Nonda Bulka kundër Konicës (Gazeta “SHTYPI”, Tiranë, Gusht 1937)
Memorie.al / Në numrin e 28 korrikut të fletores “Dielli”, z. Faik Konitza, ja ka vënë në bina Naim Frashërit. Kësaj here, ja filloi polemikës Faik Beu, me kufoma të shenjta. I mohon kryekëput pa një pa dy, çdo vlerë letrare, bilbilit të Frashërit. Profesorë të çquar si Kostaq Cipua, njerëz që dinë ta përdorin penën si Krist Maloki, na kanë thënë dhe shkruar, se Naimi ka vlera letrare; se Naimi ka dell poetik. Jemi ushqyer Faik bej me vjershat e Naimit, dhe sot del zotrote që insiston t‘i vjellim, se nuk paskan asnjë vlerë. S‘do Faik Konitza që Naimi të jetë poet; nuk i pëlqen; s‘ka hesap për të, një gjë e tillë. Përse vallë? Se, po të rronte Naimi, mund të ishte zëmëruar me të. Mirëpo puna qëndron ndryshe.
“Le cofur a des rainson que la raison ne connait point”, – thotë Pascali. Ndoshta as Faiku nuk di përse përbuz kaq shumë Naimin?! – “Naimi është poet i totove dhe tatatave”, thotë Faiku; dhe tregon anekdotën që vijon; Tridhjet vjet më parë, një shqiptar prej Rumanie paska thënë se – Naim Frashëri është Homeri i Shqiptarëve.
Faiku na e paska dëgjuar atë fjalë dhe na qenka zemëruar. Bile s‘ka dashur të hajë as bukë, nga inati. Mirëpo, shqiptari prej Rumanie, Nikolla Naçua, e hoqi më njanë Faikun dhe e siguroj se ato që tha për Naimin i kishte shakara”. Kështu i ra inati Faik beut, dhe u shtrua e hëngri bukë.
Këtë anekdotë e tregon vetë Faiku, në artikullin helm e vrerë, kundër idollit të ditëve t‘ona djaloshare. Tridhejt vjet më von, në vitin 1937, Faiku thur, ose më mirë ndërton me penën e tij, një tabut, ku duhet të varroset Naim Frashëri, si poet dhe si letrar. “Naimi jo vetëm nuk ish vjershëtor a shkrimtar i math, po nuk ish as i vogël. Nuk dinte të shkruante fare”.
Kështu thotë Faiku, por nuk është kështu. “Vjershë e Naimit”, shton Faiku; “është një grumbull dokumentesh propagande politike dhe asgjë tjetër”. Për Faik bejnë, Naimi s‘ka as më të voglën vlerë letrare. Dhe na e provon, duke na cituar vjershat më të dobta të Naimit. Dhe pastaj jep këshilla se si shkruhen kryeveprat. Zë në gojë Bossuet-in, Sëift-in, Flaubertin, La Fontain-in.
Dhe ankohet tërthorazi që, përse Naimi nuk ka njerrë kryevepra si ata. Emrat e shkrimtarëve në fjalë i kemi dëgjuar dhe neve këtej qe nga ana t‘onë Faik bej. Bota ecën përpara. Shqipëria nuk është më ajo që le zotrote. Ka edhe këtu një elitë që të gjykojë dhe pak a shumë t‘i çmojë kryeveprat.
Por gabohesh trasësisht kur gjykon Naimin, duke pasur mbi tryezë Bousset-in. Nuk komentohen ashtu veprat shqiptare. Argumenti yt nuk është bindës as dërmues! “Naimi ka shkruar ‘vers de militon’, që në shqip u thonë vjerasha toto tata”, thotë Faiku.
Sa gjë e lehtë është të kritikosh një poet. Ja gjen kurdoherë pikën e dobët. Po ta zësh ashtu punën, cili poet nuk ka të metat e tij? Edhe Hygoj, edhe Vigny-u, edhe Aliferi, kanë strofa që mund t‘i quash “budallallëke me thes”, ose më mirë “pallavra”, siç i quan Faiku vjershësin e Naimit. Por poeti përgjithsisht është një i Tërë.
“Un tout”. Në këtë “një të tërë” ka gjëra të mira, edhe gjëra jo të mira. Faik beu lë mënjanë gjërat e mira të Naimit, dhe na nxjerr në shesh të këqijat. Është vallë kjo një mënyrë për të gjykuar, veprat e poetit që i adhuron kryekëput një popull i tërë? Në më të shumtat herë, Naimi, atë që ka shkruar e ka ndjerë. Dhe ajo që ndjehet, nuk mund të shprehet veçse mirë, kur njeriu ka dell poetik. Dhe Naim Frashëri ka dell poetik. Mirpo nuk do Faik beu, që Naimi të ketë dell poetik.
Del Davidi i vogël dhe i thotë Goliadhit: Je gabuar! Goloadhi do të zemërohet pak, por s‘kemi ç‘bëjmë. Kështu e ka kjo botë. Është e rrumbullakët. Dhe si e tillë vjen rrotull. Dhe duke ardhur rrotull, na ngre ose na pret si pas kapriços. Sot Faik beu ka rënë poshtë. Se Naimi është vjershëtor i shquar. Pena e Faikut sado e mbrehur, nuk ka se e kredhos në tokë.
Naimi nuk varroset me një artikull në fletore. Naim i ka qenë poet i ndjenjës Kombëtare, poet lyrik i rradhës së parë. Ka qenë poet i dashurisë, i hidhërimit, dhe i natyrës. Naimi di të shkruaj shqip fare bukur, fare kulluar. Këndo me vërejtje Faik be.
“Në fytëyrën tënde gjeta bukurin,
Si ay që gjeti në mal perëndinë,
Lulezat e majit sa janë të mira,
Por përpara teje, më erdh të pështira”.
Imazhe të thjeshta, dhe të bukura. Ku gjen kollaj një varg si ky?
“Pashë pjeshkat nër fletë,
m‘u kujtua gjiri yt”.
Faik Konitza merr shumë vesh nga letërsia. S‘ka si mohohet një gjë e tillë. Faiku sot del e thotë se Naimi nuk ka vlerë. Kurse është e sigurtë se Naimi ka vlerë, bile shumë më të madhe nga ç‘i është dhënë. Si shpjegohet kjo gjë? Një nga të dyja: Ose Faiku nuk merr vesh, ose nuk e ka kënduar Naimin. Kjo e dyta duhet besuar; se të parën e hoqëm apriori. Faiku e ka kënduar krejt përcipërisht Naimin.
“Naimi nuk e ka vënë re as gjuhën, as arsyen”, shton Faiku. Em gjuhën, hem arsyen, i ka vënë re Naimi, por njeriu kur qërohet nga pasioni, nuk di ç‘ thotë. Është për t‘u çuditur. Të gjithë thonë se Faik Konitza është një nga shkrimtarët më të mirë të Shqipërisë. E vërteta është se të pakët, shumë të pakët jan‘ ata që kanë kënduar dy veprat e tij, shumë të bukura, një origjinal, dhe një përkthim.
(Dyzet e kusur vjet punoi Faik beu dhe s‘mundi t‘i dhuroi Atdheut veçse dy vepra, edhe ato të padukshme!-Kësaj i thonë: Fecondite). Nejse. Mileti venë pas berihajt…! Pse bërtitën disa që në krye se Faiku shkruan bukur, bërtitën dhe të tjerët pastaj. Por pse ka Faiku vlerë letrare, kjo nuk i lejon të shkruaj ç‘të dojë. Syleshët nuk janë të këtij shekulli.
Çdo gjë që nuk tret dot stomaku i intelektualit, qoftë se edhe ajo gjë del prej penës së Faikut. Pena e Faikut vazhdon të vjellë, edhe thotë: Pasqyra e “Stilit” të tij, ishin këngët e lipësve maleshovitë, në gjuhën e tyre të shqepur dhe zvarranike që duket si të folurit e një çilimiu të dehur”. Naimi ka folur si një çilimi i dehur! Ja ç‘ka shkrojtur një çilimi i dehur Faik bej.
Këndo:
“Do të shtrihem
Të venitem,
Si kandili kur ska vaj,
Balt e pluhur,
Do të bëhem,
Të më shkelnjë këmb e saj,
E të prehem,
Duke puthur,
Atë këmbë pasandaj”.
Në se ky që ka shkruar këtë vjershë “çilimi i dehur”, atëhere Faik bej, të 1 milion Shqiptarët (përveç teje), janë të gjithë çiliminj të dehur. Vetëm zotrote je esëll…! Krejt parciale janë mejtimet e juaja mbi Naimin. Naimi s‘ka si përgjigjet. Se ka vdekur shumë vjet më parë.
Por shpirti i tij është rrënjosur në shpirtin tonë. Dhe ay shpirt sot po të dërgon Jehonën e tij të revoltuar, kundra gjykimit të helmuar, që po përhap në Shqipëri. Dhe vazhdon Faik Konitza, me stilin e tij të kulluar, por bosh nga mejtimet.
– “Ata që duan të zbaviten, duke hyrë në një shtëpi të marrësh, ku mendimet dhe fjalët s‘kanë as lidhje as kuptim, duhet të këndojnë një vjershë të gjatë të qojtur ‘Parajsa’. Një nga gjërat e çuditshme këtu, është lajmi se shqiptarët kanë qenë krijuar jo vetëm më parë se Ademi, por edhe më parë se hëna”. Ja vjersha të cilën Faik beu, e quan shtëpi të marrësh:
“Ademi dhe s‘kishte lerë,
Kërhtiza s‘i ishte prerë,
Ay ishte uj e baltë,
Ne ishim njerëz të naltë,
Hëna dhe s‘ishte në jetë,
Dheu kish bar e fletë,
Kur ka lindur Shqipëtari,
Është nga të gjithë m‘i pari!
U vu emër perëndive,
Edhe gjithë bagëtive,
Ay tekdo mbretëronte…”!
Përse vallë kjo vjershë i përngjaka shtëpisë së të marrëve? Naimi nuk bën histori as sociologji, as astronomi. Bën poezi. Dhe në poezi shumë gjëra lejohen. Ndjenja atdhetare shoviniste e Naimit, shprehet në mënyrë lirike. Përse Gjermanët dhe Japonezët, thonë se janë popull i zgjedhur prej Zotit?
Mos nuk e dinë vallë ata, se kjo gjë nuk është e vërtetë? U bë qameti se tha Naimi se populli shqiptar, qenka lindur përpara se të lindesh hëna? Po të gjykoj njeriu kështu poezinë, të gjithë poetët pa përjashtim dalin të çmendur.
Apo ndoshta 1 milion shqiptarë (përveç Faikut), janë të marrë! E ku ta dish…?! Faiku shton: Por kur quajm vjershëtor, dhe një vjershëtor të madh një bërës toto e tatatash, ç‘fjalë do të mbetet për një Gjergj Fishtë”? Faik bej ka vend në Shqipëri edhe për Patër Gjergjin, edhe për Naimin.
Njeri nuk përjashton tjatrin. Dy poetë (edhe më shumë se dy), mund të jetojnë, dua të them mundtë bashkërendohen. Apo jo? Ç‘mejtim ke zotrote? Pse Patër Gjergji ësht poet i math, a do të thotë kjo se Naimi është vargrradhitës dhe pallavraxhi? Nuk më duket kjo një arsyetim serioz dhe i vlertë. Pse përdorte Naimi foljen “ishte”, në vend të “ish”, dhe “pellazgjitë” në vend të “pellazgët”, a është kjo një krim poetik, apo më mirë gjuhësor?
Por apostrofat e famshme që përdorin sot poetët e veriut, përse nuk qenkan edhe ato një “gabim”? Poezija lejon shumë gjera që janë të ndaluara në prozë. Zotrote Faik bej, e di më mirë se kushdo; por kur vendos që varrosish (ndonëse i vdekur) një njeri, përdor çdo mjet. Edhe disa vargje jo nga më të mirat, për t‘i treguar Faik beut, se Naimi është poet…
“Kraharorin e kam çpuar,
E kam bërë vrima vrima,
Dhe kam qarë e kam rënkuar,
Me mijra psherëtima”.
Poeti dhe fyelli. Poeti e barazon veten me fyellin që qan në vetmi, ndër mjedis të natyrës së egër. Dhe në kryeveprën e tij “Bagëti dhe Bujqësi”,
“Tek burron ujët e ftohtë, edhe fryn veriu në verë/
Tek mbin lulj a me gas shumë, dhe me bukuri e n‘erë/
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija/
Ku mërzenm cjapi me zile, atje i kam mënt e mija”.
Mbreti tonë i Math, populli dhe Qeveria, duke u përkulur përpara eshtrave të bilbilit të Frashërit, nuk nderuan vetëm pionierin e lartë të nacionalizmit, por edhe poetin; E nderuan sinqerisht atë poet, vlerën e të cilit më kot kërkon të dërmojë Faik Konitza. Tashti që jam duke shkruar këto rradhë, pyes veten: A i beson vallë seriozisht ato që shkruan Faik Konitza? A po mos ka qejf të shkruaj, tamam të kundërtën e asaj që mejtojnë shumica?
Se jetojmë në shekullin e paradoksve, ku meqënse shumica i konsideron vlerë letrare Naimit, ja mohoj unë, ka thënë Faiku. Se kështu bëhet bujë. Ësht‘ e vërtetë. Kështu bëhet bujë. Por kështu nuk bëhen penat, nga të cilat pret vepra letrare serioze dhe jo sharje, ironi dhe tamam kundra pionerëve me vlerë “të pakontestueshmit, jo të pakontestuar”. Njeriu kur mplaket, nëjetën e foshnjërisë, thotë proverbi, dhe frengu shton; “extremes se touchement”./ Memorie.al
Nonda Bulka (Gazeta “SHTYPI”, Tiranë Gusht 1937)
Titulli origjinalit: POLEMIKE ME TE VDEKURIT. FAIK KONITZA KUNDER NAIMIT