Nga URIM ELEZI
Pjesa e shtatë
Parathënie
Memorie.al / Urim Elezi, lindur më 18.10.1941 në Floq të Korçës, hyn te të dënuarit dy herë nga regjimi komunist me shumë vite vuajtjeje. Ai u burgos më 26.10.1963 dhe doli që andej më 10.2.1989. hyri në 22 vjeç dhe doli 48 vjeç, madje i verbuar. Në moshën 18-vjeçare kreu shkollën e Instruksionit në Gjirokastër, ku gradohet nënoficer. Në dënimin e parë ishte ushtar në Repartin Nr.9357 Gjirokastër. Herën e parë u akuzua në bazë të nenit 64, në kombinim me nenet 10 e 14 të Kodit Penal. Ishte me shërbim ushtarak, së bashku me shokun e tij Hekuran Shyti, në Gjirokastër. Sipas gjykatës, i kish propozuar Hekuranit të arratiseshin sepse bëhej jetë e mirë në vendet kapitaliste e sidomos në SHBA. Hekurani lirohet më parë nga ushtria dhe gjatë kësaj kohe gjen personat e tjerë, me të cilët do kryenin arratisjen. Hekurani i nis një telegram Urimit në Gjirokastër, me kërkesën që të të niset se nëna ishte sëmurë.
Kësisoj Urimi bashkohet me shokët e tij, Hekuran Shyti, Durim Shyti dhe Robert Morava. Të pa orientuar mirë, të spiunuar nga një banori i zonës, ata u kapën nga forcat e kufirit në postën kufitare të Nikolicës në rrethin e Korçës. Gjykata Ushtarake Tiranë me vendimin nr.21, datë 27.2.1964, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 18 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë, heqjen e të drejtës zgjedhore për 4 vjet dhe të gradës së rreshterit.
U la në fuqi me vendimin nr.23, datë 31.3.1964 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. Për herë të dytë u arrestua më 19.2.1980. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal me artikulime shumë rënduese. Dega e Punëve të Brendshme Fier, me shkresën nr.112, datë 15.1.1980, i kërkoi Drejtorisë së Hetuesisë miratimin e arrestimeve për tre shtetas, midis të cilët edhe i përmenduri Urim Elezi. Ishte marrë në përpunim aktiv më 17.5.1979 se zhvillonte propagandë në radhët e të dënuarve.
Raportonin për të “I penduari” dhe “Tekniku”. Për të thuhej të ishte shprehur: “Sigurimi i ka lyer duart me gjakun e këtij populli. Kanë bërë krimet më të shëmtuara që mund të ketë në histori, Sigurimi është sjellë me popullin dhe me njerëzit, më keq se ç’janë sjellë fashistët dhe nazistët..! Nuk ka më të poshtër se komunistët. Unë quaj komunistë të gjithë ata që kanë yllin në ballë si një domate, pavarësisht nëse besojnë mjekrën e Marksit apo mustaqet e Stalinit…! Krimet më monstruoze në Shqipëri, janë bërë në kohën kur kanë ardhur në fuqi komunistët! Jeta te ne është burg”.
Gjykata e Rrethit Fier e drejtuar nga Sokrat Dautaj, me pjesëmarrjen e prokurorit Kiço Koçi, me vendimin nr.94, datë 18.4.1980, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie, si dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. I bindur në kotësinë e vendimeve komuniste, Urim Elezi nuk e ankimoi vendimin. Pasi i kishte dërguar një letër Enver Hoxhës, ku e cilësonte “përbindësh të pangjyrë, të sëmurë me mani persekutimi”, më 6.12.1981, u rrah nga policët e Burgut të Burrelit, deri sa u verbua. U lirua më 10.2.1989, nga Reparti nr.305 Përparim, i rrethit të Sarandës.
Rreth orës 9.00 deri në 10.30 kam qenë afër pusit në oborr. Erdhi polic Besimi i cili kryente shërbimin brenda dhe i kishte ndaluar të më godisnin A. K. dhe R. L. Më marrin dhe më lëshojnë afër qelisë. Nuk e di sa orë më lenë, por sipas të thënave të shokëve që ishin brenda në qeli, deri pasdite vonë. Më thonë shokët se u dëgjua në atë moment zëri i infermierit të repartit Kamber Libeshari. Në qeli qe Mersin Vlashi, Fatos Kërluku, Petrit Paja, Lulëzim Bregu dhe Ibrahim Buzi nga Mallakastra. Në 12 dhjetor vjen vëllai im Bilbili për takim.
Shokët më marrin e më çojnë tek dera e rojës së brendshme. Policët në këtë moment venë në dhomën time dhe marrin Ibrahim Nikshiqin nga Shkodra. Unë isha shtrirë përtokë në çimento dhe e urdhërojnë të më marrë mua. Ibrahim Nikshiqi thotë: – “Zoti Gimi, ku është Urimi”?! Gimi kthehet, ja fut me shkop dhe i thotë: -“Ja ku e ke mo të plaçin sytë”. (Nuk me njohu) Më merr në krahë dhe zvarrë më çon afër sportelit.
– “Foli” -i thotë Ibrahimi! – “Kujt t’i flasë mo, unë dua vëllanë. Nuk është vëllai im ky”. Pasi e kishin fyer keq, vëllai im largohet. Të gjitha këto janë diskutime nga shokët e mi të dhomës. Isha i mpirë, as dëgjoja as nuk shihja. Shokët të gjithë pa përjashtim, më shërbenin. U bë alarm situata ime. Shokët më thanë që një ditë kishin erdhur ata të autopsisë, ndërsa Agim Kërtuka dhe Ramazan Lika, kishin marrë lopatën që të më prisnin kokën, ashtu si ja prenë maçokut, “Xhekut”.
(“Xhekut” ja prenë kokën sepse merrte këpucët e policëve dhe i fuste brenda). Lleshi e Besimi nuk i lejuan. Kosovarët që kisha në burg, lajmërojnë njerëzit e tyre jashtë shtetit dhe u kërkojnë që t’u dërgojnë ilaçe për mua, aq në gjendje të mjerueshme isha. Përmend Sytki Hoxhën, Muharrem Shalën etj. Pasi u kurova me ato ilaçe për disa muaj, sytë filluan të më drejtoheshin dhe ndjeshmëria po më vinte, a,a ngela i verbër!
(Nikollë Skana nuk më lejonte që ta merrja ushqimin ta haja në dhomë, ndaj më vinin shokët si; Bedri Çoku, Vladimir Balluku, Vladimir Xhelo, Shik Stërmasi e ma sillnin ushqimin aty. Nikollë Skana, Ramazan Lika, Agim Kërtuka, Mustafa Lika më provokonin dhe u theshin shokëve që; “ky shikon”. Vij në dhomë dhe Vladimir Xheloja më shoqëron që të marr pakon nga vëllai im Bilbili. Marrim pakon dhe drejtohemi për në dhomë. Te roja, qe maçoku i rritur nga Nuri Stepa.
Kur ikëm ne të tre, policët haheshin me njëri – tjetrin; “shikon-nuk shikon” dhe njëri prej tyre i bie maçokut, me shufrën e hekurit që trazonin porin në kokë. Lulushi, maçoku pas kësaj nuk po shikonte më…! Njëherë i ra Mustafai maçokut në kokë, ai s’po shikon më. Që nga ajo ditë, përveç Mustafa Likës, Agim Kërtukës, Nikollë Skanës dhe Ramazan Likës, nuk më ngacmonte më njeri…(këta të katërt, edhe të verbër më kanë futur në birucë me lagështirë)
Në Zejmen, Reparti nr.302 në vitet 1983-1986
Në vitet 1983-‘84, hapet dera dhe i thonë Mersin Vlashit të më marrë mua dhe të më nxjerrë në oborr, afër derës së bunkerit. Mersini më thotë që aty ndodhej Ismail Musta, burrë 2 metro, njeri shumë human, saqë edhe me ordinerët në Bulqizë, sillej njerëzisht. – “Ule Urimin o Mersin. Silljani rrobat”, thërret. Shokët më sjellin rrobat nga dhoma ku u verbova. Komandanti i bie derës së jashtme. – “Ngarkojani rrobat këtij”, – thotë komandanti. Sa fillojnë shokët t’i ngarkojnë rrobat, futet Agim Kërtuka dhe i ndalon. – “Pse ndaloni”?! – pyet komandanti. – “Na dha urdhër Gimi” (Agim Kërtuka). – “Vazhdoni ju” – urdhëron komandanti…! Vjen Gimi në këtë moment: -“Lëshoje Urimin” – i thotë Mersinit dhe na shtyn të dyve përtokë. – “Do e kontrolloj këtë qenin se ky merr porosi me shkrime”, – dëgjoj që po hahej komandanti me Agimin.
– “Hajde hajde, komandant burgu, me një copë polic se gjen dot?! Kështu ju pafsha”! – u them. Agimi ma fut një shkelm në bark. Komandanti i bërtet dhe i thotë: – “Ikë, prite në Degë”. Në një anë komandanti e, në një anë Mersini, më çojnë te makina. Nisem për në Zejmen, ku qëndrova deri në vitin 1986. Aty bëhej leximi i “shkrimeve të të mallkuarit” të ashtuquajtura Vepra, 4 – 5 orë në ditë. Po të ishte se flisje me shoku-shokun, polici nëse të shihte, të kapte e të fuste në birucë me lagështirë, për tridhjetë ditë. Deri në Zejmen duke biseduar me shokët në birucë, llogaritëm birucat time: mbi 2 vjet e 8 muaj e 10 ditë. (10 ditë, e them sepse më dënoi vetëm kaq, Musai nga Kukësi, shumë njerëzor me fletë fletore, sepse fletë-arrestet ishin të gatshme me shtyp).
Në Zejmen, kishte televizor në katin e parë në mensë. Më marrin shokët e më çonin sa herë që kishte televizioni ndonjë program të mirë. Për djall, një ditë, dëgjoj në Tv Tirana, të vetmin Tv në Shqipëri, zërin e të mallkuarit që thotë:- “Shkel, shkel o minator, se është tëndja. Ishte e Shefqet Vërlacit, sot është tuaja”. Në atë moment s’u përmbajta dhe filloj të flas kundra: sa tallet ky me minatorët e shkretë; pse orenditë e Shefqet Vëlacit ky i paska? Më dëgjon polici Andon Labi nga Palokastra-Gjirokastër dhe i thotë Jashar Mekës nga Bilishti dhe Nustret Kalasë nga Zëmblaku: “Merreni dhe hajdeni me mua”. Na fut në birucë që të treve, se ata të dy më kishin sjellë aty, plot 30 ditë. Kjo ishte biruca e parë…!
Vegimi
Ishte dimër, ftohtë qamet. Biruca e dytë: unë, Nikollë Përleci dhe një pukjan. Këta të dy bënin xhiro në birucë, sepse nuk rrije dot në çimento. Trupi i ngrirë më ishte ngjitur pas çimentos. Duart i kisha kryqëzuar dhe i kisha vënë poshtë gjoksit. Kisha veshur çorape najloni, mbathje bezeje, një palë të shkurtra, një palë të gjata dhe një këmishë, pantallona dhe xhaketë beze të ngjyer. Papritur më shfaqen gjashtë kuaj në një lëndinë të pafundme me bar jeshil. U afrohem. Kuajt ishin të bardhë me pika kafe, shumë të bukur. Po i shihja nga mbrapa. Kokën e kishin të ulur dhe nuk ua shihja.
Ul kokën t’u shihja kokën. Nuk po hanin bar, por e kishin futur kokën në një thes. Afrohem të shoh se çfarë po hanin. Në të djathtë të çdo kali, shikoj nga një kokë njeriu. Koka e çdo njeriu, për çdo kalë qe e kthyer nga unë dhe jo më pak se 50 cm. e gjatë. Shtangem dhe i shikoj. Befas, trupat ju zhdukën. Tentoj të kthehem mbrapsht e them; “po këta janë kuaj fluturës”. U them: – “ore, më falni po kush jeni ju”?! –“Ne jemi adjutantët e Xhebrail Leninit”.
U trondita. – “Po ku është ai”?! u them. Ata kthejnë kokën në të djathtën e tyre dhe thonë: -“Ja”! Ishte një kalë po si këta, me kokë ulur seç po hante. Sa afrohem të shoh Xhebrail Leninin, më kap arsimtari nga Puka dhe më shkund:- “Urim, mblidh bre mendjen, ç’po thua? Me kë po flet”?! Ikë se po flas me adjutantët e Xhebrail Leninit: u them. Të dy më ngrenë lart dhe më shkundin…!
Vdekja e diktatorit
Në Zejmen, në 9 prill 1985, nga dritaret e burgut ku flinim, dukeshin ushtarët që vendosën helmeta në kokë dhe u dubluan, pra çdo turpërojë iu shtua dhe një tjetër. Të gjithë të burgosurit menduan se qe grusht shteti. Në 11 prill 1985 vjen operativi dhe mbyll tërë prapavijën. Të gjithë ç’ishin policë, ushtarë, kuzhinierë etj., u dha urdhër të mblidheshin tek vendi i altoparlantit.
Katër policë, vinin kontrollonin shumë imtësisht gjithçka. E, kur shikonin që dy të burgosur bëheshin bashkë, i ndanin me dhunë, i shanin dhe i fyenin. Veçoj polic Andon Labi dhe Selman Gagaçi, që me shkopinjtë e tyre ushtronin dhunë pa shkak mbi të burgosurit. Këta të dy vinin vetëm për të na torturuar dhe jashtë turnit të shërbimit të tyre. Unë isha në krevat duke pirë duhan.
Më vijnë këta e më pyesin se përse po pija duhan aty. U tregoj se nuk kisha ku ta pija dhe nuk më ka thënë njeri mos pi duhan këtu, se nuk shkoj dot jashtë. Nisën të më godisnin. Veçoj Andon Labin, sepse ai më fyeu dhe më goditi i pari. Përballë meje qe Eduart Vata nga Shkodra, me këmbë të prera. Ai hidhet dhe ngaqë nuk mundet të lëvizte u thotë: – “Mja mo se e vdiqët, ai është i verbër. S’e shikoni që e ka kokën copë nga frakturat”?! Më marrin në barelë e më çojnë në birucë.
Në birucë sjellin dhe Eduart Vatën. Arsyeja dihet, vetëm sepse ndërhyri për mua. Mbas nesh filluan pa pushim birucat. 11 biruca dhe 47 veta brenda katër ditëve. Tmerr, terror, tortura nga më të ndryshmet. Çdo 24 orë, jo më pak se pesë herë goditje në vijueshmëri, shtrëngim organesh gjenitale…! U mbush biruca me lëngimet e Petrit Velos, të cilin kur e godisnin ju theshte: – “Mbas 38 viteve doni të më bëni spiun? Edhe ti, komisar Lucaj po më godet si policët”?! E pëlcasin në birucë.
Në Repartin nr. 305 Përparim, në vitet 1986-1989
Në vitin 1986 u liruan nga burgu të gjithë njerëzit e sëmurë, rreth 60 vetë. I vetmi nga të sëmurët që nuk u lirova qeshë unë. Edhe vetë Dega e komandës së Lezhës u mahnit. Komandanti i burgut, Musai i Kukësit, bashkë me një prokuror nga Lezha më vjen më thotë që një nga shokët më të besuar, duhet të më shkruajë një lutje, ku të përshkruaj gjendjen time shëndetësore. Unë, kundërshtoj dhe nuk e bëj, por Xhevat Agolli, Selami Meka dhe Cen Çaushaj, u mblodhën bashkë me disa bashkëvuajtës të mi të tjerë dhe e bëjnë lutjen.
Ja japin Jashar Mekës, që ishte djali i Selami Mekës, që ta hedhë në Postë…! Në vitin 1986, më transferojnë në Shën Vasij-Sarandë. (Me urdhër të diktatorit, fshatit të Sarandës i thërrisnin fshati “Përparim”). Këtu, nga më kriminelët e kriminelëve, ishin oficerët Rasim…nga Bulqiza, Vali….nga Korça dhe nga policët Jani Varellaj nga fshati Livadhja-Sarandë.
Të tre këta, shpeshherë natën në gjumë, ju binin të burgosurve me shpullë në fytyrë. Nga fuqia e shpullës, tronditeshin aq shumë, saqë binin nga krevati. Nga Pogradeci, qe Bel Starova që ra nga krevati dhe shembi legenin, qëndroi 6-7 muaj në spital dhe rreth 2 vjet me paterica. Sa për Jani Varellajn, mbaj mend që sa herë vinte me shërbim, rrihte keq plakun mbi 70-vjeç, Velo Lamaj dhe Syrja Vrapin nga Vlora e Femi Frashërin nga Përmeti.
Në një rast Vasil Jani, (vlleh) dhe Vangjel Papaj nga Saranda, i flasin greqisht Jani Varrellajt: – “S’të vjen turp për moshën. Janë rreth të 80-ave”?! I godet fort këta. Vasilit i thyen syzet. Më vonë i detyron që në gjendjen që ishin, të bëjnë vrap jashtë. Vasili dhe xha Vangjeli, kur vijnë tek ne, na thonë që Jani Varellaj i ka detyruar të mos rrinë me asnjë turk-mysliman. Jani Varrellaj bashkë me oficer Valin, më marrin një ditë, kot pa arsye.
Me futin në birucë e më ngordhin në dru. Pas 30 ditësh, erdhi koha të dal nga biruca. Atë ditë ishte vapë e tmerrshme, qe 23 prill 1987, andaj më kishte rënë të fikët. Përmendem në infermierinë e burgut. Aty shoh dy doktorë: Muhamet Kosovrastin dhe Petro Rakon, të dy të burgosur politikë. Mbas disa minutash, sjellin me barelë Sami Dangëllinë. Në këtë kohë roje e brendshme qe polici Çeço, njeri shumë i mirë. Urgjent vete dhe lajmëron oficerin e rojës, për të na çuar të dyve në spital, pasi gjendja jonë ishte shumë e rëndë. Vijnë të dy aty.
-“Po ti kur i bëre 30 ditë birucë”?! – më pyet Vali. – “Shoku komandant, t’i çojmë të dy në spital, se janë në gjendje shumë të rëndë” – i thonë doktorët. “Ikni mo qërohuni ju”! – u thotë Vali doktorëve. -“Shoku Vali, çojini se gjynah. Ky është i moshuar, ky tjetri është i verbër, ti e di gjendjen e tij. Do të na vdesin këtu”, – i thotë Çeçoja, Valit. – “Emo le të vdesin, boll ka bërë 40 e ca vjet burg ky plaku, e sa për këtë tjetrin, le të ngordhë se do lahet një hale. S’e di ti çfarë gjuhë nepërkë është ky”, – ia kthen Vali.
Pa kaluar 24 orë, Sami Dangëllia me 42 vjet e katër muaj burg, ndërroi jetë. Aty më vijnë katër persona nga dega e Brendshme Sarandë, për të më dënuar përsëri. Por ish-operativi i burgut Kristaqi dhe komandanti i burgut Aleksandër Trajko, bashkë me disa oficerë të tjerë, më shpëtuan. Në datën 9 shkurt, takohem me vëllain tim Festimin dhe nipin tim Haxhi, ku ju them që nesër të vijnë të më marrin, se lirohem. Në 10 shkurt 1989, pas apelit rreth orës 8.00, lirohem. Më marrin dhe më nxjerrin në rrugën kryesore Vlorë-Sarandë, e cila ishte ngjitur me derën e burgut.
Aty, pasi ecëm pak, më zë një polic për leckash dhe më ul përtokë. Më lanë për disa orë aty. Nuk e kuptova në ç’pjesë të rrugës isha, por makinat më kalonin sa nga një anë, në tjetrën. Më kishin lënë në mes të rrugës. Më shikon në mes të rrugës dhe vjen Ilir Karaj nga Tirana, bashkë me të ëmën dhe të vëllain, që ishte liruar po atë ditë, e më luten që të shkoja me ata, duke më premtuar se do më çonin në Korçë. Unë ju them që nuk mund të vete me ata, se po prisja vëllanë me nipin. Këta më heqin nga rruga dhe rrinë me mua, derisa takuan vëllain tim dhe nipin, që i solli një taksi.
Përshëndeten e falënderojnë këtë familje fisnike dhe secili vazhdon në destinacionin e vet. Isha i rraskapitur. Vetë me këmbët e mia nuk ikja dot. Në atë kohë, dy taksi kishte e gjithë Saranda. Në Korçë nuk të vinte njeri, se taksixhinjtë asokohe ishin të detyruar të ishin bashkëpunëtorë të Degës së Punëve të Brendshme. Kur njerëzit e mi i kishin thënë taksixhiut të ndalte aty afër derës së burgut, taksixhiu kishte ngelur.
Pasi më marrin mua, furishëm taksixhiu pyeti se për çfarë isha dënuar, e pasi e merr vesh arsyen e dënimit, u thotë që duhet të shkojnë në Degë të marrin lejën-transit, se s’mund të kalohen “Tre urat” pa leje. Vëllai në atë çast i tregon taksixhiut që e kishte marrë lejen -transit nga Korça. Pasi e lexon taksixhiu, na le të presim dhe vete vetë në Degë. Kur kthehet na thotë se deri në Gjirokastër, më tej nuk mund të na çonte. Që aty na pohon se duhet të shkojmë të marrim përsëri lejë në Degën e Gjirokastrës.
Taksixhiu më thotë: -“Pse ke rënë në burg”? – “Tentativë arratisje herën e parë, ndërsa në prag të lirimit nga burgu, u dënova 10 vjet, për agjitacion e propagandë”. – “Sa vjet burg ke bërë”? – “Rreth 26 vite” – i them. – “Pa dalë fare nga burgu i ke bërë të 26-ta vitet”? –“Po” – i them unë. –“Po si ka mundësi, me Kushtetutë është 25 vite heqje lirie dënimi maksimal dhe prapë gjatë dënimit, kishte ulje gjatë festave, falje, amnisti etj”. Hidhet vëllai: “Ne të thamë bre, përse është dënuar”.
– “Po, po ju më thatë vetëm për tentativë arratisje dhe jo që ka bërë rreth 26 vite burg rresht”?! – “Të lutem, mos e trazo më vëllanë, se shikon, ai është i zverdhur në fytyrë”! Gjatë kësaj bisede, kishim bërë 1 km. rrugë, por mua më zë rruga. Ndaluam pak dhe i them vëllait e nipit, të më prisnin pak jashtë. Me nervozizëm i them taksixhiut: – “Zoti, taksixhi; Çfarë do të dish ti dhe sido t’i do të të tregoj unë, por jo në sy të vëllait dhe nipit”.
– “Po mirë, këto që do të më thuash mua, i pranon ti”? – “Si i pranon”?! – “Po ja, t’i pranosh në Degë, se ti je armik i Partisë”. – “Unë nuk jam armik i Partisë, është ajo armikja ime, se ajo më ka katandisur kështu mua, unë s’i kam bërë gjë asaj. Unë nëse s’i pranoj këto në Degë, jam zagar e spiun”. – “Dëgjo, unë me këtë rroj. Jam Panajotis.
Po ta di se tani ma marrin patentën, kafshatën e bukës, unë do ju çoj vetë në Korçë të bëhet si të bëhet”. Unë u preka shumë…! Vemë në Përmet dhe pa kaluar urën, na le në “Varret e Dëshmorëve”. Na vjen me një makinë me rimorkio. Hipim në të, përqafohemi dhe i kërkoj emrin…! – “Panajotis jam, të shkuara”! Emrin nuk ja harroj edhe sot e kësaj dite Panajotit. Për 26 vite burg, Bilbili, Festimi dhe Myzaferi, nuk m’u ndanë kurrë./ Memorie.al












