Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të gjeneral-major Nexhip Vinçanit me origjinë nga fshati prej nga kanë trashëguar mbiemrin, njëri prej ushtarakëve madhorë më të përgatitur që kishte Ushtria Shqiptare, i cili pasi kishte kryer Shkollën Ushtarake Mbretërore të Plotësimit të Oficerëve gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut dhe gjimnazin klasik të qytetin e Shkodrës, në 39-ën, shkoi në Itali pranë Fakultetit të Drejtësisë në Romë, ku në 1941-in u përjashtua për aktivitetin e tij antifashist dhe u detyrua që të kthehej në Shqipëri. Angazhimi i tij në Lëvizjen Antifashiste në Qarkun e Korçës së bashku edhe me katër vëllezërit e tij (Aliun, Skënderi dhe Nexhipi, Saliun), ku si rezultat i përgatitjes së tij të lartë si ushtarak dhe aftësive që ai tregoi në shumë luftime, u emërua si komandant i Shtabit partizan të Qarkut të Korçës, komandant i Brigadës së IV-të Sulmuese dhe zv/komandant Operacioni në luftimet për çlirimin e Tiranës që drejtohej nga Mehmet Shehu.
Dëshmitë e të vëllait të tij, kolonel Skënder Vinçanit, ish-Shef i Policisë së Degës së Punëve të Brendshme të Qarkut të Shkodrës), lidhur me karrierën ushtarake të Nexhipit pas mbarimit të Luftës, ku pasi u emërua komandant i Divizionit të Peshkopisë dhe atij të Korçës, në 45-ën u dërgua për studime në Bashkimin Sovjetik, duke u diplomuar në Akademinë Ushtarake “Voroshillov” të Moskës, dhe në ‘48-ën u kthye në Shqipëri, ku u emërua Drejtor i Drejtorisë Operative në Ministrinë e Mbrojtjes e zv / Shef i Shtatmadhorisë të Ushtrisë, dhe në “Provokacionet e gushtit 1949”, u dërgua në front, ku drejtoi luftimet së bashku me gjeneral-major Mehmet Shehun dhe kolonel Skënder Malindin.
Konflikti i gjeneral-major Nexhip Vinçanit me Enver Hoxhën që në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste në vitin 1949, ku Enveri filloi goditjen ndaj tij, duke kujtuar se ai dhe gjeneral Tahir Kadare, kishin nxitur gjeneral Gjin Markun që të fliste kundër Koci Xoxe në mënyrë që Koci të bënte bashkëfajtor edhe Enverin, për të gjitha krimet që ishin bërë deri në atë kohë nga Ministria e Brendshme nën drejtimin e PKSH-së., gjë e cila bëri që ndaj tij të fillonte “gjuetia e shtrigave” për ta degraduar më pas, duke e larguar nga Ushtria dhe për ta emëruar si drejtor i një ndërmarrje ndërtimesh në rrethin e Fierit, ku jetonte i vetëm në një kasolle, pasi prej intrigave të Sigurimit të Shtetit, ishte detyruar që të ndahej nga bashkëshortja dhe arrestimi i tij në 1957-ën, duke e akuzuar “si armik i popullit” . Arrestimi i dytë i Vinçanit në vitin 1982, ku pas 11 muajsh hetuesie intensive nën tortura që ai të pranonte se Mehmet Shehu kishte qenë poliagjent dhe internimi më pas në një nga fshatrat më të largëta të Gramshit, ku jetoi krejt i vetëm në një kasolle qeni deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, të cilit i kishte shërbyer edhe ai vetë me devocion e idealizëm.
Ka qenë fundi i vitit 1957 kur në Degën e Brendshme të Shkodrës ku unë isha me detyrën e Shefit të Policisë së Qarkut, më njoftuan se më kërkonte urgjent në Tiranë, ministri Kadri Hazbiu. Unë mora makinën e Kryetarit të Degës, gjeneral-major Hilmi Seitit dhe u nisa menjëherë për në Tiranë. Para se të hyja në zyrën e ministrit, takova Teki Kolonecin që asokohe ishte Drejtor Drejtorisë së Kufirit dhe e pyeta nëse dinte gjë se përse më kishin thirrur me aq urgjencë në ministri. Ndërkaq akoma pa mbaruar mirë fjalën, më thirrën në zyrën e ministrit ku Kadri Hazbiu më priste në këmbë. Pasi u takuam ai më tha: ‘Skënder, të kam thirrur që të shkosh urgjent në Durrës, sepse do të arrestojmë vëllanë tënd, Nexhipin, me gjithë gruan e tij Memkën, dhe ti do të rrish me fëmijët e vegjël, se s’ka kush t’i mbajë. Urdhri për arrestimin e gjeneral Vinçanit, ka dalë nga ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku dhe ne do ta zbatojmë menjëherë’. Unë u nisa shpejt për në Durrës dhe kur arrita atje nuk e gjeta Nexhipin në shtëpi, sepse e kishin arrestuar së bashku me gruan”.
Kështu e kujtonte arrestimin e vëllait të tij, Nexhipit, Skënder Vinçani, ish partizan dhe kolonel i ministrisë së Brendshme i cili na rrëfente historinë e vëllait të tij, gjeneral-major, Nexhip Vinçanit, ish komandantit të Brigadës së IV Sulmuese partizane, nënkomandantit që udhëhoqi Operacionin për çlirimin e Tiranës dhe zv / Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare deri në vitin 1957. Kush ishte Nexhip Vinçani, cila ishte e kaluara e tij dhe përse u burgos e u torturua në mënyrën më ç’njerëzore Heroi i Luftës partizane e gjenerali që kishte studiuar në Romë për Jurisprudencë dhe ishte diplomuar në Akademinë “Voroshillov” të Bashkimit Sovjetik? A qëndronin akuzat që iu bënë Gjeneral Vinçanit në Plenumin e V-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku thuhej se: “në bashkëpunim me dy gjeneralët e tjerë, Gjin Marku e Tahir Kadare, kishin dashur të rrëzonin me anë të komplotit, Shefin e Shtatmadhorisë të Ushtrisë Shqiptare, gjeneral-major Beqir Ballukun? Përse filloi çarja në mes Enver Hoxhës dhe gjeneral Vinçanit dhe që kur kishin filluar kontradiktat në mes tyre? Cili ishte kurthi që organizoi ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, gjë e cila çoi në arrestimin e Vinçanit dhe gruas së tij, Memkës dhe a ishte e vërtetë se urdhër-arrestin e kishte dhënë ministri Balluku? Përse hetuesi Shkëlzen Bajraktari, kur e arrestoi Vinçanin në vitin 1982, e akuzoi atë si “agjent të anglezëve”?! Çfarë kishte thënë ai për qeverinë shqiptare në lidhje me problemin e Kosovës dhe cila ishte përgjigja që u dha hetuesve në burgun e Burrelit, ish-gjenerali Gjin Marku që vuante dënimin aty, kur e pyetën për Vinçanin? Përse gjenerali i famshëm që kishte drejtuar luftimet në ‘Provokacionet e Gushtit të vitit 1949’ dhe që konsiderohej si një nga ushtarakët më të talentuar të Ushtrisë Shqiptare, përfundoi kanaleve të bonifikimit të Myzeqesë dhe u internua në fshatin më të largët të Gramshit, ku jetoi i vetëm në një kolibe qeni deri në vitin 1987? Lidhur me këto e të tjera ngjarja nga jeta dhe karriera e tij ushtarake, na rrëfente, i vëllai, koloneli në pension, Skënder Vinçani, pak kohë para se të ndahej nga jeta.
Student i Drejtësisë në Romë
Nexhipi u lind në fshatin Vinçan të Korçës më 16 gusht të vitit 1916, në një familje nga më të njohurat e asaj krahine. Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, babai i tij, Kahremani, u bë krahu i djathtë i Themistokli Gërmenjit në në çetën e tij dhe u zgjodh si përfaqësues i fshatarësisë në Republikën Autonome të Korçës, ku mori pjesë së bashku me shumë kapedanë të tjerë në krijimin e mbrojtjen e saj. Pas viteve ’20-të, Kahremani shërbeu për shumë kohë si ushtarak në Ushtrinë Kombëtare, si në periudhën e shkurtër të qeverisë së Nolit ashtu dhe më pas në vitet e Monarkisë së Zogut. Nexhipi (djali i dytë i Kahremanit) pasi mbaroi arsimin fillor në fshatin e tij të lindjes, u regjistrua në Liceun e Korçës të cilin e vazhdoi për tre vjet. Më pas ai erdhi në Tiranë dhe filloi mësimet në Shkollën Ushtarake Mbretërore të Plotësimit të Oficerëve që ishte ngritur asokohe nga ana e Mbretit Zog. Këtë shkollë Nexhipi nuk arriti që ta përfundonte, për arsye se ajo u mbyll dhe ai u detyrua që të shkonte në qytetin e Shkodrës, ku vazhdoi mësimet në gjimnazin klasik të atij qyteti të cilin e përfundoi me rezultate të larta në vitin 1938. Një vit më pas, ’39-ën, Nexhipi fitoi një të drejtë studimi nga qeveria shqiptare e asaj kohe dhe shkoi në Itali ku filloi mësimet në Fakultetin e Drejtësisë në Romë. Ndonëse ishte një student me rezultate tepër të larta, Nexhipi nuk arriti që ta përfundonte dhe të diplomohej në Fakultetin e Drejtësisë së Romës, për arsye se pas tre vjetëve studimesh, ai i ndërpreu ato, sepse u përjashtua nga shkolla për aktivitetin e tij antifashist, pasi në vitin 1941, ai ishte organizatori kryesor i një demonstrate antifashiste të studentëve shqiptarë të Italisë, ku edhe u arrestua nga karabinieria italiane, gjë e cila solli si pasojë dëbimin e tij nga Universiteti i Romës.
Nënkomandant në luftimet për çlirimin e Tiranës
Mbasi u kthye në Shqipëri, Nexhipi shkoi në qytetin e tij të lindjes dhe menjëherë u aktivizua me Lëvizjen Antifashiste. Lidhur me këtë, vëllai i tij, Skënderi kujtonte: “Që në nëntorin e vitit 1941, Nexhipi u bë një nga organizatorët kryesorë për formimin e çetave dhe njësive partizane në të gjithë Qarkun e Korçës. Në shtatorin e vitit ’42, Nexhipi u caktua dhe mori pjesë në Konferencën e Pezës, si përfaqësues i Rinisë të Qarkut të Korçës. Si rezultat i një pune të madhe që bëri Nexhpi me disa shokë të tij, në atë kohë në Qarkun e Korçës u ngritën 17 njësi partizane, me rreth 600 luftëtarë. Nisur nga kjo, krerët kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe Këshillit Antifashist, në qershorin e vitit 1943, e caktuan Nexhipin me detyrën e komandantit të Shtabit partizan të Qarkut të Korçës dhe më pas në detyrën e Komandantit të Brigadës së IV-të sulmuese, që me krijimin e saj. Lidhur me këtë ka dëshmuar në kujtimet e tija edhe Dr. Ymer Dishnica, (njeri nga miqtë e ngushtë të Nexhipit) i cili në mes të tjerash është shprehur: ‘Unë jam habitur me forcën organizuese që zotëronte Nexhipi. Kur shkuam për të organizuar një çetë partizane në zonën e poshtme të Korçës, ai ndriste dhe shkëlqente nga të gjithë ne të deleguarit. Ai gëzonte një simpati të veçantë në të gjithë popullsinë e asaj zone, sepse shtëpia e tij ishte bërë një nga bazat më të fuqishme të Luftës në të gjithë Qarkun e Korçës. Unë kam parë me sytë e mi manovrimet e shkëlqyera të Nexhipit, kur ai komandonte Brigadën e IV-të Sulmuese në zonën e Lavdarit dhe të Faqekuqit, ku ishin përqendruar forca të madha naziste. Ai me partizanët e tij, ndonëse jo më larg se 1 km. nga gjermanët, i’u bëri atyre një qëndresë burrërore, dhe më duhet të theksoj se: në ato luftime, Nexhipi nuk mori asnjë direktivë nga Shtabi i Përgjithshëm, anëtarët e të cilit ikën nga sytë këmbët për të shpëtuar kokën e tyre’, shprehej Dishnica, lidhur me aftësitë organizuese të Nexhipit në luftimet ndaj forcave gjermane. Në atë kohë, jo vetëm Nexhipi, por e gjithë familja jonë ishte e lidhur në mënyrë aktive me Luftën dhe Lëvizjen Antifashiste. Kështu, ne të katërt vëllezërit: Aliu, Skënderi e Saliu, Nexhipi, gjithashtu ishim partizanë, ku i madh Aliu u caktua komandant i Çetës së Rëzës. Në detyrën e komandantit të Brigadës së IV-të, Nexhipi tregoi aftësi të mëdha drejtuese në shumë përpjekje të armatosura, si në rrethet e Pogradecit, Korçës, Matit, Dibrës, Mirditës, Elbasanit e Tiranës, duke realizuar më shumë se 232 ditë luftimesh. Gjatë këtyre betejave, ai u plagos rëndë (në bark) në një përpjekje me forcat gjermane në rrethinat e qytetit të Pogradecit. Gjatë viteve 1942-1944, në të gjithë Qarkun e Korçës, emri dhe autoriteti i Nexhipit ishte i padiskutueshëm mbi të gjithë kuadrot e tjerë të Luftës dhe kjo gjë shkaktoi një xhelozi tek udhëheqja kryesore e Partisë Komuniste, dhe ajo e Shtabit të Përgjithshëm që drejtonin Luftën. Kështu në një mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm me kuadrot kryesorë të Qarkorit të Korçës në marsin e vitit ’44, Koci Xoxe, i’u drejtua atyre duke u thënë: ‘Këtu në Qarkun e Korçës nuk ndjehet fare Partia dhe udhëheqja, por vetëm Nexhip Vinçani’. Për aftësitë komanduese që tregoi Nexhipi asokohe, ai u vlerësua dhe nga misionet britanike dhe nga gjeneralët italianë që u bashkuan me partizanët shqiptarë, të cilët ndikuan tek Enver Hoxha dhe Shtabi i Përgjithshëm, që ai të caktohej me detyrën e nënkomandantit të Operacionit për çlirimin e Tiranës, duke qenë direkt zëvendësi i Mehmet Shehut”, kujtonte koloneli në pension, Skënder Vinçani, lidhur me vëllanë e tij Nexhipin dhe gjithë familjen Vinçani, e cila asokohe u lidh e gjitha me Lëvizjen Antifashiste.
Drejton luftimet në ‘Provokacionet e Gushtit ’49-të’
Pas vitit 1944, Nexhipi u vlerësua si një nga ushtarakët më të përgatitur e më të zotë nga të gjithë drejtuesit e Luftës dhe nisur nga kjo, ai caktua si komandant i Divizioneve në Peshkopi e Shkodër, të cilët gjatë asaj kohe konsideroheshin si pika nevralgjike. Në këto dy njësi të mëdha ushtarake, ai qëndroi deri në shtatorin e ’45-ës, kur u dërgua të vazhdonte studimet në Bashkimin Sovjetik, pranë Akademisë “Voroshillov” të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Sovjetike në Moskë, të cilën e mbaroi me rezultate të larta majin e 1948-ës. Pasi u kthye në Shqipëri, kolonel Vinçani u caktua me detyrën e komandantit të Divizionit të Korçës, pasi në në atë zonë dhe gjithë kufirin jugor të Shqipërisë, pritej të fillonin trazirat pas konfliktit të armatosur që kishte filluar ndërmjet komunistëve grekë të EAM, (forcat partizane të së cilës komandoheshin nga gjenerali Marko Vafjadhis) dhe forcave qeveritare monarkiste të kryeministrit Caldaris. Në dhjetorin e 1948-ës, Vinçanin e thirrën në Tiranë, duke e emëruar Drejtor i Drejtorisë Operative të Ushtrisë, e njëkohësisht edhe zv / Shef i Shtatmadhorisë të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Me këtë detyrë kolonel Vinçani së bashku me Mehmet Shehun, Skënder Malindin e Petrit Dumen, mori pjesë dhe drejtoi luftimet e Ushtrisë Shqiptare kundër forcave qeveritare greke, në zonën e malit të Gramozit. Në atë kohë aty sapo kishte filluar konflikti i armatosur në mes komunistëve grekë të EAM-it dhe forcave qeveritare monarkiste, të cilët i zmbrapsën partizanët e gjeneralit Vafjadhis (asokohe kontrollonin një të tretën e territorit të Greqisë), deri në malin e Gramozit ku ata kishin dhe shtabin e tyre. Gjatë kësaj kohe, Ushtria Shqiptare e përqendroi pothuaj gjithë arsenalin e saj ushtarak në këtë pjesë të kufirit, duke e zhvendosur dhe Shtabin e Përgjithshëm në këtë zone, i cili i drejtonte veprimet ushtarake direkt në fushën e luftës. Në këto luftime që njihen si “Provokacionet e Gushtit ’49-të”, Nexhip Vinçani së bashku me dy kolonelët, Petrit Dume dhe Skënder Malindi, treguan aftësi të rralla ushtarake, gjë e cila ua rriti shumë prestigjin dhe autoritetin në të gjithë Ushtrinë Shqiptare.
Goditja në Kongresin e Parë të PKSH-së
Ndonëse kolonel Vinçani, në atë kohë konsiderohej si një nga ushtarakët më të përgatitur e talentuar të Ushtrisë Shqiptare, Enver Hoxha filloi ta spostonte dal nga dalë, nga elita e oficerëve madhorë. Shenjat e parë të goditjes ndaj tij, Enveri i shfaqi që në Kongresin e Parë të PKSH-së në vitin 1949. Lidhur me këtë, Skënder Vinçani kujtonte: “Në atë Kongres, Gjin Marku që ishte kolegu dhe njeriu më i afërt i Nexhipit, kritikoi Koci Xoxen, duke i thënë se ai duhej të thellohej më tej në autokritikën e tij, çka do të thoshte që të ngarkohej me përgjegjësi të madhe dhe Enver Hoxha. Por Enveri e kapi shpejt situatën dhe e ndaloi Gjinin që të fliste më gjatë, duke ia prerë në mes diskutimin. Pas kësaj Enveri filloi goditjen dhe ndaj Gjinit dhe nuk e emëroi atë në postin e Shefit të Shtatmadhorisë dhe anëtar të Byrosë Politike, ashtu siç pritej nga të gjithë. Po kështu Enveri filloi goditjen edhe ndaj Nexhipit, duke menduar se ai me Tahir Kadarenë e Todi Naçon, e kishin shtyrë Gjinin, që të nxisnin situatën në Kongres me aludimet ndaj Enver Hoxhës, duke e bërë atë përgjegjësin kryesor jo vetëm për krimet që ishin bërë deri në atë kohë nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme që kishte drejtuar Koci, por edhe për lidhjen e Traktatit të Miqësisës dhe Bashkëpunimit Reciprok me Jugosllavinë, traktat i cili e skllavëroi Shqipërinë”./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016