Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes Kokoshi nga qyteti i Vlorës, ku një nga pinjollët më të njohur që dolën nga ajo derë e madhe, ishte Qazim Kokoshi, i cili pasi mbaroi “Zosimea” e Janinës, u kthye në Shqipëri dhe u angazhua me Klubin “Labëria” duke përhapur librat shqip dhe në nëntorin e 1912-ës, priti Ismail Qemalin dhe ishte një nga firmëtarët e aktit të Pavarësisë, kurse në 1920-ën ishte një nga krerët kryesorë të Luftës së Vlorës dhe u zgjodh kryebashkiaku i saj. Për këto merita u zgjodh delegat në Kongresin e Lushnjës, kurse në qershorin e 1924-ës, u rreshtua me miqtë e tij të ngushtë, Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi dhe për këtë shkak u detyrua, që të largohej nga Shqipëria dhe më pas të burgosej nga Mbreti Zog, i cili e liroi me një amnisti. Ndërsa italianët dhe gjermanët i persekutuan familjen dhe e burgosën duke e internuar në kampet e shfarosjes, komunistët e arrestuan dhe e vdiqën në tortura në vitin 1947, duke i pushkatuar dhe burgosur edhe shumë pjesëtarë të familjes së tij!
Kush ishte Qazim Kokoshi?
Qazim Kokoshi u lind në qytetin e Vlorës në vitin 1882, në një familje të njohur e cila ishte vendosur aty që nga fundi i shekullit të XVII-të. Origjina e hershme e familjes Kokoshi, është nga fshati Frashër i Përmetit dhe të parët e saj janë shpërngulur prej aty, nga fundi i shekullit të XVI-të për probleme hasmërie dhe janë vendosur më pas, në fshatin Hysoverdhë të Vlorës. Me paratë që ata fituan nga shitja e pronave dhe pasurisë së tyre në fshatin Frashër, arritën të blinin toka dhe shtëpi e të shtonin akoma e më shumë, pasurinë e tyre edhe në Vlorë. Pjesa më e madhe e pasurisë së familjes Kokoshi, ka qenë përdorur prej tyre për shkollimin djemve të saj, në universitetet e Turqisë dhe vendeve të tjera të Europës, si dhe për problemet që kishin lidhje me çështjen Kombëtare. Përveç burrave të shkolluar që pati nxjerrë ajo familje, prej saj kanë dalë edhe burra të pushkës, si Zenel Kokoshi, i cili ka qenë i njohur për trimëritë e tij deri në Stamboll, për shkak të luftërave anti osmane, që zhvilloi në mesin e shekullit të XVIII-të. Por një nga pinjollët më të njohur të familjes Kokoshi, i cili ka bërë emër të madh në historinë e Shqipërisë, ka qenë Qazim Kokoshi. Mësimet e para ai i mori në shkollën turke të qytetit të Vlorës, nga fillimi i dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të XVIII-të dhe pas saj shkoi në Janinë, ku mbaroi gjimnazin “Zosimea”. Pas mbarimit të shkollës rreth fillimit të viteve 1900, Qazimi u kthye në vendlindjen e tij dhe u angazhua në Klubin “Labëria”, ku punoi për përhapjen e gjuhës shqipe në fshatrat e Vlorës. Lidhur me veprimtarinë e mëvonshme të Qazim Kokoshit, në dobi të çështjes shqiptare, Burim Kokoshi na dëshmonte: “Në shtatorin e vitit 1908, Qazimi u morr me organizimin e pritjes së Ismail Qemalit në Vlorë dhe personalisht e shoqëroi atë, në vizitat që bëri në Dukat, Mesaplik dhe Treblovë. Kur autoritetet e administratës osmane që ishin në Shqipëri, ranë në gjurmët e veprimtarive së Klubit “Labëria” dhe nisën arrestimet e anëtarëve të saj, Qazim Kokoshi u largua në ishullin e Korfuzit dhe më pas në Itali. Nga Italia ai u kthye në Shqipëri në vitin 1911-të, pasi paria e Vlorës e kishte caktuar si përfaqësues të saj, në Kuvendin e Gërçes, ku ai bashkëpunoi ngushtë me Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin”.
1912, firmëtar i aktit të Pavarësisë
Veprimtarinë e tij patriotike në dobi të çështjes shqiptare, Qazim Kokoshi e vazhdoi edhe pas Kuvendit të Gërçes dhe në vitin 1912-të, ai ishte një nga njerëzit kryesorë, që mbështeti ardhjen e Ismail Qemalit për ngritjen e flamurit në Vlorë. Lidhur me këtë. Burim Kokoshi dëshmonte: “Në vjeshta e vitit 1912-të, kur paria e Vlorës filloi përgatitjet për pritjen e Ismail Qemalit, Qazimi u caktua në komisionin që do të merrej me Shpalljen e Pavarësisë. Në dokumentet arkivore të Shpalljes Pavarësisë, gjendet edhe telegrami i Ismail Qemalit që më 21 nëntor ia dërgoi nga Durrësi, Qazim Kokoshit, Et’hem Beut dhe Bektash Cakranit, ku midis të tjerash shkruhet: ‘Bëni të gjitha përgatitjet e nevojshme’. Kur Ismail Qemali mbërriti në Vlorë, Qazim Kokoshi ishte një nga firmëtarët e aktit të Pavarësisë, që u nënshkrua prej të gjithë delegatëve, që u përfaqësuan në atë mbledhje. Pas kësaj, në gushtin e 1913-ës, Qeveria e përkohshme e Vlorës e caktoi Qazimin me detyrën e nënprefektit të Lushnjes, ku ai shkoi së bashku me Ahmet Lepenicën. Pasi punoi afro gjashtë-shtatë muaj në atë detyrë, në shkurtin e vitit 1914-të, ai u emërua me detyrën e kryesekretarit të Prefekturës së Vlorës, e cila në atë kohë ishte kthyer në qendrën kryesore ku luhej politika e Shqipërisë. Pas rënies së Qeverisë së Vlorës, Qazimi u caktua si anëtar i delegacionit që do të shkonte në Durrës, për të zhvilluar takimin me Princ Vidin”, dëshmonte Burim Kokoshi lidhur me kushëririn e tij Qazimin.
Në Kongresin e Lushnjës dhe Luftën e Vlorës
Duke njohur të kaluarën e papërlyer dhe patriotike të Qazim Kokoshit, në janarin e vitit 1920-të, paria e Vlorës e zgjodhi atë delegat në Kongresin e Lushnjes, ndërsa në verën e vitit 1920-të ai gjithashtu u caktua në përbërjen e komisionit prej 12-vetash, që u morën me drejtimin e Luftës së Vlorës. Pas fitoreve të para që u arritën nga forcat ushtarake dhe vullnetare shqiptare, kundër italianëve në Luftën e Vlorës, Qazimi u emërua me detyrën e nënprefektit në qendrën administrative të Drashovicës. Gjatë asaj periudhe që zhvilloheshin luftimet, duke e konsideruar si një nga eksponentët kryesorë të parisë së Vlorës, forcat italiane e dënuan Qazimin, me vdekje dhe ia dogjën shtëpitë. Pas përfundimit të Luftës së Vlorës, për kontributin që ai dha, paria e Vlorës e propozoi atë si kandidat në zgjedhjet që do zhvilloheshin për funksionin e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, ku ai fitoi. Pasi shërbeu për disa kohë në atë detyrë, Qazimi konkurroi në zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan në vitin 1921, ku dhe u zgjodh deputet i Parlamentit të parë shqiptar. Pas tre vitesh, në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924, Qazim Kokoshi, u bashkua me grupin opozitar që udhëhiqej nga Fan Noli e Luigj Gurakuqi, të cilët organizuan rrëzimin me dhunë të Qeverisë së Shefqet Vërlacit. Pas dështimit të kësaj lëvizje, Qazimi emigroi nga Shqipëria dhe u vendos në Itali e më pas në Austri. Duke përfituar nga amnistia që Mbreti Zog, dha për të gjitha ata që morën pjesë në atë ngjarje, që nga historiografia zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës e para viteve ’90-të njihet si “Revolucioni i Qershorit i 1924-ës”, Qazim Kokoshi u kthye në Shqipëri në vitin 1928-të dhe u vendos në qytetin e Vlorës, në lagjen Skelë ku i kishin shtëpitë familja Kokoshi. Edhe pse Qazimi, përfitoi nga amnistia e Mbretit Zog, ai nuk e pushoi aktivitetin e tij antizogist edhe pas kthimit në Shqipëri, duke qenë një nga pjesëtarët kryesorë të Lëvizjes së fshehtë të Vlorës në vitin 1932, të cilët donin të rrëzonin Mbretin Zog. Pas zbulimit të kësaj lëvizje, ai u arrestua si një nga eksponentët kryesorë të saj dhe u dënua me vdekje nga Gjykata Speciale në Tiranë. Por më pas vetë Mbreti Zog, ia hoqi dënimin kapital dhe ai vuajti në burg, deri sa u lirua në vitin 1936. Pas lirimit nga burgu Qazim Kokoshi u pajtua me Mbretin Zog dhe me politikën që ndiqte ai. Lidhur me këtë, Burim Kokoshi tregonte: “Në prillin e vitit 1939, kur Konti italian Salvone shpërndau disa zarfe me para, për të paralizuar rezistencën anti-italiane të parisë së Vlorës, një nga këto zarfe iu dorëzua dhe Qazimit. Ai jo vetëm që refuzoi në mënyrë kategorike për t’i marrë ato para, por të nesërmen e asaj dite, shkoi vetë në Tiranë ku u takua me Mbretin Zog, duke i dorëzua atij zarfin me para dhe duke i treguar të gjitha ato, që po përgatiteshin nga italianët. Pas agresionit fashist, Qazimi, u largua familjarisht nga Shqipëria dhe u vendos nė Jugosllavi si emigrant politik”.
Persekucioni nga italianët e gjermanët
Duke e parë qëndrimin antiitalian të familjes Kokoshi në Vlorë, menjëherë pas fillimit të luftës italo-greke, autoritetet fashiste, nisën arrestimet dhe internimet ndaj pinjollëve të saj. Në fillimin e vitit 1940-të, u arrestuan juristi Kudret Kokoshi dhe kushëriri i tij Muharrem Kokoshi, të cilët u internuan në Itali. Pas kësaj, më 17 janar të 1943- it, me urdhër të Gjeneral Xaninit, u morr nga burgu (bashkë me Mitaq Sallatën) dhe u pushkatua Astrit Kokoshi. Në këtë kohë nga Jugosllavia erdhi në Shqipëri, bashkëshorti i vajzës së Qazmit, Reshit Çollaku (Hero i Popullit) i cili u vra nga italianët. Kur trupat gjermane hynë në Jugosllavi, Gestapo-ja e arrestoi Qazim Kokoshin dhe ua dorëzoi italianëve, të cilët e internuan në Bergamo të Italisë së Veriut. Po në vitin 1944, Gestapo gjermane arrestoi dhe Kudret Kokoshin që punonte si prokuror në Prizren dhe e internoi atë në kampet e shfarosjes, që kishte hapur në disa shtete të Europës”.
Persekucioni nga komunistët
Sikur të mos kishin mjaftuar internimet, burgosjet dhe pushkatimet që familja Kokoshi, kishte pësuar prej italianëve dhe gjermanëve, menjëherë pas mbarimit të Luftës ajo u gjet nën persekucionin e egër të komunistëve që erdhën në pushtet. Lidhur me këtë Burim Kokoshoi tregonte: “Që në majin e vitit 1945 u arrestua Meto Hasan Kokoshi dhe pas dënimit me vdekje nga Gjykata e Vlorës, me akuzën: “Ka marrë pjesë në luftë me Ballin Kombëtar”, ai u pushkatua në nëntorin e 1945-ës. Dy muaj më vonë në korrikun e 1945-ës, u arrestua dhe Dinush Hasim Kokoshi, që kishte mbaruar Ekonomikun jashtë dhe u dënua me tre vite burg. Pas pushkatimit të Metos, u dënua me vdekje edhe i vëllai tij, juristi Kudret Kokoshi, i cili kishte qenë i internuar në kampet naziste të shfarosjes. Por Gjykata e Lartë ia zbriti në 25 vite burg, nga të cilat ai vuajti 20-vite në burgun e tmerrshëm dhe famëkeq të Burrelit. Në prillin e vitit 1946, i akuzuar si pjesëtar i Ballit dhe i Grupit të Deputetëve, u arrestua dhe juristi Avdul Hasim Kokoshi, që ishte diplomuar në Romë. Në fillim ai u dënua vetëm dy vite, më pas e rikthyen në hetuesi dhe dënuan me vdekje, duke u pushkatuar në tetorin e 1947-ës. Po në prillin e 1946-ës u arrestua dhe Qazim Kokoshi, i cili ishte kthyer në Shqipëri, nga internimi nazist, në vitin 1945. Në atë kohë shumë miq të tij midis të cilëve dhe Dr. Omer Nishani, u përpoqën dhe i bënë thirrje që të bashkëpunonte me komunistët që kishin ardhur në pushtet, por Qazimi, jo vetëm që nuk pranoi, por ai i akuzoi hapur ata duke i quajtur përgjegjës për masakrën që kishte ndodhur në Shqipëri, nga lufta vëllavrasëse të cilën e kishin nisur vetë komunistët. Si përgjigje ndaj kësaj akuze të Qazimit, komunistët e izoluan në hetuesinë e Vlorës, ku dhe ai vdiq nga torturat në tetorin e vitit 1947. Në gushtin e 1946-ës, u arrestua dhe Engjëll Kokoshi i cili në fillim u dënua me vdekje, e më pas me 25-vite burg. Engjëlli vuajti 17-vite burg, kryesisht në Burrel. Radha e arrestimeve për pjesëtarët e fisit Kokoshi, vazhdoj në qershorin e vitit 1946, me arrestimin e Fatosit, djalit të Qazimit, i cili kishte mbaruar studimet e larta për inxhinieri në Francë. Pasi kishte kryer dhjetë vite burg, ai vdiq nga që nuk i rezistonte dot punës së krahut”, e përfundon dëshminë tragjike mbi persekucionin e familjes së tij, Burim Kokoshi, i cili dhe vetë u arrestua që në gushtin e vitit 1946 dhe vuajti për 13-vite në burgjet e regjimit komunist, për të vetmin fakt se rridhte nga familja e njohur Kokoshi, të cilën komunistët e kishin shpallur “Familje reaksionare”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016