Nga Luan Çipi
Memorie.al / E kam shijuar poetin Sejfulla Malëshova, duke e ndjekur në peripecitë e jetës së tij, që më është dukur aq interesante, e veçantë, e pafat, e dhimbshme e deri tragjike, sa mendova të kërkoj dhe të merrem e të njihem edhe më shumë me të. Sejfulla Malëshova, u lind në 2 mars të vitit 1900, në fshatin Malëshovë të Përmetit, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Pas mbarimit të shkollës fillore në vendlindje, ai shkoi në Itali dhe ndoqi studimet në Kolegjin e Arbëreshëve të Kalabrisë në Shën-Mitër Korona, ku më parë kishte studiuar dhe De Rada, Luigj Gurakuqi dhe atdhetarë të tjerë të shquar. Pas mbarimit të Kolegjit dhe të tri viteve për mjekësi në Romë, ai u kthye në Shqipëri dhe u përfshi në organizatën revolucionare atdhetare “Bashkimi”, që e kishte themeluar Avni Rustemi. Si shumë të rinj të tjerë të kësaj kohe edhe Sejfullai, morën pjesë në lëvizjen popullore antizogiste, që njihet si “Revolucioni i Qershorit i vitit 1924”
Pas triumfit të “Fanolistëve”, Sejfulla Malëshova, për rreth gjashtë muaj punoi në Kabinetin Qeveritar, si sekretar i kryeministrit Fan Noli. Pas rikthimit të Zogut në pushtet, me ndihmën e forcave serbe e vrangeliste, në dhjetorin e vitit 1924, Sejfullai, u largua me Fanolistët jashtë Shqipërisë. Në fillim ai u vendos në Itali dhe më pas në Vjenë të Austrisë, duke u përfshirë aktivisht në lëvizjet revolucionare majtiste të kohës. Në vitin 1926, me ndihmën e KONARE-s, porositur nga Fan Noli, ai së bashku me të tjerë djelmosha të shquar për kohën, si Ali Kelmendi, Koço Tashko, Zai Fundo, Tajar Zavalani e Halim Xhelo, përfituan bursë shtetërore nga Qeveria Sovjetike dhe Sejfullai për pesë vjet, vazhdoi studimet në Fakultetin e Filozofisë në Moskë.
Pas mbarimit të studimeve pesë vjeçare, në vitin 1931, ai u zgjodh në krye të shoqatës së studentëve shqiptarëve që jetonin në Bashkimin Sovjetik. Nga viti 1931 e deri në vitin 1941, Sejfullai, pajisur me kulturë të gjerë dhe që njihte mirë 8 gjuhë të huaja, punoi pranë KOMINTERNIT, si dhe pedagog e, deri dekan në Fakultetin e Universitetit “Lomonosov” të Moskës.
Ai, në Bashkimin Sovjetik u martua. Ishte viti 1932, kur provoi të krijonte familje, duke u lidhur me një komuniste nga Moska, por që për divergjenca të theksuara mendimesh, ajo martesë nuk zgjati as tre muaj. Pas saj, i përkushtuar revolucionit dhe komunizmit, vendosi të mos martohet më kurrë. “Nuk dua të krijoj më familje – i deklaroi njërit prej miqve të tij, – sepse unë jam revolucionar gjaknxehtë dhe impulsive”.
Në Bashkimin Sovjetik, ai u pranua në Partinë Bolshevike. Ka qenë viti 1932, kur në një diskutim të zgjeruar që kishte ndërmarrë organizata bazë, për problemin e veprimtarisë së brendshme të partisë, ai ka shfaqur hapur dhe prerë kundërshtimin e tij. Ai jo vetëm e kundërshtoi, por i bindur në të vërtetën e idesë së tij, (siç ishte natyrë e përhershme e tij), këmbënguli me forcë për ta mbrojtur atë. Kjo solli përjashtimin nga radhët e partisë. Pas kësaj, u dëbua nga Moska dhe u dërgua si punëtor i rëndomtë, në një uzinë mekanike në Kaukazin Verior. Por edhe në atë rast, ka ndodhur një fenomen i çuditshëm, i cili do t’i ndryshonte menjëherë jetën, që i kishte marrë rrokullimën. Në verën e vitit 1933, kur Sejfullai kishte gati një vit që punonte në Kaukaz, bëhet një mbledhje e radhës në Byronë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, drejtuar nga Stalini.
Ajo mbledhje kishte si rend dite, për të diskutuar pikërisht caktimin e rregullave të brendshme të funksionimit të partisë. Ishin këto pikëpamje të Stalinit për koincidencë, po ato që ishin bërë shkak për të përjashtuar nga partia Sejfullain. Stalini kishte porositur posaçërisht se: “Të gjithë ata komunistë, që nuk kanë qenë dhe nuk janë dakord me parimet e përmendura, kanë ide të qëllimshme kundër rrugës së partisë sonë. Ata që na përkrahin, janë me ne, të tjerët janë armiqtë tanë”. Kaq mjaftoi që e gjithë organizata, e cila një vit më parë kishte përjashtuar Sejfulla Malëshovën, të shkrihej tërësisht si organizatë partie dhe Sejfullai të vlerësohej e të rehabilitohej në mënyrë të menjëhershme, mandej të vlerësohej e të nderohej posaçërisht. Kjo për të do të thoshte që të kthehej në Moskë dhe të kishte mundësi të ushtronte profesionin e tij si pedagog.
Sa u rikthye në Moskë, në vitin 1933, ku ai tre vjet më parë kishte qenë student, vdiq dekani i Fakultetit të Filozofisë të Universitetit “Lomonosov”, i cili kishte qenë edhe pedagogu i tij. Pas një muaj ai konkurroi për vendin e pedagogut, që e fitoi me lehtësi, duke u klasifikuar i pari në 100 kandidatë.
Gjatë asaj periudhe, edhe falë gjuhëve të huaja që zotëronte, ai u dërgua nga KOMINTERNI me detyra të ndryshme, në disa shtete të botës. Sejfulla Malëshova, për njohuritë superiore teorike marksiste-leniniste, në vitin 1934 pranohet anëtar përfaqësues në Komintern dhe me këtë detyrë dërgohet si delegat e veprimtar në Shqipëri dhe bëhet direkt pjesë e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar, dhe më pas në pozita drejtuese të Partisë dhe të Shtetit në Shqipërinë e pasluftës. Pas një emigrimi të gjatë, pasi kishte qëndruar edhe përreth dy vjet në Francë, Sejfullai erdhi në Shqipëri, në marsin e vitit 1943.
Qëndroi për disa kohë në Tiranë si ilegal dhe u largua përfundimisht nga kryeqyteti, kur mori pjesë në Konferencën e Parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë të zhvilluar në Labinot, TË Elbasanit, ku dhe u zgjodh kandidat i Komitetit Qendror. Kur filloi Operacioni Gjerman i Dimrit, ai qëndroi partizan në male, pranë Enver Hoxhës dhe Shtabit të Përgjithshëm, deri në mbarimin e Luftës. Në tetorin e vitit 1944, në Berat, u zgjodh në Qeverinë e parë provizore të kryesuar nga Enver Hoxha, duke marrë postin e ministrit të Kulturës dhe të Shtypit.
Ndërkohë, menjëherë pas çlirimit, në vitin 1945, do të zgjidhet Kryetari i Parë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Po këtë vit do të botohet edhe vëllimi i tij poetik “vjersha“, me pseudonimin letrar “Lame Kodra”.
Sejfulla Malëshova, poliglot dhe shumë i avancuar në dije për vendin e vet, ashtu dhe gjaknxehtë, i nxituar shpesh herë, dhe i papërmbajtur e i drejtpërdrejtë, krijonte mosmarrëveshje e keqkuptime me shokët dhe ndofta edhe rivalitet e xhelozi, deri me drejtuesit kryesor partiak e shtetëror. Shpejt ai doli hapur dhe goditi direkt udhëheqësin kryesor të Partisë Komuniste edhe të Frontit Nacionalçlirimtar në mbledhjen e plenumit të dytë të Komitetit Qendror të PKSH-së, që u mblodh në Berat, ai deklaroi hapur dhe pa frikë se: “Enver Hoxha, ndonëse është konsideruar si shëmbëlltyra e sukseseve tona të LANÇ-it e të PKSH-së, në të vërtetë është sinteza e gabimeve të tyre”. Dhe me poshtë ai do të vazhdonte me guximin e tij proverbial: “Sektarizmi, jo vetëm në Parti, po edhe në ushtri, degjeneroi gradualisht në terror dhe s` është aspak e çuditshme, se si ky terror, degradoi në krim, madje në krim të organizuar”.
Sejfullai madje, edhe dy vjet me vonë, kur do ta përjashtonin nga Byroja Politike e Komitetit Qendror, deklaroi se; “Po vazhduam me këtë mënyrë, do të kthehemi shume shpejtë në një klikë, madje në një klikë vrasësish”. Në politikën e jashtme, Sejfulla Malëshova ishte për distancë të barabartë, midis Bashkimit Sovjetik, Amerikës dhe Anglisë, për çka u damkos si oportunist nga Enver Hoxha, meqë i vinte në një plan, tre aleatët e mëdhenj. Në politikën e brendshme, Malëshova kërkonte përkrahje për zhvillimin e tregut privat. Dhe kjo mjaftoi të akuzohej si liberal. Sejfulla Malëshova, sipas kujtimeve të shokut e mikut të tij të idealit dhe me integritet kulturor të njëjtë, Dr. Ymer Dishnicës, ishte jo vetëm mjaft i ditur, por edhe shumë i vendosur dhe parimor, që kishte parashikuar gjithçka, po asnjëherë nuk toleronte. P.sh., ai dikur i kishte thënë atij, në intimitet: “Bëra mirë që s’u martova, o Ymer, sepse kjo situatë që po më krijohet, do të më merrte në qafë edhe fëmijët”. Sejfullai paqësor, nuk donte të krijonte viktima.
Dukeshin vështirësitë e mëdha që kishte populli, për ilaçet që duheshin gjetur, për hallet e njerëzve, sepse dihet, që fillimi, në çdo lloj pune, është i vështirë. Edhe vet, që e kishte përjetuar jetën komode, ndodhej shpesh para vështirësive jetësore, por pa pretendime për privilegje. Sejfullai e përsëriste shpesh fjalën e Presidentit Amerikan, Ëilson, të thënë më 1913: “Duhet të shkatërrojmë gjithçka, që mban vulën e vogël të privilegjit”. Kur diskutohej për “Metafizikën e dashurisë”, të Shopenhaurit, thoshte: “Njeriu i madh, nuk ka kërkuar gjënë e vet, nuk ka përjetuar për vete, por për të gjithë…! Gjeniu qëndron në kontradiktë, në konflikt me kohën e vet…”! “Sejfullai, – tregon me nostalgji shoku i tij i luftës, – “ishte erudit dhe kishte një memorie për ta pasur zili. Kur takoheshim rrallë në Berat, me orë të zgjatura, bënim biseda të ngrohta…! Kujtoj që thoshim se; njerëzit e mëdhenj (dhe citonim Hygonë, Çehovin), ishin indiferentë ndaj lavdërimeve të veprave të tyre, por ishim të ndërgjegjshëm se njeriu në jetë, ka nevojë për vlerësime e nxitje, ashtu siç ka nevojë për ushqim e për ajër.
Ai, ishte për hapa të ngadalta, po të sigurta. Për këtë temë, Sejfullai më tregoi: ‘Pleqtë e fshatit tim, më thonë shpesh se kalit, po t’i biesh nga vithet, bën përpara, po t’i biesh nga koka, ecën prapa. Sejfullai, ishte i hapur dhe kritikues pa rezerva për shokët. Citonte shpesh Bjelinskin që kishte thënë: ‘Ta thuash i pari të vërtetën, duhet fisnikëri dhe guxim’. Dhe guximi deri në vetëmohim, nuk i mungonte profesorit të nderuar të filozofisë, që kish sakrifikuar katedrën e Universitetit të Moskës, për të luftuar për popullin e vet të robëruar, e të varfër. Ai kritikonte hapur këdo dhe ndofta me të drejtë aludonte e synonte, deri pozicionin e kryetarit të Partisë, kur propozoi që të krijohej edhe ai post, krahas Sekretarit të Përgjithshëm, çka do ta linte në hije Enver Hoxhën. Në vend që udhëheqja kolegjiale e Partisë Komuniste Shqiptare, t`i merrte në konsideratë vërejtjet e bëra nga ai, ndikuar edhe nga të dërguarit e Titos, që kishin shumë influencë në atë kohë, e ndëshkoi atë, duke e dënuar “teoricienin e shquar”, me neutralizim e mënjanim total.
Në vitin 1946 edhe për divergjenca të shumta që kishte në vazhdim me Enver Hoxhën, sidomos në fushat e ekonomisë, kulturës dhe drejtimit të Partisë, përjashtohet nga Partia dhe shkarkohet nga të gjitha funksionet. Pas kësaj, për dhjetë vjet me radhë, ai punoi si ekonomist në Bankën Kombëtare në Tiranë dhe në vitin 1956, atë e internuan në Ballsh, ku u la të banonte në një barake të vjetër. Gjatë kësaj kohe, (në vitin 1949) Malëshova u përjashtua edhe nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, duke u cilësuar si; “element antiparti”. Pas pak kohësh nga vajtja në Ballsh, atë e lejuan të banonte në qytetin e Fierit, duke punuar si magazinier lëkurësh, në një Ndërmarrje Bujqësore. Shpesh njerëzit pyesin si nuk e pushkatoi, a pse nuk e burgosi Enver Hoxha, Sejfulla Malëshovën, kur nuk kurseu figura të tjera më pak të njohura e me më pak peshë? Përgjigja është e thjeshtë: Sejfullai nuk ishte njeriu i veprimit aktiv dhe prej tij, Enver Hoxha nuk shihte kurrfarë rreziku.
Si njeri i letrave dhe teoricien, Sejfulla Malëshova ishte meditativ, i mbyllur në vetvete, pa shokë, pa shoqëri, i vetmuar. Në Ballsh, magazinieri Malëshova, ku qëndroi i internuar disa vjet, (më pas e transferuan në Fier), dy herë ditën, mëngjes e mbrëmje, ishte i detyruar të paraqitej në sportelin e Degës së Brendshme Fier, për të vërtetuar që ishte aty. Kureshtarët e shihnin profesorin, duke kaluar para policit dezhurn të Degës së Brendshme, duke e përshëndetur me dorë me një ritual të pandryshueshëm, jam këtu! Në periudhën e zbutjes së tensionit, në kohën e Hrushovit, profesorit iu lutën të përkthente nga origjinali, dramën e Çehovit; “Kopshti i qershive”. Ai e përktheu, por kur u botua dhe nuk e pa emrin në libër, sikurse ishte rregulli, protestoi. Ankesa e tij nuk u përfill. Edhe pse kishte kurdoherë nevoja të ngutshme, për të kompensuar rrogën e tij qesharake si magazinier, ai nuk pranoi të përkthente pa emër, duke u qëndruar besnik idealeve dhe duke mbrojtur personalitetin e tij.
Po ta vështroje nga afër, Sejfulla Malëshova, ishte një njeri i zakonshëm në dukje, veshur sportiv me kilota, kapele republike ose me shapkë dhe që lëvizte i vetmuar, shkëputur nga shoqëria, më shumë me një biçikletë. Sejfullai jetoi krejt i vetëm, deri sa vdiq në mjerim të thellë, më 9 qershor 1970 dhe në varrimin e tij, mori pjesë vetëm e motra e ardhur nga fshati, si dhe dy nipat e tij. Në vitin 1993, një grup intelektualesh, u kujdesen për rivarrimin dhe ceremoninë e munguar për përkthyesin e Internacionales, Getes dhe Nekrasovit, apo poetin rebel, siç i pëlqente ta quante veten. Sejfulla Malëshova është dhe një zë i fuqishëm i letërsisë shqiptare midisi dy luftërave, zëri i asaj letërsie që njihej si letërsi e angazhuar, poet i dalluar i lëvizjes antifashiste dhe antizogiste. Poezia e tij është poezi e angazhuar me teme politike, revolucionare. I drejtohet fshatarësisë shqiptare në radhë të parë, bën thirrje për kryengritje, për revolucion, për të rrëzuar regjimin obskurantist dhe atë fashist.
Një thesar i padiskutuar vlerash, janë poezitë e tij, që më duken shpërthime momentale të talentit dhe pasionit të tij sporadik poetik: I pari libër i tij me poezi, që më ka lënë të pashlyer në kujtesë “Stanin e Trebeshinës”, te poezia, “Si e dua Shqipërinë?”, në vëllimin e parë dhe të vetmin libër poetik në shqip, botuar prej tij në vitin 1945 me “vjersha”, ku ka 21 poezi. Ka dhe poezi të tjera të vetmuara, botuar në emigracion te “Dielli”, “Liria Kombëtare”, etj. Janë dhe përkthimet e tij nga poema e Nekrasovit, “Poeti dhe Qytetari”, etj., të përmbledhura edhe nga Nasho Jorgaqi, te “Antologji Shqipërimesh Poetike”, përkthimet e bukura të Gëtes, Gorkit, etj. Vepra e tij e parë letrare që njihet, është një poemë e botuar në italisht me titullin “Kostandini”, botuar në Romë më 1923. Këtu besoj se nis krijimtaria letrare e Sejfulla Malëshovës. Dihet gjithashtu se edhe student në Itali, bashkë me Odhise Paskalin, botoi revistën “Studenti Shqiptar”, ku dhe janë botuar edhe poezitë dhe përkthimet e para të Malëshovës. Ai përktheu dhe botoi p.sh., një vjershë të njohur revolucionare, të Hajnes, “Punëtoret e avlëmendit”, për të cilën thoshte se; ishte një nga vjershat e pakta të preferuara të Karl Marksit.
Ai përktheu “Internacionalen” e Eugjen Potjes, himni i lëvizjes komuniste ndërkombëtar, që është dhe një nga përkthimet më të mira të tij. Janë dy variante të ndjera të “Internacionales”, një nga Malëshova dhe një tjetër nga Petro Marko. Përktheu bukur dhe vjershën e famshme të Gëtes, “Mbreti i Tulës”, që e kish përkthyer më parë edhe Ndre Mjeda. Edhe këtu shqipërimi i Malëshovës, është më i goditur, më i qartë dhe më harmonik. Si dishepull i poezive të shkollës noliane, ai ka dhe poezi të e tjera, disa të zbuluara tani vonë, në blloqet e kutive të harruara të arshivave sekrete, të ish – Sigurimit të Shtetit dhe pa dyshim, ka dhe dhjetëra të tjera të grisura e të zhdukura pa kujdes, apo ndoshta të fshehura, me shpresë që dikush t’i gjej në të ardhmen. Sidoqoftë, ato poezi që janë botuar, bashkë me ato të tjerat, që njihen, nuk e arrijnë shifrën 50. Në mungesë të të dhënave burimore, është menduar se poeti Sejfulla Maleshova, i njohur me pseudonimin letrar “Lame Kodra”, gjatë kohës së persekutimit, e kish braktisur poezinë. Kjo arsyetohej me kushtet e rënda sociale qytetare dhe shpirtërore që iu krijuan, por dhe me arsyen se ai asnjëherë, nuk do të dallohej si poet prodhimtar sistematik.
Ashtu si Fan Noli dhe Sejfulla Malëshova, do të krijonte në letërsi, kryesisht në momente të caktuara, të diktuara nga rrethana social-politike, por kjo praktikë krijuese lidhej dhe me kërkesat e larta që kish ndaj poezisë së tij. Nga pikëpamja sasiore, kemi të bëjmë me një bilanc modest, një dukuri kjo e njohur në historinë e poezisë, që nuk është përcaktuese në vlerësimin e poetit. Por, gjithë sa ai krijoi, janë të mjaftueshme për t’i dhënë emrit të tij, një vend të nderuar në poezinë shqipe, në mes dy luftërave. Është fakt i njohur që poezia e “Lame Kodrës”, duke u bërë zëdhënëse e idealeve revolucionare të shoqërisë shqiptare, do të gjente për afro dy dekada, jehonë dhe përhapje të gjerë në Shqipëri, sidomos në masat e rinisë. Madje, ajo do të përjetonte një periudhë kulmore, duke e cilësuar Sejfulla Malëshovën si “Poet Kombëtar” në ato 2-3 vitet e para të pas çlirimit. Por fatkeqësisht, kjo ngjitje e poetit, do të zgjaste një kohë tepër të shkurtër, që përkoi me periudhën e karrierës së tij politike, kur ai do të bënte pjesë në udhëheqësit më të lartë të shtetit shqiptar dhe të Partisë Komuniste të Shqipërisë.
Koha, që ai ishte figurë politike, ka ndikuar në popullaritetin e poezisë së tij. Pas më se gjysmë shekulli, mund të themi se kjo nuk e ka prekur vlerën e vërtetë të poetit. Ai, mbeti një zë i bukur në poezinë shqipe, një emër i përveçëm si shprehje autentike e idealeve revolucionare të atij brezi që, sipas mënyrës së tij, luftoi për liri kombëtare dhe shoqërore, kundër bejlerëve, fashizmit dhe “regresit social”. Dhe duke qenë i tillë, pra poet i vërtetë, në dekadat që erdhën, sado mbytëse që qe asfiksia politike, nuk e zhvlerësoi dot poezinë e tij. Por ç’ndodhte me poetin gjatë kohës së persekutimit? Këtë e gjejmë të vëzhguar nga studiuesi i talentuar, shkrimtari ynë i njohur, Nasho Jorgaqi: “Në kushtet e izolimit të rreptë, të dramës e të zhgënjimit tepër të hidhur që kalonte, të natyrës së tij të mbyllur, ishin gati të paarritshme mundësitë e kontakteve dhe të informacionit, si burim i pashtershëm krijimtarie. Një gjë dihej saktë, se ai përkthente për Shtëpinë Botuese ‘Naim Frashëri’”.
Nga krijimtaria origjinale e vonshme, siç thotë miku i tij Nasho Jorgaqi, janë gjetur gjithsej gjashtë vjersha. Vjersha e parë me titull; “Rruga jonë” (1946), është hyrja e një poeme që kish nisur të shkruante, por për shkak të goditjes politike që pësoi, ajo mbeti me sa duket në mes. Është një vjershë e shkruar më frymën e kohës, më temë aktuale politike, që sjell atmosferën e jetës shqiptare të viteve të para të pasçlirimit, entuziazmin e punës për të ndërtuar Shqipërinë e shkatërruar nga lufta.
Pas tre vjetëve, edhe pse kish ndërruar pozita politike, siç del nga dorëshkrimi i poezisë së dytë, do të marrë pjesë në konkursin kombëtar për “Himnin e Republikës” (1953). Ai do të paraqitet me një tekst të vetin dhe sipas shënimit personal, ka fituar çmimin e parë (?!) Për vet motivin që trajton, ajo është një vjershë politike, mishërim dhe pasqyrë e ideve të ditës, besnike ndaj idealit të tij komunist. Me tone retorike dhe patos, ai i këndon republikës, aspiratës dhe ëndrrës së jetës së tij.
Vetëm dy vjet më vonë (1955) ndjehet kthesa në poezinë e Malëshovës në vjershën “Poeti”, që e bën të ndahet paksa nga krijimtaria e mëparshme. Pas gjithë asaj që i ka ndodhur, për herë të parë shpërthen dufin që mban përbrenda. Më në fund Malëshova poet, e gjen vetveten, ndaj tregohet i bindur e guximshëm në të drejtën e tij. Ashtu në heshtje dhe në vetmi këndon këngën e vet të lirë. Ndonëse nuk është më i ri, liria e bën të mos njohë moshë. Me këtë poezi, më shumë se Sejfulla Malëshovën kemi tani “Lame Kodrën”, poetin rebel, siç e pati quajtur veten në vitet e mërgimit politik, në vjershën anonime (1935) plot dy dekada më parë, ndërsa tani shpërthen kundër pabesisë e padrejtësisë, babëzisë për pushtet, ndalimit të mendimit të lirë, i bindur se; “Kënga e poetit s’perëndon”.
Është edhe 90 vjetori i Lidhjes së Prizrenit që e nxit dhe e frymëzon. Hidhet në histori, në kohën e zgjedhës otomane, kur dhe zoti i kish harruar shqiptarët.
Por nuk i ka harruar Skënderbeu dhe pas kësaj figure kapet poeti, dhe tregon se edhe pse ndodhet shumë larg, heroi jetonte me fatin e atdheut të robëruar dhe të fisit të tij, brenda të cilit lëviznin “turma kordhëtar”, por që s’kishin flamur. Pra, u mungonte udhëheqësi dhe, Skënderbeu nuk pret më, hidhet vet në aksion. Një vit më pas (1969) festohet 25 vjetori i çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. Poeti me këtë rast do të shkruajë dy vjersha, thuajse me të njëjtin emër (“Lapidari” dhe “Lapidarët”). Dhe tema është ajo e Luftës Antifashiste Nacional- Çlirimtare, të cilën e sheh të mishëruar në një imazh konkret, siç janë lapidarët e ngritur në kujtim të luftëtarëve të rënë për liri. “Tre poezitë e fundit që na kanë arritur, – vazhdon të shpjegojë profesor Nasho Jorgaqi, – edhe pse nuk kanë datë, janë vërsnike me të tjerat. Më interesantja duket vjersha “Nga një dramë e pambaruar”, një vepër që u nis, por nuk u krye nga autori. Është fjala për shpirtin e njeriut, një temë aq’ e trajtuar nga poezia nëpër shekuj, për të cilën poeti shprehet në këtë vjershë meditative.
Në konceptin e tij, shpirti i njeriut paraqitet si një mikrounivers, me humnera dhe të përpjeta, me të thella oqeani dhe maja Himalaje, ku përleshen ferri dhe parajsa. Në këtë sfond, sa real aq dhe mitik, qëndron njeriu si përbindësh dhe perëndi! Ka të ngjarë që pesë vargjet e kësaj vjershe, të jenë kredoja e dramës, në të cilën autori do të shpaloste idetë e veta, filozofinë e tij për këtë fenomen universal e të përjetshëm. I paraqitur artistikisht ky fenomen, në pendën e poetit, do të përcillte dhe shtjellonte përvojën nga kalvari i jetës së tij. Një dimension tjetër i poetit, na shfaqet në dy vjershat e tjera, siç është ai i humorit. “Njeriu me këmbajka dhe servilët” dhe “Po saze dhe daulle…”, janë vargje humoristike, të vetmet në gjithë krijimtarinë e tij, momente kur ai rreket të qeshë e të tallet me realitetin e kohës, duke e stigmatizuar dhe fshikulluar atë.
Duke kërkuar në internet e gjetiu, fakte për jetën dhe veprimtarinë e Sejfulla Malëshovës, arrita në përfundimin e kënaqshëm, se ai formonte një potencial të madh intelektual, ishte poliglot dhe dijetar e poet i talentuar, pa përjashtuar teprimet dhe hobitë e tij, temperamentin e nxituar, të papërmbajtur, deri diku të njëanshëm dhe rebel. Jam i mendimit se me të, bashkëpunëtorët letrarë, partiakë dhe shtetarë, gjithashtu janë nxituar dhe nuk kanë ditur, që thesarin e tij të madh dituror dhe talentin e tij të rrallë, ta mbanin e ta ruanin me kujdes dhe ta shfrytëzonin e përdornin në dobi të vendit. Memorie.al