Nga Sherif Delvina
Memorie.al/Në literaturën e gjertanishme serbe, madje pjesërisht në atë jugosllave dhe të perëndimit, kuptohet nën ndikimin së parës literature, mbizotëron mendimi se në truallin e Kosovës së sotme, dhe në pjesën perëndimore të Maqedonisë sotme, historia e shqiptarëve daton pas të ashtuquajturës “dyndje madhe serbe me Patrikun e Pejës, Arsenijen III Çernojeviq në krye” në vitin 1690 me ç’rast gjoja nga këto vise u larguan serbët tërësisht, dhe në “vendet e mbetura u vërsulën shqiptarë nga malet e Shqipërisë” (Skënder Rizaj, Kosova gjatë shekujve XV, XVI, XII). Tezën e mësipërme serbe e hedh poshtë Prof. Skënder Riza në veprën e sipërpërmendur duke analizuar administrimin, ekonominë, shoqërinë dhe lëvizjet popullore në Kosovë gjatë shekujve XV, XVI, XVII e po ashtu prof. Selami Pulaha e studiues të tjerë. Të bën përshtypje libri “Ballkani, Historia e Bullgarisë, Serbisë, Greqisë, Rumanisë dhe Turqisë’, me autorë Nevill Forbes, Arnold. J. Toynbee, D. Mitrany, D.G. Hogarth botuar nga Oxford at the Clarendon Press, viti 1915, Ky libër është ribotuar disa herë. Po marrim botimin e vitit 2004 nga Globusz Publishing, New York –Berlin 2004. Kapitulli “Serbia” që është shkruar nga autori Nevill Forbes, citojmë nga tema e këtij kapitulli “Sundimi turk, 1496 -1796” një pazash: “Gjatë luftës që pasoi me thyerjen e tyre, ku austriakët fitimtar hynë thellë në Shkup nga jugu, morën pjesë edhe serbët në luftë kundër turqve; mirëpo kur austriakët u shtrënguan të tërhiqeshin, serbët, që kishin ngritur krye kundër Turqisë me urdhër të Patrikut të tyre, Arsenit III e paguan shtrenjtë atë pjesëmarrje që rezultoi me një eksod të plotë, me Patrikun në krye drejt kufiri ushtarak Austro-hungarez. Këtë herë qe vetë zemra e Serbisë ajo që u la në mëshirë të fatit, ajo, pra Serbia e vjetër dhe Maqedonia Veriore, përfshi Peçin (Pejën) dhe Prizrenin. Patrikana e boshatisur u mbush hë për hë me grekë, ndërsa shqiptarët, shumica e të cilëve qenë muslimanë apo thënë më shkoqur turkofilë, që u shtrinë në drejtim të veriut e lindjes, në vendet që kishin qenë toka serbe që nga shekullit VII”. Ç’ka u tha më sipër nga Nevill Forbes hidhet poshtë nga historia.
Bën çudi kur lexon librin e Prof. Dr. Rexhep Krasniqit “Kongresi i Berlinit dhe Rilindja e Shqipërisë”, tezë doktorate, Vjenë, Korrik 1934, i ribotuar në Tiranë 2007. Në këtë doktoraturë, prof. Dr. Rexhep Krasniqi pohon: “Në shekullin Xvii, nën drejtimin e Patrikut të Pejës Arsenije Çernojeviç, në shumicë të madhe, serbët i zbrazën tokat e tyre dhe emigruan kah Hungaria e Jugut, ndërsa vala e dytë e emigracionit serb u plotësua në shekullin e tetëmbëdhjetë të erës sonë. Në këto krahina vullnetarisht të lirueme prej serbëve, u futën shqiptarë të cilët, ner kondita tejet të zorshme ishin kenë vetmu prej pjesës kristiane të botës perëndimore si dhe prej qendrave bregdetare të shkaktueme prej izolimit shekullor, vetevetiut, lehtësisht nënkuptohet kthimi i tyre në fenë islame… Shqiptarët zotnunë jo vetëm anën e Drinit të Bardhë e Kosovën, edhe ma tej, ata u futën tuj depërtu ma kah veriu e deri në Novi Pazar, Nish e Vranja. Në gjysëm të shek XVIII ndërroi drejtimi i synimit të dyndjes shqiptare tuj zdergjë ma kah Maqedonia.” Fatkeqësisht edhe në këtë libër kemi ndikim të literaturës shoviniste serbe.
Po si qëndron e vërteta?
Noel Malkolmi në “Kosova një histori e shkurtër”, (Londër, 1998), na bënte të ditur se disfatën e koalicionit ballkanik në Kosovë më 1389, serbët e kanë kthyer në mit kombëtar të periodizuar në tri faza teologjike paralele. Faza e parë e mitologjisë fetare kombëtare serbe, bazohet në kronikat e murgjve. Kjo mbaron me kryqëzimin e Krishtit. Për serbët pjesa kulminante e saj, arrin kur knjaz Lazar Hrebeljanoviçi qëndron në mes të vojvodëve, duke parashikuar tradhtinë e Judës, që është dhëndri i tij Vuk Brankoviçi, i cili e tradhtoi të nesërmen, ndërsa knjaz Lazari, që ka zënë vendin e Krishtit, do ta ndëshkojë për humbjen e betejës në botën tjetër! Në të vërtetë, knjaz Lazari e kaloi tërë natën para betejës së Fushë-Kosovës, duke zbrazur gotat plot me verë. Këto kronika murgjësh bien në kundërshtim me realitetin. Dhe ja, ç’ndodhi: knjazi ynë i shenjtëruar, u kap rob nga osmanët dhe u ekzekutua me urdhër të sulltan Bajazitit. Martirizimi i tij mbaroi me thirrjen e tij drejtuar Zotit: “O Perëndi, prite në qiell shpirtin tim!”. Kjo thirrje pasohet me prerjen e kokës së tij nga jeniçeri turk. Faza e dytë fillon me varrosjen e Krishtit (Lazar) dhe ikjen e popullit serb nga Kosova, në “velika Serbia” (Vojvodina), gjatë luftës austro-osmane. Kosova në luftën austro-osmane luftoi krah për krah me austriakët kundër osmanëve. Ajo gjithmonë ka qenë e banuar në pjesën dërrmuese të saj nga popullsia shqiptare. Hans Dernschwamse (1494-1568) në “Ditar i një udhëtimi në Konstantinopojë dhe në Azinë e Vogël” (përgatitur dhe pajisur me shënime, sipas një dorëshkrimi të vjetër të gjetur në arkivin Fuqer nga Franz Babingeri, Mynhen dhe Laipzig, 1923, faqe 8), shkruan: “Deri afër Nishit flitet ende serbisht ose një gjuhë sllavone”. Më tej, ky autor i këtij dorëshkrimi vëllimor, në faqen 258 pohon se: “Midis Bosnjës dhe Bullgarisë shtrihet Shqipëria, banorët e së cilës quhen arnautë nga turqit”. Në Kosovë para islamizimit shumica e popullsisë ishte ortodokse e jo katolike. Për këtë dr.Muhamet Tërnava në “Popullsia e Kosovës gjatë shekullit XIV-XVI”, (Prishtinë, 1995), i referohet Cirio Gianiell-it në “Dokumenta të pabotuara të gjendjes së disa bashkësive katolike të Serbisë Jugore më 1578, vëllimi II, Romë, 1953,ku thuhet:”Përsa u përket katolikëve të kohës paraturke, që ishin vendas, një relator i shekullit të XVII shkruan:”Nga këta(katolikët-M.T.) pak vetë banonin në ato vende, ku aty sundonin princat krishterë, sepse ata me të gjithë popullin kishin rënë në skizëm, që edhe sot vazhdon me këmbëngulje”.(I.Zamputi, Relacione I,177). Nga përqindja e popullsisë së islamizuar po rendisim një shumicë qytetesh në fund të shekullit XVI: “Shkodra 100%, Peja 90%, Vushtria 80%, Elbasani 79%, Tetova 71%, Kërçova 65.5%, Kruja 63 %, Berati dhe Prishtina 60%, Prizreni 55.9 %, Dibra 51%, Tepelena 50%, Përmeti 41 %, Novobërda 37%, Struga 24%, Vlora 23 %, Korça dhe Trepça 21, Belasica 16.1 %, Janjeva 14%, dhe Delvina 4% (F.Duka, “Feja, kultura dhe traditat islame ndër shqiptarët”, Prishtinë, 1995). Vijojmë me popullsinë e disa qyteteve të Kosovës dhe të Maqedonisë. Për këtë citojmë Peter Bartl në “Kosova dhe Maqedonia në raportet kishtare”: “Nga fillimi i shekullit XVIII deri në gjysmën e shekullit XIX popullsia e Prizrenit, Gjakovës dhe Shkupit, ishte pothuajse ekskluzivisht myslimane dhe pjesa më e madhe e këtyre myslimanëve ishte me prejardhje shqiptare. Në Pejë, Novobërdë, Trepçe,Prokuplie, Kratovë, popullsia myslimane ishte pa dyshim mbizotëruese, por atje popullsia gjithashtu kishte një segment të fuqishëm ortodoks. Janjevo qe në pjesën më të madhe ortodokse, por në atë vend edhe popullsia myslimane qe e konsiderueshme. Famullitë e Gurit, Shgjeçit, Zymit dhe Zogajt në Has afër Prizrenit, ishin pa mëdyshje katolike dhe shqiptare”. Sipas “Relacione…”(I. Zamputi, vëll.I, f.339) “Shkupi është një qytet shumë i madh që, prej Stambollit e tutje, ka pak që ia kalojnë për madhësi. Banohet prej turqish, shumica e të cilëve janë shqiptarë me kombësi; të tjerët janë aziatikë”. Ka me shumicë çdo gjë , është 2 ditë larg prej Selanikut. Ka aty hebrenj, serbë dhe pak grekë. Janë 15 familje katolike të cilat mbajnë një kapelan. Më 1638/1639 Shkupi numëronte 23 000 shtëpi myslimane, 120 shtëpi çifute dhe 320 shtëpi skizmatike, (I. Zamputi, vepër e cituar,II,174). Më 1641/1642 Shkupi kishte 22 000 shtëpi myslimane, 200 shtëpi greke dhe serbe, si dhe 150 shtëpi çifute (I. Zamputi, II,faqe 262)
Për Kratovën statistika e parë në dispozicionin tonë, marrë nga Zamputi,”Relacione…” II, 174, është ajo e 1638/1639. Në këtë kohë, ky qytet numëronte 38 shtëpi katolike, të gjitha të kombësisë shqiptare, 40 shtëpi çifute, 100 ortodokse, si dhe 300 shtëpi myslimane. Jovan Tomiçi në librin e tij “Shqiptarët në Serbinë e Vjetër dhe në Sanxhakun e Novi-Pazarit”, (Paris, 1913), përshkruan edhe luftën austro-osmane duke e paraqitur Kosovën të banuar tërësisht nga popullsia serbe, ndërsa në të vërtetë, ajo në atë kohë banohej në pjesën dërrmuese të saj nga popullsia shqiptare. Citojmë këtë autor: “Ushtritë aleate, të ndihmuara vetëm e vetëm nga serbët, nuk depërtuan në asnjë drejtim përtej kufijve të elementit serb. Më 1689 perandorakët, (ushtria perandorake austriake – SH.D.) hyn në Sanxhak, në Kosovë, në krahinën e Pejës, të Gjakovës, të Prizrenit; ata zbritën në Lumë dhe gjatë luginës së Vardarit. Në të gjitha këto drejtime serbët kryengritës, të lirë në lëvizjet e tyre në vendet që popullonte raca e tyre, përbënin pararojën e ushtrisë perandorake…Ata të gjithë pritën Pikolominin, si serbët katolikë dhe ortodoksë të vendeve të Prizrenit, po ashtu edhe serbët e islamizuar të këtij qyteti.
Ja, çfarë na thonë dokumentet:
Në dokumentet e komandës austriake, në memorialin mbi Shqipërinë të datës 1 prill 1690 të gjeneral Marsiglit, anëtar i shtabit të ushtrisë austriake, në letrat e vikarit katolik të Shkupit, Thoma Raspasanit që zëvendësoi prijësin e kryengritësve shqiptarë, arkipeshkvin e Shqipërisë, Pjetër Bogdanin, dëshmohet se “Prizreni ishte kryeqyteti i Shqipërisë”, se “Peja e Shkupi përfshiheshin në Shqipëri” se në viset e Kosovës flitej gjuha shqipe. Vetë perandori i Austrisë Leopoldi I theksonte se ushtritë e tij luftonin në Shqipëri ( kur hynë në Kosovë) etj. (Arkivi shtëpisë, oborrit dhe shtetit Vjenë, arkivi i luftës, dokumentet e betejës 1689) (Cituar nga Selami Pulaha “Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shekujve XV-XVI”). Në veprën “Historia e Turqisë”, shkruar nga M.Knolles dhe vijuar prej të nderuarit Sir Paul Ricaut, (vëllimi II, Londër, 1701), flitet për përfshirjen e shqiptarëve në luftën austro-osmane pa dallim feje. Në faqen 323 të këtij vëllimi, autorët vënë në dukje se kryekomandanti i ushtrisë austriake, konti Pikolomini, takohet dhe pritet me nderime nga popullsia vendase në Prizren. Për këtë takim historik këta autorë pohojnë: “Në këtë kohë, megjithëse ethet iu shtuan, Pikolomini vazhdoi marshimin e tij drejt Prizrenit, ku u takua me Arqipeshkvin e Shqipërisë dhe Patrikun e Kelmendit. Ky përcillej nga 8 000 arnautë, nga grekë të Shqipërisë, (ortodoksë shqiptarë – Sh.D.), turq (shqiptarë myslimanë – Sh.D.) dhe të krishterë të tjerë të këtij vendi. Këta deklaruan vendosmërinë e tyre, që të jetojnë dhe të vdesin me ta për çështjen e përbashkët kundër turqve pse ishin betuar për besnikëri” (te perandori Leopold – Sh.D.). Edhe Jovan Radoniç në veprën e sipërcituar dëshmon se Pikolomini u prit në Prizren prej 6000 shqiptarëve. Paragrafi i përkthyer nga origjinali shoqërohet nga nëntitulli “Arnautët rikthehen në Perandori”. Ky takim për të cilin folëm më sipër, u zhvillua më 6 nëntor 1689 në Prizren. Kryepeshkop i Shqipërisë dhe Patrik i Kelmendit ishte Pjetër Bogdani, ndërsa Patriku serb (Arseni III), është vërtetuar katërcipërisht se nuk ka qenë në Prizren. Në “Monumente të vjetra të sllavëve të jugut” të Augusto Theiner” (vëllimi II, botim i Akademisë së Shkencave të Sllavëve të Jugut, Zagreb, 1875, f.212-214. Ç VIII), jepet “Relacioni mbi gjendjen e kongregacionit dhe misionet e Propaganda Fides”, të shkruara për papën Inocent XI nga monsinjor Urbano Cerri(Çeri), rreth vitit 1680. Në këtë dokument thuhet se në Peshkopatën e Shkodrës përfshihen popujt e Kelmendit që varen nga Pjetër Bogdani. Termi “popujt e Kelmendit” nënkupton tërë Malësinë e Madhe, e cila atëherë përbëhej nga Kelmendi, Hoti, Gruda, Trieshi, Kastrati, Bërda, Kuçi, Pulabardhi, Piperi, Vasojeviçi. Një pjesë e tyre ishin ortodoksë shqiptarë, që sot janë sllavizuar. Ata që ngelën të krishterë të ritit katolik, ose u konvertuan në myslimanë, mbetën shqiptarë. Arqipeshkvi i Shqipërisë, Pjetër Bogdani, hartoi një projekt për çlirimin e atdheut dhe u përpoq që të merrej vesh me austriakët për realizimin e tij. “Konti Pikolimini u prit nga Arqipeshkvi dhe Patriku i Prizrenit”, referon më 29 nëntor 1689 ambasadori i Francës në Vjenë. Me Pikolominin u përfundua një marrëveshje. Traktati bënte fjalë që vullnetarët vendorë, si dhe gjysma e banorëve kryengritës, do të organizoheshin sipas mënyrës austriake, ndërsa gjysma tjetër do të rrinte në shtëpi, porse të gjithë do të gjendeshin nën mbrojtjen e perandorit. (“Kosova një histori e shkurtër”, Noel Malkolm, 1998, Londër). Përsa i përket titullit të P.Bogdanit “Arqipeshkv i Shqipërisë”, përmendur nga shumica e autorëve bashkëkohorë, ai nuk është gjë tjetër veçse titulli Arqipeshkvi i Shkupit, titull që ai e gëzoi deri në ditën e vdekjes, 6 dhjetor 1689. (Pjetër Bogdani, “Letra dhe dokumente”, Odette Marquette, Shkodër, 1997). P.Bogdani në atë kohë kryesonte edhe vëllazëri të krishtere ortodokse shqiptare. Kurse historianët sllavë, ortodoksët shqiptarë të Shqipërisë së Veriut të asaj kohe, si edhe të çdo kohe i quajnë padrejtësisht serbë. Serbët, sikurse edhe grekët, fenë e barazvlerësojnë me kombësinë. Më 1689 qyteti i Prishtinës përbëhej nga 15 000 njerëz, shumica prej të cilëve ishin myslimanë. Këtu Pikolimini hyri pa luftë. Sipas burimeve dokumentare, 5000 arnautë ikën nga turqit dhe u hodhën në anën e austriakëve. Hammeri në “Historia e Perandorisë Osmane qysh në organizimin e saj e deri në ditët tona”, (vëll.XII, Paris, 1835, f.502-503) për mobilizimin dhe pjesëmarrjen e ushtrisë turke në luftën serbo-osmane të asaj kohe shkruan : “Në një këshill lufte që u mbajt në Adrianopojë, ku mori pjesë hani i Krimesë, Selim Ghirai (Girei) dhe Toekoeli, u duk urgjente të marshohej drejt Shkupit ku armiku i ndihmuar nga shqiptarët dhe Patriku i tyre (Pjetër Bogdani – Sh.D), kishte vendosur shtabin e tij të përgjithshëm … Në Prizren u grumbulluan 7 ose 8 mijë burra gjermanë, hungarezë dhe shqiptarë, të gjithë duke mbajtur në gjokset e tyre nga një kryq, për të treguar më mirë qëllimin e kësaj lufte”. Autori i sipërpërmendur vë ne dukje se, në këtë kohë Perandoria Osmane dërgoi udhëzime e urdhra për gjithë të krishterët e Perandorisë Osmane, në të cilat urdhërohej që t`u hiqej nënshtetasve osmanë të krishterë çdo rëndim takse, në mënyrë që ata të mos detyroheshin të paguanin taksa të tjera përveç se atyre të zakonshmeve. Këto urdhëresa lëshoheshin nga Mustafa Qypriliu, Veziri i asokohshëm i Turqisë dhe siç vë në dukje Hammeri, “përkrahnin rajatë e shtypur. Gënjeshtrën e ikjes së popullsisë serbe nga Kosova dhe zëvendësimin e saj me popullsinë e ardhur shqiptare, Lumo Skëndoja, e hodhi poshtë me lehtësi në veprën “Shqiptarët dhe sllavët”, (Lozanë, 1919, “Libraria Qendrore e Nacionaliteteve”). Për këtë Mid’hat Frashëri shfrytëzoi antikuarin “Portat e reja të hapura”, shkruar nga Ricaut, Donaldo Foscarini, Berengano etj. (Ausburg, viti 1701). Në këtë vepër flitet për luftën austro-osmane. Në faqen 62, duke folur për princin Karl Filip, pohohet se princi Karl Filip ndodhej në Prishtinë, në Shqipëri, në fillim të vitit 1690. Në faqet 517-518 të këtij antikuari pohohet : “Me pjesën e mbetur të trupave që përbëheshin nga dy regjimente, shkoi vetë zoti gjeneral, pa vënë re ndjenjën e papërshtatshmërisë në Prisseran (Prizren) kryeqytet në Shqipëri, ku ishte vetë kryepeshkopi dhe kryepatriku kelmendas… ku ishin 8000 arnautë, pjesërisht të krishterë dhe pjesërisht turko-shqiptarë (shqiptarë myslimanë – Sh.D.)… “Ndërkohë armiku kishte filluar të forcohej në Lumë dhe Tetovë. Për këtë, pjesa krishtere, sapo mori lajmin në qytetin Prisseran (Prizren) u goditën nga disa trupa shqiptare… “. Në faqen 460 theksohet: “Jo më pak e etur ishte provinca shqiptare për të hequr zgjedhën osmane, si dhe Guzzini(Gucian), Klementinë (Kelmendas) dhe popuj (fise – Sh.D.) të tjerë të vendbanimeve shqiptare … “. Pra, gënjeshtra e historianëve shovinistë serbë, që thonë se Kosova në atë kohë ka qenë Serbi, hidhet poshtë katërcipërisht nga Lumo Skëndoja. Opinioni ndërkombëtar ndriçohet nga të tilla dokumente të vyera të botuara prej Lumo Skëndos. Përkundrazi ushtrinë e Pikolominit e dëmtuan hajdukët serbë, rasianë nga Rasha, që shkuan “në ndihmë” të Pikolominit. Këta hajdukë (banditë) ndaheshin në banda me nga 300 vetë dhe digjnin e plaçkitnin Kosovën. Në këto plaçkitje filluan të marrin pjesë edhe ushtarët austriakë. Këto sjellje nuk mbetën pa përgjigje nga banorët vendas. Në “Historia e luftës së Leopoldit I dhe e princërve të bashkuar kundër turqve, nga viti 1683 deri në arritjen e paqes”, (përshkruar nga Kamilo Kontarini, fisnik venedikas, pjesa II, Venedik, 1710 faqe 170) pohohet:” Holshtejni nxit banorët e Lumës të nderojnë Çezarin (Leopoldi I), ata nuk e pranojnë”. Autori i sipërpërmendur shkruan : “Duka Holshtein duke ndjekur turqit, hyri në vendin midis dy Drinave, i cili banohej nga malësorë. Me premtime për heqje taksash e privilegjesh, ftoi banorët e atij vendi t`i bëjnë nderime Çezarit (Leopoldit I – Sh.D.). Ata jo vetëm që nuk i pranuan premtimet që iu bënë nga ana e Dukës Holshtein, por deshën të mbështesin të pabesët (turqit), me gjithëse ishin të fesë ortodokse. Ata, pa luajtur nga pozicionet e tyre, pritën ardhjen e gjermanëve me të shtëna të ndryshme. Këta (lumjanët – Sh.D.), duke u sjellë në këtë mënyrë zemëruan Holshteinin dhe ai me të drejtë u zemërua. Duka urdhëroi që gjithë atij territori t’i vihet flakë. Brenda një kohe të shkurtër u kthyen në hi mbi 30 fshatra të asaj ane. Pasi kreu këtë veprim, kaloi përsëri në Prizren dhe pastaj me marshim të sforcuar mbërriti në Prishtinë”. Pasi vdiq Pikolomini, rekrutët shqiptarë u bënë të pakënaqur nga anarkia, nga kopracia dhe nga arroganca e oficerëve austriakë. Komandanti i ushtrisë austriake në Kosovë, duka Holshtejn kërkoi që ushtarët shqiptarë të paguanin taksa si edhe të çarmatoseshin. “Kjo ishte e patolerueshme për atë komb të lirë e luftarak”, na bëjnë të ditur burimet veneciane. Edhe Peja, e cila ishte seli e Patrikanës Serbe, ishte pjesë e Shqipërisë. Le të citojmë një dokument të asaj kohe: “Gjeneral Veterani, duke parë se planet e tij u realizuan me sukses, i dha urdhër Kolonel Antonios që të bënte vëzhgime deri në Pejë, një qytet në Shqipëri.” (Dokumente të shekujve Xvi-Xvii për Historinë e Shqipërisë, Vëllimi IV (1675-1699), Tiranë, 1990). Dokumenti 146 “1689-1690 – Pjesë nga Ditari i një anonimi me titull: “Shënime dhe meditime për armët e lavdishme perandorake në vitin 1689.” Hahn në “Reise von Beograd nach Salonik Wien,1868” vë në dukje sjelljen e rreptë tatimet arbitrare dhe mungesën e disiplinës ndaj ushtarëve të tij nga pasardhësi i Pikolominit, Hercog von Holshtein bënë që shqiptarët ta braktisin atë dhe të kalojnë nga ana e osmanëve. Prej 20 000 shqiptarëve që u bashkuan me Pikolominin në Kosovë, mbetën në ushtrinë e tij vetëm 3 000. Pas një kohe të shkurtër ushtria austriake u thye. Ajo, nën goditjen e ushtrisë osmane më 1691, u detyrua të tërhiqej për në Hungari. “Aty u strehuan më se 40 000 vetë”, i shkruan Patriku serb i Pejës, Arseni III, më 1706 mbretit Leopold të Austrisë. “Në këtë numër përfshiheshin 30 000 serbë që u larguan nga Serbia për në Hungari, pasi Beogradi ra në duar të osmanëve më 1696. Pjesa tjetër e refugjatëve ishin prej Nishit. Në këtë numër përfshiheshin edhe katolikë shqiptarë nga Kosova, myslimanë shqiptarë po nga ai vend, si edhe myslimanë sllavë, na bën të ditur më 1693 Tom Raspasari, që zëvendësoi Pjetër Bogdanin, duke përmendur luftën austro-osmane të 1689-s. Një ndër falsifikatorët kryesorë të emigrimit të serbëve nga Kosova është Lubor Niederle. Në librin e tij “Raca sllave”, (statistikë, demografi – antropologji, Paris, 1916, faqe 172), ai shkruan: “Në krahinat që pak kohë më parë ishin vatra dhe zemra të kombit, Fushë -Kosova e Serbisë së vjetër, ikën qindra mijëra njerëz ikën prej andej, ikën duke u vendosur në krahina relativisht të qeta të Austro-Hungarisë. Kjo shpërngulje filloi qysh nga fundi i shekullit XIV, pas betejës së Kosovës (1389) si dhe marrjes së Shkupit (1381) nga turqit”. Sipas dokumenteve historike, që i përkasin kësaj periudhe, të paraqitura edhe nga historianët serbë nuk ekziston ndonjë shpërngulje serbe, qoftë edhe imagjinare nga Fushë -Kosova para vitit 1689. Madje në atë kohë nuk ekzistonte as Austro-Hungaria. Më tej autori i sipërpërmendur në këtë libër shkruan : “Në fillim të shekullit XV ne gjetëm koloni serbe në ishullin Czeplo më vonë në Syrmie, Raczka, në vendet e Torontalit dhe Temesvarit”. Pas këtyre rreshtave L.Niederle vazhdon të mashtrojë: “Emigrimi i madh në këto vende ndodhi më 1690 nën drejtimin e Arsenit III Çernojeviç, patrik i Pejës. Thonë se ishin 8000 vetë”. Këtë gënjeshtër e hedh poshtë vetë Arseni III i cili në letrën që i dërgon Leopoldit I, të cituar më parë, ku flitet për emigracione serbe pas luftës austro-osmane në fund të shekullit XVII, na jep numrin e tyre 30000 serbë; por edhe ata nuk janë serbë nga Kosova. Ami Boue, në vëllimin IV “Turqia e Evropës”, (Paris, 1840), pohon se “Shqiptarët e Veriut, myslimanë dhe katolikë, shpresojnë të formojnë një principatë si të Skënderbeut, nën mbrojtjen e Austrisë”.Ky dijetar i thotë këto, duke dashur që të përtëritet miqësia austro-shqiptare e 1689-s, bazë kjo e formimit në të ardhmen të një principate shqiptare nën mbrojtjen e Austrisë. Për hir të së vërtetës është e udhës të themi se gënjeshtrat për imigrimin e madh serb të 1689-1690-s janë fund e krye kronika të falsifikuara dhe të shkruara në manastire serbe. Të vjen keq që në “Historia e Perandorisë Osmane” të Robert Mantran, (Paris, 1984, botim i Fayardit), thuhet se “Arseni III Cernojeviç pas tërheqjes së ushtrisë austriake, u detyrua të ikte së bashku me një pjesë të popullit të tij – rreth 90 000 familje – në veri të Danubit”. Ky autor përsërit refrenin serb të mashtrimit. Vlen të përmendet libri i A. Yelen ”Në Jugosllavia ortodokse”, kreu II që titullohet “Lëvizjet migratore”. Në këtë kapitull autorja ka botuar letrën e Patrikut Arsen III dërguar Pjetrit I, lexojmë një paragraf:
“Ditë e natë me popullit tëpafat
Nuk zemë vend askund veçse ikim,
Si një anije në oqeanin e pafund
Duke pritur perëndimin e diellit
Dhe shuarjen e ditës.
Duke pritur mbarimin e natës
Dhe të dimrit tonë të egër…
Prandaj të themi duke lotuar:
Çohu ti,Zot
Deri kur do të na lësh të braktisur?”
(Arseni III Çernojeviç) (ekstrakt i nxjerrë nga letra e tij dërguar Pjetrit të Madh, më 29 tetor 1705. Në faqen 111 zonja Yelen shkruan: “Në tokat e lëna të shkreta turqit vendosën kolonë të rinj, duke filluar së pari me ushtarët dhe funksionarët e tyre. Në krahinën e Skadarit (Shkodër). Shqiptarët mbushën zbraztirat e lëna nga nisja e serbëve. Në Maqedoni mbërritën barinjtë e Azisë së Vogël dhe shqiptarët muslimanë. Në vendet dinarike erdhën bashkësi të ra barinjsh, të cilat turqit u ruajtën njëfarë autonomie”. I bëjmë të njohur autores se sipas regjistrave kadastrorë osmanë, të cilat fillojnë që në shekullin XV e vijojnë deri në fund të sundimit osman, shqiptarët kurrë nuk kanë mbushur zbraztira të lëna nga serbët. Ata kanë qenë autoktonë si në Kosovë, Maqedoninë Perëndimore dhe në një pjesë të Malit të Zi. Përsa i përket krahinës së Shkodrës flasin qartë dhe regjistrat kadastrorë venedikase, të cilat nxjerrin në pah autoktoninë e shqiptarëve në këtë krahinë. Për shpërnguljen e serbëve flitet në luftën Austro-Osmane në faqen 117 të këtij libri, citojmë një paragraf: “Kur 1690 Arseni III mori me vete më se 40 000 veta në një marshim të gjatë drejt Hungarisë, si kishte kapur të 50-tat. Ishte një njeri plot dinjitet, kurajoz dhe i fortë në mundim, me tipare madhështore që karakterizojnë malazezët.” Nikolla Jorga vë në dukje se familja Çernojeviç është me origjinë shqiptare; kurse “populli tim i “pafat”, siç i quan Arseni III të shpërngulurit që i mori me vete, kapnin vetëm shifrën e rreth 40 000 vetëve.
Ndërsa L. Thallozcy shkruan: “Fusha e Sllovenisë dhe ajo e Hungarisë Jugore, i thithën si vajin dyndjet që vinin nga Ballkani në 1960 dhe për këtë arsye, nuk mund të flitet për kolonizim të mirëfilltë. Mes emigruesve, kishte dhe bujq nga pjesë të ndryshme, të cilët sipas traditës lindore punonin aq tokë sa iu nevojitej për të përballuar jetesën; mes tyre kishte dhe tregtarë- shumica e tyre grekë e vlleh dhe disa rasha (serbë) të pasur, pastaj kishte grupe të armatosura serbësh dhe shqiptarësh, të cilët në vendin e tyre kishin shërbyer si mercenarë dhe që tani kërkonin të jetonin me vjedhje e plaçkitje. Ashtu si gjithë popujt-barinj, ata nuk ndjeheshin se bënin ndonjë punë të rregullt (Thallozcy, Illyrisch-albanische Forschungen, Munchen, 1916). Thallozcy tregon shumë qartë se i ashtuquajturi emigracion i serbëve nga Kosova në vitin 1960, nuk ishte gjë tjetër veçse një migrim i elementëve të ndryshëm; të serbëve, boshnjakëve, hercegovinasve, shqiptarëve, vllehëve dhe grekëve. Selami Pulaha në “Autoktonia e shqiptarëve të Kosovës, (Tiranë 1985), duke analizuar eksodin serb të vitit 1689, bazuar në kadastrat osmane, mbërriti në konkluzionin se në Kosovë feja islame u përhap në popullsinë shqiptare ortodokse dhe katolike dhe jo në minoritetin sllav megjithëse jetonte në të njëjtat kondita.Vlen të përmendet hartografi venedikas M. V. Coronelli (1640-1715. Në hartën e tij “Rrjedha e lumenjve Drini dhe Buna”, Venedik, 1688, jep për disa vendbanime të dhëna për strukturën fetare dhe etnike të Kosovës, për shembull: Prizreni banohet nga 6000 dhe 35, ndërsa Shkupi ka 20000, 25 dhe 200Δ, Janjeva 5000 dhe 80,( =katolikë; Δ=grekë, =turq) Duhet patur parasysh se identifikimi fetar turk i referohet popullsisë myslimane, ndërsa ai grek i referohet popullsisë ortodokse. Pra, nga ç’vumë re më sipër, kuptohet qartë se shumica dërrmuese e popullisë së këtyre qyteteve është shqiptare. Në hartën tjetër të Coronellit me titull “Rrjedha e Danubit nga Viena deri në Nikopojë”, vendet fqinje, Kosova identifikohet me emrin Iliricum. Faza III e mitologjisë fetare serbe, fillon me 1878 dhe mbaron me 1999 me një luftë të pashpallur të Serbisë kundër Kosovës, me një bilanc ferri: qindra mijëra kosovarë të vrarë, të plaçkitur dhe të shpërngulur, djegie, shkatërrime, përdhunime etj. Faza e tretë i përgjigjet ringjalljes së popullit serb, që është ripushtim i Kosovës. Kjo mitologji kriminale fatkeqësisht e udhëhoqi popullin serb të kryejë krime mbi popullsinë shqiptare të Kosovës duke e bërë atë bashkëfajtor të përhershëm kolektiv në tragjedinë kosovare. Varrosja e kësaj mitologjie kriminale do të kryhet në datën 17 të muajit shkurt, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës./Memorie.al
* Sherfi Delvina Ish Studiues, Historian,’Mësues i Popullit’
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016