Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, ku ndodhet dhe fondi personal, i ish-sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PPSh-së, prej të cilave kemi shkëputur disa pjesë nga ditari i tij politik që i përket një periudhe kohore që nga fillimi i janarit të vitit 1979, e deri në shkurtin e 1982-it, ku në fokus të shënimeve të tij, janë ngjarjet e zhvilluara në Iran, ku forcat kryengritëse islamike të udhëhequra e të frymëzuara nga Ajatollah Kohmeini që arritën të rrëzonin nga froni Shahun Reza Phalevi, i cili duke pasur mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u detyrua që të largohej me avion nga vëndi, duke mbërritur fillimisht në Kajro, ku u prit si mik personal nga Presidenti Janvar Sadat e gjithashtu, edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zhehrar Ford, (që ndodhej ato ditë për vizitë në Egjypt), për t’u larguar më pas drejt SHBA-ës. Pas rrëzimit dhe kargimit nga vëndi të Shahut Reza Palehvi, në fund të janarit të vitit 1979, në Tehran mbërriti Ajatollah Kohmeini, udhëheqësi shpirtëror fetar i iranianëve shiit, që thuhej se drejtonte revolucionin për rrëzimin e dinastisë së Palehëveve, që nga Parisi, ku qëndronte prej vitesh. Si i ka përshkruar të gjitha ato ngjarje, në ditarin e tij politik, udhëheqësi i Shqipërisë komuniste, diktatori Enver Hoxha, i cili midis të tjerash shprehet: “Shahu, për t’u mbrojtur nga populli, kishte blerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një sasi të madhe armatimesh nga më modernet që kanë shitur këto jashtë, kishte krijuar një ushtri prej qindra mijë vetash, me të gjitha llojet e armëve, me avionë, me tanke, me mitraloza, me raketa nga më modernet, kishte ndërtuar shumë aerodrome. Të gjitha këto, bëheshin për të mbrojtur pasuritë e amerikanëve në Iran dhe pasuritë e shahut, si dhe për ta mbajtur popullin në mjerim. Natyrisht, një gjendje e tillë, nuk mund të vazhdonte tërë jetën, megjithëse ndihma materiale ushtarake e politike Shahut, i vinin nga të katër anët e botës. Përveç të tjerëve, edhe perandoria e re kineze, i hodhi trëndafila Shahut. Vetë Hua Kuo Feni, shkoi në Iran dhe me përzemërsinë më të madhe, bisedoi për një: “miqësi madhe e të shëndoshë”, me Shahun e Persisë dhe i uroi jetë të gjatë këtij furnizuesi të fuqishëm me naftë, të miqve të mëdhenj të Kinës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kapitalizmit botëror”.
Ditari politik i Enver Hoxhës
E DIEL 14 JANAR 1979
LAVDI POPULLIT IRANIAN!
Populli i Persisë është një popull me tradita të lashta përparimtare, me kulturë të madhe, me një filozofi të gjerë idealiste. Nga gjiri i tij, kanë dalë shkrimtarë, poetë, filozofë e shkencëtarë, që kanë habitur botën. Veprat e tyre edhe sot janë me autoritet në thesarin e madh kulturor botëror. Historia e popullit persian dhe e njerëzve të shquar të dalë nga gjiri i tij, është një nga pjesët më të lavdishme të historisë botërore. Shumë nga këta njerëz të mëdhenj, filozofë, poetë, si: Sadiu, Firdusiu, Omar Khajami e të tjerë, e të tjerë, kanë qenë njerëz të thjeshtë të popullit dhe shkrimet e tyre e kanë burimin te populli, pavarësisht se përkraheshin nga Shahët e perandorive të ndryshme.
Tradita e kësaj diturie, e kësaj shkence, ka kaluar brez pas brezi. Në kohët modern, Irani u bë pre e imperializmit, sidomos e imperializmit anglez, i cili ishte i pari që zbuloi vajgurin në këtë vend, nga mori prej Shahëve e princërve të Persisë, koncesione të mëdha për “Anglo-Persian Oil Kompani” dhe këto i mori për 5 grosh. Më vonë, kur e pa që dolën thesare të mëdhenj, Admiraliati i Flotës angleze, e mori këtë pasuri nën drejtimin e vet, pse pa këtë Anglia, nuk mund të kishte një flotë që të dominonte oqeanet dhe nuk mund të zhvillonte një industri të përparuar në metropolin e vet. Prandaj “Anglo-Persian Oil Kompani”, i zgjeroi shumë në favor të vet territoret e shfrytëzimit të naftës, rreth Abadanit në Gjirin Persik, e më tej dhe e mbushi vendin me puse, prej nga thithte “floririn e zi”, dhe ndërtoi atje rafineri të mëdha.
Që këtej, me vaporë të ndërtuar posaçërisht për këtë qëllim, me cisterna; transportonte naftën në metropole e gjetkë, të cilën këtë herë e shiste me flori të verdhë. E gjithë kjo, i shërbente strategjisë së imperializmit, në synimin për të dominuar botën. Më vonë, në nxjerrjen, në përpunimin dhe në transportimin e natës, çdo gjë u perfeksionua, me qëllim që fitimet të ishin sa më të mëdha për kolonizatorët dhe mjerimi i popullit iranian, të shtohej sa më tepër. Në Iran, lëvronin thërrimet që binin nga sofra e madhe e Perandorisë Angleze dhe këto thërrime, i ndanin në mes tyre Shahët, të cilët u jepnin diçka edhe princërve të tjerë, në krahina të ndryshme të Persisë, që ishin plot me fusha naftëmbajtëse.
Përfaqësuesit e dinastisë së Xharëve dhe pas tyre ajo e Pahlevëve, u bënë pasanikët më të mëdhenj të Persisë e jo vetëm të kësaj, por edhe të botës, sepse Persia ,arriti të zinte vendin e dytë në glob, për nxjerrjen e naftës. Atje, siç e dimë, kanë ndodhur turbullira e konflikte popullore, të cilat e kanë pasur burimin edhe në rezistencën e popullit, kundër Shahut dhe Shahinave që bënin një jetë përrallore, por edhe kundër imperializmit anglez, që shfrytëzonte pa mëshirë popullin, i cili s’kishte bukë të hante, s’kishte këpucë në këmbë e s’kishte rroba në trup, në qytete, por sidomos në fshatra.
Të mos flasim për shumë nga këto, po për konfliktin në mes partisë “Tudeh” të bashkuar me borgjezinë latifondiste demokrate të Musadekut, nga njëra anë, dhe Ferandorisë Angleze, të përfaqësuar nga koncesioni i madh i petrolit anglez, nga ana tjetër. Si rezultat i këtij konflikti dhe i kësaj kryengritjeje, Musadeku, në fillim të vitit 1951, futi në dorë pushtetin.
Qeveria e krijuar prej tij shtetëzoi naftën, kështu që Perandoria Angleze dhe perandoritë e tjera që merrnin naftë nga Persia, rrezikoheshin të mbeteshin me gisht në gojë, pse pjesa më e madhe dërrmuese e të ardhurave të naftës, do t’i shkonte popullit iranian, me fjalë të tjera, situata do të ndryshohej përsëri në disfavor të shahut Pahlevi.
Fitorja e kryengritjes së forcave që përfaqësonte Musadeku dhe të partisë “Tudeh”, parti e cila kishte një frymëzim, si me thënë, komunist, e detyroi Shahun të largohej me shpejtësi me avion për në Romë, por ndërhyri CIA, e ci1a, në bashkëpunim me gjeneralët e Shahut dhe me demagogji, mashtroi llumin e Teheranit dhe e nxori atë në rrugë, gjoja për të mbrojtur Musadekun, por, në fakt, rrethoi pallatin ku gjendeshin anëtarët e qeverisë, të cilët i arrestoi bashkë me Musadekun, shpartalloi pa mëshirë partinë “Tudeh”, vrau e burgosi anëtarët e saj dhe e mbyti në gjak këtë kryengritje demokratike të popullit.
Qendra e kësaj revolte, e cila nuk pati një zhvillim të madh në të gjithë Iranin, ishte Teherani. Me ndërhyrjen e amerikanëve, natyrisht, pjesa vendit në vajguri, iu dha Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat luajtën rolin vendimtar për shtypjen e kryengritjes popullore. Pjesa tjetër më e vogël, i mbeti Anglisë dhe, në radhë të tretë, çka mbetej, e kjo që mbetej ishte përsëri shumë, se aq e madhe qe pasuria e naftës, iu dha Shahut Muhamed Reza Pahlevi. Kështu, ky u bë një monark i fuqishëm, një megaloman i madh, një perandor që e nxirrte origjinën e tij, nga lashtësia e largët që nga koha e asirianëve.
Bile edhe 2.500-vjetorin e themelimit të shtetit të parë Persian, e festoi në shkretëtirë, ku ngriti tenda të mëndafshta edhe thirri të gjithë kryetarët e qeverive të botës, që nga Titoja deri te kinezët, të cilët shkuan dhe bënë aheng, duke e ngritur në qiell famën e Shahut të Iranit, të këtij njeriu barbar, feudal mesjetar, që thithte gjakun e popullit iranian, i cili vuante në mjerimin të madh në varfëri, në injorancë. Shahu u bë vale i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto ishin, padroni që sundonte, që thithte pjesën më të madhe të vajgurit dhe bënte ligjin në Iran.
Të ardhurat që merrte, Shahu, i investonte jashtë vendit në emrin e tij e të familjes. Ai investonte në shoqëritë e mëdha të çelikut në Gjermani, në Shtetet e Bashkuara e gjetkë, blinte rrugë të tëra plot me pallate dhe me hotele në vendet kryesore të botës, depozitonte flori e gurë të çmuar në bankat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Evropës, për t’i pasur si pasuri të tij vetjake, për kohë të këqija. Brenda në vend, ai kishte krijuar SAVAK-un, një armë mizore, që vriste e priste cilindo që kundërshtonte, ose që thoshte qoftë edhe një fjalë, kundër këtij gjakpirësi. Këtë herë jo vetëm nafta, por tërë vendi si territor, politikisht dhe ushtarakisht, ishte shitur tek amerikanët.
Shahu, për t’u mbrojtur nga populli, kishte blerë nga Shtetet e Bashkuara, një sasi të madhe armatimesh nga më modernet që kanë shitur këto jashtë, kishte krijuar një ushtri prej qindra mijë vetash, me të gjitha llojet e armëve, me avionë, me tanke, me mitraloza, me raketa nga më modernet, kishte ndërtuar shumë aerodrome. Të gjitha këto, bëheshin për të mbrojtur pasuritë e amerikanëve në Iran dhe pasuritë e shahut, si dhe për ta mbajtur popullin në mjerim.
Natyrisht, një gjendje e tillë, nuk mund të vazhdonte tërë jetën, megjithëse ndihma materiale ushtarake e politike Shahut, i vinin nga të katër anët e botës. Përveç të tjerëve, edhe perandoria e re kineze, i hodhi trëndafila Shahut. Vetë Hua Kuo Feni, shkoi në Iran dhe me përzemërsinë më të madhe, bisedoi për një: “miqësi madhe e të shëndoshë”, me Shahun e Persisë dhe i uroi jetë të gjatë këtij furnizuesi të fuqishëm me naftë, të miqve të mëdhenj të Kinës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kapitalizmit botëror.
Hua Kuo Feni, u nda si miku më i mirë i Shahut të Iranit, por duhet thënë se; këto lidhje të Kinës, me perandorin e Pahlevëve, ishin vendosur edhe para ardhjes së Hua Kuo Fenit dhe të Ten Hsiao Pinit në fuqi. Mao Ce Duni dhe Çu En Lai, ishin bërë miq të ngushtë me Shahun e Iranit, ku udhëheqës kryesorë kinezë, si Li Hsien Nieni e, të tjerë, venin e vinin sa herë të donin. Edhe në Pekin, pritej me madhështi motra e Shahut, një nga pasaniket më të mëdha të Iranit, këshilltare e vëllait të saj, në planet për robërimin dhe për shtypjen e popujve dhe një intrigante me nam.
Kjo ishte princesha Ashraf, që pritej me nderime të mëdha nga Mao Ce Duni dhe nga Çu En Lai. Megjithëse forcat e reaksionit, të imperializmit, të revizionizmit, të kapitalizmit botëror vepronin së bashku, nuk mundën ta shtypnin popullin heroik të Iranit. Ndjenja e lirisë dhe e pavarësisë, po ziente tek ai, si një vullkan i madh. Mëria po shtohej, urrejtja dhe zemërimi po rriteshin gjithnjë e më tepër, derisa më në fund, populli shpërtheu. Ka tre muaj që gjithë populli i Iranit, proletariati iranian, gjithë punëtorët e naftës, u ngritën në revolta të hapëta. Me mijëra, me qindra mijë njerëz, ditë e natë, mbushnin rrugët e të gjitha qyteteve të Iranit, duke bërtitur: Vdekje Shahut! Poshtë Shahu! Jashtë Shahu! Jashtë imperializmi amerikan!
Të shtënat e mitralozave, të urdhëruara nga Shahu, gjëmonin nëpër rrugë, ku vriteshin me qindra njerëz të popullit e megjithatë, përsëri me qindra mijë të tjerë, dilnin të nesërmen me trupat e të vdekurve në krahë, me grushtet përpjetë, duke protestuar pa pushim, ditë e natë. As ushtria, as tanket, asgjë nuk e trembi këtë popull heroik. Ishte krijuar një gjendje e tillë revoltuese, në popullin Iranian, sa nuk mund të kishte as tank amerikan, as tank kinez, as tank sovjetik, as tank anglez, që të ndalonin shpërthimin e tij dhe sulmin kundër perandorisë mesjetare barbare, shfrytëzuese, skllavëruese të shahut Muhamed Reza Pahlevi, shërbëtor i imperializmit dhe i kapitalizmit botëror.
Kjo tregon se kushtet objektive në Iran, ishin pjekur. Një kryengritje e tillë e popullit, me një forcë kaq të madhe, sigurisht udhëhiqej nga një moment subjektiv. Kush ishte ky moment subjektiv? Duan të thonë se; ishte ndjenja e islamizmit, ishte Ajatollah Khomeini, i cili banon në Paris dhe që andej u jep udhëzime të revoltuarve. Fakt është, dhe duhet njohur, se ky person dhe sekti i tij shiit, aktualisht luajnë një rol, si faktor subjektiv, në revoltën e popullit iranian, por në asnjë mënyrë nuk janë vetëm ky dhe sekti i tij forca vendimtare.
Në udhëheqje të këtij revolucioni, mund të themi me tipare demokratiko-borgjeze, anti-imperialist në Iran, parulla e të cilit është: “Vdekje Shahut”!-, është edhe borgjezia përparimtare, bile dhe afetare, si dhe komunistë e patriotë të vërtetë iranianë. Me muaj të tërë, ditë e natë, pa frikë e me një guxim shembullor, si një “rouleau compresseur” kryengritësit, çajnë barrikadat e armikut, pa u trembur aspak nga plumbat e ushtrisë së Shahut, pa u trembur nga vdekja.
Froni i Pahlevisë, është lëkundur dhe nga dita në ditë pritet të bjerë. Shahu i Iranit në mos sot, nesër me siguri do të qërohet prej andej. Ai ka deklaruar se; do të largohet për një kohë gjoja për pushime, por, në fakt, do të largohet për të mos u kthyer më. Shahu po ikën me lezet, por s’ka punë lezeti këtu. Janë forca, rezistenca, kryengritja e popullit që e detyrojnë atë ose të vritet, ose të kapet i gjallë nga populli, ose të marrë avionin e, të shkojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zaten atje i ka dërguar të gjithë njerëzit e familjes, kurse ai vetë, po qëndron një çikë më vonë, derisa të krijojë njëfarë ‘modus vivendi’, një qeveri gjoja që të pranohet dhe një regjencë, domethënë të quhet sikur Shahu, nuk ka dhënë dorëheqjen e, që më vonë biri i tij, të ketë pretendime për fronin dhe për këtë qëllim, ai ka caktuar një person, të cilin e ka mohuar partia e vet, partia e Ajatollah Khomeinit. Kryesorja është se; revolta e madhe e popullit heroik Iranian, kundër imperializmit botëror, kundër Shahut, kundër armëve të panumërta e modern, kundër asaj kuçedre që dukej e pamposhtur, fitoi.
Populli, ndonëse i paarmatosur, me forcën e madhe të vullnetit të tij, që e manifestonte çdo ditë përballë forcave të armatosura të shahut, tregoi se është i pamposhtur, gjë që i tronditi Shtetet e Bashkuara dhe detyroi të largohen nga Irani me dhjetëra mijë specialistë të huaj. Aeroplanmbajtëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë afruar në ujërat e Iranit, por pa shpresë. Kështu kësaj radhe CIA, e humbi davanë në Iran. Nuk fitoi dot si në kryengritjen e Musadekut, sepse këtë here, kryengritja ka marrë përpjesëtime të mëdha.
Nafta e Iranit, nuk kullon më në sulinat e cisternave angleze, amerikane, kineze etj., etj. Kjo tregon se ç’forcë e madhe është populli. Populli Iranian, rrëzoi perandorinë dhe e detyroi të dështojë forcën e madhe ushtarake e politike të imperializmit amerikan, të imperializmit botëror. Ky është një fakt me shumë rëndësi, që shërben si një shembull i madh për popujt e tjerë të botës, të cilët duhet të nxjerrin konkluzione, nga kryengritja e këtij populli heroik…!
Pra, siç e theksova, të gjitha ato që ndodhën në Iran, janë shembull i forcës së popullit dhe tregojnë se faktorët objektivë e subjektivë të revolucionit, janë krijuar. Vetëm duhet kuptuar që në këto ngjarje, faktori subjektiv nuk është vetëm dhe thjesht Partia Komuniste marksiste-leniniste e Iranit, pse atje ka të tjera forca progresiste demokratike, borgjeze, antifeudale, anti-imperialiste që veprojnë.
Që këtej, Partia Komuniste marksiste-leniniste e Iranit, duhet të nxjerrë mësime dhe të futet brenda në popull, të jetë në ballë të situatës, të krijojë lidhjet me popullin, me proletariatin, t’i tregojë ç’fitore të madhe korri ai dhe të dijë të ndërtojë aleancat me ata elementë, me ato shtresa demokratike, që morën pjesë aktive në kryengritje dhe tok me ato, të shkojë përpara nga etapa në etapë.
Popujt, partitë marksiste-leniniste dhe elementët përparimtarë, duhet të nxjerrin konkluzione të drejta nga kryengritja e Iranit. Imperializmi amerikan dhe kryesisht ai sovjetik, që janë në rivalitet për zona influence, zakonisht akuzojnë njëri-tjetrin, për organizim kryengritjesh e revoltash në ato vende, popujt e të cilave, luftojnë për çlirimin e tyre kombëtar, e shoqëror. Këtë e bëjnë me qëllim, që t’i denigrojnë këto kryengritje e revolta, t’ua ulin vlerën e vërtetë e, t’i sabotojnë më lehtë. Kjo taktikë, po zbatohet prej tyre edhe për revoltën e madhe të popullit Iranian, kundër Shahut e imperializmit.
Kjo nuk është e vërtetë. Ata, po, kanë gisht në këtë revoltë, por në një drejtim tjetër dhe konkretisht: Imperializmi amerikan, kërkon të ruajë privilegjet që ka pasur në Iran dhe bëri e bën çmos, që t’i ruajë këto privilegje. Imperializmi sovjetik, përpiqet të përfitojë nga rasti për të siguruar privilegje për vete. Për këtë qëllim, Karteri, foli dy-tri herë në mbështetje të shahut të Iranit, po ashtu nuk mbeti pas as Bashkimi Sovjetik, duke deklaruar se, nuk do të lejonte ndërhyrjen e shteteve të tjera në Iran. Fakt është, se në Iran, imperializmi amerikan, pësoi një disfatë politike, ushtarake dhe ekonomike, u godit aleanca e tij me Shahun.
Por a i lau duart imperializmi amerikan nga Irani? Është gabim të mendohet e të thuhet se i ka larë krejtësisht duart. Jo, ai do të përdorë taktika të reja, taktika në forma e në mënyra gjoja demokratike, do të përpiqet të hyjë në marrëveshje, në ujdi, natyrisht më pak të favorshme sesa në kohën e shahut, me atë pushtet demokratiko-borgjez që do të vendoset në Iran pas largimit të Shahut. Edhe imperializmi sovjetik, ka në Iran elementët e tij, me të cilët vepron për interesat e vet në kundërshtim me ata të imperializmit amerikan. Imperializmi sovjetik, nuk ka luftuar shumë kundër Shahut, përkundrazi e ka përkëdhelur atë.
Bashkimi Sovjetik në Iran, ka influencë në kurdët, azerbajxhanasit, por edhe në partinë “Tudeh”, të cilën e përdor dhe do ta përdorë për qëllimet e tij. Ai do ta ushtrojë influencën e vet edhe pas krijimit të një qeverie tjetër demokratike, borgjeze, siç predikoi se do të vendoset Ajatollah Khomeini, në intervistën që dha në Paris. Është deklaruar se, pas rënies ose heqjes së Shahut dhe me shpalljen e republikës, sipas fjalës së Ajatollah Khomeinit, do të bëhen disa reforma për popullin: do të likuidohet SAVAK-u, e tmerrshmja polici e Shahut, që shtypte popullin, ose do të likuidohet ushtria e madhe iraniane, do të nxirren disa njerëz në gjyq, gjë që s’ka dyshim, dhe do të konfiskohet pasuria e disa njerëzve, që kanë abuzuar më tepër e që çështja e tyre është bërë skandaloze.
Aktualisht, konstatojmë se Shahu, para se të ikë, siç po njoftojnë agjencitë e lajmeve, ka krijuar Këshillin e Regjencës, ku bën pjesë kryeministri, shefi i shtabit të përgjithshëm e të tjerë. Ky kryeministër, Shapur Baftjari, është njeriu i Shahut, pra i amerikanëve. A do të mundë ai ta marrë fuqinë, ose të bëjë një grusht shteti? Këtë do ta shohim, por aktualisht atë e mohojnë dhe nuk e pranojnë as masat e popullit, as Ajatollah Khomeini në Paris, i cili ka deklaruar se, do të formojë një qeveri të tijën, që do të qëndrojë e paanshme, as me Bashkimin Sovjetik, as me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nga sa po duket, dy superfuqitë imperialiste po bëjnë pazarllëqe në kurriz të popullit iranian, në kurriz të gjakut që u derdh, ndonëse, siç duket, Ajatollah Khomeinit, akoma nuk ia kanë marrë krahët as amerikanët, as sovjetikët. Në qoftë se amerikanët arrijnë t’ua marrin krahët Khomeinit dhe pasuesve të tij, atëherë patjetër në Iran, do të ngjasë gjakderdhje dhe kryengritja e popullit, do të shtypet. Çdo të bëjnë sovjetikët, këtë do ta shohim. Këta mbase do të përpiqen t’i gjejnë anën Ajatollah Khomeinit, duke bërë që ky, të krijojë një qeveri që të shikojë edhe interesat e Bashkimit Sovjetik, ashtu si edhe interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo do të jetë një rrugë e mesme, dhe nëse do të arrihet kjo rrugë, këtë do ta shikojmë. Sidoqoftë, do të vazhdohet të luhet në kurriz të popullit, pse regjimi demokratik që do të vendoset pas ikjes së Shahut, do të jetë një regjim si të gjitha regjimet e tjera të pellgut të naftës, të pellgut të Lindjes Mesme. Do të luhen shumë intriga, që ky revolucion të mos bëjë reforma të thella. Në këtë vend strategjik me rëndësi të madhe, do të duhet akoma një kohë e gjatë që populli, të bëhet edhe më i ndërgjegjshëm për forcën e tij të madhe që ka dhe kjo ndërgjegje, duhet të krijohet nga një parti marksiste-leniniste e vërtetë. Aktualisht, kjo parti pothuajse nuk ekziston, ose është një forcë shumë e vogël, influenca e së cilës, akoma nuk ndihet, ose ndihet shumë pak.
Influenca sovjetike, mund që të ndihet nëpërmjet qeverisë që do të vendoset në këtë vend, por kjo do të ndihet patjetër, për interesat e Bashkimit Sovjetik imperialist dhe gjoja në format e një demokracie për popullin. Bashkimi Sovjetik, do të futë këmbët në Gjirin Persik, ashtu siç përpiqet t’i futë edhe në Irak.
Prandaj në këtë zonë kaq të rëndësishme për tërë botën, si nga ana ekonomike, ashtu edhe strategjike, do të luhen taktika dhe strategji të shumta, të cilat duhet t’i vëzhgojmë, pse kanë rëndësi të madhe, kanë rëndësi për të ardhmen e botës, në kuptimin që ky rajon, mund të jetë shkëndija e një lufte botërore, por mund të jetë njëkohësisht edhe shkëndija e revolucioneve zinxhir, revolucione demokratiko-borgjeze, që mund të kalojnë në revolucione të vërteta.
Lindja e Mesme, është në zjarr e në flakë. Irani tash është në pararojë, kurse vendet e tjera të kësaj zone gjenden në rrëmujë, në intriga të panumërta. Populli i këtyre vendeve, është i topitur, është nën zgjedhën e kapitalistëve vendës të lidhur me kapitalistë të ndryshëm të huaj. Një gjë i lidh këto vende me njëri-tjetrin: lufta gjoja kundër Izraelit, kurse lidhjet e tjera, janë të dukshme me njërin ose me tjetrin imperialist, të cilët veprojnë shumë më lehtë, sesa veprojnë aktualisht në Iran.
Në ditët e sotme këtu, populli është në lëvizje dhe është bërë një forcë e madhe. Por si dhe ku, në ç’drejtime do të kanalizohet, konkretisht çfarë do të dalë nga kjo lëvizje e madhe popullore, këtë do ta shohim. Pozitiv është fakti që; për herë të dytë në Iran, populli po ngrihet kundër Monarkisë, kundër feudalizmit në një luftë anti-imperialiste dhe për një demokraci borgjeze popullore progresiste. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016