Nga Ilo Foto
Pjesa e parë
Memorie.al / Familjet e mëdha janë emërtuar të tilla, për shkak të njerëzve të shquar, për shkak të pasurisë që kanë zotëruar dhe për shkak të influencës që kanë ushtruar në mjedisin shoqëror, në një kohë të dhënë. Kthesat historike kanë filluar nga familjet e mëdha. Skënderbeu mblodhi krerët e familjevë të mëdha, në Kuvëndin e Lezhës. Të njëjtën gjë bëri dhe Ismail Bej Vlora. Nuk mund të vendosej asnjë bashkim, pa vullnetin e familjeve të mëdha, që quheshin edhe oxhaqe ose porta. Kishin pasurinë, territor dhe mbi gjithçka kishin njerëzit më të ditur të kohës, në një trevë të caktuar.
Këto familje kishin aftësinë dhe ndjenin nevojën e aleancave, për të përballuar rreziqet e jashtme dhe të brendshme. Ato treva, që nuk arrinin të krijonin familje të mëdha, u bënë çifliqe të agallarëve dhe nëpunësve të lartë të Perandorisë Osmane. Pasuria e familjeve të mëdha, gjithnjë ka rrjedhur nga afërsia me qeverinë. Perandoria shpërblente ithtarët e saj me pasuri të pa luajtshme, si mbas kontributit që jepnin në fuqizimin e Perandorisë.
Firmëtarët e aktit të pavarësisë në Vlorë në 1912-ën, ishin kryesisht, pjesëtarë të familjeve të mëdha të kohës, klerikë të lartë dhe intelektualë të rinj. Midis klerikëve të firmëtarëve, ishte Imzot Nikoll Kaçorri, që nuk ishte nga radhët e njerëzve të pasur, por ai pati, përpara emrit, titullin fetar. Firmtar i Pavarësisë, ishte një i ri nga Kruja e Skënderbeut, Mustafa Merlika – Kruja, që nuk përfaqësonte ndonjë familje të madhe dhe nuk kishte ndonjë ofiq përpara emrit, por ishte midis më të diturve të firmëtarëvet.
Universitarë të këtij niveli, ishin të rrallë në Shqipëri, sepse ata që mbaronin universitete, kudo në botë, mund të ndërtonin një jetë të pasur dhe të lumtur, kudo dhe sido që do të dëshironin. Mustafai i ri ishte i pasionuar pas shkencës dhe atdhetarisë. Postit të nënprefektit në Urfa të Sirisë, ai i parapëlqeu atë të mësuesit të shqipes dhe matematikës në gjimnazin e Durrësit, për kënaqësinë e miqve të tij, që e uruan, madje edhe nga burgu. Atë ç’ka përvetësoi në universitet, vendosi t’a verë në jetë në Atdheun e robëruar të kohës.
E vuri veten dhe dituritë në shërbim të Mëmëdheut, që në momentin që u kthye në vendlindje. Me fillimin e kryengritjeve anti – turke në Shqipërinë e Mesme, u vu si sekretar organizativ i tyre. Në këtë detyrë ai mbante lidhjet me komitetet an’e mbanë Shqipërisë, si me 12 bajrakët e Mirditës, me komitetet e jugut, t’Elbasanit, madje ishte pjesëtar, së bashku me Markagjonin dhe Abdi Toptanin edhe në takimin në Shkup, me udhëheqësit kosovarë, si; Nexhip Draga, Hasan Prishtina, Isa Buletini, etj.
U bashkua me Ismail Qemalin e Luigj Gurakuqin e, atë grusht atdhetarësh që udhëtuan drejt Vlorës, duke u nisur nga Durrësi, n’atë javë të fundit të Vjeshtës së tretë, 1912. Më 28 nëntor mori pjesë në ngritjen e flamurit dhe firmosi dokumentin më të rëndësishëm të historisë shqiptare, n’emër të kryeqendrës së Skënderbeut.
U votua i katërti në listën e Pleqësisë së Asamblesë së Vlorës, u emërua nënprefekti i parë i kryeqytetit të shtetit të parë të bashkuar shqiptar. Shpejt, megjithëse ende nuk kishte mbushur 26 vjetët, u emërua kryesekretar i Qeverisë së parë të Ismail Qemal bej Vlorës, të cilit i qëndroi besnik deri ditën e fundit, në kundërshtim me mjaft të tjerë që e braktisën, për t’u bashkuar me Esat Pashë Toptanin.
Qe njëri ndër eksponentët politikë më të zellshëm në luftën kundër rebelimit filoturk të Haxhi Qamilit, me armë dhe me pendë. Mbas largimit të Princ Ëiedit nga Shqipëria, si rezultat i zgjerimit dhe forcimit të lëvizjes së Haxhi Qamilit, Mustafai u detyrua të dorëzohet tek Esat Pashë Toptani, për të liruar të gjithë meshkujt e familjes së zgjeruar, të cilët ai i mbante peng. Esati e dënoi me vdekje, sepse kundërshtonte veprimtarinë e tij, duke e quajtur jo në interes të Shqipërisë, pastaj i fali jetën dhe e syrgjynosi në një burg italian.
U kthye në Shqipëri në dhjetor 1918, e mori pjesë në Kongresin e Durrësit, ku u zgjodh ministër i postë-telegrafavet dhe sekretar i Dërgatës shqiptare, në Konferencën e Paqes në Paris, 1919. Në pjesën e dytë të librit të sipër përmendur, nga faqja 291 deri në faqen 357, janë radhitur dokumentet e hartuara nga Dërgata shqiptare e qeverisë së Durrësit në Paris. Ata dokumenta, që janë një pasuri e vërtetë për çështjen tonë kombëtare dhe diplomacinë shqiptare, të nënshkruara nga kryeministri Turhan Pashë Përmeti, janë hartuar nga Mustafa Kruja dhe miku i tij i madh, Luigj Gurakuqi.
Nëpërmjet leximit të tyre, cilido mund të gjykojë mbi atdhetarizmin dhe përkushtimin ndaj çështjes shqiptare të krutanit 32 vjeçar. Deputet i Kosovës në parlamentin e parë shqiptar, shquhet për prirjet përparimtare dhe pro evropiane në hartimin e legjislacionit të shtetit të dalë nga Kongresi i Lushnjes. Si i tillë mori pjesë në kryengritjen e marsit 1922 dhe u arratis në Jugosllavi, mbas dështimit të saj. Atje për pak kohë mësoi serbo-kroatishten dhe përktheu librin e ish kryeministrit të Serbisë, Vlladan Gjorgjeviç; “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”. U kthye në Shqipëri në qershorin e vitit 1924 dhe u emërua Prefekt me fuqi të plota, në Shkodër.
Në dhjetor 1924, braktisi për të tretën herë atdheun, brenda dhjetë vjetësh, këtë herë me gjithë familje. Periudha 15-vjeçare e mërgimit politik në Itali, qe një periudhë pune intensive intelektuale, sidomos në gjuhësi dhe publicistikë. Në të parën punoi kryesisht mbi kryeveprën e tij “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”, ndërsa në të dytën, bashkëpunoi me shumë organe të shtypit shqiptar t’asaj kohe, brenda e jashtë Shqipërisë.
“Kuvendi”, “Shkumbini”, “Politika”, “Dajti”, “Liria Kombëtare”, “Mbrojtja Kombëtare”, “Imigranti”, “Shqipëria e re”, “Cirka”, “Përpjekja shqiptare”, “Agimi”, “Hylli i Dritës”, “Ora e maleve”, “Leka”, janë të përkohshme shqiptare në të cilat Mustafa Kruja ka botuar shkrimet e veta, me emër apo pseudonime, ku më i njohuri ishte, “Shpend Bardhi”.
Në vëllimin “Gjysmë shekulli me pêndë në dorë”, të botuar në vitin 2015, nga Eugjen Merlika, janë përmbledhur shumica e këtyre shkrimeve, që paraqesin një nga publicistët më cilësorë e më prodhimtarë të jetë sonë kulturore të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. U afirmua si shkrimtar, studiues, gjuhëtar. Është një shqiptar me jetëshkrim aktiv, të ngjeshur dhe gjithëpërfshirës.
Ai zhvilloi një veprimtari të paparë në fushën e gjuhësisë, të leksikologjisë, të albanologjisë, duke lënë një emër në të tëra fushat, ku debutoi dhe arriti kulme të krijimtarisë. Për Aleksandër Xhuvanin, Mustafa Kruja ishte; “në radhën e parë leksikografësh të shquem të Shqipes”, ndërsa studiuesja e ditëve tona, Ledi Shamku-Shkreli, në parathënien e vëllimit; “Një studim analitik – Gjuha e Frang Bardhit dhe Shqipja moderne”, shprehet kështu:
“Shpesh, kur analizohen post faktum mëndje luminare, idetë e të cilave nuk gjetën përhapje në gjallmëni të tyre, thuhet se ato qenë të parakohshme. Për Mustafa Krujën, nuk mund të thuhet kësisoj, pasi thelbi i kumteve të tij teorike, shihet se ka qenë sinkron me atë të bashkëkohësve të vet, në Evropë e Shtetet e Bashkuara – Fishman, Martinet, Benveniste, Bartoli, Migliorini etj.
Pra ky novator do të kish qenë njeriu i duhur në kohën dhe vendin e duhur, por pas Dyzetekatrës, koha shqiptare rrodhi ndryshe nga koha globale e për rrjedhojë, shkenca jonë iu shmang vektorit diakronik të zhvillimeve ndërkombëtare, duke hyrë siç është pranuar me krenari, në një shteg sui generis. Pra ky aksident historik, u përkthye në një aksident apo gand gjeografik, i cili bëri që Mustafa Kruja, të ish njeriu i duhur në kohën e duhur, por që s’mund të ndodhej në vendin e duhur – në Shqipëri”!
Ky vlerësim madhor i një studiueseje të re të gjuhësisë shqiptare, dëshmon më së miri ndihmesën e jashtëzakonshme të Mustafa Krujës, në lëmin e gjuhës shqipe, madje më kujton një shprehje të studiuesit të njohur kosovar, Zekirja Cana, në një takim me studentë e pedagogë të Institutit të Lartë të Arteve në vitin 1991: “Nuk mund të kuptohet gjuhë-sija shqiptare pa ndihmesën përcaktuese të Mustafa Krujës”.
Po t’i shtojmë këtyre konsideratave, vlerën e paçmuar të “Fjalorit të madh të Gjuhës Shqipe”, një fjalor etimologjik me 30.000 fjalë e, 2500 faqe të daktilografuara, fatkeqësisht i humbur në Institutin e Gjuhësisë, që pasoi Institutin e Studimeve Shqiptare, të themeluar prej gjuhëtarit krutan, mund të vetëdijesohemi më mirë për faktin se sa e padrejtë dhe mosmirënjohëse, qe Shqipëria komuniste kundrejt një monumenti të shkencës së saj gjuhësore, siç qe Mustafa Kruja.
Secili komb ka një fillim të pavarësisë dhe të zhvillimit modern të tij. Pavarësia e shtetit fitohet një herë në jetë. Kjo ngjarje historike ka heronjtë e saj, të pa tjetërsueshëm. Heronjtë nuk kanë prejardhje gjenetike. Përkatësia e tyre familjeve të mëdha si origjinë, e njerëzve të shquar, është probabilitet matematik. Jeta ka vërtetuar se heronjtë, duke qenë individë që dalin mbi kohën, i formon mendja e tyre dhe çasti historik, si mbas të cilit, ata bëjnë historinë.
Ata që firmosën Deklaratën e Pavarësisë së Amerikës, kanë marrë titullin “Baballarë të Kombit”. Janë më shumë se heronj. Veprës së tyre vijojnë t’u referohen dijetarët, shkencëtarët, intelektualët, në rrugën e gjatë të përsosjes së demokracisë dhe të shtetit, jo vetëm në Amerikë, por kudo në botën e qytetëruar.
Firmëtarët e Pavarësisë së Shqipërisë, populli i ka mbajtur në zemër. I ka ruajtur nga të tëra goditjet, që u kanë ardhur në forma të ndryshme, nga regjimet dhe politikanë të veçantë. Ata janë produkt popullor, pa lidhje me përkatësitë ideologjike emocionale, ata janë flamurtarë të ideologjisë së Kombit.
Influenca praktike e familjeve të mëdha, u zbeh në kohën e Mbretërisë, por nuk u mohua lavdia e tyre për Kombin. Zogu pretendonte se vetëm Ai mund të bënte bashkimin e kombit, por faktikisht, nuk mundi t’a realizonte, siç e përfytyruan firmëtarët e pa vdekshëm. Fill mbas Luftës së Dytë Botërore, historia e vendit, iu nënshtrua operacioneve më të rënda, që i janë bërë ndonjë herë listës së firmëtarëve.
Figura të shquara u deformuan moralisht dhe të tjerë iu hoqën listës së firmëtarëve, duke iu nënshtruar harresës, me arrogancën shtetërore, sepse historia duhej të kthehej në vitin zero dhe të vihej në shërbim të triumfit komunist, me të tëra mënyrat dhe mjetet.
Një ndër figurat historike të rëndësishme të Kombit, firmëtari i Dokumentit të Pavarësisë, Mustafa Merlika (Kruja), u vu në qendër të ciklonit komunist, të mohimit dhe harrimit, sepse nga gjyqi komunist i vitit 1945, ishte dënuar me vdekje në mungesë. Po përse? Asnjë fakt, asnjë provë. Asgjë e qenësishme! Kaq pak kushtoka jeta e një intelektuali, një ish-kryeministri, një shkencëtari, një atdhetari të dy epokave, një ideologu politik? Ky ishte komunizmi enverist, i pa shoq, ndër homologët!
Mustafa Krujës, firmëtarit të madh, iu mohua atdhetarizmi, vepra intelektuale shkencore e nivelit të lartë, sepse kishte bindje të argumentuara antikomuniste. Ju internua familja, duke e damkosur si “familje tradhtare të atdheut dhe popullit”, që i përkiste dhe që i ishte përkushtuar. Familja Merlika, u vendos në kampet e dëbim-përqendrimit të ish-fermës bujqësore të Lushnjës, pasi kreu internimin në kampin e vdekjes, n’atë të Tepelenës. Këtë dënim të pa merituar, edhe për ligjet e kohës, familja Merlika e përballoi me dinjitetin e një familjeje, që historia i kishte rezervuar vendin në altarin e heronjve të kombit.
Familjet e mëdha lindin njerëz të shquar dhe heronj, ashtu sikurse njerëzit e shquar janë të aftë të krijojnë familje të mëdha. Në lagjen time në New York, banon një nuse krutane, martuar në derën e një mikut tonë. Mbiemrin e vajzërisë, nusja e ka Merlika. E pyeta, në se njihte Mustafanë ose Eugjenin. “I kam dëgjuar nga prindërit, – më tha, – dhe e di me siguri që vetëm në Krujë, ka mbi 100 familje me këtë mbiemër. Ka dhe në qytete të tjerë, si dhe jashtë shtetit. Jemi fis i madh, nuk jemi familje kanunore, por fis me degëzime të shumta”, më sqaroi nusja Kacana (Merlika). Nuk është numri i degëzimeve, që cilëson familjen. Namin e madh familjes, ja dha vepra madhore e Mustafait.
Regjimi enverist i injoroi shumicën e firmëtarëve të Pavarësisë. Ndaj disave prej tyre dhe familjeve u ushtrua një shtypje e egër, deri në zhdukjen fizike të tyre. Ky qëndrim iu rezervua edhe disa pasardhësve të babait të Pavarësisë, Ismail Bej Vlorës. Përndjekja ndaj firmëtarëve arriti deri në retushimin e fotografisë së tyre, në poli-foton e shkrepur në vendin dhe kohën e shpalljes së Pavarësisë. Në këtë aksion banditesk enverist, bën pjesë dhe ndryshimi i emrit të Ismail bej Vlorës, mbiemri i vërtetë i të cilit, është bej Vlora. Emri i Mustafa Krujës, ishte mbuluar me një shirit të bardhë, për gati gjysmë shekulli.
Familja Merlika, i pagoi një çmim të lartë kundërshtisë ndaj komunizmit, të të parit të saj. Në familjen Merlika u dënuan katër burra, me burgim politik, që përfaqësonin tre breza rresht. Është ngjarje e rrallë edhe europjane, persekutimi pa as një faj të argumentuar me ligjet universale dhe ato të kohës, për një familje kontribuuese për lirinë e kombit. Fenomene të ngjashme, Arshi Pipa, i ka stigmatizuar: “Njolla e kriminelit në ballin e atdhetarit“. Në shkrimin; “Mustafa Kruja figurë e ndritun e shkencës shqiptare”, studiuesi i mirënjohur, prof. Ardian Ndreca, sjell një fragment nga artikulli “Vështrim i thjeshtë krahasues”, të shkrimtarit Martin Camaj, ndër më të mëdhenjtë e letrave shqipe, të të gjitha kohëve, të botuar në “Shejzat” 1963, me pseudonimin “Kosovari”:
“Sa shkrimtarë u-pushkatuan apo u-dënuan për jetë, gjatë periudhës së Koliqit si Ministër i Arsimit e, i Krujës si kryeministër? Ju lutem na i tregoni, sepse un si kosovar, nuk kam lexue njikso gjâje. E sa në kohën e Enverit, ‘birit më të dashur të popullit shqiptar’? Këté na e rrëfejnë e përshkruajnë mâ qartë se çdo tjetër emigrant arsimtarët e ndershëm, vllaznit Pipa, po në fletoren “Shqiptari i lirë” të New York-ut”! E huazova nga shkrimi i z. Ndreca, këtë fragment, për të pohuar mbas më shumë se gjysëm shekulli, se sa e drejtë ishte pyetja dhe sa me vend përqasja, ndërmjet figurave politike, për të cilat flitet, e që ende sot, nuk gjejnë vendin e merituar në kujtesën historike të bashkatdhetarëve të tyre.
Në Luftën e Dytë Botërore, spikati përsëri roli i familjeve të mëdha. Lufta e kishte emrin; nacional-çlirimtare, por kishte nevojë për mbështetje njerëzore dhe materiale. Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Abas Kupi, Manush Myftiu, Muharrem Bajraktari, Kaloshët, Vrionët, Toptanët, Bushatllinjtë, Këlcyrët, Alltunët, Vërlacët, Topullarët, Markagjonët, Karagjozët, ishin përfaqësues të familjeve të mëdha. Krerët e tyre i gjetën të formuara. Pasardhësit u a rritën emrin këtyre familjeve, siç njihen dhe rastet e kundërta.
Është e thjeshtë të gjykohet se nga këto familje, erdhën intelektualë të shquar dhe patriotë me emër. Këto familje mbështetën luftën dhe u bënë prapavijë e sigurt e saj.(?!!) Enveri ishte pjesë në një familjeje të madhe, por e rënë nga vakti. Kishte klerikë, që kishin më shumë influenca se ajo e familjeve të mëdha. Të tillë ishin; Baba Faja, Baba Fejzo, Baba Rexhepi, Sheh Karbunara, etj. Mund të kishe ideal për të zhvilluar një lëvizje politike, por ky ideal mbetej ëndërr, pa mbështetjen e shumicës së familjeve të mëdha.
Kjo traditë nuk është ndeshur vetëm në Shqipëri, por kudo në botë. Janë të famshme dinastitë Habsburgë, Burbonë, Kromëellët, Plantagenetët, traditë që u transferua në Amerikë, me Rokfellerët, Riçardët, Bushët, Trampët, etj. Populli ynë e ka vlerësuar normalisht rolin e familjeve të mëdha. Historia tregon se ata nuk kursyen as veten, as pasurinë. Ja si thotë kënga popullore: “Abdyl shite pasurinë, tri barrë flori/ Vajte te Bismarku, brenda në Berlin”… dhe vijon me bisedën te Bismarku .
Mustafa (Kruja) Merlika nuk trashëgoi pasuri as flori, por vuri në shërbim të atdheut atdhedashurinë, fizikun, mendjen, karakterin, përgatitjen e gjithanshme intelektuale–profesionale, gjithçka që kishte. U bë fatos, që e rriti vegjëlia krutane e Skënderbeut. Mustafai e rriti namin atdhetar në nivelin e familjeve më të mëdha të kombit. Un mendoj se përpara monumentit të Ahmet Zogut, meriton të ngrihet edhe shtatorja e Mustafa Krujës. Ai ishte një atdhetar kristal dhe erudit.
Rivendosja e sistemit pluralist, midis shumë transformimeve sociale, solli mundësinë e një diskutimi të gjerë akademik dhe shoqëror, për de-formacionet, që i u bënë historisë së kombit nga ideologjia ekstremiste e Enverit. Një ndër pikat më të nxehta të këtij diskutimi, vijon të jetë; në se shqiptarët duhej të krijonin dhe të bënin funksionale qeverinë nën pushtuesin. Mendimet e historianëve në këtë pike, janë të kundërta dhe pak bindëse. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm