Nga Nafi Çegrani / ish – zyrtar i UDB-së
Pjesa e parë
Flet me emra shqiptari që ishte pjesë e UDB-së: Ja cilët shqiptarë u përgjuan hap pas hapi
Memorie.al / Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, me urdhër të Josif Broz Titos, u formua e ashtuquajtura OZN-a (Organ Zastite Naroda) me 13 maj 1944, dhe një vit më pas, VOS (Vojna Obavestajna Sluzba ‘JNA’) Shërbimi Informativ Ushtarak i Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë. Nga fundi i vitit 1946, këto shërbime u reformuan dhe u shkrinë duke e formuar UDB-në dhe KOS-in, (Uprava Drzavne Bezbednosti) Drejtoria e Sigurimit të Shtetit dhe (Kontra obavestajna Sluzba) Shërbimi i Kundërzbulimit Jugosllav, varësia e të cilit ishte nga Komanda e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, të cilët drejtoheshin nga Aleksandër Rankoviç, me pseudonimin “Leka” dhe Sllobodan Peneziç, me nofkën “Kercun”.
Njëkohësisht dhe me shpejtësi rrufe në të gjitha republikat dhe Krahinën Autonome të Kosovës, u formuan drejtoritë përkatëse të UDB-së dhe KOS-it, në këto nivele. OZN-an dhe UDB-në, për shumë vite në Kosovë i udhëhoqi si krye-shef Spasoje Gjakoviç dhe krye-shefa degësh të këtij shërbimi famëkeq për Kosovën, ishin edhe Çedo Mijoviç, Ali Shukriu, Lubo Shotra, Alush Gashi, Nazmi Kursani, Çedo Topalloviç, etj..
UDB-në në Maqedoni e drejtonin Ilisie Popovski “Marko”, Çvetko Uzunovski, me nofkën “Abaz”, Arizan Mesterovski-Marçe etj. Degët e UDB-së në Kosovë dhe Maqedoni, i udhëhoqën edhe shumë shqiptarë, të cilët u angazhuan sidomos në përndjekjen dhe likuidimin e grupeve te armatosura shqiptare, veprimtarë të rezistencës, një pjesë e të cilëve fshiheshin në male, për të shpëtuar gjallë nga likuidimet e UDB-së, u arratisën dhe emigruan në grupe matanë kufirit, në Greqi dhe Itali, ndërsa të tjerë u vendosën edhe në Amerikë apo, në shtete të Europës Perëndimore, si Franca, Belgjika, Gjermania etj.
Në këto faqe libri dua të hedh dritë mbi vëzhgimet që UDB-ja i bënte emigracionit politik, më pas edhe atij ekonomik shqiptar, në disa vende të Europës Perëndimore, përtej oqeanit, të cilët ishin angazhuar seriozisht me mish e me shpirt, për çështjen kombëtare.
Këtu do të ndalem të shkruaj për udhëheqësit e disa organizatave dhe partive shqiptare nga radhët e emigracionit, e të gjitha këto i kam nxjerrë nga dosjet voluminoze të shërbimit sekret të UDB-së jugosllave, duke shfrytëzuar këtu edhe shumë materiale operative, që janë origjinale, e që i kam marrë, ose më mirë të them se i kam vjedhur, gjate viteve 1969-1974, duke i nxjerrë nga arkivi sekret, kur kam punuar si operativ në sektorët e shërbimit të SDB-së për Maqedoninë, në Shkup…!
Dosjet e fshehta të UDB-së për emigracionin shqiptar përtej oqeanit, në SHBA-ës, janë një kontingjent i tërë dhe arkiv me vlerë të veçantë, që ruhet në kasaforta çeliku të blinduara dhe me siglën “Strogo pov” (Tepër rezervat), ka një rëndësi të madhe për historiografinë shqiptare, aty kushdo mund të shkruaj libra të tërë dhe studime mahnitëse, nga sfera e historisë dhe sociologjisë…!
Shqipëria si shtet dhe shqiptarët si komb në të gjitha trojet etnike kanë një histori shumë të bujshme, por edhe mjaft tragjike në të gjithë hapësirën e Gadishullit të Ballkanit, ndaj edhe nga pikëpamjet shoqërore, ekonomike e politike dhe rrethana të tjera, shqiptarët janë trajtuar si popull i prapambetur dhe i sunduar, i përçarë dhe i shkelur nga shumë regjime ndër shekuj, nga sulltanë e carë, nga mbretëri e armiq të huaj…!
Të gjitha këto fakte e kanë detyruar shqiptarin të merrte rrugët e emigracionit nëpër botë. Populli im i syrgjynosur, ndër shekuj është shpërngulur, i detyruar të braktisë vendlindjen vetëm për të mbetur gjallë. Këtë fakt e njeh historia, por nëse kësaj i shtojmë edhe faktin tjetër se i huaji gjithnjë e ka vënë në lojë fatin e shqiptarëve, duke stimuluar grindje të ndërsjella, përplasje të çuditshme, që ishin e janë strategji e tij për interesat e veta, ndërsa shqiptari vazhdon të vijë vërdallë tragjikes së tij, të cilën e njeh gjithë bota…!
Por le t’i kthehemi temës së përndjekjeve të krerëve të emigracionit shqiptar nga UDB-ja. Pranverën e vitit 1939, Italia fashiste pushtoi Shqipërinë. Në të gjithë Ballkanin nisën të ndodhin gjëra të çuditshme. Mbreti Zog, me Shtabin dhe bajraktarët e grupit të tij, u vendos në Kajro. Erdhi edhe pushtimi nga Gjermania naziste dhe shqiptarët u vendosën në male.
U formuan edhe grupe të armatosura guerilësh shqiptarë, formacione luftarake të armatosura, të ndarë në dy pjesë: ato partizane me ide komuniste të udhëhequra dhe nën influencën e Kominternit dhe Mugoshëve e Popoviçëve, kurse nga ana tjetër, dëgjohej oshtima e armëve të grupeve nacionaliste shqiptare, siç ishin ato të “Ballit Kombëtar” etj.
Edhe këtu, në kohë dhe hapësirë, grindjet, hakmarrjet dhe përçarjet mes shqiptarëve bënin të vetën dhe lanë gjurmë të pashlyera gjaku e tragjike, të cilën e shfrytëzonte me dinakëri armiku i huaj. Kur në Ballkan triumfuan partizanët komunistë, (ideja bolshevike e ardhur nga Karpatet) duke i flijuar në masë të madhe shqiptarët, duke e radhitur Shqipërinë mes vendeve me sistem monist, në krye të të cilit qëndronte Enver Hoxha, formacione të tëra shqiptarësh të krahut tjetër, në përpjekje për jetë a vdekje, duke u fshehur maleve, që të shpëtonin nga likuidimet e regjimit komunist, më pas u arratisën së bashku me trupat italiane e gjermane, ndërsa një numër i madh ikën drejt Greqisë dhe një pjesë nëpërmjet detit në Itali, duke u vendosur nëpër kampe të ndryshme refugjatësh, ndihmuar fillimisht nga UNRRA, IRO dhe VICC, etj.
Këto dyndje dhe emigrime shqiptarësh nga vatrat e tyre kanë vazhduar jo vetëm pas luftës por, edhe me dekada më vonë. Shqiptari nacionalist largohej përtej oqeanit, në Amerikë, Australi dhe Alaskën e largët. Shërbimet e fshehta të spiunazhit dhe kundërspiunazhit, në veçanti ato të Jugosllavisë, treguan interes të madh për emigracionin shqiptar në përgjithësi dhe ndaj këto shërbime formuan edhe sektor të posaçëm edhe në kanale diplomatike që do të ndiqnin hap pas hapi veprimtarinë dhe aktivitetet e zhvillua nga krerët, individët apo edhe nga organizatat emigrante shqiptare, të cilat tanimë ishin formuar sidomos në Itali e Gjermani, Turqi dhe Amerikë etj.
Duke përmendur këtu edhe disa emra dominantë, siç ishin: Ali Këlcyra, Hysni Lepenica, Ernest Koliqi, Sabaudin Haznedari, Mentor Çoku, Imer Koçi, Dr. Anton Sadedini, Luan Gashi, Abaz Kupi, Abaz Ermenji, Sami Repishti, Namik Resuli, Arshi Pipa, Ismail Verlaci, Xhafer Deva, Hysen Terpeza, Zef Pali, Fuad Myftiu, Athanas Gegaj, Vasil Andoni, Hasan Dosti, Qazim Prodani, Ibrahim Biçaku, Qenan Zhupani i Çegranit, Sutki Koloveri, Kalosh Hamdi Reçani, Xhelë Kalisha, Muharrem Bajraktari, Beqir Maloku, Xhemal Bushati, Hafiz Jusuf Azemi, Alinafi Hoxha, Vasil Germenji, Nexhat Peshkpia, Rexhep Krasniqi, Tahir Kolgjini, Eqerem Bardha, Hysen Selmoni, Gajur Dëralla, Rexhep Mitrovica, Murat Cerova, Adem Dushi, Mato Murati, Xhelal Mitrovica, Sait Kryeziu, Tajar Zavalani, Tomor Zavalani, Adem Gllavica, Ajet Rushiti, Gjon Marka Gjoni, Vasil Alarupi, Ago Agaj, Kolë Bib Mirakaj, Alush Leshanaku, Qemal Voskopoja, Hyqmet Delvina, Halil Maçi, Asllan Zeneli, Dr. Selim Damani, Tahir Zajmi, Ahmet Brahimi, Ibrahim Kulla, Ramadan Cena, Besim Sina, etj., etj.
Të gjithë këta personalitete kanë dosje të veçanta në UDB-në jugosllave, të sajuara që në vitet e qëndrimit të tyre në kampet e Greqisë dhe Italisë, si dhe qëndrimit të tyre në emigracion në SHBA-ës. -Organizatën pan shqiptare “Vatra” me seli në Boston dhe me gazetën e saj “Dielli”, e formoi dhe udhëhoqi gjatë Fan Noli dhe Athanas Gegaj e, të tjerë.
Qëllimi i saj ishte grumbullimi i shqiptarëve të cilët jetonin në SHBA-së. Gazeta “Dielli”, si organ i saj, me dekada ka trajtuar dhe akoma trajton çështjen dhe jetën e emigracionit shqiptar përtej oqeanit…. -”Balli Kombëtar” ishte organizatë nacionaliste emigrante shqiptare, të cilën e themeloi në vitin 1939, Mid’had Frashëri.
Me pas në radhët e saj u benë disa ndryshime dhe kthesa të reja, sidomos pas vdekjes së M. Frashërit në vitin 1950, kur nga radhët e të cilës dolën Partia Agrare dhe Partia e Katundarëve me në krye Hasan Dostin…! -”Lidhja e tretë e Prizrenit në emigrim” me seli në Nju Jork me në krye Xhafer Devën, më vonë kryetar i saj u emërua Ismet Berisha, nxjerr revistën me emër “Lidhja e Prizrenit”….!
– Organizata Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” me seli në Nju Jork dhe kryetar i saj ishte Abaz Kupi. Pas vdekjes së tij u bënë ndryshime rrënjësore. Degët e saj vepronin në disa shtete të Europës Perëndimore dhe në Kanada e Australi, ashtu siç ndodh edhe me degët e “Ballit Kombëtar” dhe Partisë Agrare, gazeta “Atdheu” është organ i Legalitetit…!
– Partia Agrare “Balli Kombëtar” me seli në Romë, si organ të saj botonte revistën “Flamuri”, ndërsa Partia Katundare si organ të vetin, botonte në Detroit revistën “Heroizma shqiptare”…! -”Lidhja kosovare” me seli në Aurora të Çikagos, themeluar dhe drejtuar nga Hafiz Jusuf Azemi, Prof. Vasil Andoni dhe Prof. Luan Gashi, të cilët edhe botojnë gazetën “Përpjekja kosovare”…!
– ”Organizata Bashkimi Demokratik Shqiptar” me kryetar Këshilli Isa Elez Ndreu, si organ të vetin botonte gazetën “Koha Jonë” në Paris. Kryeredaktor i saj, ishte Lec Shllaku. Këtu dua të ndalem dhe të vë theksin se, nga viti 1966 e, deri në vitin 1969, kur në Amerikë dhe ca vende evropiane, sidomos në Romë, të Italisë, Paris të Francës, Brukse1 të Belgjikës etj., u bë një riorganizim i përgjithshëm i organizatave emigrante shqiptare. Pas shumë fërkimesh e debatesh, pas shumë antagonizmash e përplasjesh, u bë freskimi i radhëve të emigracionit mbarëshqiptar. U formua dhe u zgjodh një Komitet Qendror i ri i Organizatës Kombëtare të Lëvizjes së Legalitetit në Nju Jork, ku sekretar i Përgjithshëm, u zgjodh Dr. Fuad Myftia, e kryetar Këshilli, Hysen Prishtina.
Kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” me seli në Nju Jork edhe më tej vazhdonte të ishte Dr. Rexhep Krasniqi, i cili lindi në Gjakovë, kurse studimet universitare i kreu në Austri, ai në Nju Jork nxori për shumë vite gazetën “Shqiptari i lirë”, të cilën disa numra me radhe i kam lexuar personalisht. Agim Karagjozi, u bë sekretar i degës “Vatra” në Nju Jork.
Pas ca kongreseve që u mbajtën, si ai i “Lidhjes Kosovare” në Çikago më 1969, si dhe të tilla në Detroit dhe Boston, urgjentisht u pa e nevojshme dhe u krijua një Komitet i Përbashkët për “Partinë Katundare”, “Heroizma shqiptare” dhe “Bashkimi Shqiptar”, kryetar i këtij komiteti u zgjodh oratori Ndue Gjomarkaj.
Ndërsa Abaz Ermenji edhe me tej mbetet kryetar i Komitetit “Shqipëria etnike e lirë” me seli në Paris. Qazim Prodani udhëhiqte në Stamboll Organizatën “Besa” dhe boton gazetën me të njëjtin emër. Alinafi Hoxha udhëhiqte në Marsejë të Francës Organizatën “Lidhja e Vardarit”.
Profesor Ernest Koliqi në Romë të Italisë nxori revistën e quajtur “Shejzat” redaktor i së cilës për një farë kohe ishte edhe Martin Camaj. Kjo revistë bëri bujë të madhe në tërë emigracionin shqiptar. – ”Besëlidhja Kombëtare Shqiptare”, vepronte në Suedi dhe organi i saj ishte “Besa shqiptare”. -Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” në Paris të Francës, si organ të vetin botonte revistën “Qëndresa shqiptare”. -Organizata shqiptare “Balli Kombëtar” për Nju Jorkun dhe Nju Xhersi, botonte revistën “Mbrojtja Kombëtare”.
Antonio Bellushi, i njohur në Palermo të Italisë, boton revistën “Vatra jonë” dhe më pas “Lidhja”, të cilat ishin të mirëpritura jo vetëm ndër arbëreshët, por edhe në mbarë emigracionin shqiptar në Evropë dhe në Amerikë. – ”Zëri i Rinisë në Mërgim”, ishte organ i Organizatës “Rinia Shqiptare” në Melburn të Australisë. – Lidhja e myslimanëve shqiptaro-amerikanë në Nju Jork, u drejtua gjatë nga Rexhep Kumbarçe, por në Kongresin V-të, kjo shoqatë pësoi ca ndryshime, pikërisht gjatë viteve 1972-‘74, kur u emërua si; “Qendra islame shqiptaro-amerikane” për Nju Jorkun dhe Nju Xhersin, dhe kryetar i saj u zgjodh Abdullah Kaloshi.
Në kryesinë e nderit bënin pjese Imami Isa Hoxha, Remzi Baolli, etj. Në Amerikë ekzistonte edhe “Lidhja Katolike shqiptaro-amerikane” me seli në Nju Jork, me në krye Zef Oroshin. Këtu botohej edhe revista “Lajmëtari i të mërguemit”, si organ i “Bllokut Indipendent”. Redaktor i revistës “Përpjekja jonë” në Nju Jork ishte Azem Gjidia.
Është fakt se shqiptarët në përpjesëtime të mëdha, kanë qenë bashkëpunëtorë të “denjë” në shërbimet kundër-zbuluese dhe zbuluese të sistemit komunist jugosllav, të shërbimit sekret të KOS-it dhe UDB-së.
Sipas një studimi analitik që kam bërë gjatë viteve kur kam punuar si operativ në sektorët e SDB-së Republikane të Jugosllavisë në Shkup, në sajë të rrjetit të bashkëpunëtorëve të ndryshëm nga radhët e shqiptarëve dhe sipas kodeve të fshehura dhe kategorive të dosjeve, apo evidencave të kartotekës së regjistruar, afro 60 përqind, prej tyre 20 përqind, ishin bashkëpunëtorë të evidentuar, me pseudonime të koduara, dhe që zotëronin dosje të sajuara për këtë qëllim.
Nuk di pse ndodhte kështu, por një gjë e kisha të qartë: krerët e UDB-së, ideologjia komuniste dhe bolshevike e pansllavizmit, si në Beograd ashtu edhe në disa qendra të tjera të Jugosllavisë (edhe në kabinetet e Komiteteve Qendrorë të PKJ-së), hartoheshin projekte të fshehta për zhdukjen fizike, likuidimin dhe spastrimin e shqiptarëve pasivisht nga Maqedonia dhe Kosova, nga Mali i Zi dhe troje të tjera të banuara nga shqiptarë etnikë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm