Dashnor Kaloçi
Pjesa e Parë
Memorie.al / publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, që i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të atij viti, që vazhdoi deri në orët e vona, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu, kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror”, etj.! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al
Tepër sekret
MBLEDHJE
E SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH E DATËS 20 SHTATOR 1982
Kjo mbledhje u thirr nga shoku Enver, ku u ftuan edhe shokët Adil Çarçani e Hekuran Isai për të analizuar gabimet e rënda të anëtarit të Byrosë Politike, Kadri Hazbiu, të kryera gjatë periudhës që ka qenë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si zëvendësministër e pastaj ministër.
SHOKU ENVER HOXHA: E thirra këtë mbledhje të Sekretariatit të Komitetit Qendror, për të shqyrtuar një problem sa delikat e të rëndësishëm, aq edhe të rrezikshëm për fatet e atdheut. Nuk dëshiroj të zgjatem në çështjen për të cilën tani jemi në dijeni, që armiku e tradhtari Mehmet Shehu, për 40 vjet me radhë ka punuar në vendin tonë, duke organizuar komplote për të rrëzuar pushtetin popullor dhe për të likuiduar Partinë. Këto komplote ne i njohim, se vetë i kemi zbuluar. Sot dua të theksoj atë çështje që të gjitha komplotet i ka zbuluar Byroja Politike dhe jo Sigurimi i Shtetit.
Sigurimi i Shtetit, ose më mirë të themi Ministria e Punëve të Brendshme, pas zbulimit të çdo komploti, me sa ka mundur ose me sa i është lejuar t’i futej problemit, ka vazhduar procese, po jo deri në fund. Sidoqoftë kryesorët e këtyre komploteve, duke filluar nga Koçi Xoxja, Tuk Jakova, Bedri Spahiu, si dhe një numër tjetër, jo i vogël armiqsh, ne i kemi demaskuar, i kemi gjykuar dhe i kemi dënuar. Koçi Xoxe, kryesorin e pushkatuam, të tjerëve u dhamë dënime të shkallëzuara, disave që ishin më pak të fajshëm, u dhamë masa administrative, me fjalë të tjera, i internuam. Por është fakt që puna armiqësore, ka vazhduar më tej nga ata që mund të quhen “bishtra”, por që në të vërtetë nuk ishin të tillë, por qenë “trungje”. Dhe këto “trungje” lëshuan përsëri “filiza”.
Puna armiqësore, e maskuar si “miqësore”, më përpara nga jugosllavët, pastaj nga sovjetikët, nën këtë maskë i pat shtrirë rrënjët e saj, gati në të gjithë vendin, veçanërisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, dy pikat më delikate të diktaturës sonë të proletariatit.
Ne gjithashtu zbuluam para disa vjetësh komplotin e Beqir Ballukut dhe të grupit të oficerëve, që edhe ky ishte shumë i rrezikshëm dhe me këtë rast, morëm një sërë masash, çuam në gjyq, gjykuam dhe pastaj pushkatuam fajtorët kryesorë, krerët, përveç njërit, më kryesorit të të gjithëve, Mehmet Shehut, të cilin nuk arritëm ta zbulonim dot.
Siç e dini, morëm gjithashtu me këtë rast, masa për një sërë kuadrosh të tjerë ushtarakë që imagjinonim, po për të cilët s’kishim fakte, se ishin në ujërat e këtij puçi dhe i nxorëm në lirim, siç ishin një numër oficerësh madhor. Personalisht jam i bindur se nxjerrja në lirim e këtij numri oficerësh madhorë, disa nga të cilët mundet që i çuam edhe në internim, kanë qenë të lidhur me agjenturën sovjetike, në radhë të parë. Por fakte nuk kishim dhe siç e dimë të gjithë, pa fakte Partia asnjëherë nuk ka vepruar. Dhe jo vetëm nuk ka vepruar, por edhe është përpjekur t’i ndreqë njerëzit, ka punuar që t’i rehabilitojë të gabuarit.
Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosi dhe Kiço Ngjela me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Sigurimi i Shtetit veproi pastaj për të bërë hetuesinë, që të mundte të nxirrte diçka në dritë.
Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë që vinin rrotull këtij grupi. Edhe kjo punë prapë u bë nga ana e Komitetit Qendror, jo nga Sigurimi i Shtetit.
Të gjitha këto përbëjnë një minus të madh për Sigurimin e Shtetit.
Më në fund ne zbuluam armikun Mehmet Shehu me bashkëpunëtorët e tij kryesor, të cilët tani janë në burg dhe po deponojnë.
Por, është fakt që Mehmet Shehu ka qenë kryeagjeniti, ai që i vinte në lëvizje të gjitha këto grupe armiqësore. Mehmet Shehu ishte rezidenti kryesor i CIA-s amerikane, ai ishte gjithashtu agjenti i anglezëve (Inteligjent Servisit), agjent i Gestapos, agjent i SIM-it Italian, agjent i titistëve jugosllavë, i rusëve, mundet edhe i kinezëve. Për agjent të kinezëve thashë mundet, se deri tani për këtë nuk kemi fakte, se për të tjerat kemi. Të tëra këto lidhje të tij që përmenda, janë të vërtetuara.
Ne i bëmë analizën veprimtarisë armiqësore e agjenturale të Mehmet Shehut, po kjo akoma është e përciptë. Na vihet detyrë t’i futemi thellë kësaj çështje, se këtu nuk është vetëm puna e një krye-agjenti si ai, por edhe e rrjetit agjentural që ky armik ka përgatitur me kohë.
Siç na del, përgatitja e agjenturës së huaj në Shqipëri, është bërë jo nga Mehmet Shehu, personalisht. Ky ka marrë në lidhje agjentët e Jugosllavisë, të rusëve, të Italisë, të gjermanëve (se për vete ishte i amerikanëve). Kuptohet, janë anglo-amerikanët ata që i’a kanë dhënë të gjithë këta agjentë. Mehmet Shehu vetë nuk ishte rekrutues i thjeshtë agjentësh, ai ishte drejtues i një agjenture të gjerë brenda në shtetin tone, me armiq të brendshëm, të cilët kanë qenë rekrutuar nga agjentura të ndryshme.
Dhe Mehmet Shehu të tërë këta i kishte futur në veprim. Qëllimi i tij ishte të rrëzonte pushtetin popullor, të merrte fuqinë me forcë, qoftë nëpërmjet një puçi ushtarak, qoftë nëpërmjet një puçi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të shoqëruar me puç ushtarak, të likuidonte shokët kryesorë të udhëheqjes dhe të zbatonte projekt-programin që i’a gjetëm në kasafortën e vet, pas vetëvrasjes.
Na bie kështu një punë shumë serioze që t’i futemi në thellësi kësaj çështje. Këtë e lyp interesi i madh i atdheut, i socializmit në Shqipëri dhe i Partisë, kundër të cilëve janë vërsulur të gjithë këta armiq, që kanë qenë kudo, por ata që vepronin në mënyrën më të rrezikshme, na del se ishin grumbulluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme ke punuar edhe ti, Kadri, bile 30 vjet të tëra. Po kështu ke punuar ti edhe në Sigurimin, në kundër zbulimin e ushtrisë. Kur vë në dukej këtë, nuk kam ndër mend të them se ti ke qenë bashkëpunëtor i Mehmet Shehut. Jo, por fakt është që për një kohë të gjatë, ti ke qenë në krye të këtij dikasteri si zëvendësministër, më vonë edhe ministër i punëve të brendshme, ku ke drejtuar organet e Sigurimit të Shtetit. Pra, ti ishe i rrethuar atje, nga një agjenturë e fortë dhe shumë e rrezikshme që punonte nën drejtimin e Mehmet Shehut.
Po ashtu, kur ti ke qenë në Sigurimin e Shtetit, vepronte agjentura e Koçi Xoxit. Në atë kohë, duke qenë një shok besnik i Partisë, kishte rreth teje agjentë të Koçi Xoxes, që vepronin sipas direktivave që jepte Beogradi. Ne u jemi futur disi dosjeve të vjetra të asaj kohe. Them disi, pse shumë pak, ose si të them, sa kemi future majën e gishtit në to.
Me këtë dua të them që ti ke një përgjegjësi të madhe për ato që kanë ndodhur atje, pavarësisht se nuk ke qenë i ndërgjegjshëm, pavarësisht nga gabimet që janë bërë atje, që ti i ke marrë në mënyrë të lehtë. Fakt është se, me të gjitha kuadrot që kanë punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Sigurimin e Shtetit, ti ke pasur një formalitet të tepruar, të cilin jam përpjekur të ta vë në dukje e të ta luftoj vazhdimisht, tërë jetën.
Por, me gjithë këshillat që ta kam dhënë, për fat të keq, konstatoj se nuk ka pasur një frymë të shëndoshë partie, në dikasterin e punëve të brendshme. Në vend të kësaj fryme, që duhej të sundonte atje, ka ekzistuar familjariteti i sëmurë. Kjo, sipas mendimit tim, ka ndihmuar që agjentët e Mehmet Shehut, të vepronin nën hundën tënde, pa vënë re gati asnjë element negative, pa lëre për të keq, që ty të të binte në sy.
Ne me të drejtë e kemi konsideruar dhe kurdoherë e konsiderojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme, si një armë të mprehtë në duart e Partisë, dinim se kemi pasur në Sigurimin e Shtetit dhe në tërë organet vartëse të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kuadro nga më të mirët e Partisë, njerëz gjakftohtë, vigjilentë dhe besnik.
Ky ka qenë vazhdimisht orientimi ynë për këtë çështje. Por, në këto çështje të mëdha, konstatoj se fryma e shëndoshë, ose orientimi i shëndoshë që ka dhënë në këta sektorë Partia, ka qenë në dy pjesë. Ka pasur kuadro të këtij sektori, që e kanë kuptuar këtë situatë, por ka pasur edhe nga ata, që nuk e kanë kuptuar dhe kanë bërë të kundërtën, gjë që ka krijuar në opinionin, një situatë të rrezikshme për Partinë, sa të mendohet sikur ekziston një paprekshmëri për punonjësit e Sigurimit të Shtetit.
Ka ekzistuar një respekt i merituar për ta, por edhe një respekt aspak i merituar. Është krijuar, me një fjalë, njëfarë kulti për punonjësit e Sigurimit të Shtetit. Dhe kulti krijohet si nga familjariteti, ashtu edhe nga frika, pse duhet të mos harrojmë që Sigurimi i Shtetit dhe ushtria jonë, dy armë shtypëse që drejtohen kundër elementit armik, të brendshëm dhe të jashtëm.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, varet shumë se si e kupton ky ose ai funksionar i saj, një direktivë të Partisë. Në qoftë se e kupton mirë, atëherë edhe populli do ta dojë dhe do ta respektojë atë. Në qoftë se nuk e kupton dhe nuk e zbaton mirë, natyrisht që do të krijohet frikë në masa.
Pas këtij preambyli dëshiroj të theksoj edhe këtë se, me shokët e Sekretariatit e të Byrosë Politike të Komitetit Qendror, duke përfshirë natyrisht Kadrinë, ne kemi biseduar për këto çështje, po unë kam biseduar edhe veçanërisht me Kadrinë, me Hekuranin dhe me Ramizin për këto probleme. Kemi punuar vazhdimisht pas vdekjes së Mehmet Shehut, me qëllim që ta rregullonim pak situatën, ta vinim këtë në rrugë, prandaj kemi bërë mbledhje të shpeshta me njëri-tjetrin, edhe mendime e informata më të shumta kemi këmbyer, pas të cilave kemi marrë vendime, siç e dini, kemi arrestuat një sërë bashkëpunëtorësh kryesor të Mehmet Shehut, megjithatë thelbit të problemit nuk i jemi future akoma.
Tani këtu ka dy gjëra sa të arrimë atje ku duhet. Çështja është që nëpërmjet hetuesisë, është e domosdoshme që ne të nxjerrim veprimtarinë e të gjithë elementëve armiq, shumë të rrezikshëm, por rezultati do të varet si nga dispozicioni i tyre, do të varet gjithashtu edhe nga zotësia e hetuesve tanë. Pra çështja, për ne nuk është e plotë. Deri tani jemi përpara zbulimit të një veprimtarie armiqësore, shumë të rrezikshme kundër Partisë dhe pushtetit, por kjo e limituar në kohë dhe në njerëz. Këtë që kemi arritur, nuk duhet ta konsiderojmë si të vetmin mjet të zbulimit të kësaj veprimtarie.
Është pastaj çështja tjetër kryesore, që duhet të sqarojmë, të dimë mirë ku kanë vepruar këta armiq, si janë organizuar, si kanë komunikuar me njëri-tjetrin, ç’kanë shfrytëzuar, ligjërisht dhe jo ligjërisht, në mënyrë të hapët dhe në mënyrë të fshehtë, ç’agjenturë kanë përdorur, sa kanë qenë të vërteta të dhënat e agjenturës, format dhe metodat e zbulimit të këtyre të vërtetave, dhe të gjitha këto duhet të shoqërojnë atë hetuesi personale, që u bëhet e do t’u bëhet të arrestuarve.
Përveç të tjerëve, kam biseduar disa herë me shokun Kadri, i kam thënë dhe ai vetë gjithashtu më ka thënë, se ka bërë gabime kur ka punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ke bërë gabime, i kam thënë, po këto nuk kanë qenë të bëra me qëllim nga ana e tij. Kam bërë gabime nga mungesa e vigjilencës, nga familjariteti, ose nga dashamirësia, më ka shpjeguar ai.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po, shoku Enver, kështu kemi biseduar.
SHOKU ENVER HOXHA: Kështu, me dashamirësi, ai ka besuar, ka marrë një informatë apo ka kryer ndonjë akt, duke u mbështetur te besimi që ka pasur tek ai, që ai ka paraqitur dhe i ka kaluar pa u thelluar, pa menduar për rrezikshmërinë e saj. Këtë Kadriut ia kam shoqëruar kurdoherë me këshillën, që të jetë i çlirët, se është komunist i vjetër dhe anëtar i Byrosë Politike dhe ai e di mirë se si luftohet me armikun, si lufton Partia etj.
I kam kërkuar gjithashtu Kadriut, që të ndihmonte shokun Hekuran, pas vajtjes së këtij në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pse ky nuk e ka përvojën e Kadriut dhe ka nevojë për ndihmë, sidomos në këto situate kaq të koklavitura dhe të rrezikshme, që na janë krijuar nga armiqtë. Tani sa e ka ndihmuar Kadriu, shokun Hekuarn dhe çfarë ka kërkuar shoku Hekuran prej tij, këtë nuk e di, për këtë ata mund të flasin vetë. Por unë kisha edhe një qëllim, që e porosita Kadrinë ta ndihmonte Hekuranin dhe jo vetëm me supozime, por sidomos duke e vënë në dijeni, për veprimet kryesore që janë kryer në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që unë nuk i dija.
Është e pamundur që të kesh punuar për 40 vjet të tëra në një dikaster, siç është Ministria e Punëve të Brendshme, të mos kenë dalë atje akte dhe të mos jenë marrë vendime të mira, por edhe të gabuara, të këqija, sidomos kur tani jemi duke zbuluar se, atje ka vepruar një grup i fortë armiqsh. Këtë Kadriu e kuptoi apo nuk e kuptoi, nuk e di, por mendoj se duhet të kuptonte dhe t’i futej një çik analizës së thellë të punës, që ka bërë vetë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Mua më duket se ai disi e kuptoi këtë, pse më erdhi një ditë e më tha: “Shoku Enver, kam përgatitur një autokritikë”.
Të them të drejtën, menjëherë i’u përgjigja, se nuk ishte nevoja për këtë autokritikë, se të njohim, ti ke punuar një kohë të gjatë atje dhe gabime mund të kesh bërë.
- Po, kam bërë gabime të vogla, më tha ai. Të lutem, më kërkoi pastaj, më lejonin ta këndoj autokritikën dhe dëgjojeni.
Me qenë se nguli shumë këmbë, i’u përgjigja: E po mirë, atëhere, po të dëgjoj. Dhe e dëgjova autokritikën e tij. Pastaj, kur më tha ta merrja në dorëzim autokritikën e tij të shkruar, refuzova. Unë nuk e mbaj këtë autokritikë, i thashë.
Po përse nuk e mbajta autokritikën e Kadriut, deri sa e kam për detyrë ta pranoj një gjë të tillë, që më vjen nga një shok, sidomos kur vjen nga një anëtar i Byrosë Politike? Të them të drejtën, dhe këtë nuk i’a shpreha në atë takim Kadriut, se nuk doja ta shqetësoja, mbasi punë të madhe kishim përpara në Sektorin e ushtrisë, prandaj vetëm e njoftova se nuk do ta mbaja, bile as që është nevoja ta mbaj, i thashë.
Megjithatë, duhet t’ju them, shokë, se autokritika e shkruar nga ana e Kadriut, ishte shumë e përgjithshme, përmbajtja e saj nuk kishte ndonjë gjë të rëndësishme, ai atje, në qoftë se nuk gabohem, vetëm pohonte që: “në Ministrinë e Punëve të Brendshme, janë bërë gabime, prandaj nuk ke se si shpëton prej tyre, se edhe vetë ai ka të meta etj”.
Në autokritikë, Kadriu godiste edhe Mehmet Shehun e gjithë agjentët e tjerë me radhë, por, të them të drejtën, konkretisht kjo autokritikë nuk më ngrohu fort. Mendimi i përgjithshëm imi ishte ky, dhe këtë e thashë me vete, që shoku Kadri nuk është thelluar sa duhet në analizën e punës së tij, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e kurdisur dhe e pleksur kjo edhe me veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut dhe të agjentëve që ky i kish vënë atij rreth e rrotull. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016