Nga Prenjo Imeraj
Pjesa e dytë
Memorie.al / Dy gjëra madhore bien me një herë në sy, kur lexon monografinë interesante të Bardhosh Gaçes kushtuar kësaj figure me përmasa historike: 1. Si është e mundur, që kaq gjatë është lënë në harresë një figurë aq e madhe enciklopedike, si ajo e Sali Hallkondit!? 2. Vdekja e tij e parakohshme, me vrasje makabre, në kulmin e moshës, për veprimtari intelektuale dhe atdhetare (ka jetuar vetëm 49 vjet)!… Gazetari dhe publicisti i njohur Bardhosh Gaçe është treguar shumë i guximshëm dhe mjaft këmbëngulës në hulumtimin e jetës dhe veprimtarisë së Sali Hallkokondit, kur për këtë intelektual të spikatur dhe atdhetar i flaktë për çështjen kombëtare, nuk ishte e shkruar asgjë, jo vetëm nga koha e Mbretit Zog, që dyshohet se e ka groposur vetë Sali Hallkokondin, por as gjatë regjimit komunist e madje, edhe në fillimet demokratike në Shqipëri.
Në të njëjtën kohë, Sali Hallkokondi me shokë bënë ç’kishin në dorë, për të zbatuar porosinë e Ismail Qemalit, që në Vlorë të mbahej i ngritur Flamuri Kombëtar dhe të mos ngrihej flamuri turk, që mbanin rebelët, ashtu si edhe ndodhi në të vërtetë: Flamuri kombëtar valëvitej mbi kokat e rebelëve dhe Vlora nuk u shkatërrua nga bandat. Nga fundi i nëntorit 1914, Sali Hallkokondi me disa atdhetarë të tjerë, për t’i shpëtuar reprezaljeve të ushtrisë së Mustafa Ndroqit, u larguan për disa ditë në Itali. Prej andej u kthyen në mesin e muajit dhjetor.
Kur Italia zbarkoi me forcat e saj në Skelë, më 25 dhjetor 1914, Sali Hallkokondi do të deklaronte: ”Opinioni publik i popullit fort i dëshpëruar me shkak që kuptoi fort mirë qëllimin e politikanëve të Italisë, të cilët në kuvendimet verbale tregonin vazhdimin e një politike të dobishme në të drejtat kombëtare, por mbanë tjetër, veprimet, punërat dhe qëllimet e tyre të shfaqura ua siguronin politikën e tyre grabitësve dhe pushtuesve krejt në dëm të humbjes e interesit kryesor të kombit shqiptar…”!
Nga vitet 1916-1921, Sali Hallkokondi si shumë intelektualë atdhetarë të shkolluar në Stamboll, Kajro, Vjenë e gjetkë, u përfshi në disa shoqëri kulturore e atdhetare, të cilat kanë luajtur një rol të veçantë në rritjen e ndërgjegjes kombëtare në qytetin e Vlorës dhe krahinat e saj. Ndërkaq, në vjeshtën e vitit 1916, forcat e ushtrisë franceze të Armatës së Lindjes hynë në Korçë, ndërsa ushtria italiane e shtriu zotërimin e vet në krahinën e Gjirokastrës, duke larguar që ndejë, pushtuesit grekë dhe, në muajt e parë të vitit 1917, ajo u shtri edhe në Sarandë dhe Ersekë, ku tek Qafa e Qarrit u vendos kufiri me ushtrinë franceze.
Në shkurt 1918 me nisjativën e Halim Xhelos, Sali Hallkokondit, Zaçe Xhelos dhe Laze Malos, u krijua shoqëria “Opinga”, rregulloren e së cilës e hartoi vetë Saliu dhe që kishte si qëllim organizimin e luftës për kundër pushtimit italian. Rrezia e veprimit të kësaj shoqërie u shtri në Dukat, Kurvelesh, Topallti e, deri në krahinën e Kudhësit, me tendencë për shtrirje të më tejshme në Sevaster, Nivicë e gjetkë.
Në korrik të vitit 1918, Sali Hallkokondi sëbashku me të vëllanë, Bajram Hallko, një ushtarak i zoti dhe atdhetarë të tjerë, midis të cilëve edhe Avni Rustemi, që në atë kohë ishte mësues në Vlorë, themeluan në atë qytet shoqërinë patriotike “Djalëria e Vlorës”, e cila synonte në rritjen e frymës antiimperialiste kundër pushtuesve italianë. Kjo shoqëri ra shpejt në sy të “Zyrës Politike për Çështjet Civile”. Kryetari i saj Ugo Kapialbi, thirri midis të tjerëve edhe Avni Rustemin dhe Sali Hallkokondin, duke u tërhequr vemendjen…; “për ruajtjen e qetësisë nëpër qytete e katunde”. Megjithatë, 28 nëntori i vitit 1918, që shënonte 6 vjetorin e ngritjes së flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali, u kremtua me demonstratë të madhe, fillimisht me nxënësit e shkollave të qytetit dhe pas tyre me qindra qytetarë tjerë, me në krye drejtuesit e shoqërisë “Djalëria e Vlorës”.
Me Flamurin Kombëtar në ballë marshuan nëpër rrugë, duke qëndruar disa çaste edhe në sheshin përpara prefekturës, ku midis të tjerëve foli edhe Bajram Hallkokondi. Tek sheshi historik flamurit, u manifestua gjatë, duke kënduar këngë patriotike dhe, ku folën edhe Halim Xhelo, Avni Rustemi, Jani Minga etj. Po në atë shesh, Bajram Hallkokondi do të deklaronte me pikëllim se: “Më vjen shumë hidhur që sot në këtë festim të shenjtë rreth flamurit kombëtar, gjenden më shumë italianë se shqiptarë…, por shqiptari nuk trembet kurrë nga disiplina e ushtarëve italianë që gjenden rrotull nesh…! Toka e bekuar e Vlorës dhe e tërë Shqipërisë është e jona, në të cilën duhet të rrojmë të lirë dhe asnjë fuqi nuk mund të na ndalojë dot nga ky qëllim…”!
Pas Kongresit të Lushnjës, nga shkurti deri në maj 1920, Sali Hallkokondi la gjurmë të thella me veprimtarinë e tij nëpër krahina, fshatra dhe qytetin e Vlorës. Së bashku me atdhetarët e tjerë, bashkëkohorë të vjetër dhe të rinj, filluan të mendojnë dhe veprojnë për organizimi në rezistencës kundër pushtuesve italianë dhe rreziqeve që u kanoseshin trojeve shqiptare.
Në të gjitha takimet që u organizuan për këtë qëllim në Dukat, Tragjas, Kaninë, Brataj, Mesaplik e Vranisht etj., Sali Hallkokondi gjendet së bashku me Halim Xhelon, Osman Haxhiun, Alem Memetin, Hamit Selmanin, Hamza Isain, e tjerë. Midis shokëve të tij, Sali Hallkokondi, u bë një orator i flaktë, në mbështetje të Kongresit të Lushnjës dhe sidomos thirrjes që drejtoi kryeministri Sulejman Delvina, në të cilin kërkohej: “Një besë e përgjithshme në mbrojtjen e tokave shqiptare”.
Pas mbledhjeve që u zhvilluan në shtëpitë e Abaz Mezinit dhe Osman Haxhiut në marsin e vitit 1920 dhe krijimit të organizatës “Mbrojtja Kombëtare”, për përgatitjen e kryengritjes së armatosur, ashtu si edhe atdhetarët e tjerë të Vlorës, Sali Hallkokondi u largua nga qyteti dhe shkoi në vendlindje dhe kryesisht në krahinën e Mesaplikut, për të organizuar njerëzit e asaj zone.
Sali Hallkokondi ishte njëri nga organizatorë e Kuvendit të Barçallasë, ku deklaroi se: -“Këta dyfekë që do krisin nën komandën e Osman Haxhiut, do tronditin Europën dhe do të shkruajnë një faqe të re në historinë e Shqipërisë”!
Po në këtë kohë, disa pseudo-shqiptarë, të nxitur sillogot Vorio-Epirote në Korfuz e Athinë, kërkuan shkëputjen administrative të krahinës së Himarës nga trualli amtar. Sali Hallkokondi, si i dërguari i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, i bindi ata njerëz, që kjo çështje të lihej për tu zgjidhur pas Luftës së Vlorës.
Në mbledhjen e Beunit, Sali Hallkokondi u caktua në komisionin ushtarak, i cili luajti rol të madh në organizimin e çetave të luftëtarëve në frontin e luftimeve. Deri në krijimin e Prefekturës së Drashovicës, S. Hallkokondi ishte njëri nga këshilltarët kryesorë të komandantit të përgjithshëm të luftës, Ahmet Lepenica. Me krijimin e qendrës administrative në Drashovicë, me Prefekt Qazim Kokoshin, Sali Hallkokondit iu besua detyra e N/Prefektit. Sekretari saj u caktua Halim Xhelo.
Me fitoren e Luftës së Vlorës më 1920, Sali Hallkokondi u vendos përsëri në qytetin e Vlorës, si jurist në gjykatë. Gjatë kësaj kohe u njoh me At Shtjefën Gjeçovin, i cili ishte famullitar në kishën katolike të Vlorës, së bashku me Dom Mark Vasën, në të njëjtën kohë edhe anëtarë të komisionit të manifestimeve të fitores së Luftës së Vlorës. Kjo njohje, u shndërrua në miqësi të ndërsjellë dhe vazhdoi gjatë.
Kur Avni Rustemi ndodhej i burgosur në Paris, pas atentatit të famshëm, ndaj tradhtarit Esat Pasha, ndër atdhetarët vlonjatë, Sali Hallkokondi ishte ndër më aktivët në organizimin e protestave popullore, hartimin e memorandumeve dhe telegrameve, drejtuar gjykatës franceze dhe Ministrisë së Drejtësisë së Francës, për lirimin e atij biri të shquar të Kombit Shqiptar. Pas lirimit të Avniut nga burgu francez, si i pafajshëm, në Vlorë ju bë pritje madhështore e organizuar nga shoqëria “Mbrojtja Kombëtare”, ku dy vëllezërit Sali dhe Bajram Hallkokondi, ishin jo vetëm të pranishëm, por mbajtën edhe fjalime të zjarrta…!
Në hartimin e falënderimeve drejtuar në emër të popullit të Vlorës, trupit gjykues në gjykatën franceze dhe Avokatit mbrojtës të Avni Rustemit, u zgjodh një këshillë prej 5 vetash, midis të cilëve ishte edhe Sali Hallkokondi.
Më 21 prill 1921, me nisiativën e Avni Rustemit, në Vlorë u zhvillua kongresi i bashkimit të shoqërive shqiptare në federatën “Atdheu”, që siç thoshte Sali Hallkokondi, kishte në themel tre parime: Moralin shoqëror, ndërgjegjen kombëtare dhe, edukimin e shoqërisë me civilizimin europian.
Në qershorin e po atij viti, filluan barbaritë e qarqeve shoviniste greke, në trevën e Çamërisë. Sali Hallkokondi, që kishte qenë në Çamëri në vitet 1904-1911, ushqente një dashuri të flaktë për mëmëdhetarët e kësaj treve të nxehtë kombëtare. Ai me shokët e tij kërkuan nga qeveria shqiptare, të ndërhyje në rrugë diplomatike për ndërprerjen e dhunës dhe të masakrave ndaj popullsisë çame, dhe sigurimin e ndihmave ndaj atyre që kishin ardhur në Vlorë dhe në Sarandë.
Në vjeshtën e vitit 1921, nga qyteti dhe rrethinat e Vlorës u mobilizua një batalion me 400 luftëtarë, për t’i bërë ballë ushtrisë jugosllave, e cila kishte mësy në Dibër dhe Mirditë. Me këtë batalion u bashkuan edhe Avni Rustemi, Sali Hallkokondi, Agjah LIbohova, Omer Radhima etj. Që nga fronti i luftës Sali Hallkokondi shkroi disa artikuj për shtypin e kohës, me nëntitujt; “Vullnetarët luftëtarë vlonjatë” dhe “Vullnetarët intelektualë të Vlorës”
Sali dhe Bajram Hallkokondi, nga mendimi i përgjithshëm politik, ishin të prirur nga nga mendimet e veprimet e Avni Rustemit e Halim Xhelos, me forcat e tjera përparimtare, të cilët ishin kundër çifligarëve dhe atyre pronarëve të mëdhenj, që kishin shfaqur veprime antikombëtare e në dëm të interesave të atdheut. Në këtë drejtim rol të veçantë luante Federata “Atdheu”, ku Sali Hallkokondi luante një rol të veçantë. Ai kërkonte që, një rol të madh në jetën shqiptare të luanin gratë, për emancipimin e tërë jetës shoqërore. Në këtë kuadër u bë mbështetës dhe përkrahës i organizatës së gruas në Vlorë me kryetare zonjën Marigo Posio, duke e ndihmuar të bijën e saj, Fereniqi Posion, në botimin e gazetës ”Shpresa Kombëtare”, që dilte në qytet.
Në shtator 1921, në krahinën e Mesaplikut me epiqendër Vranishtin, shpërtheu gjakmarrja lidhur me pronësinë. Të shqetësuar për këtë ngjarje të rëndë, Halim Xhelo me Sali Hallkokondin organizuan një kuvend me pjesëmarrës nga gjithë fshatrat e zonës, ku u vendos falja e gjaqeve të asaj krahine.
Më 17 tetor 1922, u themelua shoqëria “Bashkimi” me kryetar Avni Rustemin. Sali Hallkokondi do e shikonte programin e saj si udhërrëfyes drejt shkatërrimit të mbeturinave feudale dhe, çeljen e rrugës së zhvillimit të marrëdhënieve kapitaliste, për përparimin dhe qytetërimin e Shqipërisë. Gjatë asaj kohe, ai ra në kontakt me mjaft intelektualë të krahinave të ndryshme të Labërisë, për të shkruar librin e tij “Histori e Shqipërisë së Re”, i cili pa dritë në qershor 1923, duke tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe shtypit të kohës.
Vrasja e Avni Rustemit në Tiranë më 20 prill 1924, ishte goditje e rëndë për lëvizjen demokratike të kohës. Sali Hallkokondi me shokët e tjerë drejtues të shoqërisë “Bashkimi”, bënë një punë të pa lodhur në organizimin e ceremonisë së varrimit të Avniut, duke strehuar mysafirët nga tërë Shqipëria dhe përgatitën qytetin me petkun e zisë. Në të njëjtën kohë, ata ata i drejtuan një telegram prindërve të Avniut në Libohovë, me këto fjalë: “Fatkeqësia e juaj dhe e jona, na e përfshiu heroin në altarin e lartë pranë Kastriotit e Qemalit. Bashkë ju, djalëria Vlonjate humbet e vajton birin e vlefshëm të Atdheut…”!
Pas kësaj ceremonie madhështore, Saliu me shokët e tjerë të “Bashkimit”, shkuan në Tiranë, duke përjetuar krijimin e Qeverisë së Fan Nolit, me shpresën për të ndërtuar një qeveri demokratike e konstitucionale. Deri në fundin e vitit 1924, Sali Hallkokondi punoi në Ministrinë e Drejtësisë të asaj qeverie. Memorie.al