Nga Elsa Demo
Memorie.al / Meri Ajzenhauer u lind në Uashington, ndërsa gjyshi i saj Duajt Ajzenhauer, ishte në mandatin e parë si president i 34 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo u pagëzua në Dhomën Blu të Shtëpisë së Bardhë dhe u rrit në Getisbërg, në Pensilvani. Familja e saj kishte një shtëpi pranë Fermës Ajzenhauer, ku presidenti Ajzenhauer u tërhoq përfundimisht në vitet e fundit të jetës. Meri frekuentoi disa shkolla në Pensilvani, derisa i ati Xhon, u emërua ambasador i SHBA-së në Belgjikë. Jetoi në Bruksel me familjen tre vjet pas vdekjes së gjyshit, 1969-1972. Ka punuar si administratore e një firme projektimi.
Me t’u bërë pjesë e “People to People International”, udhëton gjatë gjithë kohës nga Amerika në Afrikë, Evropë, Azi. Një nga udhëtimet e paharruara në jetën e saj, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së gjyshit, Duajt Ajzenhauer, është ai në vendet e invazionit D-day, që shënoi fundin e Luftës së Dytë Botërore. Aty takon shumë veteranë që kishin kishin shërbyer në ushtri me të.
Meri Ajzenhauer drejtonte prej disa vitesh këtë organizatë, duke shpresuar të mbartëte ëndrrën e gjyshit të saj, i cili mendonte se ndërgjegjja e njeriut dhe ndërgjegjja qytetare, është në gjendje të bëjë më shumë se qeveritë dhe politika. Duajt Ajzenhauer e themeloi “Njerëzit për Njerëzit”, më 11 shtator 1956 dhe kishte për qëllim mirëkuptimin ndërkombëtar mes njerëzve të të gjitha kombeve, ndërtimin e kulturës së paqes, ku respektohen dinjiteti dhe të drejtat e njeriut. Nuk është e rastit që “People to People”, u krijua nga një njeri që e dinte se ç’ishte lufta dhe ç’sillte gjëma e saj.
Kjo organizatë jofitimprurëse, kulturore, edukative, prej disa vitesh ka pasur një filial të vetin në Tiranë, i cili drejtohej nga Genci Muçaj. Në ato vite kur në kryeqytetin shqiptar u organizua për herë të parë konferenca “People to People Europa”, mes të ftuarve nga mbarë bota, ka qenë e pranishme drejtuesja ekzekutive e “People to People International”, Meri Ajzenhauer.
Presidenti i Luftës së Ftohtë
Duajt Ajzenhauer (Dëight D. Eisenhoëer 1890-1969), gjeneral amerikan dhe presidenti i 34 i Amerikës. Arkitekti i ndërhyrjes së Aleatëve në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas i disfatës së nazistëve gjermanë. Si president, Ajzenhauer i dha fund luftës në Kore, por gjatë dy mandateve të tij (1953-1961) dha pak pika referimi legjislative në politikën e jashtme. Koha e udhëheqjes së tij, kujtohet si një periudhë relativisht e qetë në SHBA-ës. Ai pati një ngritje të menjëhershme si ushtarak profesionist gjatë Luftës së Dytë: nënkolonel në 1941, dhe gjeneral në 1945.
Si komandant suprem i Ekspeditës së Forcave Aleate, ai drejtoi forcat më të fuqishme ushtarake detare, ajrore, tokësore që ishin mbledhur ndonjëherë nën dorën e një njeriu. Ajzenhauer drejtoi sulmin në bregun e Normandisë në Francë, në 6 qershor 1944, me qëllim disfatën e nazistëve e cila u përmbush në 8 maj 1945. Do të zëvendësonte presidentin Harry Truman. Aftësia e tij, si ekspert dhe strateg, dëshmoi se mund të bënte bashkë njerëzit rreth një qëllimi të përbashkët.
Duajt Ajzenhauer ishte presidenti që qetësoi frikën e SHBA-së për depërtimin e komunizmit. Qëllimi i tij ishte t’i jepte fund Luftës së Ftohtë, duke çtensionuar situatën mes Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-ve. Në vitin 1956, krijoi organizatën “People to People”, me qendër në Kansas, programet e të cilës në ditët tona kanë përfshirë 132 vende, ku operon me programe humanitare, siç ishte rasti i fundit i fatkeqësisë së cunamit në Sri Lanka, operacione për fëmijët në Irak, për çminimin e fushave etj.
Kush është Meri Ajzenhauer?
Këtë pyetje unë ia bëj shpesh vetes. Jam një njeri i zakonshëm midis njerëzve të jashtëzakonshëm në këtë organizatë të shkëlqyer. Jam me fat që jam midis tyre, sepse mua më takon të punoj me njerëz, me vullnetarë që bëjnë gjëra të mëdha çdo ditë.
Do të thotë që zonja Ajzenhauer, nuk e kupton dot veten jashtë “Njerëzve për njerëzit”, po jeta juaj?
Nuk më duket se kam ndonjë jetë jashtë kësaj organizate. Absolutisht jo. Unë jam aty brenda. Jam 24 orë në 24, gjithmonë me të.
Vitin e ardhshëm do të jetë 50- vjetori i “People to People”. Ju hodhët slloganin tuaj “Vizioni i një njeriu, tani realitet”. Është bërë vërtet realitet vizioni i Duajt Ajzenhauerit?
Fatkeqësisht apo fatmirësisht, gjërat në botë ndryshojnë çdo minutë. Sidoqoftë një nga vizionet e tij ishte fundi i Luftës së Ftohtë, që në të vërtetë është zhdukur. Ideja e tij ishe një ide e shkëlqyer, nëse njerëzit do ishin bashkë, pa pasur nevojë për qeveritë e tyre, do t’i përballonin shumë lehtë problemet. Pra në momentin kur njerëzit bashkohen me njëri-tjetrin, gjithë kombet e kanë më të lehtë për t’u lidhur me njëri-tjetrin. Forca e njerëzve të thjeshtë është shumë e madhe dhe në shumë raste është arritur vërtet.
Lufta e Ftohtë në shumë vende ka mbaruar, por në disa të tjera thjesht ka ndryshuar konceptin, është një luftë ndryshe. Sidoqoftë “People to People”, vazhdon të punojë në filozofinë e përhershme për njerëzit, për të shuar vatrat e keqkuptimit. Kjo filozofi, kur në momentet që flasim situata është bërë më kritike, në aspektin politik është më e rëndësishme, pasi vlen të kuptosh së pari kulturën e një vendi e pastaj të gjykosh nga pikëpamja politike.
Shqipëria nuk ka qenë ndonjëherë faktor gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, megjithatë ajo përjetoi dhe pati përvojën e vetë të fortë të kësaj lufte brenda për brenda kufijve të saj. Gjatë kësaj kohe, a ka qenë i përfshirë në vizionin e presidentit Ajzenhauer ky vend i vogël?
Besoj e gjithë Evropa Lindore sigurisht ka qenë në mendjen dhe vizionin e tij. Për herë të parë kam dëgjuar të flitej për Shqipërinë nga goja e tij. Dhe jam e sigurtë me sa mund të kuptoja unë në atë moshë, se Shqipëria ka qenë në mendjen e tij edhe në aspektin e përfshirjes së këtij vendi të vogël në filozofinë e madhe të “People to People”. Ishte kjo ideja e tij e cila, depërtoi nëpërmjet njerëzve edhe në blloqe të hekurta si Bashkimin Sovjetik apo në Kinë dhe kapërcyen ato barriera kulturore, politike. Kjo është një filozofi të cilën pretendojmë ta vazhdojmë ne sot, me vizitat në vende të ndryshme, me studentë duke krijuar lidhje të forta mes njerëzve, pavarësisht nga ç’vend vijnë.
Kur u lidhët me Shqipërinë?
Pavarësisht se isha mbesa e presidentit të Amerikës, deri në ’98-ën, unë nuk kam qenë anëtare e stafit, kam qenë thjesht një vullnetare, me gjithë dëshirat e mia. Por ndryshimi i madh në jetën time, ndodhi në vitin 1999, kur dëgjova se në Shqipëri, u krijuan grupet e para të “People to People”. Në atë kohë ndodhi kriza e Kosovës dhe të gjithë grupet e krijuara arritën të strehojnë 1400 kosovarë. Atëherë erdha në Shqipëri menjëherë, dhe thashë se nuk ka më kuptim të jem vullnetare, por të isha pjesë më aktive. Ky ishte një motiv për mua për të vazhduar më tej këtë lloj politike, pra filozofinë e Duajt Ajzenhauer. Atëherë erdha për herë të parë në Shqipëri dhe rashë në dashuri me këtë vend.
Si ka mbetur në kujtimet tuaja gjyshi dhe presidenti Ajzenhauer, si ka ndikuar tek ju atmosfera familjare me politikë dhe diplomaci?
Në kohën për të cilën flasim, Amerika ishte vërtet një vend i izoluar. Kam njohur bashkëmoshatarë të mi që thjesht shkonin dhe ktheheshin nga shkolla, që nuk kishin dalë kurrë nga qytet e tyre, për shkak të këtij izolimi, për shkak të Luftës së Ftohtë, luftës psikologjike që kemi patur. Në fakt, unë isha pjesëtare e një brezi të painformuar mirë për botën e jashtme. Kur im atë do të emërohej ambasador, dy ishin gjasat: ose të shkonte në Bruksel ose, në Pakistan. Në atë kohë unë e dija cili ishte Pakistani, po nuk e dija cili ishte Brukseli.
Atëherë kemi jetuar për tre vjet në Bruksel. Ishte momenti kur mësova frëngjishten shumë shpejt dhe kuptova se jeta ime nuk do të ketë më kufij, jeta ime do të kishte tjetër kuptim. Me shkuarjen në Bruksel, ndërkohë që amerikanët ndiheshin të izoluar, jeta jonë mori tjetër pamje, ishte më e qetë. Bota është dhe mund të jetë pa kufij. Atëherë mora pjesë në shumë aksione, si në bregun e Lisbonës, i ndotur nga nafta. Shkuam dhe pastruam zogjtë e ndotur me naftë dhe kuptova se njerëzit, janë njëlloj kudo që jetojnë.
Me rastin e 100- vjetorit të lindjes së Ajzenhauerit, më 1990 ju ndërmorët një udhëtim në vendet e Invazionit D-Day dhe me veteranë të gjyshit tuaj.
Ky udhëtim filloi nga Anglia, ku për herë të parë u nisën trupat aleate, më pas në Francë dhe në të gjitha vendet ku ai kishte shkelur e marshuar Duajt Ajzehauer. Në atë kohë takova veteranë të luftës, por jo amerikanë. Pashë disa nga kampet e përqendrimit. Kuptova saktë se ç’kishte parë e përjetuar ai njeri. Ishin vërtet gjurmët e luftës ato që e frymëzuan dhe që ndikuan në krijimin e “People to People”.
Shkuarja në Normandi dhe vizita në bunkerët nazistë, ushtarët 18-19 vjeçarë, më lanë emocione të pashlyera. Në atë kohë im bir ishte 18-vjeç dhe mendova se edhe ai mund të ishte në atë pozitë. Kur pashë “dritaren” e bunkerit, më tmerroi ideja që një njeri me armë në dorë, ishte në pritje të dikujt. Pastaj në kamp pashë krematoriumet ku njerëzit digjeshin të gjallë. Ç’mund të bëjë njeriu për njeriun! Nga pikëpamja e së keqes, ka shumë mundësi të bëjë.
Por sikur të shikohej ndryshe nga filozofia e bashkëjetesës, imagjinoni se ç’forcë të madhe e ç’produkt do të kishte, në të gjithë globin. Nuk mund të mohojmë atë që ndodhi, por nuk duhet të lejojmë të ndodhë më. Në këtë kuadër ajo që synon “People to People”, është që të kurojë zemrat e njerëzve përmes bashkëpunimit, njohjes përmes programeve kulturore, arsimore, deri tek çminimi i zonave të minuara apo kampet e paqes me fëmijë nga e gjitha e bota, për t’i sjellë njerëzit më afër.
Keni pasur në Irak një mision të tillë…?
Po, po. Një ndër programet ka qenë për fëmijët e Irakut, ku fëmijë nga e gjithë bota iu kanë ardhur në ndihmë bashkëmoshatarëve të tyre në Irak, me mjete shkollore. Është e vështirë për organizatat jo qeveritare, të punojnë në Irak, për shkak të pasigurisë, por ndihmat i kemi dërguar me trupat e koalicionit.
Çdo të mendonte presidenti Ajzenhauer, nëse do të ishte gjallë, për sulmin amerikan në Irak?
Mendoj se çdo luftë atë do ta mërziste shumë. Sepse ai si dhe disa të tjerë, donte që Lufta e Dytë Botërore të ndalonte, të mbyllej. Nazistët ishin armiqtë tanë. Dihej që në atë kohë kishim një armik që dukej, ndërsa sot, jemi në luftë në Irak, por jo me irakenët. Ky është një dallim i madh. Kjo është një nga shumë arsyet, që jemi të shqetësuar për mijëra jetë të humbura atje çdo ditë.
Për nga fama dhe popullariteti Ajzenhauer është shumë pranë një legjende si presidenti Abraham Linkoln. Cili ka qenë çelësi i suksesit të tij sipas jush?
Ai ka qenë një njeri i shkëlqyer, këtë e them si mbesa e tij. Gjërat që dilnin prej tij, dilnin nga zemra e tij. Ishte një njeri me të cilin njerëzit ndiheshin shumë mirë. Dua të tregoj një histori të shkurtër, që ai e ka rrëfyer dhe në ditarin e tij, kur la zyrën ovale, në Shtëpinë e Bardhë. Ishte koha kur në krye të SHBA-së, vjen Xhon Kenedi. Pas drekës gjyshja dhe gjyshi, dolën nga zyra, hipën në makinë për të shkuar në qytetin e tij dhe atëherë ndien emocionin e veçantë e të qenurit qytetar i thjeshtë, siç dëshironte të ishte ai. Njeri midis njerëzve. Kjo është e vërtetë.
Meqë misionet e “People to People”, janë edhe për vendet në zhvillim si Shqipëria, çfarë të veçante ka sipas jush ky vend, në familjen botërore?
Nuk janë vetëm vendet në zhvillim objekt yni. Ne jemi në 132 vende të botës. Shqipëria është një rast për t’u marrë shembull, një rast i veçantë ku mund të kuptohet saktë një e drejtë e madhe e kësaj filozofie. Ky vend është në listën kryesore, është në vëmendjen tonë. Veç kësaj ajo është pjesë e vendimmarrjes, në bordin e “People to People”. / Memorie.al