Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Plot 48 vite më parë, më 31 maj të vitit 1977, diku në periferi të Tiranës, në një vend që dhe sot e kësaj dite ka mbetur i pazbuluar ende, një skuadër pushkatimi e ngritur me porosi të veçantë të ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Kadri Hazbiut, ekzekutoi me plumb pas koke, Abdyl Këllezin Koço Theodhosin, dhe Xhavit Sallakun, të cilët ishin arrestuar që në vitin 1975, të akuzuar nga Enver Hoxha, si krerët kryesorë të “Grupit sabotator në Ekonomi”. Bashkë me Këllezin e Theodhosin, ishin dënuar me edhe dy ministrat e tjerë, Kiço Ngjela (ministri i Tregtisë) dhe Vasil Kati, (ministër i Tregtisë së Jashtme), përkatësisht me nga 20 dhe 15 vjet burg politik, e gjithashtu me dënime të rënda edhe disa kuadro të lartë nga dikasteri i Ekonomisë.
Këllëzi dhe Theodhosi, ish-anëtarë të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, deputetë të Kuvendit Popullor dhe zv.kryeministra e ministra për më shumë se tri dekada me radhë, ishin ndër të pakët nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, që kishin studiuar e ishin diplomuar në Perëndim, që nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe po kështu, edhe Ngjela me Vasil Katin, kishin studiuar jashtë dhe ishin kthyer në Shqipëri menjëherë pas pushtimit të vendit nga Italia fashite, për t’u rreshtuar në radhët partizane, madje me funksione drejtuese. Me goditjen e këtij të ashtuquajturit “Grupi armiqësor sabotator në Ekonomi”, Enver Hoxha po godiste “trurin e Ekonomisë”, pasi nga mbarimi i luftës e deri në atë kohë, Këllezi, Theodhosi, Ngjela dhe Kati, kishin mbajtur funksionet kyçe të ekonomisë shqiptare.
Ndërsa këto gjëra tashmë janë shumë të njohura, pasi prej më shumë se tre dekadash që nga shembja e regjimit komunist, është folur dhe shkruar shumë, Memorie.al, ka siguruar disa dokumenta që i përkasin fondit të ish-Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullor Socialiste të Shqipërisë, i kryesuar nga Haxhi Lleshi, i cili në atë kohë mori në shqyrtim çështjen e “Grupit sabotator në Ekonomi”, në bazë të relacioneve dhe raport-informacioneve që i kishte dërguar Gjykata e Lartë e kryesuar nga Aranit Çela, e cila zhvilloi dhe procesin gjyqësor ndaj atij “Grupi”.
Përveç sa më sipër, në dokumentet në fjalë, ndodhen edhe kërkesat e Këllezit dhe Theodhosit, (me shkrimin e tyre), dërguar Presidiumit të Kuvendit Popullor, për faljen e jetës, si proces-verbalet e mbledhjeve të Presidiumit të Kuvendit Popullor, me diskutimet e Enver Hoxhës, (që ka mbajtur edhe raportin në fillim të mbledhjes) Haxhi Lleshit, Spiro Kolekës, Shefqet Peçit (dy nënkryetar të Presidiumit Kuvendit Popullor), Telo Mezinit (sekretar i Presidiumit), Jovan Bardhit, Muharrem Sefës, Nuredin Hoxhës, Pilo Peristerit, Rrapo Dervishit, Spiro Moisiut, Zina Franjës dhe Maliq Sadushit, anëtarë të Presidiumit, të cilat do i publikojmë në disa numra, bashkë me fotot e faksimilet përkatëse.
LETRA E ISH-ZV. KRYEMINISTRIT DHE ANËTARIT TË BYROSË POLITIKE, KOÇO THEODHOSI, DËRGUAR PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, ME KËRKESËN E LUTJEN PËR FALJEN E JETËS
PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR TË REPUBLIKËS
POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË
TIRANË
Sot më datë 17 maj 1977, Gjykata e Lartë e R.P.S. të Shqipërisë, në emër të popullit, më dënoi me vdekje. Jam thellësisht i penduar për dëmet jashtëzakonisht të rënda politike, ideologjike dhe ekonomike që, me veprimtarinë time kriminale, i kam sjellë Partisë P. të Shqipërisë, popullit dhe shtetit të R.P.S. të Shqipërisë, që nga fillimi i Luftës Nacionalçlirimtare dhe deri në kohën që unë u arrestova. Këto dëme janë kaq të mëdha e të rënda, sa unë nuk kam kurajon të përmend se gjatë kësaj periode, unë kam kryer edhe disa detyra që me janë ngarkuar dhe që kanë shërbyer për të mirën e popullit. Duke qenë krejtësisht i penduar, për të gjitha të këqijat që kam bërë, si thashë me sipër, kokë ulur, i lutem atij Presidiumi, të më falë jetën. Ju siguroj se sa të jem gjallë, do të jem gjithmonë me vijën e Partisë dhe të pushtetit popullor; do të luftoj me të gjitha forcat, që fajet e mija të bëhen mësim për familjen dhe të afërmit e mi.
Të rrojë Partia e Punës e Shqipërisë, me udhëheqësin e saj në krye, Enver Hoxha.
Të rrojë pushteti popullor.
I dënuari
(Koço Theodhosi)
17 maj 1977
LETRA E ISH-ZV. KRYEMINISTRIT DHE ANËTARIT TË BYROSË POLITIKE, AVDYL KËLLEZI, DËRGUAR PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, ME KËRKESËN E LUTJEN PËR FALJEN E JETËS
PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR
TË REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË
TIRANË
Kërkesë për faljen e jetës.
Më 17 maj 1977, Gjykata e Lartë e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, në emër të popullit, më dënoi me vdekje, për veprimtarinë time armiqësore. Duke qenë se fajet e mia tepër të rënda, i kam pranuar dhe e ndjej veten thellësisht të penduar, qëndroi kokë ulur, sa s’kam kurajo t’i numëroj, i lutem Presidiumit të Kuvendit Popullor, të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, të shqyrtoi kërkesën time, për faljen e jetës.
Me respekt
Abdyl Këllezi
Burgu i Tiranës
17 maj 1977
LETRA E SEKRETARIT TË PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, TELO MEZINI, DËRGUAR PRESIDIUMIT, ME RAPORTIN E GJYKATËS SË LARTË, PËR DËNIMIN ME VDEKJE TË XHAVIT SALLAKUT, KRYEINXHINIER I N.SH.I. BALLSH
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË Sekret
PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR Tiranë, mё 29.4.1977
Nr. 437/1 Prot.
Sh. ARSHIVE
Bashkëlidhur ju dërgojmë materialin (shtesë për pikën e shtatë të rendit të ditës), që do të shikohet në mbledhjen e ardhshme të Presidiumit të Kuvendit Popullor, datë 4 maj 1977 – Dënimi me vdekje për XhaviT Sallakun, u shty për në mbledhjen e Presidiumit dt. 31 maj 1977.
SEKRETARI I PRESIDIUMIT
Telo Mezini
SHTESË MATERIALI PËR PIKËN E 7-të TË RENDIT DITËS
Dënim me vdekje
Më datën 16.4.1977, Këshilli gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, la në fuqi vendimin e Gjykatës së rrethit të Fierit, për:
Xhavit Ymer Sallaku, dt.lindja 1929, lindur në Tiranë dhe banues në Fier, me origjinë shoqërore nëpunës i mesëm, me gjendje shoqërore nëpunës, i përjashtuar nga Partia, me arsim të lartë, me profesion inxhinier, i martuar, ka dy fëmijë, ka gruan me kombësi ruse, arrestuar më 27.4.1976, dënuar me vdekje (pushkatim), për krimin e tradhtisë ndaj Atdheut, sabotim ekonomik dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.
Nga materialet e çështjes del se:
Xhavit Sallaku, duke qenë student në Bashkimin Sovjetik, në qytetin e Leningradit në institutin e ndërtimeve, në vitin 1951 është vënë në shërbim të zbulimit sovjetik me anën e profesorit kujdestar Pavell Mihailloviçit. Nga viti 1951 – 1954, që ka mbaruar studimet, i ka dhënë zbulimit sovjetik të dhëna mbi pikëpamjet e qëndrimet e studentëve të huaj dhe sovjetikë, ndaj autoriteteve sovjetike. Kështu ai ka denoncuar një student Korean, që kishte thënë se “Bashkimi Sovjetik nuk ka ndihmuar sa duhet Korenë e Veriut”, një student mongol, që ishte shprehur, se; “në Mongoli mungon mishi, mbasi atë e merr Bashkimi Sovjetik”, etj.
Në vitin 1954, kur do largohej nga Bashkimi Sovjetik, ai është porositur nga profesori kujdestar, që të mos ndërpriste marrëdhëniet e tij me Zbulimin Sovjetik, dhe të dhënat këtej e tutje, do t’i jepeshin Valentina Pezës, martuar me një student shqiptar, Bukurosh Pezën. Xhavit Sallaku, prej vitit 1954, deri në vitin 1959, i ka dërguar Pavell Mihailloviçit të dhëna, mbi veprat dhe punën që bënin inxhinierët q’ kishin mbaruar studimet bashkë me të, në BRSS.
Në vitin 1959, që është larguar Valentina Peza nga Shqipëria, është njohur në Tiranë me këshilltarin e ambasadës sovjetike, Novikov dhe është vënë në lidhje me të, duke i dhënë këtij informata shtetërore me karakter të theksuar sekret, mbi ndërtimet që bëheshin në vendin tonë, fondet, afatet e mbarimit etj. Me largimin e tij nga Shqipëria, Novikovi i ka lënë detyrë të gjykuarit, që lidhjet duhej t’i mbante me një person me pseudonim “Selim Muço”, i cili do t’i paraqitej me parullën “Ylli me pesë cepa të përshëndet”, kurse Xhaviti do t’i përgjigjej; “Erzeni të përshëndet”.
Në muajt janar – shkurt 1962, në kohën që ky ishte nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të K.P. të Rrethit të Tiranës, e ka marrë në telefon armiku i popullit, Piro Gusho dhe i ka thënë se do t’i shkonte në zyrë, për një problem strehimi dhe kur i ka shkuar në zyrë, i ka thënë se ai është Selim Muçoja, i ka dhënë parullën dhe mbasi ka marrë kundër-parullën, i ka thënë se këtej e tutje, do punonin bashkë. Prej kësaj kohe dhe deri sa armiku Piro Gusho ka vrarë veten, i gjykuari i ka dhënë informata të ndryshme, me karakter të theksuar sekret, si: mbi ndërtimet, investimet për ndërtime, mbi karakterin e objekteve që ndërtoheshin, mbi gjendjen ekonomike të rrethit të Tiranës, mbi mendimet e popullit ndaj revizionizmit sovjetik, etj.
Nga viti 1965, deri në vitin 1968, ky i ka prerë lidhjet me Piro Gushon, për shkak ti dënimit të dy vëllezërve të tij, për krimin e tradhtisë ndaj Atdheut. Dhe këto lidhje janë rivendosur përsëri në vitin 1968, ku i gjykuari i ka dhënë Pirro Gushos informata, mbi ndërtimet që bëheshin në Berat. Me ndihmën e kërkesën e Pirro Gushos, në shtator 1971, është transferuar nga Tirana në Fier, me detyrën e drejtorit të NSHI Ballsh. Gjatë ndërtimit të kësaj vepre, ky armik përveç detyrës së spiunazhit sovjetik, ka kryer edhe krimin e sabotimit dhe të agjitacionit e propagandës, kundër pushtetit popullor.
Duke zbatuar detyrat e caktuara nga agjenti sovjetik Piro Gusho, ai me qëllim kundërrevolucionar, ka shtytur afatet e realizimit të punimeve të veprës, ka vepruar në kundërshtim me kërkesat e projektit, nuk ka ndërtuar sipas regullave magazinat për mbajtjen e ruajtjen e materialeve. Si rezultat i këtyre veprimeve, është dëmtuar në përpjesëtime të mëdha pasuria socialiste, ka rritur koston e verës, nga 251 milion lekë që ishte parashikuar, në 325 milion lekë. Ka përhapur frymën e shthurjes dhe të liberalizmit dhe ka stimuluar vet-administrimin jugosllav. Në shumë raste u ka shitur materiale në kundërshtim me ligjet, kooperativave bujqësore dhe personave privatë.
Të gjitha këto, sikundër ka pohuar dhe vetë ai, i ka bërë me qëllim që të dëmtojë bazën ekonomike, duke i sjellë një dëm efektiv pasurisë socialiste, prej 299.984 lekë. Përveç sa më sipër, ky ka agjituar dhe propaganduar kundër masave revolucionare që ka marrë Partia, ka mburrur kursin politik që ndjek Bashkimi Sovjetik, ka bërë veprime të atilla, të cilat kanë diskredituar miqësinë e popullit tonë, me popullin kinez, ka sharë udhëheqësit kryesorë të Partisë etj. Ka injoruar mendimin e klasës punëtore dhe është mbështetur kryesisht në njerëzit teknokratë e, me përbërje të keqe politike.
Fajësia e tij është vërtetuar me thëniet e dëshmitarëve, me dokumenta të tjera, me pohimet e tij të plota të bëra si gjatë hetimit, ashtu dhe gjatë gjykimit të çështjes, në shkallën e parë. Në Gjykatën e Lartë ka pretenduar se pohimet e tija në hetuesi dhe në gjykatën e shkallës së parë, nuk janë të vërteta, duke kërkuar dënimin, vetëm për faktin që ka bërë pohime të rreme. Veprat që ai ka kryer, paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore, rrezikshmëri të tillë paraqet edhe vetë personi i tij. Ka të dënuar për krime kundër shtetit edhe dy vëllezër. Vetë i dënuari, nuk ka bërë kërkesa për faljen e jetës.-
RELACIONI I KRYETARIT TË GJYKATËS SË LARTË, ARANIT ÇELA, DËRGUAR PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, ME VENDIMIN PËR LËNIEN NË FUQI TË DËNIMIT ME VDEKJE TË XHAVIT SALLAKUT, NGA GJYKATA E RRETHIT FIER
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
Nr. 27, Prot.
Tiranë, më 28.4.1971
PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR
Nr.445 0.28-477
TIRANË
Bashkangjitur me këtë shkresë ju dërgojmë kopjen e vendimit Nr.121 datë 16.4.1977, të Këshillit gjyqësor të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me të cilin është vendosur lënia në fuqi e vendimit Nr.67, datë 25.3.1977, të gjykatës së rrethit Fier, që ka vendosur dënimin me vdekje, me pushkatim, të Xhavit Imer Sallakut, i dtl. 1929, nëpunës, i përjashtuar nga partia, i arrestuar me 27.4.1976, për krimin e tradhtisë ndaj Atdheut në formën e spiunazhit, të sabotimit të ekonomisë socialiste dhe të agjitacionit e propagandës kundër Pushtetit Popullor, të parashikuara nga nenet 64, 72 dhe 73/I të Kodit Penal, si dhe relacionin përkatës. Lutje për faljen e jetës, i dënuari nuk ka paraqitur.
KRYETARI
Aranit Çela
RELACION
Gjykata popullore e rrethit të Fierit, me vendimin Nr. 67, datë 25. 11. 1977, ka deklaruar fajtor dhe ka dënuar Xhavit Sollakun, të birin e Imerit dhe të Merjemes, lindur në Tiranë me 1929 dhe banues në Fier, me origjinë shoqërore nëpunës i mesëm, me kombësi dhe shtetësi shqiptar, me gjendje shoqërore nëpunës i mesëm, ka arsim të lartë, me profesion inxhinier, i martuar me dy fëmijë, i përjashtuar nga partia, i dekoruar me urdhrin e klasit të III-të, për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore, i arrestuar më datën 27.4.1976, për krimin e tradhtisë ndaj Atdheut, në bazë të nenit 64 të K.P., me vdekje me ekzekutim me pushkatim, për sabotim, në bazë të nenit 72, me vdekje, me ekzekutim me pushkatim dhe për agjitacion e propaganda, në bazë të paragrafit të I-rë të nenit 73 të K.P., me 9 (nëntë) vjet heqje të lirisë, përfundimisht duke bërë bashkimin e krimeve, në bazë të nenit 48 të K.P., e ka dënuar me vdekje, me ekzekutim me pushkatim.
Nga materialet që ndodhen në dosje dhe që i ka administruar Gjykata, ka rezultuar e provuar se i gjykuari, si njeri me botëkuptim borgjezo-revizionist, në vitin 1951, duke qenë student në Bashkimin Sovjetik, në qytetin e Leningradit, Instituti i Ndërtimeve, është vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik, me anë të profesorit kujdestar, Pavëll Mihailloviçit. Prej vitit 1951–1954, që ka mbaruar studimet, i gjykuari i ka dhënë Zbulimit Sovjetik, të dhëna mbi pikëpamjet e qëndrimet e studentëve të huaj dhe sovjetikë, ndaj autoriteteve sovjetike. Kështu, ai ka denoncuar një student Korean, që kishte thënë se: “Bashkimi Sovjetik, nuk e ka ndihmuar sa duhet Korenë e Veriut”, një student mongol, që ishte shprehur, se; “në Mongoli mungon mishi, mbasi atë e merr Bashkimi Sovjetik”, etj.
Në vitin 1954, që i gjykuari do të largohej nga Bashkimi Sovjetik, është porositur nga profesori kujdestar, që të mos i priste marrëdhëniet e tij me Zbulimin Sovjetik, dhe të dhënat këtej e tutje, do t’i jepte ndërmjet Valentina Pezës, sovjetike e martuar me studentin shqiptar, Bukurosh Peza. I gjykuari Xhavit Sollaku, prej vitit 1954, deri në vitin 1959, i ka dërguar Pavëll Mihailloviçit të dhëna, mbi veprat dhe punën që bënin inxhinierët që kishin mbaruar studimet bashkë me të, në Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1959, që është larguar Valentina Peza nga Shqipëria, i gjykuari ishte vënë në lidhje me rezidentin e Zbulimit Sovjetik në Shqipëri, Novikov. Novikovit i gjykuari i ka dhënë informata shtetërore me karakter të theksuar sekret, mbi ndërtimet që bëheshin në vendin tonë, fondet, afatet e mbarimit, etj.
Me demaskimin që i bëri PPSH-ja revizionizmit sovjetik dhe me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Novikovi u largua duke i lënë detyrë të gjykuarit, që lidhjen duhej ta mbante me një person me pseudonim Selim Muço, i cili do t’i paraqitej me parullën, “Ylli me pesë cepa të përshëndet”, kurse i gjykuari do t’i përgjigjej; “Erzeni të përshëndet”. Në Janar – Shkurt 1962, të gjykuarin e ka marrë në telefon armiku Piro Gusho dhe i ka thënë se do t’i shkonte në zyrë, për një problem strehimi dhe kur i ka shkuar në zyrë, në kohën që i gjykuari ka qenë zëvendëskryetar i Komitetit Ekzekutiv të K.P. të rrethit të Tiranës, i ka thënë se ai ishte personi me pseudonim Selim Muço, i ka dhënë parullën dhe mbasi ka marrë kundërparullën, i ka thënë se këtej e tutje, do të punonin bashkë.
Prej kësaj kohe e, derisa armiku Piro Gusho, ka vrarë veten, i gjykuari i ka dhënë informata të ndryshme mbi ndërtimet, investimet për ndërtime, mbi karakterin e objekteve që ndërtoheshin, mbi gjendjen ekonomike të rrethit të Tiranës, mbi mendimet e popullit tonë ndaj revizionizmit sovjetik, etj. Të gjitha informatat, kanë qenë me karakter të theksuar sekret. Nga vitit 1965 deri në vitin 1968, i gjykuari, për shkak të dënimit të dy vëllezërve të tija, për krimin e tradhtisë ndaj Atdheut, i ka prerë lidhjet me Piro Gushon. Dhe këto lidhje i kanë rivendosur në vitin 1968, kur i gjykuari ka filluar t’i japë Piro Gushos informata, mbi ndërtimet që bëheshin në Berat, mbi karakterin e këtyre ndërtimeve, etj. Me ndihmën e kërkesën e Piro Gushos, i Gjykuari Xhavit Sollaku, më 8 Shtator 1971, është transferuar nga Tirana në Fier, me detyrën e drejtorit të NSHI Ballsh.
Gjatë ndërtimit të kësaj vepre, i gjykuari, përveç detyrave të spiunazhit sovjetik, ka kryer edhe krimin e sabotimit dhe atë të agjitacionit dhe propagandës, kundër pushtetit popullor. Duke zbatuar detyrat e caktuara nga agjenti sovjetik, Piro Gusho, i gjykuari me qëllim kundra-revolucionar, ka shtytur afatet e realizimit të punimeve në vepër, ka vepruar në kundërshtim me kërkesat e projekteve, nuk ka ndërtuar si mbas rregullave magazinat për mbajtjen dhe ruajtjen e materialeve. Si rezultat i këtyre veprimeve, ishte dëmtuar në përpjesëtime të mëdha, pasuria socialiste. Ka bërë ndërtime të kota, pa aprovimin e investitorit, ka paguar më tepër punëtorët, ka përhapur frymën e shthurjes dhe të liberalizmit dhe ka stimuluar vet-administrimin jugosllav. Në shumë raste ai ka shitur materiale në kundërshtim me ligjet dhe ka lejuar edhe vartësit të administrojnë pa kriter pasurinë socialiste dhe ta shesin ose t’jua japin kooperativave bujqësore, si edhe personave private. Të gjitha këto veprime ashtu sikundër ka pohuar dhe ai vetë, i ka bërë me qëllim që të dëmtonte bazën ekonomike të rendit tonë shoqëror.
Me këto veprime ai i ka sjellur një dëm efektiv pasurisë socialiste, prej 299.984 lekë. I gjykuari veç sa sipër, ka agjituar dhe propaganduar kundër masave revolucionare që ka marrë partia, për revolucionarizimin e gjithë jetës së vendit tonë, ka mburrur kursin politik që ndjek Bashkimin Sovjetik, ka bërë veprime të atilla, të cilat kanë diskredituar miqësinë e popullit tonë, me popullin kinez, ka sharë udhëheqësit kryesor të Partisë, etj. Për t’ja arritur qëllimit të tij armiqësor, i gjykuari ka përhapur frymën e liberalizmit, ka interpretuar shtrembër dhe nuk ka zbatuar direktivat e Partisë, ka shkelur ligjet e shtetit, nuk ka kërkuar llogari ndaj vartësve dhe qëllimisht ka stimuluar metodat e vetë-administrimit. Këtë frymë liberale, ai e ka futur në gjithë punonjësit e administratës dhe personelin inxhiniero – teknik.
Nga ana tjetër ka injoruar mendimet e klasës punëtore dhe është mbështetur kryesisht në njerëzit teknokratë e, me përbërje të keqe politike. Në këto kushte, i gjykuari Xhavit Sollaku, si armik, ka dëmtuar rëndë bazën politike dhe ekonomike të rendit tonë shoqëror. Veprat që ai ka kryer paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore, rrezikshmëri të tillë paraqet edhe vetë personi i tij. Ai ka vepruar si armik për një kohë shumë të gjatë, i ka dhënë Zbulimit Sovjetik informata të rëndësishme mbi problemet politike, ekonomike e ushtarake të vendit tonë. Ka dëmtuar rëndë pasurinë socialiste. Ka të dënuar për krime kundër shteti edhe dy vëllezër. Duke u bazuar sa u tha më sipër, Këshilli gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, e ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së rrethit të Fierit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016