Nga Florenc Bakillari
Pjesa e pestë
-Historia e rrallë e fshatarit nga Kalivaçi i Tepelenës që, pasi u vetë shpall si oficer i Sigurimit, u paraqit si i dërguari special i Kadri Hazbiut, në Degët e Punëve të Brendshme në Shkodër dhe Durrës-
Memorie.al / Xhaferr Kanani, personazhi i rrallë, në rrëfimin e tij për aventurën tejet të rrezikshme që ai ndërmori në vitin 1960, atë të vetëshpallurit oficer i Sigurimit të Shtetit dhe më pas të prezantimin me “kolegët” në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës dhe atë të Durrësit. Edhe pas gati pesë dekadash nga ajo kohë, ai çuditej për mungesën e vigjilencës atje, pikërisht në strofkën, ku thureshin planet për arrestimet, torturat, persekutimet, burgosjet e internimet e dhjetëra shkodranëve. Xhaferri do të befasohej nga prezantimi dhe pritja e ngrohtë që i bënë drejtuesit më të lartë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, duke filluar na kryetari, kolonel Feçor Shehun, shefi i Policisë, kolonel Skënder Vinçani, shefi i Sigurimit, nënkolonel Hysen Hoxhati, etj. Pasi u bë i njohur në Shkodër, ai vendosi të vazhdonte lojën e tij të rrezikshme edhe në qytetin e Durrësit. Shkodra do t’i jepte Xhaferr Kananit, majorit të rremë, kënaqësinë e shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu, i cili vizitoi qytetin verior, në verën e vitit 1960, ndërsa, Durrësi, shoqërimin e Enver Hoxhës, gjatë përcjelljes që kreu i Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha, i shoqëruar nga pjesa më e madhe e anëtarëve të Byrosë Politike, kishin ardhur në qytetin bregdetar për të përcjellë, Moris Torezin, kreun e Partisë Komuniste të Francës, pas vizitës disa ditore që ai kishte bërë në vendin tonë . Historinë e “inspektimit të tij, si i dërguar special i ministrit Kadri Hazbiu” në Shkodër dhe Durrës, janë përshkruar me detaje dhe hollësira nga vetë personazhi i shkrimit tonë, Xhaferr Kanani, në këtë intervistë të tij të gjatë, që do publikohet në disa numra.
Z. Kanani, gjatë kohës që keni qëndruar në burg, a keni pasur probleme me oficerët?
Kam pasur disa probleme. Kishte ndonjë oficer apo kapter që mendonte se unë isha fajtor për çmobilizimin dhe largimin nga radhët e policisë të 38 personave, ndaj edhe ata më ofendonin ose në ndonjë rast tentonin të më keqtrajtonin, por mbi mua nuk vunë dorë. E kisha sqaruar situatën në të cilën isha ndodhur në të gjithë ambientin e të burgosurve pasi, doja edhe këtyre kundërshtarëve të mi, t’u shkonte në vesh fjala se aventura ime, nuk synonte të merrte më qaf njerëz. Ajo thjesht nisi si lojë edhe pse e dija se do të më kushtonte burgun. Nëse do të isha arratisur, do të kisha shkatërruar shumë familje, ndaj nuk e mendova asnjë herë të realizoja një gjë të tillë, edhe pse në Shkodër në 8 mars 1960, kisha shkuar me synimin për t’u arratisur. Vajza që njoha, më detyroi të vetëquhesha oficer i Sigurimit.
Si ishte jeta në minierën e Bulqizës dhe gjendja e të dënuarve atje?
Në galeri ishte një gjendje mjaft skandaloze, të burgosurit punonin me orë të zgjatura, deri në realizmin e normës ditore. Askush nga ne, nuk ngjitej lart në sipërfaqe pa e realizuar këtë të fundit. Kam parë një rast, kur një i burgosur nga Saranda është rrahur mizorisht nga gardianët pasi, ai nuk donte të punonte në minierë. Me sa më thane, ai ishte dënuar me një vit burg se kishte ikur pa leje nga ushtria. Mbaj mend se nuk kishte më shumë se 20 vjeç ai djalë, që kishte një fizikë të fortë. Ai ju tha troç drejtuesve të burgut se, nuk do të punonte në galeri për sa kohë do të ishte i dënuar.
Por gardianët e kanë marrë zvarrë nëpër dëborë dhe e kanë çuar në galeri, mirëpo ai, përsëri nuk preku asnjë copë minerali me dorë, për të ngarkuar vagonët. Po ashtu zvarrë e marrin përsëri dhe e sjellin në qeli. Vendosmëria e djaloshit ,i detyroi autoritet që ta transferonin pas disa kohësh në burgun e Burrelit. Ai kishte rënë nga shëndeti jashtë mase dhe kur e pa e ëma që kishte shkuar ta vizitonte në burg, i ra infarkt dhe vdiq në vend. Kështu të katandiste miniera dhe burgu i Bulqizës.
Duhet të ishe shumë i fortë ta përballojë jetën e një të burgosuri aty. Ushqimi ishte i pakët, aq sa të burgosurit, nëse mbetej diçka kur merrnin racionet, nxitonin kush ta merrte i pari. Më kujtohej një rast kur, teksa nxitonin të shtynin njeri tjetrin për të përfituar pak ushqim, dikujt ju derdh supa me makarona në kokën e një të burgosuri. I zoti i supës, e merrte nga koka e tjetrit makaronat dhe i hante. Kam parë edhe raste të tjera, të keq ushqyerit dhe rrahjeve barbare, që ju bënin të burgosurve.
Patët ndonjë incident gjatë kohës që ishit në galerinë e minierës?
Unë e dija shumë mirë se, Feçor Shehu dhe dy tre njerëz të tjerë që e kishin “pësuar”, nga historia ime, synonin të zhduknin fare në shenjë hakmarrje. Ata vazhdonin të kishin lidhje me oficerë të tjerë që, ishin në radhët e Sigurimit të Shtetit, të cilët nuk e kishin të vështirë, të më binin gjëmën mua, aq më shumë brenda në galeri. Një brigadier me emrin Hyso dhe një farë Kudreti, kishin marrë urdhër që të më zhduknin sapo t’u jepej mundësia.
E dija këtë, por fati im tashmë nuk varej nga unë. Komandanti i burgut, kolonel Hazbi Lamçe, ishte dashamirës ndaj meje dhe nuk nguronte të më ndihmonte, aq më tepër, kur ai e dinte situatën e krijuar dhe më nxori të punoja në sipërfaqe. Disa kohë më pas, vjen për vizitë në burgun e Bulqizës, ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, i shoqëruar nga gjeneral Zija Kambo. Më thirrën në komandë ku, ishte mbledhur i gjithë personeli i burgut.
Pasi më përshëndetën, iu drejtuan xhelatëve tanë, duke ju thënë se, nuk i kisha marrë unë më qafë shokët e tyre, por në fakt, më kishin marrë ata në qaf mua, me mungesën e vigjilencës së tyre. Në të vërtetë, po të ishin treguar vigjilentë oficerët e Degëve së Punëve të Brendshme, të Shkodrës dhe të Durrësit, aventura ime nuk do të ishte realizuar, pasi do më kishin zbuluar që në fillim.
Po këtë ju a kishte thënë edhe Hysni Kapo oficerëve madhorë të ministrisë së Brendshme gjatë kohës që ju mbaheshit në hetuesi në pritje të gjykimit, apo jo?
Është e vërtetë se Hysni Kapo ju tha atyre se; këtë njeri e morët ju më qafë dhe jo ky oficerët tuaj. Pas kësaj deklarate, reagoi Rexhep Kolli, i cili ju përgjigj Hysni Kapos se, oficerët e liruar i’u shpëtuan plumbave në luftë, ndërsa tani i kisha “vrarë” unë. Ishte momenti kur Hysni Kapo, sapo ishte shprehur se, kisha vetëm një faj që, nuk i kisha hedhur drejtuesit e Degës së Shkodrës në Bunë, ndërsa ata të Durrësit, në molin zero.
Këtu ndërhyri edhe Rexhep Kolli dhe tha: Ky ka bërë vetëm një faj që si falet, pasi ata që nuk i vrau plumbi në luftë, apo diversantët tashmë, i vrau ky me veprimin e tij. Pas kësaj Hysniu ndërhyri përsëri, duke i thënë Rexhep Kollit se; oficerët e liruar i kishte “vrarë” ai me shokët e tij. Hysniu vazhdonte të këmbëngulte se, fajtor për fatin tim kishin qenë vetëm vartësit e Rexhepit. Megjithatë, ky debat mes Hysni Kapos dhe Rexhep Kollit, tregon edhe atë që mund të ndodhte më vonë me mua. Vetëm ardhja e Kadri Hazbiut dhe Zija Kambos, ndryshoi gjithçka në sjelljen e disa gardianëve ndaj meje, deri në fund të dënimit tim.
Po pas burgut ku u vendosët dhe a vazhdoi persekutimi juaj?
Unë doja të shkoja në Elbasan, pasi atje kisha dy motra, ndaj dhe ja kërkova këtë Kadri Hazbiut. Më ndihmuan të shkoja në Elbasan, madje Todo Manço, me kishte dhënë edhe një letër për sekretarin e parë të Komitetit Partisë së këtij rrethi, Jashar Menzelnxhiun. Ky i fundit, më çoi të punoja si furnitor në ndërmarrjen Rruga-Ura të Elbasanit. Menzelnxhiu, madje, ju tha drejtuesve të ndërmarrjes që, të më kishin kujdes, pasi unë kisha rënë viktimë e mungesës së vigjilencës së organeve të Sigurimit të Shtetit.
Gjatë kohës kur punoja në ndërmarrjen Rruga-Ura, pata atje përkrahjen e një njeriu të cilit, i jam mirënjohës edhe sot. Veip Guri, kryeinxhinieri i asaj ndërmarrjeje, më ka trajtuar mjaft mirë dhe madje ishte ai që më porosiste se, nga kush duhej të ruhesha, pasi ai e dinte që Sigurimi i Shtetit aty në Elbasan, kishte qëllim që, sa të më gjente rastin, të më çonte përsëri në burg.
Më ka ndodhur shpesh që të përballem me persona që më kërkonin me ngulm që, të tregoja historinë time dhe më pas të raportonin në Degën e Punëve të Brendshme të Elbasanit, drejtues i së cilës në atë kohë, ishte Nevzat Haznedari, njeri i lik dhe shpirtkazme. Veip Guri, e dinte fare mirë që mua më ishin vënë nga pas spiunët dhe ai më thoshte se, duhet të isha i kujdesshëm. Ishte kryeinxhinieri Guri ai, që më hoqi nga Elbasani, kur pa se më kanosej rreziku dhe më dërgoi në të njëjtën ndërmarrje, por në Sarandë.
U larguat nga Elbasani dhe u vendosët në Sarandë po në ndërmarrjen Rruga-Ura. A e gjetët qetësinë pas këtij transferimi?
Fillimisht, m’u duk se shpëtova nga ndjekja e Sigurimit të Shtetit, por më pas, e kuptova se vijonte e njëjta situatë. Nisa punën në Dhrovjan dhe një pasdite kur sapo isha kthyer nga puna, kaloja pranë Hotel-Turizmit, ku ndodheshin Feçor Shehu dhe Hito Çako, që nga hoteli, diçka ishin duke vëzhguar me dylbi. Feçori më pa dhe më thirri të shkoja tek ai. Sapo mbërrita, më pyeti se përse ndodhesha në afërsi të Turizmit. I’u përgjigja se isha rastësisht aty dhe se sapo kisha lënë punën.
Ai mendonte se kisha shkuar qëllimisht, por e kundërshtova. Bëmë pak debat dhe dihet që ai ishte ri ngjitur në detyrë dhe vazhdonte të mbante ndaj meje, të njëjtin qëndrim si më parë, pra, nuk e kishte harruar atë që, gjoja i kisha bërë. Në këtë kohë, në debat ndërhyn Hito Çako, i cili ngaqë nuk më njihte, pyeti kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Sarandës, Bajram Muçën, njeri shumë i mirë, për të mësuar se kush isha. Ai i tha se, përpara kishte “majorin” fals. Hitoja menjëherë i tha:
“Majori i Kalivaçit?! Unë paguaja për ta takuar këtë njeri”?! Çako më pyeti për arsyet për të cilat ndodhesha në Sarandë dhe i thashë se, isha atje falë Feçor Shehut. Hito Çako, nisi të më mburrte për atë histori që e kisha paguar shtrenjtë, jo vetëm me burg, por tashmë ndiqesha gjithandej nga Feçori me shokë. Kaq zgjati edhe biseda me ta dhe më pas shkova në punën time.
Përse të “ndiqte” Feçor Shehu, kur ti e kishe mbaruar dënimin për atë që bëre?
E kisha të qartë se, më shumë nga të gjithë historinë time, e vuante psikologjikisht Feçor Shehu se, ai ishte fodull dhe mburravec, por pendët i ranë, vetëm atëherë kur për një aventurë rinore, eprorët të cilëve i’u shitej si “specialist i mbaruar”, i thanë se, nuk ishte asgjë më shumë se, një sylesh. Tërë jetën e tij, ai e kishte fiksim goditjen që mori në vitin 1960-të dhe për këtë, më ishte vënë nga pas që, të më mbyllte përgjithmonë në qeli, gjë që falë Kadri Hazbiut, nuk ndodhi.
Megjithatë edhe unë pasi dola nga burgu, isha shndërruar në një njeri të rezervuar dhe nuk i’u jepja mundësi spiunëve të më raportonin. Edhe pse veproja kështu, nuk i shpëtova përndjekjeve. Më konkretisht, dua të them se pesë ditë pas replikave me Feçor Shehun, erdhën në Sarandë policë nga Tepelena, të cilët më thanë se kishin urdhër të më dorëzonin në Degën e Punëve të Brendshme në Tepelenë. Aty pastaj mësova se, ishte dhënë një vendim nga Feçor Shehu, për internimin tim në Grabian të Lushnjës.
Pra “armiqtë” e tu, ia arritën qëllimit apo jo?
Jo plotësisht sepse, kishte edhe njerëz që tregoheshin dashamirës me mua. Pak pasi më komunikoi urdhrin kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Tepelenës, Zyhdi Aga, mori në telefon Ministrin e Brendshme Kadri Hazbiun dhe e vuri në dijeni për atë që kishte ndodhur me mua. Kadriu, sapo mësoi për internimin tim në Grabian të Lushnjes, ndërhyri që të ndryshonte vendi i internimit, nga Grabian i Lushnjes, në Selenicë të Vlorës. Atëhere isha i pamartuar dhe familjen e krijova disa vjet më pas, në Selenicë, ku dhe u bëra me fëmijë.
Përse e refuzuat internimin në Grabian të Lushnjes?
Atje ishin internuar shumë nga ata që kualifikoheshin si armiq të pushtetit dhe këtë shfrytëzova, për të mos shkuar atje. Pastaj, nuk kisha bërë ndonjë veprim antipushtet, kisha realizuar vetëm një aventurë rinore, për te cilën isha ndëshkuar dhe jo pak, por më mori vite burg. Në Selenicë, kisha edhe një motër të martuar atje dhe më bëhej mirë, pastaj mendoja se, ishte më ndryshe Selenica, krahasuar me Grabianin. Mendoja se edhe mund të më linin të qetë aty, por në fakt gabova sepse, disa njerëz shpirtkeq, vazhdonin të më binin më qafë.
A gjetët zgjidhje për ngacmimet që iu bënin njerëzit e Sigurimit në Selenicë?
Belanë gjeta edhe në Selenicë, nga njerëzit e Feçor Shehut. Këta më ndiqnin nga pas dhe nuk më lanë asnjëherë të qetë. Isha ndeshur disa herë me oficerët injorantë të Sigurimit të Shtetit. Megjithatë, pata fat se gjeta edhe atje dy njerëz të mirë, kolonel Dhimitër Bonatën, Kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Vlorës dhe Llazar Karafilin, i cili më njihte prej vitesh. Këta urdhëruan një operativ që, të mos më ngacmonin disa tipa të poshtër si, Zalo Matraku dhe të tjerë, të cilët më thoshin se, do të më çonin atje ku isha, pra në burg dhe të tjera kërcënime si këto.
Gjatë gjithë rrëfimit tuaj, e përmendni Kadri Hazbiun si shpëtimtarin tuaj. Përse ju ndihmonte ky pushtetar i lartë i asaj kohe?
Mendoj se arsyeja e parë ishte ngaqë Kadriu, e dinte mirë se nuk kisha bërë asgjë të keqe, veç një aventurë. Por mendoj se ai vazhdoi të më ndihmonte kur, nuk nxora emrat e atyre oficerëve të cilët donte t’i ndihmonte. Kadri Hazbiu, gjithmonë më shikonte me keqardhje dhe prirej të më ndihmonte. Kam edhe një kujtim me të. Ky ishte takimi im i fundit me ministrin e asaj kohe. Në një përvjetor të betejës së Drashovicës, shkova edhe unë. Kadriu ishte së bashku me Vito Kapon dhe të tjerë njerëz me pushtet të asaj kohe.
Zura vend në rreshtin e parë, pranë kisha Basri Bedinin, një nga oficerët e Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit, që e liruan kur dola “major” fals. Të jem i sinqertë, doja të bisedoja me të dhe e pyeta se si ishte. Ai më tha: Si të jem, nuk e shikon, këto na le ti dhe tregonte dekoratat e partizanllëkut. M’u dhimbs shumë dhe heshta, por ndërkohë, ai mu largua duke më thënë se, edhe aty nuk i kisha lënë rehat. Kur mbaroi ceremonia, Kadri Hazbiu erdhi drejt meje dhe më pyeti për shëndetin e, nëse kisha ndonjë hall. I thashë se, nuk po më linin ende të qetë edhe atje ku më internuan, në Selenicë.
Ai ma preu: “Tani e tutje, nuk do të ngacmoi më askush se edhe kuadrot drejtues të Selenicës të panë që u takove me mua”. Përsëri nuk më besohej se, do të më linin të qetë, por në fakt, pas asaj dite, nuk pata më ngacmime nga operativët e Sigurimit dhe vazhdova jetën time, por nga ana tjetër, kisha mbetur ekonomikisht dobët dhe ajo ekonomi, më ndoqi deri në ditët e sotme. Kështu ishte shkruar për mua, të vuaja gjithë jetën time edhe sot në pleqëri, por shpresoj që, të ecin fëmijët e mi, që nuk e besoj se, do të kenë fatin tim dhe s’ka pse ta kenë. /Memorie.al