Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të ndodhur në qytetin e Shkodrës më 23 janar të vitit 1983, kur dy të rinj, Fatmir Gusha dhe Sali Breshni, pasi kishin rrëmbyer tre armë automatike “Kallashnikov”, dhe disa karikatorë, në një nga repartet që ndodhej në fshatin Shtoj, u nisën drejt qytetit të pa shqetësuar nga njeri deri tek Dega Ushtarake, ku pasi u diktuan dhe u konfrontuan me një oficer, filluan të qëllonin në ajër në shenjë presioni.
Largimi i tyre, për të shkuar tek Dega e Brendshme, u pikas nga forcat e policisë dhe u detyruan të qëndronin tek një rrugicë pas Instituti Pedagogjik, “Luigj Gurakuqi”, ku hynë dhe u ngujuan tek shtëpia e familjes Hysej, aty u rrethuan nga forca të shumta të Policisë së Shkodrës dhe Divizonit Ushtarak, si dhe Forcave Speciale (Reparti 326) të ardhura nga Tirana.
“Kur doli Cafi nga burgu, shkoi në Hajmel dhe kur pa situatën ku ndodhej familja jonë nën gërmadhat e asaj shtëpie të shkrumbuar, u tmerrua aq sa nuk kaloi në depresion. Nuk e mbante vendi dhe që aty mendonte që të hakmerrj ndaj atij pushteti që po sillej në atë mënyrë me familjen tonë, të cilën përveçse na hoqën nga Shkodra duke na marrë shtëpinë në qendër të qytetit, nuk po na linin rehat as aty në internim”! Rrëfen për Memorie.al, vëllai i Fatmirit, Mit’hat Gusha, apo Tati siç njihet në Shkodrës, i cili për herë të parë flet për ngjarjen e 23 janarit të vitit 1983 në qytetin e Shkodrës, ku mbeti i vrarë vëllai i tij, Fatmiri, (i njohur ndryshe si Caf Susta), bashkë me shokun e tij, Sali Breshnin, pasi kishin luftuar 8 orë rresht kundër forcave të policisë, ushtrisë së Divizionit të Shkodrës dhe atyre speciale (Reparti 326) të ardhura nga Tirana. Po kështu në këtë intervistë, e cila vjen pas një interviste të gjatë me ish-kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, z. Përparim Xhoxhaj, që Memorie.al publikoi në dy numrat e kaluar, z. Mit’hat Gusha rrëfen edhe të gjithë historinë e familjes së tij nën regjimin komunist, ku të gjithë vëllezërit bashkë me dy prindërit, kaluan tre dekada në burgje dhe internime.
Zoti Mit’hat, si e kujton ngjarjen 23-24 janarit të vitit 1983, kur mbeti i vrarë, vëllai juaj, Cafi dhe ku ishit ju në atë kohë?
Unë në atë kohë kam qenë në burgun e Bulqizës duke vuajtur dënimin dhe të nesërmen e asaj ngjarje, më morrën me autoburg dhe nga Bulqiza më dërguan në kampin-burg të Zejmenit, ku vuanin dënimet të dënuarit politik.
Ndërkohë që po ju dërgonin në Zejemn, ju e kishit mësuar se çfarë kishte ndodhur me vëllanë tuaj, Cafin?
Jo unë nuk dija gjë, por nga qëndrimi që mbanin policët ndaj meje dhe me atë urgjencë që po më merrnin, më shkoi mëndja se diçka mund të kishte ndodhur, por vetëm hamëndje, pra një parandjenjë si të thuash, se asgjë tjetër nuk dija çfarë kishte ndodhur.
Kur e mësuat të vërtetën?
Në burgun e Zejmenit ku më futën në një qeli dhe për dy orë më kanë torturuar sa nuk më ka dalë shpirti, nga goditjet që më bënin, kudo që ju vinte për mbarë.
Vetëm ju rrihin dhe nuk ju thonin asgjë…?!
Duke më rrahur, më thonin: “Hë armik, donit të rrëzonit pushtetin popullor, edhe ti atje ke ai tjetri e ke vendin…” e të tjera fjalë si këto.
Kush jua dha lajmin për vëllanë?
Shokët e burgosur aty më thënë: “Ta kanë vrarë vëllanë”, dhe më treguan gjithçka tjetër që kishte ndodhur, pasi ça bëhej jashtë, merrej vesh aty në burg.
Pas asaj dite, a ju kanë torturuar më ?
Më kanë torturuar aq shumë saqë edhe sot, ja si i kam krahët nga të goditurat dhe hekurat që m’i shtërngonin. U bëra kockë e lëkurë dhe nga 80 kg. që kam hyrë aty, shkova 40 kg. Aq keq e kam parë veten në atë kohë nga ato tortura që më bënin aty në birucat e Zejmenit, saqë disa herë kam dashur që t’i jepja fund jetës, por as sot nuk di të them se si nuk e bëra atë veprim!
Po me familjen tuaj që ishte në Shkodër çfarë ndodhi pas ngjarjes së Cafit?
Familjen e internuan menjëherë në fshatin Rehovë të Beratit.
Të gjithë familjen…?
Jo të gjithë, vetëm familjen e vëllait të madh, Fahriut, (megjithëse i kishte njerëzit e sëmurë), pasi ne të tjerët në atë kohë ndodheshim në burgje dhe internime. Nisur nga ky fakt, po ju tregoj se: ne të gjithë si familje, jemi mbledhur së bashku, vetëm nja 20 ditë, jo më tepër.
Me çfarë vendimi u internua vëllai, Fahriu?
Fahriun e internuan me gjithë familje, pasi nja dy tre ditë para ngjarjes, ku Cafi mbeti i vrarë, ai kishte fjetur një natë aty te vëllai. Cafi sa kishte dalë nga burgu dhe nuk kishte ku të flinte dhe shkoi te vëllai, Fahriu, dhe vetëm për atë gjë, Fahriun e internuan.
Prej sa anëtarësh përbëhej familja juaj?
Dy prindërit, (babai, Qamili, nëna, Havaja), dhe ne gjashtë vëllezër dhe një motër: Fariu, Hydajeti, Lili (motra), Fatmiri, Enveri, unë, Mit’hati dhe Petriti.
Në kohën që ndodhi ngjarja me Cafin, babai jetonte?
Jo babai, Qamili, kishte ndërruar jetë që kur Cafi hyri në burg. Ai plasi nga marazi se nuk e përballoi dot atë gjë. Dhe më shumë se nga të gjithë ne, atë e vuajti Cafi dhe ai ka qenë një nga pengjet më të mëdha të jetës së tij, deri sa ndodhi ajo që ndodhi ku ai mbeti i vrarë.
Para se të dalim aty te ngjarja me vëllanë tuaj, Cafin, a mund të na thoni se çfarë problemesh kishte familja juaj me regjimin komunist të asaj kohe që ju vuanit në burgje dhe internime dhe ju personalisht, për çfarë ishit dënuar?
Kjo është një histori e gjatë, por shkurt po ju tregoj se ne si familje nuk jemi parë me sy të mirë nga regjimi komunist, për shkak të biografisë që kemi pasur, pasi babai ynë, Qamil Gusha, ka qenë xhandar në kohën e Zogut. Dhe nisur edhe nga ky fakt, atij të shkretit nuk i dhanë asnjë punë tjetër, vetëm me karrocën që mblidhte mbeturinat në kazanat e qytetit. Por baba nuk kishte problem punën, por trajtimin që i bëhej, se e shikonin si armik dhe ja përmendnin jo rrallë atë punën e xhandarllëkut
A shprehte ndonjë pakënaqësi babai juaj, nga jeta që bënte dhe a fliste ndonjë fjalë kundra regjimit?
Vazhdimisht fliste, por vetëm me ne në shtëpi. Ai ndiqte më vëmendje lajmet dhe lexonte gazetat e që nga fillimi i viteve ’60-të, na thoshte se “këta do bien”, “ky pushtet se ka të gjatë, se tani që po prishen me rusët, kan me ra’. Dhe këto i vazhdoi edhe kur po prisheshim me kinezët, po ato fjalë thoshte.
Nga një intervistë që i kemi marrë dikur, ish-Kryetarit të Degës së Brendshme të Shkodrës, Përparim Xhoxhaj, ai na ka treguar lidhur me një histori të babajt tuaj, që kishte vënë një foto të një udhëheqësi në karrocën që punonte?
Po, kjo është e vërtetë. Nga mllefi që kishte baba për regjimin komunist, ai pati marrë një foto të Marksit dhe e kishte vënë në karrocën e plehrave dhe me atë kishte dalë në punë nëpër qytet, duke e parë të gjithë, deri sa e kapi policia dhe ja hoqi.
A i thanë gjë për atë që bëri?
Fillimisht e thirrën në Degën e Brendshme ku nuk i lanë pyetje dhe provokim pa i bërë, por mundi të shpëtonte se nuk tha asnjë fjalë dhe nga burgu e shpëtoi, vetëm Elez Mesi. Atij ja dimë për nder. Por nuk u mbyll me aq, pasi babën e bënë problem në lagje ku ne si familje na demaskuan në një mbledhje Fronti dhe na internuan si familje në fshatin Hajmel të Shkodrës, afër Vaut të Dejës.
Ku keni banuar në atë kohë që ju internuan?
Ne banonim në një shtëpi të mirë në një apartament pothuaj në qendër të Shkodrës, sa dilje nga hyrja, ishe në bulevard. Dhe sa na hoqën ne, shtëpinë tonë e morri menjëherë Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Shkodrës. Pra, u duk ashiqare se për çfarë po na internonin ne.
Si e kujton mbledhjen që iu bënë me demasku familjen tuaj dhe internimin?
Unë nuk di gjë sepse në atë kohë kam qenë në burg dhe në vitin 1977 jam liruar së bashku me vëllanë, Hydën, por natyrisht që ma kanë treguar.
Për çfarë ishit dënuar dhe ku e vuajtët dënimin?
Unë isha dënuar për kundërshtim të forcave të policisë, apo siç më akuzonin: prishje të rendit dhe qetësisë publike. Dënimin e kam vuajtur në Torovicë dhe Bulqizë.
Kur dolët nga burgu, shkuat dhe ju në internim ku ishte familja në Hajmel?
Jo, kur dola unë me Hydën në vitin 1977, morrëm plaçka që kishim dhe i lamë te hyrja ku kishim pasur shtëpinë që tashmë na e kishin marrë. Me që ishte në qendër të qytetit, ato i pa Fatmir Bardulla, (kuadër i Degës së Brendshme), me M. B. dhe ai urdhëroi që të nesërmen ta na dërgonin edhe ne në Hajmel në internim ku ishin prindërit.
Sa kohë qëndruat në internim në Hajmel?
Aty familja jonë ka qëndruar deri në janarin e vitit 1983, kur ndodhi ngjarja me Cafin, ndërsa unë siç ju thashë kam qenë në burg.
Si e trajtonin familjen tuaj në internim në Hajmel?
Shumë keq, dhe nga ai trajtim që na bëhej familjes sonë edhe në internim, ndodhi edhe ngjarja me Cafin.
Konkretisht çfarë?
Gjatë asaj kohe që familja jonë ka qenë në internim, me siguru një mbijetesë, kena pas mbajt ndonjë bagti fshehurazi, pasi me punën në bujqësi nuk e siguronte dot as bukën e gojës. Por këto nuk lejoheshin dhe na kanë bërë problem disa herë duke na kërkuar që të dorzonim ato, por pasi ata të Këshillit Popullor tentuan dhe nuk ja arritën që t’ja merrnin dot, u detyruan dhe sollën policinë e të plotfuqishmit.
Dhe ata ua morrën…?
As ata nuk morrën gjë, pasi në momentin kur shkuan me jua marrë forcërisht, atyre ju ka dalë, vëllai, Hyda, duke ju thënë që të mos bënin gabim me hy me forcë dhe ka debatuar gjatë me policinë. Mirpo, duke parë se policia nuk po tërhiqej, Hyda ka marrë një bidon me benzinë dhe i ka vu flakën gjithë shtëpisë, duke iu thënë policëve: “Hyni tash dhe merrni bagëtitë?
Ça u bë pas kësaj?
Shtëpia u dogj e gjitha se flakët u përhapën menjëherë aq sa u bë alarm duke i rënë sirenave dhe çangës, e kanë mbledh të gjithë fshatin me shujt zjarrin dhe nuk kanë mundur dot, pasi shtëpia u shkrumbua me të gjitha që kishte brenda.
Ça i thanë Hydajetit?
Hydajetin e arrestuan menjëherë dhe e nxorrën në gjyq, duke e dënuar me pesë vjet burg, për kundërshtim të forcave të policisë.
Po të tjerët?
Të tjerët mbetën nën gërmadhat e asaj shtëpie të shkrumbuar si mos më keq, pasi s’kishin ku me shku dhe me çfarë me jetu.
Thatë pak më lart se ajo ngjarje u bë shkak për Cafin që bëri atë veprim më pas…?
Po, ajo ngjarje u bë shkas, pasi kur doli Cafi nga burgu, shkoi në Hajmel dhe kur pa situatën ku ndodhej familja jonë nën gërmadhat e asaj shtëpie të shkrumbuar, u tmerru aq sa nuk kaloi në depresion. Nuk e mbante vendi dhe mendonte që të hakmerrej ndaj atij pushteti që po sillej në atë mënyrë me familjen tonë.
Konkretisht, a shprehej ai për atë gjë?
Jo me njerëzit e shtëpisë nuk shprehej fare, apsolutisht asnjë fjalë, por me shokë po, duke thënë; do bëj këtë dhe do bëj atë.
Kur doli Cafi nga burgu dhe pse ishte dënuar ai?
Cafi doli nga burgu në dhjetorin e vitit 1982 me amnistinë që u bë në atë kohë disa ditë më parë, në nëntor mos gaboj, duke vuajtur gati pesë vjet burg, dhe kishte fituar me punë, pak muaj. Cafi ishte dënuar për kundërshtim të forcave të policisë, gjë të cilën pashë se e kishte shpjeguar korrekt në intervistën e tij, ish-Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, Përparim Xhoxhaj.
Çfarë bëri Cafi pas asaj që pa shtëpinë në atë gjëndje?
Nuk kishte ça të bënte, vetëm se rrinte i mërzitur dhe herë ikte pa leje nga Hajmeli ku ishte i internuar dhe vinte në Shkodër, duke takuar familjen e tij, gruan dhe fëmijët e vegjël, dhe ndonjë shok, me të cilët siç morrëm vesh më vonë, ai kishte folur se do hakmerrej ndaj atyre që na kishin katandisur ne si familje në atë gjëndje.
Konkretisht me kë kishte folur dhe çfarë u kishte thënë?
Ato që ju thashë më lart, që; do më njohin, do bëj ketë dhe do bëja atë, por jo gjëra të tjera konkrete lidhur me ça ndodhi më vonë. Me Myfit Tukiçin ka pas folur shumë, pasi e ka pasur shok të ngushtë që nga fëmijria në lagjen Rus dhe Myfiti mund t’ju tregoj më shumë rreth kësaj.
Pas ngjarjes së Cafit, kur u kthyet ju si familje në Shkodër?
Më 1 korrik të vitit 1987 na kanë liruar nga internimi dhe jemi kthyer të gjithë në Shkodër, pasi na dhanë një shtëpi në Qaf-Hardhi.
Me kaq u mbyllën problemet e familjes suaj me atë pushtet?
Aspak nuk u mbyllën se patëm një ngjarje tjetër, përsëri me policinë, një sherr i madh që bëri bujë në të gjithë Shkodrën.
Konkretisht, çfarë?
Po diku nga viti 1988 në mos gaboj, teksa të gjithë pjestarët e familjes sonë po rrinin në bar para shtëpisë, dikush, i futur nga Sigurimi i Shtetit, na provokoi, duke thënë: “Ju s’e keni vëndin këtu, ju duhet me ju çu prap atje ku keni qenë”, etj. Kaq u desh dhe ne bëmë sherr me të, aq sa erdhi policia me furgon dhe ne jemi zënë me grushta dhe me shkelma me policinë, aq sa policia u detyrua dhe qëlloi me armë në ajër.
Ky ishte provokimi i parë që ju bënë, apo kishte raste të tjera para kësaj?
Kemi pasur edhe provokime të tjera, por ky rast arriti kulmin, pasi personi ishte dërguar apostafat për të na provokuar dhe acaruar nervat, spese ata thonin këta janë vëllezërit e Cafit e do të bëjnë diçka…?!
Si vijoj dhe si mbyll ky sherr i juaji me policinë?
Pasi u tërhoq policia që qëlloi me armë në ajër, ne u ngjitëm lart të gjithë dhe u mbyllëm brenda, por ata erdhën dhe para se të thyenin derën e shtëpisë me sopatë, na e mbushën shtëpinë plot me ujë, me një automjet Zjarrëfikse, duke na bërë qull, por ne prap s’pranonin me dal nga shtëpia.
Ç’u bë me tej?
Erdhi shefi i Policisë, Reshat Gjyli, të cilit ne i thamë se; pranonim të dorzoheshim, vetëm pasi të largonte policinë.
Ç’farë ju tha ai?
Reshati u tregu burrë me ne dhe na tha: “Jeni në dorën time, s’ju prek njeri”.
Ju prekën…?
Aty nuk na prekën, pra nuk na morrën zvarrë siç e kishin zakon ata, por na dërguan në Degën e Brendshme duke na futur në biruca. Aty erdhi Reshati dhe na tha: “Nëse ju dënojnë, unë do vij në gjyq dhe do dalë dëshmitar, duke pohuar se juve ju ka provokuar ai njeriu i Sigurimit”.
Sa ju mbajtën dhe a ju nxorrën në gjyq?
Aty në Degë në biruca na mbajtën rreth një muaj të gjithë vëllezërit dhe pas një muaji na nxorrën në gjyq, ku Kryetar Gjyqi ishte Kerov Babliku, i cili sot është avokat në Tiranë.
A erdhi Reshat Gjyli në gjyq?
Reshati erdhi dhe i tha kryetarit të gjyqit: “Më thirr zyrtarisht si dëshmitar, se unë do të dëshmoj se këta nuk kanë faj, pasi i kanë provokuar dhe ofenduar”
Ç’farë i tha kryetari i gjyqit?
Ai i tha: “Jo, nuk është nevoja se e di vetë”, dhe na liroi të gjithëve nga salla e gjyqit.
Pas kësaj patët më probleme me policinë dhe pushtetin e asaj kohe?
Jo pas kësaj nuk na trazoi më njeri.
Në mbyllje të kësaj interviste, deshëm t’jy pyesim lidhur me atë që ka thënë në intervistën e tij dhe ish-Kryetari i Degës së Brendshme të Shkodrës, z. Përparim Xhoxha, që familjen tuaj e internuan për t’ju marrë shtëpinë?!
Eshtë më se e vërtetë, dhe unë nuk kam ça i shtoj dhe i heq asnjë presje nga ato që ka thënë ai.
Po kështu nga disa intervista të tjera që ju kemi marrë shokëve të Cafit, na kanë thënë se ajo ngjarje, pra ai veprim që pati bëri Cafi me shokën e tij, Sali Breshnin, ishte me sfond politik, por pushteti i asaj kohe, e la në heshtje duke e konsideruar si një ngarje jo për motive politike, pasi i prishej biografia një kuadri të lartë të udhëheqjes së PPSH-së të asaj kohe, që ju kishit lidhje familjare?
Kjo është më se e vërtetë. Ngjarja e Cafit ka qenë krejt politike, pasi Cafi nuk kishte as hasmëri dhe as inate apo sherre me asnjë. Pasi po të kishte, do kishte shkuar dhe do të merrte hak, por ai nuk e bëri atë, por u nis për në drejtim të Degës së Brendshme dhe Komitetit të Partisë, për të zbrazur të gjithë inatin dhe urrejtjen që kishte ndaj tyre për shkak të gjendjes ku na kishin katandisur ne si familje, që nuk po na linin rehat as në internime. Dhe ashtu siç ju kanë thënë edhe juve me plotë të drejtë, regjimi komunist nuk e trajtoi këtë gjë si ngjarje politike, pasi Lumi, bashkëshortja e Muho Asllanit, i cili në atë kohë ishte anëtar i Byrosë Politike, zv/kryemnistër a ku e di unë, është vajza e tezes sonë. Pra, nana e Lumit dhe nana jonë, Havaja, janë motra.
Po para asaj ngjarje, çfarë raportesh keni pasur me vajzën e tezes dhe familjen e saj?
Përveç vajzës tezes, ne e kemi pasur dhe komshi Lumin, por raportet kanë qenë normale dhe nuk jemi bërë shumë, pasi ne nuk ja kemi shtrirë dorën kujt.
Po pas asaj ngjarje që ndodhi me Cafin, i shkëputët fare?
Po ju tregoj një rast, në vitin 1988 kur vdiq djali i tezes sonë, Sytki Basha, që punonte veteriner, në Velipojë, dhe e thërrisnin, Lapi, njerëzit e familjes së tij, na dërguan fjalë që ne të mos shkonin as për ngushëllim dhe as në varrim, pasi nuk ishim të mirëpritur prej tyre. Dhe ne nuk shkuam.
Zoti, Mit’hat, ju falenderojmë për intervistën.
Ne ju falenderojmë juve që po tentoni ta zbardhni këtë ngjarje të cilën regjimi komunist i asaj kohe e mbylli dhe e la në heshtje edhe për këto gjëra që sapo përmendëm tani, por më shumë edhe për të na hequr baltën që me pa të drejtë janë munduar të hedhin ndaj nesh./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016