Dashnor Kaloçi
Pjesa e gjashtë
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror”, etj.! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al
Dokumenti me proçes-verbalin e mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me temë “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, mbajtur në datën 20 shtator 1982
Tepër sekret
MBLEDHJE E SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH E DATËS 20 SHTATOR 1982
SHOKU RAMIZ ALIA: Besoj se ti duhet të kesh pasur këtë mendim edhe në 1960-ën, se ishe ministër i Punëve të Brendshme. Bukur. Atëhere, çfarë alarmi bëre ti në Komitetin Qendror, ku të vije të ngrije zërin dhe të thoshe: “Ore shokë, 3 mijë student, civilë dhe ushtarakë, kemi pasur në Bashkimin Sovjetik. Për secilin nga këta ne kemi dërguar tërë ato të dhëna që sovjetikët tani i dinë.
Se me kë prej këtyre kanë punuar sovjetikët, nuk e dimë, megjithatë, në këto kushte, ne duhet të mendojmë ç’mund të bëjmë që të parandalojmë eventualisht ndonjë rrezik, ose të gjejmë ndonjë nga këta njerëz që ka punuar në këtë drejtim, për shembull, që të na fliste për këtë punë”. Nxore ndonjë konkluzion ti për këtë çështje? E vure në dijeni Komitetin Qendror për këtë?
SHOKU KADRI HAZBIU: Mua më ka preokupuar vetë kjo çështje, për këtë më kanë porositur edhe shokët bile.
SHOKU ENVER HOXHA: Kush të ka porositur?
SHOKU KADRI HAZBIU: Mua më ka porositur bile shoku Enver, edhe shoku Hysni, më kanë thënë shikojeni këtë çështje.
SHOKU ENVER HOXHA: Shikojeni këtë çështje është shumë e arsyeshme të thuhej, po neve na është thënë se këta njerëz janë treguar heronj, bile edhe raporti që na është bërë atëhere, thosh që ushtarakët tanë që ishin dërguar për studime në Bashkimin Sovjetik, janë me vulë, asnjë nuk qëndroi atje, se të tërë janë me Partinë, njerëz të vendosur. Kjo ishte karakteristika që jepnit ju në atë kohë për këta njerëz. Ne nuk diskutojmë aspak që në mes tyre të ketë edhe njerëz të mirë, po por në praktikë të tërë janë të dyshimtë, prandaj ndaj tyre ne duhet të kemi mendjen patjetër.
Në ditarin tim të brendshëm, shkruaj vazhdimisht me cilin takohem, çfarë më flet dhe ç’i them bashkëbiseduesit. Atëherë Hysniu i ka përshkruar të gjitha çështjet ushtarake, që nga A-ja deri te Zh–ja, sepse isha i sëmurë në atë kohë dhe nuk më linin doktorët të ngrihesha. Midis të tjerave u kam thënë të bënte kujdes se agjentura sovjetike na ka hyrë deri në organet e Sigurimit të Ushtrisë, ajo ka bërë të vetin edhe shefin e asaj kohe të Sigurimit në Ushtri, që nuk e mbaj mënd si e quanin.
SHOKU KADRI HAZBIU: Malo Hashorva.
SHOKU ENVER HOXHA: Jo jo, Shefi i Sigurimit.
SHOKU KADRI HAZBIU: Halim Xheloja.
SHOKU ENVER HOXHA: Halim Xheloja, jo më duket, se është një nga Fieri që e arrestuam, a çfarë i bëmë. Për të qenë më i saktë, më duket se ishte Drejtor i Drejtorisë së Zbulimit të Ushtrisë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mos ishte Andon Sheti?
SHOKU KADRI HAZBIU: A, Andon Sheti, ai ishte Drejtor i Drejtorisë së Zbulimit.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, ky duhet të jetë, Andon Sheti. Ky, i them Hysniut, është një njeri që nuk na ka dhënë asnjë informatë gjatë gjithë kohës që punon aty dhe kam dyshime se mund të jetë qind për qind, agjent i sovjetikëve, prandaj t’i vësh rëndësi të madhe kësaj drejtorie, sepse pa këtë, nuk mund të kemi gjë në Ushtri. Për ne tani është e qartë se Hysniu nuk ka ditur gjë për këtë çështje, ne bazohemi te faktet.
SHOKU KADRI HAZBIU: Mua, me sa më kujtohet, shoku Hysni ka dhënë një listë të plotë, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Është edhe lista, bile ata e kanë bërë të plotë me kë janë këta njerëz. Ajo është e kinezëve.
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, ne e kishim nxjerrë, me sa më kujtohet, duke i pyetur të gjithë këta, se kinezët dinin një pjesë.
SHOKU HEKURAN ISAI: Dinin vetëm për ushtarakët?
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, edhe për civilët. Unë nuk e di, edhe për civilët kemi nxjerrë listën, cilët kanë qenë bashkëpunëtorët tanë që i kanë ditur këto vende dhe ku janë. Unë nuk e di, por e kemi nxjerrë këtë, j’ua kam dërguar, shoku Enver, se tani si të them unë…!
SHOKU ENVER HOXHA: Po, ju e keni nxjerrë, po kujt ja keni dhënë? Mua ma ke dhënë?!
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, shoku Enver, shokëve këtu ua kemi dhënë, ashtu siç jepen këto, se as që i përcjellim këto materiale në numër protokolli. Këto materiale janë këtu. Më është dhënë porosi t’i shikonim dhe kështu t’i trajtonim këta njerëz, që të mos e ndjenin veten të shqetësuar. Këtë e them me ndërgjegje.
SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk është kjo një mungesë vigjilence dhe nënvleftësim i madh i këtij problemi shumë i rrezikshëm, shoku Kadri, që ti vetëm në vitin 1975 kujtohesh për këtë çështje?!
SHOKU KADRI HAZBIU: Po tani si të them për këtë çështje, shoku Ramiz?
SHOKU RAMIZ ALIA: Po dimë gjë ne për këtë si Komitet Qendror? Ne nuk dimë gjë, prandaj të pyesim ty, dhe të pyesim pikërisht pse nuk dimë gjë.
SHOKU ENVER HOXHA: Jo, nuk dimë gjë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë mo, po unë këto di, jam plotësisht dakord dhe është e ligjshme pyetja që bëni, për këto s’ka diskutim, po ç’të bëj unë unë tani se s’kam mbajtur shënime. Që në fillim, kur u prishëm me rusët, problemin e studentëve që kishim në Bashkimin Sovjetik edhe në vendet e tjera ish-socialiste, e kemi nxjerrë për agjenturën që çonim jashtë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë, mirë, Kadri. Sh. M. që e mbajte shënim tani, e ke me punë në Ministrinë e Mbrojtjes edhe sot. Ky na del tani si i tillë siç është, atëhere si e mban ti atë drejtor në Ministri? Si e shpjegon këtë?
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë nuk e di që është drejtor, po nuk ka ndonjë rëndësi kjo.
SHOKU ENVER HOXHA: Jo Kadri, kjo ka rëndësi, bile ka shumë rëndësi. Del një pikëpyetje e madhe këtu.
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, jo, po them ketë, shoku Enver, që nuk ka rëndësi në është apo nuk është drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes, Sh. M., këtu nuk e kam çështjen te vetja, dhe vetë duhet t’i merrja një për një këta njerëz, të shikoja se çfarë të bëja me njërin dhe çfarë të bëja me tjetrin, kurse me këtë punë, unë nuk jam marrë.
Pasi i nxuarëm këta, me sa di unë, ne i kemi dhënë listat në Komitetin Qendror, këto janë studiuar këtu dhe na është dhënë porosi se si duheshin trajtuar këta njerëz. Ka mundësi që të jenë thirrur nga Partia dhe disa prej tyre janë thirrur nga kuadro drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku u është thënë të mos kishin merak për këto probleme, se ata kishin zbatuar porositë që u ishin dhënë, nuk mbanin ndonjë përgjegjësi.
SHOKU ENVER HOXHA: PO Mehmet Shehu i dinte këto çështje?
SHOKU KADRI HAZBIU: Që t’i kem dhënë vetë ndonjë listë Mehmet Shehut, këtë nuk e them dot. Ai tradhtar është, po këtë s’ma ka kërkuar. Listat unë i kam dhënë këtu, në Komitetin Qendror, shokët i kanë parë dhe më kanë dhënë porositë që thashë. Unë e di që ka qenë një listë më e plotë, me nja 180 a 200 emra, ekzakt sa ka qenë, nuk e di.
SHOKU ENVER HOXHA: Shiko Kadri, këto janë dy fakte që po ngremë ne sot këtu. Ti vetë duhet ta dish, edhe ju shokë të tjerë duhet ta dini, që në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka një jetë të tërë, atje duhet të ketë dokumente të tjera që neve na bie detyrë të kemi durim dhe gjakftohtësi deri sa t’i gjejmë e t’i shohim. Po tani për tani, këto dy fakte kemi. Në letër ti shkruan shokut Hysni dhe e njofton se i ke asgjësuar dokumentet e këtyre njerëzve.
SHOKU KADRI HAZBIU: Si bashkëpunëtorë?
SHOKU ENVER HOXHA: Nuk di çfarë ishin këta, po dua të pyes: pse i dogje dokumentet e tyre?
SHOKU KADRI HAZBIU: Është një rregull te ne, shoku Enver, nuk e di nëse duhet ta shikojmë, po nga sa pamë ne, këta nuk vlenin më si bashkëpunëtorë, ata duhet të kenë kartelën në Kartotekë, kurse dosjet e tyre duhet të jenë djegur si bashkëpunëtorë pa vlerë. Këtë rregull kemi pasur ne, prandaj kemi vepruar siç janë rregullat. Po të jetë bërë ndonjë gjë në kundërshtim me to, atëherë është ndryshe.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, neve kështu i kënduam këto materiale, që ti na thua se i kemi asgjësuar. D.m.th., të gjitha dokumentet e këtyre bashkëpunëtorëve, ju i asgjësuat?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po i asgjësuam.
SHOKU ENVER HOXHA: I asgjësuat dhe këta nuk mbaheshin më në lidhje nga ju? Është kështu?
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, nuk mbaheshin.
SHOKU ENVER HOXHA: Po këto dokumente, çfarë përmbanin?
SHOKU KADRI HAZBIU: Ato ishin dokumentet e tyre personale, si të them unë, shoku Enver, kishin jo biografinë, jo pseudonimin si bashkëpunëtorë, jo kërkesa të tjera që na nevojiteshin për ta. Për të tërë këta njerëz, atje duhet të jenë kartelat, pse në qoftë se digjet dokumenti, kartela me të cilën vërtetohet se ky apo ai njeri ka qenë bashkëpunëtor në këtë kohë mbetet, që të dihet se kush e ka mbajtur në lidhje, etj. Kartela i ka të gjitha këto të dhëna që nevojiten.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, mirë, po pse të digjeshin ato? Këta ishin funksionarë të shtetit tonë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po për arsye se si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, nuk ishin më, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Do të kenë qenë të ngarkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme si bashkëpunëtorë në Bashkimin Sovjetik, janë njerëz të ndershëm, atëherë përse të digjen dokumentet e tyre?
SHOKU KADRI HAZBIU: Duhet të jenë djegur më vonë, shoku Enver, kur të gjithë këta janë kthyer nga Bashkimi Sovjetik.
SHOKU ENVER HOXHA: Po unë bazohem në këtë që ke thënë vetë ti, që dokumentet e këtyre njerëzve që ju i keni djegur në vitin 1975. Ti mundet i ke djegur edhe më parë, këtë nuk e di unë, po i kemi djegur thua ti.
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, unë nuk e di atë. Kjo çështje le të verifikohet shoku Enver. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016