Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e dymbëdhjetë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Gjashtëqindëgramshit
(Rutina e një dite, në kampin e fjetjes)
Menjëherë m’u fanitën ditët e lumtura të rinisë dhe shoku im i dhomës, tropojani kaba. Përmblodha forcat, më sforcim të jashtëzakonshëm shqita qepallat, ngula shikimin mbi atë fytyrë të gjerë. Po. U davarit dyshimi, ishte ai, “Arusha e maleve”! Po ajo fytyrë e gjerë leshatore, po ato konture katrore të nofullave të dala, po ato vetullat të trasha e të zeza, nën ballin e gjerë, gjithmonë të vrenjtura e të hapura, si flatra zogu në fluturim. Vetëtimthi iu riktheva të shkuarës; unë fëmija, në rrugicat e ngushta Shkodrës, ku ish-konviktorë largoheshim pa leje, për të parë ndonjë film të ri apo shfaqjet e estradës dhe trupës teatrale në teatrin “Migjeni”; strukeshim rrëzë mureve, që t’i shpëtonim syrit vigjilent të kujdestarit e konviktit.
Bri meje, “Arusha” i heshtur, me trupin kaba dhe forcë të pazakontë për moshën. Pa shpatullat e tija të fuqishme, ne kurrë s’do arrinim të merrnim, qoftë edhe një biletë të vetme. Vetëm ai, mund t’i nënshtronte kontrabandistët e shumtë shkodranë, që të organizuar e në bashkëpunim me shitësit, i blinin pothuaj të gjitha biletat që në orët e para-ditës, për shfaqjet e pasdites, për t’i shitur mandej, me çmim dyfish dhe që xhepi ynë i grisur, s’mund ta përballonte. Mirëpo veç kësaj angarie, “Arusha” na shërbente edhe si mbrojtës me grushta dhe shpatulla, për t’u trimëruar.
Shpesh, ndodhte që konviktorët, shndërroheshin në objekt talljesh prej djemve të lagjes, kjo sidomos në vitet e ulta, se më pas me ta njiheshim dhe lidhnim shoqëri. Në këso rastesh, ishin përsëri grushtet e fuqishëm të “Arushës”, që iu dilte ballas e na inkurajonte të trimëroheshim. Por në pak raste e kisha shfrytëzuar edhe unë fuqinë e tij, për t’iu dal zot shoqeve të klasës, kur i ngacmonin djemtë e rrugicës.
Këto m’u fanepsën, teksa qëndroja symbyllur, atje mbi atë tavolinë, apo shtrat. Por u kthjellova vetiu, u kujtova për gjendjen ku ndodhesha. Tashmë gjendeshim në pozita ekstreme, ai me sa dukej, mjek burgu, unë i burgosur; ai i besuar i Sigurimit të Shtetit, unë preh i tyre. E mblodha veten. Gjithsesi duhet t’a provoja, por gjithmonë duke e ruajtur. Hapa sytë pa tërhequr vëmendjen e të tjerëve, e këqyra ngultas, drejt e në bebe. Nga aty poshtë ku gjindesha shtrirë, sytë e tij se si m’u dukën, të lëngëzuar. Ndoshta lotonte ose, kështu m’u bë mua!
Mbase i zhytur në gjolin e nostalgjisë së viteve kur ishim ende të rinj e të dëlirë, të pa infektuar nga virus politik i kohës sotme, ëndërroja. Porse jeta në një farë mënyre, kishte evoluar në kahe të kundër, koha kish bërë të vetën, por mirënjohja dhe miqësia e hershme, ngelej të provoheshin. “Fundja, s’kam ç’humb, t’a provoj njëherë! Në pastë mbetur ai që kam njohur ose, sikur dhe një përqind e ‘Arushës së vjetër’, ka mundësi të bëj diçka për mua, në të kundërt, po i qe davaritur dashamirësia, do vazhdoj lojën time”!
Sapo shkova këto ndër mend, nisa zbatimin e planin. Çova paksa kokën dhe hodha shikimin rreth e qark, ajgëtova kush gjendej në dhomë. Vura re pas shpatullave të “Arushës”, një tjetër bluzë te bardhë, akoma më larg, dy ushtarakë jepnin e merrin me gjeste dhe fjalë, që s’dëgjoheshin aty. Përmblodha forcat e mbetura, u përqendrova me ngulm mbi fytyrën e gjerë të mjekut, bëra një pulitje të shpejtë qepallash, veprim që zgjati pak sekonda, pastaj u plasa i shkrehur mbi nënkresë, me sytë zgurdulluar te fiksuar, mbi tiparet e njohura.
“Arusha” ngriti një dorë të madhe sa një putër ariu dhe e shkoi mbi sytë e lëngëzuar. M’u duk se fshiu lotët apo, qe iluzion i momentin, por sidoqoftë, edhe ai përsëriti po atë veprim; lëvizi vrullshëm qerpikët, në mënyrën që unë e përthitha si sinjal. “Më njohu, të shohim fundin!” U binda kur më ktheu kurrizin, mbase për të mos tradhtuar veten, u bashkua me ushtarakët, iu futi krahët dhe, duke tërhequr derën pas shpinës, dolën jashtë.
Në dhomë mbeti një verdhacuk i imët me bluzë të bardhë, me flokë të rëna në pjesën e parme të ballit. Verdhacuku, me një shiringë të madhe në dorë, doli në të majtën e vendit ku dergjesha unë; me një shpim të shpejt, zhyti agen në tapën e një shisheje të vendosur që më parë mbi një raft librash. Atëherë e kuptova, gjendesha në një zyrë dhe duhej të më kishin shtrirë, mbi një tavolinë pune. Nga tapa e shishes, vreva të varej të poshtë një zorrë llastiku, që përfundonte në llërën time të majtë.
Më kishin vënë serum. Pak më vonë iu dorëzova harresës. S’di sa mund të kem fjetur, por kur u ndërgjegjësova, isha në gjendje të dalloja, sidomos të dëgjoja qartë, çdo bisedë që bëhej pranë. U mundova të kthehesha në krah, sepse ndjeva mpirje, po s’arrita të lëviz, ngrita qafën dhe pashë se më kishin lidhur. Mbas kokës, dëgjoja që flisnin. Zëri cinik i hetuesit tim, dallonte mbi të tjerët; e them me bindje, këtë zë s’do t’a ngatërroja edhe në mes të një kakofonie, prej njëmijë zërash, aq thellë më është ngulitur në kujtesë, sa besoj edhe çastin e fundit, kur të nxjerr xhan, ky zë do të më ndjek pas.
“E more karafil, gjallë qenke?! E kuptove besoj, si zbuten tigrat?! Doje të na i hidhje neve! Jo, or jo, s’të kam thënë kot unë, ne jemi syri dhe veshi vigjilent i Partisë! Eh, ore, eh, sa kemi parë si b… jote, ne! Pse mo, ç’e kujton veten! Po, kush je ti, mo? Një qelbësirë je, një spiun i Titos dhe i Amerikës! Një armik i Partisë dhe i popullit, ja kush je”!
Këto fjalë dhe zëri i çjerrë, më bën të çoja kokën me vrull, gjithë tavolina u trand. Ndërkohë një polic me litar në duar, më bëri edhe një lidhje të dytë, deri afër fytit. Në momentin që ndjeva se po më lidhnin dyfish, e humba kontrollin. Një inat i panjohur më pushtoi, fillova të mërmërit ndër dhëmbë, fjalë pa lidhje. S’jam në gjendje të them, ç’pamje egërsire do kemë marrë ato çaste! Po për një gjë jam fort i bindur, marazi më ngjeth mishtë dhe qimet m’u tendosën drizë. Sigurisht kjo sinergji negative, duhet të jetë pasqyruar mbi fytyrë sepse, nga e djathta e kokës, ndjeva një goditje të fuqishme që më sëmboi deri në zemër.
Dhimbja ishte e papërshkrueshme, goja m’u mbush me sekrecione, gjuha luante lirshëm, në atë anë të nofullës. Duket, më kishin thyeri dhëmbët. Kjo ndodhi aq shpejt, sa s’po e mblidhja dot veten. Kur vreva mbi kokë, surratin e egërsuar e hetuesit, që më skërmitejj kërcënueshëm dhe një duhmë e padurueshme alkooli, të më acaronte flegrat e hundës.
“O fundërrinë, do të të mbys me këto duar, pse ç’më pandere ti mua shokun tat! Më shake edhe nëpër dhëmbë, pa le! Zagar e bir kurve! Ty dhe atë kurvicën tënde, që ja çove ta shkërdhente Titua, do t’ju nxjerrë shkumën nga b…! U derdh kupa, më kishte fyer atje, ku s’mban asnjë shqiptar. Më kish sharë nënën time të dashur e të mirë, më kishte prekur nderin e gruas sime besnike, që për hatrin dhe dashurinë ndaj meje, bëri aktin më vet-mohues, më ndoqi pas në rrezikun më të madh, nën kërcënimin e armëve dhe të qenve kufitarë. I mblodha ato pak forca që më kishin mbetur dhe me bulçi të fryra, shfryva furishëm, gjithë sekrecionet që më ishin grumbulluar në gojë. Mbi surratin që këqyrte kërcënueshëm, u përhap një pllangë e kuqe pështyme, përzier me gjak dhe copa dhëmbësh të thyer. Grimcat e sprucos u shpërndanë mbi jakën e bardhë të këmishës dhe kravatën bezhë.
Tash që isha shpaguar disi, për fyerjen e padurueshme, rashë në qetësi, kurse hetuesi i shtangur dhe i llangosur, mbeti i ngrirë. Mbase i papërgatitur për këtë reagim, s’diti si të vepronte. Por një polic i zgjati shaminë, ai fshiu fytyrën, gjithsesi cërkat mbi këmishë mbetën të qarta. Kur kaloi hutimin m’u vërsul së dyti, më zuri për fyti dhe më shtrëngoi si i ndërkryer, me tërë forcën. Ndjeva të më pritej fryma, gjoksi sa s’po më plaste nga trysnia, kur një dorë e madhe si putër ariu, u fut mes nesh. Ishte mjeku.
“Shoku…., ç’bën?! E mbyte”! – dhe e zbythi me dhunë.
“Lermë ta mbys qelbësirën! Fundja, një armik më pak! Shiko si mëj bëri, ore”!
“O shoku…., jam këtu për të shpëtuar, jo për të marrë jetë! Kur kishit ndërmend t’a mbysnit, pse më thirrët, or shok”?!
“Lermë, të thashë, ta mbyllin këtë mesele! Edhe ne shpëtojmë, edhe partisë i bëhet mirë, një pusht më pak”!
“Jo, i nderuar, se kuptoni që para keni një të mbaruar? Ai është i ç’mendur, është tërësisht jashtë realitetit, i papërgjegjshëm për veprimet që kryen”.
“Ç’po çaprashit, ashtu”?
“Këtë që sapo thashë. Mund edhe t’a vrisnit, po, jo në duart e mia! Unë, si mjek, s’mund t’i aprovoj këto”.
“Ore, je në binarë, ti! Ky njeri, ka kryer tradhti të lartë ndaj Atdheut! Edhe plumbin e ka pak, do rrjepur i gjallë”!
“Shoku….ju mund t’ia bëni të gjitha këto që thoni, por jo në praninë time. Jam mjek, më lini të punoj”!
“Do ta shohim ….”, – kërcënoi ai dhe fluturoi jashtë pa përshëndetur askënd.
Gjithë biseda me tone të ngritur, u bë mbi kokën time. Ato çaste, unë rrija symbyllur nga lëndimi fizik, por më shumë nga dhimbja për mjekun. Për momentin, “Arusha” kishte triumfuar. Symbyllur përfytyrova “Arushën e maleve”, mbrojtës i konviktorëve të dobët, siç kish qenë ato vite të largëta. Ndjeva krenari për shokun e rinisë së hershme. Pozita ku gjendesha, s’më jepte shansin t’i shprehja mirënjohjen, ndaj qëndrova, gjasme në gjendje zalie.
Ajo çfarë ndodhi më pas, s’ka lidhje me këtë që po ju tregoj, por doja t u them me dy fjalë, se ndërhyrja e zgjuar dhe e guximshme e mikut tim të hershëm, më shpëtoi jetën. Ai më mbajti nën kujdes shëndetësor edhe disa ditë. Gjatë atyre ditëve, vetëm një rast mbetëm të dy dhe ai, me zë të ulët pëshpëriti në vesh:
“Avzi, kujdes me hetuesin tjetër, së i pari u transferua. Të uroj, të dënohesh sa më pak”! – doli në prag të derës e thirri rojen. – Tani mbarova, po pati komplikacione, telefonomë”.
“Iku, s’e pashë më. Po, sidoqoftë, ai mbetet miku im. Hetuesi i dytë, s’më vuri më në këtë provë. Nëse do më kish vënë, s’e di në do isha ky që jam sot. Ishte e vështirë, o miq, t’i rezistoje ngasjes! Uria thyen edhe luanët”!
Përfundoi ai, rrëfimin e dhimbshëm.
Tregimin e tretë mbi këtë temë dhe produktin negativ të saj, i kam përjetuar vetë, jo thjeshtë fizikisht, po edhe shpirtërisht e moralisht. Për personin që do flas, kanë folur para meje edhe bashkëvuajtësit e mi të nderuar, At Zef Pllumi, Gëzim Medolli, etj. Aq figurë emblematike u bë në burgje dhe kampe pune ky tip, saqë askush, s’ia mësoi dot mbiemrin; të gjithë e quanin Ferit, me cilësorin “Lopa”. Ky individ, përfaqësonte figurën më tagji-komike, të burgjeve politike.
Sigurisht, unë nuk zotëroj aftësitë përshkruese të bashkëvuajtësve të mi të nderuar, por në këtë copëz, do tregoj vetëm eksperiencën time, në lidhje me një ndodhi të një dite dimri, të vitit 1972. Në fundvitin e atij dimri të vështirë, në kampin e Spaçit, u përhap një epidemi infektive që atë kohë e quajtën: “Gripi spanjoll”. S’jam kompetent që të përcaktoj nëse e kish tamam origjinën nga Spanja, apo diku gjetkë; veçse pasojat e tij në Spaç, u ndjen thellë, u sëmurën pothuaj të gjithë, pa përjashtim. Simptomat e kësaj murtaje, ishin temperaturë e lartë, kollë e thatë dhe të vjella të shpeshta, shoqëruar me rrjedhje gjaku nga goja dhe diarre.
Pasojat negative që la pas ky grip, do jepnin efekte të pa imagjinueshme në kamp. Siç do ta perifrazonte miku im, Ismet Boletini, i cili kishte maninë qe çdo ngjarje, ta lidhte me anën financiare, duke llogaritur privatisht dëmet për të burgosurit dhe për shtetin, konkludoi:
“Dëgjo, or mik, janë sëmurur 643 të dënuar nga 706, që janë gjithsej. Çdo i sëmurë, është mbajtur mesatarisht 7 ditë në karantinë, si rrjedhojë bëhen 4501 ditë-pune të humbura. Për çdo të sëmurë, është shtuar racioni ushqimor, me 12 lekë të vjetra në ditë, që del një shumë prej 54.012 lekë, plus 42 lekë shpenzime për ilaçe, del 189.042 lekë”! – nisi aritmetikën ai-
Mirëpo, llogaria e Ismetit, vazhdonte edhe më tej: “Kanë mbetur pa nxjerrë 13.503 vagonë bakër dhe pirit, që po t’a kthesh në njësi peshe, i bije afërsisht 27.006 tonë, plus-minusi varet nga minerali, po të jetë bakër, është më pak, po të jetë pirit, më shumë. Përfundimisht, nga ky grip shtetit i është shkaktuar një dëm prej 243.054 lekë, plus mineralin e munguar, humbja shkon në disa milionë”! Kurse dëmi për të burgosurit, në llogaritë e Ismetit, dilte shumëfish më i madh. Aq të llahtarshme i parashihte ai pasojat, sa do duheshin vite, për t’a zëvendësuar. Sipas tij, për riparimin e këtij dëmi ekonomik, do humbnin edhe koka njerëzish.
“Dëgjomë, or mik, arsyetonte Ismeti, që këto shpenzime do t’i paguajmë ne, as që e vë në dyshim, por parashoh ditë edhe më të vështira. Ndoshta deri sa të zëvendësojnë këtë dëm, do na e nxijnë jetën, as dhe një të dielë s’kanë për të na lënë pushim. Druhem, do egërsohen edhe më tepër, s’është çudi, që t’a paguajmë edhe me koka njerëzish, i njoh mirë komunistë unë”! Boletini i zgjuar, kish patur të drejtë, si një Kasandër e kohëve moderne, parashikimet e tij ogurzeza, do përmbusheshin shumë shpejt.
Pikërisht ato që paratha Ismeti, komanda i vuri në zbatim dhe këto arsye e të tjera shtesë, bënë të shpërthente revolta e të dënuarve politikë, mbas disa muajsh, më 21 Maj 1973, që do skuqej me gjakun e katër martirëve dhe me ri-dënimin e mbi tetëdhjetë të tjerëve. Fillimisht, gripi mposhti të moshuarit e më të dobëtit, unë dhe një pjesë të rinjsh, i rezistuam. Por më vonë, edhe ne iu shtrimë. Nga të paktët që i shpëtuan kësaj kolere, ishte Ferit Lopa.
Për atë thuhej: “Ky grip prek njerëzit, jo kafshët! Ndaj, s’ka ç’i bën një lope”! Por le të kthehemi te ngjarja. Në një nga këto ditë, kur dhomat dhe kapanonet ishin zaptuar nga të sëmurët dhe rrezikohej që edhe pjesa tjetër të infektohej, me ndërhyrjen e mjekut të kampit M. Kosovrasti, i dënuari i vetëm për nekrofili, siç dëgjoja të pëshpëritnin ata që e njihnin nga afër, u shpall karantinë. Të prekurit i shpërngulën në një hapësirë dy dhomëshe, në katin e parë të Pallatit tre katësh, që atë kohë sapo kishte përfunduar së ndërtuari. Në një nga këto dhoma, izoluan edhe dy miqtë e mi, Tomorrët, me të cilët haja bukë bashkë, Tomor Balliu nga Çekini i Gramshit dhe Tomor Allajbeu, nga Peshtani i Beratit.
Të haje bashkë në burg, nënkuptonte që ato pak ushqime që na sillnin familjet me sakrifica të panumërta, t’i bashkoje. Kjo formë mirë-administrimi, kish mbetur vazhdë e një tradite që e kish zanafillën, qysh kur nisi kalvari i vuajtjeve në burgjet politike, e vazhdonte ende.
Në vitet e para, dënuan intelektualët dhe politikanët profesionistë, pjesa dërrmuese e të cilëve ishin të moshuar. Të rritur ndër familjet e mëdha, ku për nevojat e përditshmërisë, kishin në dispozicion punonjës shërbimesh, si kuzhinierë, kamerierë, bahçevanë, punonjëse pastrami, etj., ata ishin të paaftë të shërbenin vetvetes. Ishin vërtetë profesionistë të shkëlqyer në zanatet respektive, por jo për kushtet e burgut. Ndaj për të kapërcyer këtë nonsens praktik, kishin gjetur si zgjidhje, bashkimin në grupe të vogla, me dy, tre, katër e më shumë persona. Në këtë mënyrë, përballonin më lehtë vështirësitë, po i bëheshin edhe krahë njeri tjetrin.
Këto lloj grupimesh, i ngjanin një organizmi familjar, ku detyrat ndahen pa protokoll; nënat mbajnë peshën e nasqerisjes brenda shtëpisë, ndërsa etërit, barrën për të siguruar të mirat materiale. Si shumë të tjerë, këtë kishim bërë edhe ne. Mirëpo, si në çdo organizim grupi, njëri do përgjigjet për një punë, tjetri për një tjetër. Pra, në grupin tonë një Tomorr përgjigjej për ushqimet dhe mirë-administrimin e tyre, në veçanti për gatimin dhe ky ishte Balliu, meqë ishte praktik dhe i vinte ndoresh për të gatuar; kurse Allajbeu, si tepër impulsiv dhe i gojës, meqë kishte karakter sanguin e paksa të vështirë, kish vetë-zgjedhur marrëdhëniet me të tjerët, siç mund të thuhet sot, marrëdhëniet me publikun, ndërsa unë i zhytur në botën e librave, jetoja jashtë realitetit dhe andrallave të përditshmërisë.
Për grupin tonë, kishin qitur edhe një bejte, natyrisht me dashamirësi, më shumë për të qeshur, me sa mund të qeshej në ato kushte: “Dy Tomorrë, nën dëborë / një me gojë e një me dorë / Gojëtarinë llafazan / e zhyt tjetri në kazan / I treti lëvron me penë, që të tre janë levendë”.
S’e di kush e sajoj i pari këtë bejte, por në kohën kur dy Tomorët i kishin mbyllur në karantinë, ua kam ndjerë vërtetë nevojën. S’dija as vendin ku mbanim thasët e ushqimit në depo, ngaqë unë s’merresha fare me këto punë. Kur më lindi nevoja, i gjeta me të pyetur, po edhe kur i gjeta, s’ja thoshja të kullundrisja gjellë. Merreshin Tomorrët me këto vogëlsira, siç i vlerësoja para se të sëmureshin ata. Isha mësuar t’i gjeja gati. Kështu kur më zuri halli, rashë ngushtë.
Për të gjetur thasët në depo, m’u desh të pyesja rojen, një të burgosur të vjetër babaxhan, që e kishin caktuar aty, mbasi kish dalë i paaftë për çdo pune tjetër. Edhe kur i gjeta, s’dija ç’përmbanin brenda, ngaqë asnjëherë s’i kisha hapur.
Sa i përket gatimit, i njihja aftësitë e mia amatoreske. Kështu, mbas provës ditën e parë, kur më doli pilafi supë dhe supa llapa pa shije e skromë e zezë, nga zhizhita që zuri përfund tenxherja, ja dorëzova detyrën patriotit tim, Bajram Hoxhës, që përjashto punën fizike, i vinte ndoresh për çdo gjë tjetër.
Ditën kur shkova në depo, s’dija ku t’i kërkoja thasët. Po depoxhiu më shoqëroi te vendi ynë e më tregoi raftin dhe u largua. Mbasi pashë emrin e njërit prej nesh, të shkruar me lapës kopjativ mbi një copë beze të bardhë, të qepur sipër, zgjidha thesin, mora ato që mendova se do më nevojiteshin dhe u nisa në kuzhinën private, për t’iu përgatitur supë shokëve të mi në karantinë. Pasi mbaroi së gatuari një që ish para meje, u lirua një nga vatrat, atëherë e kuptova se veç druve për zjarr, më mungonin edhe ca asortimente të tjera të nevojshme, për gjellë, si kripa, limontozi, e ku di tjetër. Aty e besova Balliun kur më shprehej: “Rrofshin gratë! Është andrallë e madhe kuzhina, or byrazer”!
Sipas këshillave të një mjeshtri që gatuante ngjitur me mua, vura tenxheren me ujë mbi vatrën e zjarrit, mandej u nisa përsëdyti në depon e ushqimeve. Me t’u futur atje, iu drejtova sërish vendit ku para ca minutash kisha marrë ushqimet. Tani s’kisha nevojë për depoxhiun. Kur i afrohem raftit, vërej se thesi mungonte. Shikoj rreth e qark mos kisha gabuar vend, po u sigurova që isha në raftin e duhur. Hodha edhe njëherë sytë sipër, thesi s’ishte! Rafti qe bosh! Hej dreq o punë! Me krahë të jetë bërë, ky thesi im?!” Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016