Nga Sokol Parruca
Pjesa e dytë
-Dëshmitë e rralla të juristit të njohur Sokol Parruca, për ikonat e futbollit shkodran ndër vite, si; Halepiani, Hasa, Rragami, Rakiqi, Bizi, Dani, Zhega, etj., si dhe disa prej tifozëve të “çmendur” të “Vllaznisë”!-
Memorie.al / E vështirë të shkruash për ish-futbollistët e ekipit “Vllaznia” të Shkodrës ndër vite, pa qenë studiues dhe specialist futbolli, por unë po hedh im-presionet, për ata që njoha, preka e i pashë, për trajnerët e moshave, pa pretenduar se po them gjithçka që meritojnë. E padyshim gjykoj se është e pamundur të mos përmendsh, Ernest Halepianin. Kam qenë rreth 9 vjeç, nuk e mbaj mend me cilin shok të lagjes kam shkuar për herë të parë, te “Parku i Pionierëve”, pranë ish-shkollës “11 Janari”, për të filluar stërvitjen në sportin e futbollit. Aty ishte trajner për fëmijët, një burrë i shkurtër, flokë me kaçurrela të imët, me një fytyrë që i ndrinte nga mirësia.
100 VJET, EKIPI FUTBOLLIT “VLLAZNIA”
SABAH BIZI
Ky emër i madh sapo mbushi 75 vjeç dhe në këtë përvjetor të ditëlindjes tënde mjeshtër, më shkon mendimi se…ah sa borxhlinj të jemi Sabah Bizi, për kënaqësinë që na ke dhënë ndër vite, ke gëzuar gjithë ato shpirtra shkodranesh e shqiptarësh tek të shihnin, si fluturoje, si vallëzoje, si dribloje e si shënoje!
Ti ishe fenomen, ishe frymë, ishe shpirt. Askush si ti nuk çonte peshë zemrat e sportdashësve, askush si ti nuk na bënte të brohorisnim deri në kupë të qiellit, për lojën, golat e fitoret që na dhuroje me talentin tënd, me shpirtin e përkushtimin, me inteligjencën e djersën e derdhur gjithë ato vite, në fushën e blertë.
Pak metra nga shtëpia, ku linde e u rrite, kalove vetëm aneksin për t’u futur më pas në fushën e stadiumit e, për të lënë aty përjetësisht emrin tënd, si talenti më i madh që ka luajtur dhe ka parë ajo fushë.
Futbolli me ty shkëlqeu dhe ti mbete ylli që i dhe dritë. Nuk e di, por rrugës, që të çon për në stadium asnjë emër, nuk do t’i shkonte më bukur se rruga “SABAH BIZI” dhe kjo duhet bërë sot, jo nesër, sepse ky emër ka vlerë, ka peshë, ka kuptim dhe gjithmonë shkodranët do të dynden në këtë rrugë me emër të madh, për të mbushur sërish radhët e stadiumit.
Do të kalojnë nëpër këtë rrugë, që pothuajse i bashkëngjitet stadiumit me mallin e kujtimin e bukur që na ke lënë dhe me shpresën se përsëri do t’i kthehen brohoritjet, thirrjet ngazëlluese, fitoret e titujt, sepse ti je një shtysë, ti ke qenë dhe mbetesh frymëzues. Emri yt ka peshë, ka vlerë, ai të nxit të shkosh aty ku është vepra jote, ngjitur emri me veprën.
Rruga me emrin tënd, ngjitur stadiumit, në fushën e të cilit është vepra e madhështia jote. Prandaj, ti i meriton të gjitha nderet dhe prapë do të kenë lënë diçka të mangët, se ajo çka dhe për ne, për qytetin tënd, për Shkodrën e Shqipërinë është e pakrahasueshme.
E ndërsa sot, kur sytë tuaj po shkojnë drejtë verbërimit të plotë dhe errësira të ka mjegulluar shikimin prapë ne shihemi, ne të shohim ty, por dhe ti na sheh, sepse ne jemi parë gjithmonë me sytë e shpirtit. Kështu të ka parë çdo futbolldashës shkodran e shqiptar dhe kështu do vazhdojnë të të shohin dhe në të ardhmen dhe ti i dashur Sabah, me sytë e shpirtit gjithmonë na ke parë e kështu përjetësisht do të na shohësh!
Të falem përunjësisht SABAH BIZI!”
MOS BËNI POLITIKË ME IDHUJT TANË
Sabah Bizi, nuk mundi të shihte dekoratën e lartë “NDERI I KOMBIT”. Tashmë, ai është verbuar plotësisht. Mirëpo, ai nuk u verbua në një ditë, në një muaj, në një vit. Kalvari i vështirësisë të shikimit ka kaluar ndër vite dhe nëse, do të ndërhyhej në kohë, gjendja e tij do të ishte krejt ndryshe.
Por, asnjë nga qeveritë, si të majta, si të djathta nuk u interesuan për të dhe lanë të shkoje drejt verbërimit. E kur iu dha titulli, u përlotëm, sa nga gëzimi aq dhe nga dhimbja tek shihnim kampionin, fenomenin tonë, të ecte brenda një terri që e rrethon.
Në ceremoninë e rastit, pamë në radhët e para vetëm politikanë. Ndërsa, do të doja të shihja, ata që ndikuan në rritjen e këtij ylli. Do të doja të shihja familjarët e trajnerëve të famshëm të Ernest Halepianit dhe të Xhelal Jukës, Xhevdet Shaqiri, të Zushit, trajnerit të parë që mundi të dallonte se edhe pse ishe fëmijë, të shihte lindjen e një ylli.
Do të doja të shihja familjarët e futbollistëve që luajtën me Sabahin, që mjerisht i kemi humbur, të Hajro Lekajt, Menduh Dedjes, Selman Cukalit, Millan Vasos, Suat Durrajt, Ardian Arrës, e tjerë.
Do të doja të shihja ata bashkëlojtar, që për fatin tonë të mirë i kemi dhe që i dhanë një dorë Sabahit të bëhej një yll: si Selami Dani, Frederik Çapaliku, Rauf e Seit Çanga, Zyhdi Basha, Lekë Koçobashi, Halil Puka, Çesk Ndoja, Fatmir Paçrami, Astrit Hafizi, Ismet Hoxha, Viktor Plumbini, Luan Vukatana, Roland Luçi, Ferid Borshi, Isak Pashaj, Ser Dedja, Fasli Fakja, e mjaft të tjerë, që të më falin ndonjë që kam lënë pa përmendur.
Mbi të gjithë, do të doja, i nderuar President, këtë dekoratë Sabahit, t’ia dorëzonte bash ai, kapiteni ynë i madh, Zan Rragami, duke pas në krah Vali Zhegën, bashkëshorten e Din Zhegës dhe legjendën e portës shkodrane, Paulin Ndoja. Sabahi, do t’i njihte Zanin e Paulinin edhe pa folur, do t’i njihte nga djersa e aroma e trupit të tyre, sepse ata kanë një jetë që janë djersitur bashkë, janë përqafuar bashkë për çdo gol e fitore të Vllaznisë.
E për ta ditur, ne këta nuk i kemi ndarë, i kemi quajtur “4 Mosketjerët” – ZAN, DIN, SABAH e PAULIN. Lavdia dhe emri i tyre do të përcillen ndër vite, si legjenda të një kohe dhe legjendat mbeten, kujtohen, nderohen në breza. Prandaj, ju lutem politikanë, mos bëni politikë me idhujt tanë!
Ata janë të të gjithëve, pa dallim feje dhe ideje.
PAULIN NDOJA
Legjenda e portës shkodrane!
Ishe vetëm 19 vjeç, kur more barrën e rëndë të mbrojtjes së portës shkodrane. Asokohe, shumëkush, të shihte me dyshim dhe nën zë nuk mungonin pëshpëritjet. A do të mundje vallë, ti me një trup hollak, jo të gjatë, imcak… në pamje dukeshe dhe më i ri seç ishe dhe ashtu në mes të portës zvogëloheshe edhe më tepër.
Por ti e tregove veten që në ndeshjen e parë. Ishe portieri, që “Vllaznia” lutej dhe priste t’i vinte. Koha dëshmoi se ishe më i miri i të gjithëve. Ishe fenomeni. Unë, që kam patur fatin të ndjek dhe në stërvitje e kam ndjerë dhe isha i sigurt, se do ishe i duhuri, më i miri i “Vllaznisë” po e po, ndofta më i i miri i portës shqiptare.
Sado ftohtë të ishte moti, temperaturat fiksonin disa gradë nën zero asokohe, në borë, në shi dhe furtunë, ti në stërvitje… ujë e djersë. Mbaronin të tjerët, ata në dhomat e zhveshjes, ti vazhdoje derisa nuk kishe më fuqi. E ky ritual stërvitor përsëritej çdo ditë dhe dy herë në ditë.
Te ti ishin bashkuar aq harmonisht dhuntia e talentit me stërvitjen e mundimshme, sfilitëse. Ti më tepër se askush na tregove, se talenti, pa punë, pa djersë, pa seriozitet dhe përkushtim në stërvitje, është një hiçgjë. E kështu, nuk kishin si të mos vinin rezultatet. Ishe ndër lojtarët më të rëndësishëm të “Vllaznisë”.
Falë mjeshtërisë, shkëlqimit e kontributit tuaj, populli i Shkodrës ju quajti “4 MOSKETJERËT”, Zani, Sabahi, Dini dhe Paulini.
Mundet që në të ardhmen të dalin lojtarë dhe më të mirë, portierë dhe lojtarë më cilësorë, por kurrë, nuk do mund të zbehin shkëlqimin e “4 Mosketjerëve“ tanë. Lavdia dhe emri i tyre do përcillet ndër vite, si legjenda të një kohe dhe legjendat mbesin, kujtohen, nderohen.
Eh Paulin Ndoja, mbrojtja me ty ishte më e qetë dhe ekipi futej në fushë më i sigurt! Ne në shkallët e stadiumit mendonim vetëm për sulmin, të shënonim gol, se merakun për portën ta kishim lënë ty dhe kishim aq besim, sa ajo portë që dikur dukej sikur të hante ty, tani ishte rrudhur e dukej e vogël, krejt e vogël, para madhështisë tënde.
Çfarë elasticiteti kishe o Paulin! Këmbët tuaja sikur mbështeteshin si mbi një sustë aq shumë fluturoje në çdo cep të portës, në çdo kënd të saj…! Hidheshe, bije e ngriheshe. Çfarë refleksesh kishe, kur me ankth ndiqnim topin që po drejtohej për në rrjetën tonë. Ti si një akrobat kërceje e, i ndërroje drejtimin topit. Rrjeta mbetej e paprekur. Ti ishe si një rrufepritëse për topin…!
Pa le në pritjen e penalltive ishe fantastik. Nuk di me statistikë sa penallti ke pritur, po kam parë sa shumë ke pritur. Nuk mund të mos përmend pritjen e penalltisë, në finalen e Kupës së Republikës me “Besën” e Kavajës, pas 7 penalltive të realizuara nga i madhi, Zan Rragami… ishte aq drithëruese dhe entuziazmi i tifozerisë arriti kulmin.
Vrapova drejt teje dhe ti me Zanin të përqafuar me lot në sy, një stadium që oshtinte… një stadium që lotonte nga gëzimi. Të gjithë lojtarët të përqafonin E ndërsa, ti ishe garanci për fitore, me ty fituam kupa e kampionate. Të tjerët në Tiranë i errësonte suksesi yt, aq sa, vetë kreu i Sigurimit të Shtetit urdhëroi: “Pse brohorimat për Paulin Ndonjë, do dëgjojmë ne”?!. Stadiumi bubullonte me emrin tënd: “Paulin”!…”Paulin”!
Kaq u desh… ne na prenë brohoritjet, na prenë entuziazmin… Ndërsa ty… Ah ty të vranë, të vranë bash në kulmin e shkëlqimit tënd! Sa i tmerrshëm ai çast, kur skuadra ishte bërë gati për të shkuar e luajtur jashtë shtetit, një përfaqësues i Sigurimit, që shoqëronte ekipin jashtë, lexonte listën e emrave që do të udhëtonin. Të gjithë lojtarët në ankth, askush nuk ishte i sigurt.
Ku i dihej çfarë luhej në ato zyra të errëta të Sigurimit?! Lexoheshin emrat një nga një…ne jashtë prisnim, ah sa kemi pritur të lexohej emri yt! Por jo… nga zëri i përfaqësuesit të Sigurimit, kurrë nuk u lexua emri yt, as i të madhit Xhelal Juka, as i të mrekullueshmit Frederik Çapaliku. Pra, Sigurimi kishte ngritur shpatën e ju kishte goditur m’u në zemër.
Ajo listë ngjante si një vetëtimë, si një rrufe që binte mbi trupat tuaj. Ishte si një vendim gjykate që shpallte dënimin tuaj me vdekje. Shpirtrat tuaj copë-copë të dërmuar e sakatuar…! Nuk ishte çështja, se ju privua e drejta e kënaqësisë për të dalë jashtë shtetit, por me këtë gjest ju vihej njollë, tregohej se ishit të padëshirueshëm.
Shkurt, Partia nuk ju donte, çka do të thoshte, një jetë e jetuar në një tmerr pafund, një jetë e pasigurt…! Ndërsa, ne ju donim dhe më shumë… ishte një dashuri, ku përzihej mirënjohja për çka dhatë për ne, me keqardhjen, se sa padrejtësisht po veprohej me ju… Eh Paulin i dashur sesi po më bien ndër mend ato ditë, kur “Vllaznia” ishte jashtë dhe ti në Shkodër!
Të kujtohet, kemi ndenjur bashkë, ty të lexohej dhembja brenda heshtjes tënde. Loti i shpirtit pikë gjaku pikonte…! Ecnim të dy rrugëve të qytetit flisnim me heshtjen tonë…! Dhembjen nuk e shërojnë fjalët. O Zot, pse ishim ndërtuar ashtu! Ti na mrekulloje, na lumturoje… na ruaje portën… na e mbrojte të pa prekur… ndërsa ne, nuk të ruajtëm, nuk të mbrojtëm, të lamë me heshtjen tonë, të bëheshe prehë e viktimë e Sigurimit të Shtetit.
E tani ç‘të të themi…të të kërkojmë të falur, është fyese për ty, madje cinike. Të të themi, se ashtu ishte koha, ashtu ishte sistemi, është një justifikim i pështirë. Ishim thjeshtë dele. Ishim pa dinjitet.
SUAD DURRAJ
Ishte ajo ditë tetori e vitit 1981, kur pushoi së rrahuri zemra e njërit nga futbollistët më të talentuar shkodranë, e djaloshit 30 vjeçar, SUAD DURRAJ. U shua në fushën e blertë atje tek stërvitej, aty ku derdhte djersën e mundin për “Vllazninë”. E si mos të mjaftonte kjo, ai ia fali zemrën edhe jetën skuadrës së qytetit që e lindi dhe e rriti, Shkodrës së tij. E ndaj ajo ditë ishte ditë zie për Shkodrën, që përcillte me pikëllim birin e vet në banesën e fundit.
Nuk mbeti njeri pa marrë pjesë në këtë kortezh mortor. Në fytyrat e të gjithëve shprehej dhimbja dhe në sytë e përlotur dukej hidhërimi, lot dhembje. E ndërsa sot, mall e kujtime. Meriton ta nderojmë sot e mot këtë figurë të ndritur sportive. Ne që e kemi njohur nga afër, tek stërviteshim së bashku, që në fëmijërinë e rininë e hershme, kemi parë rritjen e një sportisti me të dhëna të shkëlqyera fizike, teknike dhe atletike.
Kemi njohur virtytet, mirësinë dhe zemrën e madhe. Ah, atë zemër! Nuk na shkonte kurrë ndër mend se do të pushonte së rrahuri në atë moshë të re, në kulmin e mjeshtërisë sportive, e bash aty, në fushën e blertë, si për të na thënë, kështu gjithmonë më kujtoni. Ne kështu e kujtojmë e kështu do të vazhdojmë ta kujtojmë këtë kampion të përjetshëm të fushës së blertë.
Suad, ti ishe një futbollist klasi, që nuk përfaqësoje vetëm ekipin e zemrës, “Vllazninë”, por edhe Kombëtaren. Sado vlerësime që të janë bërë, prapë ato janë shumë pak, për çka ti meriton, sepse ti je ndër qytetarët më të denjë të këtij qyteti!
ARDIAN ARRA
Nuk e di a do të mundem që në këta pak rreshta, të them atë që do doja të thoja, atë që ndjej e mendoj, atë që meriton të thuhet e të shkruhet për të. Në vitet që luajti u afirmua, si një nga më të talentuarit ndër futbollistët shqiptarë. Por, unë do të ndalem për të treguar, si lindi dhe u krijua ky talent, sepse unë e kam njohur që kur ishte 5 – 6 vjeç.
Jetonim në një lagje, pranë ish-kinemasë “Republika”, banonte në katin e dytë në cep të pallatit. Ishte djali i vetëm i Shaban Arrës, “Mësuesit të Popullit”, më i vogli i familjes, me dy motra Rudinën e Miken, me diferencë disa vite prej tyre, kështu që, duke qenë djalë i vetëm dhe më i vogli është rritur me shumë dashuri.
Kur u rrit e u bë 7 – 8 vjeç, filloi të bashkohej me ne e të përfshihej në lojërat tona. Para hyrjes së pallatit tij, te Kulla e Gjomarkajve, në një hapësirë rreth 400 m. katror, me guraleca, luanim, duke vendosur gurët si porta dhe me një top llastiku 50 lekësh. Luanim me orë të tëra e përditë. Aty ka luajtur për herë të parë Ardiani. Nuk ishte më i madh se 8 vjeç. Ç’të shihnim, ai përdorte topin me një teknikë jo të zakonshme për moshën e tij, edhe pse ne ishim diçka më të rritur, rreth 2 – 3 vjet, na driblonte si pa të keq.
E kishte zakon të na fuste topin mes këmbëve sa herë të donte edhe pse i ruheshim, prapë nuk e di nga e gjente atë hapësirë dhe aty depërtonte dhe kalonte. Ai “tallej” me çdo njërin prej nesh. Ishte e pamundur t’ia merrje topin, atëherë detyroheshim ta kapnim me duar, ta shtynim, ta rrëzonim dhe ashtu të përqafur ngriheshim. Askush nuk guxonte t’i fliste, askush nuk ia merrte për të keq, të gjithë e donim. Ai gëzonte autoritetin e më të mirit.
Që atëherë pamë se ai nuk ishte si ne, ishte ndryshe. Filluam ta shihnim si një talent, e ashtu kaluam fëmijërinë, duke luajtur, sa te Kulla e Gjomarkajve, te çimentoja, ngjitur me konviktin, te fusha e shkollës ish – ”11 Janari”, e përfundonim te parku i zotni Ernestit. Veç ta shihnit zotni Ernestin, se sa me vëmendje e përqendrim ndiqte çdo lëvizje të Ardianit, i mahnitur e i mrekulluar para këtij djali ende i pa rritur. Ai, duket më mirë se askush, më parë se askush, me syrin e profesionistit pá, bashkë me ne, lindjen e këtij talenti.
Ky ishte fillimi i rrugëtimit të talentit Ardian Arra. Pastaj, si u bë 15 vjeç shkoi në shkollën e Mjeshtërisë Sportive në Tiranë dhe më pas mbaroi, Akademinë Sportive, për t’u kthyer tek ekipi i “Vllaznisë”, ku spikati për teknikën e mjeshtërinë e lartë, përgatitjen atletike, ku të gjithë kemi parë, se si bënte magji me topin, ishte një zhongler i tij.
A ishte Ardiani, që me durim, zell e stërvitje arriti të bëhej futbollist? Jua them hapur, ai ishte i tillë, që në fillim të jetës. Unë nuk e di sa e ka dashur Ardiani futbollin, por di, sa futbolli e ka dashur atë. Ishte futbolli, që e ndiqte edhe kur ai donte t’i largohej. Duket, kështu ndodh me fenomenet, se Ardiani ishte një fenomen. Iku pa u çmallur tifozët me të.
Me ty Ardian na ngjau, si në ata filmat në Hollywood, me dy seri kur ti na u shfaqe, si një aktor i madh, vetëm në serinë e parë, madje vetëm në fillimin e saj e atëherë kur të prisnim, ah sa shumë të kemi pritur! Ti ike o fenomeni ynë i pafat! Një dëmtim të largoi nga fusha e blertë bash në kulmin tënd, nga ajo fushë, që për aq sa luajte e përdore si fushë pingpongu.
Ike si një Kryekalorës, ike si një gjeneral, që pasi triumfoi e shndërroi futbollin në art. Eh, si gjeneralët, që nuk jetojnë dot pa beteja, ashtu dhe ti, nuk ja dole të rrije larg fushës! Sa vije e ligështoheshe… e vit pas viti të pamë të fikeshe, gjersa më 7 tetor, shtatë vite më parë mbylle sytë e shkove atje lart, ku e kanë vendin gjenitë, duke na lënë dhimbjen e kujtimin e bukur të një ylli.
Në ceremoninë mortore, tek të përcillnim kokulur e zemërvrarë, një tjetër fenomen Sabah Bizi, nën peshën e dhimbjes, me lot në sy, me zë të përvajshëm tha: “Ti Ardian Arra ishe dhurata e Zotit për futbollin”. Një fenomen e di më mirë se gjithë kush, çdo të thotë të humbësh një fenomen. Unë e di, se ti je idhull për futbollistët e rinj, kur kam parë, se pasi shënoi gol, Vuçaj i “Vllaznisë”, në entuziazëm, ngriti fanellën e doli portreti yt.
U drithërova, u përlota. Askush në stadium nuk e pati mendjen te goli, veç te ti. Na kishte marrë malli, ah sa mall kemi për ty! Sot do të donim të të kujtonim ndryshe, do të doja të të kujtonte Ministria e Arsimit dhe Sporteve, të të kujtonte Federata e Futbollit, do të doja të të nderonte Bashkia e qytetit tënd, e qytetit tim…por këto institucione nuk e kanë mendjen, të tjera “halle” kanë…!
Ani, ti je pikë loti çdo çast, çdo ditë në shpirtin e Ninës e të Renos, të Rudit e të Mikes…! Ty të kujtojnë shokët e fëmijërisë që rritën shtatin bashkë me ty, të kujtojnë shokët e sportit, të kujtojnë sportdashësit… me ne janë me mijra qytetarë shkodranë që nderojnë emrin e talentin tënd, shprehin mirënjohjen për aq sa dhe për ekipin e zemrës dhe me dhimbje e pikëllim të thellë qajnë fatin e zi të ikjes tënde të parakohshme nga kjo jetë, për të pushuar qetësisht në botën e pasosur. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016