Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes së njohur me origjinë arumune, Hobdari, pinjollët e së cilës, pasi ishin shkolluar e diplomuar në kolegjet dhe universitet më të njohura të Ballkanit dhe Europës, u kthyen në Shqipëri, duke hapur laboratorët, farmacitë dhe klinikat mjekësore, si dhe fabrikat e para moderne në Tiranë, që në vitin 1914-të, duke qenë themeluesit e Industrisë së Lehtë në Shqipëri. Dëshmia e Nasi Hobdarit, njërit prej më të moshuarave të këtij fisi, për historinë tragjike të disa prej Hobdarëve më të famshëm, si Aleksandri, i cili pasi ishte diplomuar në Akademinë Tregtare të Athinës, u kthye në Tiranë, me dy vëllezërit e tij, Alqin dhe Jorgjin, hapi fabrikat e para të sapunit, çokollatave, akullit, pijeve freskuese, etj., e deri fabrikën e duhaneve “STAMLES” dhe Centralin Elektrik të Tiranë (SITA), që furnizoi me energji elektrike të gjithë kryeqytetin dhe pati oferta bashkëpunimi, me kompaninë gjermane, “SIEMENS”, etj. Si ua shtetëzoi regjimi komunist në vitin 1947-të të gjitha fabrikat e linjat prodhuese dhe disa prej tyre, përfunduan burgjeve të regjimit komunist të Enveri Hoxhës, si “armiq të popullit”?!
Hobdari, Kryetari i Dhomës Tregtisë në 1921-in
Një nga pinjollët më të njohur të familjes, që ngriti të parën Industri të Lehtë në Shqipëri, ka qenë Aleksandër Hobdari, i cili lindi në vitin 1888-të në qytetin e Tiranës. Pasi mbaroi shkollën fillore në vendlindjen e tij dhe gjimnazin grek në qytetin e Durrësit, në vitin 1910-të, Aleksandri përfundoi studimet e larta dhe u diplomua në Akademinë Tregtare të Athinës. Pas studimeve ai u kthye në Tiranë, ku me veprimtarinë e tij në fushën ekonomike dhe tregtare, u bë një nga emrat më të njohur të kryeqytetit shqiptar. Lidhur me aktivitetin e tij si industrialist i parë në Shqipëri dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë, nipi i tij, Nasi Hobdari tregonte: ”Fillimisht, Aleksandër Hobdari bashkë me vëllezërit dhe të afërmit e tij, punoi në Tiranë për ngritjen e Fabrikës së Sapunit, instalimin e Mullirit të parë të Blojës, me fuqi motorike, në vitin 1916-të dhe ngritjen e një fabrike të vogël, për prodhimin e akullit dhe të pijeve freskuese, në vitet 1918-19. Në vitin 1925, me iniciativën e Aleksandrit dhe të disa tregtarëve të tjerë të qytetit të Durrësit, u themelua Shoqëria e parë aksionere e duhanit, e pagëzuar me emrin “STAMLES”. Kjo shoqëri që në fillimet e saj, ishte e organizuar shumë mirë dhe pajisjet e saj që ishin sjellë nga Greqia prej firmës së njohur ”Papastartos”, ishin të një teknologjie shumë të përparuar për kohën. Këtë shoqëri në dy vitet e para të saj 1925-1927, e drejtoi Aleksandëri. Në vitin 1927, ai mori një iniciativë mjaft kurajoze për kohën, duke themeluar në Tiranë Shoqërinë Aksionere “SITA”, aktiviteti kryesor i së cilës, ishte ndërtimi në Tiranë i një centrali Elektrik të fuqishëm, për furnizimin me energji të kryeqytetit. Vlen për t’u përmendur fakti që; statuti i kësaj shoqërie ishte mjaft i përsosur dhe me të gjitha kërkesat e kohës, ashtu siç ishin statutet e ndërmarrjeve më të zhvilluara të asaj kohe, në shtetet perëndimore. Ndër të tjera në atë statut, që ishte përgatitur nga vetë Aleksandër Hobdari, theksohej se aksionerët duhet të ishin vetëm nënshtetas shqiptar dhe për këtë arsye, që nga ajo kohë kjo shoqëri u krijua dhe mbeti vetëm me kapital shqiptar. Duke patur parasysh se kjo shoqëri ishte e para dhe më një kapital të konsiderueshëm, fillimisht u hasën mjaft vështirësi, për shitjen e aksioneve dhe për këtë Aleksandëri bashkëpunoi ngushtë me patriotin tiranas Musa Vathi, i cili njihej si një njeri mjaft i ndershëm dhe me autoritet të madh, në qytetin e Tiranës. Motorët “Diezel” dhe gjeneratorët me pajisjet e tjera elektrike u sollën nga qyteti Graz të Austrisë. Krahas ndërtimit të Centralit Elektrik, kjo shoqëri kreu edhe instalimet e rrjetit elektrik, shpërndarës si dhe instalimet elektrike, në ndërtesat industriale dhe banesat private në qytetin e Tiranës. Të gjitha ato punime u kryen me një cilësi të lartë dhe konform të gjitha standardeve, që kishte në atë kohë Federata Elektrike Gjermane (V.D.E.)”.
Ngritja e Centralit Elektrik
Një nga personat që ka punuar në atë kohë me Aleksandër Hobdarin, ka qenë dhe patrioti i njohur tiranas, Musa Vathi, i cili në kujtimet e tij të ruajtura nga i biri, Besimi, në mes të tjerash ka shkruar: ”Gjatë viteve 1925-1927, që unë isha anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, pata mjaft divergjenca, me shumë nga drejtuesit e asaj Bashkie, pasi nuk isha dakord me trajtimin e keq, që i bëheshin kryeqytetit. Gjatë asaj kohe që unë fillova punë në Dhomën e Tregtisë së qytetit të Tiranës, si sekretar i saj, u njoha me një djalë të ri dhe tepër energjik, të quajtur Aleksandër Hobdari, i cili ishte një njeri shumë i aftë dhe organizator i përsosur, për çështjet ekonomike. Me Aleksandrin punova deri në vitin 1927, sepse në atë kohë ai u largua dhe u mor me themelimin e Shoqërisë “SITA”(Shoqëri Industriale Tregtare Anonime). Sipas porosive që na jepte Alëksandri, unë së bashku me disa shokë të tjerë, iu vumë punës dhe u morëm me shitjen e aksioneve, e me të ardhurat që do të grumbullonim, synonim që të investonim në elektrifikimin e qytetit të Tiranës. Bashkë me Aleksandërin ne shkonim nëpër tregtarët e Tiranës dhe iu shpjegonim, lidhur me të mirat që do të vinin pas ngritjes së Centralit Elektrik, si për ata vetë, ashtu dhe për Tiranën. Po kështu iu shpjegonim atyre lidhur me të mirën që kishte blerja e aksioneve, për të ardhmen, pasi me ngritjen e godinës së centralit (ndërtesa e Sigurimeve Shoqërore para gjimnazit “Qemal Stafa”), e cila kushtonte rreth 500 franga ari, fitimet do të ishin mjaft të mëdha. Pas gjithë asaj pune të madhe dhe të lodhshme që ne bëmë, aksionet u shitën të gjitha dhe me kapitalin që ne grumbulluam, u ndërtua godina e Centralit dhe u blenë të gjitha makineritë, kabllot telat, kabinat e materialet e tjera, të cilat u sollën të gjitha nga Austria dhe Gjermania. Në fillim shumë tregtarë që blenë aksionet e atij centrali, patën frikë se mos po i’u shkonin dëm fondet, që kishin dhënë, por më vonë faktet treguan të kundërtën sepse ajo shoqëri u fuqizua dhe punoi me fitime deri në vitin 1945, kur u shtetëzua nga regjimi komunist”.
Ofertat e “SIEMENS”-it
Shoqëria Aksionere “SITA” që u ngrit asokohe nën kujdesin e Aleksandër Hobdarit, pati një sukses të madha dhe fitimet e saj u shtuan ndjeshëm, duke e fuqizuar atë së tepërmi nga ana financiare. Nisur nga ai fakt, ajo shoqëri pati oferta të shumta nga firma të njohura dhe tepër prestigjioze të Europës Perëndimore, për të investuar në Shqipëri. Lidhur me këtë, Nasi tregonte: ”Në vitin 1929, Shoqëria gjermane “SIEMENS”, i ofroi Shoqërisë “SITA” që të bashkëpunonin për ndërtimin e një hidrocentrali, mbi lumin Kir në qytetin e Shkodrës dhe ndërtimin e një Radiostacioni në qytetin e Tiranës. Një vit më vonë në 1929-ën, po nga Shoqëria “SIEMENS” erdhi një ofertë, për ndërtimin e një TEC-i në qytetin e Elbasanit dhe Shoqërisë “SITA”, nga firmat e huaja perëndimore që nën garancinë e saj, kërkonin të investonin kapitalet e tyre në Shqipëri”.
Hobdari, Konsull Nderi i Japonisë
Në fillimin e viteve’30-të, Shoqëria Aksionere “SITA”, u fuqizua shumë dhe mori në sipërmarrje edhe monopolin e prodhimit të kripës, në Vlorë dhe Kavajë. Ajo arriti që ta shpërndante kripën me një çmim të unifikuar, në të gjitha skajet më të largëta të vendit, si në bregdet ashtu dhe në zonat më të thella malore. Përveç kësaj, ajo shoqëri mori edhe monopolin e tregtimit të shkrepëseve, duke i importuar ato nga Suedia, si dhe hapi një dyqan për shitjen e pajisjeve elektrike, të importuara nga Gjermania nëpërmjet firmës “SIEMENS”. Me zgjerimin e këtyre aktiviteteve, Shoqëria “SITA” u bë një shoqëri aksionere shumë e fuqishme dhe vlerat e aksioneve të saj, filluan të ngriheshin nga viti në vit. Nën kujdesin e Aleksandër Hobdarit, ajo krijoi një administratë model, duke iu paguar punonjësve të saj rregullisht sigurimet shoqërore. Në ato vite, me nismën e Aleksandërit, u ndërtua edhe një linjë për pastrimin kimik dhe larjen e teshave, apo siç njihen nga banorët tiranas, me emrin “Pastërtia”. Nisur nga puna e madhe që kishte bërë, Aleksandëri, fitoi një emër të madh si industrialist, jo vetëm në Shqipëri por dhe jashtë saj. Nisur nga ky fakt, në vitin 1932, Perandori i Japonisë, Hiroito, e dekretoi Hobdarin, me detyrën e Konsullit të Nderit të Japonisë, në Tiranë. Lidhur me këtë në shkresën zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në atë kohë njoftohej:
”Kemi nderin me ju njoftuem se, sipas letrës që Ministri i Japonisë në Athinë i ka drejtue titullarit të kësaj Ministrie, Qeveria e Perandorisë Japoneze, ka emnue me datën 20 prill, Zotin Aleksandër Hobdari, Drejtor i Përgjithshëm i Shoqërisë “SITA”, si Konsull Nderi të saj në Tiranë. Lutemi që sa të dali eksekuatori i zakonshëm, t’u jepni instruksionet e duhura autoriteteve që m’varen prej asaj ministrie me qëllim që ta njohim provizorisht zotin Aleksandër Hobdari, me cilësinë e tij zyrtare të re”.
Tiranë, 14 maj 1932. Ministri i Punëve të Jashtme
Po atë vit edhe qeveria e Vjenës e dekretoi Hobdarin, si Konsull Nderi të saj në Tiranë. Në vitin 1935, emri i tij u vu në Enciklopedinë Botërore, për njerëzit e shquar “Who is It”, (Fq. 439), ku jepeshin disa të dhënë të shkurtra biografike, për jetën e tij si dhe funksionet e detyrat që ai ushtronte në atë kohë. Këto funksione Aleksandëri i ushtroi deri në vitin 1939, kur Italia fashiste kreu agresionin ushtarak, ndaj Shqipërisë. Pas asaj kohe ai u morr vetëm me aktivitetin e tij si industrialist, duke administruar pasuritë e tija dhe të familjes. Në vitin 1943, kur erdhën gjermanët në Shqipëri, Regjenca e Lartë e thirri Aleksandrin dhe i kërkoi që të pranonte funksionin e Ekonomisë Kombëtare, por ai nuk e pranoi atë, duke u thënë se nuk kishte asnjë dëshirë, që të merrej me politikë. Gjatë viteve të Luftës, edhe familja Hobdari ashtu si shumë familje të tjera tregtare tiranase, e ndihmoi Lëvizjen Antifashiste, duke dhënë shuma të ndryshme në para dhe disa prej tyre si: Kristaq dhe Sokrat Hobdari, dolën partizanë duke u inkuadruar në Çetën e Pezës të Babë Myslymit.
Shkatërrimet dhe dënimet e Hobdarëve
Aleksandër Hobdari dhe pjesëtarët e tjerë të fisit të tij si Naumi, Marku, Dhimitri, Anastasi, Sotiri, Prokopi dhe Stvari Hobdari, të cilët kishin ngritur të parën Industri të Lehtë në Shqipëri, i administruan pronat e tyre, të cilat përbëheshin prej disa fabrikave dhe linjave prodhuese, deri në vitin 1947-të, kur qeveria komuniste e Enver Hoxhës, nxori ligjin e shtetëzimeve. Në atë kohë vetëm Aleksandri dhe Alqi Hobdari u mbajtën në punë, si teknologë në ato fabrika, ndërsa të tjerët nuk i panë më me sy ato. Madje disa prej tyre, si Petraq dhe Asti Hobdari, përfunduan burgjeve të regjimit komunist, si të dënuar politik. Lidhur me këtë, Nasi Hobdari kujtonte: “Asti Hobdari u lind në vitin 1915-të dhe pasi mbaroi shkollën e mesme në Tiranë dhe në Shkodër, shkoi me studime në Itali, ku dhe u diplomua në Universitetin Mjekësor të Romës, në degën Farmaci. Pas diplomimit, ai u kthye në Shqipëri ku pasi punoi për disa kohë si farmacist, në vitin 1947, u arrestua duke u akuzuar për “agjitacion e propagandë”. Pasi u lirua nga burgu në vitin 1949, ai punoi përsëri si farmacist, në Poliçan të Gjirokastrës dhe më pas në qytezën e Milotit, ku dhe vdiq në vitin 1963. Ndërsa Petraq Hobdari i cili kishte lindur në vitin 1920-të në qytetin e Tiranës, në 1929-ën, mbaroi shkollën e mesme për Financë, në qytetin e Napolit në Itali. Pasi punoi për disa kohë si inspektor i Përgjithshëm i Shoqërisë “S.I.T.A.”, në vitin 1946, kur u shtetëzua ajo, ai filloi punë në Ministrinë e Transporteve, si Drejtor i Drejtorisë të Plan-Financës. Në vitin 1951, ai u arrestua si shumë intelektualë të tjerë, që ishin diplomuar në Perëndim dhe vuajti për pesë vite, në burgjet e regjimit komunist i akuzuar si “armik i popullit”. Pasi doli nga burgu, ai punoi në Ofiçinën e OMT-së deri sa doli në pension”.
Historia e panjohur e familjes Hobdari / Nga fabrikat e para në Tiranë, te farmacitë, laboratorët, klinikat mjekësore, dhe kinemaja e parë “NACIONAL”
Origjina e hershme e familjes Hobdari, është nga fiset arumune, që mendohet se kanë ardhur në Shqipërinë e Mesme, për gjatë rrugës Egnatia, që nga koha e romakëve. Ashtu si shumë familje të tjera arumune, që u vendosën asokohe në trevën e Elbasanit edhe familja Hobdari, deri nga fundi i shekullit XVII-të, ka jetuar në fshatin Smolnik të Çermenikës, i cili ndodhet në faqen Perëndimore të Malit të Jabllanicës. Në mesin e shekullit të XVIII-të, fisi Hobdari u detyrua që të shpërngulej për shkak të sulmeve të bandave të ndryshme të hajdutëve, që plaçkitnin në atë krahinë. Si të gjitha familjet arumune edhe familja Hobdari, merreshin kryesisht me blegtori dhe bujqësi, prej së cilës ata njiheshin ndryshe edhe me emrin “çobanë”. Përveç asaj pune, ata punonin edhe si qiraxhinj, duke përshkruar me kuaj rrugën: Strugë-Elbasan-Tiranë-Durrës, e anasjelltas. Për arsye se burrat e atij fisi, në më të shumtën e kohës ishin të larguar nga shtëpitë e tyre, për ditë të tëra, shtëpitë e tyre sulmoheshin hera herës, nga bandat e plaçkitësve. Të detyruar nga këto kushte dhe rrethana, familja Hobdari u largua nga ajo krahinë dhe në vitin 1850-të, ata u vendosën në qytetin e Tiranës. Po kështu një version tjetër për shpërnguljen e tyre, është edhe gjetja e tregut dhe hapësirat e mëdha, që krijoheshin aty për aktivitetin e tyre. I pari i kësaj familje, gjatë periudhës që ata u vendosën në Tiranë, ka qenë Filip Hobdari, i cili mendohet se ka lindur rreth fundit të shekullit të XVII-të, apo fillimit të shekullit të XVIII-të. Pas Filipit, nga familja Hobdari më i njohuri ka qenë Dhimitri, i cili ishte i pari i asaj familje, kur ata jetonin së bashku, në mënyrë patriarkale. Dhimitër Hobdari, veprimtarinë e tij tregtare e kishte filluar në qytetin e Manastirit dhe rrethinat e tij, ku ai u njoh me Xhemal Pashë Zogun, babanë e Ahmet Zogut. Xhemal Pasha sugjeroi Dhimitrit, që ta transferonte një pjesë të aktivitetit të tij tregtar, në atë trevë dhe ai iu përgjigj me shumë kënaqësi ofertës së Xhemal Pashë Zogut dhe duke pasur mbrojtjen dhe garancinë e tij, me karvanët që kishte e furnizoi rregullisht atë zonë. Kur Xhemal Pashë Zogu, bëri krushqi me familjen e njohur tiranase, Toptani, ai filloi të vinte shpesh në këtë qytet dhe që nga ajo kohë, ai i sugjeroi Dhimitrit, që ta shtrinte aktivitetin e tij tregtar dhe në kryeqendrën e madhe të Shqipërisë, në Tiranë. Pas kësaj, Dhimitri me gjithë familjen e tij u shpërngulën dhe erdhën në Tiranë, gjë e cila mendohet të jetë edhe arsyeja kryesore e shpërnguljes së këtij fisi në këtë qytet, nga ku nuk lëvizi më. Në fillimet e ardhjes së tyre në Tiranë, ata blenë shtëpi dhe u vendosën në Rrugën e Fan Kojës, në afërsi të Kishës Ortodokse, aty ku sot ndodhet Hotel “TIRANA”. Në fillim, Hobdarët jetuan të bashkuar si familje e madhe patriarkale dhe shumë shpejt, ata u ingranuan në jetën dhe pjesën tjetër të banorëve vendas. Në qytetin e Tiranës, familja Hobdari nuk u morr më me blegtori e bujqësi, por e filluan aktivitetin e tyre, duke u marrë me tregti artikujsh artizanal të ndryshme. Aktiviteti që ata nisën shumë shpejt u dha frytet dhe fitimet e para, duke rritur ndjeshëm të ardhura financiare, të gjithë familjes së tyre të madhe. Duke parë se mallrat që vinin nga vendet e Lindjes, ishin shumë më të shtrenjta, se ata që vinin nga Perëndimi, si dhe pasigurinë gjatë udhëtimit, Hobdarët, filluan të importonin mallrat e tyre nga Perëndimi, duke u lidhur me tregtarë italianë në Brindisi e Napoli. Nisur nga gjendja e mirë ekonomike, që arritën ata si familje, përveç aktivitetit të tyre tregtar, filluan të tregonin kujdes edhe për shkollimin e fëmijëve të tyre, duke dërguar për studime shumë djem e nipër nga ajo familje, si: Milto, Petraq e Dhimitër Hobdari, Vangjel Zaharinë, Jonuz Tafaj, etj. Një nga djemtë e parë të asaj familje që u shkolluan në atë kohë, ishte Jakov Dhimitër Hobdari, i cili u lind në vitin 1865, në qytetin e Tiranës. Pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Manastirit, Jakovi shkoi në Greqi dhe filloi studimet në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit e Athinës, ku u diplomua. Dr. Jakov Dhimitër Hobdari, njihet si një nga mjekët e parë të qytetit të Tiranës dhe i dyti në këtë qytet, pas Dr. Shaqir Marës. Pas diplomimit, ai u kthye në Shqipëri dhe filloi të ushtronte profesionin e tij të mjekut, në fillim në qytetin e Beratit dhe më pas në Kavajë dhe Durrës. Aty nga viti 1904, Dr. Jakov Hobdari u caktua si drejtues i një ambulance të hapur, që kishin ngritur asokohe austro-hungarezët në qytetin e Durrësit. Në atë qytet, Dr. Jakovi shërbeu deri në vitin 1918-të dhe më pas ai u vendos, pranë familjes së tij në qytetin e Tiranës, ku ushtroi profesionin e tij si mjek. Në ato vite ai u morr më shumë me kurimin e sëmundjeve ngjitëse, si tuberkulozi, sifilizi dhe tifoja, për të cilat kishte studiuar dhe ishte specializuar edhe pas mbarimit të fakultetit. Dr. Jakob Hobdari shërbeu si mjek, deri nga fundi i periudhës së Monarkisë së Zogut, kur ai u nda nga jeta. Dr. Hobdari la dy djem, Milton dhe Spiron, të lindur në vitet 1880-të dhe 1883. Djali i parë, Milto, pasi mbaroi shkollën e mesme në ishullin e Korfuzit, shkoi në Itali, ku studioi në degën Kimi-Farmaci, në Universitetin e Napolit, ku fitoi gradën e Doktorit të Shkencave. Milto u kthye në Tiranë ku krahas hapjes së një farmacie private, ai ngriti dhe një laborator për bërjen e analizave mjekësore. Dr. Milto Hobdari ishte i pari farmacist në Tiranë, që e ushtroi profesionin e tij, vetëm për një periudhë dy vjeçare, pasi një sëmundje e rëndë e ndau shumë shpejt nga jeta. Djali tjetër, Jakovi, pasi mbaroi shkollën e mesme në ishullin e Korfuzit, vazhdoi studimet e larta në Paris, ku u diplomua në degën e Stomatologjisë. Pas diplomimit, Spiro Hobdari u kthye në qytetin e Tiranës, ku për shumë vite me radhë, ushtroi profesionin e tij të stomatologut, në fillim në një klinikë private dhe më pas në Spitalin Ushtarak dhe Poliklinikën Dentare të Tiranës. Spiro, i cili ndërroi jetë në vitin 1960-të, mbahet mend si një stomatologët më të mirë të Tiranës. Pas këtyre, një nga djemtë e tjerë të familjes së njohur Hobdari, që u shkolluan dhe u diplomuan jashtë Shqipërisë, ka qenë dhe Alqi, apo siç njihej ndryshe dhe me emrin Nikolla Jani Hobdari. Pas mbarimit të shkollës unike në vendlindjen e tij, Alqi mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin grek të Durrësit dhe më pas ndoqi mësimet në Athinë, pranë një shkolle profesionale dy vjeçare, të Industrisë së Lehtë. Alqi së bashku me dy vëllezërit e tij, Aleksandrin e Jorgjin, ishte dhe pinjolli i parë i kësaj familje, që u bë shkas që ata të fillonin aktivitetin e tyre në fushën e Industrisë së Lehtë. Ata të tre së bashku, me të afërmit të familjes Hobdari, që në vitin 1914-të, filluan nga puna dhe ngritën të parën fabrikë sapuni në qytetin e Tiranës, pasi që nga viti 1890-të, ata e prodhonin sapunin, në mënyrë artizanale në shtëpinë e tyre. Pas kësaj në vitin 1916-të, në rrugën e Durrësit, ata instaluan Mullirin e parë të Blojës, me fuqi motorike, (deri në atë kohë mullinjtë punonin me ujë) dhe në vitin 1918-të, ngritën një fabrikë të vogël për prodhimin e akullit e alkoolit dhe një fabrikë tjetër, për prodhimin e pijeve freskuese. Pas këtij aktiviteti që shënon dhe fillimet e Industrisë së Lehtë në Tiranë, bashkë me dy ortakë të tjerë, në vitin 1922, ata hapën kinemanë e parë në Tiranë me emrin “Nacional” (më pas “17 Nëntori”), pasi Tirana u bë kryeqyteti i Shqipërisë dhe u rrit ndjeshëm numri i popullsisë, e rrjedhimisht edhe nevojat për prodhime industriale, tre vëllezërit: Alqi, Aleksandri dhe Jorgji Hobdari, në vitin 1928-të, ngritën në Rrugën e Durrësit, një kompleks të madh industrial, me një fabrikë moderne për prodhimin e akullit (që në atë kohë ishte i nevojshëm për spitalet dhe baret), një fabrikë për prodhimin e sapunit, një Distileri për prodhimin e alkoolit industrial nga misri, një laborator për prodhimin e parfumeve, me esenca të importuara nga firma prestigjioze gjermane “ GEROGE Gurt” e Leipzig, dhe një linjë moderne për prodhimin e pijeve freskuese, duke marrë ekskluzivitetin e firmës gjermane “SINALCO”, me qendër në Dortmund. I gjithë ky kompleks industrial, që nga krijimi i tij e deri në vitin 1947-të kur u shtetëzua nga komunistët, u administrua nga Alqi Hobdari, pasi dy vëllezërit Jorgji dhe Aleksandëri u morën me aktivitete të tjera. Me ardhjen e regjimit komunist në fuqi në vitin 1945-së, pushoi së qenuri dhe u shua aktiviteti tregtar e prodhues i familjes Hobdari, të cilëve jo vetëm që iu sekuestrua e gjithë pasuria dhe pronat, që ata kishin, por disa prej tyre përfunduan burgjeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u akuzuar si “armiq të popullit” dhe emri e fama, që kishin pasur si themelues së Industrisë së Lehtë në Shqipëri, do të shuhej me kalimin e viteve, për t’u arkivuar dhe mbetur si “pronë” e historisë së kryeqytetit shqiptar, Tiranës./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016