• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Friday, October 10, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Edhe pse pas marrëveshjes Hrushov–Kenedi, njerëzimi mori frymë lirisht, Enver Hoxha qëndrimin e Hrushovit, e quajti ‘akt frikamani’, në ditarin e tij, ai shkruante…”/ Refleksionet e historianes së njohur

Fjala e panjohur e Enver Hoxhës: “Çabej nuk ishte me ne, por ai nuk bëri krime dhe s’e morri baltën e atdheut në thundrrat e këpucve, si Koliqi…”/ Mbledhja me shkrimtarët e artistët në ’61-in
“Kenedi mbrëmë provokoi përsëri Kubën, duke shpifur se gjoja avionë kubanë, kanë sulmuar një anije peshkimi amerikane në ujërat e Floridës dhe…”/ Ditari politik sekret i Enver Hoxhës, shkurt 1963
“Në Finiq, sekretari partisë dhe kryetari kooperativës, vanë të hiqnin ikonat e kishës, por u mblodhën 40 gra dhe i rrahën e i…”/ Fjala e Enverit në Byro
“Presidenti Xhon Kenedi i SHBA-ës, mbajti një fjalim shumë kërcënues, atij i duhet dhënë një përgjigje e fortë dhe ne do i japim një grusht, por…”/ Ditari politik sekret i Enver Hoxhës, nëntor 1961
Fotot e panjohura: Kur Enver Hoxha priste grupet marksiste-leniniste: ‘Nga Ernest Aust, Raul Marko e Fosko Dinuçi, te afrikanët që merrnin pjesë në kongreset e partisë dhe…’
“Presidenti Xhon Kenedi i SHBA-ës, mbajti një fjalim shumë kërcënues, atij i duhet dhënë një përgjigje e fortë dhe ne do i japim një grusht, por…”/ Ditari politik sekret i Enver Hoxhës, nëntor 1961

Nga Prof. Dr. Ana LALAJ

Memorie.al / Më 16 tetor 1962, në orën 11.30, në Shtëpinë e Bardhë u thirr një mbledhje urgjente. Presidenti Xhon Kenedi kishte përzgjedhur në këtë takim sekret zyrtarë të lartë, si ministra, ambasadorë, ushtarakë, këshilltarë personalë. Gjithsej 15 vetë. Ministri i Mbrojtjes vuri në tryezë disa foto të raketave bërthamore sovjetike, instaluar në San Cristobal të Kubës, 90 milje larg brigjeve të Floridës. Presidenti, siç ndodh në këto raste, kërkoi të këshillohej më parë se të merrte vendimet, duke shtruar të gjitha variantet e veprimit, që nga sulmi ajror, tokësor e detar e deri te karantina ndaj Kubës.

U përjashtua vetëm qëndrimi pasiv ndaj situatës së re. Përfundimisht u vendos të zbatohej karantina detare, ndaj anijeve të huaja që do të lundronin drejt Kubës. Xhon Kenedi porositi, që gjithçka e thënë në atë mbledhje, të mbahej “top sekret”. Kjo, për disa arsye: Populli amerikan mund të kapej nga paniku, kubanët mund t’i maskonin e fshihnin bazat e raketave, sovjetikët mund të sulmonin, nëse kishin përfunduar instalimin e raketave dhe, së fundi, t’i lihej kohë për veprim edhe diplomacisë.

U vendos që grupi të mblidhej çdo ditë dhe, secili për fushën e vet, të jepte mendime për veprimet e pritshme. Më pas, ky grup pune, i drejtuar nga vetë presidenti, u quajt Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm i Këshillit Kombëtar të Sigurimit. Mbledhja e parë e Komitetit Ekzekutiv më 16 tetor, shënon dhe ditën e parë të krizës. Këto 13 ditë (16-28 tetor 1962) janë konsideruar nga pikat më kulmore të Luftës së Ftohtë, momenti më konfrontues midis dy superfuqive dhe më kritiku, ku njerëzimi u gjend fare pranë një lufte bërthamore. Në terminologjinë politike, ky moment njihet nga amerikanët si; “Kriza e raketave në Kubë”, nga burimet sovjetike si; “Kriza e Karaibeve”, ndërsa kubanët vetë, e quajnë “Kriza e tetorit”.

Gjithashtu mund të lexoni

“Kur operativi i Sigurimit iu afrua Shefqet Dobrës dhe i lexoi fletë-arrestin e firmosur nga Prokurori i Përgjithshëm, me akuzën; ‘agjitacion e propagandë’, ai…”/ Historia e panjohur e familjes Dobra nga Librazhdi

Si u organizua nga NKVD-ja vrasja e Trockit, kundërshtarit të stalinizmit, që jetonte ekzilin në Meksikë dhe si u mbajt sekret edhe mbi pllakën e varrit në Moskë, emri atentatorit, pasi vuajti 20 vite burg?!

NJË KRONIKË PËR KRIZËN

Më 22 tetor 1962, heshtja u thye. Xhon Kenedi në një nga rrjetet radiotelevizive, njoftoi publikun amerikan dhe atë ndërkombëtar, se; “Në Kubë janë vendosur një seri platformash të lëshimit të raketave ofensive, që drejtohen kundër hemisferës perëndimore”, domethënë kontinentit amerikan. Edhe pse aeroplanët amerikanë U-2, kishin mbledhur mjaft të dhëna për bazat, Bashkimi Sovjetik e mohoi të kishte raketa sovjetike në Kubë. Megjithatë presidenti amerikan i kërkoi botërisht kreut të Bashkimit Sovjetik Nikita Hrushov, për të ndaluar menjëherë dërgimin e armëve ofensive sovjetike në Kubë dhe për t’i tërhequr ato ekzistuese nga Kuba, si dhe për të mos ndërmarrë asnjë kundërveprim, pasi çdo sulm nga territori i Kubës ndaj një shteti të kontinentit amerikan, do të konsiderohej si sulm i Bashkimit Sovjetik, kundër SHBA-së.

Më 23 tetor, Nikita Hrushovi iu përgjigjej Xhon Kenedit, se po ndërhynte në punët e brendshme të Kubës, se armët në Kubë ishin me karakter mbrojtës, se Bashkimi Sovjetik do të përgjigjej nëse anijet sovjetike sulmoheshin nga ato të SHBA-së dhe se SHBA-ja po kërcënonte paqen botërore. Të nesërmen, më 24 tetor, qeveria amerikane vendosi karantinën detare ndaj anijeve të huaja, që lundronin drejt Kubës. Urdhri ishte të fundosej çdo anije që nuk i bindej kontrollit. Po atë ditë, Nikita Hrushov në një telegram tjetër drejtuar Xhon Kenedit, i rriti edhe më shumë tonet dhe me nota kërcënuese, shkruante se sovjetikët nuk do të rrinë spektatorë në këtë “akt piratesk të anijeve amerikane” .

Ndërkohë në Kubë punohej pa ndërprerje për instalimin e raketave sovjetike dhe për t’i bërë ato vepruese, në bllokun komunist u inskenuan manifestime, mitingje, deklarata qeverish. Akuzat e Xhon Kenedit për raketat bërthamore sovjetike në Kubë, u quajtën “trillime”, “shantazhe” apo, “një casus beli”. Edhe në Shqipëri u organizuan mbledhje të shumta të punëtorëve në fabrika, të rinisë në shkolla dhe universitet, të intelektualëve në institucione të ndryshme, në përkrahje të Kubës. Gazeta “Zëri i Popullit”, ishte e mbushur me shkrime: “Imperializmi do të dështojë”, “Kuba do të fitojë”, “Kuba po, Janki jo”, si dhe rezoluta e protesta dërguar Këshillit të Sigurimit të OKB-së e qeverisë kubane.

Në 25 tetor qeveria shqiptare bëri një deklaratë, ku e quante “një pretekst absurd” akuzën e Xhon Kenedit, se; “gjoja në Kubë po krijohet një forcë ushtarake goditëse, që rrezikoka SHBA-në dhe gjithë hemisferën perëndimore”. Sipas qeverisë shqiptare, “Kuba ka të drejtë të ketë të gjitha armët që e sheh të nevojshme dhe për këtë nuk ka pse t’i japë llogari askujt…! Këto veprime të papara në kohë paqeje drejtohen jo vetëm kundër Kubës, por kundër të gjithë popujve të lirë e sovranë, kundër paqes dhe sigurimit ndërkombëtar…”. Në shënimet e veta Enver Hoxha shprehej i kënaqur me propagandën dhe mbështetjen që po i jepej Kubës.

Por gjithë kjo stuhi propagandistike, u pa shpejt se qe ngritur në një terren rrëshqitës. Më shpejt dhe më mirë nga të gjithë këtë, e kuptoi vetë Nikita Hrushovi, ideatori i krizës. Parulla e “mbrojtjes së revolucionit kubanez, nga një sulm i mundshëm amerikan”, ishte thjesht një mbulesë për motivet e vërteta të konkurrencës midis dy superfuqive në Luftën e Ftohtë. Megaloman, siç qe, Hrushovi u gabua kur mendoi se SHBA-ës do ta prisnin po aq qetësisht vendosjen e raketave sovjetike në Kubë, sa ç’e kishte pritur Bashkimi Sovjetik vendosjen e raketave amerikane në Turqi.

Ai nuk ia kishte vënë veshin as këshillës së ministrit të tij të Jashtëm, Andrei Gromiko, i cili kishte paralajmëruar se ky veprim; “do të shkaktonte një eksplozion në SHBA”. Dhe ashtu kishte ndodhur. Për Hrushovin tashmë ishte e qartë, se qeveria amerikane për të larguar raketat nuk do të ndalej edhe me sulm ushtarak ndaj Kubës.

Loja me dy telegramet: 26 apo 27 tetor?!

Më 26 tetor 1962, me gjuhë krejt të ndryshme nga komunikimet e deriatëhershme, Nikita Hrushovi i shkroi Xhon Kenedit një telegram të gjatë konfidencial, i cili arriti në ambasadën amerikane në Moskë, në orën 04:43’ pasdite. Hrushovi u drejtohej ndjenjave humane dhe arsyes së Xhon Kenedit. Hrushovi pranonte se “në Kubë ka raketa bërthamore sovjetike”. Por sipas tij; “Ne dhe ju nuk duhet t’i acarojmë gjërat,… se në luftë veprojnë ligje të tjera”. Ju e kuptoni shumë mirë, se çfarë force të tmerrshme posedojnë vendet tona…!

Ne jemi gati të hyjmë në bisedime…! Unë propozoj që ne të deklarojmë që anijet tona nuk do të çojnë armë në Kubë. Ndërsa ju do të deklaroni se SHBA-ës, nuk do të pushtojnë Kubën ose, nuk do të mbështesin ndonjë forcë tjetër që synon të kryejë pushtimin e Kubës. Atëherë prania e specialistëve tanë ushtarakë në Kubë, nuk do të jetë më e nevojshme. Në qoftë se ju jeni dakord, le t’i japim fund kësaj situate, që ka turbulluar kaq shumë njerëz…”.

Telegrami i Nikita Hrushovit i 26 tetorit 1962, u mirëprit në Shtëpinë e Bardhë, si një përqasje e përgjegjshme e një burri shteti për të normalizuar marrëdhëniet sovjeto-amerikane, për të ç’ tensionuar situatën në Karaibe dhe, mbi të gjitha, për të ruajtur paqen botërore. Por ndodhi e papritura. Të nesërmen, më 27 tetor, Nikita Hrushov në emër të qeverisë sovjetike, transmetoi me radio Deklaratën, e cila në formën e një telegrami mbërriti pas disa orësh në Shtëpinë e Bardhë dhe që riktheu ankthin, pasigurinë dhe zemërimin. Telegrami i 27 tetorit, ndryshe nga ai i një dite më parë, ishte sfidues dhe e vinte qeverinë amerikane në pozitë të vështirë.

Në të, Nikita Hrushov akuzonte qeverinë amerikane, se “kishte rrethuar Bashkimin Sovjetik me baza të armëve bërthamore, në Angli, në Itali dhe në Turqi…”; se “Bashkimi Sovjetik do t’i hiqte raketat nga Kuba, me kusht që edhe SHBA-ës të tërheqin armët e tyre analoge (raketat “Jupiter”) nga Turqia…”. Në telegram shkruhej se Bashkimi Sovjetik do të premtonte në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, se do të respektonte integritetin e Turqisë dhe nuk do të ndërhynte në punët e brendshme të saj, por edhe SHBA-ja duhej të premtonin të njëjtën gjë për Kubën. Për këtë duhej bërë një marrëveshje për kohën që nevojitej për të realizuar tërheqjen e raketave nga Kuba.

Cila është arsyeja e këtij ndryshimi të papritur? Në dokumentet e deklasifikuara të arkivave ruse, nuk e kam hasur të shpjegohet ky moment dyzimi. Ndërsa nga dokumentet amerikane thuhet se; në Komitetin Ekzekutiv pranë Presidentit Xhon Kenedi, i mbledhur me urgjencë, u shfaq mendimi se Nikita Hrushov duhej të ishte gjendur në trysninë e gjeneralëve ose politikëbërësve ekstremistë sovjetikë, të cilët impononin politika radikale. Presidentit amerikan iu sugjerua të merrte në konsideratë vetëm telegramin e datës 26 tetor 1962 dhe t’i përgjigjej vetëm atij. Ashtu u bë. Presidenti amerikan e kishte kërkesë të parë që, nën vëzhgimin e OKB-së, të largoheshin armët ofensive sovjetike nga Kuba dhe të mos dërgoheshin më armë të tilla.

Sikundër pranonte të anulonte shpejt masat e karantinës dhe të siguronte se hiqte dorë nga një sulm kundër Kubës. “Unë shpresoj, – përfundonte ai, – se do të arrijmë shpejt një marrëveshje në bazë të propozimeve të shprehura në këtë mesazh timin dhe të mesazhit tuaj të 26 tetorit”. Në telegram nuk u përmend tërheqja e raketave amerikane nga Turqia. Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, nuk pranuan që largimi i raketave sovjetike nga Kuba, të kushtëzohej dhe të bëhej pjesë e një “pazari” me raketat Jupiter në Turqi. Sipas tyre, kjo do të merrej nga sovjetikët si provë dobësie e SHBA-ës, ndërsa nga NATO si pabesi ndaj një vendi aleat, siç ishte Turqia.

MESAZHI PUBLIK DHE NJË MESAZH I PASHKRUAR SIGURIE

Megjithatë, në një takim të ngushtë vetëm 6 nga 15 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, u vlerësua se injorimi i telegramit të dytë (të 27 tetorit), do ta vinte Hrushovin në një pozitë të tmerrshme. Atij i kërkohej të ndryshonte kursin e politikës sovjetike, brenda disa orëve. Duhej lënë një shteg i hapur për kundërshtarin. Prandaj u gjet që, bashkë me telegramin e Presidentit, ambasadorit sovjetik në Uashington DC, t’i përcillej dhe një mesazh gojor. Në mesazhin konfidencial qeverisë sovjetike, i duhej dhënë siguri se raketat “Jupiter” do të largoheshin brenda një periudhe të shkurtër nga Turqia, por kjo nuk duhej bërë publike, pasi do të sillte vështirësi të mëdha në marrëdhëniet e SHBA-ës me aleatët e saj perëndimorë, si dhe për rolin udhëheqës të SHBA-së në NATO.

Telegrami iu dorëzua ambasadorit sovjetik A. Dobrynin, në ministrinë e Drejtësisë të SHBA-ës, nga ministri i Drejtësisë, Robert Kenedi, dhe që të mos “vonohej”, iu dha edhe medies. Robert Kenedi, bashkëpunëtori më i afërt dhe vëllai i presidentit Xhon Kenedi, ishte në të njëjtën kohë edhe mik i ambasadorit sovjetik, me të cilin mbante lidhje të veçanta private. Duke i dorëzuar mesazhin e presidentit, ai i përsëriti ambasadorit sovjetik vendosmërinë e qeverisë amerikane, për të larguar me çdo çmim raketat nga Kuba dhe në të njëjtën kohë i dha atij sigurinë për zhvendosjen e raketave “Jupiter” nga Turqia. Kështu pra, siguria e fshehtë e dhënë nga amerikanët për heqjen e raketave “Jupiter” nga Turqia, u bë pjesë e marrëveshjes publike për heqjen e raketave sovjetike nga Kuba dhe e mossulmimit të Kubës.

Për një kohë të gjatë kjo siguri fjeti në arkivat amerikane dhe ato sovjetike. Madje edhe në kujtimet e Rpbert Kenedit dhe të Nikita Hrushovit, ajo nuk vjen fort e qartë. E vërteta doli në dritë vetëm pas deklasifikimit dhe publikimit të telegramit të ambasadorit sovjetik A. Dobrynin dërguar ministrit të jashtëm sovjetik, Andrei Gromiko, menjëherë pas takimit me Robert Kenedin dhe pohimeve të korrespondentit special të presidentit amerikan, Theodor Sorensen, në fillim të viteve ’90-të. 27 tetori, dita kur u diskutua, u hartua dhe u dërgua telegrami, konsiderohet si piku i krizës. Në atë ditë një avion amerikan “U-2”, që fluturonte për vrojtime mbi territorin e Kubës, u godit nga forcat kundërajrore dhe piloti amerikan u vra.

CIA, në një raport special të saj dha informacionin që punimet për instalimin e raketave në Kubë, vazhdonin me intensitet. Në këtë atmosferë, gjeneralët amerikanë mezi prisnin shpërthimin e sulmit kundër Kubës. “Do të doja të mos provoja kurrë në jetën time një natë të shtune tjetër si kjo”, – shkruante në librin e tij “Retë e Luftës”, ministri i Mbrojtjes, Robert Maknamara, që ishte një mbështetës i bllokadës, por jo i veprimeve të armatosura ndaj Kubës. Të gjithë prisnin me ankth e padurim reagimin e Nikita Hrushovit.

Përgjigja e shumëpritur erdhi në mëngjesin e 28 tetorit, fillimisht nëpërmjet valëve të radios. “Unë mora mesazhin tuaj të 27 tetorit 1962, vinte në dukje Nikita Hrushovi,…dhe shpreh kënaqësinë dhe mirënjohjen time për mirëkuptimin dhe përgjegjësinë që po manifestoni për momentin e tashëm, për të ruajtur paqen në botë…! Qeveria sovjetike, krahas udhëzimeve për të ndërprerë ndërtimin e bazave për raketat, ka lëshuar një urdhër të ri për çmontimin e armëve të cilat ju i keni përshkruar si; ‘ofensive’…”! Kur ambasadori sovjetik ia dorëzoi Robert Kenedit telegramin, ky i fundit pasi i hodhi një shikim të shpejtë, i tha: “Ky është një lehtësim i madh”!

Ai u kthye edhe një herë tek shqetësimi i tij lidhur me premtimin e raketave “Jupiter” dhe e porositi ambasadorin sovjetik që; “korrespondentët të mos zbulonin asgjë”. Ambasadori A. Dobrynin, iu përgjigj: “Në ambasadë, përveç meje, askush nuk di për bisedën e djeshme me ju”. Robert Kenedi i kërkoi ambasadorit, që në të ardhmen për probleme të rëndësishme diplomatike, ai duhej të lidhej drejtpërsëdrejti me të, pa ndërmjetës dhe i dha edhe një numër sekret telefoni. Mesazhi i Hrushovit i 28 tetorit, në fakt i dha fund krizës. Presidenti amerikan shprehu menjëherë kënaqësinë nëpërmjet një fjalimi në VOA (“Zëri i Amerikës”).

ARSYETIME RRETH KRIZËS: BURIME, RRJEDHOJA…

Shkuan 60 e sa vjet që kur bota u gjend në konfrontimin më të ashpër politik e diplomatik, të gjysmëshekullit të Luftës së Ftohtë. Njerëzimi për pak sa nuk u përfshi në një katastrofë shfarosëse bërthamore. Kronikanë, studiues, politikanë gjithfarësh janë marrë me ngjarjen. Sot, në kushtet e de klasifikimit të informacionit, janë zgjeruar mundësitë për vlerësime gjithnjë e më të sakta. Mund të gjykosh më mirë për prirjet e kohës, për zhvillimet paralele e përplasjet midis të mëdhenjve, pse jo edhe kokë-shkrepjet e udhëheqësve, stafeve, çka jo një herë e kanë vënë e vazhdojnë ta vënë botën në vështirësi e dilema. Kështu ndodhi edhe me Krizën e Karaibeve. Ajo ka autorët e vet përgjegjës, pa dyshim, më kryesori ishte vetë Hrushovi.

Por ajo mban edhe një vulë të zhvillimeve politike e ushtarake të asaj kohe, gjë që mbetet objekt për t’u studiuar dhe interpretuar. Në planin e konteksteve kohore, edhe në rastin e krizës së Karaibeve gara midis SHBA-ës e Bashkimit Sovjetik, mbetet përcaktuese. Nikita Hrushovi, i afirmuar në procesin e iniciuar dhe drejtuar prej tij të destalinizimit të jetës së vendit të vet dhe të bllokut komunist, në politikën e jashtme erdhi me ide paqëtuese, siç ishin parullat e “bashkekzistencës paqësore midis dy sistemeve”, e “çarmatimit të plotë dhe të përgjithshëm” etj. Kjo ishte fasada. Përtej saj bota lëvizte në kah tjetër. Mëngjesin e 13 gushtit 1961, berlinezoperëndimorët e kishin gjetur veten rrethuar me gardh telash me gjemba e, që më pas u kthye në mur. Kjo u bë me miratimin e Hrushovit, çka në kohë të vet i ishte kërkuar ta bënte edhe Stalini, por nuk e kishte pranuar.

Kështu Kriza e Berlinit qe pasuar me atë të Karaibeve, që studiues të ndryshëm i shohin të pandara me njëra-tjetrën. Hrushovit i qe krijuar mendimi se kishte arritur një fitore me Berlinin, duke mbyllur dhe vrimën e fundit të “Perdes së Hekurt” në Evropë. Kjo ishte një goditje e tërthortë për Amerikën. Por ai i mbivlerësoi forcat e veta, kur vendosi të kapërcejë Atlantikun dhe t’i gjendej përballë Amerikës në portat e saj. Raketat me rreze të mesme veprimi të instaluara në Kubë, do ta ndihmonin Hrushovin edhe për të vendosur balancën e raketave e të pushteteve me SHBA-ës, që zotëronte shumë më tepër raketa bërthamore ndërkontinentale (me rreze të gjatë veprimi).

Një arsye tjetër pse Hrushovi vendosi të instalojë raketat bërthamore me rreze të mesme, në një pikë optimale veprimi kundër Amerikës, lidhet me atë që vite më pas Valentin V. Larinov, gjeneral sovjetik, e quajti “romantizëm nuklear”. Deri atëherë mendohej se gara bërthamore shërbente për të rritur kapacitetet goditëse dhe mbrojtëse, vetëm të palës që i dispononte. Ushtarakë të lartë në të dy blloqet, ishin kapur nga euforia e mundësisë për ta eliminuar deri në shfarosje kundërshtarin dhe ushqenin siguri që për veten e tyre, dëmet do të ishin të tolerueshme.

Po Kuba vetë ç’rol kishte në këto ngjarje? Kuba ishte e interesuar për rritjen e aftësisë ushtarake të saj dhe e pranoi kërkesën e Hrushovit, për t’u vendosur atje raketat. Por mbi këto armë autoritetet kubane nuk kishin kurrfarë të drejte, ato ishin tërësisht nën administrimin e sovjetikëve. Duket e çuditshme, por në ditët e krizës Fidel Kastro dhe udhëheqësit e tjerë kubanë, nuk kishin fare informacion për çfarë ndodhte me bazat në tokën e tyre. Madje edhe përgjigjen e Hrushovit për tërheqjen e raketave, më 28 tetor, Fidel Kastro e mësoi vetëm nga radio. Kjo gjë e acaroi Kastron. Për të zbutur gjendjen atje, u “instalua” vetë Mikojani, një nga figurat kryesore të udhëheqjes sovjetike dhe që vetë kubanët e respektonin, madje për të thoshin se “ka një kuban në Komitetin Qendror të Bashkimit Sovjetik”.

Por këtë herë ishte ndryshe. Fidel Kastro nuk u bind dhe nuk pranoi kontroll ndërkombëtar, për largimin e raketave. Për krizën e Karaibeve dallon interesimi i shfaqur nga udhëheqja shqiptare dhe sidomos nga Enver Hoxha, i cili çdo ditë udhëzonte për manifestimet në “përkrahje të popullit kuban”. Edhe pse pas marrëveshjes Hrushov–Kenedi, njerëzimi mori frymë lirisht, Enver Hoxha qëndrimin e Hrushovit, e quajti “kapitullues” dhe akt prej “frikamani”. Në ditarin e tij politik, ai shkruante: “Hrushovi kapitulloi, ai e la Kubën në baltë…! Kjo është tradhtia e re, më e madhe që i bëhet Bashkimit Sovjetik, Marksizëm-Leninizmit, kampit të socializmit, paqes”.

Atëherë një pyetje mund të ngrihet: Është ky një qëndrim në ndihmë të paqes apo të luftës? Sipas mendimit tonë ngjashmëria e fateve të Shqipërisë me Kubën, në përmasat territoriale, në pozitën e ndjeshme gjeostrategjike, në kapacitetet e kufizuara ekonomike e ushtarake, në aleancat e pabarabarta mbrojtëse, kishin krijuar tek Enver Hoxha psikologjinë e pasigurisë, që e nxiste atë të gjykonte negativisht kthesën e Nikita Hrushovit. Madje ishte një gjykim më i egër se sa i vetë Fidel Kastros, që edhe në këto momente të vështira, në korrespondencën me Hrushovin, nuk harronte të shprehte mirënjohjen për të.

Më 20 nëntor, raketat sovjetike u çmontuan dhe u kthyen në Bashkimin Sovjetik. Më 21 nëntor, presidenti Xhon Kenedi i dha fund formalisht karantinës. Sovjetikët tërhoqën rreth 40 raketa dhe 5000 trupa ushtarake. Shumë vite pas krizës, dokumentet e de klasifikuara bënë të njohur, se sovjetikët kishin pasur në Kubë rreth 60 raketa me rreze të mesme veprimi, 43.000 ushtarë sovjetikë gati për luftë dhe 270.000 kubanë të armatosur. Rruga e dialogut dhe e mesazheve formale dhe konfidenciale që u përdor për të zgjidhur krizën e raketave të Kubës, krijoi mundësi alternative të mëtejshme edhe për heqjen e raketave amerikane në Turqi dhe në Itali, gjë që u realizua pas gjashtë muajsh. / Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Si për ta bërë edhe më brilante dhembjen, njëri nga miqtë e tij tha, se kishin të drejtë të akuzonin J. Gërvallën, se kishte përgatitur ai vetë vrasjen e...”/ Refleksione mbi veprën e Kadaresë  

Artikuj të ngjashëm

Një skuadër pushkatimi për Nikaj – Mërturin
Dossier

“Kur operativi i Sigurimit iu afrua Shefqet Dobrës dhe i lexoi fletë-arrestin e firmosur nga Prokurori i Përgjithshëm, me akuzën; ‘agjitacion e propagandë’, ai…”/ Historia e panjohur e familjes Dobra nga Librazhdi

October 9, 2025
Si u organizua nga NKVD-ja vrasja e Trockit, kundërshtarit të stalinizmit, që jetonte ekzilin në Meksikë dhe si u mbajt sekret edhe mbi pllakën e varrit në Moskë, emri atentatorit, pasi vuajti 20 vite burg?!
Dossier

Si u organizua nga NKVD-ja vrasja e Trockit, kundërshtarit të stalinizmit, që jetonte ekzilin në Meksikë dhe si u mbajt sekret edhe mbi pllakën e varrit në Moskë, emri atentatorit, pasi vuajti 20 vite burg?!

October 9, 2025
“Një natë, ‘Toger Tava’, siç e quanin të internuarit, futi në biruca Z. Mirakën e Sh. Dobrën, por kur hynë aty, ata u tmerruan,  pasi panë një vajzë të…”! / Dëshmia e rrallë që tronditi kampin e Tepelenës
Dossier

“Një natë, ‘Toger Tava’, siç e quanin të internuarit, futi në biruca Z. Mirakën e Sh. Dobrën, por kur hynë aty, ata u tmerruan, pasi panë një vajzë të…”! / Dëshmia e rrallë që tronditi kampin e Tepelenës

October 9, 2025
“S’dihet se, Enveri apo Koci Xoxe, apo të dy bashkë, e denoncuan Fadil Hoxhën te OZNA e Jugosllavisë dhe ministri A. Rankoviç, i cili e mori në pyetje Fadilin dhe….”/ Libri më i ri i ish-shefit të kabinetit
Dossier

“S’dihet se, Enveri apo Koci Xoxe, apo të dy bashkë, e denoncuan Fadil Hoxhën te OZNA e Jugosllavisë dhe ministri A. Rankoviç, i cili e mori në pyetje Fadilin dhe….”/ Libri më i ri i ish-shefit të kabinetit

October 7, 2025
“Te kulla e sahatit, vigjilonte një ushtarak i armatosur, disa vajza të reja të bukura, punëtore rrobaqepësie, mbajtur nga gishti i vogël, prapa statujës së Stalinit…”/ Aventura 60 ditore e francezit në Shqipëri, në 1964-ën
Dossier

“Te kulla e sahatit, vigjilonte një ushtarak i armatosur, disa vajza të reja të bukura, punëtore rrobaqepësie, mbajtur nga gishti i vogël, prapa statujës së Stalinit…”/ Aventura 60 ditore e francezit në Shqipëri, në 1964-ën

October 7, 2025
“Në kampin e Tepelenës, gratë e vajzat familjeve, Dobra, Alla dhe Biçaku, u sillnin fëmijëve gorrica të egra, por u diktuan nga polici, që ua mori dhe ua hodhi derrave…”/ Historitë e trishta të komunizmit
Dossier

“Në kampin e Tepelenës, gratë e vajzat familjeve, Dobra, Alla dhe Biçaku, u sillnin fëmijëve gorrica të egra, por u diktuan nga polici, që ua mori dhe ua hodhi derrave…”/ Historitë e trishta të komunizmit

October 9, 2025

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme