Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin periudhës së muajve shtator – dhjetor të vitit 1981 dhe janë pjesë e një dosje ku ndodhen disa informacione, relacione, raporte, letra, shënime, udhëzime, proces-verbale mbledhjesh e plenumesh, të Byrosë Politike dhe Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, etj., ku është trajtuar dhe diskutuar problemi i kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit të dytë të tij, Skënder Shehut, me Silva Turdiun, ish-volejbollisten e ekipit “Dinamo” e cila ishte me “probleme biografike dhe në rrethin e saj familjar, kishte disa persona të arratisur nga Shqipëria, që kryenin veprimtari kundër Republikës Popullore të Shqipërisë”, si dhe veprimi që kreu Mehmet Shehu, duke vrarë veten. Në dokumentet në fjalë që publikon për herë të parë nga Memorie.al, ndodhet proces-verbali i mbledhjes së Plenumit të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 19 dhjetor të vitit 1981, vetëm pak orë pas ngjarjes së kryeministrit Mehmet Shehu, i cili u gjet i vdekur në dhomën e gjumit të vilës së tij brenda “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së. Siç do të shohim edhe në dokumentet në fjalë, mbledhja e plenumit të II-të të Komitetit Qendror të PPSh-së e cila filloi në orën 9 të paradites së datës 19 dhjetor, zhvilloi punimet pa praninë e Enver Hoxhës dhe ajo drejtohej nga Ramiz Alia, i cili njoftoi anëtarët e plenumit, që të dëgjonin të incizuara, diskutimet që ishin zhvilluar në mbledhjen e Byrosë Politike. Ndërsa në seancën e pasdites, që filloi në ora 16.00 të asaj dite, Enver Hoxha erdhi me vonesë dhe pasi mori fjalën, në mes të tjerash ai u shpreh: “Mehmet Shehu, kishte një ambicie të shfrenuar dhe veprimet e tij kryheshin sipas një taktike të caktuar e të çuditshme. Për të krijuar tek njerëzit, tek shokët dhe tek forumet e Partisë, një psikozë të sëmurë frike, mund të them se problemet i trajtonte vazhdimisht me nervozizëm, me arrogancë dhe me prepotencë. Përveç meje, deri dhe tek anëtarët e Komitetit Qendror e të Qeverisë, nuk kishte shok tjetër, që të mos atakohej e të mos bëhej objekt i kritikave të tij, pa vend. Me këtë taktikë ai, përpiqej që të krijonte në Parti, atë situatë që dëgjuat dhe që ne e analizuam në mbledhjen e Byrosë Politike”. Për më shumë rreth kësaj, na njohin dokumentet arkivore që Memorie.al i publikon me faksimilet përkatëse, në disa numra.
Dokumenti sekret me proces-verbalin e mbledhjes së plenumit të II-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me ngjarjen e vetëvrasjes së kryeministrit Mehmet Shehu, më 19 dhjetor 1981
PARTIA E PUNËS SHQIPËRISË Sekret
KOMITETI QENDROR
Sektori i Përgjithshëm
Proces-verbal i mbledhjes së Plenumit të 2 të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, në datën 19.12.1981
Më datën 19.12.1981 në orën 9.00 u mblodh Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Shoku Enver në seancën e paradites, nuk mori pjesë.
Mbledhjen e hapi Sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, shoku Ramiz Alia.
Në këtë mbledhje, merrnin pjesë të gjithë shokët e plenumit, me përjashtim të shoqes Shpresa Zeneli, e cila ishte sëmurë.
SHOKU ENVER HOXHA: Kur do ta mbyllja ditën e parë mbledhjen e Byrosë i thashë edhe një herë që ti Mehmet, siç dëgjove s’ke vetëm gjëra për t’u kritikuar, por ke edhe anë të mira. Të gjitha këto ja thoshim atij në mënyrë shoqërore e me plot ndërgjegje. Por ai, nuk erdhi që të merrte pjesë në mbledhje dhe bëri atë që bëri, vrau veten.
Kjo të bën që të mendosh se ai në ndërgjegjen e tij, duhet të ketë ndërmarrë dhe veprime të tjera. Sidoqoftë këtë që bëri ai, dhe dëmi që mendoi t’i shkaktonte Partisë, duhet ti konsiderojmë siç thotë populli që çdo gjë e keqe e ka dhe një të mirë. Ai, e mbushi kupën. Partia asgjë nuk la pa ja vënë në dukje, si meritat ashtu edhe gabimet e tij.
Por ai, kapërceu çdo kufi, mori nëpër këmbë gjithçka me pikëpamjet e tij jo të formuara, por të kamufluara me kujdes si marksiste leniniste, me kuptim ideologjik jo të drejtë përsa i përket respektimit të normave të jetës së brendshme të Partisë, me veprimin e tij armiqësor. Por Partia, i doli borxhit këtij njeriu, dhe e keqja që bëri ai duke vrarë veten, do të kthehet në një të mirë.
Dhe e mira qëndron në atë që plaga kur hiqet, e shëron trupin. Po të mos ishte hequr kjo plagë, po të mos ishte diktuar, Partia do të ndeshej më vonë me rreziqe të mëdha. Prandaj ajo shpëtoi nga disa rreziqe dhe tani është me vend që të themi se jemi shumë të gëzuar që u shporr nga radhët tona, një armik.
Ky episod, ashtu si të gjithë episodet e tjera të rrezikshme që ka kaluar Partia jonë, duhet të na bëhet një mësim i madh, dhe si kurdoherë të shërbejë për forcimin e mëtejshëm të saj. Partia jonë, është e fortë pasi ajo ka mësuar nga eksperienca e vet.
Ka mësuar nga gabimet dhe fajet e individëve ose grupeve që kanë dalë kundër saj, dhe ka kalitur më tepër në zemrat e njerëzve sidomos të komunistëve, por edhe të të gjithë popullit, dashurinë e madhe për atdheun socialist, për popullin të cilin e nxori nga mjerimi dhe e ngriti lart, i dha arsim e kulturë dhe po lufton me të gjitha forcat që ta çojë atë përpara, që të shohë çdo ditë e më tepër rezultatet e shkëlqyera të sistemit tonë socialist, të shohë se si po përmirësohet vazhdimisht jeta e tij.
Pra e gjithë eksperienca që do të nxjerrim nga kjo që na ndodhi, duhet të na shërbejë që të hapim akoma dhe më tepër sytë për zbatimin e direktivave që në jep Partia dhe që i kuptojmë të tërë. Por që shumë herë në jetë kalojnë si slogane, shumë herë nuk ju shkohet deri në fund përsa i përket kuptimit të tyre të thellë dhe zbatimit në kohë e në forma të ndryshme.
Domethënë në përvetësimin e dialektikës së zbërthimit dhe zbatimit të direktivave. Në këtë drejtim ne, duhet të bëjmë një punë e luftë të vazhdueshme. Çdo komunist kur hedh një hap, kur thotë një fjalë, dhe kur shpreh një mendim, duhet të ketë kurdoherë parasysh që fjala e tij të peshojë mirë dhe t’ju shërbejë interesave të Partisë dhe Popullit.
Me fjalë të tjera ai mesa mundet, me një diskutim të hapur dhe parimor, të kontribuojë në zbërthimin dhe zbatimin e këtij apo atij vendimi. Në të njëjtë kohë nga kjo që na ndodhi, çdo komunist apo punonjës pa parti duhet të kuptojnë se vigjilenca revolucionare gjithmonë duhet të jetë në rend të ditës pasi sa më të fortë që bëheni, aq më shumë reaksioni i jashtëm do të na sulmojë.
Vërtet ai është në degjenerim e sipër por ndaj nesh, ai gjen njerëzit dhe mjetet për të na atakuar dhe për të na likuiduar. Këto që them, nuk janë fantazira. Fakti është që në udhëheqjen e Partisë, madje në udhëheqjen kryesore të saj na kanë dalë elementë armiq.
Edhe Mehmet Shehu, ishte një i tillë që punonte për shkatërrimin e saj. Prandaj vigjilenca jonë revolucionare, nuk duhet të na mungojë asnjëherë. Por kjo nuk do të thotë që neve tani, të na mbulojë psikoza e spiunazhit sikur të gjithë po na spiunojnë.
Mehmeti, e kishte të theksuar këtë frikë pasi e kishte mizën nën kësulë, sa kishte arritur deri aty që të dyshonte dhe për organet e Partisë dhe Diktaturës së Proletariatit. Me aktin që bëri ai u përpoq deri në fund që të dëmtonte unitetin e Partisë.
Këtu ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm pasi Mehmet Shehu ka përdorur metoda të atilla që dikë ka afruar e dikë ka sulmuar. Por as ata të kategorisë së parë, e as ata të kategorisë së dytë, nuk janë njerëzit e tij, nuk kanë qënë me të, dhe nuk duhet ta ndiejnë veten të shushatur, pse ishin afër tij.
Është e vërtetë që ata kishin lidhje me të, por të gjithë ne kishim lidhje me Mehmetin pasi, e donim dhe e respektonim, sepse nuk e dinim se ç’ishte. Megjithatë kur bënte gabime ne, e kritikonim dhe veshët ja tërhiqnim. Pra me vetëvrasjen Mehmeti, e la pas vetes dhe këtë rrezik.
Por Partia nuk ka rënë e nuk do bjerë kurrë në rreziqe e kurthe të tilla. Partia, i konsideron anëtarët e vet, si njerëzit e vet më të shtrenjtë, sepse pa ata ajo nuk mund të ekzistojë. Ajo, njëkohësisht i ndihmon ata që t’i kapërcejnë vështirësitë e jetës.
Prandaj po e ritheksoj që të jeni vigjilentë revolucionarë dhe të tillë na bën neve kuptimi ideologjik marksist leninist i problemeve dhe i rrethanave. Nuk mjafton që ta përmendim vetëm si slogan rrethimin imperialisto revizionist. Ne duhet ta shohim në praktikën e përditshme sesi vepron në një formë apo në një tjetër dhe nëse ka apo jo gisht në veprimtarinë armiqësore.
E gjithë masa e Partisë dhe ajo pa Parti, të kuptojë se Mehmet Shehu ishte i tillë, dhe se Partia po punon që të sqarojë edhe ata që nuk janë akoma të qartë. Të mos mendohet se vetëm në një ditë do të zhduket te disa njerëz ndikimi i Mehmet Shehut si dhe tek disa të tjerë, nostalgjia që kanë ndaj tij.
Ne duhet të punojmë me durim dhe nëse ndonjë ditë takojmë në rrugë individë që kanë nostalgji të tillë, dhe që kanë dyshime për këtë çështje, të mos e konsiderojmë menjëherë armik por të punojmë e ta bindim me qëllim që edhe ky grup njerëzish të thotë se ajo që bëri Mehmet Shehu punë armiqësore.
Dhe që ta ndreqim këtë punë armiqësore duhet t’i hidhemi punës me vrull përpara. Për këtë arsye shokë ne vendosëm që të bëjmë një letër dhe, tjua dërgojmë atë organizatave bazë, të marrin dijeni gjithë komunistët, ta lexojë e gjithë Partia. Këtë letër ju, do ta merrni me vete.
Në qendrat e punës ku zhvillojnë veprimtarinë e tyre, duhet të vijnë dhe njerëz pa parti që ta dëgjojnë dhe ata drejtpërdrejtë zërin e Komitetit Qendror. Pastaj t’ju rekomandohet të gjithëve që pasi ta lexojnë letrën, të flasin në popull që t’ju shpjegojnë sesi ndodhi në të vërtetë kjo situatë.
Situatat për ne shokë janë të forta. Kjo që ndodhi, ishte vetëm një aksident në jetën tonë luftarake e revolucionare. Ne, kemi kaluar situata edhe më të vështira prandaj vetëvrasja e Mehmet Shehut, nuk do të ushtrojë ndonjë efekt të madh negativ në punën tonë.
Njerëzit e ligj, do të harrohen shpejt. Populli ynë është mësuar që të eci përpara dhe që ti luftojë armiqtë, ti demaskojë e ti luftojë ata. Kështu do të veprojë edhe me Mehmet Shehun, ashtu siç ka vepruar me të gjithë armiqtë e tjerë. Tani më parë se ta mbyllim këtë mbledhje të Plenumit, duhet të marrim disa vendime që konsistojnë në këtë që Mehmet Shehun, ta përjashtojmë nga Partia, të konsiderohet se ai nuk vdiq si komunist.
Vendimi i parë pra është ky: “Të përjashtohet nga Partia Mehmet Shehu, pas vdekjes për faje të rënda në kundërshtim me vijën e Partisë, si armik i saj i rrezikshëm”. Po e hedhim në votë. Kush është pro të ngrejë dorën. (Të gjithë në të njëjtën kohë ngrenë dorën një shenjë miratimi të njëzëshëm). Kundërshtime ka?! Nuk ka. Atëherë të rrojë Partia.
Tani, kemi dhe një vendim tjetër për të marrë për Fiqrete Shehun. Organizata bazë ku bënte pjesë ajo, mori një vendim aspak të kënaqshëm, ti jepet vërejtje e rëndë me shënim në kartën e regjistrimit, si dhe ka rekomanduar që të shikohet qenia e saj si anëtare e Komitetit Qendror, të shikohet gjithashtu pozicioni i saj si drejtoreshë e Shkollës së Partisë.
Por në organizatën bazë i deleguari i Komitetit Qendror, shprehu drejt mendimin e tij se përsa i përket masës së parë, ju keni të drejtë që të merrni vendimin që morët, por përsa i përket qenies së saj si anëtare të Komitetit Qendror, vendimin do ta marri vetë Komiteti Qendror.
Prandaj ne sot propozojmë këtë vendim: “Të përjashtohet nga Plenumin i Komitetit Qendror të Partisë dhe nga Partia, Fiqrete Shehu si bashkëpunëtore e ngushtë e Mehmet Shehut, në veprimtarinë e tij armiqësore e antiparti”.
Atëherë e vëmë në votë edhe këtë vendim. Jeni dakord?! (Të gjithë ngrenë dorën njëkohësisht). Asnjë nuk ka kundërshtim?! Atëherë vendimi pranohet. Këto ishin shokë, dy vendimet që mori me plot të drejtë Komiteti Qendror i Partisë. Tani, ju uroj shumë suksese në punë. Të rrojë Partia, të rrojë Populli.
(Të gjithë anëtarët e Plenumit, ngrihen në këmbë, duartrokasin dhe shpërthejnë në ovacione për Partinë dhe për shokun Enver. Me kaq mbledhja, mbaroi).
Shefi i Seksionit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror
Vaskë Çifligu
Projekt – Vendim
I Plenumit të 2 të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror dhe Partia, të Mehmet Shehut, pas vdekjes.
Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 19 Dhjetor 1981
Vendosi:
Të përjashtojë nga Komiteti Qendror dhe nga Partia, Mehmet Shehun, pas vdekjes për faje të rënda në kundërshtim me vijën e Partisë, si armik i saj i rrezikshëm.
Plenumi i 2 i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Tiranë më 19.12.1981
Projekt – Vendim
I Plenumit të 2 të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror dhe Partia, të Fiqrete Shehut.
Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 19 Dhjetor 1981
Vendosi:
Të përjashtojë nga Komiteti Qendror dhe nga Partia, Fiqrete Shehun, si bashkëpunëtore të ngushtë të Mehmet Shehut, në veprimtarinë e tij armiqësore e antiparti.
Plenumi i 2 i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Memorie.al
Tiranë më 19.12.1981
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016