Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që i përket vitit 1965, ku ndodhet proces-verbali i mbledhjes së Plenumit të XV-të të Komitetit Qendror të PPSH-së i cili i’u kushtua artit, kulturës dhe letërsisë, ku pas raportit të Byrosë Politike të mbajtur nga Ramiz Alia, fjala e mbylljes u mbajt nga Enver Hoxha, ku mes të tjerash, pasi ngriti një sërë problemesh që ishin vënë re në zhvillimin e letërsisë, arteve dhe kulturës, duke dhënë shembuj konkret, ai vlerësoi punën dhe veprat e disa shkrimtarëve dhe artistëve si: Dhimitër Shuteriqit, Shevqet Musarajt, Llazar Siliqit, Jakov Xoxës, Sterjo Spasses, Kolë Jakovës, Nonda Bulkës, Ismail Kadaresë, veprat artistike të Tish Daisë, Kristo Konos, Çesk Zadesë, Odise Paskalit, Janaq Paços, Nexhmedin Zajmit, Vilson Kilicës, Guri Madhit, etj. Çfarë tha diktatori komunist për vajzën e re poete që i ankohej atij se nuk i’a botonin librat e saj si dhe për kompozitorin e njohur, mikun e tij të vjetër që nga vitet e rinisë në qytetin e Korçës, i cili në veprën e tij të fundit që i’a kishte dërguar Enverit, frymëzohej nga mitologjia greke…!
Pjesë nga fjala e Enver Hoxhës në mbylljen e Plenumit të XV-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, më 26 tetor të vitit 1965, kushtuar artit e kulturës
Ne ju themi: Shkruani për teatrot, baletet, koret, estradat, gjëra të bukura dhe jo një herë në hënë, po shumë dhe mirë, në mënyrë që të plotësojmë boshllëqet që na shkaktojnë filmat. Shkruani më shumë skenare që të fillojmë të bëjmë më shumë filma vetë. Ka ardhur koha që të bëjmë një hop të ri edhe në këtë drejtim, duke zgjeruar dhe bazën materialo-teknike për përgatitjen e filmave tanë. Se ç’kërkon Partia nga teatrot, baleti, estradat, koret, është thënë dhe thuhet vazhdimisht. Pra, përpara këtyre nevojave si duhet të qëndrojnë, të prodhojnë e të krijojnë autorët, regjisorët, aktorët, këngëtarët? Institucionet dhe veprat që shfaqin ato, duhet të jenë të popullit dhe për popullin, të shprehin luftën e popullit për ndërtimin e socializmit, të shprehin ndjenjat dhe aspiratat e tij më të mira e më të pastra, të ndjekin përpjekjet e popullit hap pas hapi, ta frymëzojnë atë drejt, t’i hapin perspektiva të reja, të jenë në pararojë. Që të jenë të tilla institucionet tona, autorët dhe aktorët duhet të jetojnë me popullin dhe me vijën e Partisë, të njohin dhe të ndiejnë hallet e popullit, gëzimet e hidhërimet e tij, fitoret e disfatat. Kjo e vërtetë nuk mundet as të shkruhet, as të shprehet në skenë në mënyrë eks katedra. Shkolla u mëson shumë aktorëve, muzikantëve etj., por jeta, lufta dhe përpjekjet u mësojnë të tjera gjëra shumë të dobishme e frymëzuese. Pjesa, autori, regjisori, i orientojnë aktorët, por ato që u mëson jeta e popullit, ndjenjat e shprehitë e tij, s’mund t’ua mësojë as autori, as regjisori më i mirë.
Jeta dhe lufta revolucionare plot vrull dhe entuziazëm e popullit dhe e Partisë, janë autorët e regjisorët më të talentuar që mund të bëhen. Unë për artistët dhe autorët, sado të talentuar që të jenë, nuk do të përdor kurrë termin borgjez se ata janë “yje”, jo. Ata s’mund të jenë “yje” përpara talentit, zotësisë krijuese të popullit tonë. Prandaj këta “yje”, në qoftë se humbasin lidhjet me tokën, humbasin çdo shkëlqim. Repertorët e teatrove tanë të operave e të baleteve duhet të jenë të thjeshtë, të kuptueshëm nga populli. Kjo nuk do të thotë se ata duhet të jenë “banalë dhe pa ide”. Në paraqitjen e thjeshtë shprehen idetë më qartë e të rrjedhshme si një lumë i kulluar që buron nga mali. Në paraqitjen e koklavitur, të fryrë e të ndërlikuar fshihen më të shumtat e herës ide të turbullta, ekuivokë. Populli ka nevojë për ide të qarta dhe jo për ide të turbullta, prandaj Partia do të përkrahë të parat dhe jo të dytat. Në pjesët tona teatrale e muzikore duhet të paraqitet populli në luftë dhe në punë, ashtu siç është me ndjenjat e tij fisnike, me karakterin e tij heroik, me thjeshtësinë e tij, me të mirat e me të metat e tij dhe këto të meta të vihen në dukje, pse duhet të ndreqen dhe jo të vihen për denigrim ose përçmim, ose për hir të disa teorive të këqija dekadente, revizioniste, me anë të të cilave disa estetë s’mungojnë të shesin mend e të rrahin ujë në havan për t’u hequr të ditur, të thellë, të talentuar, ose me një frymë gjoja të pavarur në krijimtari.
Të imagjinosh, të sajosh, të rregullosh, qoftë me prestigjacion të madh, situata të paqena, karaktere e tipa jorealë të një imagjinate, mundet pjellore, por të sëmurë, të frymëzuar nga lexime të shfrenuara të dramaturgëve të huaj pa kurrfarë qëndrimi kritik e metode dialektike marksiste-leniniste, ose nga korente filozofike pseudo përparimtare, frojdizmi, këto populli ynë nuk do, Partia nuk do t’i lejojë dhe do t’i luftojë si të dëmshme për kulturën e popullit. Mentaliteti i gabuar i disa autorëve se “çdo gjë që shkruajnë ata, duhet të vihet pa vonesë në skenë”, duhet hedhur poshtë. Të mirat do të vihen patjetër në skenë, të ligat do të hidhen në shportë. Ushqimi shpirtëror është shumë më delikat se ai fizik; si me thënë,. mishi i mirë i freskët hahet, mishi i qelbur hidhet tej. Teatrot, baletet, estradat, operat nuk mund të jenë në shërbim të atyre që e kanë kokën të sëmurë, po të atyre që e kanë kokën në vend dhe zemra e tyre rreh njësh me zemrën e popullit. Shumicën dërrmuese të repertorëve duhet ta përbëjnë subjektet popullore shqiptare, revolucionare, marksiste-leniniste. Pjesët e huaja, jo për ksenofobi, pse ksenofobia të çon pa dyshim në izolim dhe në mendjemadhësi për vetveten, duhet të jenë ca më të pakta dhe të përbëjnë objektin e një zgjedhjeje të imët. Ne në asnjë mënyrë nuk duhet të shkëputemi nga repertori më i mirë botëror, por edhe ky, sado i mirë qoftë, mund të kuptohet vetëm nga një pjesë e kufizuar intelektualësh me kulturë të gjerë, masa nuk e kupton e nuk e shijon dot si duhet, ose ne e bëjmë masën të ëndërrojë jashtë një realiteti objektiv për të, nëse gjatë vënies në skenë nuk mbahet një qëndrim kritik dialektik dhe nuk vihet theksi në anët pozitive të veprave.
Disa mund të thonë: “Po ne duhet ta mësojmë popullin tonë edhe me realitetin e huaj, edhe me krijimtarinë e mirë të huaj”. Kjo është e domosdoshme, unë jam plotësisht dakord dhe nuk e hedh poshtë këtë mendim, prandaj them se kjo gjellë e shëndoshë popullit tonë mund dhe duhet t’i jepet ta shijojë, veçse përmes gjellëve të shumta, të shëndetshme dhe me shije të kuzhinës shqiptare. Disa mund të thonë “po ne s’kemi repertorë”. Ç’arsyetim! Të bëjmë, në fillim nuk do të jenë gjenialë, por këndej kanë kaluar të gjithë. Në qoftë se ne shkojmë nga mendimi për të vënë në skenë balete të huaja, se s’kemi tonat, dhe vëmë ndonjëherë balete jo të përshtatshme, nuk kemi zgjidhur gjë, por kemi krijuar një situatë të rëndë. Një mendim i tillë s’është i drejtë, s’është real, sepse kompozitorët tanë kanë bërë opera kombëtare vërtet të bukura, të lavdërueshme, sepse baletmaestrat tanë kanë vënë në skenë pjesë koreografike me motive popullore që të entuziazmojnë, solistët tanë këndojnë këngë popullore dhe lufte që të ngrenë peshë nga frymëzimi, autorë romanesh, pjesësh teatrale apo libretash për filma kanë dhënë vepra me shumë vlerë për popullin. Prandaj të mos zgjedhim rrugën më të lehtë, por atë më të rëndë, plot luftë e përpjekje, për të krijuar diçka të mirë, që t’u shërbejë popullit dhe Partisë në këtë betejë të madhe për socializmin. Thashë më lart se ne mund të vëmë në skenat tona edhe vepra të huaja, mundet autorët tanë edhe të frymëzohen nga subjekte të huaja, por drejt.
Kurdoherë, për çdo gjë që ndërmarrin, më parë se t’i futen punës, duhet t’i vënë vetes pyetjen: “Kjo që po bëj, i shërben çështjes së madhe të popullit”? Fantazia, imagjinata duhet të punojnë, por jo për të krijuar gjëra fantastike. Do të jap dy shembuj të një zgjedhjeje të diferencuar kompozimesh: Disa javë më parë, miku im, kompozitori i njohur Kristo Kono, më dërgoi një kompozim të tij të ri, “Prometenë”. Ai më kishte folur për këtë operë kohë më parë në një bisedë që kam pasur me të mbi muzikën dhe kompozimet. Unë e urova Konon që ta kryente me sukses këtë operë, edhe pse ishte një subjekt i rrahur prej shumë kompozitorëve të dëgjuar. Por meqenëse ai i ishte futur një pune të tillë dhe, duke e konsideruar vetë temën e Prometeut, siç do të them edhe më poshtë, pozitive, unë i bëra edhe ndonjë sugjerim. Kompozimi i Konos mundet dhe urojmë të jetë i bukur dhe atëherë do të themi se mundimi nuk i ka shkuar dëm, sepse, siç e dini, heroin e mitologjisë, Prometeun, Eskili e bëri simbol të luftëtarit për lumturinë e njerëzimit. Kush ka kënduar “Prometenë”, atij do t’i kujtohen fjalët e heroit drejtuar Hermesit, shërbëtorit të perëndive: “Nuk dua kurrë ta ndërroj, ji i sigurt, fatin tim të mjerë me skllavërinë tënde prej shërbyesi, se preferoj më mirë të jem i lidhur me zinxhirë në këtë shkëmb sesa të jem lakeu i bindur i Zeusit…”. Me një fjalë unë i urrej të gjitha perënditë. Marksi ka thënë: “Prometeu është shenjtori dhe martiri më fisnik në kalendarin filozofik”.
Megjithëkëtë unë i thashë Konos se në historinë e popullit tonë ka shumë subjekte heroike që duhet të të frymëzojnë, prandaj në vend që të shkosh deri në mitologji, kompozo diçka të bukur, thjesht shqiptare, po të jetë e bukur dhe frymëzuese jo vetëm për popullin tonë, por edhe për jashtë kufijve të Shqipërisë. Ai më dha fjalën dhe kam bindjen se do ta mbajë atë. Nga ana tjetër, disa ditë më parë, këndova në gazetë se baleti ynë, duke përgatitur shfaqje për popullin, nuk ka gjetur subjekt tjetër veçse valset e Shtrausit, të sajuara në një kompozim të veçantë, me një temë gjoja të moralit proletar, që s’ka të bëjë aspak me epokën e marrëzishme të valseve në fjalë. Po ç’janë valset e Shtrausit? Një excitant, shprehja e një epoke, shenja e transformimit të shoqërisë në fundin e shekullit të 19-të. Kjo koincidon me perëndimin e një regjimi luksi të shfrenuar të borgjezisë, të një epoke qejfesh dhe që është kurdoherë një epokë e shqetësuar. “Danubi i kaltër” nuk është i kaltër, po i turbullt, në qoftë se studiojmë gjendjen shoqërore dhe politike të kohës kur ai vals u shkrua. Po muzika është e bukur. Ky është fakt i pamohueshëm dhe unë nuk jam kundër që në radio të vihet ky vals ose edhe të tjera, por që regjisorët tanë, tok me ansamblin e baletit, të rrinë të punojnë muaj të tërë për të sajuar një shfaqje me këto valse, kjo politikisht dhe për edukimin e masave nuk sjell asnjë fitim, pra është punë pa dobi. Për çfarë i duhet popullit tonë ky balet? Përse e frymëzon atë ky balet? Për asgjë, kisha për të thënë. Me këtë rast na del përpara çështja se si duhet ta studiojmë dhe ta shfrytëzojmë eksperiencën e huaj botërore në fushën e letërsisë, të muzikës, të arteve figurative, të teatrit e të kinematografisë.
A duhet të përfitojmë ne nga eksperienca botërore në këto drejtime? Nuk do të ishte marksiste po të thoshim jo, por do të ishte gjithashtu antimarksiste po të bëheshim skllavi i tyre, t’i gëlltitnim të gjitha ç’kanë prodhuar njerëzit e huaj, pa një analizë të thellë kritike, pa një klasifikim të drejtë. Çdo vepër, e çdo gjinie dhe e çdo kohe qoftë, ka anët e mira, ka edhe ato të këqija. Duhet të zgjidhen anët e mira. Secila nga këto anë të mira ka teknikën, idetë, artin e fjalës, të tingullit etj. Vallë a duhet t’i marrim e t’i adoptojmë edhe këto në bllok, me pasion e ndjenja që nuk njohin arsyen, që nuk njohin epokën, gjendjen shoqërore, idetë e njerëzve, shijet, gustot dhe luftërat e përpjekjet e tyre? Ky do të ishte sigurisht një absurditet i madh dhe shumë i dëmshëm. Çdo krijim, në çfarëdo epokë, është bërë me tendencë, i frymëzuar nga idetë e kohës, nga gjendja shoqërore e asaj epoke. Shumë krijime u kanë rezistuar kohërave, kanë parashikuar të ardhmen, e kanë përgatitur atë, por ato nuk mund të quhen të përsosura në tërësinë e tyre dhe model për çdo kohë, për çdo epokë. Ka njerëz që janë të pasionuar për disa ide të tyre dhe me një gjykim jomarksist kërkojnë t’i fusin këto ide në çdo supë, t’ia adoptojnë çdo kohe, t’i kopjojnë këto me vend e pa vend, t’u veshin disa petka të kohës sonë dhe t’i kalojnë si krijimtari socialiste. Shkrimtarët, poetët, kompozitorët etj., duhet të lexojnë, të studiojnë, të mësojnë nga të tjerët.
S’është aspak e thënë që të mos jenë edhe të pasionuar për disa, por ajo çka ata mësojnë e studiojnë nga të huajt, të merret kurdoherë me një frymë kritike dhe me një qëllim të caktuar dhe ajo që merret t’i shërbejë popullit të vet, t’u shërbejë krijuesve të letërsisë dhe të artit për të jetuar me popullin e vet, me luftërat, qëllimet, aspiratat e zakonet e tij, për të krijuar atë çka është e përshtatshme, e kuptueshme për popullin e tyre, e përshtatshme me kohën dhe me luftën që bën ai. Kështu do të bëjnë edhe vepra vërtet origjinale. Pra, studimi i të huajve të vlejë për të përfituar e për të njohur jetën e atyre popujve, luftën e zhvillimin e tyre. Kjo s’do të thotë se janë të njëjta luftërat, idetë dhe zhvillimi i popullit tënd, pavarësisht se mund të kenë disa përngjasime ose lidhje me ato të të tjerëve. Ky mësim, kjo eksperiencë nga veprat e huaja, mund të të shërbejnë, të të hapin horizonte për të studiuar më mirë historinë e popullit tënd, po historia e popullit tënd ka veçoritë e saj, idetë e popullit tënd kanë zhvillimin e tyre të veçantë në gjendjen shoqërore të veçantë të popullit tënd. Kjo neve na intereson, në radhë të parë, i ka interesuar edhe atij shkrimtarit të huaj gjenial, si Balzaku, për shembull, kur ka shkruar veprën e madhe, “Komedinë njerëzore”. Ne duhet të mësojmë artin e tyre të të shkruarit, stilin e tyre, metodën e punës, ritmet, metrikën, por këto t’i mësojmë jo për t’u bërë skllavi i tyre, sepse populli ynë ka stilin e ritmet e tij, ne krijojmë stilin tonë socialist që është baza jonë, mbi të cilën do të punojmë, do të ndërtojmë e do të krijojmë origjinalitetin tonë, pse vetëm kështu do të na kuptojë populli dhe ne do ta frymëzojmë atë.
Jashtë këtyre caqeve të drejta, objektive nuk duhet dalë, mendoj unë, dhe pavarësisht se mund të jesh shumë i ditur e i mësuar, dituria dhe mësimi, derisa nuk di t’i kanalizosh në interesin e popullit, nuk vlejnë, derisa nuk synojnë të pasurojnë thesarin e popullit, krijimtarinë e tij të mrekullueshme, ata do të jenë vetëm një stoli e varur në qafën tënde personale, po një stoli e pavlefshme për popullin. Për të gjitha këto, Partia duhet të marrë masa, Ministria e Kulturës dhe e Arteve dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve të zhvillojnë e të organizojnë një aktivitet të gjerë të shumanshëm, jo në një drejtim, por në të gjitha drejtimet. Çdo gjë duhet të ecë e harmonizuar, sepse artet janë armiku i kakofonisë. Të gjithë ne kemi bindjen se ky Plenum i Komitetit Qendror të Partisë do t’u japë një ndihmë të madhe e një impuls të vrullshëm letërsisë dhe arteve në vendin tonë. Komiteti Qendror, dhe kjo del nga raporti dhe nga diskutimet, u bën thirrje veçanërisht komiteteve të Partisë dhe organeve të pushtetit, të marrin seriozisht në dorë drejtimin dhe ndihmën e posaçme që duhet t’i japin në rrethet e tyre zhvillimit të mëtejshëm e të vrullshëm, me frymë revolucionare, të letërsisë dhe të arteve, të ndihmojnë njerëzit që punojnë në këta sektorë, por këtej e tutje më seriozisht, me këmbëngulje. Të bazuar për çka kemi realizuar, të krijojmë vepra të tjera më të bukura, të përshtatshme me fuqinë e bukurinë e socializmit, të ndritura si vija e Partisë sonë, të kulluara, të pastra, heroike, si zemra dhe si ndjenjat e popullit tonë të mrekullueshëm.
Rrojmë në një periudhë luftërash e revolucionesh. Përpara nesh kemi armiq të tërbuar të armatosur deri në dhëmbë, po të dobët e të pafuqishëm përpara forcës së pamposhtur të popujve, të pafuqishëm përpara forcës vitale të socializmit dhe të ideve ngadhënjimtare të marksizëm-leninizmit. Imperializmi amerikan, borgjezia reaksionare dhe revizionistët modernë, me hrushovianët e titistët në krye, janë në aleancë të plotë me njëri-tjetrin, po sulmojnë me tërbim vendet socialiste, ideologjinë marksiste-leniniste dhe popujt e botës që luftojnë për liri, por ata po pësojnë disfata. Në shumë vende të botës po luftohet me tërbim kundër ndërhyrjes brutale të armatosur të imperialistëve amerikanë, të ndihmuar kudo nga revizionistët modernë dhe veçanërisht nga revizionistët sovjetikë. Imperializmi dhe revizionistët modernë kanë vënë në lëvizje të gjitha mjetet e propagandës së tyre për të hutuar mendjet e njerëzve, për t’u dobësuar nervat e vullnetin, për të errësuar ndërgjegjen e tyre, për t’i degjeneruar ata politikisht, ideologjikisht e moralisht, me qëllim që t’i shtypin, t’i shfrytëzojnë e t’i skllavërojnë më mirë, më shpejt dhe përngaherë. Por ata s’ia kanë arritur dhe nuk do t’ia arrijnë kurrë këtij qëllimi djallëzor.
Ata po pësojnë disfata. Përpara këtyre disfatave ata godasin me armë popullin e Vietnamit dhe popujt e tjerë, ata përpiqen të vendosin diktaturën fashiste ushtarake në Indonezi e në Greqi, por nuk do të kenë asnjë sukses edhe me këto ndërmarrje kriminale. Ata po demaskohen në sytë e popujve, të cilët po mobilizojnë energjitë e tyre për luftën finale. Në këtë luftë të madhe e të lavdishme është angazhuar edhe populli ynë heroik, me udhëheqjen e tij heroike, Partinë e Punës të Shqipërisë. I gjithë populli, me Partinë në krye, është çuar në këmbë dhe lufton brenda dhe jashtë vendit, brenda për të ndërtuar me sukses socializmin, për të ndërtuar jetën e lumtur, për të kalitur me virtyte të larta njeriun e ri; jashtë për të mbrojtur marksizëm-leninizmin, për të luftuar imperializmin agresor me në krye atë amerikan dhe revizionistët modernë, për t’u ardhur në ndihmë popujve që luftojnë për paqen, për lirinë, për drejtësinë, për revolucionin. Luftën do ta fitojmë ne, marksistë-leninistët, fitoren do ta korrin popujt, sepse fitorja është e guximtarëve, e trimave dhe e atyre që kanë mendjen të kthjellët e zemrën të pastër e të zjarrtë.
Disa konkluzione të mia në këtë fjalim të mbylljes, mund të duken ca të prera. Këtë nuk e kam bërë pa qëllim, e para, sepse konkluzionet janë të plota në raport dhe diskutimet tuaja i plotësuan, dhe e dyta, dëshiroj të theksoj atë, që në gjithë veprimtarinë tonë të mos harrojmë gjendjen aktuale të rrethimit imperialisto-revizionist të atdheut tonë, sepse ky rrethim është i hekurt dhe jo një shprehje e thjeshtë. Ideologjia borgjeze dhe revizioniste na sulmon nga të katër anët. Armiqtë tanë dhe të marksizëm-leninizmit do të duan që ne të merremi duke peshuar gjërat në “zgare floriri”, të futemi në diskutime akademike dhe ta lëmë ujkun të na futet në vathë. Ujkut t’i mbyllim derën dhe ta vrasim me plumb. Pa do të na quajnë të egër, pse në skenat tona i biem fyellit e buçasin daullja e gërneta, ose pse vendin e nderit ua kemi lënë valive me tirqe apo me qeleshe në kokë. Për ne rëndësi ka vetëm të mbrojmë atdheun, të mbrojmë popullin, marksizëm-leniniz min dhe socializmin. Dhe këta mbrohen kur mbrohet çdo gjë që është kombëtare nga forma dhe socialiste nga përmbajtja, kur kihet kurdoherë parasysh dhe zbatohet si duhet vija e Partisë. Juve, njerëzve të letërsisë dhe të arteve, bij të denjë të Partisë dhe të popullit tonë, si kurdoherë, ashtu si në luftë, Komiteti Qendror ju drejtohet: Mbani kurdoherë lart flamurin e Partisë dhe marshoni kurdoherë në beteja dhe në fitore me zjarrin e saj dhe të popullit në zemër! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016