Nga Mark Ndoja
Pjesa e dytë
Memorie.al Libri epistolar nga shkrimtari Mark Ndoja, përmban letra nga kampi i dënimit politik i ishullit të Zvernecit 1965-1968 dhe burgjet Tiranë, Zadrimë, Burrel, 1956-1960. Janë 102 letra dërguar bashkëshortes, Milena, shpesh në formë epitalmesh korale, gjithashtu letrat ndaj familjarëve nga Zvërneci dhe 27 letra nga burgjet e Burrelit, Zadrimës, Shkodrës, etj. Libri ka një parathënie të mjekut të kampit të Zvërnecit Dr. Safet Kelliçi, që e kishte vizituar Markun 15 herë në Ishullin e Zvernecit gjatë vitit 1966, i cili i zhvillonte biseda letrare në formë leksionesh ilegale në ishull. Korrespondenca burrë grua e shkrimtarit në kushtet e burgut, është unike, pavarësisht se e monitoruar nga Sigurimi i Shtetit, duke krijuar kohën e ngjarjet nga vete protagonistët, si kronotopi elegjiake me pësimet prometeane që evokojnë malet e Skithise së Eskilit.
17-III-1965
Shum e dashuna Milenë.
Letrën tande të 28-II- e mora. Pse ke shënue 28-III-gabimisht? A kaq shumë habitesh nga mërzia? S’po të shkruej gjatë, mbasi kam shpresën, se do të vish shpejt pranë meje, të çmallemi, siç thue ti, në letrën tënde aq të dashun. Për fëmijët të kesh kujdes edukimin, sidomos, se për këtë të porosis unë kryesisht. Për të tjerat e di se ti bën çmos edhe mbi fuqitë e tua dhe për këtë, je grua e admirueshme. Unë ta çmoj shumë punën e sakrificat e tua, të gjithë jetës sate të re, për burrin e fëmijët. Po e more këtë letër para se të vish, sillmë dy lapsa n.2 nga ato që përdor unë dhe një gomë të bardhë.
Të pres me gaz. Besoj të vish vetëm me Lulin për tashti, siç më ke thanë në një letër të mëparshme.
Më vjen shumë keq, që je frigue aq tepër për shëndetin tim. Jo, o Milenë, jo! Unë nuk të gënjej kurrë! Ti e di se sinqeriteti im i tepërm, ash ai që më ka marrë më qafë gjithmonë. Pra unë jam shërue fare dhe tashti gjendem shëndosh e mire, si kokrra e mollës, siç thonë gegët e mi. Për ilaçe do të baje mirë me më pru ca piperazin, kundër krimbave të zorrëve. Për të tjerat tash flasim gojë më gojë, kur të vish me më pa.
Marintën, forcoje e qortoje, mos të qajë me dënesë. Ti vetë jepi shembullin e para. E di se ka në këtë botë natyra të prekshme, por edukimi mund të bajë shumë me to, për t’i kalitë dalëngadalë, derisa të jenë të zonjat, me durue e kapërcye çdo dhimbje me burrni e me stoicizëm.
Në këtë letrën tënde të fundit, sikur ndjej një lodhje e mërzi, një mall e një afsh dashunije të zjarrtë. Mirë o Mili! Duket se po kthehesh edhe një here, n’atë moshën kur unë të thërrisja me emën: Mili! O sa kujtime të bukura, o Milenë e dashun! Ç’përfytyrime të paharrueshme, që vetëm unë e ti i dimë!
Me kaq, mirë ardhsh e mos m’u zemëro, se s’të shkrova gjatë, siç më porosit në letrat e tua! Lekën puthe 100 herë për mue. Të fala të gjithëve dhe ty përqafime e puthje, së largu nga i paharrueshmi burri yti
Marku.
Tepër i dashun çun më i miri Lekë Ndoja!
E pse, o Lekë, s’më ke shkrue ndonji letër? Por ti je i vockël e s’di të shkruesh! Ti u bane 3 vjeç. Rrofsh 100 vjet si të do zemra, me lule e me gaz. Ti Lekë, duaji shumë lalin e dadën, mamin e mamëgjyshen, babëgjyshin e teta Melën. Banu shumë të fala nga ana ime dhe puthi në faqe, ashtu si di ti me puthë.
Unë të kam xhan kaq, të kam çun më të mirin, të kujtoj ditë e natë. Kur bie me fjetë hap krahët e të pushtoj në gji dhe kështu flej me andrra të bukura. Babi do të vijë prap, o Lekë, e do të rrojmë bashkë të lumtun, për një kohë të gjatë. Dadën puthe 100 herë në faqe dhe dueje shumë! Ajo të mban e të zbavit. Të mos ia harrosh kurrë mundin e dashurinë që ka për ty.
Të puth syçkat e gushën babi yt
Mark Ndoja.
31-III-65
E dashun Milenë.
Besoj se do të jesh bindë dhe je qetësue tashmë, që më pe vetë me sytë e tu, se jam shëndosh e mirë. Më shkruaj sa më parë e më trego, si u kthyet me Lulin dhe si i gjetët Marintën e Lekën, për të ciët më ka marrë malli shumë. Më shkruaj edhe për prindët e tu, si janë me shëndet e si i kanë hallet. Banu shumë të fala nga ana ime, atyre e sate motre, Ermelës. Nuk asht aspak e vërtetë se unë nuk i kujtoj edhe ata, posi njerëzit e mi më t’afërm. Po t’ish ashtu, atëherë nuk do të të doja as ty; por ti më mirë se kurrkush tjetër e di karakterin tim, i njoh edhe virtytet e veset e mija, me të mira e të liga dhe prandaj e kupton fare mire, sepse në letrat e mëparshme, jam tregue ndaj tyre, si i ftohtë. Besoj se edhe ata më njohin fort mire, që prej kohësh.
Milenë! Atë ilaçin që më the se e kishe pru për lamje çarçafësh, po e kërkoj e s’po e gjej dot nëpër plaçkat, që më solle. Ku e pate vendosë? Të falem nderit shumë, o e dashun, për gjithë sa po bën për mue, por njëkohësisht detyrohem me të heqë vërejtjen edhe për dorën tënde tepër të lëshueme, në shpenzime për mue! Besoj se tash e tutje, do të veprosh si të porosita me gojë. Unë këtu nuk kam aq nevoja, sa të shkonte mendja ty. Për ushqimin e një pjesë të duhanit, i kemi në rregull. Pra rrudh dorën e mos e shkreto më buxhetin tënd të vorfën familjar, sepse ke mbi krye, veten e tre kalamaj, që duan ushqim e veshmbathje. E si do ta vuash të shkretën jetë, vetë e katërta, me një rrogë 6000 lekësh, kur s’u bie as 2000 lekë, për frynë në muaj? Ti vetëm mos më dërgo asgjë pa u konsultue me mua, pa më pyetë më përpara me anë letre.
Kij kujdes shëndetin tënd e të fëmijëve, kij kujdes edukatën e bijve tonë të dashun, kujtimi i dashurisë sonë të paharrueshme. Ti më pe e më ndigjove vetë; unë ndaj teje, jam po ai që kam qenë gjithmonë. Por dëshpërimet që të ka shkaktue, dije se s’janë bamë me qëllim, por karakteri i im i rrëmbyeshëm, nganjëherë edhe i ashpër, në disa rrethana, më ka shty në gabime që ti ndoshta s’do të mund m’i falësh kurrë. Sidoqoftë ti më njeh vetë e unë kot po mundohem, të shpjegoj me fjalë, disa gjana që kuptohen me shpirt, fort më lehtë se me fjalë, në mes dy njerëzve të afërt me shoqishojnë, siç janë burri e gruaja.
T’uroj shëndet të mirë e gaz në këto ditë të bukura pranvere. Unë rroj me kujtimin tënd të paharrueshëm, me kujtimet e njohjes sonë, dashurisë e martesës, me kujtimin e çdo çasti, të jetës sonë bashkëshortore, deri te kujtimi i takimit tonë të fundit, këtu ku erdhe me më pamë, si besnike e paharrueshme e zemrës sime.
Të përqafoj e të puth syt
gjithmonë i yti
Marku.
P.S. Të parën herë që të më dërgosh pako, mos harro për 1 palë nallane me gomë ndër thembra, 1 palë lidhëse këpucësh dhe ndonjë kashe alginash e fenaskonesh apo aspirina…
Marku.
14-IV-1965
Shum e dashuna Milenë.
Mbas ardhjes sate këtu të kam shkrue më 31 mars, por prej teje ende s’po marr ndonjë përgjigje. Me thanë të drejtën jam mërzitë e jam bë merak më fort sesa përpara se të vijshit me më pamë. Kushedi, ndoshta takimi ynë aq i paharrueshëm e i dashur më ka zgjue mallin e vjetër dashurinë tonë të dikurshme, që s’duronte dot jo një javë e një muaj pa u pamë, shoqi me shoq, por edhe një ditë e vetme i dukesh një vit i padurueshëm. Kushedi? Ndoshta në pleqni zgjohen çastet e vjetra të jetës së shkueme për të na mbajtë gjallë fantazinë e ndjenjat, kur rinia e bukur ka prendue.
Më shkruaj sa më parë e sa më gjatë, o Milenë, sesi u kthyet, si i gjetët kalamajt, si jeni me shëndet, si i kemi hallet, etj. unë këtu jam mirë përgjithësisht. Këto ditë kam heqë një grip që ende s’më ka lëshue fare. Po për fat të mirë e kalova lehtë, në këmbë, në sajë të ndihmës sate me ato kokrra peniciline që më solle kur erdhe këtu. Më ka mërzitë një çikë, sepse e pata me gjak nga hundët. Duket se do t’ishte një grip i rëndë po të mos u përballonte e t’u luftonte me penicilinën që e mora në përdorim menjëhershme.
Dua të di si dolën Luli e Marinta, me tremujorin e dytë. E po Lekë vogli si i ka punët? A më kujton? Ti për vete si je me shëndet? A lodhe tepër me punën në shkollë? Në shtëpi si e kalon kohën? A të mërzisin fëmija? Më shkruaj edhe për prindët e tu si i ke, e a kanë gjetë shtëpi ende. Atë pluhunin për lamje teshash e gjeta ndër plaçkat që më solle. Në letrën tjetër të kisha shkrue se s’po e gjeja dot, por më kishte çorjentue zarfi, që dukesh si zarf talkoje, derisa lexova mbi të etiketën e ngjituni me shkrimin shpjegues.
Këtu pranvera po vjen me ngadalë, si rrallë herë kam pamë kështu. Po andej a ka ardhë stina e butë? Ne këtu vetëm dje pamë dallëndyshen e parë. Këtu fryn erë shpesh, dhe shumë herë erë e fortë jugore, erë e thatë dhe e keqe për bimësinë. Duket se edhe për gjanë e gjallë e njerëzit sjell sëmundje. Sigurisht që në Tiranë them se do të jetë bukuri tashti. A lexon ndonjë libër në shtëpi? Kur të vijë koha të më dërgosh ndonjë pako, mos harro të më dërgosh “Kontratrin socjal” të Zhan Zhak Rusoit, që e kam italisht në librat e mi. Kërkoje, gjeje e ma dërgo jo me nxitim, po kur të mundesh më vonë.
Për tashti po merrem me përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dantes. Këto ditë fillova këngën e IX të Purgatorit. Puna po më shkon mjaft mirë, megjithëse Purgatori mue më duket më i vështirë se Ferri për t’u përkthye shqip. Kushedi sa më i vështirë do të më duket Parrizi. Po pse, do të thuash? Sepse poezia e Dantes në këto dy pjesë vjen tue u bë më filozofike, më abstrakte, më e vështirë si formë arti e si gjuhë në përgjithësi. Megjithatë unë, siç e di ti fort mirë, do të ve gjithë fuqinë time me e përkthye në mënyrë të denjë këtë vigan të mendimit e t’artit njerëzor, për t’ua dhanë brezave t’ardhëm në një gjuhë shqipe sa më të kuptueshme e sa më të bukur. Kjo ishte e mbetet gjithmonë dëshira ime! Sa do të realizohet, e ardhmja do ta thotë. Në përkthimin e deritanishëm unë kam besim. Me këtë besim e dëshirë po vazhdoj. Si thue ti, a s’asht një ëndërr e bukur të japësh përkthye bukur në gjuhën tonë Dante Alighierin? Unë kam besim se do t’ia dal. S’mërzitem fort për ç‘thonë bota për aftësitë e mia letrare sepse vetë Dante thonte: “Segui il tuo corso e lascia dir le genti” që shqip tingëllon: “Vazhdo rrugën tënde e le të thonë bota!” Tashti që kohë kam mjaft të merrem me këtë punë të rëndë, besoj edhe më tepër në suksesin e përkthimit, sepse një punë e tillë do punim e ripunim të gjatë, do lluks kohe në dispozicion, siç e kam unë aktualisht.
Më fal se ndoshta të mërzita me këto ëndërrimet e mija letrare, por ti je mësue me to, edhe s’ke pse të ma marrësh për keq. Unë e di se ti mërzitesh për mue, për veten tënde e për fëmijët, që po kalojmë nëpër vështirësi të rënda. Ke të drejtë, o Milenë, po ç’t’i bëjmë punës pra! Kështu e solli fati rrotën e jetës sonë! Mos u mërzit e duroje si burrneshë të keqen që na ka ramë. Unë po e duroj, por mërzitem kur e mendoj veten fajtor ndaj teje e ndaj fëmijëve tonë të mjerë, që janë të pafajshëm, e vuajnë. Por ti s’di t’i lesh keq për asgjë. Kur mendoj këtë qetësohem, të mendoj, të due edhe më tepër se kurrë përpara dhe pres ditën me të pamë e me të folë nga afër për dashurinë tonë të shkueme, të tashmen për t’ardhmen, që besoj me ngulm se nuk do të na shkëpusë nga shoshoqi deri në vdekje.
Lulin, Marintën e Lekën puthi nga 100 herë për mue. Tyt eti, nanës sate e sat motër m’u ban të fala e siguroji se unë nuk i harroj kurrë.
Prit të falat e përqafimet e mija të zjarrta!
Gjithmonë i yti
Marku.
14-IV-65
Shum e dashura Marintë,
Shpresoj se tashti do të jesh shërue dhe do të jesh mirë me shëndet. Duhet të ruhesh fort që të mos i vrasësh këmbët tue luejtë, sepse plagët janë gjithmonë të rrezikshme. Kam kohë që po pres një letër të gjatë nga ti. Due të më tregosh se si e çon me mësimet, si sille me zonjushën e me shoqet e tua, si sille me mamin në shtëpi, si vete me Lalin, a vazhdoni të grindeni më si përpara. Po me Lekë vogun si ia shpie? A asht çun më i miri? A të kërkon ndihmë kur e ngasin të tjerët? Shiko, Martinë, unë Lekën ta kam lanë ty amanet, dhe kërkoj që të ma kesh kujdes në mënyrë të veçantë ti, që je dada më e mira e Lekë vogut, çun më të mirit.
Kur të më shkruesh letër të gjatë do të përgjigjem edhe unë me letër të gjatë.
Të bën të fala, të përqafon e të puth syt
Babi yt i paharrueshëm
Marku.
28-IV-65
E dashuna Milenë,
Letrën tënde të 11 prillit e mora me kohë, gjithashtu ka 3 ditë që mora edhe letrën tjetër të dt. 18. Të falem nderit shumë për letrat e tua të shpeshta e tepër të dashura për zemrën time. Unë me shëndet jam krejt mirë. As në Tiranë s’kam qenë kaq mirë prendverën e vjetme. Më kënaqet shpirti kur mësoj nga lutjet e tua se gëzoni shëndet të plotë, por sado herë që vonohet ndonjë letër filloj e preokupohem e mërzitem. Kështu funksionon psikologjia e atij që asht larg familjes së vet, e sa më tepër mandej kur je larg dhe në kudhtet e privimit të lirisë. Por letrat e tua më duket sikur ma sjellin gjithë familjen ndër sy; të shoh ty e fëmijët nëpërmes radhëve të letrave të tua që vinë si dallëndyshet gazmore që sjellin këngën e pranverën në zemrat e njerëzve. Pranvera u vonue shumë sivjet, “Milenë”. Ishte njëfarë të ftohti thuajse dimëror edhe këto ditë këtej, besoj se kjo e ftohtë të ketë kapë edhe andej, sepse me ç’pashë në gazetë ka qenë një rrymë e ftohtë që i ka ra gjithë Europës. Me ato që më shkruan për Lekën ti më sjell një gaz të madh, që asht për mua më i mallëngjyeshëm se blerimi e meloditë e pranverës. Ti e di fort mirë se sa e dua unë atê, besoj me ngulm se po aq e don edhe ti; po po ti je më e lumton se unë, se e ke pranë ditë e natë, kënaqe e çmallesh me tê, kurse unë i mjeri mbeta larg gëzimit të rritjes së fëmijëve në moshën e tyre më të njomë e më gazmore.
E dashur Milenë! Unë po shoh nga letrat tuaja se Luli ka ra nga përparimi në shkollë: ka ra tepër! Ai Lul që ishte që ishte shpesh në tabelë të nderit tashti ka edhe 6. Unë jam shumë i preokupuar për këtë. Shiko, moj Milenë, mos po merr udhë të keqe djali! Unë jam i alarmuem për këtë! Këto s’janë më gjana të rastit! Ai po vjen tue u çthurë dalëngadalë derisa të përfundojë një tip me vëllaznit e tu përsa i përket dëshirës me mësue. Shiko e mendou, po ti duhet ta shtrëngosh e ta kontrollosh, të mos i lesh asnjë rrugë të çelun që djali të degjenerohet në një tip dembeli, në një tip që dalëngadalë tashti në moshën e pubertitetit mund të përfundojë fare lehtë në një bredhës udhësh.
Foli dhe binde me arsyetime, merri fjalën me besë për çdo detyrë që i ven, kontrolloje dhe dënoje me rreptësi nane e mësueseje, në mënyrë sa ma logjike e psikologjike. Lëshime sentimentale, si e keni zakon ju nanat. Mos i bën kurrë. Pse e lejon të shikojë ndeshje futbolli ndërkombëtare, kur ai ka marrë 6 prap në rusisht, për të cilën i hoqe vërejtje këtu kur erdhët në takim? Shpërblime të tilla le t’i fitojë, ndryshe s’ka. Duhet të mësojë se çdo shpërblim në këtë jetë fitohet me punë, e jo me mëshirë e me lajka ndaj prindërve e ndaj më të mëdhenjve. Mos bjer në pozitat e mamagjyshes se s’merr vesh nga edukata e fëmijëvet, jo pse ajo asht njeri i keq, po pse asht tepër e butë e sentimentale ndaj të vegjëlve.
Sa për Marintën jam i kënaqun. Ajo përparon me sa i mundet, asht tip i urtë e i bindun, kurse Luli asht një tip i mbuluet e inatçi, me të cilin duhet me punue me shumë takt e me rreptësi logjike, e po qe nevoja edhe shtrënguese ndaj detyrave.
Ai asht i zgjuet, po mendja e tij ka ca prirje që qysh tashti nuk më pëlqejnë. Ti e di me kohë këtë mendim timin, por qëndrimet e mija i ke quejtë gjithënjë si tepër të rrepta, bile edhe t’egra. Ja pra, se sa mungova unë nga shtëpia ai bie nga mësimet aq poshtë sa s’kishte ramë ndonjëherë tjetër. Kjo duhet të tërheqë vëmendjen e të bahesh vigjilente kundfrejt tij. Ai i ka mbi 13 vjetët, dhe deri më të 17 vjetët duhet gjurmue këmba këmbës çdo shkarje e tij, duhet qortue e shtërngue menjëherë e pa mëshirë sentimentale që asht nji ndjenjë e sëmurë e rrënuese pedagogjikisht.
Mjaft të lodha e të mërzita, e dashur me këtë çështje, por ti mos ma kij për keq, o shpirti im, sepse na të dy kemi detyra të mëdha ndaj jetës e s’arthmes së birit tonë. Ti si je shpirtërisht? A kaqë shpejt fillove me u mërzitë për mue, mbasi erdhe më pe e u qetësove një herë? Për t’ardhë në fund të majit të takon radha, sigurisht, por sa je e zoja ta bash këtë hap financiarisht? Mendoje vetë! Sa për mue ky do t’ishte një gëzim i papërshkrueshëm. Besoj se këtë e di fort mirë ti vetë. Por kur mendoj vështirësitë e tue ekonomike s’më ban zemra me të thanë të cish. Sidoqoftë mendo e vendos vetë. Unë jam tepër i gëzuem për dashuninë tënde ndaj meje, që ka qenë gjithnjë e zjarrtë e gjithnjë e atillë mbetet.
Gjithmonë i yti tue të përqafue e puthë së largu. /Memorie.al
Marku.
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016