Nga Ahmet Bushati
Pjesa e njëzetetre
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhëtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Lëvizja antikomuniste e gjimnazit të Shkodrës
Lëvizja antikomuniste e gjimnazit të Shkodrës nuk ka ekzistue në formën e nji organizate që të përfshinte në gjiun e saj grupe të caktuem studentësh, që herë mbas here do të dilshin në atë gjimnaz, gjatë viteve të veprimtarisë së tyne, dhe aq ma pak që grupime të tilla të kishin në bazë të organizimit të tyne “ish-celulat” e komunistëve të kohës së Luftës. Për rrjedhim, për kushtet në të cilat zhvillohej ajo lëvizje, tue mos pasë pasë as edhe nji udhëheqje të vetme, gja që duhet t’i takonte nji tjetër stad zhvillimi të veprimtarisë antikomuniste të tyne.
Lëvizja studenteske e gjimnazit të Shkodrës do t’u karakterizonte me daljen nga koha në kohë e grupeve me studentë antikomunistë, që do t’u aktivizojshin në mënyrë të pavarun e që gjithashtu do të përdorshin forma të ndryshme pune në veprimtarinë e tyne, pa përjashtue edhe ndonji rast, kur ata t’ishin lidhë mes tyne ose me grupe tjera, si p.sh. ai i organizatës “Përpjekja Shqiptare”, me grupin “Social Demokrat” të Mark Shllakut. E rëndësishme mbetet se këto grupe studentësh do të kishin të përbashkët, urrejtjen e tyne të thellë për komunizmin, guximin e shirtin e luftës, si edhe si mbas traditës së atij gjimnazi, vijueshmëninë e veprimit të tyne prej vitit në vit e, grup mbas grupi, tue ecë si mbas radhës, në gjurmët e studentëve pararendës të tyne.
Brenda mureve të liceut të Shkodrës, qysh gjatë vitit të shkurtë shkollor të 1945-ës, do të shënonte fillimet e veta ajo lëvizje e ndritun antikomuniste, që do të zgjaste deri në vitet 1952-‘53, si pasojë e s’cilës do t’u burgosshin rreth gjashtëdhjetë studentë, ndër të cilët, mbi pesëdhjetë prej tyne, do të vuejshin vite të shumtë burgu, do t’u arratisshin disa dhjetëra të tjerë e, do të bijshin si dëshmorë të saj; Bardhosh Dani, Mark Caca e Brahim Dërguti. Në prill të 1945-ës, liceu do të hapte dyert e tij mbas dy vjet ndërpremjet për arsye lufte. Studentët shkodranë, me atë rast, po e shifshin veten edhe nji herë të mbledhun mes tyne e të bashkuem në qëndrimin e tyne antikomunist, njashtu si dy-tri vjet ma parë, ndaj pushtuesit të huej.
Tradhtia ndaj idealeve të lirisë, të pavarësisë e të së drejtës, premtue me aq bujë gjatë Luftës, si dhe terrori i paprecedent që po u ushtronte në atë kohë mbi popull e mjerimi i jetesës, burgosjet e vrasjet e shumë njerëzve të pafajshëm, Kosova e humbun e shndrimi poshtnues i Shpipnisë në vasalë të Jugosllavisë, kishin ba që mirazhi i çlirimit të ishte fare efimer dhe iluzionet e luftës gjithashtu shumë shpejt të ishin kthye në zhgënjim, mllef e revoltë, tue përfshi thuejse totalisht nji lice. Numri i studentëve të mbetun “komunistë” qysh nga lufta, ose “të rij komunistë”, ishte reduktue në shifra ma se simbolike.
Gjatë këtij viti të parë shkollor të mbas Luftës, bashkë me Xhevat Qukun, menduem për nji lëvizje antikomuniste brenda liceut. Pak a shumë në atë kohë e, me të njajtin mendim, do të m’u afronte edhe shoku tjetër i imi, me dy klasë ma nalt, Burhan Hoti, që mbasi të fliste për nevojën e krijimit në lice të nji lëvizjet antikomuniste me studentë të besueshëm, do të më thonte se ishte mendue që për dy klasët e V-ta, t’isha unë ajo hallkë kyçe e nji zinxhiri të përbashkët, sikurse vetë do t’ishte për klasën e VII-të e, Faik Luli për të VI-ën.
Burhan Hoti e Xhevat Quku, ishin dy prej shokëve të mij ma të ngushtë, shokë edhe mes tyne, por jo aq të lidhun me njeni-tjerin, sa secili prej tyne me mue. Përvoja prej luftës së kalueme na mësonte që të ishim shumë të kujdesshëm e konspirativë në punën tonë të porsa fillueme, aq sa unë t’mos i kisha tregue Burhanit, çfarë konkretisht po projektojshim me Xhevatin, njashtu si Xhevatit s’i kisha folë për lidhjen me Burhanin.
Pra, qyshë në fillim kishin ndër mend që të veprojshin në lice dy linja paralele e, të lidhuna mes tyne, pavarësisht ndryshimit që do të kishin mes tyne, kështu që ndërsa dy klasat tona të V-ta do të ishin shumë homogjene e shpërthyese, ajo e VII-ta e Burhanit e, pak a shumë edhe e VI-ta, brenda së cilës do të vepronte Faik Luli, do të konsistonte në nji propagandë vetëm brenda nji numri të kufizuem studentësh, shumë të besueshëm, e kjo sepse në përbamje të klasave të tyne, kishte studentë që drejtojshin politikën e pushtetit në shkollë, si edhe të tjerë, që si ma të lidhun që kishin qenë me Luftën, për oportunitet, do të bajshin sikur mbështetshin vijën e pushtetit, kurse nji pjesë tjetër e fundit e tyne, që edhe pse duhet të mendonte si na, qëndronte e strukun në pasivitet, në pritje që mbasi të merrte maturën mbas nji a dy vjetësh, të mund të përfitonte nji punë për të ndihmue familjen, ose për vete bursë jashtë shtetit.
Përfundimisht, i randësishëm në këtë rast do të ishte fakti se në lice fillimisht besohej se po nishin jetën e tyne dy linja, si dy bija të nji nane, që do të plotësojshin njena-tjetrën, si nji gja që ishin në vullnet e qëllim. Bashkë me Xhevatin do të diskutojshim vazhdimisht e të kalojshim edhe ndonji natë pa mbyllë sy, tue ideue plane e forma pune, si edhe tue analizue emën për emën nji numër studentësh që duhet t’u përfshijshin ndër ma të parët brenda lëvizjes tonë. Konspiracioni u mendonte t’ishte në themel të punës tonë.
Po ashtu na kishim mendue se përderisa faktori anglo-amerikan – ku ne kishim varë shpresat – t’mos ishte konkretizue në mbështetje tonë, d.m.th, në mbështetje të rezistencës shqiptare në përgjithësi, na do të vazhdojshim me mbajtë gjallë ndër të tjerë shpirtin e revoltës, për përmbysjen e regjimit komunist, tue organizue për këtë qëllim nga nji bërthamë të vogël për çdo klasë, të cilat në momentin e duhun, do të shpërthejshin si detonatorë brenda liceut e jashtë tij. Çdo veprimtari tjetër e jonë deri atëhere, duhet të jepte përshtypjen e spontanitetit dhe si jo e frymëzueme e, aq ma pak e drejtueme, nga njerëz të caktuem.
Dy klasat tona të V-ta, – që prej disa shokëve të klasave ma të nalta do t’u quejshin të “zjarrta”, brenda nji kohe të shkurtë do të ishin solidarë dhe entuziastë mes tyne, në të gjitha reagimet e para që do t’u ndërmerrshin. Ma s’parit na patëm afrue ata shokë me të cilët ishim intime, si; Faik Kazazin, Nexhmi Bushatin, Remzi Qukun, Abdulla Milotin e me rradhë shokë tonë të vjetër e të rij, si; Hodo Sokolin, Asime Pipën, Gjon Kovaçin, Injac Serreqin, Ramadan Ahmetin, Njazi Barbullushin, për të vazhdue gjithnji me shokët tonë ma të mirë, si; Asim Danin, Xhelal Boksin, Petrit Garucin, Qazim Borshin, Zyhdi Krajen, Lin Gjekën, Kastriot Bajraktarin, Lec Gruden, Lekë Dajën, Injac Derragjatin, Musa Karinin e, përgjithësisht nxanësit e tjerë të dy klasave tona të pesta, që pa pasë kenë të radhës së parë, do t’ishin vazhdimisht në mbështetje tonë, si; Jakë Dedi, Rrok Nenshati, Sandër Laca, Kadri Kali, Bik Prendushi, Syrri Myrtja, Fadil Kraja etj.
Solidarë me ne në të gjitha rastet do t’ishin shumë prej studentëve të klasës sẽ IV-të që vinte poshtë nesh, me në krye Viktor Kujxhinë, Çesk Hilgegën, Angjelin Nenshatin, Xhevat Gjyrezin, Ana Dajen, Neta Zojzin, Emil Prendushin, Luan Borshin, Çita Simonin e ndonji tjetër, me të cilët indirekt u lidhshim me anë të Remzi Qukut, që ishte në nji klasë me ta.
E ndjej për detyrim të përmend këtu emnin e Muharrem Dragovojës, shok i ngushtë i imi, i cili, tue mos pasë dashtë me u ekspozue para tjerëve për rrethanat e tij të veçanta, urrejtjen ndaj komunizmit do të ma besonte vetëm mue. Kishte qenë shumë i ri në moshë, kur bashkë me të atin kishin pasë dalë partizanë në zonë të Tropojës, gja që s’ia dijshin e s’donte që t’ia dijshin komunistët e gjimnazit. “Po ta marrin vesht se kam qenë partizan, ata do të më thërrasin për të më organizue si komunist, gja që do të më vinte në pozitë të vështirë”, – më kishte thanë disa herë ai.
Para mbylljes së vitit të parë shkollor të mbas Luftës, në klasë të IV-të do të ndodhte nji incident politik, që do të bante jehonë në të gjithë liceun: ishin delegue në këtë klasë nga B.R.A.SH. -i (Bashkimi i Rinisë Antifashiste Shqiptare), disa të rinj komunistë prej klasave të nalta të liceut, të cilët kërkojshin të merrshin pëlqimin e kësaj klase, për t’i dërgue nji telegram paraleles së tyne në gjimnazin e Prizrenit, me anë të të cilit kjo klasë u donte t’u shprehte solidare me politikën e qeverisë shqiptare të Enver Hoxhës, lidhun me Kosovën e inkuadrueme brenda shtetit socialist e vëlla jugosllav. Debatet e të deleguemve me klasën, përgjithësisht kishin vazhdue gjatë e, kah fundi edhe acarue shumë.
Përfundimisht, kjo klasë nuk kishte pranue kurrsesi që të bante telegram dhe, kambënguljes së të deleguemve, Remzi Quku i ishte përgjegjë: “Ju që jeni komunistë, bajeni telegramin në emnin tuej, kurse na, nuk pranojmë të bajmë telegram mashtrimi për vëllaznit tonë kosovarë”! Të nesërmen e asaj dite, kur studentët po shkojshin në lice, panë se si “gazeta e murit”, në nji numër special të saj, kishte shpejtue të nxirrte jashta radhës nji artikull me titullin sensacional e me gërma të mëdha: “Nuk jam komunist, deklaron Remzi Quku”!
Në nji ndër mbledhjet që B.R.A.SH-i bashkë me të deleguem nga komiteti i Partisë – ende e pashpallun- që u organizojshin me ne studentët, njenit prej konferencierëve kryesorë që po fliste për të drejtën Jugosllave mbi Fiumën Italiane, Burhan Hoti, tue marrë shkas nga sa ma sipër, do t’u drejtonte pyetjen: – “Pse edhe ne nuk kërkojmë Kosovën, si Jugosllavia Fiumen”?!
Qyshë prej çlirimit, kangët patriotike nuk u lejojshin me u këndue ma!
Kishte nji vit që ato kangë kishin kalue në “herezi”, për gjoja karakterin e tyne reaksionar e shoven, konsiderue të këtillë edhe autorët e tyne, si Fishta me shokë, si drita shqetësuese që ishin për atë pushtet, duheshin shue. Ne, në kundërshtim të hapët me udhëzimet e Ministrisë së Arsimit e të drejtorisë, e përgjithësisht me vijën e Pushtetit, patëm vendosë që ato kangë t’i këndojshim në prani të popullit, me rastin e festës së 28 nandorit të 1945-ës, ditë që nga ai pushtet u vlerësonte vetëm si vigjilje e festës së 29 nandorit.
Në mbramjen e 28 nandorit, piaca e Shkodrës ishte zbukurue si asnjiherë tjetër, me flamuj të shumtë e banderola me sfonde të kuq, qe nji erë e lehtë e pak e ftoftë, si me përkëdhelje, po i tundte vazhdimisht. Drita të vendosuna vend për vend kishin ndriçue fort sheshin e vogël të piacës, po edhe rrugën që merrte drejt Bashkisë. Altoparlantë të fuqishëm, të varun mbi dega pemësh për anë rrugës, përhapshin me tone të naltë tinguj marshesh partizane, që herëmbashere u ndërpritshin nga ndërhymja energjike e nji spikeri, që me za baritoni fliste shkurt për randësinë e ditës së nesërme, asaj çlirimit.
Në trotuaret e piacës kishte popull, që si për çdo mbramje, vazhdonte të shëtiste qetësisht, simbas ritualit të tij të zakonshëm. Në kohën kur do të fillonte parakalimi i studentëve simbas klasave e, kur simbas radhës dy klasat tona do të merrshin kthesën për në qendër të piacës, për të vazhdue mandej drejtimin para kafeve “Adriatik” e, “Kafes së Madhe”, na, siç kishim vendosë qysh ma parë e në kundërshtim me udhëzimet e drejtorisë për të këndue vetëm kangë partizane, si dhe për të brohoritë për ditën e çlirimit, Enver Hoxhën e Titon, prishëm me rremujë rreshtat e nisëm të këndojshim; “Porsi fleta e ejllit t’Zotit, po rreh flamur’i Shqipnisë”!
Me të shpejtë erdhën e u bashkuen me ne shumë nga nxanësit e klasës së IV-të e ndonji edhe prej klasave ma të nalta, ndër të cilët unë edhe sot kujtoj Fuat Zajmin, që atë vit ishte i nji klasë mbi ne, e që me atë rast më kishte vue dorën mbi sup e, tue këndue me za të fortë, kishte afrue gojën e tij pranë times. Sidomos gjatë rrugës para dy kafeve, ishte ndalue shumë popull, që na vërente si me çudi e me nji simpati, gja që ua tregojshin fytyrat me shikim të emocionuem. Na ndërkaq, kishim ngadalësue shumë ecjen e vazhdojshim të këndojshim njenën kangë kombëtare mbas tjetrës, tue u ndie krenarë për atë që po bajshim.
Për të kuptue si duhet randësinë e kurajon e tregueme prej nji numri studentësh me atë rast, si dhe efektin që nji manifestim i tillë të ketë pasë në popullin e pranishëm, duhet kthye te ajo kohë, te rrethanat e saj me terror e frikë, që nji demostrim i tillë i hapët si kundërshtar, të vlerësohet si aksion e si sfidë e vërtetë ndaj pushtetit komunist. Ky ishte fillimi. Kangët patriotike, në shenj kundërshtimi ndaj pushtetit, na do t’i këndojshim gjatë gjithë atij viti shkollor, sa herë që të dilshim për punë vullnetare, për shëtitje shkollore etj. Kangët patriotike i kishim këndue qysh prej s’vogli në shkollë e mbrapa, ndër demostrata kundër pushtuesit përkrah ma të rritunve e, siç kemi tregue, do të vazhdojshim me i këndue edhe ndër burgje komuniste.
Për efektin e madh që duhet të kenë pasë vargjet e kangëve të këtilla ndër ne e qytetarë, sidomos për nji pjesë prej nesh që kishim ndihmue luftën, mund të thuhet pa shumë modesti, se vijshim në atë lice, sa të pjekun para kohe, aq edhe si rrebesh për moshën që kishim. E duhet pohue gjithashtu se ishim edhe shumë korrekte e lealë, si në raport me kauzën tonë anti-komuniste, ashtu edhe në qëndrimin ndaj shoqi-shojt. Si për ilustrim të sa ma sipër, po tregoj nji rast personal, pikrisht nga ajo kohë: Isha përfshi edhe unë në grupin prej katërdhete atletësh, që me rastin e nji-vjetorit të Çlirimit, mbasi në formë stafete të kishim vrapue nga 3 kilometër sejcili, do t’u futshim në grup në stadiumin e porsa ndërtuem të “Qemal Stafës”, ku Enver Hoxhës do t’i dorzojshim në mënyrë simbolike, çelësin e kalasë së Shkodrës.
Nji vizitë në Tiranë – ku s’kisha qenë asnjiherë – më terhiqte shumë mue gjashtmbëdhetë vjeçarin, por që megjithatë, unë do ta refuzojsha pjesëmarrjen, sepse papranueshmënia e aktit ishte ma e fortë se nxitja e Tiranës, tue pasë parasyshë se Enver Hoxha nuk e meritonte nji nderë të tillë, prej Shkodret.
Po ashtu, dy vjet mbrapa, viti 1947, unë isha përfshi në ekipin e basketbollit që do të përfaqësonte Shkodrën në kampionatin kombëtar, i cili atë vit u zhvillonte në Durrës, me sistem grumbullimi. Me keqardhjen ma të madhe për profesorin Menduh Agolli, që më donte aq shumë e, që në atë rast m’u luste që për asnji arësye nuk duhet të mungojsha, megjithatë, pamvarësisht keqardhjes për prof. Agollin, unë refuzova, sepse politika kishte vendosë qe s’pakut dy shokë të mij, që e meritojshin pjesëmarrjen, t’mos u përfshijshin në grup, ndërkohë dy tjerë, në mënyrë të pameritueme, të merrshin pjesë në përbamje të tij.
Tue fillue nga kjo kohë do të niste ndjekja e vazhdueshme prej anës së Sigurimit, i cili për atë qëllim do të angazhonte, veç punonjësve të tij të mirfilltë, edhe nji numër të kufizuem studentësh, që të kontrollojshin të gjitha lëvizjet tona, megjithëse ai vit i mrekullueshëm shkollor, gjithsesi, do të qëndronte si i pushtuem prej shpirtit antikomunist të shumicës dërmuese të studentëve. Në koinçidencë me “lëvizjen” tonë, ndër male të arratisunit ishin shumue e, në Dukagjin u numrojshin me qinda.
Diku nga semestri i dytë i vitit shkollor 1945-‘46 qenë mbyllë shkollat private të “Fretënve” e “Jezuitëve”. Ardhja e nxanësve të tyne në liceun tonë, do të lindëte shpresën se disa prej tyne mund t’u afrojshin me ne. E vërteta qe se ata, tue mos na njohë, në fillim qenë tregue difidentë ndaj nesh e, na kishim përshtypjen se ata po bisedojshin gojë m’gojë me njeni-tjetrin, prej frikës që t’mos u ndigjojshin prej nesh. Ditët që kaluen banë të veten, dhe mbrapa, tue fillue me Ernest Perdodën, Pashko Lukën, Kel Vukën etj., ata nisën të afrohen e bashkohen me ne. Gjatë gjithë atij vjeti shkollor, sidomos në dy klasat tona të V-ta, do të sundonte nji frymë e ndezun e, shumë entuziaste patriotizmi.
Shpirti i rebelimit do t’u bante shumë ngjitës. Tue u nisë prej nji mase të konsiderueshme studentësh, që si të thuesh, ishin deklarue kundërshtarë të komunizmit e pushtetit të tij, si dhe prej solidaritetit të heshtun të pjesës tjetër, disi ma të rezervueme e prudente në qëndrimin e saj, por gjithsesi kundërshtarë e regjimit, t’u mbushte mendja ndonjiherë që i gjithë ai lice të ishte përfshi në nji organizatë të paorganizueme antikomuniste. Në këtë periudhë, ishim nji grup shokësh që luejshim do mbasdreke basketboll në oborr të shkollës, dhe regullisht në mbarim të çdo ndeshjeje, do të fillojshim me këndue kangë kombëtare e ndërkaq, kishte studentë që qëndrojshin rreth fushës qysh ma parë, në pritje që kur na të mbarojshim lojën, të na ndigjojshin tue këndue ato kangë, që edhe për ta ishin po aq të dashtuna sa edhe për ne.
Po ndërkaq, siç e kemi cekë edhe ma nalt, përballë nesh do të qëndronte nji grup i vogël komunistësh, apo të rinjsh komunistë, kundërshtarë me ne, që kishin këputë lidhjet shoqnore me shumicën e bashkënxanësve të tyne të disa viteve. Përshtypja e jonë ka qenë se ata, të strukun e të mbyllun mbrenda nji shoqnie të pakët në numër e të ngushlluem vetëm nga përkrahja që gëzojshin prej pushtetit, si dhe prej idesë se nji ditë do të përfitojshin bursa për studime jashtë, për të tjerat, – gjithnji simbas nesh – ata po përcillshin me durim ditë të pakandshme shkolle. Të përbuzun e të izoluem prej shumicës së studentëve, ata t’lejshin përshtypjen se në vetvete mbartshin misterin e njimijë rreziqeve për të tjerët, sidomos për ne, kundërshtarë të hapët të pushtetit që ata mbrojshin.
Por që ata të merrshin pushtet mbi atë lice, do të bajshin durim e të pritshin nji vit tjetër shkollor, atë të 1946-‘47-ës, kur edhe ajo shkollë nuk do t’u quente ma lice, por gjimnaz, e kur edhe diktatura, e mbarsun disi në heshtje gjatë vitit për të cilin vazhdojmë të flasim, do të shpërthente e papërmbajtun për të luftue pa mëshirë e, me terror çdo gja që t’i dilte para, në gjimnaz e jashta tij. Po deri atëherë, u donte edhe do kohë e liceu ndërkaq vazhdonte me zie si vullkan. Në gjendje e tillë e liceut kishte shqetësue shumë “Sigurimin” e “Pushtetin” në vend e, survijimi ndaj nesh me anë të disa studentëve të vumë në shërbim të tyne, ishte rritë dukshëm.
Kjo gjendje e randueme kishte ba gë nji ditë t’u mblidhshin me urgjencë komunistët e liceut, bashkë me të dërguem nga Partia ende e padeklarueme, si edhe nga Organizata e Rinisë, të cilët, tue analizue gjendjen në lice, e kishin pasë karakterizue “dramatike” e të mbarsun me rrezikun e ringjalljes së “reaksionit”. Në fund të mbledhjes, ata kishin caktue detyra të veçanta për çdo komunist e, vendosë gjithashtu, që në katin e tretë të liceut, të futshin në çelës disa pushkë të gjata që do t’i përdorshin në rast nevojet. Futjen e armëve në shkollë, mue do të ma konfirmonte punëtori i pastrimit, Nikë Daka. Në atë mbledhje ishte vendosë që edhe gazeta e murit, e grisun disa herë prej studentësh anonimë, t’u ruente prej tyne në distancë. Pikërisht në këtë kohë, ata do të shkruejshin në atë “gazetë muri” nji artikull, në të cilin studentët kundërshtarë, t’i cilësojshin “reaksionar” e “fashistë”, gja që do të na indinjonte shumë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016