• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Wednesday, July 23, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Fenomeni më i çuditshëm në burgun e Burrelit, ishte ai i shpjegimit të ëndrrave nga disa, si p.sh., Qemal Demiri nga Vlora, i cili disa ditë para se të vdiste Mao Ce Duni, na tha…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës

“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
“Në ’46-ën kur isha në kampin e Santa-Farës, me sugjerimin e Toliatit, i bëra letër Stalinit, ku për Enverin i shkruaja…”/ Dëshmia e rrallë e ballistit të arratisur
Mao Ce Duni: “Ndryshe nga Marksi dhe Lenini që ndoqën shkollat e larta, unë me Stalinin jemi vetëm me të mesme…”/ Proces-verbali sekret i takimit me Hysni Kapon dhe Beqir Ballukun, Pekin 1967
“Të dënuarit ordinerë, na anatemonin ne politikanëve: ngordhshi në litar, armiq të poshtër, që donit me përmbys Partinë dhe shokun Enver! Vërtet kemi bërë faje, por s’kemi..”/ Dëshmia e ish-të burgosurit të Spaçit
“Në kampin e Spaçit, kushtet nuk ndryshonin shumë, vepronte rregullorja e Repsit, po ato mizori kriminale, madje më të tmerrshme, po ato ushtarë të armatosur, që thirrjen; ‘ndal se do të qëlloj’, e…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
“Kur dy policët roje, dëgjuan alfabetin ‘mors’; Këtu komanda e Flotës së VI-të Amerikane, po ju presim për të marrë Tiranën…, në burg u dha alarmi dhe…”/ Historia tragjikomike në kampin e Kripores së Vlorës

Nga Uran Kalakulla  

Pjesa e tridhjetetetë

                                                      Nazizmi dhe komunizmi

Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.

Gjithashtu mund të lexoni

“Vëllai i madh i Nisim Kohenit në Bruklin, nuk do t’ia dijë për Shqipërinë dhe shqiptarët, ku i ati dhe daja, bënë nga 5 vjet burg politik, pasi…”! / Reportazhi i gazetarit të njohur, me hebrenjtë në Greqi

“Romanin tim me temë historike, kushtuar figurave të rilindjes kombëtare, e ndërpreva, pasi lexova në ‘Drita’, se një gjë të tillë po bënte edhe Sterjo Spasse, madje ai…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KQB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.

                                                              Vijon nga numri i kaluar

Intuitë, përqeshje e dukuri paranormale

Intuita, dihet, është një nga “fakultetet”, sa të rëndësishëm, aq edhe interesantë të inteligjencës njerëzore. Ka një filozofi të tërë mbi intuitivizmin, të krijuar nga filozofi i shquar francez, Henri Bergson, fitues i çmimit ‘Nobel’ për letërsinë (1928). Posaçërisht në veprën e tij, “Intuicioni filozofik”, qe ta them shkurt e me fjalët e mia, intuita i bashkon përparësitë e instinktit dhe të inteligjencës. Ndryshe, nëpërmjet analizës u sillemi rrotull gjërave apo koncepteve, që janë të ndara nga njëra-tjetra, ndërsa me intuitën i futesh në thelb të vërtetës.

Këtë të vërtetë bergsoniane, e kam parë dhe provuar mirëfilli pothuaj gjithmonë në realitetin e hidhur të burgut, ku të dhënat faktike, nga mungesa gati e plotë e informacionit, pra e fakteve reale, të detyronin të mos bazohesh fort në analizën e sipërshënuar (aq më tepër kur informacioni ishte i gjymtë apo, i rremë), por në institucion. Dhe rezultati shpesh ishte i mahnitshëm. Kështu ne arritëm shpesh here, t’u paraprinin ngjarjeve që ndodhin me të vërtetë.

Për shembull, kur në horizontin e jashtëm kishte bubullima që paralajmëronin “rrebesh” për regjimin në fuqi, ne e kuptonim, e ndjenim vetëm nga sjellja disi e butë e komandës, ndaj nesh. Ashtu si kur ngjarja qetësohej, fillonin birucat dhe druri. Atëherë ishte e qartë se regjimi ia kishte hedhur rrezikut edhe atë radhë.

Mund të jap plot shembuj të intuitës së burgut edhe para se isha unë aty. Kështu, siç më tregonin me të vjetrit, që kishin patur fatin e keq të provonin tmerret e kamp-burgut të Vloçishtit, gjatë vitit 1949, ndërsa vlonte lufta mes partizanëve grekë të Zahariadhisit dhe Markosit, me forcat e qeverisë së ligjshme greke, në Gramoz e Vict, mundësinë e një ndërhyrjeje të këtyre forcave të fundit në Shqipëri, të burgosurit e kuptuan- sido që nuk kishin asnjë informacion (të izoluar hermetikisht siç ishim),- nga vetë sjellja shumë e butë e xhelatëve të komandës, të cilët arrinin deri në miklime servilizmi, ndaj te dënuarve.

Dhe kur ky rrezik kishte kaluar për regjimin e Enver Hoxhës, ata prapë e ndjenë kur vunë re që dhuna e torturat u ashpërsuan edhe më shumë se më përpara. Kthesa të tilla 180 gradëshe, janë tipare themelore të qenieve të poshtra, pa karakter. Gjatë punimeve të kongresit të 8-të të PPSh-së, nëpërmjet fotove të gazetave, e sidomos të revistës së atëhershme “YIli” ne, me intuitë, vetëm duke vështruar me kujdes ngrysjen në fytyrën e Mehmet Shehut, në mos vrasjen apo vet-vrasjen e afërt të tij, të paktën kuptuam rrëzimin e pashmangshëm.

Po kështu, përgjithësisht, duke lexuar me kujdes “mes rreshtave” të gazetave partiake, intuitonim të vërtetën që mundohej të fshihej në ato shkrime. Është fort interesant në këtë mes, edhe një fakt tjetër, i cili, megjithëse nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me intuitën, bënte që ne jo vetëm te kuptonim se s’po ndodhte jashtë burgut, pra në sferat e larta qeveritare e partiake, por edhe të parashikonim pasojat e atyre ngjarjeve. Ishte e çuditshme se si hynin në veshët tanë, gojë pas goje, lajme apo të dhëna faktike, se ç’ndodhte në Komitetin Qendror të Partisë apo, në kreun e qeverisë.

E pra, jo gazetat që nuk flisnin për punë të tilla por, për to, mbahej një heshtje varri, sigurisht, edhe në mjediset partiake e qeveritare, fare afër majës së piramidës, le pastaj në mjediset periferike. Nga, dhe si vinin deri te ne, lajme të tilla, që i vërtetonte plotësisht koha? Ky është një mister, që ende nuk di ta shpjegoj. Një tjetër çudi ishin parashikimet që ndodhnin në burg, nëpërmjet interpretimit të ëndrrave, sidomos të disa individëve të veçantë. Më kujtohet se në një nga dhomat ku kam kaluar në burgun e Burrelit, kishim edhe një djalë të ri nga Vlora.

E quanin Qemal Demiri, me moshë rreth të njëzetave. Kishte një shtat mesatar, pak i zeshkët në fytyrë, por shumë simpatik në sjellje e qëndrim, me një humor fort të këndshëm. Ishte djalë fort i mirë, i ndershëm, i mençur, një ndër djemtë më të mirë që kam parë në burgje e kampe. Megjithëse me arsim të mesëm të pambaruar, në mos gaboj, me vullnet kishte mësuar frëngjishten mjaft mirë dhe vazhdimisht lexonte. Ishte dënuar për tentativë arratisje dhe duket e kishin sjellë në Burrel, sepse ishte shquar si trim dhe i papërkulur, ndër shokët e moshës së tij.

Dhe si shumë bashkëqytetarë të tij, ishte një patriot i flaktë, pa diskutim. Oh, ç’na bënte të shkriheshim gazit, kur imitonte sidomos Mao Ce Dunin, kur ky na qenkësh në tribunën e lartë dhe poshtë, shumë poshtë nën këmbët e tij, nxinte mizerja e fanatikëve të vet, militantë apo gardistë të kuq, Qemali e imitonte Maon gjoja kinezçe, me një thirrje të vetme, të zgjatur, që i ngjante fort ulërimës së një kau a mëzati, “muuuëeë”, që duhej kuptuar si përshëndetje nga ana e kryetarit Mao.

E pas kësaj, përgjigjja e masës së lapurakëve të rrezikshëm, poshtë, me një kor që ngjante shumë me kuisjen e tufës së qenve të gjahut, kur i mbledh gjahtari dhe i fton që ta ndjekin në udhën e tij: “Auauauau”! Dhe para se Qemali simpatik të niste imitimin e krye-komunistit kinez, vinte mbi kokë një si turban, të sajuar me peshqirin e vet të mbledhur si trokë, që të bënte të shkuleshe gazit edhe pa nisur të nxirrte zë, por vetëm duke e parë. Kështu tek ne, “lavdia prej perëndie” e Maos, katandisej në një lojë estrade.

Një mëngjes, sapo u bë zgjimi, dhe ishte ende errët, se qe dimër, fill pasi u vesh dhe rregulloi shtratin, Oemali na bëri zë të dëgjonim, se kishte parë një ëndërr interesante. Dhe ne mbajtëm vesh me kujdes. Ai kishte parë në qiell një hënë të madhe, të rrumbullakët, të verdhe si limoni, që papritmas u shemb dhe ra në një humnerë të thellë e të errët. Sipas Qemalit, hëna ishte një kryetar shteti, me siguri, kurse ngjyra e verdhë e spikatur, me siguri do të kishte të bënte me Kinën. Dhe atëherë ai nxori përfundimin: “Vëllezër, më duket se e hëngri qafën e patës Maoja e, na e mori të keqen”!

Nuk shkuan veçse pak ditë dhe u dha lajmi zyrtar, për vdekjen e tij! Kështu, nëpërmjet ëndrrave, shumëkush atje ka parashikuar në kohë vdekjen e Stalinit, të Çu En Lait, të Titos, të Enverit e hierarkëve të tjerë komunistë ose, ndodhi të tjera të rëndësishme politike, të vendit apo ndërkombëtare. A thua edhe ëndrrat janë prodhim i nënvetëdijes, që mund të kenë disi lidhje me intuitën? Nuk di, këtë mund ta shpjegojnë ekspertët e këtyre problemeve spiritualiste.

Tortura e altoparlantit

Në kuadrin e “modernizmit”, në burgun e Burrelit, dikur andej nga vitet e fundit të burgut tim, komanda instaloi në secilën nga dhomat tona, nga një altoparlant. Domosdo që ai ishte i lidhur me radion e komandës, dhe kjo radio ishte fiksuar vetëm te stacioni i Radio Tiranës. A ishte ky aparat vetëm altoparlant? Mos kishte ndoshta edhe funksion të dyfishtë? Kështu, hem jepte valët e Radio Tiranes, për veshët tanë, sigurisht vetëm ato që mund të shërbenin për “riedukimin” tonë, por mund edhe të merrte valët e gojëve tona, kur flisnim kundër partisë e pushtetit popullor dhe përpiqeshim të krijonim ndonjë organizim politik mes nesh, sipas mendjes së tyre të sëmurë.

Me një fjalë, ai altoparlant kishte njëherësh detyrën e komisarit të burgut dhe atë të operativit (e mikrospiunit). Si thoni, a kaq dorëgjerë ishin bërë shokët e Sigurimit? A kaq për zemër e paskëshin patur ata “riedukimin” dhe “dëfrimin” tonë? Për dreq, altoparlanti i dhomës ku isha unë, kur u instalua që në fillim, qëlloi tamam mbi krye të shtratit ku flija. Kështu, doja s’doja, isha i detyruar ta dëgjoja. A ka gjë më të bezdisshme, se sa të detyrohesh të dëgjosh terr-tërret e një radioje llafazane, që nuk lodhet kurrë së llomotituri, po ato gjepura që na kishin ardhur në majë të hundës?

Çfarë programi ishte caktuar për ne? Apo më mirë, cilat programe ishim të denjë të dëgjonim ne? Këtë e kishte caktuar “lartmadhëria e saj”, komanda. Së pari, ne duhej të dëgjonim lajmet e ditës, kur ajo spikerja që rezëllinte si gjinkalla në vapën e beharit, nuk pushonte së ngrituri në qiell arritjet, sukseset dhe mrekullitë që bënte partia e qeveria në ndërtimin e socializmit e mirëqenies së popullit! Së dyti, ishin temat politike, që nuk di se ku ndryshonin opinionet e komentet pas tyre. Së treti, ndonjë fjalim apo artikull të të madhit e të paarritshmit, shokut Enver, sidomos ato analizat e tij të përsëritura kundër imperializmit e, social-imperializmit.

Pastaj u vinte radha titistëve jugosllave, monarko-fashistëve grekë, neofashisteve italianë, e revanshistëve gjermane. E kështu, pa anë e pa fund. Interesant ishte të vije re që në gjithë këtë vazhdë armiqsh të betuar të vendit tonë, që nuk mendonin tjetër, por si e si ta përmbysnin pushtetin tonë aq të dashur popullor, nuk përmendej asnjëherë Franca. Si dreqin? Mos kjo Franca, nuk bënte pjesë as tek imperializmi, as tek social-imperializmi, pra tek asnjeri nga dy blloqet e mëdhenj antishqiptarë, madje as te blloku i tretë me ne krye Indinë, Egjiptin, e ç’të them tjetër, ku, në mos gaboj hynte dhe Kina e, për çudi, Jugosllavia e Titos? Po ky i fundit, a nuk ishte agjent i dy superfuqive? Hajde e merre vesh këtë paçaris pastaj!

Neve na lejohej të merrnim vesh si venin punët në filan kooperativë, se si punonin atje gjithë gëzim e lumturi fshatarët, sa burrë i mirë ishte kryetari, le pastaj sekretari i partisë (për operativin e zonës nuk flitej fare, sigurisht), se ç’zotime kishin marrë punonjësit e arave e të blegtorisë, për nder të filan kongresi të partisë, ku do të shkonin me… duar plot (por në të vërtetë gjithnjë e më tepër me barkun bosh). E kështu, tërr-tërr-tërr!

Mund të dëgjonim edhe ndonjë kronikë mbi punën e lavdishme të minatorëve. Se sa e lavdishme ishte ajo punë, ne e dinim fort mirë, se kishim mes nesh nga ata që e kishin provuar fort mirë në Bulqizë, vite e vite më parë e, tashti në Spaç e në Qafë-Bari! Minatorin e kishim mes nesh të gjymtuar, të rrahur e të dërrmuar, të ri-dënuar. Mund të dëgjonim edhe ndonjë akt “heroik” të filan toge a filan ushtari të kufirit, i cili, me vigjilencën e partisë në shpirt, syrin pishë, pa fjetur as ditë e as natë, kishte kapur ca armiq që kishin tentuar të kalojnë kufirin për të shkuar në vendet armike.

Po pse, dreqin, ai trap ushtari, nuk e linte armikun të shkonte tek armiku, por ose e vriste në vend, ose e prangoste dhe e sillte atje te ne, pasi e kishin “zbutur” me shkelma e grushte dhe e kishin telekosur muaj të tërë në hetuesi, tek ustallarët e torturave? Madje, duke e mbajtur armikun edhe me bukë? Ku dreqin ishte leverdia?

Apo kishin hallin se ky armik shkonte e bëhej marins amerikan dhe vinte pastaj me aeroplanmbajtëse e sulmonte vendin më të lumtur të botës, që ndërtonte lumturinë më të madhe në botë, socializmin shqiptar?! Ja, këtë logjikë nuk para e kuptonim mirë ne shokët e këtij armiku të ri, që do të vinte shpejt mes nesh, për të na ngushtuar edhe më keq në atë pako vend që kishim.

Por mund të dëgjonim për ditë një emision me një emërtim pak si tepër impenjativ: “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”?! Aty mësonim se ne s’paskëshim ditur asgjë mbi historinë tonë kombëtare! Se populli ynë paskësh bërë aq beteja heroike dhe kishte korrur aq fitore të shkëlqyera, sa nuk i kishte korrur as Perandoria Romake, as Aleksandri i Madh, as Napoleoni, as arabët, dhe as dreqi i mallkuar vetë! Ç’ishte kjo “mrekulli shqiptare”, patriotizëm a nacionalizëm komunist, apo çfarë tjetër?

Po a mund të pajtoheshin dy të kundërt: hem nacionalizëm, hem komunizëm, pra internacionalizëm? Sa prapa dynjasë paskëshim qenë ne të shkretët! Hajde parti, hajde, sa e ditur që paske qenë! Mirë Skënderbeu, mirë Mic Sokoli që e zuri topin nga gryka edhe përpara Selam Musait (gjeste vërtete heroike këto), po partizani Sheme, që i vetëm në pozicion kishte thyer një batalion gjerman të Hitlerit ose, kishte rënë mbi bunkerin gjerman, duke ua zënë frymën atyre që ishin brenda, si ushtari sovjetik i Stalinit, Aleksandër Matrazovi?

Apo Haxhi Qamili prej Sharre, që paskësh qenë patriot i madh, siç e kishte zbuluar historiani i shquar Enver Hoxha, duke u dhënë një mësim fort të vlefshëm akademikëve tanë të shquar të degës së historisë, si Aleks Buda, Kristo Frashëri, e të tjerë, që nuk ua mbaj mend emrat. Me një fjalë, ky Haxhi Qamil Fejzoja, na paskësh qenë diçka si e mesmja proporcionale, mes Stefan Pogaçovit dhe Stienka Razinit, këtyre dy muzhikëve që ishin ngritur kundër perandorisë Ruse, në emër të “revolucionit fshatar”. Kështu, atë qe s’e kishte patur Shqipëria, e kishte “zbuluar” shoku i madh Enver! Hajde dijetar, hajde, super-akademiku shoku Enver!

Qëllonte të dëgjonim edhe ndonjë skeç a dramë në radio, për t’u “kulturuar” edhe më shume, fjala vjen ndonjë dramë a skeç të Fadil Paçramit (hem sekretar partie ky i Tiranës, pra goxha poet, hem dramaturg i madh fare!), sigurisht para se ai të bëhej armik e të vinte tek ne, në Burrel. Ose dëgjonim se e gjithë e keqja e shoqërisë socialiste, apo të metat e saj, shkonin deri te niveli i drejtorit të ndonjë ndërmarrjeje, i cili kishte mbeturina mikroborgjeze në kokë, ose deri te ndonjë nënkryetar komiteti ekzekutiv, por në asnjë mënyrë këto të meta mund të arrinin tek kryetari i komitetit, apo te anëtari i byrosë së partisë, apo te sekretari i parë a i dytë i partisë së rrethit, le pastaj te anëtari i Komitetit Qendror e, prite zot, tek anëtari i Byrosë Politike të këtij komiteti!

Aty nuk hynte kurrë asnjë e metë, asnjë mbeturine mikroborgjeze, asnjë pikëpamje e gabuar, aq më pak armiqësore. Kishte ndodhur vërtet më parë, andej nga fillimet e pushtetit popullor, kur ishin zbuluar armiq në krye të partisë e të shtetit, si Koçi Xoxe, Pandi Kristo etj. Madje këtë të fundit e kishin sjellë edhe në Burrel, mes armiqve borgjezë. Vetëm shoku Enver e kishte atë aftësi gjeniale që të zbulonte te këta “të pagabueshëm” ,jo vetëm gabime, jo vetëm të meta, por edhe “armiqësira” fort të rrezikshme.

Dhe kur këta “armiq” nuk dënoheshin me plumb, vinin e na ngushtonin ne, në burgun tonë “të dashur”, të “armiqve të popullit”: ministra, gjeneralë, sekretare partie, sigurimsa etj. etj. Madje mjaft nga këta thoshin, se s’kishin bërë asgjë, se ishin krejt të pafajshëm, se kishin qenë besnikë dhe të devotshëm deri në fanatizëm ndaj partisë e shokut Enver, pa kuptuar fare “të gjorët”, se dialektika e materializmit historik, kishte vepruar edhe tek ata, ajo dialektike që thotë se; “revolucioni nis e qelbet kur fillon të hajë edhe bijtë e vet”.

Nga altoparlanti dëgjonim edhe komunikata të rëndësishme të Komitetit Qendror të Partisë dhe të Këshillit të Ministrave, të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, ashtu serioze, të prera, me ton solemn, gati heroik, që lajmëronin vdekjen e shokut Mao Ce Dun, të shokut Ho Shi Min e të ndonjë tjetri. Dhe një mbrëmje, krejt papritur, dëgjuam po kështu edhe komunikatën solemne që njoftonte se; “nga një krizë nervash, kishte vrarë veten edhe shoku Mehmet Shehu”!

Ne mbetëm të habitur. Si e vret veten një komunist, kur kjo nuk lejohet në “kodin moral bolshevik”?! Pastaj, që kur qenka bërë kaq nevrik shoku Mehmet?! A nuk kishte patur ilaçe për të nga Franca dhe Austria, si për shokun Enver? Apo të gjitha i kishte akaparuar për vete shoku Enver? Po mjekë psikiatër? Si dreqin u sëmurkan nga nervat udhëheqësit e mëdhenj të partisë e të pushtetit? Nga zemra po, se e kishin shume të madhe, si barku i partisë, dhe diku i hynte te ftohtët a ndonjë papastërti a mikrob imperialist, po nga mendja? Allah! Allah!

Disa nga ne, fshehurazi, fërkonim duart e një buzëqeshje djallëzore, pse jo edhe gëzimi, na tradhtonte, se nuk ishte shaka. Kjo donte të thoshte që; “atje lart”, në kupolën e fildishtë, apo afër fronit mbretëror apo hyjnor të Faraonit, çoç kishte ndodhur dhe, ose i zoti e kishte rrahur keqas ndihmësin e parë të tij, qehajanë e vet besnik, ose qehajallarët e beut apo, pashait të kuq, duke parë se pashait po i vareshin qurrat nga hunda dhe sytë mezi po i mbante hapur, nisën të grinden e të copëtohen, se kush do ta trashëgonte pashallëkun. Dhe, ishalla, kjo potere bëhej aq e madhe saqë, nga tronditja e saj, mbase shembej edhe dera e burgut tonë e, ne dilnim në diell, të mbushnim mushkëritë me ajër të pastër e, të ktheheshim më në fund, pranë familjes sonë të dashur, si e vetmja gjë e shtrenjtë që na kishte mbetur tashmë në jetë.

Por, për këtë punë nuk na paska qenë aspak dakord një shoku ynë i dhomës! Kush dreqin na ishte ky njeri tuaf? Ai ishte mirditas, nga një fshat i thellë i saj. Toj-toj, nga anëtar i thjeshtë partie si minator që kishte qenë, ishte bërë shkalle-shkallë brigadier, deri drejtor i minierës së Bulqizës, duke u bërë i fortë edhe në partinë e rrethit atje. Dhe i kishte hyrë kaq shumë në zemër komunizmi dhe partia, saqë asgjë, sipas tij, nuk mund të ekzistonte pa partinë. Në mënyrë të veçante kishte patur një adhurim si prej perëndie për udhëheqësin e lartë të kësaj partie dhe, duke mohuar tashmë Zot e Krisht, sido që me origjine katolike, në vend të tyre, kishte vënë Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun. / Memorie.al

                                                          Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Kur na çonin në malin e Dajtit, ku përveç televizorit ‘Lura’, s’kishim asnjë argëtim, sportistët iknin te antena në majë dhe shikonin RTL-në apo, Tele Norbën...”! / Historia e “pushimeve” të ekipeve, para viteve ’90-të

Next Post

“Vëllai i madh i Nisim Kohenit në Bruklin, nuk do t’ia dijë për Shqipërinë dhe shqiptarët, ku i ati dhe daja, bënë nga 5 vjet burg politik, pasi...”! / Reportazhi i gazetarit të njohur, me hebrenjtë në Greqi

Artikuj të ngjashëm

“Poshtërimi dhe tortura ishin kënaqësitë më të mëdha që ndjenin toger Hakiu, aspirant Syrjai, kapterët Selfo, Tomi, Ismaili, etj., ndaj të internuarve në Tepelenë…”! / Dëshmitë dhimbshme të Eugjen Merlikës
Dossier

“Vëllai i madh i Nisim Kohenit në Bruklin, nuk do t’ia dijë për Shqipërinë dhe shqiptarët, ku i ati dhe daja, bënë nga 5 vjet burg politik, pasi…”! / Reportazhi i gazetarit të njohur, me hebrenjtë në Greqi

July 22, 2025
“Romanin tim me temë historike, kushtuar figurave të rilindjes kombëtare, e ndërpreva, pasi lexova në ‘Drita’, se një gjë të tillë po bënte edhe Sterjo Spasse, madje ai…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës
Dossier

“Romanin tim me temë historike, kushtuar figurave të rilindjes kombëtare, e ndërpreva, pasi lexova në ‘Drita’, se një gjë të tillë po bënte edhe Sterjo Spasse, madje ai…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

July 21, 2025
“Mos u presjononi prej klikës së kalbur staliniste, Hoxha-Shehu, qëndroni kryelartë me kurajo prej shqiptari, sepse i ka ditët të numëruara…”/ Zbulohet trakti që alarmoi Tiranën zyrtare, në vitin 1977
Dossier

“Në Kongresin e dytë të ‘Rinisë së Lirë të Evropës Qendrore dhe Lindore’, që u mbajt në Paris më 1 qershor 1956, nga Rinia Shqiptare, ishte Kostë Xhajanka, i cili…”/ Historia e panjohur e mërgatës politike shqiptare

July 20, 2025
“Për ish-oficerin e Marinës, xha Dauti tha; Larg spiunit, është hafije i Sigurimit, mos e afro, se sa ka ardhur ai në burg, veç birucë më birucë ka bredhur! Turpi i Beratit dhe…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik   
Dossier

“Të gjitha dorëshkrimet e librave që shkrova në burgun e Burrelit, arrita t’i nxjerr andej, duke shfrytëzuar përvojën e mëparshme të kuantit tim, Arshi Pipa, i cili…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

July 20, 2025
“Si major i inteligjencës ushtarake, ai shërbeu në stafin e gjeneralit Aizenhauer gjatë pushtimit të Francës dhe luftoi për çlirimin…”/ Historia e panjohur e shqiptarit të famshëm, që u përcoll me protokoll në SHBA-ës
Dossier

“Si major i inteligjencës ushtarake, ai shërbeu në stafin e gjeneralit Aizenhauer gjatë pushtimit të Francës dhe luftoi për çlirimin…”/ Historia e panjohur e shqiptarit të famshëm, që u përcoll me protokoll në SHBA-ës

July 20, 2025
“Goni Treska tregonte për Enver Hoxhën, që merrte dollarë të Zogut si dylber i një kasapi me emrin ‘Kia’, raportet me vajzën fisnike Gallata, për gratë e ‘Grupit Komunist’ të Korçës…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës
Dossier

“Goni Treska tregonte për Enver Hoxhën, që merrte dollarë të Zogut si dylber i një kasapi me emrin ‘Kia’, raportet me vajzën fisnike Gallata, për gratë e ‘Grupit Komunist’ të Korçës…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës

July 19, 2025
Next Post
“Poshtërimi dhe tortura ishin kënaqësitë më të mëdha që ndjenin toger Hakiu, aspirant Syrjai, kapterët Selfo, Tomi, Ismaili, etj., ndaj të internuarve në Tepelenë…”! / Dëshmitë dhimbshme të Eugjen Merlikës

“Vëllai i madh i Nisim Kohenit në Bruklin, nuk do t’ia dijë për Shqipërinë dhe shqiptarët, ku i ati dhe daja, bënë nga 5 vjet burg politik, pasi...”! / Reportazhi i gazetarit të njohur, me hebrenjtë në Greqi

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme