Nga Sokrat Shyti
Pjesa e pesëdhjete shtatë
Memorie.al / Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio-difuzion (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç Radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Ditët e pushimit pranë nënës dhe motrës, të ndërthurura me vajtjet e herëpashershme në Lushnje, për të shëtitur e argëtuar me të fejuarën, kaluan këndshëm. Gjatë kësaj kohe u mora me disa rregullime të brendshme dhe sistemimin e oborrit. Porosita Nelin të gjente kallama, dhe të dy bashkë thurëm gardhin e jashtëm, i cili nga ana veriore kufizonte oborrin me rrugën e fshatit, ndërsa në lindje formonte vijën ndarëse me yrtin e fqinjit.
Për t’i shprehur mirënjohjen vetjake dhe familjare të Plotfuqishmit, shkova enkas ta takoja dhe përshëndesja, e pyeta për shëndetin e fëmijëve dhe gruas, në fund i kërkova mendim; si mund ta sistemoj gropën septike brenda mundësive të mia, që të mos tej mbushet dhe të dalin ujërat e zeza mbi sipërfaqe. Ai u zotua se do merret vetë me këtë çështje, premtoi që edhe sot mund të bisedoj me përgjegjësin e Komunales. Vërejtjen time jo vetëm e vlerësoi të dobishme, por dhe më falënderoi që ia vura në dukje, duke patur parasysh se ngrehina e shtëpisë time, gjendet buzë rrugës kryesore të fshatit, ku reshperojnë kalimtarë dhe makina, ndaj si e tillë bie menjëherë në sy.
Ai premtoi gjithashtu të bisedonte shtruar me kryetarin e lokalitetit, që Komunalja të bijë një sistem drenazhimi enkas për ujërat e zeza të këtij blloku ndërtesash, që të lidhen me kanalin përtej xhadesë, i cili i depoziton të gjitha derdhjet në kanalin e madh. – “Me këtë zgjidhje shpëtojmë të gjithë një herë e mirë, – theksoi ai i kënaqur. – Por hëpërhë duhet domosdoshmërish që gropa septike të izolohet me mure e kapak betoni, që makina e fekaleve të ketë mundësi nga rruga ta boshatisë me tubacione”.
Pastaj më pyeti si po i shtyja ditët me bujqit dhe blegtorët e NBU-ve.
– “Si fillim jo keq, – i thash unë. – Merrem me organizimin e veprimtarive kulturore. Shkoj nëpër parcela, ku punojnë, u lexoj gazeta e revista ushtarëve. Përveç lajmeve kryesore, me miratimin e komisarit, kemi përzgjedhur disa tregime humoristike nga revista ‘Hosteni’, që vënë në lojë e godasin të metat e shoqërisë tonë, dhe pëlqehen nga ushtarët”.
– “Komisari yt me siguri ka thënë: kush ma pruri mua këtë peshqesh! Se ti jo vetëm përzgjedh shkrimet dhe pjesët, por ua lexon dhe bukur, që ata kënaqen. Komisari me vajtjen tënde bënë pallë ariu, i pjelle kaposhi! Ai ka më shume nevojë për ty, se ti për mbështetjen e tij”.
– “Për mua ka rëndësi që merrem me lexime, dhe në njëfarë mënyre jam i pavarur, nuk vritem në punë për të plotësuar normën. Komanda më vlerëson – i thash unë. – Por për të mos mbajtur asnjë përgjegjësi mbi vete, pasi caktoj tregimet humoristike, ia vë përpara mbi tryezë komisarit, duke i thënë: zgjidhni ju cilin te lexoj sot, nesër, pasnesër…e kështu me radhë. Shënoni numrin përsipër. Këtij i bëhet qejfi. Kur vjen bashkë me mua, gjatë leximit shkrihet ky i pari së qeshuri, dhe pas tij gajasen ushtarët…”!
– “Pse s’thua bëke estrade për ditë”!…shtoi i Plotfuqishmi mjaft i kënaqur, që punët në ushtri po më ecin si vaji në lakra. – “I thuaj motrës që sa herë të kenë nevojë për ndonjë gjë, le të shkojë tek Dhoksa pa pike druajtje, që ime shoqe të më vëre mua në dijeni. Se ti e di: Dhoksa nuk të shqitet pa ia plotësuar porosinë”!
Pasi e falënderova për kujdesin e treguar dhe gatishmërinë e tij, u përshëndeta duke i thënë t’i përcillte të shoqes dhe fëmijëve të falat e mia. Ishte mrekulli që i Plotfuqishmi i zonës rastisi miku i familjes tonë, mbështetës dhe përkrahës i papërtuar, që dinte të zgjidhte e përdorte me zgjuarsi e shkathtësi mënyrat më të suksesshme për të na ndihmuar, pa rënë në sy!
Kur u ktheva në shtëpi i tregova nënës për takimin dhe bashkëbisedimin me Petron. Kësaj iu bë qejfi që gjeta
kohë t’i shprehja falënderimet për kujdesin e vazhduar ndaj nesh, duke shtuar se ai dhe e shoqja, janë njerëz të sajdisur, më dërgojnë shpesh herë të fala. Pastaj u kujtua të thoshte se sot na ka ftuar familjarisht Shaja për drekë, me që vjen Lika.
– “Erdhi vetë ta tha, apo dërgoi Nelin”? – e pyeta unë.
– “Fluturonte nga kënaqësia kur më njoftoi! Për Sokratin tënd jam gati të jap jetën time, pasi falë tij jemi gjallë e, po ushqehemi!… – më tha duke më përqafuar. – Për sa i takon drekës, që do t’ju shtrojë, mos e zërë fare me gojë, pasi ajo është vetëm një pikë ujë, në krahasim me mirësinë e madhe, që na dhuroi mua dhe Nelit!… Për mua në veçanti, dhe për ne, si familje, ore bir, e quaj fat të madh të miqësohemi kaq shumë me këtë grua zemërartë dhe djalin e saj punëtor të papërtuar”!…
(Arqelinit i la mbresa të jashtëzakonshme ngrohtësia dhe dashuria fisnike e kësaj gruaje të mrekullueshme, së cilës i qeshte çdo pore e qenies, deri tek flokët e gjatë të dendur, që i mbante gjithnjë të mbledhura poshtë shamisë së zezë! Ajo na shërbente me kënaqësi e shikim hyjnor, e pështjelluar me përlotje gëzimi! Isha i bindur se kjo grua zemërartë, për herë të parë përjetonte një gëzim madhor me këto përmasa tronditëse, teksa e shihte vatrën e shtëpisë të mbushur me njerëz të çiltër e të dashur, dhe e përfytyronte nënën Anë, si nënën e saj! Ndaj i dukej mrekulli dhe habi, që i ra ky shans kaq i mbarë, dhe qerthullohej nga ndjesi të ëmbla, të pashtershme!
Herë pas here gajasej së qeshuri, sa mend mbytej, kur e ngacmoja për martesën e dytë me plakushin gërxho, dhe i kërkoja të imitonte zërin lutës të burrit me mustaqe deri tek veshi, që e thërriste t’i shkonte pranë. Ndërsa kjo bënte mos e gjente shkak, merrej me pune të ndryshme. “Por kot lodhesha…! Sepse në fund s’kisha nga t’ia mbaja, mbyllja sytë, dhe i thosha vetes: sado të mundohesh do t’i dorëzohesh, pasi ky fat të ra për pjesë, o Shaje!…”- ma kthente duke qeshur me sy të përlotur. Burrin e saj të parë, asnjëherë s’e zuri me gojë dhe nuk e përmendi. Kuptohej: ishte plagë pambyllur, që ende pikonte gjak, trembej ta gërvishte koriçkën!
Prandaj bënte mos e mundohej ta harronte gjëmën, që i ndodhi: si u braktis në mëshirën e fatit një grua me bukuri të rrallë, në moshën më të brishtë, për më tepër shtatzënë!? Sikur të mos mjaftonte ky ndëshkim mizor i llahtarshëm nga ana e tij, e goditi pamëshirshëm si rrufe, zakoni parak i prindërve, të cilëve çuditërisht u qe ngurtësuar zemra, dhe qenë tjetërsuar në egërsira të tërbuar, që zbojnë nga vetja këlyshet e tyre, i lëne në mes të katër rrugëve!..Shaja mbeti e shtangur, dhe nuk e besoi, që gruaja e moshuar veshur me të zeza nga Berati, nuk ishte nënë e zonjës Anë, por njerka e saj! – “Si ka mundësi që njerka të jetë kaq e dhembshur dhe e dashur, niset në palcën e dimrit me trastat plot me ushqime, të shohë vajzën e burrit, kurse nena ime e vërtetë, që më mbajti nëntë muaj në barkun e saj, me rriti e më martoi, nuk më qasi në shtëpi, kur ndodhi arratisja e tim shoqi”?!..,)
Dreka e përgatitur nga Shaja dhe djali i saj qe fantastike, me bukuri të rrallë dhe shije të larmishme: Aroma e bukës valë të misrit, e porsa pjekur, të joshte me avullin dehës. Zogjtë e pjekur poshtë çerepit, shkriheshin në gojë. Kosi me ajkë nuk derdhej nga kupa edhe kur e ktheje përmbys! Djathi i deles me njomështirën e kulloshtrës, shpërndante aromën e kullotës. Turshitë e përgatitur me erëza, të jepnin një shije të paprovuar më parë.
Rakia e ëmbël e manit, kishte diçka të veçantë, që ndryshonte nga pijet e tjera. Apo shurupi i mrekullueshëm i pekmezit, arrat dhe bajamet e qëruara. Ndërsa në fund yshmeri i mbytur në gjalpë e qumësht! Gjithë kjo begati e ndërthurur me mikpritjen e jashtëzakonshme, mbeti në kujtesën tonë për një kohë të gjatë! Arqelinit i bëri përshtypje përveç shumëllojshmërisë së ushqimit, (të cilin s’e gjeje në asnjë restorant të famshëm luksoz), edhe një hollësi tjetër: në pjatat e të fejuarve, qenë vendosur dy zogj të pjekur!
– “Pse ky dallim nga të tjerët”?…e pyeti ajo me druajtje dhe pëshpëritje të zonjën e shtëpisë, ngaqë i erdhi rëndë ta ndjente veten të privilegjuar.
– “Sepse ti dhe Sokrati jeni çiftuar! – ia ktheu Shaja duke qeshur lehtë. – Me që m’u dha rasti të flas për ju të dy, nuk kam drojë ta them përpara nanës. (Ajo përdorte të folurën e krahinës së Darsisë, që përfshinë kodrat e Dumresë): Bëji hyzmet siç duhet burrit tënd flori, se e ke me kimet dhe e more me dashuri!
(Përmes këtyre fjalëve, shprehu kënaqësinë e saj të jashtëzakonshme, që përpjekjet tona të mundimshme u kurorëzuan me fejese. Ndoshta në këto minuta, ka përfytyruar veten e saj në këtë moshë të brishtë, si u godit nga pabesia dhe trysnitë e skëterrshme të braktisjes, mbeti fillikat si barishte e shpërfillur në mes të shkretëtirës!…)
Për të shpërblyer ashtu si e meritonte mikpritjen e mrekullueshme, e fejuara ime u tregua mjaft e kujdesshme, i mori me kohë masat përgatitore, prej çastit kur Shaja shfaqi dëshirën se në njërën nga këto ditë, do jeni të ftuar familjarisht në kasollen time për drekë. Ajo shkoi enkas në dyqan dhe bleu për nënën Shaje sharp të zi krepsaten, bluzë të trashë dimërore, dhe shapka shtëpie. Ndërsa për Nelin e papërtuar, një këmishe të ngrohtë fanellate, shall e çorape. Nëna Shajes iu trondit zemra dhe i rrodhën rrëke lotësh nga kënaqësia e këtij vlerësimi. Ngaqë nuk mund të fliste, (sepse e pengonin ngashërimat në grykë), ajo e pushtoi të fejuarën time me krahët e saj, dhe e mbuloi me të puthura. Kjo skenë prekëse do të mbahej mend për një kohë shumë të gjatë.
(Shpirtmadhësia dhe dëshira e pashtershme e këtyre dy njerëzve të thjeshtë, nëne e bir, kaq të dëlirë e të mrekullueshëm, me veprimet e vullnetshme dhe pastërtinë e qelibartë u bënë pjese e natyrshme në të gjitha gëzimet dhe ngjarjet tona të ardhme!)
Kur ndodhesh pranë njerëzve të dashur, rrethuar me kujdes e vëmendje, dhe gjendesh në qendër të mendimeve të tyre, streset ndrydhëse e pakësojnë ndjeshëm forcën shtrënguese, dhe marrin përmasat e ëndrrave të këqija, që duhen flakur. Prandaj ditët e pushimit kaluan shpejt, sikur fluturuan, duke qenë të gatuar me larmi të dendur argëtimesh, sa asnjë minutë nuk mbeti e vetmuar, bosh. Por pas gjithë këtij argëtimi kaq të këndshëm, erdhi çasti i hidhur i largimit. Dhe menjëherë më ngacmoi përbrenda biseda e bërë me Engjëllin e Degës Ushtarake, para disa ditëve. Shtysa më tha ta takoja prapë, mos ndoshta ka diçka të re për të shtuar gjatë këtyre ditëve.
Prandaj shkova dhe njoftova ushtarin e shërbimit. Engjëlli doli fytyrëqeshur në platformën e shkallëve të jashtme, dhe pasi më shtrëngoi dorën më tha me pëshpëritje, se gjendja qe’ acaruar me tepër me fqinjën tonë jugore, janë shpeshuar ngacmimet, sa rrezik të përsëriten provokacionet e gushtit të vitit dyzet e nëntë!
Për t’iu përgjigjur kësaj gjendje, do bëhet mobilizim i përgjithshëm në rang Republike! Rekrutët e rinj të thirrur nën armë, do jenë me shërbim tre vjeçar.
– “Kështu që lëvizja e trupave merr përmasa alarmante. Përveç barinjve dhe bujqve, që do mbeten aty, pjesa tjetër e ushtarëve nga NBU – të do transferohet. Me ta do krijohen regjimente autonome. Besoj më shumë se kaq, s’të intereson. Bëj kujdes rrugës. Dy lejet, e daljes nga spitali dhe e qëndrimit pranë familjes, lëshuar nga Dega jonë Ushtarake, do t’i mbash bashkë në xhepin e jashtëm me kapak të kopsitur. Uniformën ta kesh të rregullt e të pastër, me qafore. Të uroj gjithë të mirat, dhe të priftë e mbara”! – tha ai duke me përqafuar.
Pas këtij bashkëbisedimi të shkurtër, që përforcoi kumtin e takimit të parë, u ndjeva më i lehtësuar, me këmbët në toke, u rrit ndjeshëm siguria e vetëbesimit të transferimit. Kjo gjendje shpirtërore më këshilloi të respektoja me përpikëri rregulloret ushtarake, dhe para së gjithash të paraqitem në kohën e duhur pranë repartit. Sepse shkelja sado e vogël, mund të sjellë pasoja të rënda, dhe më e keqja për mua, heqja nga lista e transferimit, që nënkupton shndërrimin tim në bujk e bari. Prandaj i thash Arqelinit, se do nisem me trenin e Shkodrës, deri në Milot. Dhe vazhdimin do ta bëjë me autobus, ose me kamionët e minierave.
– “Duhet të më kuptosh drejtë: për kushtet e krijuara…”!
– “Për cilat kushte”? – më ndërpreu ajo e shqetësuar, duke më vështruar me ankth.
– “Kam parasysh kohën e përcaktuar në leje, që s’duhet thyer asnjë minutë për të respektuar besimin e kolonelit, falë të cilit erdha në shtëpi, të gëzoj nënën dhe të kalojmë bashkë disa ditë mjalti”, – i shpjegova unë për të shpërndarë retë e zymta të dyshimit, dhe të mos shpresonte ta zgjatnim me disa orë lejen përtej cakut.
Ajo e quajti të drejtë arsyetimin tim. Ndaj të nesërmen vesha uniformën e ushtarit, hodha çantën e shpinës në krahë, (brenda saj qenë paketuar ushqime për rrugës, si dhe një shishe e vogël me raki mani), dhe shkuam në stacion një gjysme ore përpara mbërritjes së trenit. Për të mos tërhequr vëmendjen e kontrollorit të trenit, duke patur parasysh që në çdo tren ndodhet një polic, (përveç patrullës ushtarake me rastin e mobilizimit të përgjithshëm), bleva biletë deri në Milot, dhe dolëm në platformë.
– “Kush e di kur del ndonjë shans tjetër të vish me leje”… – tha Arqelini me sy të përlotur, duke psherëtirë thellë.
– “Në ushtri ka befasi dhe të papritura të çuditshme, – ia ktheva unë për ta qetësuar. – Ta merrte mendja që do shiheshim pa u mbushur tre muaj? Ja që ndodhi. Përse të mos e quajmë sot ditën e parë që po shkoj ushtar, sipas konceptimit të ri, modern, ku çdo rekrut i veshur me uniform, paraqitet vetë në repart? Po sipas këtij përfytyrimi, ka një udhëzim të posaçëm për ushtarët e fejuar, (meqë këta janë shumë më pak se gishtërinjtë e njërës dorë), bëhen përjashtime nga rregullorja e përgjithshme, jepen leje të herëpashershme. Sigurisht, kur e dëgjon për here të parë këtë mendim të tillë, të duket si ëndërr. Por ne fakt çdo realitet i paprekshëm, në fillim ka përmasat e ëndërrimit…” – shtova duke e përqafuar.
– “Se si më duket… – tha ajo sy përlotur. – Më kujtohet porosia e Shajes: ‘Bëji hyzmet Sokratit, se e kemi djalë me kimet’! Si do kujdesem unë për ty, duke qenë me qindra kilometra larg”?…
– “Ne kaluam peripeci disa herë me të dhimbshme, se sa kjo përcjellje në stacion të trenit. Atëherë nuk dinim çfarë t’i thoshim njëri tjetrit, trembeshim të shiheshim sy ndër sy nga pasiguria e të nesërmes. Kurse sot si të fejuar, dhe nesër të martuar, duhet të mësohemi me ndarjet e përkohshme, kur na detyrojnë kushtet e jetës. Duhet të jemi të kënaqur që synimi ynë kryesor u përmbush. Më duket sirena e lokomotivës…” – shtova sapo dëgjova fërshëllimën, duke u ngritur të dy në këmbë.
– “Si do më njoftosh se mbërrite shëndosh e mirë”? – pyeti ajo me vështrim kërkues.
– “Do ta gjejë një mënyrë”… – i thash unë, edhe pse e dija që ndërlidhja tek ne ishte gjëja më e vështirë, sidomos kur ndodhesh brenda repartit ushtarak. – “Ndoshta takoj rastësisht ndonjë udhëtar të njohur. Tani erdhi çasti të përshëndetemi deri në takimin tjetër… për takim tjetër?!
– “Në çastin që ndahemi nga njëri tjetri, ti mendon….” – pyeti ajo e habitur.
– “E për çfarë duhet menduar, kur përshëndet njeriun e zemrës përveç se t’i bësh thirrje dëshirës së shpirtit, të vijë sa më shpejt koha, për të qenë sërish pranë njeri tjetrit”?… – shtova unë duke e puthur dhe përqafuar. Dhe menjëherë u ngjita në vagon. Sa zura vend pranë dritares, ula xhamin të shiheshim më qartë. Sirena e trenit dha sinjalin e nisjes. Ne valëvitim duart, dhe vazhduam ta puthnim njeri tjetrin në largësi derisa shikimet tona u mjegulluan. Pastaj vumë në përdorim përfytyrimin, ku qenë regjistruar detajet e portretit, sidomos shprehjet e syve, ku derdhen gjithë ndjesitë.
Kur treni doli nga qyteti, ngrita xhamin e dritares, u mbështeta pas shpinores së ndenjëses, që të rehatohesha, me shpresë të dremitja deri në mbërritjen e stacionit të Milotit. Por për siguri i thash me mirësjellje fqinjit tim, një burri të moshuar, që kur t’i afrohemi stacionit të Milotit, të më përmendi nga dremitja, pasi aty do zbres. Ky me buzëqeshje ma ktheu te pushoja i pa shqetësuar. Dhe pa e zgjatur më tej muhabetin vazhdoi leximin e gazetës. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016