Nga Spartak Topollaj
-PSE MERITON TË KUJTOHET DHE TË NDEROHET NË 100 VJETORIN E LINDJES SË TIJ, LEGJENDA E BALLKANIADËS SË FUTBOLLIT TË 1946-ës, XHAKOMINO POZELLI YNË…?! –
Memorie.al / (“Pas pak vjen një zotëri, që gati i mbahej fryma . Jam Drejtori. Më quajnë Spartak Topollaj dhe jam shumë i nderuar t’iu mirëpres në Hotelin tonë! Është një burrë rreth të dyzetave, i gjatë, i drejtë, esmér, me vështrim miqësor “…) Fragment nga faqet e para të librit ‘Brenga ime Shqiptare, apo Kthim në Vendin e Shqiponjave’, të autorit, Aldo Renato Xhuzepe Terruzi .
Është disi e çuditshme, për të mos thënë e pabesueshme, që pjesa më e madhe e shqiptarëve, nuk e njohin kush ishte dhe cila qé jeta mes gëzimeve dhe dramës së Xhakomino Pozellit, legjendës së portës të Përfaqësueses së Shqipërisë , Kampione e Ballkanit në Futboll, më 1946-ën!
Familja italiane Pozelli, ishte vendosur në Selanik e më pas në Ishullin Korfuz të Greqisë, aty diku aty nga fillimi i shekullit XX-të, ku punonin si nëpunës në një Bankë Italiane.
Çifti Pozelli, pati dy fëmijë, Aurelian, vajzën e lindur më 1912-ën dhe Xhakominon, djalin e lindur më 22 korrik të vitit 1922, pikërisht në Selanik.
Nga fundi i viteve XX-të, Pozellët transferohen në Shqipëri, konkretisht në Gjirokastër, ku Qeveria e Zogut, kish pranuar hapjen e një Banke Italiane Krediti dhe ku ata, kishin gjetur mikpritjen dhe qytetarinë e banorëve vendas në qytetin e gurtë, të përshkruar si rrallë kush vite më vonë nga Kadaréja ynë i madh, në romanin unikal “Kronikë në Gur” !
Por kjo mikpritje dhe jeta e qetë e kësaj familje, që nuk ndiheshin aspak të huaj në Gjirokastër, u trazua papritmas, kur Aurelia e bukur, një Greta Garbo Gustafsson e vërtetë, që sapo kish mbushur të 18 -at, u njoh më 1930-ën, me një grup të rinjsh të qytetit, mes të cilëve, duke përfituar edhe nga pamja karizmatike dhe aftësia për të aktruar e mashtruar, shquante Enver Halil Hoxha .
I mahnitur nga bukuria, eleganca dhe zgjuarsia e saj, Enveri, që sapo kish mbaruar Liceun e famshëm Francez të Korçës, me mbështetjen financiare të pareshtur të Profesor Bahri Omarit, personalitet demokrat i KONARÉ-së, njëkohësisht bashkëshort i motrës së madhe të tij, Fahriesë, njihet , afrohet dhe synon të keqinterpretojë sinqeritetin rinor dhe miqësinë e saj, me një vetëkënaqësi dhe delir protagonizmi e madhështie, që më vonë do i kthehet në paranojë !
Edhe pse ajo i tregoi se sapo ishte fejuar me Renato Terrusin, një financier i aftë banke, italian dinjitoz dhe i pashëm, Enver Hoxha, këmbëngul ta joshë Aurelian, madje duke mashtruar, teksa i thotë, se po bëhej gati të nisej për studime në Francë, dhe i dhuron si kujtim, edhe një libër “100 pamje të Parisit”, me dedikim, të cilin e mbyll, pa pikë turpi me gënjeshtrën: Enver Hoxha, student në Mjekësi ?!!!
Siç dihet , atij i doli bursa për Shkenca Natyrore ( Biologji ), në Monpelié,fakultet të cilin nuk e mbaroi kurrë, madje në katër vitet e atyshme, dhá gjithsej vetëm pesë provime?!
Vajti në Paris e më pas në Bruksel , ku dështoi me sukses të plotë, të merrte ndonjë diplomë për Histori apo Drejtësi, u punësua si Sekretar në Konsullatën Shqiptare, në Belgjikë, mashtroi e përvetësoi pará nga Konsulli dhe u kthye në Shqipëri më 1936-ën.
I fyer nga refuzimi kategorik i Aurelias, ky bukurosh i lyer me gjalpë (apo me brilantinë), guxon ta kërcënojë dhe shantazhojë atë dhe familjen e saj, e cila, pas kësaj, kërkoi transferim, që i’u miratua dhe kështu ata u vendosën në Vlorë, gjithnjë në Bankën Italiane.
Edhe në Vlorën e bukur të Pavarësisë, ata gjetën të njëjtën mikpritje dhe bujari!
Edhe pse vite të trazuara lufte ata ruajtën korrektesën në punë, e shoqëri mes vlonjatëve të mirë!
Ndërkohë që Aurelia martohet me të fejuarin Xhuzepe Renato Terruzin, Xhakomino, që sapo i kish kaluar të 20 -at, po shfaqte talentin e tij si portier me një skuadër të improvizuar futbolli të italianëve në qytetin bregdetar!
Shpejt ai, iu ra në sy drejtuesve dhe teknikëve vendas, për cilësitë dhe nuhatjen në mbrojtjen e portës, ndaj dhe i propozuan të luante me skuadrën e tyre “Flamurtari”!
Ai pranoi menjëherë dhe u aktivizua, si titullar dhe si gardian i portës vlonjate !
Bëri miq të shumtë nga sportistët apo djemtë e familjeve të njohura të fisnikërisë atdhetare, demokrate e intelektuale të Vlorës dhe mijra sportdashës e deshën si të ishte vlonjat i lindur dhe e adhuronin !
Dukej se me kalimin e muajve, uniforma té “Flamurtari”, po i rrinte e ngushtë, ndaj iu përgjigj pa mëdyshje, ftesës së Sport-Klub Tiranës, për të mbrojtur portën e kryeqytetasve, me të cilët u miqësisë shpejt, veçanërisht me tironsin 24 karatësh, Xhavid Demneri!
Lufta sapo kish mbaruar dhe e motra, Aurelia, dinjitoze dhe e bukur, ishte martuar dhe sapo kish lindur djalin e vetëm, Aldon!
Por, s’ishte e thënë të gëzohej gjatë ! “Ai” , nuk mund ta harronte e aq më tepër ta falte, kurrë refuzimin kategorik të Aurelias dhe tani, shoku Komandant , Gjeneral -koloneli i pa shkollë dhe i vetë-graduar, Enver Hoxha , u kujtua se i kish ardhur dita të hakmerrej , ashtu si dinte vetëm ai të bënte !
Urdhëroi të arrestohej bashkëshorti i saj, super korrekt , nën dyshimin se mund të ishte agjent i SIMI-t dhe duhej të kish bërë shkelje me financat dhe thesarin në Bankë ?!!!
As njëra dhe as tjetra akuzë nuk qëndronin, e nuk u vërtetuan asnjëherë, e megjithatë , edhe pse askush nga vlonjatët burra e trima të besës, nuk dëshmuan kundër, dënimi i tij ishte paracaktuar, burgim i gjatë dhe i rëndë në famëkeqin burg politik, skëterrën e Burrelit !
Aurelia, ashtu krenare dhe dinjitoze, nuk i’u drejtua kurrë “Atij”, e jo më t’i lutej t’ia falte bashkëshortin e shtrenjtë e të dashur të saj ?!
Erdhi viti 1946, kur Shqipëria do të organizonte Ballkaniadën e Parë, në Futboll e Atletikë në Tiranë, nga 6 – 13 tetor, në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, ndërtuar mbi 95 % prej italianëve, por që kurrë nuk u kuptua, pse i’u vu ky emër i djaloshit idealist, vrarë apo ( i vetëvrarë ) më 5 maj 1942, në rrethana që kurrë nuk patën një sqarim shterues dhe u mbuluan nga tisi i dyshimeve dhe misterit e enigmave tipike enveriane ?!
Sidoqë të ishte, Shqipëria e vogël, por me futbollistë të talentuar, që dhanë shpirtin në fushë, ia doli të shpallej Kampione e Ballkanit, edhe pse në këtë veprimtari të madhe të fill pasluftës kishin përballë, Përfaqësuesen e njohur Jugosllave, si edhe Rumaninë e Bullgarinë!
Pozelli (që me marifetet alla -shqiptarçe, iu shndërrua mbiemri në Buzali ) , Tahiri, Kavaja, Fakja, Vathi, Biçaku, Demneri, Boriçi, Mirashi, Parapani, Gjinali, Spahiu, Llambi, Teliti, Fagu etj., ngadhnjyen bindshëm mbi kundërshtarët, pa mohuar edhe rolin e madh të trajnerit jugosllav, serbit Ljubisha Broçiç (1911-1995 ), që vite më vonë, mbërriti deri dhe trajner i Barcelonës së madhe!
Ndërkohë, pa dijeninë e të motrës, Aurelias, dhe duke përfituar nga euforia e krijuar nga Udhëheqja, që quante fitoren në Ballkaniadë si meritë të vetēn dhe njohja e miqësia qysh në shkollë në Korfuz, me Nako Spirun, Xhakomino, i bindur në pafajsinë e kunatit, i kërkon atij të ndërhyjë për ta falur !
Nako, i mençur dhe me bon-sens siç ishte, i premton se do të bënte ç’të ishte e mundur!
Por nuk mbërriti ta shpëtojë dot jo vetëm atë , por as edhe veten e tij, se në nëntor 1947 u gjet i (vetë) vrarë me dy plumba, në zyrën e Kiço Ngjelës, ndihmësit të Nako Spiru, në Komisionin e Planit të Shtetit?!
Me urdhër të Hoxhës dhe katilit Koçi Xoxe, (ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe), nuk u lejua ta shihte ende pa i dalë shpirti në Spitalin Ushtarak, as e fejuara e tij, Liri Belishova, edhe pse ajo vetë ishte pjesë e udhëheqjes më të lartë komuniste !
Ironia më e madhe me Nakon, që e vetëvrau si Mehmet Shehun më dhjetor 1981, ishte se Hoxha, e dënoi dhe rehabilitoi atë disa herë, ndërkohë që Mehmet Shehu mbeti i pari në Listën e Poliagjentëve dhe Hoxha vetë siç del tani, mbetej tē ishte i fundit në listën e vigjilentëve?!
Ndërkohë, e bukura krenare Aurelia, me Aldon e vogël në krah dhe çantat me ushqime, merrte dy herë në muaj rrugët mizerabël, ku dihej se mungonin edhe mjetet e transportit, për të takuar Xhuzepen në Burgun e Burrelit, nën vëzhgimin shpesh të policëve dhe oficerëve sy skuqur, gjysmë të dehur, e të babëzitur për gjithçka!
Kjo histori vazhdoi gati mbi tre vjet, deri sa një dit, i ndërgjegjshëm se ishte i pafajshëm dhe se dikush do t’i thërriste arsyes, do ta lironin nga burgu, si edhe duke kuptuar se ç’hiqte Aurelia me djalin, i kërkoi asaj në mënyrë ultimative, të mos vinte më në burg dhe bashkë me familjen, përfshi Xhakominon, të ktheheshin në Itali, përndryshe, nëse një ditë polici do e njoftonte, se ka ardhur gruaja të të takojë, ai do t’i jepte fund jetës me vetëvrasje ?!
Përballë këtyre dy alternativave ultimative, si grua me mend dhe dinjitet, plus instinkti për të shpëtuar djalin, dhe me shpresë të paktën té Zoti , se si i pafajshëm , bashkëshorti i saj një ditë do të lirohej, e do të kthehej në vendin e tij pranë familjes , zgjodhi variantin e parë, atë të kthimit të të gjithëve në Itali !
Xhuzepen, jo vetëm nuk e liruan, por rreth tre vite pas ikjes së tyre, më 1952, u mësua, se ai kish ndërruar jetë në burg, gjoja i sëmurë, edhe pse ishte me trup atleti, i shëndetshëm, e i pa sëmurur kurrë, madje i fuqishëm si një burrë, që sapo i kish mbushur të 50-at ?!
Duke njohur mirë kryekriminelin më të madh shqiptar të të gjitha kohërave, që vrau me dhe pa gjyq 6000 burra dhe 500 gra, si edhe burgosi e internoi dhjetra -mijra të tjerë, është me vend të besohet, se si paranoiak i përkryer dhe hakmarrës i pamëshirshëm që ishte, ai siç kish bërë rëndom qysh gjatë Luftës e deri sa edhe vdiq, me shumë nga të afërmit, miqtë, shokët dhe bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët më të ngushtë , të ketë urdhëruar , eliminimin fizik me metoda “shkencore”, nga ndonjë mjek i tipit më famëkeq nazist, ekstremist , si Dr. Josef Mengelé i Aushvicit ?!
Dhe ja, 45 vite më pas, Xhakomino Pozelli me nipin, djalin e motrës, pra Aurelias, Aldo Xhuzepe Renato Terruzin, rikthehen në Shqipëri, ku sapo ishte shembur regjimi diktatorial dhe kishte fituar Demokracia !
Këtu fillon pjesa e dytë e kësaj historie, të denjë për roman kadaréan, apo film Hollywood-ian !
I porsa emëruar Shef i Pritjeve Qeveritare dhe Diplomatike në Hotel “Dajti” në Tiranë, fill pas vendosjes së pushtetit demokratik, shpesh ndodhesha në pozitë të vështirë për sistemimin, apo akomodimin e delegacioneve të shumta, nga institucionet ndërkombëtare, që po vërshonin çdo ditë e më tepër në Shqipërinë e pas diktaturës , ku siç dihet , mungesa e hoteleve dhe restoranteve ishte një plagë e trashëguar nga regjimi mjeran e karikaturë dhe të gjithë ambasadat, ashtu si edhe institucionet tona, donin me çdo kusht Hotel “Dajti”-n !
Lidhjet dhe miqësia me ambasadorët dhe diplomatët kryesorë, vinin duke u forcuar, por Rajerson, Daulong, Fëlers, Nesh, For dhe veçanërisht Foresti, ishin miqtë më të mirë !
Një paradite vjeshtore, ambasadori Foresti dhe një nga diplomatët kryesorë, Pier Xhorxho Ramundo Orlando, më vijnë në zyrë dhe teksa porosita kafetë, duke e njohur vështirësinë e prenotimeve në “Dajti”, më kërkuan si nder, t’iu siguroja dy dhoma të mira për dy miq të tyre. As që diskutohet, iu thashë dhe mos m’a dini fare për nder, vetëm më thoni një emër, që t’ia përcjell recepsionit .
Pozelli, tha Ramundo!
Xhakomino ? E pyeta unë.
Si mundet , ku e di ti?
Si nuk e ditkam unë, kush ishte heroi ynë i Ballkaniadës së Futbollit të 1946-ës! Pastaj , nëna ime vlonjate, bijë e Agallinjve më ka treguar historinë e dhimbshme e tragjike të Aurelias, italianes, vajzës më të bukur të Vlorës , familja e së cilës, ishin njëkohësisht miq me Kokoshët, Velajt, Haxhinjtë, Sharrajt, Agallinjtë, Vlorajt , Qemalët, etj., etj .!
Sa e vogël pra ishte Bota!
Dhe kështu, i prita dhe bëra sa munda, t’i ndihmoj dajë e nip, në qëllimin e rikthimit të tyre, me një mall dhe brengë të madhe, se si do e gjenin Shqipërinë dhe miqtë e tyre pas 45 vitesh dhe nëse do mundnin t’i gjenin dhe ti kthenin në Itali, eshtrat e Xhuzepes ?!!
Ajo që më bëri më shumë përshtypje dhe që do të më mbetet e pashlyer në mendjen time, është dashuria dhe sinqeriteti i tyre, ku dallonte qartë se ata kurrë nuk e identifikuan Shqipërinë dhe shqiptarët, me regjimin kriminal të hakmarrësit diktator pervers, Enver Hoxhës, që i’u kish shkaktuar tragjedinë e rëndë familjare të tyre !
Aldo, që e kujtonte si në mjegull të atin e burgosur, ishte rritur me tregimet e pareshtura të së ëmës dhe dajës, për Shqipërinë dhe shqiptarët , që i kishin dashur aq shumë, por edhe me pengun e madh dhe brengën e thellë në shpirt, se eshtrat e të atit kishin mbetur diku aty , në baltën e kuqe , pranë Burgut të tmerrshëm politik të Burrelit?!
I ishte betuar së ëmës, se edhe me ndihmën e dajës, do të bënin të pamundurën një ditë, kur edhe të rrëzohej diktatura, do të ktheheshin në Shqipëri, ta gjenin varrin e babait dhe eshtrat e tij, të preheshin në atdheun e vet, Itali !
Ende té né nuk kishin hyrë celularët, por unë me angazhimin më të madh, për t’ia plotësuar dëshirën Xhakominos, që mezi priste t’i takonte pas gati 45 vitesh miqtë e hershëm, i njoftova të gjithë ata që ishin gjallë dhe iu bëra ftesë për në Hotel Dajti, ku në rininë e tyre, sidomos pas fitores së Ballkaniadës, vinin shpesh!
Çfarë emocionesh, teksa u takuan si vëllezër të asaj dashurie të pastër si kristali, apo si lotët në sytë e tyre …!
Më pas vajtëm në Stadium , aty ku edhe ishin shpallur kampionë të Ballkanit, si edhe u pritëm nga Sekretarja e Shtetit, Marieta Pronjari – Zaçe dhe Kryetari i Komitetit Olimpik Shqiptar, z. Jorgoni !
Djali i futbollistit dhe trajnerit të shquar, Xhavid Demneri, që nxori breza futbollistësh ndër më të mirët, gazetari i mirënjohur e pasionant, Fatmiri, (Mneri), i mori një intervistë të gjatë Pozellit, që shprehej me një modesti të admirueshme për veten, e plot dashuri për miqtë e tij, të njohurit e shumtë dhe sportdashësit !
Misioni i dytë i tyre, për të gjetur eshtrat e babait të Aldos, me gjithë predispozitën e pushtetit të ri Qendror e Lokal në Burrel , nuk pati sukses ! Aty té qershia , ku bëheshin ekzekutimet, apo varroseshin të burgosurit politikë që ndërronin jetë të torturuar, dërrmuar, sfilitur e sëmurë, ishte ngritur stadiumi i futbollit dhe ekskavatorët e buldozerët kishin copëtuar dhe shpërndarë skeletet e të mjerëve, që mund të ishin me dhjetra !
Aldo, edhe pse i kuptonte vështirësitë, kishte të drejtë të këmbëngulte për kërkimin, që zgjati me ditë të tëra, aq më tepër që eshtrat dhe premtimin e amanetin e nënës, nuk e treste as dheu !
Duhet vlerësuar, që kudo ku shkuan ata u shoqëruan nga Toli Arapi, djaloshi i palodhshëm vlonjat ( me miqësi familjare me Pozellët), i cili ishte pjesë e stafit shqiptar në Ambasadën Italiane .
Kështu u larguan, por me kokën pas nga Shqipëria e jonë dhe e tyre, me nostalgjinë dhe brengat, ia kishin mbërritur vetëm gjysmës së misionit të tyre!
Dhe për Xhakominon, kjo do të ishte hera e fundit, që preku vendin e shqiponjave, të cilin e deshi aq shumë, ndërsa Aldo do të vinte dhe besoj do të vijë përsëri , me shpresën që vdes e fundit …!
Tani, ishte rradha ime të shkoja në Itali me mision, por ndryshe nga ata, misioni im ishte shtetëror e diplomatik !
Kryeministri, Prof. Dr. Sali Berisha, më kish emëruar Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Milano, pra në Republikën Italiane (Shef i Misionit Diplomatik atje ) !
Ishte një ëndërr e kahershëm e imja dhe pasioni i jetës, që m’u realizua vetëm falë Demokracisë!
Dhe telefonatën e parë nga zyra , aty në Piazza Duomo, ku ishte Konsullata jonë e Përgjithshme dhe ku Flamurin Kombëtar, bashkë me Emblemën e Republikës, e vendosa menjëherë, që të shquanin nga larg, e nga të gjitha anët e rrugëve kryesore, të cilat, të nxirrnin në Shesh, ia bëra Xhakominos, lidhjet me të cilin, nuk i kisha prerë kurrë!
U gëzua së tepërmi dhe këmbënguli ta vizitoja sa më parë, se po i afrohej 85 – ve dhe kishte probleme me zemrën!
Siç dihet, Konsullata e Përgjithshme në Milano, ishte më e madhja dhe më e rëndësishmja, që kish Shqipëria !
Në Itali jetonin e punonin qysh nga 1990-ta, rreth 500.000 shqiptar dhe çdo ditë 100-150 syresh , paraqiteshin për probleme të ndryshme, që kërkonin zgjidhje, pa dashur të dinin, se ishin aktivitetet, takimet, mbledhjet, bisedimet me autoritetet më të larta shtetërore, me 109 homologët e mij në Milano, pritje përcjelljet në aeroport të krerëve të Shtetit, Parlamentit, Qeverisë e Diplomacisë sonë, takimet me Shoqatat e shumta të bashkëkombësve tanë, problemet e tyre në burgjet italiane, Nulla Osta-t e vdekjeve, legalizimet, prokurat, leje-kalimet, pritjet gati çdo 2-3 netë për festat kombëtare të vendeve të tjera, shoqërimi i delegacioneve politike, ekonomike ( si ai i Presidenti Lombard, Roberto Formigoni me 180 industrialistët dhe biznesmenët më të mëdhenj të Italisë së Veriut ), e kulturoro – sportive (si ardhja e Milanit të madh të Berluskonit ) etj., etj. , ma vonuan pak vizitën për té Pozellët, në Orbetellon e bukur, fare pranë Grossetos !
I njohur më së miri në Itali, ku jetoi me vite, gazetari i spikatur dhe regjisori e producenti i suksesshëm i filmave, Namik Ajazi, përfaqësues dhe organizator i Festivalit ‘Giffoni’ , fitues çmimesh ndërkombëtare, djali i të famshmit intelektual demokrat, atdhetar e anti -komunist, Beqir Ajazi , ish-nxënës i Liceut Francez të Korçës, ku ish njohur dhe e kish ndihmuar me çdo gjë, mosmirënjohësin ekzemplar, Enver Hoxhën , dhe u “shpërblye” prej tij, me vite të gjata burgimi politik, (megjithatë, fatmirësisht i shpëtoi plumbit madje), i cili i mbijetoi burgjeve dhe jetoi gjatë edhe në Demokraci . Namiku është njëkohësisht, bashkëshort i gazetares së njohur Majlinda Bregu – Ajazi, tip Lilli (Dietlinde) Gruber, që ishte deputete e Partisë Demokratike, ministre e Integrimit dhe zëdhënëse e Qeverisë Berisha, (aktualisht , Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal në Ballkan), me të cilët e forcuam miqësinë, edhe ngaqë punoi si asistente e saj për 8 vite, vajza ime e vogël, Brikena !
Ardhjen e tij në Itali, së bashku me operatorin e talentuar e të palodhur të RTSH -së, Ylli Agovi, e shfrytëzova për t’iu propozuar realizimin e një emisioni special për Xhakominon, propozim , të cilin e pranuan plot kënaqësi !
Shkuam dhe u pritëm me gëzim dhe emocion të madh nga Xhakomino, zonja e tij, vajzat, dhëndurët dhe patjetër Aldo!
Bujari tipike shqiptaro – italiane, në atë drekë dhe atë ditë të paharruar, që Xhakomino e përjetoi me emocion të veçantë!
Pas bisedave të gjata e të përzemërta plot kujtime e nostalgji, teksa po perëndonte dielli dhe po binte muzgu, iu kërkuam leje zotërve të shtëpisë, që na përcollën me lot në sy…!
Disa javë më pas, me probleme kardiake prej kohësh, zemra e madhe e këtij njeriu të mrekullueshëm, ndali së rrahuri!
Nderimi më i madh për Xhakomino Pozellin, u bë më 11 Shtator 2007, kur para fillimit të ndeshjes së futbollit Shqipëri – Itali (Shpresat në Durrës, fituar nga miqtë, me gol të Acquafresca), transmetuar live nga RTSH dhe RAI, me vendim të gjyqtarit kryesor, ndërkombëtarit austriak, Robert Schörgenhofer, u mbajtën , jo 1, por 2 minuta heshtje, 1 si italian dhe 1 si shqiptar ! (unikale kjo) !
Këtu u kapërcye një moment delikat, mbasi burokratë të Federatës Italiane, për arsye të paqarta, po hezitonin për heshtjen 2 minutëshe, ndaj u lidha menjëherë në celular me kryeministrin tonë, Prof. Dr. Sali Berishën, i cili bisedoi me kryeministrin Italian, Prof. Romano Prodin, dhe çdo gjë u zgjidh ashtu si duhej ! Gjatë 2 minutave heshtje në stadium, telekronisti i madh dhe miku im, Bruno Pizzul, lexoi një CV të Pozellit, përgatitur nga unë dhe Italia (por dhe mijra shqiptarë, andej e këtej Adriatikut ), mësuan të vërtetën e jetës së një njeriu të mrekullueshëm dhe futbollisti legjendë e portës shqiptare, Kampion i Ballkanit !
Revista kryesore televizive e orës 20.00, transmetoi një Speciale (rreth 10 minuta) kushtuar, Xhakominos tonë, ilustruar me fotografi të shumta dhe sekuenca nga dokumentari i pasionantit Namik Ajazi, gazetar, regjisor dhe producent i njohur !
Ndihesha i lehtësuar atë mbrëmje shtatori, pas nderimeve dhe homazheve, më se të merituara, për një italian, i cili e deshi Shqipërinë, po aq sa edhe Italinë e tij! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016