Dashnor Kaloçi
pjesa e parë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të gjyqit të bujshëm të zhvilluar në vitin 1956, në Tiranë ndaj gjeneral-major Dali Ndreut, ish-Komandantit i Korparmatës së Parë gjatë Luftës dhe bashkëshortes së tij, Liri Gega, ish-anëtare e Byrosë Politike, të cilët u dënuan me vdekje, pasi akuzuan si “agjentë të Jugosllavisë së Titos” dhe u ekzekutuan. Dëshmia e rrallë e Mustafa Qilimit, ish-nënkryetari i Gjykatës së Lartë dhe Kryetar i Kolegjit Ushtarak, lidhur me makinacionet dhe intrigat që u përdorën në atë kohë për dënimin e “grupit të Dali Ndreut” nga ana e Enver Hoxhës, i cili pasi ndiqte direkt të inçizuar nga zyra e tij të gjithë procesin gjyqësor, që zhvillohej me dyer të mbyllura, i jepte porosi Rita Markos për Aranit Çelën, Kryetarin e Gykatës së Lartë që pasi hezitoi në fillim për dhënien e dënimit kapital, u detyrua ta pranonte atë.
Z.Qilimi, përse u caktuat ju në trupin gjykues, që do gjykonte grupin e Dali Ndreut?
Asokohe unë isha nënkryetar i Gjykatës së Lartë dhe njëkohësisht Kryetar i Kolegjit Ushtarak pranë asaj Gjykate. Duke pasur këto funksione, natyrisht që caktimi im në përbërje të atij trupi që do gjykonte grupin e Dali Ndreut, ishte më se normal.
Si e mbani mënd atmosferën përpara se të fillonte gjyqi?
Si rrallë ndonjëherë tjetër që nga viti 1951, kur kisha kaluar pranë asaj gjykate, që përpara gjyqit ndaj Dali Ndreut dhe të ashtuquajturit “grup” të tij, ku bënte pjesë dhe bashkëshortja. Liri Gega, vëllai I saj, Astrit gega dhe kunati i Vasil Shantos, kolonel, Petro Bullati, pati një interesim dhe preokupim të jashtëzakonshëm nga ana e Ministrisë së Brendshme, Hetuesisë, Komitetit Qendror të PPSH-së dhe krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, duke përfshirë dhe vetë Enver Hoxhën.
Kush ishin njerëzit e tjerë që përbënin grupin e Dali Ndreut dhe çfarë funksionesh kishin pasur ata?
Si kryetar i atij grupi konsiderohej Dali Ndreu, i cili ishte nga Sllova e Dibrës dhe rridhte nga fisi i Ndreve, një prej familjeve më patriotike pothuaj në të gjithë Veriun e Shqipërisë. Ajo familje mbështeti pa rezerva Luftën Antifashiste, duke dhënë shumë nga djemtë e saj partizanë, ku disa prej tyre patën funksione drejtuese deri komandantë brigadash, si Esat Ndreu dhe vetë Daliu që arriti deri komandant i Divizionit dhe Korpusit të Parë, me gradën e gjeneral-majorit që në Kongresin e Përmetit. Po kështu, si të pandehur në atë grup bënin pjesë dhe Liri Gega, gruaja e Daliut. Liria, që gjatë Luftës dhe pas saj, ishte partizania që arriti në funksionet më të larta partiake, duke qenë anëtare e Byrosë Politike që në Pleniumin e Beratit, e një nga bashkëpunëtorët më të afërta të Enver Hoxhës. Bashkë me Lirinë, në atë grup bënte pjesë dhe i vëllai i saj Astrit Gega, një intelektual i njohur aktivist i Luftës dhe pas saj, Sekretar i Komitetit Partisë në Gjirokastër. Më pas ai studioi në Bashkimin Sovjetik dhe u caktua si inxhinier kimist në Elbasan, ku punoi deri ditën që u arrestua. Bashkë me këtë, ishte dhe Petro Bollati, (kunati i Vasil Shantos), i cili gjatë Luftës arriti deri komandant brigade dhe në 1945-ën, u caktua komandant i Brigadës së Tretë i Divizionit të Mbrojtjes që luftoi kundër forcave antikomuniste të Malsisë së Shkodrës.
Çfarë funksionesh mbanin ata kur u arrestuan?
Dali Ndreu ndonëse ishte një nga figurat kryesore ushtarake të Luftës pas Spiro Moisiut, u shkarkua si gjeneral që në vitin 1947 dhe më pas u emërua e punoi për disa vite si zv/ministër i Ndërtimit. Në vitin 1954, ai u shkarkua dhe nga ai funksion dhe më duket se u caktua si drejtor i një ndërmarrje ndërtimi në Tiranë, detyrë të cilën e mbajti deri ditën që u arrestua. Asokohe thuhej se degradimi nga gjeneral e goditja ndaj tij erdhi si pasojë e martesës që ai bëri me Liri Gegën, ish anëtaren e Byrosë Politike, që ishte goditur që në 1947-ën, prej Koçi Xoxes. Vëllai i Lirisë, Astriti siç thashë ishte inxhinier në Elbasan. Petro Bollati, pasi ishte liruar si ushtarak, priste që të shkonte në Maqedoni. Petro ishte shtetas maqedonas dhe kishte bërë kërkesën për të shkuar në vendin e tij, pasi ishte njohur ajo shtetësi nga shteti shqiptar, i ishte dhënë leja përkatëse për t’u riatdhesuar, ishte në pritje të vizës jugosllave për t’u larguar nga Shqipëria.
Thatë më lart se për gjyqin e Dali Ndreut e grupit tij, shteti pati një interesim të madh. Ku konsistonte kjo?
Dua të theksoj se që përpara fillimit të gjyqit, mua më thirrën në Komitetin Qendror të PPSH-së dhe më komunikuam se unë do të isha kryetar i atij gjyqi. Nisur nga kjo, mua më sollën dhe dosjen hetimore për ta studiuar paraprakisht, siç ishin procedurat gjyqësore. Pasi e studiova mirë atë dosje, unë i’a ktheva prapë Hetuesisë për zgjerim të mëtejshëm të hetimeve, pasi aty nuk dilte dhe as faktohej asgjë nga akuza që i bëhej atij grupi.
Për çfarë akuzohej Dali Ndreu dhe grupi i tij në aktakuzën e prokurorisë?
Në aktakuzën e Prokurorisë, Dali Ndreu e Liri Gega, akuzoheshin për “tradhti të lartë ndaj atdheut”, e specifikuar kjo me anë të “spiunazhit, tentativës për arratisje jashtë shtetit dhe agjitacionit e propagandës kundra pushtetit popullor”. Po kështu këto akuza kishin dhe Astrit Gega me Petro Bollatin. Në ndryshim nga këta të dy, Daliu me Lirinë, kishin më tepër tentativën për arratisje.
Përse nuk e drejtuat ju gjyqin, siç ju thanë në Komitetin Qendror?
Nuk e di me saktësi këtë gjë, por mendoj se një nga arsyet kryesore që mua më spostuan nga drejtimi si kryetar i atij gjyqi, ishte se unë nuk u tregova i zellshëm për dënimin e tyre. Kjo gjë erdhi pas rikthimit për hetime që i bëra dosjes së atij gjyqi. Pasi na erdhi dosja për herën e dytë, gjoja e plotësuar sipas kërkesave tona, na erdhi orientimi dhe në Komitetin Qendror na thanë që shoku Enver mendonte, se kryetar i gjyqit të Dali Ndreut, duhet të ishte Arianit Çela. Ashtu siç na thanë dhe u vendos: Aranit Çela do të ishte kryetar i trupit gjykues, kurse unë me Hilmi Telegrafin, anëtar të tij. Prokuror për mbrojtjen e akuzës, u caktua Siri Çarçani, që ishte Prokuror i Përgjithshëm i Republikës, ndonëse jashtë vullnetit të tij.
Ku konsistonte interesimi i jashtëzakonshëm për atë gjyq?
E para, siç thashë më lart, ishte interesimi direkt i Enver Hoxhës për të zgjedhur trupin gjykues për gjyqin e Daliut, gjë për të cilën ne na thirrën në Komitetin Qendror dhe na dhanë udhëzimet përkatëse. Po kështu, që përpara gjyqit, Komiteti Qendror dhe qeveria, i dhanë shumë rëndësi atij proçesi, sa që u krijua një komision qeveritar, i cili do të ndiqte të gjithë proçesin hetimor e gjyqësor që kishte lidhje me atë problem.
Kush do e kryesonte atë komision qeveritar?
Kryetari i këtij komisioni u caktua zv/kryeministëri dhe Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku dhe Niko Çeta zv/ Ministri i Brendshëm dhe kryetari i grupit hetimor për Daliun, Lirinë, Astritin e Petro Bollatin. Gjyqi u vendos që të bëhej në një sallë që ishte ngjitur me Gjykatën e Lartë dhe një ditë përpara u muarën masa të rrepta sigurimi, duke e rrethuar vendin me polici të shumtë, të përforcuar me ushtarë të Gardës së Republikës. Po kështu për gjithë natën, Sigurimi i Shtetit bëri ndërlidhjen nga salla e gjyqit me zyrën e Enver Hoxhës. Enveri donte ta dëgjonte vetë të gjithë proçesin gjyqësor direkt dhe ajo gjë duhej të mbahej në fshehtësinë më të madhe. Kështu u montua aparati inçizues poshtë tribunës së trupit gjykues, në një mënyrë shumë të maskuar sa që nuk dukej fare, për të cilën kishim dijeni vetëm unë e Aranit Çela. Them se për këtë arsye, gjyqi u zhvillua pikërisht në atë sallë dhe jo në sallën brenda ambienteve të Gjykatës së Lartë, e cila nuk e siguronte dot vendosjen e aparatit inçizues dhe fshehtësinë e ndërlidhjes me shtëpinë e Enver Hoxhës. Disa ditë përpara hapjes së gjyqit, ndërkohë që ne po merreshim me studimin e dosjes gjyqësore, nga ana e Ministrisë së Brendshme dhe Hetuesisë, na servireshin informacione sikur ishin zbuluar grupe armiqësore që kishin lidhje me Dalin Ndreun, se ai ishte: “spiun i regjur i jugosllavëve dhe se shtëpia e tij në Sllovë ishte rezidencë e vjetër e spiunazhit serb, se grupet agjenturore që ishin zbuluar, kishin pasur si qëllim grabitjen e Daliut nga burgu i Tiranës ku mbahej për hetime etj”. Siç kam konstatuar më vonë pas atij proçesi, ato lajme ishin komplet të sajuara dhe na bëheshin ne si formë presioni, duke parë jo pre-dispozicionin e duhur nga ana jonë si gjykatë, për dënimin e tyre me vdekje, për të cilën na ishte sugjeruar nga K.Q.
Gjyqi u bë me dyer të mbyllura?
Ditën që do të fillonte gjyqi, na erdhi orientim nga Komiteti Qendror që proçesi gjyqësor ndaj Dali Ndreut dhe grupit të tij, do të bëhej me dyer të mbyllura. Ishte hera e parë që bëhej një gjë e tillë.
Pse po veprohej ashtu?
Kjo gjë u kamuflua me faktin që gjoja në atë proçes kishte dhe sekrete shtetërore e ushtarake, ku familja Ndreu prej kohësh ishte kthyer në rezidencë të spiunazhit jugosllav. Ne shpesh herë bënim gjyqe me dyer të mbyllura, por aty nuk mungonin të thirrur nga ne juristë dhe njerëz të Ministrisë së Brendshme e asaj të Drejtësisë. Kurse në atë gjyq, për herë të parë merreshin masa të tilla që nuk do të lejohej në mënyrë absolute asnjë njeri brenda. Madje u ndalua që të merrte pjesë dhe Ministri i Drejtësisë, Bilbil Klosi, të cilin ne nuk e lamë brenda. Ndërsa Ministri i Mbrojtjes gjeneral-leitnant Beqir Balluku, që ishte caktuar si kryetar i Komisionit Qeveritar për ndjekjen e atij proçesi së bashku me Niko Çetën, rrinin në ndërtesën që ishte ngjitur me Gjykatën e Lartë, e cila ishte Drejtoria e Zbulimit të Agjenturave (sot Shtëpia me Gjethe).
Si e kujtoni fillimin e atij gjyqi?
Mbasi u bënë formalitetet e hapjes së gjyqit, u lexua akt-akuza nga ana e Prokurorit Siri Çarçani, ku siç thashë më lart, Dali Ndreu dhe grupi i tij akuzoheshin për “tradhti të lartë, spiunazh, tentativë arratisjeje, dhe agjitacion e propaganda”. Pas leximit të akt-akuzës u pyetën të pandehurit nëse e pranonin atë gjë. I pari u çua Daliu që tha se nuk e pranonte akuzën. Pas tij u çua e shoqja Liria, që i tha: ‘Përse nuk e pranon akuzën ti Dali, ti më ke shkruar letër dhe më ke thënë që t’i pranojmë të gjitha akuzat, dhe nuk kemi ç’të bëjmë se këta i dinë të gjitha’. Pas fjalëve të Lirisë, Daliu u ngrit dhe tha që nuk ishte e vërtetë që i kishte shkruar letër asaj. Liria siç duket e kuptoi që kishte rënë në grackë dhe u tërhoq menjëherë. Pas tyre u çua Astriti, i cili e pranoi pjesërisht akuzën, i cili tha se në diskutime familjare, mund të kishte diskutuar ndonjë pakënaqësi të vogël lidhur me furnizimin e popullit me produkte ushqimore, por kurrë nuk i kishte shkuar ndër mënd të bënte agjitacion dhe propagandë. Përsa i përket akuzës së tradhtisë së lartë, dhe tentativës së arratisjes, Daliu dhe Liria, nuk e pranuan, duke thënë se ata kishin vajtur tek shtëpia e tyre në Sllovë, për të çuar për mjekim djalin e tyre Sokolin për të cilin, mjekët i kishin rekomanduar klimë malore. Daliu theksoi se nuk kishte pasur ndër mënd që të arratisej, pasi ai e kishte pasur dhe më parë si mundësi këtë gjë, por që nuk kishte arsye për ta bërë. Faktikisht, kur Daliu me Lirinë, shkuan në Sllovë, ata i vunë re njerëzit e Sigurimit të Shtetit që i ndiqnin gjoja për t’i kapur në flagrancë për tentativë arratisjeje. Pas kësaj ata u kthyen në drejtim të Peshkopisë, dhe aty i arrestuan duke qenë shumë larg kufirit shtetëror.
Petro Bullati e pranoi akuzën dhe cila ishte ajo?
Për Petro Bullatin akuza ishte sikur ai “kishte ndërmjetësuar duke lidhur Daliun me Lirinë me Sekretarin e Parë të ambasadës jugosllave në Tiranë, një shqiptar nga Kosova të quajtur Rexhep Xhiha, me të cilin kishin zhvilluar spiunazh në dëm të Shqipërisë”. Ata të dy pranuan se e kishin takuar Rexhepin me të cilin kishin bërë vetëm muhabete familjare dhe asgjë më shumë, dhe për këtë gjë i kishte ndërmjetësuar Petroja, i cili dhe ai e pranoi që i kishte takuar ata. Siç thashë, Petro Bullati, ato ditë para se të arrestohej, priste vizën e largimit për të ikur përgjithmonë nga Shqipëria, pasi kishte shtetësi të dyfishtë jugosllavo-shqiptare dhe priste për të ikur në Jugosllavi. Kur ai kishte kërkuar për të marrë vizën, Rexhepi do t’ia jepte për dy tre ditë vizën. Por ai i kishte kërkuar një nder, duke i thënë që donte të takonte Daliun dhe Lirinë, pasi i njihte ata. Petroja i lajmëroi ata të dy se kishin për t’u takuar me Rexhepin, tek lulishtja e Parkut Rinia, para Hotel Dajtit. Duke qenë se Rexhepit i kishte lindur nusja një vajzë, Daliu dhe Liria, shkuan të nesërmen për urim duke i çuar edhe një tortë te Hotel “Dajti” ku banonte ai. Petro Bullati tha se nuk dinte më shumë se aq, lidhur me akzuën për spiunazh që i bëhej atyre me Rexhepin, funksionarin e ambasadës jugosllave. Gjatë zhvillimit të gjyqit Petroja na u drejtua ne të trupit gjykues duke na thënë se: “Kur zihen atllarët e paguajmë ne gomarët”. Petro për atllarët nënkuptonte Enverin dhe Titon. Pas fjalëve të tij, ne të trupit gjykues u mblodhën së bashku me prokurorin dhe ramë në një konkluzion, se ai ishte agjent shumë i rrezikshëm i jugosllavëve.
Si vazhdoi më tej proçesi gjyqësor?
Çdo një orë e gjysëm bënim pushim dhe Aranit Çela, shkonte dhe raportonte tek Beqir Balluku, i cili qëndronte i fshehur tek ndërtesa e zbulimit të agjenturave, aty ngjitur me ne, duke i bërë të ditur ecurinë e gjyqit dhe merrte udhëzime. Ai, insistonte se në atë grup kishte veprimtari armiqësore dhe se ata patjetër duhet të dënoheshin me vdekje. Ne të tre të trupit gjykues, në pushimin e dytë, u mblodhëm dhe i thamë njëri tjetrit se aty nuk kishte veprimtari armiqësore, dhe se për këtë arsye nuk kishte sesi t’i dënonim me vdekje. Të këtij mendimi ishim që të tre.
Aranit Çela ishte i këtij mendimi se ai grup nuk kishte veprimtari armiqësore?
Për hir të së vërtetës, duhet thënë se dhe se Araniti ishte në një mëndje me mua dhe Hilmi Telegrafin. Pas kësaj ne të tre ramë dakord që Araniti të shkonte në Komitetin Qendror dhe të bisedonte atje për problemin që kishim. Ai shkoi atje dhe bisedoi me Rita Markon, sekretarin e Komitetit Qendror që mbulonte organet e “Diktaturës së proletariatit”. Ai bisedoi me të në prani të Beqir Ballukut dhe të Ll.S., shefit të administratës që mbulonte organet e “Diktaturës së proletariatit” në Komitetin Qendror. Araniti, erdhi dhe na tha se në Komitetin Qendror të PPSH-së, Rita Marko i kishte thënë: “Shko e vazhdoni gjyqin, dhe ata duhet t’i dënoni patjetër me vdekje, se aty në sallë nuk gjykohen Daliu me Lirinë, por gjykohen e dënohen agjenturat e huaja”.
Si vepruat ju pas kësaj?
Edhe pas këtyre fjalëve të thëna Aranitit, ne e vazhduam gjyqin të bindur se aty nuk kishte veprimtari armiqësore dhe se nuk kishte fakte që ata të dënoheshin me vdekje. Duke pasur këtë problem të madh, Araniti ra ngushtë dhe shkoi prapë në Komitetin Qendror për të biseduar se çdo bënim. Gjatë atij pushimi që Araniti shkoi atje, mua më thirri Ministri i Drejtësisë, Bilbil Klosi dhe më tha që përse nuk e kishin lejuar që të merrte pjesë në gjyq. Unë i thashë se ishte me porosi nga lart. Bilbili më tha që me çdo kusht duhet të ngulnim këmbë, që ata të mos dënoheshin me vdekje, pasi nuk kishin bërë gjë. Dhe se nuk kishte asnjë fakt për t’i fajësuar. Bilbili atë ma tha në mirëbesim se unë e kisha shumë shok. “Po e bëtë këtë gjë, do të jetë një turp i madh jo vetëm për ju, por për të gjithë historinë e Gjykatës së Lartë” më tha ai kur u ndamë. Po i këtij mendimi ishte dhe miku i ngushtë i tij Josif Pashko, etj.
Çfarë ju tha Aranit Çela kur erdhi nga Komiteti Qendror?
Kur shkoi Araniti atje, herën e dytë ata i thane: “Ju i dënoni me vdekje ata, se nuk do t’i pushkatojmë dhe do i falim jetën në Kuvendin Popullor. Këtë gjë do e bëjmë ne për të demaskuar veprimtarinë agjenturore të jugosllavëve dhe Titos”. Araniti e pranoi atë porosi. Përveç kësaj gjatë pushimeve të seancave aty vinte dhe kryetari i hetuesisë dhe shumë njerëz të tjerë nga Ministria e Brendshme, e na sillnin lajme sikur ishin zbuluar disa grupe spiunazhi që kishin dashur të rrëmbenin Daliun dhe Lirinë, gjatë rrugës për nga hetuesia për në sallën e gjyqit. Dhe pas kësaj, ata do të na bënin atentat neve trupit gjykues, etj.
I besonit ju ato që i’u thonin?
Të jemi të sinqertë deri në fund, ne nuk I besonim por as dhe i kundërshtonim dot. Këto gjëra ata i bënin që të na bindnin në fajësinë e Daliut e grupit të tij, pasi ata shikonin se neve na mungonte motivimi i duhur për t’i dënuar ata me vdekje. Dhe për t’i bërë sa më të besueshme ato lajme, Aranitit i vunë një oficer truproje, që e shoqëronte atë ngado.
Pranuat ju që t’i dënonit ata me vdekje?
Fatkeqësisht po. Kjo gjë, erdhi pas shumë presionesh që na u bënë. Sipas porosisë, që ishte dhënë nga Komiteti Qendror dhe veçanërisht nga Rita Marko, i cili kishte transmetuar porosinë e Enver Hoxhës, Araniti formuloi vendimin për Daliun, Lirinë, dhe Petron, duke i marrë të mirëqena të gjitha akuzat që ju bëheshin dhe në përfundim, atyre i’u komunikua vendimi i dënimit me vdekje. Kurse Astritin e dënuam vetëm për agjitacion dhe propagandë. Pasi, si unë ashtu dhe Araniti e njohim mirë atë dhe nuk u bindëm për akuzat që i bëheshin.
Si ishin trajtuar gjatë hetuesisë Daliu me Lirinë?
Nga të dhënat e sigurta që kisha atëherë, them se ndaj tyre është bërë një proçes hetimor barbar. Si Daliun ashtu dhe Lirinë, i kanë torturuar në mënyrën më çnjerëzore. Lirinë e linin pa ushqim dhe kur i’a sillnin ajo detyrohej që ta hante aty ku kishte kryer nevojat personale. Sipas procedurave hetimore, Daliun dhe Lirinë duhet t’i ballafaqonin disa herë ndërmjet tyre në hetuesi, por ajo gjë nuk u bë asnjëherë. Daliu nuk pranoi asnjë nga akuzat që i bënin dhe për ta thyer atë e nxirrnin në ajrosje, dhe e kalonin përpara qelisë së Lirisë që ai ta shikonte atë sesi ishte katandisur. Para dhënies së dënimit, unë e pyeta shefin e hetuesisë Nevzat Haznedari, se si ishte ajo puna e letrës që Liria i tha Daliut në gjyq? Ai më tregoi në kofidencë se gjatë hetuesisë që i kishin bërë Daliut, për çdo deponim i merrnin firmën në fund të letrës. Duke shfrytëzuar këtë gjë, ata kishin futur në mes të letrave të shkruara, një letër të bardhë, të cilin Daliu e firmosi duke e ditur që ishte me deponimet e tij. Siç më theksoi ai më pas, ata kishin gjetur një njeri që i’a njihte mirë shkrimin Daliut dhe përgatitën letrën që gjoja ai i’a dërgonte Lirisë, ku i thoshte që të pranonte çdo gjë pasi nuk kishin rrugë tjetër.
Pas gjyqit iu thirrën shefat tuaj që kishit më lart?
Në përfundim të atij proçesi gjyqësor, mua më thirrën në Komitetin Qendror të PPSH-së, dhe Ll.S. më tha se meqë atë ditë koiçidonte hapja e fushatës elektorale, për zgjedhjet në Kuvendin Popullor, unë duhet të shkoja në lagjen “8 Nëntori” tek Shtëpia e Partisë. Pasi të hapja mbledhjen e fushatës, duhet tu komunikoja të pranishmëve në sallë vendimin e dënimit me vdekje për Daliun, Lirinë, dhe Petron, si dhe ekzekutimin e tyre që ishte bërë po ato ditë. Sipas porosisë së tij atë lajm duhet ta jepja unë meqenëse isha sekretar i organizatës bazë të Partisë për Gjykatën e Lartë.
E zbatuat ju atë porosi?
Patjetër, pasi unë dhashë lajmin në fjalë, salla heshti me përjashtim të dy-tre vetëve që duartrokitën. Kur unë shkova në Komitetin Qendror për të raportuar për këtë mbledhje, i thashë atij për heshtjen e sallës kur raportova lajmin. Ai u nxeh me mua dhe më tha se nuk e kisha ngritur problemin siç duhet. Unë i shpjegova se atë gjë e kisha bërë pikë për pikë. Po në të njëjtën ditë ajo që mu ngarkua mua i ishte ngarkuar dhe Aranit Çelës që kishte qenë i deleguar në një lagje tjetër. Ndërsa lidhur me ankesën e Bilbil Klosit që pse nuk e kishim lejuar që të merrte pjesë në atë gjyq, ankimin të cilin e mbështeta dhe unë, shkuam tek Rita Marko dhe ai më tha: “Bilbili si Ministër Drejtësie, duhet të marri pjesë në çdo gjyq, por ka dhe raste të veçanta që atij i mohohet kjo gjë”.
A është e vërtetë që Liri Gega ka qenë shtatzënë kur është pushkatuar?
Nuk di të them gjë për këtë problem, pasi kjo gjë nuk doli në gjyq atëherë. Por më pas këtë problem e ngritën jugosllavët, dhe sipas mendimit tim nuk qëndron.
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016