• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Friday, March 27, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Edhe pse ne përgatitëm dhomën e tij në Pallatin e Sportit, Enveri s’erdhi asnjë ditë, por vetëm në mbyllje dhe po atë mbrëmje, kur shkova te vila e Kadri Hazbiut, ai më tha…”/ Dëshmia e rrallë e Agron Aranitasit

Memorie.al
Memorie.al
“Pas internimit tim në Fushë-Arrëz në ’82-in, në vendin tim, u katapultua Vladimir Shpuza, nipi i Ramiz Alisë, i cili së bashku me gruan e tij, për gati dhjetë vjet…”/ Dëshmia e ish-kryeinxhinierit të RTSH-së
“Feçori na urdhëroi të zbulonim vajzën nga Elbasani, që i shkoi në shtëpi infermieres së Enver Hoxhës dhe i tha; ‘Unë jam bija e jote, nga lidhja jashtë martesore…”/ Zbulohet dokumenti i bujshëm, 20 tetor ‘82
“Ndryshe nga sa deklaroi Enver Hoxha në kongresin e 8-të në nëntor ’81, inxhinieri amerikan, Cox, madje i afërt i presidentit Nikson, kishte montuar në Ballsh një….”/ Dëshmia e rrallë e ish-kryeinxhinierit të RTSH-së
“Spartak Ngjela, shoku im i fëmijërisë, që në vitet ’60-të, fliste kundër Enver Hoxhës, thoshte gjëra të frikshme dhe kur në maj ’73, unë i tregova për revoltën e Spaçit, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Agron Aranitasit

Nga AGRON ARANITASI

Pjesa e trembëdhjetë

                                           – TË VËRTETAT QË BESOJ, AGJENTI FRANCEZ –

Hyrje

Gjithashtu mund të lexoni

“Shoferin e zuri gjumi dhe makina u përmbys, i zuri poshtë të gjithë e mori flakë…”/ Dëshmia e rrallë e të mbijetuarit nga ngjarja e vitit ’49 në dalje të Milotit, ku vdiqën 20 nxënës nga Kukësi

“Pas internimit tim në Fushë-Arrëz në ’82-in, në vendin tim, u katapultua Vladimir Shpuza, nipi i Ramiz Alisë, i cili së bashku me gruan e tij, për gati dhjetë vjet…”/ Dëshmia e ish-kryeinxhinierit të RTSH-së

Memorie.al / Kur fillova të shkruaj librin, “Të vërtetat që besoj”, (Shtëpia Botuese “PAPIRUS”), nuk kisha menduar të shkruaja për veten time. Shtysa, e parë, më lindi kur u njoha me dosjet e Sigurimit të Shtetit për survejimin e shtetasit Agron Hajdar Aranitasi. Ato dosje janë, një dëshmi më shumë, se si mund të persekutohej dikush, i cili, në një çast të caktuar, vendosej në radhën e armiqve të pushtetit popullor. Nuk merrej parasysh asgjë, as si kishte punuar, as si ishte sjellur, as si kishte jetuar. Nuk merrej parasysh as qëndrimi i prindërve, vëllezërve dhe kushërinjve të shumtë, të cilët, automatikisht, i nënshtroheshin goditjes së egër dhe vuanin pasoja pa patur asnjë faj.

                                                          Vijon nga numri kaluar

                                                    E tatëpjeta ime dhe familjes….!

                                                                Hyrje

Nuk e kisha menduar t’i drejtohesha Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) për të pyetur në se kishte patur dosje të Sigurimit për survejimin tim dhe të familjes sime. Kisha dëgjuar se, në vitin 1990, ishin djegur rreth 10 mijë dosje të të internuarve politikë. Dikur, shoku im, Leka Ndoja, më sugjeroi të interesohesha pranë AIDSSH-së. U interesova. Rezultoi se për qytetarin Agron Hajdar Aranitasi kishte një dosje përpunimi aktiv, në kategorinë 2/A. Dosja mbante nr. 1122. Dhe, mbi kapakun e saj, ishte vendosur emërtimi “Frikacaku”!

Ajo përmbante rreth 250 faqe (220 të daktilografuara dhe 30 me shkrim dore). Më vonë do zbuloheshin edhe dy dosje të tjera, dosja e centralizuar e problemit “Dhelpra” dhe dosja e centralizuar e problemit “Merimanga”, në të cilat kishte plot dokumente sekrete për survejimin e Agron Aranitasit. Qesharake! Organet e Sigurimit të Shtetit, kishin “fabrikuar” armikun e radhës…! Ngjarjet, që ndryshuan rrënjësisht jetën time, ndodhën në tetor 1982. Atë muaj zhvillonte punimet Kongresi i Tetë i Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë (3-7 tetor 1982). Dy javët e fundit të shtatorit Radio – Televizioni Shqiptar u mor me përgatitjet për kongresin. Ai do mbahej në Pallatin e Sportit të lojërave me dorë “Partizani” (sot “Asllan Rusi”).

Ato ditë, në mënyrë të veçantë, jam marrë me dhomën, ku, midis seancave të kongresit, do pushonte Enver Hoxha. Aty ishte vendosur një krevat i posaçëm (ortopedik). Përballë krevatit qëndronte një monitor i madh me ngjyra. Çdo ditë ndizja monitorin dhe sigurohesha që sinjali shfaqej në ekranin e tij. Kur hyja në dhomë, më bënte përshtypje se, asnjë oficer i Ministrisë së Brendshme, nuk më shoqëronte. Më linin aty vetëm, gjë që nuk “puqej” me procedurat që ndiqeshin në raste të tilla.

Rezultoi se lodhesha kot. Enveri nuk erdhi asnjë ditë në kongres, përveç pasdites së fundit (7 shtator), në mbyllje të punimeve të tij. Ai nuk ishte mirë me shëndet. Madje, edhe kur erdhi në sallë, mbahej për krahësh nga dy të rinj delegatë.

Po atë ditë, në mbrëmje, shkova në vilën ku banonte Kadri Hazbiu. Mendova se ishte i sëmurë, me që mungoi në seancën kur erdhi Enveri. Po nuk kishte qenë kështu. Lena (Hazbiu), e vetmja që takova, më tha se babai; “po priste gjykimin e partisë”. Fjalë, ose më mirë thashetheme, për arratisjen e tij, kisha dëgjuar, por nuk i besoja, aq më tepër që e takoja vazhdimisht. As ai nuk jepte ndonjë shenjë shqetësimi. Madje, një herë, kur i fola për thashethemet, ai m’u përgjigj: “Fjalë të përhapura nga jugosllavët”. Por kësaj radhe nuk ishte ashtu. Thashethemet i përhapte vetë partia…! Me Kadriun u takova më 8 tetor ‘82, kur ai u kthye nga mbledhja e Byrosë Politike. Më tregoi gjithçka. Kuptova, kishte ishte ardhur fundi!

Më 9 tetor shkova në punë vetëm për të njoftuar se do filloja lejen e zakonshme. Ajo më ishte aprovuar, prej kohësh nga dega e kuadrit. Nuk pati asnjë problem. Askush nuk dinte se çfarë po ndodhte. Shkova në zyrën time, mora disa libra teknikë dhe i futa në një rrjetë dore. Në të dalë të godinës së TVSH-së, takova një person. Më vonë do mësoja se ai ishte një nga bashkëpunëtorët kryesorë të Sigurimit të Shtetit në institucion. Me të kisha patur marrëdhënie të mira, megjithëse nuk punonim në të njëjtin sektor. Kishim qenë edhe jashtë shtetit bashkë. Sigurisht nuk ndodhej rastësisht aty. Ishte me mision. Ky ishte “hiena” e parë! Më 10 tetor (ishte ditë e diel), më njoftuan se më kërkonte Marash Hajati. Më priti në dhomën e kontrollit të programeve. Aty ishte edhe Çajup Rusmajli. Foli vetëm Marashi. Më “sqaroi” se Kadriu ishte armik dhe unë nuk duhej t’i besoja atij. Më tha se duhej ta ndihmoja partinë (!).

Foli gjatë. Kërkonte të më bindte që të bashkëpunoja për demaskimin e tij. Çajupi nuk ndihej. Unë iu përgjigja Marashit: “Partisë i takon jeta ime, por për tradhtinë e Kadri Hazbiut, nuk kam ditur e nuk di asgjë”. Vazhduam kështu, për minuta të tëra. Ai doli jashtë. Erdhi pas nja dhjetë minutash. “Shiko, – më tha, – nuk i ke punët mirë. Ke marrë dokumente sekrete të televizionit. Ke grisur materiale e kontrata”! – “Nuk kam patur asnjë dokument sekret të televizionit në zyrën time. Kam grisur një material që po shkruaja për qarqet e integruar logjikë. Ju e dini këtë, sepse shportat në zyrën time janë bosh” (i kishin zbrazur), – iu përgjigja. Doli përsëri jashtë. Shkonte t’i raportonte Ramiz Alisë. Këtë e mësova kur më ra në dorë dosja “Frikacaku”. ]

Gjatë mungesës së tij, Çajupi më kapi dorën. – “Ki kujdes, qëndro gjithnjë besnik i partisë dhe shokut Enver”! Unë i buzëqesha. Bashkë kishim marrëdhënie shumë të mira. Ai e kuptoi: nga unë nuk do i vinte asnjë e keqe. Hyri prapë Marashi. Filloi, përsëri, të më thotë se Kadriu ishte armik, se nuk duhej t’i besoja dhe duhej ta demaskoja. Duhej të ndihmoja partinë dhe të bashkëpunoja me organet e Sigurimit! Ishte i pari që më bëri një propozim të tillë. E pashë në sy dhe i përsërita: “Unë nuk di gjë për veprimtarinë armiqësore të Kadri Hazbiut. Mua, gjithnjë, më ka thënë se, ku ve këmbën Enver Hoxha, ne duhet të vëmë kokën”. Kjo ishte fjala ime e fundit. Ai iku i nevrikosur. Ky ishte “hiena” tjetër e institucionit (është pjesë e dosjes “Frikacaku”).

Mbledhja e kolegjiumit të TVSH-së, 12 tetor 1982

Më 11 tetor më njoftuan se, ditën e martë (12 tetor), duhej të merrja pjesë në mbledhjen e kolegjiumit të televizionit. Në orë 11.00 ndodhesha në zyrën e drejtorit. Hyra brenda. Fytyra serioze nga të gjitha anët. Mbledhjen e drejtonte Marashi. Ishte edhe Çajupi, edhe sekretari i byrosë së partisë të televizionit (Andon Rudha). Ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e kolegjiumit, shefa të redaksive dhe sektorëve ndihmës. Kishin ardhur edhe Vladimir Shpuza, edhe Virgjil Kule (dhëndri i Rita Markos). Këta nuk ishin anëtarë të kolegjiumit, por do katapultoheshin, brenda pak ditësh, në krye të institucionit. Virgjili do kapërcente edhe Ylli Pepon, kunati i të cilit, Thoma Dine, ish-sekretar i parë i rrethit të Pukës, sapo ishte arrestuar.

Natyrisht askush nuk foli në mbrojtjen time. Kjo ishte e kuptueshme. Gjatë gjithë mbledhjes, foli vetëm Marashi, që më akuzoi se unë kisha mbrojtur njerëz problematikë në televizion, nuk e kisha kryer mirë detyrën e ngarkuar, nuk kisha vënë aftësitë e mia në funksion të modernizimit të televizionit shqiptar (sapo kishte mbaruar blerja e të gjithë pajisjeve të TVSH-së, me vlerën 5 milionë dollarë dhe, të gjitha bisedimet, si dhe kontratat me kompanitë e huaja ishin bërë e firmosur nga unë). Në mënyrë të veçantë më sulmuan Shpuza e Kule. Vladimir Shpuza m’u drejtua edhe me fjalët: “Po, ti, pse shqetësohesh kaq shumë, sikur i ke marrë dorën Kadri Hazbiut”?! Edhe Virgjil Kule hodhi të tilla aludime dhe mbështeti fjalët e Marash Hajatit. Folën edhe disa të tjerë. Thanë e ç’nuk thanë! Nuk shqetësoheshin për çfarë nxirrnin nga goja. Tani unë isha kurrkush!

Dosja e punës

 Dosja ime personale (e punës) m’u dha, siç ishte rregulli, kur dola në pension, në vitin 2016. Ajo ishte “holluar” shumë, krahasuar me pamjen që kishte patur në tetor 1982. Prej saj ishin hequr shumë dokumente, kryesisht karakteristikat e punës, që, në atë kohë, ishin të përvitshme dhe firmoseshin nga titullari i institucionit. Karakteristikat vjetore të kuadrove firmoseshin edhe nga sekretarët e organizatës bazë të partisë së televizionit. Për Agron Aranitasin ato kishin qenë nga më të mirat. Deri në tetor 1982, unë isha dekoruar dy herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor (me “Medaljen e Punës” dhe me “Urdhrin e Punës” të klasit të tretë) dhe, sapo, isha propozuar për dekoratën e tretë (për kontributin e dhënë gjatë procesit të kalimit në teknologjinë me ngjyra).

Meqenëse, propozimet për dekorimet bëheshin nga titullarët e institucionit, kuptohet se kush ishte më i interesuari për zhdukjen e tyre. Deri në tetor 1982, unë vlerësohesha si një nga inxhinierët më të zotë, më punëtorë, më parimorë, me rezultate shumë të mira në punë, i dalluar si aktivist në organizatën e Bashkimeve Profesionale (isha nënkryetar i saj në TVSH) e të tjera, e të tjera. Në këtë drejtim flet edhe një mbledhje e organizatës bazë të partisë së televizionit, të cilën e ka botuar, diku, gazetari Dashnor Kaloçi. Në atë mbledhje ishin kritikuar të gjithë inxhinierët e TVSH-së, madje edhe vetë krye-specialisti i saj, Vullnet Musaraj. Përjashtim bënte vetëm Agron Aranitasi, për të ishin thënë fjalët më të mira! Kishin shpëtuar disa karakteristika të mira.

Njera i përkiste vitit 1977 dhe ishte firmosur nga krye-specialisti, Vullnet Musaraj: “…Agroni ka njohuri të mjaftueshme mbi bazat teorike të Marksizëm-Leninizmit, njeh historinë e Partisë së Punës të Shqipërisë. Ka njohuri mbi çështjet kryesore të ndërtimit të socializmit e të zhvillimit të revolucionit…! Punon, vazhdimisht, për ngritjen e tij ideopolitike. Studion vazhdimisht materialet e PPSH-së dhe sh. Enver…! Agroni tregon iniciativë për kryerjen e detyrave të ngarkuara në kohë e, me cilësi të mirë. Jep kontributin maksimal në frontin e tij të punës, ka të zhvilluar shpirtin e sakrificës dhe, në çdo rast, ve në plan të parë interesat e përgjithshme të Partisë dhe të popullit mbi ato vetjake.

Agroni është treguar i apasionuar në punën e tij. Ai, bashkë me shokët, ka punuar për transformimin rrënjësor të sektorit të magnetoskopëve, që është sektori i cili përballon një punë të madhe në regjistrimet dhe transmetimet televizive…! Është i lidhur me shokët, i ndihmon ata dhe mëson prej tyre. Kritikon hapur të metat e tyre dhe bën autokritikë për të metat dhe gabimet e tij. Është i dashur me shokët dhe gëzon respektin e tyre. Është kërkues ndaj vetes dhe godet pa mëshirë ata që janë të pandreqshëm dhe shoqërisht të rrezikshëm”. Një karakteristikë tjetër, e po këtij viti, ishte bërë nga sekretari i organizatës bazë të partisë së TVSH-së dhe Drejtori i TVSH-së (respektivisht Kozma Skarço dhe Marash Hajati):

“Gjatë gjithë kohës, që ai ka punuar në televizion, është treguar i apasionuar për punën, këmbëngulës për të realizuar sa më mirë detyrat që i janë ngarkuar. Ka kontribuar në ngritjen dhe përsosjen e sektorit që drejton dhe ka arritur rezultate të mira. Puna e tij ka ndihmuar në rritjen e sigurisë dhe të cilësisë së regjistrimit dhe transmetimit të emisioneve në televizion. Agroni merr pjesë aktive në diskutimin dhe zgjidhjen e të gjithë problemeve teknike që i kanë dalë televizionit. Është inxhinier studios, që punon ritmikisht për ngritjen e nivelit të tij politik dhe teknik. Ndihmon shokët. Di tri gjuhë të huaja (rusisht, frëngjisht, italisht). Gjatë punës në televizion është dalluar edhe si aktivist në organizatat e masave dhe disa herë është zgjedhur edhe në organet drejtuese të tyre. Është i sjellshëm dhe i dashur me shokët, korrekt dhe parimor”.

E njëjta karakteristikë është përsëritur edhe në vitin 1978 dhe ishte firmosur nga sekretari i organizatës bazë, Arqile Nika. Të njëjtën karakteristikë Arqileja e kishte firmosur në mesin e vitit 1979, kur Agron Aranitasi u propozua të shkonte për specializim 9-mujor në Francë. Më 15 shtator 1981, ishte bërë një tjetër karakteristike, e ngjashme me të parat, kur Agron Aranitasi ishte propozuar për dekorim me “Urdhrin e Punës” të klasit të III-të. Është firmosur nga sekretari i organizatës bazë, Andon Rudha. Këtu ndërpriten karakteristikat e mira. Është hequr karakteristika e bërë me rastin e emërimit të Agron Aranitasit, si kryespecialist i TVSH-së. Për t’u zgjedhur në këtë pozicion, merrej aprovimi i Komitetit Qendror të Partisë dhe propozimi firmosej nga titullari i institucionit dhe nga sekretari i byrosë koordinative të partisë në RTSH-së (respektivisht Çajup Rusmajli dhe Marash Hajati).

Nuk gjendet asnjë gjurmë për vlerësimin e punës së Agron Aranitasit gjatë viteve 1981-82, sidomos për kontributin e tij në blerjen e teknologjisë me ngjyra. Në dosjen e punës nuk mungonte (e si mund të ndodhte ndryshe!) karakteristika e datës 12 tetor 1982, pas mbledhjes së Kolegjiumit të TVSH-së. Pasi flitet për prindërit dhe vëllezërit e mi, karakteristika vazhdon: “…Njeri nga vëllezërit e nënës së tij, Vllas Arapi, ka dezertuar nga radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, është hedhur me ‘Ballin’ dhe është vrarë si i arratisur politik në vitin 1946 (asnjëherë, më parë, nuk ishte përmendur një gjë e tillë, megjithëse, në çdo autobiografi (CV) timen, ky fakt nuk kishte munguar).

Agroni është martuar me Mimoza Kadri Hazbiun, mësuese e gjuhës anglisht (në të vërtetë e gjuhës frënge). Dy vjetët e fundit kryente detyrën e krye-specialistit të sektorit teknik të televizionit. Në përgjithësi puna e tij në atë sektor është vlerësuar e mirë. Por, më datën 9 tetor 1982, kur mori vesh që vjehrri i tij, Kadri Hazbiu, u dënua nga Partia, ai kreu një veprim të papranueshëm, në kundërshtim me normat e Partisë dhe ligjet e shtetit. Ai braktisi detyrën, duke bërë dorëzimet në mënyrë arbitrare, pa njoftuar nomenklaturën që e ka emëruar në këtë detyrë, as organizatën e partisë dhe as Drejtorinë e Televizionit. U largua pa leje nga puna, duke marrë me vete edhe libra teknike, edhe skema që i takojnë institucionit (!), duke lëshuar në korridore edhe shprehje të pakënaqësisë (!), që tregojnë për pjekurinë ideologjike dhe politike të tij e, që e bën atë të padenjë, jo vetëm për detyrën si kryespecialist, por edhe për qëndrimin e tij në Televizion.

Edhe herë tjetër ai është kritikuar nga organizata bazë e partisë (kurrë!), nga Drejtoria e Televizionit dhe Drejtoria e Përgjithshme (kurrë!), si dhe në kolektiv për dobësi në drejtimin dhe organizimin e punës (kurrë!), për mendjemadhësi dhe vetëkënaqësi (kurrë!), për marrje në mbrojtje, në rrugë të padrejtë, të njerëzve që thyenin disiplinën në punë e që kritikoheshin nga Drejtoria (kurrë!). Është kritikuar për mosmarrje pjesë në mbledhjet e kolegjiumit dhe të kolektivit (kurrë!). Për fajin e rëndë, të kryer më 9 tetor 1982, Kolegjiumi i Televizionit, në një mbledhje të posaçme, të datës 12 tetor, e kritikoi rëndë, kërkoi të reflektojë për fajet e tij dhe propozoi që të shkarkohet nga detyra dhe të largohet nga Televizioni”.

Çfarë shkruhet në karakteristikë, është tërësisht e gënjeshtërt, përveç faktit që u propozua shkarkimi dhe largimi im nga Televizioni. Unë nuk e kam braktisur detyrën për asnjë çast. Drejtoria e Televizionit, kishte planifikuar që leja ime e zakonshme të fillonte më datën 8 tetor 1982, menjëherë pas mbarimit të punimeve të Kongresit të VIII-të të BRPSH-së. Këtë e provon më së miri fakti që, me gjithë masën e marrë për pushimin tim nga puna, unë jam paguar edhe 15 ditë të tjera, pra deri më 22 tetor të atij viti. Si mund të thuash, në hyrje të karakteristikës, se punën e kisha kryer, në përgjithësi mirë, e, pastaj, të radhitësh tërë ato akuza?! Librat, që kisha marrë nga zyra ime, nuk ishin blerë me paratë e shtetit, siç pretendonte Marash Hajati!

Unë isha specializant me bursë të UNESCO-s (institucion i Kombeve të Bashkuara), ndërsa shteti, gjatë kohës që isha për specializim, më mbante 80 përqind të rrogës, gjë që ishte në kundërshtim me rregullat e organizmit që më kishte akorduar bursën. Bursa e akorduar nga UNESCO ishte rreth 900 dollarë në muaj (3500 franga franceze). Unë bleva gati dyzetë libra të profesionit tim, të cilët m’u morën me të padrejtë dhe nuk dihet ku përfunduan. Kur u riktheva në RTSH, i kërkova ato në bibliotekën e institucionit, por nuk gjeta gjë. Njeriu, që më zëvendësoi, pra Vladimir Shpuza, gjeti në sirtarët e tavolinës sime një makinë llogaritëse “Texas Instrument” dhe disa sende të tjera personale të miat (midis tyre 8 kaseta me këngë, kryesisht franceze), të cilat nuk pati mirësinë të m’i kthente. Një makinë e tillë llogaritëse kushtonte rreth 400 dollarë, që nuk ishin pak në atë kohë./ Memorie.al

                                                  Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Shoferin e zuri gjumi dhe makina u përmbys, i zuri poshtë të gjithë e mori flakë...”/ Dëshmia e rrallë e të mbijetuarit nga ngjarja e vitit ’49 në dalje të Milotit, ku vdiqën 20 nxënës nga Kukësi

Artikuj të ngjashëm

“Shoferin e zuri gjumi dhe makina u përmbys, i zuri poshtë të gjithë e mori flakë…”/ Dëshmia e rrallë e të mbijetuarit nga ngjarja e vitit ’49 në dalje të Milotit, ku vdiqën 20 nxënës nga Kukësi
Dossier

“Shoferin e zuri gjumi dhe makina u përmbys, i zuri poshtë të gjithë e mori flakë…”/ Dëshmia e rrallë e të mbijetuarit nga ngjarja e vitit ’49 në dalje të Milotit, ku vdiqën 20 nxënës nga Kukësi

March 27, 2026
“Pas internimit tim në Fushë-Arrëz në ’82-in, në vendin tim, u katapultua Vladimir Shpuza, nipi i Ramiz Alisë, i cili së bashku me gruan e tij, për gati dhjetë vjet…”/ Dëshmia e ish-kryeinxhinierit të RTSH-së
Dossier

“Pas internimit tim në Fushë-Arrëz në ’82-in, në vendin tim, u katapultua Vladimir Shpuza, nipi i Ramiz Alisë, i cili së bashku me gruan e tij, për gati dhjetë vjet…”/ Dëshmia e ish-kryeinxhinierit të RTSH-së

March 27, 2026
“Në Klos vdiqën 5 persona nga një familje, në Patos 9 të vdekur e 5 të plagosur, në Prekal vdiqën 28 dhe 36 të plagosur,  në Fushë-Bulqizë…’ / Raportet sekrete të Sigurimit, me aksidentet tragjike në vitet ’70 – ‘80
Dossier

“Në Klos vdiqën 5 persona nga një familje, në Patos 9 të vdekur e 5 të plagosur, në Prekal vdiqën 28 dhe 36 të plagosur, në Fushë-Bulqizë…’ / Raportet sekrete të Sigurimit, me aksidentet tragjike në vitet ’70 – ‘80

March 26, 2026
“Feçori vlerësonte romanin ‘Dimri i vetmisë madhe’ të Kadaresë, duke thënë se autori paraqet me vërtetësi rininë e ‘Rrugës së Dibrës’, e cila është si ajo e Bashkimit Sovjetik…”/ Dëshmia në hetuesi, ish-drejtorit të Albimportit
Dossier

“Në nëntor ’81, kur Mehmet Shehut po i bëhej ‘gjyqi’ në parti, më thirri Miti Tona, shefi shtypit në Komitetin Qendror, i cili më tha; do të them një sekret…”/ Dëshmia e rrallë e ish-kryeinxhinierit të RTSH-së

March 25, 2026
“Makina e drejtuar nga Luç Turumani, ra në humnerë, vdiqën 5 veta, në rrugën Komanit vdiqën 6 inxhinerë, në Batër u rrëzua…”/ Zbulohen raportet sekrete të Sigurimit, me aksidentet tragjike në vitet ’70 – ‘80-të
Dossier

“Makina e drejtuar nga Luç Turumani, ra në humnerë, vdiqën 5 veta, në rrugën Komanit vdiqën 6 inxhinerë, në Batër u rrëzua…”/ Zbulohen raportet sekrete të Sigurimit, me aksidentet tragjike në vitet ’70 – ‘80-të

March 26, 2026
“Në Sarandë humbën jetën 9 persona dhe u plagosën 19 të tjerë, në Elbasan vdiqën 12 veta dhe u plagosën 23, në Pukë e Pezë  …”/ Zbulohen raportet sekrete të Sigurimit me aksidentet automobilistike në vitet ’70 – ‘80-të
Dossier

“Në Sarandë humbën jetën 9 persona dhe u plagosën 19 të tjerë, në Elbasan vdiqën 12 veta dhe u plagosën 23, në Pukë e Pezë …”/ Zbulohen raportet sekrete të Sigurimit me aksidentet automobilistike në vitet ’70 – ‘80-të

March 25, 2026

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme