherë luftën kundër revizionizmit. Në qoftë se udhëheqësit sovjetike kanë “ndjenja humanitare”, dhe bëjnë çmos për ta afruar udhëheqjen jugosllave, atëherë si e hedhin kaq lehtë në oqean gjithë atë Kine të madhe, duke ditur sidomos se udhëheqja e Kinës nuk është as agjente e imperializmit, as “kale i Trojes’, siç është Titoja? Edhe sikur shokët kinezë të ishin sektare, siç akuzohen nga udhëheqja sovjetike, a do të thotë kjo që të shkojmë deri në përjashtimin e tyre nga kampi ynë socialist? A jane këto qëndrime komuniste dhe internacionaliste ndaj Kinës socialiste? Përçarja e komunizmit ndërkombëtar, është e një përgjegjësie shumë të madhe. E si mund të ecet kështu? Mund të shkohet duke u imponuar partive tona një rrugë antimarksiste dhe me shantazhe? Rruga e Partisë sonë është e drejtë dhe ne nuk futemi në rrugë qorre, ne nuk do të ndjekim vijën revizioniste të Hrushovit. Partia dhe populli ynë janë shumë të kalitur në luftë me revizionizmin e me imperializmin dhe kanë ndjekur e do të ndjekin vazhdimisht rrugën e drejtë marksiste-leniniste. Ne do t’i mbrojmë parimet. Vështirësi, sigurisht, do të kemi dhe jemi të bindur se këto vështirësi do të vijnë duke u rritur, po ato nuk na trembin. Ne jemi të sigurt se udhëheqja sovjetike me qëndrimet dhe me veprimet ndaj Partisë sonë, nuk është në rrugë të drejtë. Veprimet e tij antimarksiste, Ivanovi nuk i bën nga koka e tij, por sipas udhëzimeve të udhëheqjes sovjetike. Kur flet Liria, na tregon proces-verbalet e mbledhjeve. Deri tani, asnjë nga anëtarët e Byrosë Politike, nuk ka punuar me proces-verbale, por me një frymë revolucionare, me besim të madh te njeri-tjetri. Asnjeri nuk ka shënuar me prapamendime në bllok, se ç’fjalë ka thënë ky ose ai anëtar i Byrosë Politike, siç bën Liria, sepse shokët nisen si të mbrojnë vijën e Partisë. Kurse ajo, që ka bërë gjithë këto gabime, po i lexon kaq shumë proces-verbalet e mbledhjeve, me qëllim që të vërtetojë se ne gjoja qenkemi lëkundur në qëndrimin ndaj Bashkimit Sovjetik. Asnjë nga ne nuk është lëkundur në këto situata që kalojmë, asnjë nga ne nuk e do më pak Bashkimin Sovjetik sesa Liria. Bashkimin Sovjetik te gjithë e duam: Ne mund të kalojmë situata të vështira, mund të gjendemi në momente të rënda, po Bashkimin Sovjetik ne do ta mbrojmë. Ne qëndrojmë fort në pozitat tona. Sigurisht, revolucionin dhe socializmin ne i arritëm me luftën dhe me përpjekjet tona, por eksperiencën e madhe të Bashkimit Sovjetik, të Leninit dhe të Stalinit, ne e vlerësojmë drejt. Me ndihmën që na ka dhënë Bashkimi Sovjetik, ne ndërtuam kombinate, si ai i tekstileve “Stalin’, por aty u derdh dhe djersa e popullit tonë. Kush është marksist-leninist e internacionalist, duhet ta dijë se revolucioni popullor dhe ndërtimi i socializmit, janë vepër e popullit shqiptar dhe e Partisë së tij. Ne duhet të jemi konsekuentë, të mos shkelim vijën tonë, të mos çorientohemi dhe të mos lëkundemi në vijën e drejtë të Partisë. Te mos e ngatërrojmë Bashkimin Sovjetik dhe eksperiencën e tij, me qëndrimin oportunist të udhëheqjes së sotme. Një gjë ta dish ti Liri, nuk e ke kuptuar drejt ose do dhe e ngatërron. Kundër veprimeve të tyre nuk duhen bërë lëshime. Lufta kundër revizionisteve, neve na ka mprehur vigjilencën, ajo ka qenë një shkollë e madhe që na ka kalitur dhe na ka bërë t’i shikojmë veprimet si në një radar, pa gjaknxehtësi, pa parti. Prandaj, të jemi konsekuente dhe të pregatitur t’i bëjmë ballë çdo situate, sepse me luftën e hapur kundër Hrushovit, ai do të kurdise bllokada politike dhe ekonomike ndaj vendit tonë. Ti, Liri, që je lëkundur në këto situata, të jesh e bindur si dhe ne, se vija e Partisë sonë është e drejtë dhe të mos impresionohesh as për çështjen e Bashkimit Sovjetik dhe as nga personaliteti i Hrushovit, ose i kujtdo tjetër qoftë. Partia jonë nuk lëkundet edhe në këtë luftë të shtrënguar që po zhvillohet brenda për brenda kampit tonë, luftë e cila ka hyrë në një faze shqetësuese.
Pasi foli Liri Belishova, e cila nuk bëri aspak autokritikë, përkundrazi, u përpoq te zvogëlonte fajet e saj te rënda, dhe pas diskutimeve te anëtarëve të Byrosë Politike, që kritikuan ashpër fajet dhe qëndrimet e saj, e mori fjalën përsëri
SHOKU ENVER HOXHA: Diskutimet që u zhvilluan në Plenumin e korrikut të Komitetit Qendror dhe këtu në Byronë Politike, ishin në rrugën marksiste-leniniste. Evolucioni që bëjnë shokët në mendimet e tyre, është gjithashtu i drejtë dhe gjykimi i këtyre çështjeve, na armatos. Teorikisht çështjet që diskutojmë, i di edhe Liria, po kur vjen puna në praktikë, ajo gabon dhe pasojat rëndojnë mbi kurrizin e popullit e të Partisë. Prandaj edhe unë, si të gjithë shokët e Byrosë Politike, mendoj se Liri Belishova ka gabuar rëndë, është lëkundur në besimin ndaj vijës ideologjike dhe politike të Partisë sonë. Ajo ruan akoma pikëpamjen se nuk ka gabuar. Liria duhet të reflektojë më thellë. Në rast se Liria vazhdon edhe në Plenum të Komitetit Qendror të qëndrojë në këto mendime, të mos i kuptojë këto çështje në rrugën marksiste-leniniste, ajo do ta vështirësojë akoma më shumë pozitën e saj. Unë mendoj se Plenumi do ta ndihmojë, po dhe ajo duhet të ndihmojë Partinë dhe veten.
Ne po përpiqemi se si të të shpëtojmë ty Liri, duke ditur edhe dobësitë e tua, kurse ti çuditesh me qëndrimin tonë. Mos u çudit që shokët te pyesin, ne duam sqarime dhe kemi për qëllim të të ndihmojmë. Liria duhet ta dijë mirë se në Byron Politike, duhet të ketë unitet të plotë. Udhëheqjen e Partisë duhet ta kemi monolite, prandaj Liria nuk mund të qëndrojë në Byron Politike, sepse ajo është lëkundur. Në Parti mund të qëndrojë, por në rast se në Plenum sillen argumente të tjera dhe Liria nuk do t’i realizojë drejt gabimet e saj te rënda, do të jetë Plenumi ai që do të vendosë qenien e saj në Parti. Shokët kanë mendimet e tyre dhe do të flasin. Në këtë mënyrë ne mbrojmë Partinë. Në këtë mbledhje Lirisë i’u dha një ndihmë e madhe. Ajo ka gabuar rëndë dhe gabimet e saj nuk janë të thjeshta. Jam plotësisht dakord me shokët se ajo nuk ka zbatuar direktivat e Partisë. Kjo ka ndodhur se nuk ka qenë dakord me udhëheqjen, e ka nënvleftësuar Byron Politike.
Drejt e thanë shokët se Liria është mendjemadhe dhe ambicioze, ajo do që të zërë vendin e Enverit, të Mehmetit ose te Hysniut. Me përjashtim të pak shokëve të Byrosë Politike, Liria për të tjerët nuk ka konsideratën e duhur. Por, në rast se nuk ke një konsideratë të drejt për anëtarët e Byrosë Politike, për shokët e Komitetit Qendror, për te gjithë kuadrot, atëherë do të dalësh në rrugë të gabuar dhe kjo do të shfaqet pastaj edhe në qëndrime politike dhe ideologjike. Sigurisht, ti, kur pe qëndrimin tonë ndaj udhëheqjes sovjetike, ke thënë me mendjen tënde: “Dale, se shokët e Byrosë Politike po gabojnë, tani është momenti te dal në krye”. Dhe u shpejtove të mbaje qëndrime të ndryshme nga ato të Partisë. Në këtë rrugë, të nxitën edhe te gjitha lajkat që të bënë disa udhëheqës sovjetikë. Të gjitha këto së bashku kanë ndikuar që ti të bësh gabime të rënda ideologjike dhe politike. Jam plotësisht në një mendje me shokët, që ti ke gjykuar se: Byroja Politike ka gabuar në mbajtjen e qëndrimeve dhe s’deshe te komprometoheshe, por mbajte ndaj udhëheqësve sovjetikë një qëndrim oportunist, që në fakt të largonte nga rruga e drejt e Partisë tënde.
Ti mendove: “Unë do të shkoj në Shqipëri, do të them se qëndrimi i Byrosë ka qenë i shpejtuar, do të propozoj që Enver Hoxha të mënjanohet nga mosmarrëveshjet që kanë lindur midis Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Partisë Komuniste të Kinës. Situata, në mos sot nesër, do te ndryshojë. Koha do të punojë për mua”. Ti i rezervove vetes vendin e shpëtimtarit të situatës. Prandaj nuk zgjodhe qëndrimin parimor, por heshtjen dhe aprovimin indirekt të veprimeve revizioniste të udhëheqësve sovjetike. Ti vjen këtu e shpreh habinë: “Përse u bë ky ndryshim në qëndrimet ndaj Bashkimit Sovjetik”! dhe identifikon Bashkimin Sovjetik me udhëheqjen sovjetike. Ti ke menduar, pra: “ishalla punët marrin rrugën që dua unë”! Po ja që për të mirën e Partisë, punët nuk shkuan ashtu si i mendoje ti. E ç’është ai mendim që thua: “Enveri të qëndrojë mënjanë”?! Mirë e thanë shokët, se këtu pleksen të gjitha gjykimet e tua jo të pjekura. Ti kujton se marksizmin e zotëron më mirë nga të tjerët. Shkollë kanë kryer edhe shokët e tjerë dhe nuk e kanë mbaruar keq, bile shumë nga ata kanë mbaruar shkolla akoma më lart se ti, pra kanë edhe një kulturë më të gjerë, po ashtu edhe stazh partie dhe luftë më të gjatë, por këta shokë unë nuk i kam parë e nuk i kam dëgjuar kurrë që të thonë: “Ne qëndrojmë më lart se të tjerët”! Prandaj qëndrimet e tua ndaj shokëve, janë qëndrime prej megalomani.
Në Byron Politike nuk na ka zgjedhur njeri për sytë e bukur, por, kur nuk e bën punën mirë, një herë, dy here, atëhere çështja duhet parë. Ne të kemi dashur, të kemi mbrojtur, të kemi ndihmuar dhe do të të ndihmojmë, po ti je çorientuar dhe nuk e ke mbrojtur si duhet vijën e Partisë në këto situata të rënda. Bashkohem me mendimin e gjithë shokëve, se në Komitetin Qendror dhe në Byron Politike, duhet të ekzistojë një unitet i plotë mendimesh dhe veprimesh, përsa i përket vijës politike, ideologjike, organizative dhe ekonomike te Partisë sonë. Kjo nuk përjashton diskutime të lira, po, kur merren vendime, të gjithë jemi ushtarë të Partisë dhe ato duhet t’i zbatojmë me rigorozitetin më të madh. Çështjen tënde, do t’ia paraqitim Plenumit të Komitetit Qendror, por varet shume se sa do të reflektosh në këto gabime. Në rast se ti e thellon autokritiken, i gjykon drejt çështjet dhe i thua haptazi gabimet që ke bërë, atëhere ne mund të mendojmë se i ke kuptuar ato dhe do të ketë garanci se nuk do ta gabosh me. Mundësit qa ke, vëri në shërbim të Partisë. Situatat janë të koklavitura, prandaj nuk duhet të jemi të frikshëm dhe pesimistë. Të mbajmë mirë në dorë si një busull marksizëm-leninizmin dhe kurrë nuk do të gabojmë ne vijë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016