Dashnor Kaloçi
Memorie.al/“Një nga burrat më të shquar dhe më të përmendur të fisit Xhavella, prej nga rrjedh familja jonë Tasho, ka qenë edhe Kiço Xhavella, i cili arriti të bëhej deri kryeministër i Greqisë. Në kërkimet e shumta që kam bërë prej afro tre dekadash për historinë e familjes sonë, kam gjetur edhe mjaft shkrime dhe studime të bërë nga autorë vendas dhe të huaj, që i kushtohen Kiço Xhavellës së famshëm, i cili u lind në vitin 1801 në fshatin Sul dhe u rrit në ishullin e Korfuzit, ku kishin emigruar të parët e tij. Në vitin 1820 ai u rikthye në Sul, pas marrëveshjes që kishin bërë Xhavellat me Ali Pashë Tepelenën dhe në atë kohë në moshën 19 vjeçare, ai morri titullin Kapedan. Pas kësaj Kiço Xhavella u bashkua me Marko Boçarin dhe luftoi së bashku me të e si rezultat edhe I famës që ai fitoi në ato luftëra, në vitin 1835, Mbreti Othon, e emëroi Kiçon si adjutant të tij, duke e graduar kolonel dhe inspektor të përgjithshëm të ushtrisë. Pas vdekjes së ministrit të Mbrojtjes së Greqisë, Karaiskapit në vitin 1844, Kiço Xhavella shërbeu si prokuror dhe krye-gjeneral, ndërsa në vitet 1847-’48, ai u zgjodh në postin e lartë të kryeministrit të Greqisë”. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për Memorie.al, është Anesti Tasho nga Korça, (me profesion inxhinier mekanik) i cili rrëfen të gjithë historinë e të parëve të fisit të tij, Xhavellave të famshëm të Sulit, nga ku dolën burra të shquar që bënë emër të madh në historinë e Greqisë dhe më gjerë në Ballkan, pasardhësit e të cilëve sot jetojnë në Shqipëri dhe njihen me mbiemrin Tasho.
Xhavellat e Sulit në Greqi
Sipas studiuesit suliot, Niko Zhagu, Suljotët janë njohur që prej disa shekujsh dhe disa prej tyre kanë marrë pjesë edhe në Gardën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Që nga ajo kohë e deri në shekullin e XIX-të, ata qëndruan në Sul si zotër të asaj krahine. Ndër burrat më të përmendur e të shquar që ka nxjerrë ajo familje shqiptare ndër shekuj, kanë qenë Foto dhe Kiço Xhavella, të cilët në vitet e para të shekullit të XIX-të dhanë një kontribut të çmuar në fitoren e revolucionit grek të vitit 1821. Sipas studimeve që ka bërë Anesti Tasho, krahina e Sulit shtrihet në një zonë tepër të thyer malore në zemër të maleve Murga, Zabruku, Kurila etj., atje ku buron lumi Akreon. Ajo krahinë ndodhet rreth 45 km. në Jug të qytetit të Janinës, e rreth 30 km nga deti Jon. E gjithë krahina ka një gjatësi prej 42 km. dhe gjerësi prej 26 km., duke zënë një sipërfaqe prej 1100 km. katror. Në fillimin e shekullit të XVIII-të, popullsia e Sulit arriti deri në 7000 banorë dhe pushtetin aty e kishte në dorë Këshilli i Sulit, i cili përbëhej prej 47 burrash, nga krerët e fiseve më të dëgjuara të vendit, si: Xhavellat, Boçarët, Ohrojkat, Nikajt, Dangëllinjtë, Fotomarajt etj. Këshilli kishte vulën e vet me mbishkrimin “Këshilli i Atdheut”, ndërsa bashkësia e Sulit e cila vetëqeverisej si e pavarur nga Stambolli, ishte e organizuar ushtarakisht dhe mbante të gatshëm rreth 2500 ushtarë, por kur ajo sulmohej nga turqit, pothuaj të gjithë suljotët, burra dhe gra, futeshin në ushtri. Dora d’Istria e ka quajtur Sulin Republikë, për arsye se që në shekullin e XVII-të, aty ishte formuar një farë republike qytetare.
Xhavellat kundër Ali Pashës Tepelenës
Një pjesë mjaft interesante e historisë së familjes Xhavella (Tasho), është dhe ajo që i përket periudhës së sundimit të Ali Pashë Tepelenës, ku Xhavellat luftuan kundër tij, duke mos pranuar nënshtrimin nga ai. Sipas studimeve të bëra nga Anesti Tasho, aty nga pranvera e vitit 1722, Ali Pashë Tepelena u shkroi disa letra kapedanëve të Sulit, duke u premtuar atyre toka dhe ofiqe, me kusht që ata të hynin në shërbim të tij. Disa nga kapedanët e Sulit nuk i zunë besë premtimeve të Pashait plak të Janinës, dhe duke refuzuar ofiqet e rrogat e majme, nuk pranuan që të viheshin nën hyqmin e tij. Vetëm Llambro Xhavella, me 17 burra nga fisi i tij, pranuan që të shkonin dhe të bisedonin me Ali Pashë Tepelenën, lidhur me oferta që ai u kishte bërë me anë të letrave që u kishte dërguar veç e veç, pothuaj të gjithë kapedanëve të Sulit. Por kur suljotët hodhën poshtë të gjitha ofertat e tij dhe nuk pranuan që të bënin asnjë marrëveshje me Pashain plak të Janinës, ai arrestoi Llambro Xhavellën, duke e kërcënuar që ai të pranonte sundimin e tij. Por më pas ai e lejoi të ikte, duke i mbajtur peng Llambros, djalin e tij 15 vjeçar, Foto Xhavellën. Kur Llambro u kthye tek njerëzit e tij, ata kujtuan se ai ishte vënë në shërbim të Pashait plak dhe ishte paguar prej tij, pasi ai kishte lënë djalin dhe njerëzit e tij tek ai. Por kur arriti tek Boçarët, Llambro gjeti edhe kapedanë të tjerë që prisnin fjalën e tij. Pas kësaj, në prani të tyre, ai shkroi një letër të cilën i’a dërgoi menjëherë Pashait plak, ku mes të tjerash i shkruante: “Gëzohem që po gënjej një gënjeshtar, që biri im do të vdesë, po unë Xhavella, nuk do të hyj në dhe pa ta marrë gjakun. Kam një grua të re, plot me shpresë për të përtërirë trashëgimtarin që po ma mban aty”. Po kështu, në atë letër tepër befasuese për Pashain plak të Janinës, Llambro Xhavella i shkruante se: këmba e Aliut nuk do të shkelte kurrë në malet e Sulit. Pas kësaj, në pranverën e vitit 1782, Ali Pashai dërgoi në Janinë të gjithë robërit suljotë dhe nisi rreth 1500 forca ushtarake për të nënshtruar Sulin. Por pas disa sulmesh dhe kundërsulmesh, Ali Pashai që rrinte i strukur në sarajet e tij në Janinë, nga frika e ndonjë hakmarrje të mundshme të suljotëve dhe në pamundësi për t’i nënshtruar ata, ai u detyrua që t’u propozonte atyre disa kushte për vendosjen e paqes me ta. Ato kushte që Pashai plak i Janinës u ofroi suljotëve, konsistonin në: lënien në tokat e tyre, (duke përfshirë edhe luginën e Derviçanit), pagesën e një dëmshpërblimi për ta, si dhe lirimin e kthimin e Foto Xhavellës pranë familjes së tij, kushte të cilat Xhavelalt i pranuan menjëherë, duke i konsideruar ato si: kapitullim të Ali Pashait.
Kryeministri i Greqisë
Një nga burrat më të shquar dhe më të përmendur të fisit të njohur Xhavella, ka qenë Kiço Xhavella, i cili arriti të bëhej edhe kryeministri i Greqisë. Lidhur me këtë, Anesti Tasho dëshmon: “Në kërkimet e shumta që kam bërë prej afro tre dekadash për historinë e familjes sonë, kam gjetur edhe mjaft shkrime dhe studime të bëra nga autorë vendas dhe të huaj që i kushtohen Kiço Xhavellës, i cili arrit që të bëhej deri kryeministër i Greqisë”. Po kështu një biografi të shkurtër për Kiço Xhavellën, ka shkruar edhe studiuesi Arben Llalla. Sipas tyre, Kiço Xhavella lindi më 1801 në Sul dhe u rrit në ishullin e Korfuzit ku kishin emigruar të parët e fisit. Në vitin 1820 ai u rikthye në Sul pas marrëveshjes që kishin bërë Xhavellat me Ali Pashanë dhe në atë kohë në moshën 19-vjeçare, ai mori titullin Kapedan. Pas kësaj ai shkoi në Itali për të marrë një sasi armësh dhe kur u kthye që andej, Aliu ishte vrarë e suljotët ishin larguar për së dyti nga Suli. Në atë kohë, Kiço Xhavella u bashkua me Marko Boçarin dhe luftoi së bashkë me të. Në vitin 1835, Mbreti Othon e caktoi atë si adjutant të vet duke e bërë nën gjeneral dhe mbikëqyrës së përgjithshëm të ushtrisë. Pas vdekjes së Ministrit të Mbrojtjes të Greqisë, Karaskaqit (një tjetër shqiptar i shquar), në vitin 1844, Kiço Xhavella shërbeu si prokuror dhe krye-gjeneral, ndërsa në vitet 1847-‘48 ai mori postin e kryeministrit të Greqisë. Kiço Xhavella vdiq në Mesolongj në vitin 1855 dhe po atë ditë, gjeneralët e huaj sulmuan ushtrinë turke në Falirë, pranë Athinës, por u mundën keq. Ajo gjë e dëshpëroi pa masë komandant Kiçon, sepse u bë pa e pyetur atë dhe në fushën e luftës kishin mbetur të vrarë rreth 1500 luftëtarë, gati të gjithë suljotë. Kur Greqia fitoi pavarësinë në vitin 1829, aty nuk kishin mbetur më shumë se 200 luftëtarë suljotë dhe krahina e Sulit që kishte qenë për më shumë se 350 vjet e lirë dhe e pavarur, pushoi së ekzistuari e mbeti nën vrasinë e perandorisë turke. Shpallja e pavarësisë së Greqisë, i gjeti suljotët të shpërndarë në ujdhesat e detit Jon, në Greqinë veri-perëndimore dhe pjesërisht në Shqipëri, e në ndonjë vend tjetër.
Gjenealogjia e familjes Tasho
Gjatë kërkimeve dhe studimeve për historinë e familjes Xhavella, Anesti Tasho është marrë edhe me gjenealogjinë e familjes së tij. Lidhur me këtë ai tregon: “Për të bërë gjenealogjinë e kësaj familjeje kaq të madhe në disa breza, më është dashur një punë shumëvjeçare. Kam hulumtuar në shumë familje ku ka pasur burra të moshuar të fisit tim apo dhe suljotë të tjerë, si në Leskovik dhe në rrethinat e tij e gjetkë. Po ashtu kam vajtur deri në: Konicë, Follorinë, Janinë dhe Athinë. Nga të gjitha dëshmitë që kam mbledhur prej tyre, rezulton se të parët tanë dhe disa familje të tjera suljote, kanë ardhur në Melesin të Leskovikut, rreth viteve 1828-1831, kur kapedan Zylyftar Poda, mbas luftës dhe qëndresës që i bëri në Melesin forcave osmane, pranoi kushtet e paqes, ku thuhej se: cilido prej përkrahësve të tij, mund të qëndronte në Melesin. Me qenë se Zylyftari kishte shumë simpati për suljotët, të cilët në vitet 1819–1822, u bashkuan me Ali Pashën në luftë kundër osmanëve, u krijoi atyre kushtet për të qëndruar dhe për t’u sistemuar në rrëzë të malit të Melesinit, fare pranë Leskovikut. Nga gojëdhënat e dëshmitë që kanë mbërritur deri në ditët tona, thuhet se: kur Tasho Xhavella erdhi në Melesin, solli me vete dy fëmijët e vegjël të tij, ngarkuar në kofonat (koshat) njëlloj si kecërit e sapolindur. Sipas moshës, mendohet se më i madhi prej tyre ka qenë Kristoja, fëmija i parë që kishte lindur diku aty nga viti 1826. Mbahet mënd se kur dikush kërkonte të fyente ndonjë nga pjesëtarët e fisit tonë, ai u thoshte: “Shikoni, ju që u kanë sjellë në kofina si bagëtitë”. Shpesh herë të parët tanë përmendnin miqësinë që kishin pasur me Zylyftar Podën dhe këtë miqësi e mbajtën edhe brezat pasardhës. Sipas të dhënave, rezulton se në Melesin, fillimisht u vendosën gjashtë familje, të cilat diku aty nga viti 1830, ndërtuan shtëpitë e tyre, duke ngritur dhe ekonomitë. Pas kësaj ata u bënë njerëz të respektuar e të nderuar në të gjithë krahinën dhe jetuan së bashku për 70-vite me radhë. Por aty nga vitet 1900-1910, pothuajse të gjithë u larguan nga Melesini dhe u sistemuan në Leskovik, Pobickë e Çereckë. Shtëpitë e tyre mbetën ahure dhe plevica deri në vitet 1943, kur u shkatërruan plotësisht prej luftës që u bë në atë kohë. Edhe sot në ato zona ekzistojnë rrënojat e atyre shtëpive që provojnë më së miri ekzistencën e fisit tonë. Edhe sot e gjithë krahina këto gërmadha i quan “sarajet e suljotëve”. Si dëshmi e gjallë edhe sot pranë Melesinit, ngrihet kisha e Shën-Sotirit, për të cilën kanë kontribuar edhe suljotët. Sipas dëshmive të Gaqo Vasil Kristo Tashos, ( ditëlindja 1896) dhe të Vasil Leonidha Tashos (ditëlindja 1908) të dhëna në vitin 1985, në një shesh të vogël prapa kishës së Shën-Sotirit, ndodhet varri i Tashos. Në kryqin e varrit shkruhej: “Këtu prehet suljoti Tasho, Kiço Xhavella”. Për fat të keq, ky kryq nuk ekziston më. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur Leskoviku u dogj dhe u shkatërrua, si shumë banorë të tjerë edhe suljotët u shpërndanë. Një pjesë e tyre shkuan në Korçë dhe Tiranë, ndërsa pjesa tjetër shkuan në Greqi, duke u vendosur në: Konicë, Follorinë, Janinë, Selanik e Athinë.
Tashot, bashkohen pas 200 vitesh
Fisi Xhavella e më pas Tasho, e ka pasur si traditë të hershme që për çdo datë 6 gusht, të mblidhej në Kishën e Shën-Sotirit që ndodhet në një shkëmb të Melesinit, ku përkujtohej festa për nder të emrit të Shën – Sotirit. Ky pelegrinazh që kishte filluar prej një kohe shumë të largët, u ndërpre në vitin 1966, kur regjimi komunist i Enver Hoxhës i ndaloi besimet fetare dhe filloi prishjen e shembjen e objekteve të kultit. Por pas viteve ’90-të, Anesti Tasho, mendoi që ta ripërsëriste atë traditë të hershme të fisit të tij. Lidhur me këtë, ai dëshmon: Më 6 gusht të vitit 2003, u mblodhëm aty në kishën e Shën-Sotirit në Melesin, afro 250 vetë nga ky fis. Kështu pas afro 200 vitesh, nga koha kur të parët tanë u vendosën në Sul, u mblodhëm përsëri ne pasardhësit e tyre, që jetojmë në Shqipëri, Greqi, Australi, SHBA-ve, e disa shtete të tjera”. Pasi u mblodhën dhe festuan aty në Kishën e Shën-Sotirit rrëzë Melesinit, të gjithë siç ishin, rreth 250 pasardhës të Xhavellave të famshëm tashmë të njohur me mbiemrin Tasho, kalua në tokën greke dhe festuan përsëri aty në ato troje, ku ishin vendosur dikur të parët e tyre./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016