Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e tetë
Memorie.al / Ka qenë mëngjesi i 1 shtatorit të vitit 1976, kur punëtorët e ndërmarrjes së Peshkimit që mbërritën të parët në vendin e tyre të punës që ndodhej në bregun e liqenit të Shkodrës afër fshatit Shirokë, konstatuan se çuditërisht aty mungonte roja e ndërmarrjes së atij sektori, si dhe dezhurni i zyrave, gjë e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë?! Kjo sepse, veç të tjerash, aty ndodhej edhe moli ku ishin ankoruar të gjitha varkat e peshkimit, që të lidhura me kavo çeliku dhe të kyçura me çelës, konsideroheshin si objekti i rëndësisë së veçantë e, ishin nën kontrollin e ruajtjen e dyfishtë, si nga ana e ndërmarrjes së peshkimit, ashtu dhe nga posta e Kufirit që ndodhej në fshatin Zogaj, ku ishte dhe kufiri shtetëror me Malin e Zi, asokohe pjesë e Republikës Federative të Jugosllavisë së Marshallit Tito.
Edhe pse vazhdonte të binte një shi të rrëmbyer dhe me shtrëngata, që kishte filluar që nga mesnata e kaluar, peshkatarët filluan të kërkonin rojën dhe dezhurnin e ndërmarrjes së tyre, duke i thirrur ata me emër, por më kot, se askush s’përgjigjej? Por pas pak, ata shtangën në vend dhe u tmerruan, kur vetëm pak metra larg magazinës së peshkut, panë të shtrirë në tokë dhe pa shenja jete, një kufomë…! Ishte roja 50 vjeçar, Fadil Rizaj, i cili prej disa vitesh shërbente në atë detyrë. Askush nuk guxoi ta prekte me dorë, pasi ai jo vetëm se ishte i gjakosur dhe me shenja të dukshme në kokë e në trup, por duart i kishte të lidhur me litar nga prapa trupit dhe gjithashtu edhe organet e frymëmarrjes, të lidhura me një leckë pas kokës…! Çka nënkuptonte qartë, se atë e kishin vrarë…!
Pas asaj skene tmerri, disa nga peshkatarët vrapuan për tek zyrat për të telefonuar shefat e ndërmarrjes së tyre dhe Degën e Brendshme gjithashtu, por linja telefonike ishte e këputur dhe lidhja me Shkodrën nuk mund të realizohej…! Ndërkohë nga kontrollet e tjera për të gjetur dezhurnin e ndërmarrjes, u konstatua gjithashtu, se në molon në breg të liqenit, mungonte njëra nga lundrat, (varkat e peshkimit), pikërisht ajo që njihej si; “Lundra e Shëndetësisë”, si dhe kasaforta që mbante çelësat e tyre, ishte e thyer me levë!
Ndërkaq ishte dhënë alarmi dhe aty ja bëhen disa nga efektivët dhe shefat kryesorë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, të cilët konstatuan menjëherë, se jo vetëm se kishin të bënin me një krim të rëndë, por edhe me një arratisje me varkë nëpërmjet liqenit, gjë e cila veç të tjerash, do e rëndonte edhe pozitën e tyre para eprorëve në ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë. Ndërkaq lajmi mori dhenë dhe grupi hetimor me ekspertët përkatës filloi menjëherë nga puna, për zbulimin e krimit që kishte ndodhur dhe zbardhjen e gjithë asaj ngjarje, që disa ditë më pas do trondiste jo vetëm qytetin e rrethin e Shkodrës, por gjithashtu edhe Tivarin, Titogradin dhe Ulqinin në Malin e Zi!
Po ç’kishte ndodhur në të vërtetë, kush dhe pse e kishin vrarë rojën e Peshkimit Fadil Rizaja? Sa veta ishin arratisur dhe çfarë kishte ndodhur në mesnatën e 31 gushtit, duke u gdhirë 1 shtatori 1976, teksa binte një shi i dendur dhe me gjëmime e shtrëngata, që thuhej se nuk mbahej mënd ndonjëherë, edhe nga banorët më të moshuar të atyre anëve? Përse disa trupa të pajetë u gjetën në bregun e liqenit në pjesën jugosllave dhe një kufomë tjetër në anën tonë të kufirit, në afërsi të postës së kufirit në fshatin Zogaj? Si mundi të dilte me not në në pjesën e liqenit që i takonte kufirit të Republikës Federative të Jugosllavisë, autori kryesor i asaj arratisje, në atë natë të errët me shi, dallgë dhe furtunë?
Kush ishte Hamit Arif Myrto dhe çfarë u tha ai fillimisht banorëve të asaj zone, kur e panë në rrugicat e fshatit të tyre krejt të zhveshur, si dhe organeve kompetente jugosllave, lidhur me arsyet e arratisjes? Për çfarë e pyesnin Hamitin organet e UDB-së gjatë procesit hetimor në disa zyra të veçanta në Tivar, Titograd dhe Ulqin, ku e dërgonin duke i ndërruar shpesh vendin, “shokët” e qelisë dhe hetuesit që e merrnin në pyetje? Çfarë ju deponoi ai kur e pyesnin për bazat e repartet ushtarake, repartin e raketave e tjera instalime që ndodheshin asokohe në në rrethin e Shkodrës, si dhe traktet që ishin hedhur ato ditë në atë qytet, kundra Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës?
Çfarë ju tha Hamiti organeve të UDB-së, lidhur me kunatin e tij, ministër në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, e gjithashtu një nga njerëzit më të afërt të diktatorit Enver Hoxha, i cili qëndroi në atë detyrë deri në shembjen e regjimit komunist? Kush ishte “fotografi” nga Shkodra që ishte arratisur para disa vitesh në Jugosllavi dhe përse të gjithë hetuesit e pyesnin Hamitin, pikërisht për atë person? Përse autoritetet jugosllave të UDB-së vendosën dhe e kthyen Hamit Myrton në Shqipëri, duke ua dorëzuar organeve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, edhe pse ata ishin të bindur, se atë nuk e kishin dërguar me mision sekret?
Çfarë deponoi Hamiti gjatë procesit hetimor, si për arsyet që e kishin detyruar të ndërmerrte atë aventurë të rrezikshme e, gjithashtu të gjitha ato çka ai kishte treguar para UDB-së? Çfarë shkruante Hamiti në letrën drejtuar Enver Hoxhës për ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku dhe si u bë e mundur gjetja e asaj letre në shtëpinë e tij në Shkodër? Çfarë deponuan gjatë procesit hetimor familjarët e Hamitit, të afërmit, fqinjët, shokët e punës, brigadieri, drejtori i ndërmarrjes së Peshkimit, kryetari i Këshillit Popullor të Lagjes “Partizani” ku ai banonte, e të tjerë persona që u thirrëm për të dëshmuar ndaj tij, në vjeshtën e vitit 1976?
Përse gjyqi ndaj Hamit Myrtos u zhvillua në fshatin Shirokë, sa u dënua ai nga Gjykata e rrethit të Shkodrës, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë dhe përse Presidiumi Kuvendit Popullor, la në fuqi vendimet e tyre, për dënimin e tij me vdekje (me varje në litar) edhe pas asaj tragjedia të tmerrshme që i kishte ndodhur atij; ku humbi të gjithë familjen? Cilat ishin fjalët e fundit që Hamiti tha para skuadrës së pushkatimit dhe përse edhe sot e kësaj dite, nuk është gjetur ende varri i tij, ashtu si dhe të bashkëshortes dhe dy djemve të tyre, që gjenden në anën tjetër të kufirit, në Malin e Zi?!
Lidhur me këto dhe të tjera nga ajo ngjarje nga më të rëndat e tragjiket që ka përjetuar rrethi i Shkodrës në ato vite dhe Mali i Zi gjithashtu, na njohin dokumentet arkivore të dosjes voluminoze përkatëse që ka siguruar Memorie.al, të cilat po i botojmë në disa numra (me faksimilet dhe fotot përkatëse), me qëllimin e vetëm, për të zbardhur dhe për të bërë të njohur krimet monstruoze të ndodhura në atë kohë, ku shqiptarët, për t’i shpëtuar ferrit komunist, detyroheshin të ndërmerrnin aventura nga më të rrezikshmet drejt kufirit shtetëror, ashtu si personazhi kryesor i kësaj ngjarje, Hamit Arif Myrtja!
RAPORT-EKSPERTIZA E MJEKUT LIGJOR NEUROPSIKIATËR SANDËR ASHTA, PAS VIZITËS SË BËRË HAMIT ARIF MYRTJA, DËRGUAR HETUESIT TË DEGËS SË BRENDSHME TË SHKODRËS, JAKE TEFIKU
RAPORT EKSPERTIZO MJEKOLIGJOR
Sot më datën 29.10.1976, unë Sandër Ashta, mjek neuropsikiatër pranë spitalit të rrethit Shkodër, me kërkesën e hetuesit të Degës së Punëve të Brendshme, sh. Jake Tefiku, kryva ekspertizën si më poshtë vijon:
I pandehuri Hamit Arif Myrtja, akuzohet për krimin e propagandës armiqësore, terrorit e tradhëtisë ndaj atdheut.
Duhet t’i përgjigjem pyetjeve:
- Nga cila sëmundje vuan i pandehuri?
- A është i përgjegjshëm për veprat kriminale të kryera?
I lartpërmënduri Hamit Arif Myrtja, nuk është paraqitur asnjëherë për vizitë neuropsihike. Para 8-9 vjetësh, ai ka qenë i shtruar në repartin e Kirurgjisë, për plagë në kokë. Gjatë bisedës me të, komunikohet mirë, ndonse periodikisht paraqt turbullime emocionesh me të qara. Këto nuk lidhen me ndonjë sëmundje psihike.
Asht i përgjegjshëm për veprat kriminale të kryera.
Shkodër më 29.X.1976 Dr. Sandër Ashta
RAPORT-INFORMACIONI I DREJTORISË SË INSPEKTORIATIT TË RUAJTJES SË VEPRAVE EKONOMIKE, ME KARAKTERISTIKËN PËR ROJEN FADIL RIZAJ, DËRGUAR DEGËS SË BRENDSHME TË SHKODRËS
Republika Popullore e Shqipërisë
Inspektoriati Ruejt. Vep. Ekonomike Shkodër, më 11.10.1976
Nr 39 i Prot.
DEGËS P. MBRENDSHME
(Sektorit të Hetuesisë)
Sh k o d ë r
Sipas kërkesës verbale ju përshkruajmë karakteristikat e rojës Fadil Riza Brezda, i datëlindjes 1922, lindun dhe banues në fshatin Zues, i cili ka ardhë në punë si roje në Inspektoriatin e Ruejtjes së Veprave Ekonomike që më datën 29.9.1973.
Gjatë shërbimit që ka kryer në këtë Inspektoriat, ka qenë shëmbull në punë dhe në shoqëri, i cili në kohën e kryerjes së detyrës dhe pikërisht më 1 Shtator 1976, në krye të detyrës, duke mos kursyer as gjakun dhe as jetën, u gjet i vdekur (i masakruar), nga armiqtë e Pushtetit Popullor.
Kjo na indinjoj ne si punonjës në një qendër pune dhe mendojmë që ky shok të konsiderohet dëshmor i ndërtimit të socializmit (punës), ose të dekorohet me një medalje Trimërije, ky ishte mendimi ynë, me që për qëndrimin politik të familjes, e ka shumë të mirë. Ka një vëlla A. P., nuk kanë kursye për interesin e punës dhe të Partisë, kudo që ju ka ba thirrje Partia, familja e tij ka përqafue inisjativat që janë zhvillue në fshat e në qytet.
Për të gjitha sa thamë më sipër, nga ana e asaj Dege kërkojmë që nëpër me organeve kompetente, ju lutemi të ndërmjetësoni për propozimet që shënuem më lart, me qënsëse mendim jonë asht se të përmëndunit i takon një gja e tillë.
P/Byronë Partisë Inspekt. P/Inspekt. Ruej. Vep. Ekonomike
S e k r e t a r i K/I n s p e k t o r i
Ramadan Kraja Maliq Onuzi
PROCES-VERBALET E MARRJES NË PYETJE SI DËSHMITARË NGA ANA E HETUESIT TË DEGËS SË BRENDSHME SHKODËR, JAKE TEFIKU, TË DISA FAMILJARËVE DHE TË AFËRMVE TË HAMIT ARIF MYRTJA
PROCES-VERBAL
(I pyetjes së dëshmitarit)
Sot, më datën 1.9.1976, në qytetin Shkodër, unë hetuesi i Degës së Punëve të Brendshme, Jake Tefiku, mora në pyetje si dëshmitare, Drita Rakip Egerçi, e datëlindjes 1951, me arsim 8-vjeçar, vënd-banimi “Konferenca e Pezës”, Rruga “Mujo Ulqinaku”, nr. 57 Shkodër, detyra rrobaqepëse në Veshmbathje, pa parti, e pa dënuar, marrëdhënia me të dënuarin, indiferent.
Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësi penale në bazë të nenit 220 të Kodit Penal, për dëshmie të rreme.
Drita Egerçi
Unë Hamit Myrtaj e kam djalin e hallës së nënës, me të kam pas hyrje dhe dalje të rrallë në krye të vitit, për ndonjë vizitë. Unë në sahati 16.00, dola prej shtëpie për të shkuar në ndërmarrje për të mbyllur 15 ditëshin e punës. Kur mbërrita tek Trumba e “Dugajëve të Reja”, rastësisht kam takuar Hamitin që shkonte në drejtim të shtëpisë së vet, hypur në biçikletë, më pa dhe u ndal.
Pasi u përshëndetëm me të, më tha pa e pyetur unë, se gruan Hasije e kam në Kosmaç, pa më thënë më gjatë dhe as unë nuk e pyeta ma gjatë se te kush, më tha gjithashtu Hamiti, se shkoi te shtëpia të vishem dhe të dal. Hamiti ishte me çizme dhe rroba pune, kishte në biçikletë një çantë ngjyrë kafe, si prej lëkure. U përcoll me mue duke më përshëndetur dhe u largua, ay në punën e tij dhe unë në punën time.
Sa thashë janë të vërteta dhe i nënshkruaj me firmën time.
Dëshmitaria I pranishëm H e t u e s i
Drita Egerçi Enver Egerçi Jake Tefiku
PROCES-VERBAL
(I pyetjes së dëshmitarit)
Sot, më datën 1 Shtator 1976, në qytetin Shkodër, unë hetuesi i Degës së Punëve të Brendshme, Jake Tefiku, mora në pyetje si dëshmitar Remzi Arif Myrtaj, e datëlindjes 1948, me arsim 7-vjeçar, vënd-banimi Lagjia “Manush Alimani”, Rruga “Mujo Ulqinaku”, nr. 4 Shkodër, detyra peshkatar, pa parti, i pa dënuar, marrëdhënia me të dënuarin, indiferent. Nr. Letërnjoftimit, u identifikue.
Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësi penale në bazë të nenit 220 të Kodit Penal, për dëshmie të rreme.
Remzi Myrtaj
Në lidhje me çështjen mund të them si më poshtë:
Rreth orës 15.00, unë kam shkuar të shtëpia e vëllaj tim, të ndarë, Hamit Myrtaj, për të verifikuar se ku ndodhesh dhe se kur ishte larguar nga shtëpia mbrëmë. Aty kur shkova, derën e shtëpisë të tij e gjeta të mbyllur me dryn, kërkova ndonjë nga pjestarët e tjerë të familjes së gruas së vet, atë d.m.th., vjehrrën e tij, Zybe, mbiemrin nuk ja di, e gjetëm në shtëpinë e saj, që banon afër shtëpisë së Hamitit, ajo është rreth 50 vjeçe, e pyeta për Hamitin dhe familjen e tij, më tha se kanë shkue tek Rakip Hoxha për darkë. Shkova tek Rakip Hoxha dhe pyeta gruan e tij, se Rakipin nuk e gjeta, gruaja e Rakipit, Bibe, na u përgjegj se ka tash një vit, që Hamiti e familja e tij, nuk kanë ardhur në shtëpinë tonë.
Unë përsëri shkova në shtëpinë e Hamitit, kapa vjehrrën e tij dhe e pyeta se kur kishte dalë Hamiti nga shtëpia dhe ajo na tha se rreth orës 19.00, datë 31.8.1976, Hamiti së bashku me gruan e fëmijët, kanë dalë prej shtëpije dhe më thanë se do të shkojmë tek Rakipi, i kishte lënë disa pjata të gjellës vjehrrës së vet se ditën e sotme në mëngjez, do të vinin bojaxhinjtë për të ly shtëpinë dhe teshat tha ajo, i ka grumbulluar në mes të shtëpisë për të mos u ndyrë nga boja dhe se me pjatat e lëna të mos ndyeshin prej bojës.
Ndërkaq unë u largova. Hamiti është i moshës rreth 31 vjeç, kurse gruajA e vet, rreth 29, ka tre fëmijë, më i madhi 8 vjeç, i seksit femër, kurse i dyti, djali, i moshës 5 vjeç dhe i treti, 2.5 vjeç. Gruaja e Hamitit, e qujtuna Hasije Xhemal Myrtaj, – tha Zyba, – para se të delnin prej shtëpije së bashku me Hamitin, i bëri banjë djalit të vogël, se kishte në kokë disa puçra.
Unë tash, kam takuar djalin e vajzës së hallës, Enver Egerçi, me banim në lagjen “Ndocaj” dhe më tha se motrën e tij, Drita, dje kishte takuar Hamitin, por se ku, unë nuk e pyeta dhe Drita e kishte pyet për nënën dhe për fëmijët dhe Hamiti i kishte thanë se Hasijen e kam në Kosmaç, tek daja i saja. Unë jam peshkatar në Dajlan në brigadën e Fadil Ademit, kurse Hamiti është peshkatar në brigadën e motorbarkës “Karavastaja”, me brigadjer Qazim Ulkonja. Unë kam qenë deri tani në katër në punë, Hamiti së bashkue me brigadjerin e tij, Qazim Ulkonjën, ka qenë deri në sahatin 3, duke punuar, e kam parë dhe unë vetë. Pastaj ai asht largue bashkë me shokët e tij.
Ma vonë, unë nuk e kam pa Hamitin. Ne me Hamitin kemi kohë që nuk shkojmë dhe kemi 9 vjet që as flasim dhe as hyjmë e dalim me të. Ka nanë 9 vjet që nuk flet, gjithashtu të katër motrat me të nuk flasin. Shkaku i prishjes asht që Hamiti kërkonte të na merrte të gjithë shtëpinë dhe ka rrahur nanën dhe motrat, bëri dhe gjyq dhe i takoi vetëm një dhomë, atë ja shiti një fshatari dhe neve s’na i dha. Me një fjalë, me të nuk kam as, as hymje dhe as dalje.
Procesin e lexova dhe e nënshkruaj.
Dëshmitari H e t u e s i
Remzi Myrtaj Jake Tefiku
Hamiti dhe Fadil Rizaja, nuk kanë pas asnjë mosmarrëveshje, përkundrazi atë e kena mik, sepse mbesën e viktimës, Fadili e ka marrë për grua, djali i hallës sonë, për djalin e vet, i quajturi Bahri Mani, me banim në katundin Shirokë. Pra midis tyre nuk ka pasë asnjë mosmarrëveshje, sa dimë neve. Memorie.al
Dëshmitari H e t u e s i
Remzi Myrtaj Jake Tefiku
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016