Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e pesëdhjetekatër
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Tash raporti i forcave ndryshoi, lukunia policore ngushtoi rrethin në formë patkoi, por Pali qëndroi stoik, me shufrën në dorë. Atëbotë më doli gjumi. Hodha sytë nga dritarja, por një tufë kishin zaptuar jatakun e Ali Trombës, dy shtretër larg meje dhe ma bllokuan pamjen. I pyeta ç’po këqyrnin aq të përqendruar, mos iu qe hedhur telave fatkeq, apo ndonjë depresiv ish vërvitur nga lartësia e tarracës?!
Si s’m’u përgjigj kush, dola në prag, po edhe ballkoni nxinte nga dhjetëra vetë. Hyra mes mizërisë që zbrisnin dhe ngjiteshin në katin e tretë dhe vrojtonin kureshtarë e të tensionuar, nga sheshi i apelit. Kur u ktheva andej, u gjenda para një skene të paimagjinueshme, që po rrekem ta përshkruaj bash siç m’u fiksua atë çast.
Sa më sipër, e kam nga goja e miqve të gjendur në vendngjarje, poshtë është autentike, ajo ç’ka pashë me sy, ngjarja më është stampuar në celuloidin ne kujtesës, sa s’besoj se do fshihen, gjer në vdekje!
Turma rrinin në distancë të heshtur, por numri shtohej sekondë pas sekonde. Teksa policët shpejtonin të mbyllnin meselenë, u ndanë në dy grupe. I pari nën drejtimin e Fejzi Liçaj dhe Medi Nokut, mësynë Palin, te tjerët ndërsyen të pranishmëve me britma:
“Vrap në fjetore apo në mensë dhe gati për punë”!
Presioni rriti tensionin dhe i egërsoi të dënuarit, sa s’po ua varnin më. “Shpërndahuni”, gjëmuan sërish policët, po s’ua vari kush. Ndërkaq, pranë gëmushës së ferrave, u zhvillua ky dialog:
“Po u ktheve vullnetarisht në birucë, s’do kesh pasoja”! – gënjeu Fejzi Liçaj.
“I pari që do afrohet, do ta paguajë me jetë”! – u hakërrye Pali.
“Po të paralajmëroj për herë të fundit, dorëzohu”! – ulëriu Fejziu.
“Davidi” me levë, ballë “Goliatit” me katër krerë, kjo skenë apokaliptike, po shtjellohej para syve tanë. Cili do mposhtej vallë!? U mbush sheshi, të tjerët zaptuan ballkonet dhe dritaret me sy të ngulur mbi amfiteatrin spaçian, ku ca aktorë po loznin aktin final të teatrit absurd, duke lëvizur si marioneta.
Të gjithë mbështesnim Palin, por zgjodhëm heshtjen. Në një çast humba mendje, Mediu sulmoi Palin, por leva e plandosi përtokë. Atëbotë britma e spiunit ushtoi lugut të përroit dhe gjindja mbajtën frymën, madje ngrinë edhe policët. U sul Fejziu me të tjerët, por shufra vringëlliu dhe kapelat u vithisën në themel.
Lukunia policore rrethoi Palin, që u hutua apo e zuri gjaku, e bllokuan krahësh dhe e tërhoqën zvarrë mbi inerte, gjer përfund sheshit, ku turma e panumërt ua hoqi duarsh. Të mësuar prej tridhjetë vjetësh të dhunonin lirshëm, pa hasur kundërvënie, sepse edhe ndonjë rasti sporadik, i ishin përgjigjur në grup, duke ndëshkuar egërsisht çdokënd që kish guxuar t’iu dilte ndesh, ushtarakët u tulatën të trembur.
Duket këtë herë u derdh kupa e durimit dhe barrikada njerëzore e prirë nga Jorgo Papa, Dash Kazazi, Pavllo Popa, Muharrem Dyli, Hasan Llibo, Pandi Sterjo, Sulo Veshi, Rexhep Lazri, Fadil Dushku, Haxhi Bena, Dervish Sulo dhe shumë të tjerë, që për shkak të rrëmujës në shesh dhe të kallaballëkut në ballkonin ku kisha zënë vend, s’munda t’i fiksoj, u përleshën ashpër.
Kohorta e lirisë e shkallmoi skotën policore dhe i dëboi me bishtin ndër shalë. Në dijeninë time, një revoltë kaq masive, ndodhte për herë të parë. Në vitet e burgut, rastisa në kundërshtime individuale të një, apo dy apo tre vetave, siç jam dëshmitar i ndëshkimeve të së njëjtës natyrë, por tentativat për rezistencë shuheshin, sapo policët iu kundërviheshin dhe mjerë i mjeri që iu binte në dorë, do hiqte picirin dhe s’do ta harronte gjersa të ishte, nëse do mbetej i gjallë.
Kjo plojë s’ngjiste me asnjërën, qoftë nga përmbajtja, qoftë nga forma. Të burgosurit i dehu aroma e lirisë! Sfiduan shtetin dhe mposhtën policinë, që i kish dhunuar e vrarë për tridhjetë vjet. Të vjetrit më kishin rrëfyer për ngjarjet e mëparshme, për kuturi individuale me shkaqe banale, si kundërshtim i ndonjë polici kapadai, që synonte të plotësonte tekat apo, kur ndokush tentonte arratinë, nëpërmjet konfuzionit spontan.
Por kjo ishte e motivuar. Mbrojtën jetën dhe dinjitetin e bashkëvuajtësit që dhunohej faqe të tjerëve, për tekat e një operativi shpirtzi dhe të disa policëve xhahilë. Ata na shihnin si sende, kafshë pune apo, numra rendorë që plotësonin shumatoren dhe justifikonin rrogat që merrnin, pa iu rënë ndër mend se mund të revoltoheshim, aq më pak të kundërshtonim në unison, sepse iu qe tiposur se do ishin përjetësisht në pushtet dhe do t’iu gëzoheshin privilegjeve që rridhnin nga rroba ushtarake, deri në daljen në pension.
Veten e konsideronin senatorë dhe neve skllevër, gati-gati qenie amorfe, me të cilat mund të bënin ç’të donin, të na shisnin, të na blinin, madje të na copëtonin dhe të ngopnin egon kafshërore. Solidariteti i “skllevërve” që rrallë ndodh, i shfryu si tullumbace të shpuara kapadainjtë e ngrehosur si gjela, që morën nga sytë këmbët të tmerruar dhe s’u panë nga vanë. Në Gurth Spaç, ndodhi e pabesueshmja, të burgosurit përdhosën shtetin!
“Tarti”, qeni i birësuar nga Fiqiri Muhaj dhe i rritur me ne, qëndroi bri Palit dhe i xhallaviti për këmbësh, për krahësh, nduku me dhëmbë çdo cep rrobe ushtarake, kudo shfaqej. Pas afër pesë minutash, policët humbën “lavdinë” dhe u tërhoqën të rrahur e të zgërlaqur për ibret, duke lënë peng kapelat me yll, të cilat i shqeu çikrra-çikrra “Tarti”, me dhëmbë.
S’mund të them saktësisht cili ngriti dorën i pari edhe pse s’isha më larg se njëzet metër. Po më është fiksuar momenti kur Pavllo Popa thirri: “Turp, na koriti ‘Tarti’ burra dhe ne rrinë sehirxhinj, kur na dhunojnë shokun”! Muharrem Dyli qëlloi policin pranë, shokët iu sulën të tjerëve dhe plasi zallahia. S’bëhet qorri, kur të dhunojnë të ngjashmin, para sysh!
Shpesh më ka ndodhur të më lidhnin pas shtyllave me tela bari, më kanë rrahur me hunj, më kanë sakatuar dhe gjakosur, më kanë shtrirë mbi borë apo, mbi llucë dhe më kanë hipur me kundra e me thumba mbi shpinë, etj., por kurrë s’jam indinjuar sa atë ditë, kur dhjetë ushtarakë mësynë një qyqar të uritur dhe të rraskapitur, mbas tri muajsh izolim.
Të njëjtën ndjenë gjithë bashkëvuajtësit, që pa përfillur pasojat, iu sulën policëve të revoltuar, shpëtuan shokun nga thonjtë e katilëve dhe nisën revoltën. Për shkak të largësisë kohore, mund të kem harruar emrat e shumë bashkëvuajtësve apo, të kem lajthitur detajet, sepse ngjarja rrodhi shpejt dhe mishmashi nuk zgjati, por kurrsesi s’më shlyhen nga kujtesa Fejzi Liçaj dhe policët, kur dolën të tmerruar, pa kapa.
Ngado ta shohësh përplasjen, i ngjet një revolte spontane. Qoftë konfrontimi fizik, qoftë shpërthimet emocionale, erdhën si pasojë e dhunës dhe e urrejtjes së akumuluar prej dhjetëvjeçarësh.
Xhahilët ishin mësuar të shkelnin edhe rregullat që kishin miratuar vetë dhe t’i shfrytëzonin mizorisht të dënuarit politikë, i keqtrajtonin, i keq ushqenin, i keq vishnin, i lidhnin pas shtyllave me tela bari, i torturonin dhe i izolonin në biruca, edhe kur ishin të sëmurë, i mbanin në miniera dy turne edhe kur norma nuk realizohej për faj të tyre, u ndërprenë korrespondencën, u reduktuan takimet me familjarët, u kthenin mbrapsht pakot me ushqime, u fshinë ditët e pushimit, që iu njihte ligji nga kalendari. Normale, do plaste një ditë, por s’e mendonin se do kishte zanafillë, një incident banal.
Gjithsesi, historia botërore njeh një kapicë rastesh të ngjashme, sepse çdo regjim, sado i suksesshëm, e ka një fund, sidomos komunizmi që u ngjiz mbi gënjeshtrën kolektive dhe prodhoi zhgënjim kolektiv. Vizionarët e burgjeve politikë, e parapanë rrënimin, paçka se krerët e kohës s’e shihnin fundin dhe ishin betuar ta lanin me gjakun e qindra martirëve.
Atë ditë liria e sfidoi krimin, këputi litarin që tendosi regjimi dhe shpërtheu kraterin e vullkanin të nëndheshëm, që e mendonin të shuar! Disa minuta pas ngjarjes, në kamp hyri Shahin Skura, shoqëruan nga një oficer shalok, që siç mësova ishte shefi i Zbatim-Vendimeve Penale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Sulejman Manoku.
E çuditshme?! Prezenca e tij brenda pak minutave, ndoshta në momentin kur ndodhi ngjarja, ka qenë në komandë ose, do ketë ardhur qëllimisht për ta stimuluar. Edhe sot, dyzet e pesë vjet prapa, s’e shpjegoj dot, misterin e asaj pranie!
Dy eprorët u rrekën të negocionin, por pakogjë arritën; përveç paprekshmërisë së tyre dhe të policëve, që s’qenë pjesë në eskortën ndëshkimore, si dhe garancisë se turni i parë do dilte në punë, Pal Zefin s’e rikthyen dot në qeli, as grushtuesit e policëve, s’i neutralizuan dot. Ndërhyrja sikur ktheu një farë rregulli, po qetësia e brishtë, mund të perceptonte nga çasti në çast.
Teksa mbaroi ndarja e gjellës, turni i parë u rreshtua të porta hyrëse e minierave. Policët s’ngulmuan si përherë, ndaj pjesës që s’u paraqitën për punë, mbase i trembën përmasat e revoltës apo, kështu i udhëzuan drejtuesit e kampit, ose ata më lart. Siç rrodhën ujërat, ata lart synonin përçarjen, për të ndërhyrë më lehtë, që të vepronin gjoja në emër të ligjit.
Paraditja kaloi pothuaj e qetë, përjashto pëshpëritjet tona dhe prezencën e Sulejman Manokut e Shahin Skurës, që mashtruan me gjoja ndërhyrjen për të ripamar gabimet, s’pati zhvillime spontane. Minimizimi i prezencës policore brenda kampit, i kontribuoi qetësisë relative, sepse do mjaftonte vetëm një shkëndijë, të rikthente situatën e mëngjesit, ndonëse jashtë, lëvizjet e ushtarakëve u shtuan, sa të thoshe se po përgatitej në kulisa diçka makabre.
Në orën dy edhe turnin e dytë, e qitën në punë, pa ndonjë rezistencë serioze, veç dufit që ziente përbrenda dhe pak personave që s’u paraqitën te porta. Mes shkallëve të shtufit, ballë kampit ordiner, ndala si zakonisht dhe u përgatita të prisja romuzet e përditshme: “Ua bëmë varrin armiqve”, por mjeranët përtej kishin ngrirë si kurrë më parë, madje nuk bëzanë as shpotinë ironike: “Lënçit eshtrat në minierë!”
Çudi, si ndryshuan papritur çapaçulët? Ajo heshtje tregonte se jehona i kish kaptuar gjerdhet e rrethimit politik dhe kish gërvishtur veshët e ordinerëve, apo “patericave të regjimit”, siç i shpotiste doktor Astrit Delvina.
Ky ekuivok e fshiu misterin, paskëtaj lajmi do përhapej në krejt gjindin dhe do thyente shurdhërinë e regjimit, do kaptonte kufijtë dhe gjindja do mësonin për aktin e tragjedisë komuniste, që po luhej në Spaç, mbase do reagonin edhe institucionet përgjegjëse.
Kësisoj jehona e lirisë u përhap tej e ndanë!
“Ç’ngrive si ushtar dylli, or mik”! – shpotiti doktor Astriti.
Ndërsa Mërkur Babameto heshti si peshk, në të përpjetën e kalvarit. Gjer te kthesa e zonës së parë, s’fola, atje iu drejtova Astritit:
“Doktor, ç’mendim ke për ngjarjen e mëngjesit”? Kur prisja përgjigje, ndërhyri Mërkuri:
“Djalë, edhe sa muaj burg të kanë ngelur”?
“Edhe dy muaj e ca, në e paça atë fat”! – ia ktheva pesimist.
“Shih hallin, se s’janë për ty këto punë”! – dhe iku drejt depos së karbitit.
“S’më dhe përgjigje doktor”! – e nguca sërishmi Astritin, si u largua Mërkuri.
“S’e di ç’pret nga unë? E more përgjigjen, atë bëj ti”!
“Desha mendimin tuaj”! – e ngava së dyti sepse, ia njihja tipin që do shpërthente pa derman.
“Or mik, me sa i njoh komunistët, do bëjnë namin! Ama kjo ngjarje, duhej të ndodhte medoemos, për t’i rrëfyer botës se liria nuk vdes, edhe pse prej tridhjetë vjetësh, lëngon nën dhunën me të egër që ka parë njerëzimi. Kësisoj vlera e revoltës do t’i kaptojë ku e ku pasojat dhe dhimbjet e pashmangshme, që do rrjedhin prej saj”.
“Beson te fitorja”?
“Jo. Gjithsesi shpresoj që dëmet mos t’i kalojnë dhimbjen e cakut njerëzor. Mendoj se historia kombëtare, do pasurohet me një fakt unik, që do t’i japë efektet më pas, do t’i tronditë themelet regjimit dhe do afrojë fundin e tij. Ishallah qofsha i gabuar dhe nuk merr këto përmasa”!
Në grykën e minierës u ndamë, për t’u takuar kur ngjarja mori përmasat që paratha ai. Turni i dytë vijonte punën, ndërsa kampi ziente. Por po ua lë fjalën miqve, për zhvillimet e mëtejshme.
Rreth orës tre e gjysmë, teksa kthehej turni i parë, ia behën grup operativ,i përbërë nga prokurori i rrethit, Zef Deda, shefi i policisë, Rexhep Karaj, shefi i seksionit të Sigurimit Gjergj Zefi dhe hetuesi i Degës së Punëve të Brendshme Rrëshen, Shaban Domi, nën shoqërimin e policëve vendas.
Nga që sheshi nuk ofronte siguri, sepse u grumbulluan një masë e madhe të dënuarish dhe për mos t’i penguar në synimet e errëta, e mbajtën frymën në infermierinë e Muhamet Kosovrastit.
Atje me pretekstin se do plotësonin një proces-verbal, thirrën Pal Zefin, por një eskortë policësh, e nxorën të prangosur. Kur gjindja kujtuan se do ta çonin në biruca, ata kaptuan portën e llamarintë dhe u kthyen drejt portës, atëbotë Dervish Bejko, klithi: “Mos e arrestuat mikun tonë, o të poshtër”?! – të tjerët i mbajtën ison: “Lironi shokun tonë! Lironi shokun tonë”, por tashmë makina mori udhën e Rrëshenit.
“Ndal se do t’iu qëlloj”! – i kërcënoi ushtari nga platforma e epërme dhe shuli krisi; “krrak-krrak”.
Me thirrjet: “Pse e arrestuat mikun tonë, o të poshtër”! dhe; “Lironi shokun tonë! Lironi shokun tonë”! – turma ndryshoi kah dhe iu sulën infermierisë, ku grupi operativ me kontributin e Medi Nokut, legenëve të tij, mbase edhe doktorit, vijonte hartimin e listave, që do t’i përditësonin pas dyzet e tetë orësh.
Rreth gjashtës, arrestuan Syrja Lamen dhe e çuan në birucë, ndërkohë tentuan të ndalonin edhe Pavllo Popën, po e morën në mbrojtje të pranishmit. Për të shmangur konfrontimin, Pavllua pranoi të dorëzohej, por pa hekura, “vij me këmbët e mia”! u shpreh ai, por sa kaptuan derën e llamarintë, policët e hëngrën llafin.
Pavllua e pikasi kurthin, bëri prapakthehu dhe hyri mes shokëve. Policët tentuan ta zhvatnin forcërisht, por ndeshën pararojën, që iu përgjigj dhunës me dhunë. Atëherë kërcënuan: “Këtu je, s’ke ku shkon, do të marrim prapë”! dhe u larguan të shpëtonin kryet, ballë inatit të turmës.
Si kundërpërgjigje, të revoltuarit iu sulën infermierisë, që të mermin peng grupin operativ, por ushtarakët jashtë gardhit, seç sajuan një shteg sekret dhe i çliruan nga sekuestroja e sigurt.
Që nga ai çast, s’u pa më këmbë polici. Kampin e morën të dënuarit, teksa gryka e Spaçit, ushtoi nga thirrjet: “Poshtë komunizmi”! “Rroftë Shqipëria e lirë”! “Ja vdekje, ja liri”! “Ju jeni katilë”! “Nuk duam të punojmë në galeri as sot, as mot”! “Liri për të dënuarit politikë”, etj.
Pash që njëra palë vuri mburojë zemrat dhe tjetra armatimet e rënda, s’ bëhej fjalë për urdhra, situata doli jashtë kontrollit dhe dora-dorës, revolta po shndërrohej në kryengritje, ndonëse ende s’kishte shenja të qarta organizimi. Memorie.al
Vijon nga numri kaluar
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016