Nga Bashkim Trenova
Pjesa e njëzetekatër
MITE-MISTICIZËM, VIKTIMOMANI, RACIZËM DHE SERBONOSTALGJI
SHQIPTARËT SIPAS SERBËVE
(KRIZA LINDORE DHE LUFTËRAT BALLKANIKE)
Memorie.al / “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)
Unë kam mbështetur pavarësinë e Kosovës në vitin 1972 dhe për këtë u bëra plotësisht i vetëdijshëm në burg, pas bisedimeve me shqiptarët e burgosur. Aty kuptova se ishte një problem kolonial, se Kosova ishte një pjesë e vjedhur e perandorisë turke, që më vonë u kolonizua pa sukses dy herë nga Serbia. Nuk ka dallim të madh mes Algjerisë dhe Kosovës. De Goli ishte shumë i zgjuar. Ai e kuptoi se ishte më mirë që Franca t’u jepte lirinë algjerianëve. Më pas francezët e tij, u përpoqën ta vrisnin. Ju keni ende politikanë në Serbi, që pretendojnë se është “e jona”! Atëherë, si mund ta mbajmë këtë?! Me gjashtë për qind njerëz?! Kjo është një koloni ku pushteti mund të mbahet vetëm me forcë. (2)
—
Kosova nuk është pjesë e Serbisë, siç pretendojnë ata që thonë se ajo ka qenë gjithmonë pjesë e Serbisë, meqë ishte pjesë e perandorisë së Dushanit. Nuk dihet me siguri nëse në atë kohë ajo banohej kryesisht nga fise serbe, siç duam të besojmë, sepse atëherë nuk ka pasur përcaktim të fshatit sipas përkatësisë etnike, por kryesisht nga cili feudal zotërohej ai. Kështu, Kosovën nuk mund ta cilësojmë me bindje të plotë si pjesë natyrale dhe etnike të Serbisë.
Miti i Kosovës zhvillohet kur lind një mundësi unike për monarkinë e sapofronëzuar të Karagjorgjeviçit për të zgjeruar territorin e saj në pjesë, që nuk i kishte pasur që nga Mesjeta, dhe të cilat u bënë lehtësisht të arritshme me rënien e Perandorisë Turke. Për këtë duhej t’i motivoje disi njerëzit, t’u jepje diçka që shërben si bazë e mirë për luftë. Kështu Kosova u trajtua si një atdhe stërgjyshëror që nga koha feudale dhe që, natyrisht, i përket Serbisë. Pra, dy luftërat ballkanike ishin tërësisht të karakterit territorial dhe pushtues. Popullsia serbe e Kosovës në atë kohë ishte qartazi pakicë. Ajo pjesë e shqiptarëve, që protestuan kundër pushtetit serb, u quajtën kaçakë, të jashtëligjshëm.
Serbia tentoi të kolonizonte Kosovën me serbë menjëherë pas luftërave ballkanike dhe në vazhdim pas Luftës së Parë Botërore. Këto dy kolonizime, që numëronin rreth pesëdhjetë mijë shpirtra, veteranë të luftës, familjet e të cilëve morën tokën që shteti ua kishte marrë vendasve, përbënë bërthamën e popullatës serbe në Kosovë. Dhe qeveria u mbështet në këtë bërthamë. Cili ishte qëndrimi ynë ndaj të drejtave kulturore, etnisë, arsimit dhe çdo gjëje tjetër në Kosovë, e dimë më mirë nga shkrimet e Dimitrije Tucoviçit, të cilave nuk kam çfarë t’u shtoj më tepër. (1)
1 – Lazar Stojanoviç. Zabrane vode u lager. Otvoreno pismo drugu Ivici Dačiću, koji bi ponovo da zabranjuje. (Ujërat e ndaluara në kampin e letrave. Letër e hapur për Ivica Daçiç, i cili do ta ndalonte sërish të papërshtatshmin). Danas. 27.02.2008.
2-Lazar Stojanoviç. Kosovo je uvijek bilo samo srpska kolonija. (Kosova gjithnjë ka qenë vetëm një koloni serbe). Jutarnji list. 1.03.2008.
****
Ljubinka Trgovçeviç – historiane dhe profesore në Fakultein e Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit:
Kur u formua ideja kombëtare shqiptare, të cilën ne e quajmë projekti i Shqipërisë së madhe apo i Shqipërisë etnike, ajo hasi në kundërshtimin e të gjithë popujve ballkanikë. Ky është në fakt shembulli i vetëm kur të gjitha kombet ballkanike patën një qëndresë negative ndaj krijimit të atij shteti, sepse ata tashmë kishin hartuar vetë harta të mëdha dhe, në një farë mënyre, e shihnin atë hapësirë si të tyren, madje e kishin ndarë hapësirën shqiptare. Asnjë komb nuk është me fat nëse beson vetëm në disa mite kombëtare dhe ide kombëtare. Së pari, ne të gjithë duhet të bindim veten se nuk jemi më të mirët. Kjo është e rëndësishme.
Po kështu të kuptojmë se nuk kemi vetëm ne të drejtë. Dhe kjo është e rëndësishme. E njëjta gjë është edhe me marrëdhëniet serbo-shqiptare. Deklaratat tona se asnjëherë nuk kemi pasur mendime negative ndaj popullit të Shqipërisë, apo shqiptarëve tanë në Kosovë, rezultuan të pasakta. Kjo është e pasaktë sepse në të vërtetë, sapo vjen një moment krize, një tufë njerëzish, të cilët mund të mos kenë takuar kurrë një banor të Kosovës, një shqiptar apo një banor të Shqipërisë, bërtasin duke kërkuar dënim me vdekje për shqiptarët dhe thonë fjalë të shëmtuara për ta. (1)
1 – Lazar Stojanoviç. NATO nema alternativu. (NATO nuk ka alernative). Vreme. Nr.1310. 11.02. 2016.
****
Milan Kosanoviç – historian:
Mungesa e burimeve historike, në të cilat mund të mbështetemi, është një problem thelbësor. Vepra e Mavro Orbinj, Mbretëria e Sllavëve, përfaqëson kështu burimin e vetëm për periudha të caktuara të historisë mesjetare serbe, siç është, për shembull, Beteja e Kosovës. Prandaj, mundësitë e verifikimit janë shumë të kufizuara. (2)
1 – Ljubinka Trgovčević: Projekti velike Albanije i velike Srbije nisu prošlost (Projektet e Shqipërisë së madhe dhe të Sërbisë së madhe nuk i përkasin të shkuarës). Radio Europa e Lirë. 9 novembar/studeni, 2014.
2 – Milan Kosanoviç. Mythes, symboles, rituels. Le pouvoir historique des «signes» en Europe du Sud-Est aux XIX et XXe siècles.(Mitet, simbolet, ritualet. Fuqia historike e “shenjave” në Europën Juglindore në shekujt XIX dhe XX), colloque, Bonn, 15-17 septembre 1997. Balkanologie. Vol.II.Nr.1.
****
Milan Vukomanoviç – profesor i sociologjisë fetare në Fakultetin e Filozofisë pranë Universitetit të Beogradit:
Por feja kryesore në Kosovë është nacionalizmi shqiptar. Kjo është një shoqëri multi fetare, ku ka ortodoksë, katolikë dhe myslimanë. Të gjithë ata që mundohen të shohin në Kosovë vetëm problemin e fundamentalizmit islamik apo ndonjë lloj terrorizmi mbi këtë bazë, e kanë krejtësisht gabim. Aty kemi thjesht një çështje nacionalizmi, i cili ka rrënjët e tij historike. Vehabistët u përpoqën të imponojnë diçka aty, por vendasit i rrahën dhe i dëbuan prej andej. Ata nuk kanë shumë shanse në Kosovë, sepse sikurse thonë shqiptarët për veten e tyre, ata sillen si të krishterë. As kishat ortodokse nuk kanë qenë objektivi kryesor i sulmeve vehabiste në Kosovë, sikurse përpiqen shpesh të na tregojnë. (1)
****
Milosh Jagodiç – Universiteti i Beogradit, Fakulteti i Filozofisë:
Lufta serbo-turke e viteve 1877-1878 është përmendur shumë herë në historiografinë serbe. Megjithatë duket se migrimet e nxitura nga lufta u zhvilluan gjithmonë nën hijen e veprimeve ushtarake dhe të epilogut të tyre në Berlin. Ato ishin, në fakt, më të mëdha dhe më të rëndësishme se zakonisht. Pikëpamja se 30.000 shqiptarë emigruan nga Serbia mbeti e pa kundërshtuar për gati një shekull. Ky numër ishte më i madh: së paku 49,000…(2)
1 – Milan Vukomanovic. Pobeda jaceg demokrate.(Fitorja e demokratit më të fortë). Radio Peščanik, 23 mars 2007.
2 – Milosh Jagodiç. The Emigration of Muslims from the New Serbian Regions 1877/1878 (Emigrimi i muslimanëve nga rajonet e reja serbe 1877/1878.). Balkanologie. Vol.II, nr.2/1998.
****
Miodrag Jeremiç – gazetar, korrespondent i gazetës Borba dhe përfaqësues i social-demokracisë serbe në fillimet e shekullit XX:
Këto ditë është folur shumë për pikat strategjike ndaj Shqipërisë, të cilat duhet të sigurojnë territorin tonë. Pikat strategjike pa dyshim thonë diçka, por sado të sigurta dhe rigoroze të jenë ato, kurrë nuk do të na shpëtojnë nga urrejtja dhe hakmarrja e një kombi të fyer dhe të plagosur rëndë. Për sa kohë që tek borgjezia jonë do të sundojnë koncepte të tilla barbare; për sa kohë që edhe politikanët më esëll do të mbrojnë tezën se arnautët janë gjysmë-njerëz dhe se çështja shqiptare mund të zgjidhet vetëm me zjarr dhe me hekur, ne do të kemi mobilizim pas mobilizimesh në kufirin perëndimor të territorit të ri dhe dështim pas dështimi.
Dhe deri atëherë nuk do të na ndihmojnë pikat strategjike ndaj Shqipërisë, për të mos folur pastaj se do të na duhet që të mbajmë vazhdimisht, ditë e natë, “pikat strategjike” brenda vendit, nëpërmjet të cilave do të therim e do të asgjësojmë ata qindra mijëra shqiptarë që jetojnë brenda kufijve tanë dhe që duhet të jenë njëfarë themeli i rremë i Serbisë së Madhe. (1)
—
Shkolla, së paku tani e tutje, duhet ta kuptojë krejt ndryshe rolin e saj kombëtar. Njëqind vite të tëra ajo ka edukuar me zjarr për hakmarrje, ajo ka predikuar me forcë rifillimin e katastrofës kosovare. Ajo, për kaq vjet, gjatë të cilëve tek popujt e kulturuar kanë dalë e janë zhdukur një mori sistemesh filozofike e konceptesh, ka zhvilluar tek fisi serb “ndjenjat nacionale”, veçanërisht nëpërmjet gjallërimit të kujtimeve për katastrofat e tmerrshme, që kanë lënë prapa gjithë zhvillimin kombëtar kulturor. Puna e saj pasqyrohej në ngritjen e kultit të ditëve të dhimbshme dhe të përgjakshme.
Kurrë nuk u gjend një pedagog, që veprimtarinë kombëtare të shkollës popullore ta analizojë në një drejtim të frytshëm kombëtar dhe ekonomiko-kulturor, një pedagog, që veprimtarinë kombëtare të shkollës popullore ta analizojë në një drejtim të frytshëm kombëtar dhe ekonomiko-kulturor. Luftërat, që kanë ndikuar në revolucionarizimin e marrëdhënieve të kohës sonë, nuk janë mësuar si të tilla.
Përkundrazi, në vend të tyre këndoheshin në kor himne për sunduesit e fuqishëm serbë, për kuajt e tyre të tërbuar dhe langonjtë e shpejtë. Asnjëherë në këtë shkollë popullore nuk është ndriçuar, as përafërsisht, panorama e regjimeve, në të cilat carët tanë të së kaluarës kanë fituar lavdinë serbe, asnjëherë nuk është krahasuar jeta e shkallëve të ndryshme të hierarkisë shoqërore. Këto fakte janë shmangur, pasi ato do të na jepnin gjendjen e vërtetë të këtyre epokave të arta të së kaluarës sonë. (1)
Luftërat, që kanë ndikuar në revolucionarizimin e marrëdhënieve të kohës sonë, nuk janë mësuar si të tilla. Përkundrazi, në vend të tyre këndoheshin në kor himne për sunduesit e fuqishëm serbë, për kuajt e tyre të tërbuar dhe langonjtë e shpejtë. Asnjëherë në këtë shkollë popullore nuk është ndriçuar, as përafërsisht, panorama e regjimeve, në të cilat carët tanë të së kaluarës kanë fituar lavdinë serbe, asnjëherë nuk është krahasuar jeta e shkallëve të ndryshme të hierarkisë shoqërore. Këto fakte janë shmangur, pasi ato do të na jepnin gjendjen e vërtetë të këtyre epokave të arta të së kaluarës sonë. (1)
1 – Miodrag Jeremiç. Borba, 16.2.1914. Fq.147-149.
****
Mirjana Mioçinoviç – Profesore në Fakultetin e dramës në Beograd, teatrologe, shkrimtare dhe përkthyese:
Tani do të doja të them vetëm disa fjalë për të vërtetat faktike, që i referohen Kosovës, siç i shoh unë, në një këndvështrim historik më të gjerë dhe më të gjatë. Pra, të paktën me sa më kujtohet, edhe 60 vjet pas luftës ne i kemi trajtuar shqiptarët si njerëz të dorës së dytë. Ne u dhamë atyre punët që nuk donim t’i bënim vetë, dhe pastaj i shikonim me përçmim për shkak të kësaj.
Në rajonin ku ata jetonin në shumicë dërmuese, ne sunduam sipas parimeve të aparteidit. Ne reaguam me arrogancë ndaj lindjes së vetëdijes së tyre, si zotërinj të ofenduar, shërbëtorët e të cilëve mendojnë për emancipim. Në vitin 1999 u përpoqëm t’i jepnim një zgjidhje përfundimtare çështjes shqiptare sipas parimit dhe mjeteve të ekspeditave ndëshkuese, likuidimeve masive, djegies, grabitjes dhe dëbimit të gjysmës së popullsisë, konfiskimit të dokumenteve, me shpresën se kjo do të pengonte kthimin e tyre.
Pra, është një fakt i tmerrshëm, por ne jemi të fundit që kemi të drejtë të japim mësime morale dhe t’i konsiderojmë shqiptarët si barbarë, veprimet e të cilëve ne i urrejmë, duke qenë ne një popull gjoja shumë i qytetëruar. Dhe tani e shihni se, meqë nuk kemi pranuar sistematikisht, me paramendim, t’u qasemi këtyre fakteve, ne do të përjetojmë një fatalitet, e ai është pavarësia e Kosovës, si një dënim i pamerituar dhe si shkelje e rëndë e të drejtave tona, dhe do të përfundojmë në atë që quhet rënie në një depresion të thellë, i cili me të vërtetë do të shkatërrojë plotësisht këtë potencial të vogël jetësor që kemi tani.
Nuk po flas për pasojat e tjera, ne urrejmë shqiptarët si barbarë, veprimet e të cilëve ne i urrejmë, duke qenë ne një popull gjoja shumë i qytetëruar. Dhe tani e shihni se, meqë nuk kemi pranuar sistematikisht, me paramendim, t’u qasemi këtyre fakteve, ne do të përjetojmë një fatalitet, e ai është pavarësia e Kosovës, si një dënim i pamerituar dhe si shkelje e rëndë e të drejtave tona, dhe do të përfundojmë në atë që quhet rënie në një depresion të thellë, i cili me të vërtetë do të shkatërrojë plotësisht këtë potencial të vogël jetësor që kemi tani. Nuk po flas për pasojat e tjera, ne urrejmë. (1)
1 – Miodrag Jeremiç. Borba. 16. 2. 1914. Fq. 147-149.
****
Mirko Djordjeviç – Publicist, kritik i nacionalizmit të Kishës Ortodokse Serbe dhe i intolerancës politike në shoqërinë serbe:
Dy rrugë janë përpara Kishës, ajo e klerikalizmit dhe ajo e ungjillëzimit. Fatkeqësisht, Kisha ime ka zgjedhur atë të klerikalizmit, duke braktisur ungjillëzimin. Sot hierarkia dhe teologët mbrojnë vendosjen e një “simfonie” të re. Kemi të bëjmë me një koncept të përpunuar në shekullin e 4-t, që mbron bashkëpunimin e ngushtë midis pushtetit laik dhe fuqisë shpirtërore. Sot simfonia paraqitet si rruga e së ardhmes për Kishën, kur jemi në shekullin e 21-të dhe kur, përkundrazi, duhet reflektuar në terma krejtësisht të reja për vendin e Kishës. (2)
—
“Koha e kishës nuk është ajo e shekullit”, nënvizon në Beograd sociologu i feve Mirko Djorgjeviç. “Kisha është e bindur se ajo do të kthehet një ditë në Kosovë. Por, duke pritur këtë rikthim në përmasa eskatologjike, Kosova do të jetë pikë fiksimi e predikimit nacional-kishtar”. Kështu duhet të bëjë kisha sot, e të mos u shesë njerëzve mjegullën se Kosova është e jona dhe do të jetë përgjithmonë. Çfarë të bëjmë me dy milionë shqiptarë?(1)
1 – Mirjana Mioçinoviç. Osveta Kosova. (Hakmarrja e Kosovës). Radio Pescanik. 22. 02. 2008.
2 – Mirko Djordjeviç. Eglise orthodoxe serbe:”Je suis un dissident!” (Kisha ortodokse serbe: “Unë jam disident!”) Religioscope, 13 octobre 2004.
—–
Është e papërgjegjshme të përsëritet “Kosova është e jona dhe do të mbetet e jona”. Epo, Batajnica, të lutem, është nën dritaren time, ja ku është. Nëse jo kryeministri në Beograd, cili do të ketë guximin të gjunjëzohet para këtyre viktimave. Dhe unë ju them se këto nuk janë thjesht gjeste rituale. Njeriu që do ta bënte këtë do të ishte si Vili Brandti dhe shqiptarët do ta falnin. Dhe pa këtë falje, nuk ka shpëtim për ne. (2)
****
Momir Turudiç – gazetar dhe zv/kryeredaktor i i të përjavshmes politike “Vreme”:
Shqiptarët jetojnë në Ballkan, përveç Shqipërisë dhe Kosovës, edhe në Serbi, në Maqedoni, në Greqi dhe në Malin e Zi. Nëse do të duhej të përshkruanim me pak fjalë gjendjen e përbashkët të banorëve të kësaj zone, do të kishim një pamje të tillë : zemërim, pakënaqësi, mungesë e shpresës për një të ardhme më të mirë. Në një atmosferë të tillë, historitë e “armiqve shekullorë”, kryesisht fqinjë, referenca për “të kaluarën tonë të lavdishme” dhe “krimet e atyre”, priten nga shumica shumë më mire sesa vizionet e një të ardhmeje të përbashkët . (1)
1 -Mirko Djordjevic. Le rêve perdu de la “Grande Serbie”. (Endra e humbur e “Serbisë së Madhe”.)La Libre. 15-02-2008.
2 – Mirko Djordjeviç. Osveta Kosova. (Hakmarrja e Kosovës). Radio Pescanik. 22. 02. 2008.
****
Nebojsha Popov – asistent në lëndën e Sociologjisë së Përgjithshme në Fakultetin Filozofik në Beograd…:
Frika ndaj ndryshimeve të vërteta shpjegohet nga një lloj apatie, apo është faji i vetë intelektualëve serbë? Ne nuk jemi pa gjë, përkundrazi, jemi për shumëçka. Një pjesë e mirë e intelektualëve tanë kanë marrë pjesë në procesin e “viktimizimit” të popullit serb, duke ndihmuar edhe në krijimin e një ideologjie, e cila i paraqet serbët si viktima të historisë. (2)
****
Olga Popoviç-Obradoviç – asistente Profesore e Historisë dhe e të Drejtës Kombëtare të Shtetit:
Kështu, pas shumë luftërash Serbia, vazhdimisht frymëzuese por edhe shfrytëzuese e mitit dhe motos – hakmarrja e Kosovës, arriti më në fund në shtetin jugosllav më 1 dhjetor 1918. (3)
****
Olivera Milosavljevic – historiane, profesore e historisë sociale në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit:
Pyetja mbi Kosovën është ndoshta pyetja më e vështirë, por vetëm për një arsye – sepse është bërë për më shumë se një shekull dhe sepse përgjigjet për të janë përgjithësisht të gabuara. Ato janë vendosur mbrapsht, sepse ishin thellësisht in tolerante, imagjinare, ekskluzive dhe ushtroheshin nëpërmjet forcës. Dhe tani, pas më shumë se njëqind vjetësh të përdorimit të forcës pa kufi, siç ndodh zakonisht në histori, gjërat kanë ndryshuar dhe kjo pyetje lind përsëri. Një serb nga Prizreni 110 vjet më parë ia ka bërë të njëjtën pyetje vetes dhe të tjerëve, por edhe atëherë ka dhënë një përgjigje, që askush nuk ka dashur ta dëgjojë.
Ai shkruajti: “Ne duam të grindemi me gjithë botën….Dhe pastaj, si fëmijë të vegjël, hidhemi me këmbë e duar, duke bërtitur në kupë të qiellit se e gjithë bota është armiqësore ndaj nesh, se ne as që duam të rrojmë, aq më pak të zhvillohemi e forcohemi. Nëse sinqerisht dëshiron të ndihmosh popullin serb, duhet të heqësh dorë nga të gjitha mburrjet e mëparshme, duhet kuptuar njëherë e përgjithmonë se Europa nuk është Poturica jonë, vendimet e saj nuk janë vendime të një kori të fshatit tone. Dhe, para së gjithash, ia vlen të hidhen poshtë thirrjet për përdorimin e dhunës, ia vlen të kërkosh të drejtën tënde dhe të respektosh të drejtën e të tjerëve”.
110 vjet më pa parë autori i cituar jep përgjigjen e pyetjes, që lind edhe sot, vetëm, siç e shihte ai, në një atdhe të përbashkët dhe në një marrëveshje të ndërsjellët, në tolerancë dhe barazi të të drejtave. Por askush nuk i ka lexuar librat e tij dhe libra të ngjashëm. Për njëqind vjet u lexuan libra të tjerë, që jepnin zgjidhje ndezëse dhe të rreme. Që ato ishin ndezëse vërtetohet nga mijëra shtëpi të djegura vazhdimisht. Që ishin të gabuara e vërtetojnë fatet njerëzore, që i takojnë gjithçkaje, përveç jetës normale. Dhe mbi librin e këtij autori apo të të tjerëve që mendonin si ai, gjatë kësaj kohe pluhuri ra në biblioteka. Do të jetë dhe më e rrezikshme nëse vazhdon të bjerë për 110 vitet e ardhshme. (1)
1- Momir Turudiç. Sta je tebi Albanija – Srpsko-albanski odnosi. (Ç’është Shqipëria për ty-Marrëdhëniet serbo-shqiptare). Vreme. N.1242, 23/10/2014.
2 – Nebojsha Popov. Intervistë në Gazeta WyborezVarsovi. 10.01 2005.
3 – Olga Popoviç – Obradoviç. Osveta Kosova.(Hakmarrja e Kosovës). Radio Pescanik. 22. 02. 2008.
4 – Olivera Milosavljevic: Osveta Kosova. (Hakmarrja e Kosovës). Radio Pescanik. 22.02.2008. Shih edhe gazetën Tema. 21.11.2015.
****
Rade Mihailçiç – prof. i Fakultetit të Filozofisë në Universitetin e Beogradit dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë:
Sllavët e vjetër gjetën në Gadishullin Ballkanik ilirët vendas, të cilët më pas u shpërndanë në disa fise dhe njëri prej këtyre fiseve mbijetoi. Popujt e Europës Perëndimore në shekullin XX këtë fis e njohën me emrin ‘shqiptar”. Megjithëkëtë, vendësit që kanë jetuar së bashku në grupe më të mëdha nuk u sllavizuan. Shqiptarët ruajtën gjuhën, doket, zakonet dhe simbolet e tjera kombëtare të tyre. Një pjesë e sllavëve të ardhur pranoi gjuhën dhe zakonet e shqiptarëve dhe u asimilua. (1)
****
Radosh Ljushiç – akademik dhe historian:
Elita intelektuale serbe është tronditur thellë nga reklamuesit e librave, blerjet e diplomave, plagjiaturat, tezat e këqija të misterit dhe të doktoraturës, jo vetëm në fakultetet private, por edhe në fakultetet shtetërore. Ky rreth i mjerë përfshin edhe vepra, që mund të përshkruhen si redaksionale dhe të cilat janë shkruar që autorët e tyre të marrin disa nga titujt akademikë të vështirë për t’u marrë. Një nga seritë e librave të tillë është ai i Dushan Batakoviçit, drejtor i Institutit Ballkanik të SANU – Politika e Jashtme e Serbisë (1844-1867). Naçertanije nga Ilija Garashanin, Beograd 2014. (2)
1 – Gazeta Informata; 23.02.2015. koha.net. Tema – 10 .08. 2015 dhe Bota Sot – 6.04. 2019.
2 – Radosh Ljushiç: Bataković darovit prepisivač. (Bataković est un copiste doué – Batakoviç është një kopjac i përkushtuar). NOVOSTI. 25.05.2016./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016