Nga Bashkim Trenova
Pjesa e katërmbëdhjetë
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
“Armiqtë e popullit”
Si e dënuan kolegun tim të Radio-Tiranës, me 8 vjet burg politik?
Diktatura godiste rëndë edhe familjet e të afërmit e personit, që ishte arratisur apo kishte tentuar të arratisej. Praktikisht jeta e tyre shkatërrohej përfundimisht. Me Dekretin Nr. 5912 të vitit 1979, Kuvendi Popullor i Shqipërisë vendoste: “Internimi dhe dëbimi mund të vendosen edhe kundër pjesëtarëve të familjes së personave të arratisur brenda ose jashtë shtetit. Quhen pjesëtarë të familjes personat që, në çastin e arratisjes, bashkëjetonin me të arratisurin, si bashkëshorti, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat, si dhe persona të tjerë që bashkëjetonin me të dhe kanë qenë në ngarkim të tij.” I gjithë ky monstruozitet ishte pra, i ligjshëm, i deklaruar.E vërteta është se diktatura nuk respektonte, në fakt, as ligjet e saj.Egërsia e saj ishte mbi ligjin, sado antinjerëzor të ishte ky.
Por le të kthehem sërish tek Glinka. Atij i vranë ëndrrën dhe i gjymtuan jetën. Atë e arrestuan dhe e akuzuan për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, gjë që nuk ishte aspak e vërtetë. Glinka ishte djalë i zgjuar dhe e dinte mirë se pas pushkatimit të dajës dhe burgosjes së babait, si armë të vetme mbrojtjeje, kishte vetëm heshtjen e plotë para të gjithëve e për gjithçka. Atë e arrestuan edhe pse heshti dhe vetëm heshti. Ndoshta, sipas praktikës së kohës, ai do të duhej të dënonte publikisht dajën dhe të atin, si tradhtar e komplotistë dhe jo vetëm kaq, por edhe të dëshmonte kundër tyre. Glinka, me siguri, ka heshtur edhe këtu. Kjo ishte heshtja fatale për të. Atë, në mos gabohem, e dënuan me 8 vjet burg.
Takimi me ish-kolegun, pas daljes nga burgu dhe vizita në shtëpinë e tij!
E kam takuar Glinkën pasi doli nga burgu. U gjendëm përballë njëri-tjetrit në një rrugë të vogël në plazhin e Durrësit, ku kisha shkuar me familjen për të kaluar pushimet e verës. Unë tashmë isha martuar dhe kisha edhe një vajzë, Borën. E ftova atë të pinim një kafe së bashku. Ai nguroi fillimisht, pastaj pranoi. Ai nguroi sepse nuk donte që të na shihnin bashkë dhe që unë të kisha ndonjë pasojë nga takimi me të. Glinka më foli për jetën e burgut. Sikurse më tha, ai kishte shpëtuar gjallë, vetëm e vetëm në sajë të përgatitjes së tij fizike, në sajë të shtangave. Në burg, nga autoritetet zyrtare krijoheshin dhe manipuloheshin banda dhe persona, që përdoreshin për të eliminuar dikënd pa zhurmë, pa gjyq. Në fund hartohej një raport që paraqiste vrasjen si: “pasojë e një grindjeje banale midis kriminelëve të burgosur”.
Duhej ose të bashkoheshe me ndonjë bandë, ose të ishe vetë shumë i fuqishëm, më tha Glinka. Kjo dëshmi e tij më kujton atë, sa herë që në ekranin e vogël të televizorit shoh ndonjë film në të cilin ngjarjet zhvillohen në ambiente burgu, po ashtu si në vitet e burgut të tij. Glinka më tha se pas burgut, nuk ishte lejuar të banonte në Tiranë. Ai ishte vendosur në Durrës. Më ftoi në shtëpinë e tij. Së bashku me gruan time, Desin, i bëmë një vizitë. Edhe Glinka ishte martuar. U njohëm me gruan e tij, një banore e Durrësit, grua shumë e mirë. Ajo ishte e shqetësuar se, duke qenë disi në moshë, ndoshta nuk do të kishte fatin të lindte një fëmijë. Fati i ndihmoi atë dhe Glinkën të kenë një fëmijë, një vajzë më duket.
Gjatë asaj vere, Glinka vinte përditë në plazhin e Durrësit. Ai linte tek ne çadrën e tij të diellit kur mbaronte plazhi, për ta kërkuar sërish të nesërmen. Një shoku im i vjetër, na shikoi një ditë të dyve. Sipas tij, ashtu siç më tha më pas, unë po tregohesha i pakujdesshëm, duke e pritur Glinkën në banesën ku isha vendosur për të kaluar pushimet verore. Sot gjykoj se ai nuk gabonte me këshillën e tij. Shoku i armikut tim, është armiku im! Glinka ishte armik i Partisë dhe miqësia ime me të, më bënte edhe mua, automatikisht, armik të Partisë. Unë as isha dhe as mund ta mendoja se do të mund të shihesha si armik i Partisë. Unë doja thjesht, të isha njeri.
Me Glinkën u takova sërish kur filloi Lëvizja Demokratike. Ai erdhi dhe më takoi në “Rilindja Demokratike”. Me rrëzimin e komunizmit, Glinka mundi të kthehej, më në fund, në Tiranë dhe të nisë punën sërish në Radio-Televizionin Shqiptar, tashmë jo si gazetar, por si shef i zyrës së personelit. Nuk e mbaj mend sa kohë qëndroi në këtë post. Di se vazhdonte të bënte përditë rrugën Tiranë-Durrës dhe anasjelltas. A u zhgënjye Glinka nga fillimet e demokracisë në Shqipëri? Nuk mund të them asgjë me siguri. Sidoqoftë, ai, u largua nga Shqipëria si qindra mijëra të tjerë, në prag të demokracisë dhe si qindra mijëra në vitet e demokracisë. Ai u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në vjeshtën e vitit 2010, shkuam me bashkëshorten për pushime në Albena të Bullgarisë. Një mbrëmje në hollin e hotelit, më tërhoqi vëmendjen portreti dhe fiziku i një burri paksa të thinjur. Ai ngjante në mënyrë të pabesueshme me Glinkën. I thashë bashkëshortes, të shihte andej nga ndoshta ishte Glinka i vërtetë. “Hë, i thashë, a është Glinka”? Shko dhe pyete, më tha ajo. Nuk e bëra këtë hap nga frika se mos do të shqetësoja dikënd fare të panjohur, nga ndrojtja se mos gjendesha si një humb-amen aty në hollin e hotelit. Nuk ma thoshte mendja se edhe Glinka kishte ardhur në Albena nga SHBA-ës për të kaluar pushimet sikurse unë! Ky ishte edhe “takimi” im i fundit me Glinkën e vërtetë ose, së paku, me dikënd që mund të bëhej shumë mirë sozia e tij.
Fati i trishtë i kolegut, Enver Muça, nga një letër anonime!
Nga puna, do të ndiqeshin e do të largoheshin në vitet në vazhdim, shumë të tjerë me të cilët kishim punuar unë, Glinka, Berti, Dervishi, Arshini, Lulzimi apo Bardhyli. Do të përjashtohej nga Partia dhe do të lihej, për një kohë, i papunë edhe Enver Muça. Madje atë e ndihmoi një rastësi, që nuk mbeti për gjithë jetën i papunë. Shokët e Partisë, nuk donin t’ia dinin se ai kishte bashkëshorten, Violetën, një grua e rrallë, mjaft të sëmurë. Ajo jetonte ditët e saj të fundit. Enveri kishte edhe një vajzë të mitur, Edlirën, për të cilën do t’i duhej të kujdesej si baba dhe si nënë.
Enveri ka një jetë sa të pasur, aq edhe të mjerë, plot me humor dhe plot e përplot me trishtim. Ai bëri disa vite studime jashtë shtetit, fillimisht në Krasnodar, në Rusinë jugore, ku nga korriku i vitit 1959, e deri në fund të vitit 1961, studioi për pilot avioni ushtarak MIG 19. Ai u kthye nga Rusia si të gjithë studentët e tjerë shqiptarë, pas prishjes së marrëdhënieve midis dy partive komuniste dhe dy vendeve tona. Ai qëndroi fare pak në Tiranë, rreth 15 ditë. Në mbarim të tyre, shkoi në Kinë për të vazhduar studimet e ndërprera në Bashkimin Sovjetik. Në shtator apo tetor të vitit 1966, kur ‘Revolucioni i Madh Kulturor Proletar’ kishte arritur kulmin, Enveri kthehet në Tiranë. Kinezët i kthyen të gjithë studentët e huaj në atdhe.
Pas kthimit nga Kina, Enveri punoi disa kohë, në një zyrë të Komitetit Qendror të Partisë. Ai, së bashku me dy apo tre të tjerë, duhej të bënin përkthimin në kinezçe të raportit që Enver Hoxha do të mbante në Kongresin e radhës të Partisë së Punës . Ky përkthim bëhej për shokun Kan Shen, shefin e Sigurimit kinez, i cili përfaqësonte Partinë Komuniste Kineze në këtë Kongres. Pas këtij shërbimi, që nuk e di se përse u braktis pa mbaruar, Enveri vjen në Radion e Jashtme, ku emërohet si redaktor. Më kujtohet ai në ditët e para të punës, i veshur me një pulovër blu, të blerë ndoshta në Kinë. Shpejt do të kuptonim se ai ishte me një humor të jashtëzakonshëm, të lindur. Vitet që kishte kaluar në Kinë, i kishin shtuar një bagazh të ri këtij humori delikat, por mjaft zbavitës, mjaft i suksesshëm.
E mbaj mend kur në zyrën tonë në redaksi, imitonte gjimnastikën klasike kineze me lëvizje tepër të lehta dhe njëheras tepër të prera, të duarve dhe të këmbëve dhe kërcime në ajër. Të gjitha këto i shoqëronte me një thirrje në kinezçe, që dukej sikur e lëshonte nga thellësia e tij. Po kështu nuk mund të harroj imitimin plot gjallëri dhe elementë komikë prej tij, të valleve kozakshe ruse në dasmën e Agronit, para më shumë se njëqind vetave të ftuar. Enveri kishte mbetur po ai, si në vitet e gjimnazit. Më kujtohet, vite, shumë vite më pare, kur isha ende gjimnazist, një ditë Alfons Gurashi, vjen i veshur me kostum ushtarak në oborrin e shkollës. Ishte kostumi ushtarak i Enverit, që kishte shkuar të studionte për aviator në Bashkimin Sovjetik dhe ishte kthyer, ndoshta me leje. Me Alfonsin ishte edhe Enveri. Ishte një shaka e guximshme, por të tilla Enverit nuk do t’i mungonin asnjëherë. Ai, pavarësisht nga brengat dhe tragjedia e jetës së tij, do të mbetej gjithnjë i tillë, njeri i një humori të guximshëm e të pashteruar, për të cilin ne kishim aq shumë nevojë në ato vite të diktaturës, por që atij vetë i solli fatkeqësi.
Si u ndalua Enver Muça të shkonte në Kinë, pasi dyshohej si agjent i KGB-së?!
Enveri nuk ndeji gjatë si gazetar. Ai nuk mund të qëndronte gjatë në një vend pune. Pas Radios së Jashtme, kaloi si telekronist në Radio Televizionin Shqiptar. Nga jeta si telekronist, mbaj mend një udhëtim të tij në Finlandë, ku shkoi për të xhiruar ndeshjen e futbollit midis kombëtares sonë dhe asaj vendase. Kur u kthye, e pyeta për përshtypjet e tij nga Finlanda. “Nëse ka parajsë në qiell, më tha Enveri, në tokë ajo është në Finlandë.” Një pohim i tillë ishte mjaft i rrezikshëm për kohën, sepse lavdërohej një vend kapitalist, që si i tillë duhet të ishte patjetër vetëm i mbushur me plagë të pashërueshme si papunësia, varfëria apo mjerimi i masave popullore, etj., etj.
Edhe si telekronist Enveri nuk e zgjati shumë. Diku nga viti 1974 apo 1975, ai kaloi në Ministrinë e Jashtme për të bërë përgatitjet e duhura, pasi ishte emëruar diplomat në Ambasadën Shqiptare në Pekin. Kur i kishin mbetur ende dy ditë për t’u nisur për në Pekin, e thërrasin dhe i thonë: “Enver! Nuk do të shkosh në Kinë”. Ai i shqetësuar shkon tek ministri i Jashtëm, Nesti Nase, dhe e pyet, përse ai nuk do të shkonte në Kinë? Përgjigja e ministrit ishte: “A më beson Enver, që as unë nuk e di arsyen se përse ti nuk shkon ne Kine”?! E kush e di, pyeti Enveri me një zë të fikur?! Ministri bëri me gisht duke i treguar zyrat e aparatit të Komitetit Qendror të Partisë, që në atë kohë ndodheshin përballë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Këtu, në Komitetin Qendror të Partisë, kishte arritur një letër anonime, ku shkruhej se para 14 vjetësh, kur kishte qenë në Bashkimin Sovjetik, ai kishte patur shok një oficer rus, i cili dyshohej se ishte oficer i KGB-së. Pra Enveri ishte futur në rrethin e të dyshuarve si agjent i mundshëm i sovjetikëve.
Letrat anonime mund të ishin të tilla, por në atë kohë edhe mund të improvizoheshin si të tilla. Nëse Partia kishte nevojë për to, një letër e tillë ishte provë e pakundërshtueshme, mjaft efikase për të shkatërruar jetë, karrierë dhe ëndrra. Për të kuptuar rëndësinë e letrave anonime, kur nevojitej një gjë e tillë, mjafton të përmendim, se vetë diktatori kishte deklaruar se e fillonte ditën e punës me leximin e tyre!
Më vonë Enveri do të futet edhe në rrethin e agjentëve të mundshëm të zbulimit kinez. Në të vërtetë ai ka një ndodhi me një spiun kinez, të cilin i’a dorëzoi autoriteteve përkatëse kineze. Për këtë ai u prit dhe u falënderua nga vetë kryeministri kinez, Çu En Lai në Kinë dhe nga ministri i Arsimit në Tiranë, Thoma Dejlana, që e falënderoi në emër të Enver Hoxhës. Tani në Tiranë falënderimet po ktheheshin në akuza. Enveri do të futet edhe në rrethin e agjentëve të mundshëm te UDB-së, shërbimi sekret jugosllav, sepse një xhaxhai i tij, kishte qenë për vite me radhë zëvendësministrin i Punëve te Brendshme ne Shkup, kryeqyteti i ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Pra, nëse kryeministri shqiptar, Mehmet Shehu, do të akuzohej si poli agjent dhe këtë do ta paguante me jetë, Enveri do të dyshohej si poli agjent, gjë që edhe ai do ta paguante shumë shtrenjt në jetë, e ndoshta do ta kishte paguar edhe me jetë, nëse kështu do ta gjykonin “perënditë” e diktaturës së proletariatit, që nuk pushonin së “prodhuari” agjentë e poli agjentë. Sidoqoftë, këto i përkasin një kohe më të vonë, për te cilën do të flasim.
Largimi nga puna i Enver Muçës, se kishte mbajtur me humor ministrin!
Pas Ministrisë së Jashtme, Enveri kaloi me punë si gazetar në revistën “Në shërbim të popullit”, që botohej nga Ministria e Punëve të Brendshme. Për të zënë këtë vend pune, unë mendoj se e ka ndihmuar Agron Çobani. Kunati i Agronit, Feçor Shehu, ishte ministër i Punëve të Brendshme. Një bisedë e tij me Feçorin, ka bërë që Enveri të niste punën “Në shërbim të popullit”. Këtu ai u pranua si kandidat i Partisë së Punës. Stazhin, d.m.th., provën për t’u pranuar si anëtar i Partisë, Enveri do ta kryente në Degën e Brendshme të Tiranës, që ishte një filiale e Ministrisë së Brendshme në kryeqytet. Këtë «provë», ai kurrë nuk do ta kalonte. Nga fundi i majit të vitit 1982, Enveri u përjashtua nga Partia dhe u largua nga puna. Kritikat dhe akuzat, që i’u bënë me këtë rast, ishin sa groteske aq edhe banale, por të mjaftueshme për të rrëzuar përdhe deri në fundin e jetës së tij një njeri.
Ministrit të Brendshëm, Feçor Shehut, i pëlqeu humori i Enverit ashtu siç i pëlqente çdokujt që e njihte atë. Humori i tij ishte i pa rezistueshëm, i pakrahasueshëm. Duke qenë se Enveri ishte edhe shoku i kunatit të tij, Feçori e kishte ftuar në ndonjë rast atë në tavolinë, ku edhe kishin kthyer ndonjë gotë. Kush nuk do të kishte dëshiruar që të ishte në vendin e Enverit, në një tavolinë me ministrin e tij? Dhe, në fund të fundit, a do të kishte guxuar Enveri apo kushdo tjetër, të refuzonte një ftesë të ministrit? E pra, të gjithë ata që do të donin të ishin në vendin e Enverit, u ngritën në mbledhjen e organizatës së Partisë së Degës së Brendshme të Tiranës, për ta akuzuar atë se me humorin e tij, kishte zbavitur ministrin, i cili nuk ishte armik, por që do të deklarohej një ditë me diell armik!
Enveri erdhi në Redaksinë «Zërit të popullit», për të më takuar në ato ditë, besoj më të vështirat e jetës së tij. Ai e dinte se as unë dhe askush nuk do të mund ta ndihmonte, megjithëkëtë donte të fliste me dikënd, të tregonte se ishte krejtësisht i pafajshëm, ashtu siç edhe ishte në të vërtetë. Më pas e kam parë në një rast në rrugë, pranë «Zërit të popullit». Ai bëri sikur nuk më pa. Ky ishte rregulli i pashkruar, që e kishin ndjekur edhe të tjerë para tij, që do ta ndiqte edhe Agron Çobani, edhe unë më pas, megjithëse jo në rrethana të njëjta me ta. Kjo bëhej për të mos vënë në vështirësi shokët dhe miqtë, për të mos i rrezikuar ata duke i ekspozuar si miq të armikut! Atëhere e pranova këtë «injorim» nga ana e Enverit, nuk tentova t’i flas, as t’i them së paku “mirëdita”, as ta përshëndesja pa fjalë, thjesht me një tundje koke. Vite të tëra më pas, në takimet me Enverin, më kujtohej gjithnjë ky rast, ky denatyrim i njerëzores.
Enveri vetë, në bisedat që kam patur më pas me të, më ka thënë se ai, kur ka dalë nga mbledhja e organizatës së Partisë, është ulur dikund krejtësisht i vetëm, duke rrotulluar në kokë vetëm një mendim, vetëvrasjen. Ai, madje, edhe e mbushi pistoletën dhe e vuri grykën e saj në kokën e tij. «Nuk mendoja asgjë, më ka thënë Enveri, as gruan, as vajzën, as veten». Nëse ai nuk kaloi në vetëvrasje, këtë e bëri vetëm e vetëm, se kështu do t’u jepte “argumente” atyre që e akuzuan, që të “provonin” se kishin patur të drejtë në akuzat e tyre! Ai jetoi për të provuar edhe kështu, se ishte i pafajshëm.
Për të dëshmuar pafajësinë apo edhe devotshmërinë e tij ndaj Partisë dhe diktatorit, Enveri dogji menjëherë me dhjetëra libra, fotografi e suvenire të ndryshme, që i kishte sjell nga Bashkimi Sovjetik. Për të treguar se ishte “i partishëm” dhe jo armik i Partisë, bleu veprën e plotë të diktatorit, pra 19 vepra në faqe të ndryshme të të cilave, edhe pse as i kishte lexuar, nënvizonte fraza të ndryshme, apo shënonte anash me stilolaps të kuq: “Saktë! Sa bukur…Shumë mirë… e shprehur mrekullisht”, etj., etj. Këto, thotë Enveri, i bëja “që kur të më arrestonin, gjatë kontrollit, t’i gjenin këto shënime dhe të mendonin se sa “shumë e paska dashur ky Partinë dhe shokun Enver”! Në të njëjtën kohë, Enveri u kujdes të nxjerrë në pah në bibliotekën e shtëpisë së tij, librat kineze, fotografitë me udhëheqësit shqiptarë dhe kinezë. Ishim në “muajin e mjalti” të miqësisë shqiptaro-kineze. Me përfundimin e tij Enverit i’u desh t’i digjte edhe ato. Partia Komuniste e Shqipërisë do të denonconte si tradhtar Mao Ce Dunin dhe Partinë Komuniste të Kinës. Ruajtja e tyre paraqiste po atë rrezik si edhe ruajtja e kartolinave apo suvenireve nga Bashkimi Sovjetik.
Çuditërisht, pas tri apo katër muajsh pa punë, Enverin e ndihmon për t’u punësuar Zef Lokja, kandidat i Komitetit Qendror dhe drejtor i Drejtorisë së Tiranës, pranë Ministrisë së Brendshme. E shoqja e tij punonte si shefe e kuadrit në Ndërmarrjen e Fruta-Perimeve. Ajo e punësoi Enverin si magazinier, në një magazinë fruta-perimesh. Enveri ishte me fat! Tani ai kishte një rrogë për të mbajtur frymën gjallë, për të ushqyer vajzën e tij, paçka se ishte njeri me dy profesione, me dy gjuhë të huaja, me përvojë pune si gazetar etj.,etj. Këtu punoi Enveri nga gushti apo shtatori i viti 1982 deri në vitin 1991. Kjo ka qenë nga periudhat më të vështira për shqiptarët. Në treg në këto vite mungonte gjithçka. Njerëzit zinin radhë të gjata në orën dy apo tre të mëngjesit për të blerë diçka. Kur hapej dera e tregut, turma vërsulej duke shkelur e rrëzuar pleq e nëna me fëmijë, për të arritur të blejnë dhjetë kokrra vezë. Ato ishin më me vlerë se një jetë njeriu.
Me fillimet e demokracisë Enveri e ndryshoi emrin e tij të vendosur tek dera e hyrjes së apartamentit ku banonte. Në vend të “Enver Muça”, vendosi “Enver Muti”. Ishte kjo njëlloj hakmarrje ndaj diktatorit, që quhej edhe ai Enver. Edhe gjatë diktaturës Enver Muça bënte humor me “Enver Mutin”. Ai provokonte edhe një shokun e tij, duke e thërritur në emër dhe duke shtuar pas «Muti». Kur ai zemërohej, Enveri i thoshte: “Ç’ke? Më thërrit edhe ti Enver Muti”, po ku i’a mbante tjetrit të thërriste “Enver Muti” !
Me vendosjen e demokracisë, Enveri punoi disa kohë në SHIK (Shërbimi Informativ Kombëtar), pastaj u largua vetë prej andej dhe hapi një birrari, që e quajti “Tek Gota” si në romanin e famshëm “Ushtari i mirë Shvejk” i Hashekut. U rikthye përsëri në SHIK, nga ku doli në pension. Vajzën e vetme Edlirën e ka larg, në Greqi. Jeton vetëm me të shoqen, Norën, një grua e fortë, kurajoze, shoqe jete dhe shoqe e pazëvendësueshme humori në vitet e brengave të pafund.
Kolegu tjetër i Radios, Zefi, që ashtu si Enveri, e pësoi po nga një letër anonime!
Enver Muça nuk ishte i vetmi nga shokët dhe kolegët e mi të Radio Tiranës, të cilit jeta filloi t’i marrë një tjetër drejtim nga një letër anonime. Madje, më parë se Enveri, është Zef Gjoni, që ndjen të goditet si pasojë e një letre anonime.
Zefi ishte njeri pa shumë fjalë, por me shumë ndjenja njerëzore, shumë miqësor. Me të punonim së bashku në Redaksinë e Lindjes. Këtu në Radio, ai u njoh dhe u dashurua me një teknike, vajzë e shkathët, shtatlartë. Gjithçka ishte rozë për Zefin, derisa një ditë i tundën përpara një letër anonime, në të cilën ai akuzohej se kishte fshehur diçka nga biografia e familjes apo e rrethit të tij fisnor. Këtu gjithçka u rrokullis mbrapsht. Unë në atë kohë kam qenë në Uznovë të Beratit. Nga një letër që më dërgonte Enver Muça, mësova për largimin e tij. “Zefi, shkruante Enveri, u largua nga Radio, në Shkodër. Më erdhi tepër keq, por…”! Atë e larguan nga Radio dhe e dërguan, mesa më kujtohet, arsimtar në një fshat të humbur të veriut. Dashuria, karriera, planet për ndërtimin e një familjeje të shëndoshë në kryeqytet, për një jetë pa zhurmë, të gjitha u thërrmuan nën peshën e kësaj letre. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016