Nga Dr. Nikoll Loka
Pjesa e nëntë
“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Dr. Loka, i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
(Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)
SI E KANË VLERËSUAR BIBË DODËN?
Vlerësimi shtetëror
Bibë Doda, 24 vjeç bëhet krye kreu i Mirditës. Në vitin 1849, iu dha titulli “Pasha”. Perandoria turke, më pas e gradon “Gjeneral-Brigade”. Aristokracia evropiane, ia njohu titullin “Kapidan”. Sulltan Abdyl Mexhiti, me Dekretin Nr. 124 i dha urdhrin “Mexhidie” të klasit III, të shoqëruar me rrogë dhe shumë shpërblime.
Bibë Doda, u bë Pashai i parë i krishterë i Perandorisë. Në Mirditë, pati bërë përshtypje jo të mirë pranimi i titullit “Pashë”, nga ana e tij, si dhe pranimi për ngritjen e një xhandarmërie në Orosh, që do të paguhej nga Stambolli. (148) Ndërsa Perandori Napoleoni III-të i Francës, në shënjë mirënjohje për këtë luftë, i dhuroi Bibë Dodës “Shpatën e argjendët” dhe premtoi ta merrte nën mbrojtje Mirditën, në arenën ndërkombëtare.
Vlerësimi apostolik
Fama dhe meritat e këtij prijësi të krishterë, u vlerësuan edhe nga Selia e Shenjtë. Me 16 prill 1844, Papa Gregori XVI-të i dha Bibë Dodës, titullin “Kavalier i Urdhrit Civil, të Shën Gregorit”, pas të cilit Kapidan Biba, u pranua në shoqërinë e këtij urdhri. (149)
Ndërsa në vitin 1855, i dha titullin; “Princeps Mirditarum”. Ja si i drejtohet Papa Gregori i XVI-të: “Bir shumë i dashur, shëndet e Bekim Apostolik. Më të shkëlqyeshmit tituj nderi të lartë, është dëshmia më e madhe e dashamirësisë sonë, që me shumë dëshirë, i jepet atyre njerëzve, të cilët, duke u dalluar për fisnikërinë e origjinës në nderim të fes, lavdërohen duke merituar me të drejtë mirënjohje, në fushën fetare e civile. Në fakt, e dimë mirë që Ti, i favorizuar dhe nga paraardhësit e nga persona të rëndësishëm për kjartësi, ndershmëri, bamirësi e drejtësi, i impenjuar me zell për të nxit të mirën e zhvillimin e fesë katolike, me kujdes të çiltër drejt Nesh e, nga kjo Seli Apostolike, je sjellur gjithnjë si, sigurisht, i përket një njeriu katolik. Prandaj, duke marrë parasysh këto vlera të shquara, kemi menduar me të dhënë një shenjë të kujdesit drejt Teje.
Duke dashur, kështu të dekorojmë me një vlerësim nderimi të veçantë, edhe pikërisht për këtë, duke të zgjedhur me bindje se mund të jesh i zgjidhur nga çdo lloj vendimi shkishërimi, ose ndalimi e tjera vendime kishtare, censure, dënimi të lëshuara në çdo lloj mënyre e, për çdo motiv, në rast se do të prekeni, nëpërmjet këtij dokumenti, në forcën e autoritetit tonë Apostolik, të emërojmë e deklarojmë ‘Kavaljer Komendator të Urdhërit Civil të Shën Grigorit Magno’ e të kooptojmë në bashkë shoqërinë e kavalierëve të tjerë, të të njëjtin Urdhër. Prandaj, si shenjë dalluese të këtij Urdhri, të japim e të lejojmë të mbash lirisht e me të drejtë, kryqin e madh tetëkëndësh të artë, ngjyrë të kuqe e që mban në mes shëmbëlltyrën e Shën Gregorio Magno, ku ngjitet një shirit mëndafshi i kuq, praruar në dy pjesët anësore, për t’u varë në qafë. E në mënyrë që të mos rrezikohet bartja e kësaj dekorate, urdhërojmë që të dorëzohet një riprodhim i të njëjtit Kryq.
Dhënë në Romë, pranë Shën Pjetrit, me shenjën dalluese të unazës së Peshkatarit, ditën 16 Prill 1844. Viti i katërmbëdhjetë i Pontifikatit Tonë.
PRINCESHË MARGJELA
Hidja e Hasan Ajazit
Margjela e Bibë Dodës, kishte lindur në familjen njohur të Ajazëve të Lurës. Ajazët ishin bërë mysliman vonë, në periudhën kur për shumë arsye, pjesa më e madhe e popullsisë, nuk qëndroi më gjatë në besimin e krishterë. Bibë Kolë Ajazi, qe i martuar me një muhamedane, me të cilën pati tre djem: Hasanin, Aliun e Metën. Nuk vonoi dhe Biba vdes, atëherë, drejtimin e punëve të shtëpisë, e merr djali i madh, Hasani, i cili u martua me motrën e Dedë Vladit, në fshatin Pregjë – Lurë.
Hide Ajazi, lindi në Arrë Mollë në vitin 1848 dhe ishte vajza e vetme e Hasan Ajazit; shtatlartë, e shëndetshme, me bukuri dhe zgjuarsi natyrore. Sipas traditës, prijësit e Miriditës martoheshin edhe me vajza myslimane, nga familje të njohura, një traditë që vjen që nga koha kur Lura, ishte katolike. Nga kjo traditë, nuk bëri përjashtim as Bibë Doda, i cili pas vdekjes së gruas së parë, lindur në Shkodër, u martua me Hiden e Hasan Ajazit, që pas martesës, u pagëzua me emrin Margjelë. Bibë Dodë Pasha, bëri të pamundurën për tu lidhur me Hasan Ajazin, që ta pranonte miqësinë e tij, por nuk pati rezultat.
Pengesa kryesore ishte feja. Atëherë Biba, hyn në marrëveshje me një njeri të afërt të Hasanit, që e lidhi direkt me Hiden. Në bazë të këtij plani, ajo u martua me Princin, pa patur pëlqimin e familjes. Kjo ngjarje, e acaroi stituatën dhe Bibë Doda, që i vlerësonte Ajazët, preferoi ta zgjidhte sipas zakonit, duke marrë dajën e cucës, Dedë Vladin dhe shkoi te miku, ra në gjunjë dhe i kërkoi dorën e vajzës Hasanit, i cili mbasi u hodhi një vështrim djemve, që i kishte pranë tha: “Koka e ulun nuk pritet”. Me atë rast, Dedë Vladi, i kishte thënë: “Cuca jote e mbesa ime, kish lind për një Pashë dhe një Pashë, or mik të mori”. (150)
Pas helmimit të Bibë Dodës nga turqit, në vitin 1868, Hidja, e pagëzuar me emrin Margjelë dhe e njohur gjerësisht si Princesha e Mirditës, mbeti vetëm me djalin Prengën dhe vajzën Davën. Pranë saj, shkoi i vëllai Stafa dhe nipi Limani, që iu gjetën në çdo moment. Falë ndihmës së familjes së saj dhe mbështetjes nga pjesa më e madhe e krerëve të Mirditës, që nuk pranonin të shkilet Kanuni, Prengë Bibë Doda, atëherë fëmijë, u njoh si Kreu tradicional i Mirditës. Me këtë rast, autoritetet osmane, vepruan me djallëzi, duke e dërguar djalin e vogël në Stamboll, gjoja për ta mbrojtur dhe për ta shkolluar, duke i hequr Mirditës trashëgimtarin e ligjshëm, të fronit kapidanor. Në ato kushte, Stafa, la në Shkodër Limanin pranë Margjelës dhe Davës dhe vetë shkoi në Stamboll, për t’u kujdesur për nipin, duke qëndruar atje, për disa vjet rresht.
Prengë Bibë Doda me dajën, Staf Ajazin, u vendosën në lagjen ‘Saralitas’ të Stambollit, ku u mbajtën nën mbikëqyrje nga autoritetet osmane. Stafa, drejtonte ekonominë dhe fliste në emër të Princit, duke qenë këshilltar e kujdestar i tij. Ndërsa Prenga, që më parë kishte marrë studime private në Shkodër, nga arbëreshi Leonardo de Martino, në atë kohë sekretari i babait të tij, vazhdoi shkollimin në Robert Kolegj, një shkollë amerikane që ishte themeluar në vitin 1863, ku mësonin fëmijët e familjeve aristokrate, kryesisht të huaj dhe jepej arsim i zgjedhur. Në atë shkollë, mësohej anglisht, frëngjisht, por mësohej edhe gjuhë amtare, kur numri i nxënësve, arrinte shifrën e njëzet e pesë vetëve. Ka të dhëna se këtë numër, e kishin arritur edhe shqiptarët, prandaj kishte patur edhe një mësues për gjuhën shqipe. Përveç gjuhëve që përmendëm më sipër, nxënësi mësonte dhe një gjuhë tjetër, sipas dëshirës: turqisht, gjermanisht, bullgarisht ose armenisht. (151)
Ndikimi i Margjelës, në vetëqeverisjen e Mirditës
E veja e Bibë Dodës, me qëndrimin e saj prej burrneshe, tërhoqi vëmendjen e qarqeve politike dhe diplomatike, si dhe të opinionit publik. Gazeta “Populli”, shkruan se; “ishte grua e mençme dhe e gajretshme, maiti me nderë derën e Bibë Dodës”. (152)
Vendin e zbrazët, që la Bib Doda, Margjela, e veja e tij, donte t’ia kalonte të birit, Prengës, i cili akoma nuk e kishte mbushur moshën. Si kujdestar për djalin e saj, ajo deshi kapidan Gjonin dhe pak e nga pak, e veja e Bib Dodës, ia arriti qëllimit të saj. Mirditasit, në një mbledhje në Shën Pal, u shprehën se Prengë Bibë Doda, ishte Kreu i tyre dhe, deri sa të rritej, i vunë si kujdestar, kapidan Gjonin. Duke pretenduar se nuk mund ta pranonte rezultatin e zgjedhjeve në Shën Pal, qeveria turke, e emëroi Kapidan Gjonin, kajmekam, në vend të Prenk Bibë Dodës. Meqenëse mirditasit nuk e njohën këtë emërim, kajmekam Gjoni, u detyrua të largohet qysh në prill nga posti i tij. (153)
Sipas Kanunit, gruaja nuk kishte të drejtë të vendoste për punët e Krahinës, sidoqoftë, si nëna e Kapidanit trashëgimtar dhe e veja e Kapidanit, Margjela, pyetej dhe mendimi i saj ndikonte në vendimet e krerëve.
Margjela ishte një grua shumë e zgjuar dhe po kaq e vendosur, e pajisur nga natyra me një nuhatje të hollë politike dhe dinakëri femre…! Dora e saj, ndihej kudo, kur bëhej fjalë për aspiratat kapidanore të djalit të saj. (154) Në të vërtetë, Margjela, shihej si një aktore e rëndësishme politike, në zhvillimet që priteshin të ndodhnin në Shqipëri, prandaj rreth saj, ka informacione në kancelaritë europiane, që dilnin nga konsullatat në Shkodër.
Konsulli austro-hungarez, njoftonte Vjenën se; “qëndrimi i Margjelës, është bërë më i fshehtë. Ajo mbulon me kujdes të frikshëm, çdo influencë që përpiqet të ushtrojë mbi mirditasit, nëpërmjet njerëzve të afërt të saj. Hapat e saj, nuk mund të kontrollohen aq lehtë dhe nuk japin asnjë pikëmbështetje të përcaktuar, për pjesëmarrjen e saj në ngjarje politike. (155)
Për shkak të miqësisë që kishte me francezët, dhe Perandorin Napoleoni III-të, si kumbarë të djalit të saj, francezët i siguruan mbështetjen dhe mbrojtjen e nevojshme. Pas vrasjes së Dedë Tucit, konsullata franceze, ndërhyri në mbrojtje të vejës së Bibë Dodës. Konsulli Lë Rée, vetëm mori masa konkrete sigurie për shtëpinë e saj. Me këtë rast, Margjela dhe Dava, u strehuan në Konsullatën franceze në Shkodër. Këtë rast, u mundua ta shfrytëzonte mareshali Mustafa Asim Pasha, i cili prej kohësh, synonte t’i izolonte të gjithë pjesëtarët e familjes së Prengë Bibë Dodës dhe t’i largonte njëherë e mire, nga Shqipëria. (156)
Pas disa kohësh, gjendja normalizohet dhe familja princërore, shkon në Pallatin e saj. Pas daljes nga konsullata franceze, Margjela, vizitën e parë e kishte bërë te zëvendës konsulli rus, Krillov, në shoqërinë e konsullit francez, Lë Rée, vizitë që le të kuptohet se, edhe rusët interesoheshin për familjen e Bibës.
Në atë situatë, Porta e Lartë, nuk qëndroi duarlidhur dhe u përpoq ta akuzonte Margjelën, duke i kujtuar asaj se, nëpërmjet kapidan Markut, kishte siguruar bashkëpunimin e mirditorëve në komplotin kundër Gani Beut, pasi ai, pas kthimit nga Greqia, ishte strehuar te Kapidan Marku. (157)
Përballë intrigave të turqve, Margjela qëndroi e fortë dhe në një rast, kishte deklaruar: “Çdo ndërhyrje nga jashtë në çështjet e brendshme të mirditorëve, ata do t’i bëjnë rezistencë të fuqishme…! (158)
Nga ana tjetër, anglezët ndiqnin me kujdes bashkëpunimin e saj me Prengë Currin dhe ndërmjet tij, me Komitetin e Korfuzit. Të shqetësuar, diplomatët anglezë në Shkodër, Stamboll dhe Londër, shkëmbejnë relacione mbi sjelljen e Margjelës dhe njëri prej tyre, diplomati Leybourn, pasi ishte këshilluar me qendrën, i kishte dërguar një letër, ku i kërkon që; “mos ta lejonte Prengë Currin, të bënte agjitacion në Mirditë”. (159)
Si kundërshtarë të rusëve, austro-hungarezët, i ndiqnin me kujdes lëvizjet e Margjelës dhe në njërën anë informonin autoritetet në Vjenë dhe nga ana tjetër, mbanin lidhje me të, duke i shprehur miqësinë e shtetit të vet. Në raportin që konsulli austro-hungarez në Shkodër, i dërgon Vjenës bëhet fjalë për dredhitë e Margjelës së Bibë Dodës dhe rolet e shumta që luan në marrëveshjet me Francën, Rusinë, Malin e Zi, si dhe me agjitacionin helenik. (160)
Në anën tjetër, Vjena, i jepte subvencion, (161) zyrtarë dhe diplomatë austro-hungarezë, i çonin dhurata, e ftonin për vizitë apo i bënin vizitë në shtëpinë e saj. Vic Vardell, këshilltar i Qeverisë Perandorake të Austro-Hungarisë, i kishte dërguar një letër Princeshës, ku e falenderon për skulpturën që i kishte dërguar. Edhe Margjela, ishte e interesuar të fitonte sa më shumë përkrahje nga shtetet e huaja, për çështjen e djalit të saj dhe të Mirditës, prandaj i interesonin marrëdhëniet me të gjitha konsullatat e huaja. Në periudhën e fundit të internimit të Prengës, kishte rënë në sy një afrim i Konsullit austro-hungarez, me familjen e Kryetarit të mirditasve. “Mëma Princeshë”, ishte vizituar nga Konsulli austro-hungarez, në banesën e saj në Orosh dhe i biri në Stamboll, u porosit ta vizitonte Ambasadorin austro-hungarez. (162) Me këtë rast, qeveria austro-hungareze, i kishte dhënë familjes së Bibë Dodës, një ndihmë mujore, prej dymijë piastrash. (163)
Margjela, ishte dekoruar në vitin 1904. (164) Roli i saj i kishte bërë përshtypje princeshës, Helena Gjikës, e cila në një letër për Jeronim De Radën, shkruan: “Zoti Lejcan, ka publikuar në buletinin e fundit të Societe de Geographie të Parisit (prill-maj) një shkrim mbi mirditasit, që sipas tij, janë bujq aktiv dhe luftëtar të zotë. Personazhi më me ndikim, është gjithmonë princesha e vjetër, nëna e Bibë Dodës. (165)
Princeshë Margjela në përshkrimet e të huajve
Vizitorët e huaj që vinin në Shkodër, kishin dëshira të njihnin të ëmën e Princit të Mirditës, sepse u krijonte përshtypjen e aristokrateve të një kohe, që në Europë ishte në zhdukje e sipër. Edith Durham, e kishte vizituar në shtëpinë e saj në Shkodër dhe shkruan se i kishte bërë përshtypje, sjellja e saj prej zonje. (166)
E kishte takuar edhe anglezi tjetër, Aubrey Herbert, që shkruan: “Margjela, zonjë e moshuar me pamje të çelur fliste vetëm shqip. Kishte veshur fustanin kombëtar, bardh dhe zi dhe një pëlhurë mbi kokë. Nëna e Prengë Bibë Dodës, duhet të ketë qenë një grua e jashtëzakonshme”. (167)
Margjelën, nuk e lë pa e përmendur as Jan Fabius, në librin e tij për Shqipërinë: “Sipas historive që kisha dëgjuar për të, ajo kishte vdekur një vit para ardhjes time, gjatë rrethimit, por emri i saj, ende përmendet me nderim”. (168)
Më hollësisht, flet Marcin Czermiński, në librin e tij “Shqipëria”, duke përshkruar hollësisht, një takim me Princeshën në Kallmet.
Pas vdekjes së Bibë Dodës, qeverisjen e Mirditës e mori vejusha e Princit të vdekur, që është nëna e Prengë Bibë Dodës së internuar, një grua me aftësi dhe cilësi të jashtëzakonshme. Mirditorët e konsiderojnë atë, si eproren e tyre. Asaj i paguajnë detyrimin dhe kohë pas kohe, dërgojnë përfaqësuesit e tyre, për të marrë mendime prej saj, për çështje të rëndësishme të bashkësisë së tyre. Gjatë qëndrimit tim në Shqipëri, e kam njohur këtë personalitet të veçantë. Në atë kohë, Princesha Bibë Doda, gjendej në rezidencën e saj, në Kallmet. Atje vajta me kalë, sepse çdo mundësi tjetër udhëtimi, ishte absolutisht e pamundur, përveçse me këmbë. Pallati është i vogël dhe me kate. Ka një oborr të gjerë dhe një kopsht anash, plot me lule dhe pemë që bënin hije. Të gjitha këto, janë të rrethuara me mur.
Disa mirditorë nga grupi i rojeve të nderit, ishin ulur allaturka mbi barin e kopshtit, nën hijen e rrapit të madh. Ata kishin një veshje mahnitëse me ngjyra të çelura, të qepura me art të shumtë. Belin e kishin të lidhur me breza, pas të cilëve, dalloheshin pistoletat dhe jataganët me doreza të argjendta, të zbukuruar me gurë të çmuar.
Kur u paraqita, të gjithë u çuan më këmbë dhe më bënë një nderim të veçantë, me plot shije dhe falenderim. Në fytyrat e tyre, u shfaq habia, por edhe burrëria, shenjë kjo e forcës dhe e lavdisë së tyre. Dy mirditorë, kërcyen për të më mbajtur kalin dhe më ndihmuan për të zbritur. Princesha, që ishte njoftuar për ardhjen time, më priste në pragun e hyrjes për në dhomë. Kishte shtat të hijshëm dhe ishte veshur me një kostum kombëtar, që nuk ndryshonte nga ai i grave të tjera mirditore. Ndonëse ka ngulur në tokë gjashtë kryqe për familjarët e saj të humbur, që jetës së saj i kanë dhënë shumë vuajtje, ajo nuk e shfaq brengosjen. (169) Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
- Dom Ndoc Nikaj, Kujtime të një jetës…,f. 19
- Gjon Mark Kapidani, Folklorin mirditor e karakterizon optimizëm i veçantë, shih, Gjon Mraku, Mirdita, Intervista, vëllimi III, f.231
- Ramadan Ajazi, Ajazët mes Lindjes dhe Perëndimit, Tiranë 2005, f.19-21
- Xgjimi, Nr.1, Korçë, vjeshtë e II-të 1913, vit’ I, f. 32-38
- Gazeta «Populli», 7 prill 1919, f.2
- Franc Nopça, Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e drejta zakonore e tyre,…, f. 85
- Luigj Martini, Abati i Mirditës Prend Doçi, botimet «Mirgeeralb», Tiranë 2012, f,169
- HHStA, PA-Vj.37-92, Nr.68, Relacion i Konsullit të Austro-Hungarisë Lippih për Minsitrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë, Shkodër më 14 shtator 1886
- Luigj Martini, Abati i Mirditës Prend Doçi,…., f.166
- HHStA, PA-Vj.88-61, Nr.68, Relacion i Konsullit të Austro-Hungarisë Lippih për Minsitrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë, Shkodër më 23 janar 1887
- Sedulla Brestovci, Marrëdhëniet shqiptaro-serbo-malazeze 1830-1878, Prishtinë 1983, f.233
- FO 195/1476, Nr.26 (kondenciale), Shkodër 13 maj 1884, Komiteti Qendror i Korfuzit, Dokumente historike 1883-1885, përgatiti Ethem Çeku dhe Bejtullah Destani, Instituti për Çështje Kombëtare, Tiranë 2015, f.44
- AQSH, F.143, D.1117, f.363
- HHStA-PA-A, Vj.24-41-4176
- Franc Nopça, Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e drejta zakonore e tyre, përkthyer nga Dr. Jur. Mihallaq Zallari, Shtëpia botuese “Eneas”, Tiranë, 2013, f.91
- Luigj Martini, Princi pa fron i Mirditës, botimet “Mirgeeralb”, Tiranë 2014, f.14
- AQSH, Fondi Bibë Doda, Dosja16, f.1
- Dora D’Istria, letër Jeronim De Radës, AQSH, F.24, D.54/1, f.162-163
- Edit Durham, Brenga e Ballkanit, botimet “Argeta LMG”, Tiranë 2014
- Aubrey Herbert dhe krijimi i Shqipërisë së sotme, Ditarë dhe letra 1904-1923, përgatirur nga Bejtullah Destani dhe Jason Tomes, botimet “Via Egnatia”, Tiranë 20012,f.43
- Jan Fabius, Gjashtë muaj në Shqipëri, Skanderbeg books, Tiranë 2005, f.52
- Marcin Czermiński, Shqipëria, Përshkrime historike, etnografike, kulturore dhe fetare, Onufri 2014, f.14
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016