Nga Shkëlqim ABAZI
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
“Ku të goditi”?!
“Në birën e vjetër”!
“Po të del gjak?”
“Jo bre, mut”! – dhe doli sërishmi duke lidhur ushkurët. Uji në çezma rridhte më i kuq se çdoherë.
“Bashkova pëllëmbët te currili i parë. Gjak”?
“Komunistët mbytën në gjak dynjanë, tani po na e sjellin me tubo”! Mbusha grushtet, një, dy, tri herë. “Do jem laturisur për ibret”, por…! (Peshqiri u nxi).
“Po deshe të shohësh të zi, ther komunistët, ata e kanë gjakun sterrë dhe shpirtin katran…”! – pati thënë Nuni.
“Fute kokën ndë ujë, ce je bërë si djalkë kurbati”!
“I zi është gjaku, Zake”? – dhe i tunda peshqirin.
“Ç’gjak, mo t’u mbylltë e mendjes, më je bërë si qymyrxhi”!
“E shoh, e shoh”!
“Sytë që të plasin sheh, mo”!
“Pluhuri i galerisë, o Zake…”!
Friu-u, fri-fiu-fi-u, nisën fishkëllimat gjarpërinjtë.
Apeli!?
“Në apel! N’ap-eeee-el”! ulëriu tellalli.
“Pas apelit lahu, se le nam”!
Vatha ndëshkimore
Turma u derdh në pjacën qendrore nga skutat tërthore, teksa gumëzhima e burgogradit u nakatos me zhaurimën e ujëvarës së përroit dhe shkërbeu oshtimën vajtuese.
“Të gjitha rrugët të shpien në Romë”! thoshin të vjetrit; “Të gjitha zgëqet të nxjerrin në pjacë”, e përkthente Shyqi dhe grigja kafe, shpejtonte të futej në rresht, që t’i shpëtonte kopaçes.
Sheshi u mbush me fantazma të arratisura nga ferri.
Sakaq, fishkëllimat u prenë dhe një oficer me dy policë zunë kryet e shkallëve, ndjekur nga Medi Noku, me dy-tre laro.
Oficerin verdhan, e shihja së pari.
“Filloni”! – urdhëroi verdhani dhe diç shënoi në një doracak.
“Kapele hiq”! – ulërinë policët.
Treqind krerët, formuan një panoramë larushe: koka të thinjura, të zeza, të verdha, të mëdha, të vogla, prej nga shpërtheu aroma e djersës mashkullore, duhma e së cilës, tkurri gjembat e rrethimit.
Nga pas infermierisë, ja behu një treshe, dy të rinj mbanin për krahësh një plak, që çapitej me zor.
“Po ju maskarenj! – treshja zuri fundin e shkallëve. – “Donit të na vononin, hë-ë”!?
“Plaku bëri gjilp…”!
“S’i hamë këto dokrra ne”!
“Jo, Por dokt…”!
“Jak, hekurat këtij bandillit”! “Si urdhno, shoqi komandant”!
“Ishte i sëmu…” – tentoi të mbrohej mjerani. “Prengë, shkopin tjetrit”!
“Si urdhno”! – një tub i zi u plas në shpinën e qyqarit, si kamxhik ferri.
“Kthehi durt pas, a ndive, or tëj”? – gjermankat hynë në një palë duar.
“Fluturën në mish, Jak”!
“Si urdhno, shoqi komandant”! – zhurma e vidës kriq-friq gërvishti heshtjen.
“Kum-kum-kum”, u koll dikush. Tingulli shkërbeu gongun e altoparlantit të burgut.
“Me kë don mu tall, i dënuem”? – polici imcak, u zgjat mbi majat e çizmeve.
“Me veten”!
“E din ti, se njitu ky a Partëja”! – u trys polici tjetër. “Kum-kum-kum”! Kolla s’i mori leje policit.
“Qetësi të dënuem, se pasha Zo… idealin, kena m’u…”! Por kolla vazhdoi paprerë, kum-kum-kum.
“A sekretar byroje nji ky, or tëj”! – dhe tubi vazhiti mbi shpina.
Pas bishtit të turmës u dha mjeku i burgut, u avit avash-avash, diç i pëshpëriti kryetarit të zyrës teknike dhe u tërhoq, ky i fundit, u kërrus drejt oficerit.
“Qetësi të dënuar”!
“Mjau-mjau”! – kuisi macja që nga çatia e kapanonit tim.
“Ore, do pushoni ju apo…”?!
“Mjau-mjau”! – macja-spiune, ngriti njërën këmbë nga maja e kulmit, diç lëpiu nën vete dhe ja pati një mjau-mjau të çjerrë.
Asnjë pipëtimë veç maces, mjau-mjau! “Çiç moj shpirrë”! – i shfreu oficeri.
“Mjau-mjau”! – ia ktheu macja.
“Jak, Prengë, sillini ata dy karafilët, t’i shohin tërë mileti”!
“Njitu pra, se pasha z,z,z… idealin e partëjs, tapo t’i këpus durt krejt”!
“Zgjidhe, o Jak”!
Mjau, mjau.
“Si urdhno, shoqi komandant”! – por tashmë hekuri kish prekur ashtën dhe gjaku kullonte çurkë.
“Të dënuar, këta dy donin të na vononin me qëllim…”!
Mjau…!
“Të jetë hera e fundit, se për ideal…”!
Mjau-mjau!
-“Po ti tutkun, e gjete të sëmuresh në orën e apelit”?
Mjau…!
“More vesh”? – iu trus plakut dhe u shfreu shoqëruesve: – “Hyni në radhë”! Të ndëshkuarit u futën me shokët.
“Partia shpreson të rehabilitoheni, ndërsa ju…”!
Mjau-mjau…!
“…s’doni që s’doni”! – na përfshiu me një shikim atëror dhe vijoi: – “Ne ju dalim borxhit, po ju s’doni t’i hyni rrugës së drejtë…”!
Mjau-mjau!
“…përpiqemi me të mirë, ju prapë s’do…”!
Mjau-mjau!
“…më qafë paçi veten”!
Mjau, mjau!
“Hajt të parët”!
“Dy, katër, gjashtë,…., njëqind e gjashtë, dyqind e gjashtë, treqind e gjashtë, plus njëqind e nëntëdhjetë, turni i dytë, plus tre në spital, plus tetë në birucë, pesëqind e shtatë”.
Mjau-mjau.
“Në rregull”? – iu kthye policëve.
Mjau!
“Si urdhno shoqi komandant”! Fifi-fri-fiu, fiu, friu-iu.
Mjau!
“Shpërndahuni”!
“Apeli mbaroi”!
Mjau.
“Harrove macen, o komandant”!
Mjau.
“Ç’punë ka komanda me macet”?!
“Është në numër me ne, gjersa ha bukën e qeverisë! Sh-sh-sh-t! 731-shi…”!
“Posta”! – zëri i Malos zaptoi rrethimin me tela.
“Paska postë sot”?
“Kështu duket”!
“Epo shyqyr, se na u tha syri tash dy javë”!
“Erdhi Thanasi”?!
“Edhe tellalli”!
“Dëgjoni, ‘re milet”.
Zëri i çjerrë gjëmoi grykës së përroit, gërrici telat gjembaçë dhe u qep hinkës së Fanit, po kur nisi të thërriste emrat, seç përftoi një timbër mjalti:
“Bejo Kalaj, Njazi Bylybashi, Pashuk Bardhi, Andon Treska, Gjet Kadeli, Haki Slatina, Pavllo Popa, Fiqiri Muho, Riza Kamenica, Luan Koka, Xhevdet Zeqo, Xhevit Qesja, Milto Feshti, Zef Ashta, Bashkim…, Pajtim…, Luigj Miri, Kadri Thaçi, Marash Gjoka, Apostol Thana, Ylber Merdani, Myslim Iljazi, Çaush Çoku, Çun Mhilli, Mustafa Bylyshi, Sotir…, Mehmet…”!
“Vampir”!
“Lanet”!
“S’e zgjedhke dot emrin, vëllaçko”!
“E di”.
“Sa vjeç vate ti”?
“Nja tetëdhjetë”.
“Po ai flama”?
“Oh-u, nja dy dhjetëshe më pak”!
“S’paske faj, ta paska vjedhur”!
“Falem nderit”!
“Ndërroje, or burrë”!
“Të pret 731-shi me një dhjetëshe pas kurrizit”!
Kakofoninë e ndërpreu tellalli: …, Abdullah…, Vasil…, Myftar…, Haki….,Petref…, Enver…”!
“Qenef”!
“Hy-h, tu shoftë emri”!
“Ç’faj kam unë”?!
“Është i mallkuar”!
“E di, po lindi pas meje”!
“Ndërroje, mo”!
“Kollaj ajo punë, po kush ta bën se”!
Me gjyq, or burrë!
“Me një tetëdhjetë lekësh pas kresë, që mandej të harrohet edhe emri, edhe varri, edhe…”!
“Vërtet”!?
Sërish tellalli mbyti kakofoninë: “Vesel…, Vasfi…, Vat…, Muhamet…, Mynir…, Maxhun…, Pjerin…”, etj., etj., etj,.
“Bjere këtu”!
“Këtu, ore”!
“Këtu, ‘re”!
“Njitu bre, Vata a n’punë”!
“Bjere, ma jep, ma nep, nëma, a e jëmja, a i yti aj zarfi”!
“O Zot, u mbush viti”!
“Unë dy”!
“Kam njëzet vjet, pa një letër”!
“Të rrojë partia e zarfë-shqyerësve”! – u hodh marroku.
“Si the, bre”?!
“Shyqyr që s’më shkruajnë, se do m’i binin shalëshqyera”! – dhe bëri tej.
“Ani! Ani”!
“…, deri sa mbaruan të gjitha”.
“Po maces s’i paska shkruar kush”? – marroku i ra sheshit rreth e qark dhe u rikthye ku ishte.
“Ajo është jetime, të atin ia vranë, se donte të arratisej, të ëmën ja shqyen minjtë”! – ja pati Esati.
“Ndaj vajton majë çatisë, e gjora”!
“M’i lumtë, ç’i paska bërë hakun”!
“Kujt, bre”?
“Maçokut! Një armik më pak”! – marroku duartrokiti: – “Urra-a”!
“Është femër dhe e shton gjene tufën” – ja prishi qejfin Xhelal beu.
“Po mashkullin ku do ta gjejë?
“O-u-a, meshkuj ka këtu, sa të hajë dreqi me të birin”!
“S’i qasen se është spiune! Veç në e përdhunoftë Prengë Rrapi”! – marroku iu ngjit grupit tjetër. “Si the, or mik”?
“Hajde ta zhdukësh atë fare”! – ndërhyri Tomor Allajbeu.
“Sh-sh-sh-t, 731-shi… agjitacion dhe propaganda”! – Esati tregoi kufijtë e nenit famëkeq.
Atyre që ishin në punë, letrat ua tërhoqën shokët, kurse ne rishtarët e Repsit, qëndruam gjersa përfundoi dengu i zarfeve, nga kurioziteti, sepse askush s’priste letër, pa mbërritur haberi në familje.
Pas transferimit, letrat shkonin në adresën e vjetër. Kartelisti përtonte t’i lexonte, po lipsej edhe një korrier, t’i çonte në adresën e re, ndaj i binin shkurt, i kallnin në grykën e sobës dhe mbyllej meseleja; kësisoj ua shtonin mundimet armiqve dhe kënaqnin mazokizmin.
Madje edhe familjarët që vinin për takim, i kthenin mbrapsht, pa konsideruar tri ditë rrugë, për të kapur zemrën e Mirditës, sepse makinat s’i merrnin, hotelet s’ua hapnin derën, ndaj ecnin udhë pa udhë, me trasta në krah. Verës, e shtynin një farë soj, dremisnin pas ndonjë mullari apo ferre, por dimri ishte beterr, temperaturat zbrisnin nën zero, binte shi, borë, frynte firificka dhe asnjë s’të qaste në prag.
“Parja e ngre ujin përpjetë”! predikonte Xhaf Dema, por as kjo s’pinte ujë.
“S ‘i honepska njeri paret, edhe kur i ke, or Xhaf, sepse zbatojnë porositë e shokut Enver”:
“T’ua bëjmë jetën skëterrë armiqve të jashtëm e të brendshëm”! dhe zagarët i zbatonin pikë e presje. “Fundja, mirë t’iu bëhet, ç’kërkojnë që bredhin pas armiqve”?!
U largova shpresëshuar.
Kush mori letër zuri ndonjë cep, vetëm apo dy e nga tre dhe lexonin, dikush me sy, dikush me zë. Poshtë akacies, pashë Zaken me një zarf në dorë, e kthente mbarë e prapë, si të kish stampuar mbi syprinë fotot e të dashurve.
Ula kryet dhe mora tatëpjetë.
“Eh mo çapaçul, si je nashti”? “Më mirë”.
“E more ndonjë çikëz veten, mo”?
“Më tjetër” – dhe bëra për nga fjetorja.
“Ore djalkë, a s’vjen një çiçkë këtuzë, në paç kohë”! – më ftoi me takt.
“Kohë? O-hu-u, kam edhe tre vjet, or mik”!
“Jo bre, nuku dua kaqkë, më mjaftojnë pesë minuta, sa të më këndosh këtë kartën”! U ktheva dhe u ula pranë tij.
“I dashur baba, jemi mirë, këtë gëzojmë edhe për tynë! Sot mbaron lejen Fatua dhe u ulmë të të shkruajmë këtë kartë,… lusim të gjenj shëndoshë e mirë, siç jemi edhe ne këtejza”!
Letra me shkrim të gjerë dhe plotë gabime ortografike, vijonte me ca detaje të parëndësishme, si filani është kështu, fistani ashtu, gjer te lajmi kulmor:
“Nashtithi po të napim dy sihariqe. E para: të dielën martuam Verën, po s’bëmë dasmë, se krushqve iu vdiq gjyshi në Burrel. Ngritëm aheng pa saze, po e premë kur erdhën krushqit me dhëndrin dhe dy dajkot nga Moglica, ce s’vinte, ne me këngë, ata me qefin. Ama Verën e dhamë, ndë miq të mirë”!
“Fat çupkës dhe dhëndrit, jarabi! Mos paçin kësmetin tim dhe të gjyshit”! – shfreu një oh-of nga thellësia e gjoksit, teksa dy pika loti, përshkuan brazdat e thella dhe ranë mbi zarfin që mbante në duar.
M’u mblodh një lëmsh në fyt, por vazhdova: “Nusja e Takut lindi çun, një djalkë buçko, tre qillo e gjysëm. Nusja dhe kërthiu janë mirë dhe të marrin dorën. Emrin do t’ia vemë Riza…”!
“Si bre, si!? Djalkë!? Po këtëzë t’më kishe llëçitur të parën, mo”!
“Tani i erdhi radha”!
“O Zot, ç’farë haberi! Më lindi djalë, o miq”! – klithi, më rrëmbeu letrën dhe e nanurisi, si të mbante ndër krahë foshnjën e shumëpritur. – “S’i humb fara Riza Kamenicës bre Nevzatkë, o lugat i paudhë”! – dhe e puthi letrën si të puthte kopanecin.
“Sa më gëzove, o bir”! – s’kuptohej në m’u drejtua mua, apo foshnjës në Kamenicën e largët. – “Dale të të puth në ballë, mo”! – më ngjeshi buzët e njomura nga lotët, më giciluan mustaqet dhe m’u bë se më puthi im atë.
“Mbaje veten, bre Zake”!
“U bëra gjysh, mo”! – dhe hidhej përpjetë i përlotur.
“Me sa di unë, ti ke qenë gjysh”!
“Kam qenë gjysh keçesh! Nashtithi jam gjysh mashkulli, bre”!
“Urime, me jetë të gjatë dhe me fat të bardhë, të rritet me nënë e baba, me gjyshe dhe gjysh”!
“Falem nderit dhe në dasmë jarabi, më paç uratën, o bir”! Lajmi e lumturoi, sa humbi interesin për pjesën e mbetur.
“Lëri të tjerat, këtëzë që flet për Rizanë më kendo”! – vuri gishtin mbi rreshta, pa ditur se ku ishin tamam ato fjalë.
Ja përsërita dy-tri herë, por ai s’përmbahej sepse fluturoi në qiellin e shtatë:
“E mbron Zoti oxhakun e Riza Kamenicës”! – dhe u shkreh në lot. – “Rrufjanët kujtuan ce do ma mbyllnin derën, po s’shuhet vatra e Riza Kamenicës, o u sterrofçit katran dhe mos ju mbetët nam e nishan”! – me kartën në dorë, bëri për nga pjaca…!
U nisa për në fjetore, po te dera u kujtova se isha pa larë dhe ndërrova drejtim.
“Ç’po bën Tomor”? – pyeta mikun tim Tomor Balliun, te kuzhina private.
“Po ngroh një kazan ujë, për rrobat”.
“A mund të marr një kovë, për t’u larë”?
“Merr dy, zjarri ndezur është”!
Në kapanon mora teshat e pastra, vara në një boks të lirë kuvertën dhe ktheva të merrja ujë.
“Po t’u desh më, bëmë një zë”! – Tomçja më mbushi dy kova.
“Besoj më mjafton”!
“Kështu si je katranosur ti, s’të lan as lumi”!
“Galeria, vëlla”!
“Ik tani, lahu”!
Hyra në kthinën ku u zhvesha, u regja dhe u shkumova, por llumi mbuloi çimenton nën këmbë dhe s’kishte të sosur. U shkumova së dyti, u fërkova me një leshje, gjersa më përcëlluan mishrat, por shputat e duarve mbetën të zeza, sa ç’ishin në fillim.
“Iku dita, o Zot”! Pas dy orësh vinte dhjetë. I lehtësuar nga pocaqia, u shtriva mbi jatak dhe m’u qepën sytë. Gjumë? S’e di…! Nga truri u fashitën ëndrrat me galera dhe me policë, u venitën kujtimet, u arratisën shpresat dhe i lanë vend apatisë që më pllakosi si çapoj vampiri. Më rrethoi terri pa konture dhe pa horizont, me shpejtësinë e rënies në abis dhe u zhyta në humbellën e harresës…! Më priste një tjetër natë Zezonë. Zezonë? Zezona e ngërthye me tumin e tretë, do na shoqëronin si kryqi pas shpinës së Krishtit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm