Nga Iljaz Çeço
–Iljaz Çeço dëshmon mbi polemikat për titullin e 1967-ës, kur u dënuan ‘Tirana’ dhe ‘Partizani;: “Dinamos” nuk ia heqin dot, Tiranën e mbështeste Komiteti i Partisë”
Memorie.al / Tri botimet e gazetarit të njohur Besnik Dizdari, veteranit të shtypit sportiv shqiptar, të para disa kohëve, rreth ngjarjes së bujshme në qershor të vitit 1967, ku u dënuan “17 Nëntori” dhe “Partizani”, nuk mund të kalonin pa reagimet e atyre futbollistëve, që i kanë përjetuar ato kohë. Një ndër ta, është edhe Iljaz Çeço, ish-kapiteni legjendar i “Dinamo”-s së asaj epoke, që fitoi titullin, kur bardhe blutë dhe të kuqtë u dënuan. Në një intervistë ekskluzive, ai ka një tjetër qëndrim për ngjarjen dhe nuk bie dakord me Dizdarin, se Tirana u dënua enkas, për t’i hequr titullin dhe se nga kjo padrejtësi, përfitoi “Dinamo”. Çeço thotë se; gjërat duhet të vlerësohen për kohën dhe rrethanat kur kanë ndodhur, duke u fokusuar faktit se; trazirat që u shkaktuan, nuk mund të faleshin në atë sistem.
Iljaz Çeço, sot 76 vjeç, nis rrëfimin e tij, duke kujtuar ndeshjen e famshme të 24 qershorit 1967, ku ka qenë prezent në stadium. Ish-lojtari i famshëm i “Dinamos” dhe kombëtares shqiptare, tregon detaje të sherrit në fushë dhe tribuna, ndërsa është i bindur se; në këtë histori, nuk ka lidhje fare “Dinamo” në prapaskenë.
Dëshmia e Iljaz Çeços: “Ishte si luftë, nuk mund të tolerohej”
“Tirana’ dhe ‘Partizani’ u dënuan, sepse patën faj të dyja, por në këtë histori, nuk mund t’ia heqësh titullin ‘Dinamos’. Unë e mbaj mend shumë mire, çfarë ka ndodhur, pasi kam qenë vetë në stadium. Duhet të biem dakord për diçka, pasi kanë kaluar shumë vite, por në atë periudhë, ajo që ndodhi në ‘17 Nëntori’-‘Partizani’, nuk mund të tolerohej nga Komiteti i Partisë dhe gjithashtu Federata Shqiptare e Futbollit.
Kjo u nis që nga Komiteti Qendror i PPSh-së, pasi ngjarje të tilla, quheshin shumë të rënda për kohën, pasi nuk guxonte njeri t’i bënte. Përleshja mes lojtarëve, nuk është se erdhi papritur, pasi gjithmonë, ‘Tirana’-‘Partizani’, ka qenë një ndeshje luftarake dhe shpërthimin, e dha pikërisht atë 24 qershor, të vitit 1967. Në mos gaboj, fillimisht ka shënuar ‘Partizani’ dhe më pas ‘Tirana’ e ka përmbysur.
‘Dinamo’ ishte dy pikë mbrapa ‘Tiranës’ që kryesonte, përpara se ata të luanin me ‘Partizanin’. Në këtë mes, nuk kishte punë ‘Dinamo’, pasi ne’, luanim një ndeshje të fortë në Shkodër dhe barazuam.
Interesi ishte mes dy ekipeve rivale, si ‘Tirana’ dhe ‘Partizani’, ku pritej çdo rezultat. Dy tifozeritë, kanë qenë të acaruara dhe kishte të dhëna që; do të ishte një ndeshje me probleme, pasi sigurisht; kishte rëndësi të madhe edhe për vazhdimësinë e ‘Tiranës’. Çdo gjë u agravua në fushë, por ama pati skena, që nuk ishin parë, sepse përleshjet, nuk munguan as mes tifozëve. Kjo situate, i doli nga kontrolli edhe vetë policisë dhe ishte diçka e pabesueshme, për kohën.
Ishte si luftë dhe kujtoj që në atë ndeshje, ishin vendosur edhe disa shkallë druri, për tifozët dhe në një moment kërciti, duke krijuar një kaos të madh. Qetësia dhe vazhdimi normal i asaj ndeshjeje, morën shumë kohë, duke krijuar një ngjarje të paprecedentë për kohën që jetonim. Në atë periudhë, edhe ana politike, ishte shumë e nxehtë. Lufta kundër shfaqjeve të huaja dhe fletë-rrufetë, sapo kishin filluar.
Kjo u cilësua, një nga ngjarjet më të rënda për kohën. Kush guxonte të bënte skena të tilla, atë periudhë, prandaj dhe u mor ai vendim, sepse, nuk mund të krijoheshin lehtësira, për vetë situatën ku ndodhej vendi. Më duhet të kujtoj se situata ka qenë shumë e acaruar që para ndeshjes, me gjithë masat e marra nga policia. Shef i policisë në atë periudhë, ka qenë Qemal Balluku, vëllai i Beqir Ballukut, ish-ministrit të Mbrojtjes Popullore, anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së dhe njëkohësisht, zv/kryeministër i parë në kabinetin e Mehmet Shehut.
Madje, Qemal Balluku, në atë ndeshje, vinte rreth e rrotull stadiumit dhe sapo shikonte ndonjë tifoz që bënte gjeste jonormale, urdhëronte forcat e rendit dhe e nxirrnin jashtë. Acarimi nuk ka qenë vetëm në fushë mes lojtarëve, por agravoi edhe në shkallët e stadiumit. Shkelmat i nisën në fakt lojtarët e Tiranës”, kujton Iljaz Çeço.
“JA PSE LINDI, ACARIMI MES DY KLUBEVE”
Ish-mesfushori dinamovit, jep një arsye të fortë që, sipas tij, dy klubet e kryeqytetit, kanë krijuar një rivalitet të përjetshëm dhe ndeshja mes tyre, ishte më tepër çështje inati dhe pa e ekzagjeruar aspak, nga tifozeritë përkatëse, përjetohej si luftë.
Lidhur me këtë, Çeço kujton: “E gjithë revolta e brendshme e ‘Tiranës’, ka qenë për faktin se ‘Partizani’, u merrte atyre shumë lojtarë, si ushtarë. Këto shkëndija, nisën që në kohën e Panajot Panos dhe Luigj Bytyçit, (Bixhit), të cilët kaluan te ‘Partizani’. Me shumë vendosmëri dhe marrëveshje’ në atë periudhë, Pano nuk u kthye më te ‘Tirana’ dhe mbeti i kuq. Madje, në atë kohë, në lojë për të shkuar te ‘Partizani’, ishte edhe i ndjeri Skënder Halili, por ai si ushtar erdhi te ‘Dinamo’-ja. ‘Tirana’, nuk bëri zë, pasi kishte më shumë interes për Panon.
Në vitet 1961-‘62 mbaj mend që ‘Partizani’ i mori 5 lojtarë ‘Tiranës’, ndërsa edhe Ali Mema’ shkoi në Shkodër’ si ushtar dhe luajti me ‘Vllazninë’. E njëjta gjë ndodhi edhe me Fatmir Frashrin, që luajti me ‘Partizani’-n, pa harruar këtu Bujar Kasmin, që e dërguan në Skrapar, ku u aktivizua me ‘5 Shtatorin’ e atij rrethi për dy sezone.
Të gjitha këto lëvizje, ndezën një rivalitet të madh dhe ‘Tirana’-‘Partizani’, u bë më tepër një ndeshje inatçore, sesa kush do të fitonte. Por, koha tregoi se, gjithmonë ‘Partizani’ e ka mundur ‘Tiranën”, thekson ish-lojtari i famshëm i ‘Dinamos’ dhe përfaqësues shqiptare.
“VENDIM I DREJTË, U DISKUTUA EDHE ZBRITJA”
Por si e komenton Çeço, vendimin e kryesisë së FSHF-së, që bëri të pavlefshme ndeshjen ‘17 Nëntori’-‘Partizani’ 2-1 dhe përjashtoi të dyja skuadrat, tri javë para mbylljes së kampionatit. Ish-lojtari, zbulon se u diskutua edhe zbritja nga elita e ekipit kryeqytetas.
“Nuk ka qenë çështje që të jepej ky vendim në mënyrë që kampionatin ta merrte ‘Dinamo’. Ju garantoj se; klubi ynë’ nuk ka pasur lidhje fare me këto histori, në atë periudhë. Të flas me sinqeritet, Ministria e Brendshme në atë periudhë, nuk ndërhynte fare në situata të tilla. Por, ndonjëherë, ministria e Brendshme, kur kishte ndonjë arbitër që na kishin inat dhe nuk kishte mbajtur një gjykim korrekt, i paralajmëronte, që të na mbanin drejt.
Ne ishim si një i tretë, që përfituam nga dënimi i ‘Tiranës’ dhe ‘Partizanit’, por nuk mund të na mohohet ai titull. E ritheksoj që; u bë një ngjarje e madhe dhe na mblodhën të gjithëve, duke e konsideruar si shfaqje të huaj. Po të ndodhte ky rast në Gjermani, nuk do të ishte marrë vendim i tillë?! ‘Tirana’ dhe ‘Partizani’, u përjashtuan dhe ndeshja u konsiderua e pavlefshme. Ky ishte një vendim normal dhe nuk mund të themi tani, që u bë e qëllimshme për ‘Tiranën’.
Ka qenë një periudhë shumë e vështirë, pasi gjeste të tilla, nuk toleroheshin kurrë. Jam kundër interpretimit që i bën zoti Dizdari, në shkrimin e tij, pasi duket sikur është diçka anti-‘Dinamo’. Ishte një kohë kur’ vendimi ishte partiak. Për incidentet në ‘17 Nëntori’-‘Partizani’, u mblodh edhe Komiteti i Partisë, madje kujtoj që u diskutua edhe përjashtimi i skuadrave, duke i zbritur një kategori më poshtë. Por, nisur edhe nga fakti që bëhej fjalë për klube të mëdha dhe me mbështetje popullore, veçanërisht të ‘Partizanit’, u kalua me këtë dënim, pasi mund të ishte edhe më i rëndë.
Të flasim drejt, në atë kohë, kishim të bënim me një vend si Shqipëria, që dilte kundër social-imperializmit. E sigurt është që përjashtimi i ekipeve, nuk u bë për të favorizuar ‘Dinamon’. Nëse na ndodhte edhe neve, sigurisht që i njëjti vendim do të ishte, sepse ashtu ishte ligji. Në atë kohë, unë mbaj mend që u bë e madhe, edhe për faktin se shkruan mediat e huaja.
Di që shtypi i huaj, e kanë vlerësuar vendimin. Ka qenë një kampionat me 12 klube, që përfaqësonin në mënyrën më të mire, futbollin shqiptar, që sot i ka humbur totalisht tradita. Në një garë, ku dy klube përjashtohen, nuk është faji i ‘Dinamos’ që del e para. Nuk ka asnjë kuptim, që në këtë moment, t’i kthehemi një historie, kur është marrë vendim në bazë të rregullave, që ka pasur ajo kohë. Kjo është e gjitha. Kjo çështje u diskutua shumë.
Ku e dinte ‘Dinamo’ që do të ziheshin te ‘Tirana’-‘Partizani’ dhe do të përfitonte ajo?! Ne nuk fituam as në Shkodër, ndeshjen e radhës. Ka qenë kampionat me shumë rivalitet. Çfarë faji kishte ‘Dinamo’? Historia nuk mund të rishikohet dhe të ecet me rregullat e tanishme, ajo lihet ashtu’ siç është vepruar për kohën. Pse duhet të lihej kampionati nul?! Shumë prej atyre që flasin, pas 55 vitesh, kanë qenë në pozicione të larta në atë periudhë, por nuk e hapën gojën kur duhej, sepse e dinin shumë mire, që nuk mund të ankoheshin për një prej ngjarjeve që u cilësua si më e rënda”, kujton Çeço.
“RIVALITETI, NDËRHYRJET DHE FAVORIZIMET”
Duke kujtuar kampionatin e vitit 1967, Çeço tregon edhe për rivalitetin, mes klubeve kryeqytetase dhe akuzat për favorizim të ‘Dinamos’ dhe ‘Partizanit’ në atë periudhë kohe.
Lidhur me këtë, ai kujton: “Kalendari i ‘Tiranës’ ka qenë më i mirë në letër, por nëse humbte me ‘Partizanin’ dhe ne fitonim, atëherë dilte ‘Dinamo’ e para. Më pas’ ne luanim direkt ndaj ‘Partizani’-t. Unë sapo kisha ardhur te ‘Dinamo’-ja’ dhe konsiderohesha si talent për kohën. Fitova titullin e parë kampion, duke dalë edhe futbollisti më i mirë i atij viti, bashkë me Panon. Ne atë kampionat, mund ta fitonim titullin edhe pa u dënuar ‘Tirana’.
Megjithatë, ajo që nuk mohohet’ është fakti se; ka qenë një periudhë e mirë e ‘Tiranës’ me; Fatmir Frashërin, Ali Memën, Xhuxh Kazanxhiun, Niko Xhaçkën, Skënder Hykën, etj. Shumica e formacionit të ‘Tiranës’ që luajtën kundër ‘Partizanit’, ishin pjesë e të kuqve më parë, por mbaruan ushtrinë dhe u kthyen te ‘Tirana’.
Ky grup lojtarësh, që erdhën nga ‘Partizani’ te ‘Tirana’, i dhanë ekipit impuls të madh në ato vite. Në atë kohë, Ali Mema luajti në Shkodër dhe e mbajtën në pëllëmbë të dorës. Madje me humor thoshte: ‘Jam më mirë se në Tiranë’. Dua të them diçka që ishte realiteti i kohës sonë. Potencën e futbollit, e ka pasur ‘Partizani’, që nga Komiteti Qendror i PPSh-së dhe jo ‘Dinamo’. Ne ishim një Klub i qetë dhe mbas ‘Dinamos’ vinte ‘Tirana’.
‘Partizani’ kishte ministrinë e Mbrojtjes dhe Petrit Dumen, (Shefin e Shtabit të Përgjithshëm), por mbi të gjitha, kishte shumë tifozë në Komitetin Qendror. ‘Dinamo’, ishte një klub i qetë dhe nuk insistonte për të marrë lojtarë në skuadrat e tjera, si ushtar. Kanë ardhur futbollistë në atë kohë, si Hushi, Saraçi, Stringa, Taushani etj., por kurrë ‘Dinamo’, nuk ka imponuar gjëra të tilla.
Ne merrnim lojtarë që nuk i prishnin punë ‘Partizani’-t. Unë dhe Mehdi Zhega, erdhëm te ‘Dinamo’-ja, sepse mbi të gjitha, donim të shkolloheshim. Zhega, vazhdoi Merceologjinë. Pra, ‘Dinamo’ ka pasur intelektualë në përbërje dhe merita e Klubit, ishte që i shkollonte. ‘Tirana’ ka qenë gjithmonë në luftë me ‘Partizani’-n. Kur ka luajtur ‘Tirana’ me ‘Ajaksin’ në 2-2 e famshëm, më morën mua si përforcim’ bashkë me Zhegën. Luajtëm shumë mirë, madje asistin e golit, ia kam dhënë unë Zhegës. Trajner ka qenë Myslym Alla, i cili mbahej për batuta. Fatmir Frashëri’ i thotë: ‘Këta të ‘Dinamos’ janë çuna të mirë dhe shkojmë shumë mirë’.
Ndërsa Alla, ia kthen: ‘Ne e kemi të shkruar në ballë, që jemi kundërshtarë të përjetshëm të ‘Partizani’-t, ndërsa ‘Dinamo’, është si të derdhësh ujin nga mali i Dajtit dhe të të laget prapanica, te 15-katëshi’. Mendo se çfarë mentaliteti, ka qenë te ‘Tirana’ që në vitet ’70-të. Kujtoj shpesh duelet e Gëzim Kasmit, si mbrojtës i majtë dhe Panajot Panos, si sulmues. Lym Alla, ka marrë një mace dhe e ka fluturuar, ndërsa më pas, i është drejtuar Kasmit, me humor: ‘Kape urgjent, ja ku e ke Panon”, rrëfen 76-vjeçari.
“TIRANA, VAREJ NGA KOMITETI I PARTISË”
Çeço e mbyll me një krahasim, për mbështetjen që kishin tri ekipet kryeqytetase në atë kohë, nga udhëheqja, ndërsa, është totalisht kundër asaj që pretendojnë te ‘Tirana’ se; Partia nuk i ka trajtuar, si ‘Dinamon’ dhe ‘Partizanin’.“Kam dëgjuar shpesh, të viktimizohen nga ‘Tirana’ për atë periudhë dhe nuk më vjen mirë. Ca gjëra duhen thënë. ‘Tirana’ varej nga Komiteti i Partisë, që kujdesej enkas për Klubin Sportiv. Me urdhër të këtij komiteti, asnjë nga punonjësit e Klubit të Tiranës, nuk angazhoheshin në punë, siç bënin të tjerët, nga 5 orë në ditë.
Ata kërkonin shtëpi dhe e merrnin, ndërsa kishin të sigurt, punësimin si mësues fizkulture. I kishin të gjitha çfarë kërkonin. Kanë pasur një përgjegjës të sporteve në bashki, që i administronte dhe ishin më të privilegjuarit në të gjitha aspektet. Ndërsa unë te ‘Dinamo’-ja kisha probleme. Isha në gjimnaz dhe synimi ishte që të mbaronim shkollën dhe të zinim ndonjë punë. ‘Tirana’ i kishte të gjitha gjërat të sigurta, por në ndryshim nga ‘Partizani’, ata nuk kishin tifozë të thekur, në nivelet më të larta.
Pra, nuk kishin tifozë veprues, që të ishin shumë të dhënë pas ekipit, siç i kishte Partizani. Nuk e kishin vullnetin tifozët e ‘Tiranës’ për të bërë një ekip model, në një kohë që kishin të gjitha ndërmarrjet në kryeqytet në varësi të tyre. Pse nuk mund të bënin një klub si ‘Partizani’ me aq mundësi sa kishin?! Por nuk kishin tifozë…!
Pastaj ndryshimi ishte se ‘Partizani’ kishte tifozë fanatikë në nivelet më të larta, si: Kadri Hazbiu, Qazim Kondi, Llambi Peçini, Feçor Shehu, Rexhep Kolli, etj. Erdhi ministri i Brendshëm Hekuran Isai më pas dhe bënë kompleksin. Në vitet ‘50-’60-të, dominimi i ‘Dinamos’ dhe ‘Partizanit’ ishte total. Historia e titujve ka ndryshuar vetëm pas viteve ’90-të. Nëse marrim të mirëqenë teoritë e ‘Tiranës’, atëherë i bie që në vitet ’70-të, kur ‘Dinamo’ mori katër kampionate, urdhri i Partisë, që ne të mos merrnin pjesë në arenën ndërkombëtare, duhej të zhbëhej.
Si ta marrim këtë? Gjithë ai brez i ‘Dinamos’ dhe ekipit kombëtar u dogj. Kemi barazuar 1-1 me ‘Dinamon’ e Zagrebit, që kishte 7 lojtarë të Kombëtares kroate. Kemi pasur talente, por unë nuk mund të them sot, që Partia në atë periudhë, na favorizoi. Ja ky është një shembull që na dënoi si brez. Dolëm kampionë dhe nuk luajtëm dot në Kupën e Kampioneve me ‘Eintraht’ Braushvajgun.
Sigurisht më duhet të pranoj se edhe ministria kujdesej shumë për ‘Dinamon’, pasi ishin dashamirës me Klubin. Por, më pas stadiumin që sot quhet ‘Selman Stërmasi’ e mori Tirana, edhe pse me vendim gjyqësor është i Dinamos, pra i Ministrisë së Brendshme. E mori në varësi bashkia dhe ia dha klubit të Tiranës në përdorim. Bashkia duhet t’i trajtojë njëlloj të tria ekipet e kryeqytetit. Pse duhet të favorizojë ‘Tiranën’ me terrene?! Dinamo nuk ka një shtëpi edhe sot që flasim. Edhe atë që kishte ia mori FSHF-ja. Nuk mund të shikohet me syrin e njerkës ‘Dinamo’ dhe ‘Partizani”. Memorie.al