Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument të panjohur të nxjerrë nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, që bën fjalë mbi një mbledhje të mbajtur më 31 gusht 1960-të, ku Byroja Politike ka marrë në analizë “veprimtarinë antiparti” të Koço Tashkos, ish-kryetar i Grupit Komunist të Korçës dhe një nga pjesëmarrësit kryesor të mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë në 8 nëtorin e 1941-it, i cili në fillimin e vitit 1960-të, kur Enver Hoxha dhe udhëheqja e lartë e PPSH-së filluan kritikat dhe sulmet ndaj Nikita Hrushovit dhe vijës politike që po ndiqte Moska zyrtare, Tashko, që kishte shërbyer për vite me radhë si ambasador i Shqipërisë në Moskë, dhe në atë kohë mbante postin e Kryetarit të Kontrollit të Revizionimit të Partisë, jo vetëm që doli hapur në mbrojtje të Hrushovit, por i kërkoi Enverit që të mbahej qëndrim dhe të merreshin masa e të dënoheshin ata që kishin folur në plenum kundër kreut të Bashkimit Sovjetik. Pas takimit që Enveri zhvilloi në prani të Rita Markos më datën 3 gusht 1960-të, ku ai e akuzoi ashpër Tashkon, për “veprimtari armiqësore” që kishte shkelur vijën e partisë duke biseduar me dy diplomatët sovjetik, Bespallov dhe Kozllov, të cilëve i’u kishte kërkuar që të bisedonin me Moris Torezin që ai të ndërmjetësonte për sheshimin e mosmarrëveshjeve në mes udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, i kërkoi Koços që të reflektonte dhe t’i bënte një autokritikë me shkrim, por pasi ai nuk pranoi që ta bënte një gjë të tillë, Enveri e thirri atë në mbledhjen e Byrosë Politike të mbajtur më 31 gusht të atij, viti, ku u muarr vendimi i përjashtimit të tij nga Partia dhe të gjitha funksionet që ai mbante.
Fjala e Enverit në mbledhjen e Byrosë Politike, më 31 gusht 1961
“Diskutim në mbledhjen e Byrosë Politike të K.Q. të PPSH-së mbi veprimet e Koço Tashkos në kundërshtim me vijën e Partisë”
31 gusht 1960
Me anë të proces-verbalit përkatës, ju, shokë të Byrosë Politike, jeni në dijeni të bashkëbisedimit që kam bërë unë dhe shoku Rita Marko me Koço Tashkon. Tani u mblodhëm që ta shqyrtojmë këtë çështje. Sipas mendimit tim, Koço Tashkoja ka rënë, së pari, ne gabime shumë të rënda antiparti, të cilat e vënë atë në opozicion të hapur me udhëheqjen e Partisë; së dyti, ai ka thyer të gjitha rregullat organizative të Partisë duke arritur që të bisedojë, jashtë saj, me ambasadorin sovjetik, vendimet e Plenumit të fundit të Komitetit Qendror. Nga bisedimi që bëmë me Koço Tashkon, mund të themi se ai, jo vetëm nuk i ka njohur gabimet e veta të rënda, po i quante të drejta qëndrimet e tij dhe, sikundër keni vënë re, duke lexuar proçes-verbalin, edhe toni i tij gjatë takimit ka qenë arrogant, megjithëse ne u përpoqëm ta ndihmonim që ai të reflektonte mbi këto gabime, t’i shikonte ato drejt, me syrin e Partisë. Kanë kaluar shumë ditë që kur u takuam dhe biseduam me Koço Tashkon. Tani besoj se ai ka reflektuar më shumë në gabimet e tij dhe do të dalë si duhet para Byrosë Politike, e cila do ta ndihmojë sa të jetë e mundur më shumë për të njohur gabimet e rënda që ka bërë. Tani, Koço, ne dëshirojmë të flasësh këtu, përpara Byrosë Politike dhe të na thuash si i shikon ti gabimet dhe qëndrimet e tua, për të cilat kemi biseduar.
Koço Tashkoja përsëri nuk reagoi drejt. Ai nuk kishte reflektuar në gabimet e tij dhe s’bëri autokritikë. Shokët e Byrosë Politike u përpoqën me durim ta ndihmonin për të kuptuar qëndrimet e tij antiparti, por ai në vend që të thellohej, kërkonte të zvogëlonte gabimet e veta dhe të mos fliste hapur.
SHOKU ENVER: Ne, Koço, nuk kemi ndonjë gjë personale me ty. Këtu flasim për çështje vije, vijën e Partisë duhet ta mbrojmë të gjithë. Prandaj mos na bëj teori, por hyr në thelbin e çështjeve, për të cilat kemi biseduar edhe bashkë. Siç u përmend edhe ne Plenum, ne i kemi thënë mendimet tona për revizionistët jugosllavë e të tjerë dhe Plenumi i mori vesh, pra i more vesh edhe ti. Edhe Hrushovit, për të cilin ty të ha meraku, i’a kemi thënë qëndrimin tonë, por ai nuk është dakord me luftën që bëjmë ne kundër revizionizmit jugosllav. Derisa pozita jonë është e qartë, atëherë pse ti u turbullove kaq shumë?! Çështjet që ngremë ne për udhëheqjen e Bashkimit Sovjetik, gabimet, për të cilat e kritikojmë Hrushovin, nuk dalin sot, këto kanë kohë që kanë dalë e, megjithëkëtë, për ty Hrushovi s’ka gabime. S’po na flet gjë akoma, Koço, megjithëse thua që “do të shprehem nga shpirti i brendshëm”. Edhe ne këtë duam dhe do të të gjykojmë ashtu si do të flasësh, por kërkojmë nga ti respekt për Byronë Politike. Sikur të ishte Byroja Politike siç mendon ti, Shqipërinë do ta kishte marrë lumi me kohë. Prandaj ki më shumë respekt për shokët e Byrosë Politike dhe mos mbaj qëndrime prej megalomani. Fol drejt, sinqerisht e me gjakftohtësi, thuaj ç’ke “në shpirtin tënd të brendshëm”, se deri, tani po e shohim shumë të errët këtë shpirtin tënd. Sipas teje, duhej që Torezi të na rregullonte të merreshim vesh me Hrushovin. Po pse, për çështje që kemi midis nesh nuk bisedonim dot vetë me Hrushovin? Kjo do të thotë të futnim një njeri tjetër në mes. Torezi është sekretar i përgjithshëm i një partie tjetër, ç’punë ka ai që të na rregullojë me Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik? Ne kemi thënë që çështjet midis PPSH-së dhe Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, nuk duhet të dalin jashtë zyrave të Komitetit Qendror; me popujt sovjetikë të vazhdohet miqësia, dashuria dhe bashkëpunimi si dhe më parë. Kjo ka qenë dhe është vija e Partisë sonë, kurse ti vepron ndryshe, bën si të do qejfi, i bisedon çështjet me të tjerë dhe mendon që Torezin ta bëjmë një “ndërmjetës për të na pajtuar me Hrushovin!”. Pse nuk erdhe të unë, të më thoshe për “planet e mëdha” që kishe ndër mend të zbatoje? Në Plenum nuk i the këto, se nuk ke respekt për të, dhe ishe kundër konkluzioneve të tij, me Enverin thua se do të bisedoje, kurse në fakt shkove dhe bisedove me sovjetikët. Tani s’të vjen mirë që të themi se s’ke besim te Plenumi i Komitetit Qendror i Partisë sonë marksiste-leniniste, por këtë le ta gjykojë Plenumi. Po të kishe ardhur te unë 10-15 ditë përpara se të shkoje te sovjetikët, puna mund të ishte ndryshe. Dyshimet dhe mendimet e tua, ti i kishe në kokë që kur dole nga Plenumi, por s’na the asnjë fjalë. Të na thoshe që, “unë, shoku Enver, mendoj të shkosh në Moskë sa më parë, që të mos mbeten çështjet për t’u biseduar në nëntor”. Por ti, në vend që ta bëje këtë me Partinë tënde, Bëre tri takime me sovjetikët. Me të marrë letrën tënde unë i telefonova menjëherë Hysniut dhe i thashë: ”Njoftoje Koçon se e mora letrën dhe të takohet me ty”. Këtë letër unë mund të mos e kisha marrë fare se isha në pushime. Pastaj ti nuk kërkove të vije te unë përpara takimit me sovjetikët. Atë ditë që ti erdhe në takim te unë, atasheu ushtarak sovjetik, kolonel Rura, ka ardhur dhe ka njoftuar se gruaja e Koço Tashkos u ka thënë se i kanë arrestuar burrin. Si e shpjegon këtë? Ç’kërkon gruaja jote që shkon në ambasadën sovjetike? Pse jeni të alarmuar? Unë shfaq mendimin tim dhe them se ti ke mizën nën kësulë, prandaj alarmohesh; me sa duket, bisedon dhe me gruan. Ti kërkon një takim me Enverin, ai të dërgon një oficer të të lajmërojë për takim, ndërsa ju alarmoheni. Gruaja jote shkon dhe në ambasadë, e ti për këtë s’paske dijeni! Neve do të na i hedhësh këto? Po pse ti erdhe me 3 orë vonesë në takim? Ji serioz, Koço, dhe fol drejt. Pse të kesh frikë se mos arrestohesh? Ne i zbatojmë ligjet si duhet, po ai që ka mizën nën kësulë dhe nuk ka besim te Partia, arrin në konkluzione dhe në veprime të gabuara. E tërë kjo çështje tregon mosbesim të plotë te Partia, ndërsa ato që na thua, janë përralla. Sipas teje, ne jemi kundër Bashkimit Sovjetik, kurse ti je “mbrojtës” i tij. Ti nuk ke asnjë nocion për marksizëm-leninizmin. Kur një anëtar partie gabon, partia ka të drejtë ta kritikojë, kushdo qoftë ai. Këtë e ka shkruar me aq zjarr Lenini. Hrushovi paska të drejtë të kritikojë Stalinin pas vdekjes, kurse ne s’paskemi të drejtë të kritikojmë Hrushovin që është i gjallë dhe bile në sy! Sipas pikëpamjes tënde nuk duhet kritikuar një njeri që gabon. Je dakord ti me ato që u shtruan në Plenum dhe me kritikën e drejtë që i bëmë Hrushovit, i cili ka dashur, përveç tç tjerave, të na largojë nga lufta ideologjike kundër revizionistëve jugosllavë? Po ç’kritikë tjetër bëmë ne kundër Hrushovit, që ti u alarmove? Në Plenum nuk u tha gjë tjetër, që ti na ngre çështjen se gjoja ne folëm kundër Bashkimit Sovjetik. Këto i pjell imagjinata jote. Ndonjë shok s’bëri keq që tha se s’më ka pëlqyer kjo ose ajo shprehje e Hrushovit nëpër fjalimet që mban; vërejtje të tilla u bënë vetëm në Plenum. Prandaj pse i ngatërron çështjet, Koço Tashko, përse nuk i hap zemrën Partisë që kërkon të të ndihmojë? Ti po na thua këtu gjëra që nuk i ha njeri. Prandaj përpara Partisë fol ashtu si duhet. Si mund të të ndihmojë ty Byroja Politike? Ti duhet të bindesh që ke nevojë për ndihmë dhe t’u japësh përgjigje të drejtë pyetjeve të natyrshme dhe shqetësuese të shokëve që duan të të ndihmojnë. Nuk është e hijshme për ty si komunist t’i thuash Partisë tënde, se nuk ke biseduar asgjë me Ivanovin, në një kohë që ai dhe shokët e tij kanë qëndruar si skifterë mbi njerëzit tanë duke bërë diversion. Ata kanë bërë e bëjnë çmos për të mësuar ndonjë gjë, ndërsa ty nuk të paskan pyetur se mos të të “komprometonin”, siç the vetë! Po çfarë komprometimi do të të bëhej ty, kur ne të gjithë ishim në marrëdhënie të mira me shokët sovjetikë e bënim shakara me ta? Nuk thua më mirë që gjetën te ti një pikë të dobët dhe të kapën, sesa të thuash “nuk më pyetën për asgjë sepse nuk donin të më komprometonin”?! Ndaj kujt nuk donin të të komprometonin? Pse, ishe ti në kundërshtim me Partinë që mos të të komprometonin? Duhet të jesh në opozicion me Partinë që tjetri të veprojë fshehur e të ketë kujdes mos të të komprometojë. Në nëntor ne do të vëmë në Moskë në Mbledhjen e partive komuniste e punëtore të botës. Deri atëherë ç’të bëjmë ne më tepër? Në qoftë se kampi është në rrezik të përçahet, si evitohet kjo? Ky rrezik evitohet duke u sqaruar çështja në rrugën marksiste-leniniste, duke diskutuar se kush ka të drejtë dhe kush jo. Ky diskutim do të bëhet në Mbledhjen e Moskës.
Pas diskutimeve (që zhvilluan shokët e Byrosë Politike, të cilët dënuan njëzëri qëndrimin dhe veprimtarinë antiparti të Koço Tashkos, e mori përsëri fjalën
SHOKU ENVER: Jam dakord me të gjitha diskutimet e shokëve të Byrosë Politike dhe mendoj se Koço Tashkon duhet ta gjykojmë drejt dhe ashpër. Ai vazhdon të mbajë qëndrime antiparti dhe armiqësore ndaj Partisë, Komitetit Qëndror dhe Byrosë Politike. Siç thanë edhe shokët, me ndërhyrjet dhe me ngurrimet e tij për të thënë të vërtetën, Koço Tashkoja qëndron në gabimet e veta të rënda. Sigurisht, gabimet e tij duhen vlerësuar siç janë, nuk na lejohet të mbështetemi në konsiderata të tilla si “ai është shok i vjetër” etj. Shokët e Partisë, të gjithë pa përjashtim, duhet të jenë konsekuentë dhe mbrojtës besnikë te vijës së Partisë, aq më shumë komunistët e vjetër që kanë një eksperiencë të gjatë. Por, kur ndonjëri, cilido qoftë, mban qëndrim armiqësor, ne duhet të jemi të drejt dhe të ashpër. Në takimin që pata me Koçon, unë i thashë të fliste hapur, pa pritur që ne t’i bënim pyetje. Mirëpo me qëndrimet e tij, ai jo vetëm na detyroi t’i bënim pyetje, por edhe sot përpara Byrosë Politike, Koço Tashkoja, përsëri nuk është në rrugë të drejtë, prandaj bashkohem me mendimet e shokëve, se ai po e gënjen Partinë me tërë kuptimin e fjalës. Ne jemi të bindur se ti, Koço, i’a ke thënë Ivanovit të gjitha çështjet, duke shkelur kështu direktivat e Komitetit Qendror, Statutin e Partisë. Në Plenium u tha shqip, se çështjet që diskutuam duhet të mbeten në Komitetin Qendror, dhe, në qoftë se i duhej thënë Ivanovit ose Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Komiteti Qendror do të merrte vendim dhe do të autorizonte njerëz për t’ua thënë. Ty nuk të autorizoi njeri, por veprove me kokën tënde. Ky është një gabim i madh që nuk lejohet. Dihet se, kur ka mosmarrëveshje midis dy partive, ato merren vesh midis tyre, diskutojnë, bëjnë debat, pra, veprohet në pajtim me normat organizative të njohura. Kurse ti, i ke shkelur të gjitha këto norma. Pse e bëre ti këtë? Unë jam plotësisht i bindur se ti, duke qenë në kundërshtim me vijën e Partisë dhe me Komitetin Qendror, mendove se erdhi koha që këta njerëz, “pa vlerë” në krye të Partisë, që po izolojnë dhe po rrezikojnë Shqipërinë, të qërohen, prandaj, sipas teje, duhej pregatitur një udhëheqje e re, ku të sundonin oportunistët dhe trockistët e Shgipëria të shkonte në katastrofë. Ne nuk na bindin fjalët e tua. Vetë faktet tregojnë se ti je në kundërshtim qind për qind me vijën e Partisë, me udhëheqjen e saj, me vendimet e Komitetit Qendror dhe këtë nuk e luan as topi. Këtë e vërtetojnë më së miri edhe vetë fjalët e tua. Sikurse tha shoku Pilo Peristeri, ti nuk mund të shkoje deri në fund me Partinë. Qëndrimi yt nuk është i rastit. Veprimtaria jote është antiparti, ti nuk je komunist, konceptet e tua për komunizmin nuk janë të drejta. Ti je një oportunist, një karrierist, një njeri me shumë mbeturina të theksuara mikroborgjeze, je edhe frikacak. Situatat e vështira ty të frikësuan. Këto ne t’i themi haptazi dhe jo prapa krahëve, t’i themi jo për të të ofenduar, por me qëllim që të korrigjohesh. Partia përpiqet të mos i lërë njerëzit të venë në greminë. Në qoftë se ti nuk i njeh gabimet e tua, keq për veten tënde. Ne po t’i themi këto, sepse janë shfaqur në jetën tënde më se një herë. Në këto momente të vështira që po kalon kampi ynë i socializmit, duhet durim, pjekuri, ndershmëri. Ti nuk i ke pasur këto cilësi, prandaj ke zgjedhur rrugën oportuniste, revizioniste, antiparti, për t’i thelluar këto kontradikta, për të dëmtuar Partinë, për të hedhur baltë në udhëheqjen e Partisë sonë. Këtë ti e ke bërë me bindje të plotë dhe me kokën tënde të sëmurë. Marrëzi në gjithë jetën tënde ne kemi konstatuar edhe më parë. Ne jemi përpjekur të të ndihmojmë, të të trajtojmë mirë, por ti nuk mendon fare se me ç’parti ke të bësh. Duke vepruar kundër Partisë, ti nuk mund të pretendosh se je me Partinë. Të jesh me Partinë dhe të thurësh plane kundër saj, kjo nuk mund të ndodhë. Ti je për politikën e pajtimit me gabimet shumë të rënda të Hrushovit dhe kurdoherë kështu ke qenë ndaj armiqve. Parimi yt që gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka qenë “me pak gjak, ose pa gjak fare”. Prandaj me të dëgjuar kritika të drejta ndaj Hrushovit, i cili akuzon Kinën luftënxitëse, ti, pa gjykuar fare, mendove se “Kina qenka për gjak”, prandaj “larg nga Kina” dhe t’u duk se shokët e Pleniumit të KQ të PPSH-së, janë në rrugë të gabuar. Kritikat e Plenumit për Hrushovin ti i merr sikur ne tani qenkemi kundër Bashkimit Sovjetik. Në Plenum u tha qartë se qëndrimi ynë ndaj shokëve kinezë do të përcaktohet pasi të dëgjohet edhe fjala e tyre, e jo vetëm fjala e udhëheqësve sovjetikë dhe, pasi ta kemi studiuar çështjen me kujdes deri në fund në Komitetin Qendror të Partisë, do të themi mendimin tonë në mbledhjen e përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore që do të zhvillohet në nëntor në Moskë. Fakti është se ky qëndrim ka gjetur aprovim unanim në të gjithë Partinë tonë, gjë që u shpreh me rastin e punimit të letrës së fundit në të gjitha organizatat-bazë. Ky qëndrim është pranuar me entuziazëm, me vendosmëri e me krenari për pjekurinë e Partisë sonë, për trimërinë e saj në mbrojtje të marksizëm-leninizmit. Me këtë qëndrim që është busull vendimtare dhe me këtë trimëri ne do të vemë në Mbledhjen e Moskës dhe, duke gjykuar drejt, do të themi atje fjalën tonë. Nëse Komiteti ynë Qendror do të krijojë bindje se Kina ka gabime, nuk do të ngurrojë t’ia thotë këto gabime, po, në rast se nuk ka gabime, atëherë Kinën ta mbrojmë. Sigurisht, do të flasin edhe të tjerët. Në qoftë se do të dalë që Komiteti ynë Qendror ka bërë gabime, ne nuk do të kemi frikë të bëjmë autokritikë. Në këtë mënyrë kjo do të jetë një mbledhje marksiste-leniniste dhe jo si ajo e Bukureshtit, që nuk u zhvillua sipas normave organizative leniniste, po u organizua shpejt e shpejt me qëllim që të dënohej Kina. Ne nuk e pranuam dhe e dënuam një praktikë të tillë antimarksiste, sepse kemi përgjegjësi përpara Partisë dhe popullit tonë, përpara komunizmit ndërkombëtar. Përpjekjet e Byrosë Politike kanë për qëllim që ty të të shmangin nga rruga dhe nga pikëpamjet e tua antiparti, por ti e mbushe vetë kupën. Partinë tonë nuk e ke dashur si duhet me vepra, por vetëm me fjalë. Të gjithë e duan Partinë, por bëjnë edhe sakrifica për ta mbrojtur kurdoherë e jo për ta dëmtuar atë. Ti nuk mund të bësh dot fraksion në Komitetin Qëndror, sepse s’të ndjek njeri. Me këto pikëpamje që ti ke në kokë, zor se të ndjekin edhe një ose dy veta. Këtë ti e di fare mirë. Prandaj mendove se erdhi koha dhe gjete rrugën të shkoje në ambasadën sovjetike. Metodat që përdore ti, ne i dënojmë rëndë. Ti nuk ke fare besim te Partia, prandaj fantazon duke thënë “më ruajnë”, etj. Të gjitha këto janë krejtësisht në kokën tënde, janë imagjinata jote, marrëzia jote. Ne kemi respekt për njerëzit, por vetëm në rrugë partie. Kjo tregon edhe një herë drejtësinë e udhëheqjes sonë. Është logjike se gjersa ti je në rrugë të drejtë, ne kemi respekt për ty, ndërsa, kur ti lufton kundër Partisë, atëhere mbaroi respekti, nuk ka më respekt. Interesi i Partisë dhe i popullit është mbi lidhjet e gjakut ose të miqësisë. Por ti këtë nuk e kupton, sepse ke koncepte mikroborgjeze, trillon pikëpamje që janë të huaja. Në takimin që patëm bashkë, unë të këshillova që gabimet e tua t’i kuptosh drejt dhe sot këtu të flasësh sinqerisht. Por ti nuk e bëre këtë. Ato që thua se do të vije të bisedoje me mua, janë të qepura me pe të bardhë. As letra që më dërgove, as data e saj, as qëllimi nuk vërtetojnë se ti do të vije të unë. Ti do të vije të unë pasi të veje më parë të Ivanovi. Më parë se t’i sugjeroje atij që Enveri të shkojë në Moskë, të ma sugjeroje mua këtë mendim. Meqenëse ti s’veprove kështu, atëherë ne kemi plotësisht të drejtë të themi se kotë ta ka sugjeruar Ivanovi. Megjithatë, për në nuk ka rëndësi çështja, nëse i’a the ti, apo ta tha ai që të vejë Enveri në Moskë. Rëndësi ka ajo që gjithë këto plane antiparti, ti i ke bërë në shpinë të Partisë, prandaj duhen dënuar. Unë jam plotësisht dakord me shokët e Byrosë Politike, që komunistë të tillë të lëkundshëm, antiparti, që nuk kanë respekt për vijën marksiste-leniniste të Partisë, për qëndrimet revolucionare dhe sakrificat e saj nuk meritojnë të jenë në Parti. Kështu, edhe ti të vësh mend duke qenë jashtë Partisë. Ne të këshillojmë të mos shkosh më thellë nga sa ke shkuar. Partia edhe jashtë saj do të të ndihmojë, se akoma kemi shpresë të ndreqësh. Faktet flasin se rruga jote nuk është e drejtë. Mos harro se edhe Ivanovi e Bespallovi nuk kanë se si të të mbrojnë. Edhe ata e kanë kuptuar se ç’kanë bërë dhe tani e kanë qepur gojën, sepse veprimet e tyre nuk janë marksiste. E kundër kujt i kanë bërë këto veprime? Kundër një partie që ka dashur me gjithë zemër Bashkimin Sovjetik, popullin e tij të lavdishëm, që ka dëgjuar kurdoherë vërejtjet, kritikat dhe këshillat e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Po ama le të dëgjojnë edhe udhëheqësit sovjetikë një herë kritikat tona të drejta. Përpara marksizëm-leninizmit nuk ka të mëdhenj të vegjël. Marksizëm-leninizmi është busulla që tregon vijën e drejtë të një partie. T’i bësh kritikë të drejtë Hrushovit nuk do të thotë se je antisovjetik, siç na akuzon ti. Dashurinë për Bashkimin Sovjetik ne e kemi treguar vazhdimisht me prova. Në të vërtetë ne themi se ti je antimarksist dhe kundër Bashkimit Sovjetik. Lakrat qe ti ke në kokë e provojnë këtë. Pikëpamjet e tua do t’i gjykojë Komiteti Qëndror, nga i cili ti ke frikë. Ti kërkove që çështjet të rregullohen në mënyrë socialdemokrate. Ti kështu ke gjykuar kurdoherë, t’i bisedosh çështjet në mënyrë “miqësore”. Edhe përkrahjen që ne të kemi dhënë ty, ti e ke gjykuar në mënyrë subjektive, jomarksiste. Përse të kemi përkrahur? Sepse ti je kryetar i Komisionit Qëndror të Revizionimit, për të cilin Komiteti Qëndror ka respekt të madh, sepse është një organ që e ka zgjedhur Kongresi i Partisë. Kurse ti ke pasur mendimin që si kryetar i Komisionit, duhet të kontrolloje çdo gjë dhe vetë t’i shpëtoje kontrollit të Partisë. Po edhe anëtarët e Komisionit Qëndror të Revizionimit, kur shkelin rregullat e Partisë, nuk i shpëtojnë dot drejtësisë së saj. Të drejtat që kanë anëtarët e Partisë, ti kujton se i di, por, në qoftë se ti do t’i kishe të qarta, atëherë si kryetar i Komisionit Qëndror të Revizionimit nuk do të shkoje me ftesën e Bespallovit në shtëpinë e Novikovit për t’u takuar me ambasadorin sovjetik. Të më thërresë mua ambasadori nëpërmjet një njeriu tjetër dhe të vete të ha buk me të te një i tretë, unë nuk do të pranoja. Prandaj vajtja jote në këtë mënyrë është shumë misterioze, jashtë rregullave të Partisë dhe jashtë lidhjeve miqësore diplomatike dhe marksiste-leniniste. Edhe funksionarët e ambasadës sovjetike kanë shumë faj në këto çështje. Ambasadori sovjetik, Ivanov, kërkoi takim me mua dhe unë e prita si gjithnjë. Por, kur më pyeti për çështjen e Pleniumit, unë i tregova “kufirin te thana”. Ne me atë kemi pasur lidhje shumë të çiltra e miqësore, po ai vetë e prishi këtë situatë. Pas Mbledhjes së Bukureshtit, filloi të fliste në mënyrë arrogante. Atëherë u detyruam t’i tregojmë vendin. Por pse Ivanovi i bëri gjithë këto gjëra, jashtë rregullave miqësore dhe organizative? Zor t’i bëjë gjithë këto nga koka e tij, sidoqoftë qëllimi tij ishte që të përçante udhëheqjen e ta vinte në kontradiktë udhëheqjen e Partisë sonë me Partinë. Atëherë ti, Koço, që je burrë 60 vjeç, ku i ke trutë, në këmbë apo në kokë? Mendon ti përpara se të vesh te Ivanovi? Për të kaluar kohën duke luajtur bilardo, ose për të ngrënë darka me miqtë nuk të ndalon njeri, po për qëllime të këqija nuk lejohet. Duhen gjykuar thellë këto çështje sidomos në momentet e tanishme. Veprimet e tua çojnë në rrugë antimarksiste, antiparti./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016